Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Rrezikuan të mbyteshin në det në zonën e Gramës, policia shpëton tre pushuesit

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Policia Kufitare e Himarës shpëtoi tre pushues që rrezikuan të mbyteshin në det pasi skafi i tyre pësoi defekt gjatë lundrimit.

Sipas njoftimit të policisë “mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit të marrë nga Salla Operative e DRKM Vlorë, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë punën për t’i shkuar në ndihmë një mjeti lundrues skaf në zonën e Gramë-Brisanit”.

“Pas kërkimeve, u bë i mundur lokalizimi i skafit që kishte pësuar defekt teknik dhe po përmbytej. Në bord ndodheshin 3 shtetas, të cilët u morën dhe u shoqëruan me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, drejt bregut, në gjendje të mirë shëndetësore”, njoftoi policia.

Policia njoftoi se pavarësisht përpjekjeve të shërbimeve të Policisë Kufitare për ta tërhequr dhe për ta nxjerrë skafin në breg, ai u fundos në det.

/m.q/j.p/

 

The post Rrezikuan të mbyteshin në det në zonën e Gramës, policia shpëton tre pushuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Operacioni “Jackpot”, nën hetim 4 persona në Tiranë

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Policia zbuloi sot dy ambiente të përshtatura për organizimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Policia njoftoi se në kuadër të operacionit policor i koduar “Jackpot”, u proceduan penalisht 4 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë.

“Gjatë kontrolleve, u konstatua se 2 ambiente, në Mjull Bathore dhe në Vaqarr, ishin përshtatur për organizimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

“Në vijim të veprimeve për këto dy raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit B. D., 65 vjeç, R. L., 33 vjeç, L. M., 63 vjeç dhe G. Ch., 43 vjeç (shtetas kinez), si dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas kinezë Ë. Zh dhe Y. L. Punohet për kapjen e tyre”, njoftoi policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/m.q/j.p/

The post Operacioni “Jackpot”, nën hetim 4 persona në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërtoi shtëpi pushimi pa leje në Ishëm, arrestohet ish-kreu i IMT-së në Durrës

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Ish-kryeinspektori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Durrës në vitin 2017, është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se ka ndërtuar pa leje.

Policia e Durrësit njoftoi sot se “specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar arrestuan shtetasin A. H., 55 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në vitin 2017, kur ka qenë me detyrë kryeinspektor i IMT Durrës, ka ndërtuar pa leje, disa objekte (shtëpi pushimi), në fshatin Shetaj, Ishëm”.

Sipas medieve bëhet fjalë për një rezidencë me vila pushimi, pishinë e vende parkimi, buzë detit pranë zonës së Kepit të Rodonit.

/m.q/j.p/

The post Ndërtoi shtëpi pushimi pa leje në Ishëm, arrestohet ish-kreu i IMT-së në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Blushi: Zero prova kundër Metës, gjykata palë me SPAK-un

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi tha sot se presidenti i PL-së Ilir Meta prej 10 muajsh po mbahet në burg pa asnjë fakt penal.

Duke e konsideruar izolimin e Metës si “politik”, Blushi tha edhe gjykata është bërë palë me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, prej 10 muajsh, ndodhet në burg jo për shkak të ligjit, por të politizimit ekstrem të SPAK-ut dhe shantazhit institucional që Prokuroria e Posaçme ushtron mbi gjykatat speciale, përmes përgjimit permanent të gjyqtarëve dhe familjarëve, duke cenuar në mënyrë flagrante pavarësinë e tyre në vendimmarrje”, u shpreh Blushi.

Sipas Blushit, gjatë kohës që Meta është mbajtur i burgosur “nuk është zbuluar dhe paraqitur asnjë provë reale ligjore që të vërtetojë ndonjë veprim të paligjshëm të Meta”.

Deputeti i zgjedhur i PL-së nënvizoi se “alibia e “dëshmitarëve të paqëndrueshëm” kundër Ilir Metës nuk provon gjë tjetër veçse ata janë pengje të SPAK-ut”.

“Ilir Meta, pa pushtet ekzekutiv, pa asnjë instrument presioni dhe pa mandat deputeti nuk ka asnjë fuqi intimiduese ndaj kërrkujt. Ndaj gjykata për rastin e Metës duhet të argumentonte për çfarë dëshmitarësh bëhet fjalë”, tha Blushi.

Blushi shtoi se “nuk ka asnjë dëshmitar, që të jetë i PL, jo se jo, që e fajëson Ilir Metën apo që e bën përgjegjës në raport me ligjin”.

“Presioni ndaj gjyqtarit nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga SPAK, afërmendsh që do prodhojë bërjen palë të tij me SPAK në këtë proces, duke riprodhuar po afërmendsh të njëjtën alibi për “provat e gjalla të paqëndrueshme”, që më pas kthehet në “argument” ligjor për të mbajtur Ilir Metën në paraburgim politik”, tha Blushi.

Blushi u shpreh se gjykata duhet të garantojë një proces të rregullt ligjor midis palëve dhe SPAK është palë në këtë.

Sipas Blushit “i gjithë procesi karakterizohet nga manipulimi, selektiviteti, mungesë transparence, paligjshmëria dhe politizimi”.

Më 13 gusht Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të mos ndryshojë masën e sigurisë ndaj Ilir Metës, duke e lënë në fuqi “arrestin në burg”.

SPAK i ka komunikuar zyrtarisht Ilir Metës mbylljen e hetimeve dhe kalimin e dosjes në gjykatë.

Meta akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.

Ai u arrestua më 21 tetor 2024 dhe që prej atij momenti qëndron në paraburgim me masë “arresti në burg”.

/m.q/j.p/

The post Blushi: Zero prova kundër Metës, gjykata palë me SPAK-un appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shiste armë për grupet kriminale, arrestohet 22-vjeçari në tunelin e Murrizit

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Një 22-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi u kap në flagrancë duke transportuar 2 armë zjarri kallashnikov, nga Burreli në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale.

Policia njoftoi sot se u vu në pranga A. D., 22 vjeç, banues në Burrel.

“Gjatë operacionit, në tunelin e Murrizit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin që drejtonte 22-vjeçari, në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën të fshehura në bagazh, 2 armë zjarri kallashnikov dhe 4 krehra për to”, njoftoi policia.

Sipas policisë nga hetimet dyshohet se ky shtetas po i transportonte armët në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale. Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

/m.q/j.p/

The post Shiste armë për grupet kriminale, arrestohet 22-vjeçari në tunelin e Murrizit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në kërkim në Itali si pjesëtarë të grupeve kriminale, arrestohen tre persona në Fier

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Policia e Shtetit finalizoi tre operacione në qarkun e Fierit për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në pranga u vunë tre shtetas të cilët akuzohen nga autoritetet italiane, si pjesëtarë të një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.

Policia njoftoi sot se “konkretisht në kuadër të operacionit “Operacionalja 61”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. Sh., 24 vjeç, banues në Fier; në kuadër të operacionit “Operacionalja 62” u kap dhe u vu në pranga A. M., 29 vjeç, banues në Fier; në kuadër të operacionit “Operacionalja 63” u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. F., 22 vjeç, banues në Fier”.

“Këta shtetas ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Riminit, Itali, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i  narkotikëve”. Maksimumi i dënimit: 10 vjet burgim”, njoftoi policia.

Sipas policisë ata akuzohen se gjatë periudhës qershor-dhjetor 2024, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë, kanë blerë sasi të mëdhaja droge, me qëllim shitjen në qytetin e Riminit.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali.

/m.q/j.p/

The post Në kërkim në Itali si pjesëtarë të grupeve kriminale, arrestohen tre persona në Fier appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në kërkim për disa vepra penale, arrestohen dy vëllezërit shqiptarë në Itali

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Në kuadër të operacionit “The Wanted”, janë arrestuar në Itali me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 2 shtetas (vëllezër), të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Policia njoftoi sot se “si rezultat i sigurimit të informacionit nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij, në kohë reale nëpërmjet Interpol Tiranës, me Policinë italiane janë arrestuar: E. H. alias E. L., 35 vjeç dhe K.H, 31-vjeç.

“Gjykata e Durrësit, në muajin janar 2022, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Përkrahja e autorit të krimit””. Ai akuzohet se në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, më datë 07.02.2021, ka vjedhur me dhunë, një automjet, një shumë parash dhe një celular, në ambientet e një fabrike qumështi. Gjithashtu, ka ndihmuar të fshihej shtetasin H.H, i shpallur në kërkim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve””, njoftoi policia.

Gjithashtu sipas policisë gjykata e Dibrës, në muajin korrik 2020, e ka dënuar K. H., 31 vjeç me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

“Në vitin 2019, shtetasi K. H. është kapur në flagrancë brenda një sere në Martanesh, ku kishte kultivuar fidanë narkotikë në 1324 gota plastike. Nga dënimi, këtij shtetasi i kanë mbetur për të vuajtur dhe 1 vit, 6 muaj e 15 ditë”, njoftoi policia.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po kryejnë procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri.

/m.q/j.p/

The post Në kërkim për disa vepra penale, arrestohen dy vëllezërit shqiptarë në Itali appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

115-vjetori i Shën Nënë Terezës, ekspozitë filatelike në Bibliotekën Kombëtare

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Në Bibliotekën Kombëtare u kremtua sot 115-vjetori i lindjes së Shën Nënë Terezës, shenjtores shqiptare të njohur botërisht.

Përmes një ekspozite filatelike dhe biografiko-historike, pjesë e koleksionit privat të koleksionistit Hysen Dizdari, i cili është edhe autor i librit “Nënë Tereza në pullat shqiptare”, iu prezantua publikut figura e shenjtores nën dritën e kujtesës kulturore dhe historike.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe studiuesi nga Kosova, Anton Nikë Berisha, autor i 150 veprave për letërsinë shqipe dhe 27 veprave për Nënë Terezën.

Anton Nikë Berisha i dhuroi Bibliotekës Kombëtare një kolanë me vepra të zgjedhura të tij, si dhe 10 libra për Shën Nënë Terezën ia dhuroi koleksionistit Hysen Dizdari.

Takimi u moderua nga zëvëndësdrejtorja e Bibliotekës Kombëtare, Majlinda Toçi, ndërsa ekspozita zgjoi interesin e studiuesve, kritikëve dhe grupeve të tjera të interesit.

/m.q/j.p/

The post 115-vjetori i Shën Nënë Terezës, ekspozitë filatelike në Bibliotekën Kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dimal Basha në krye të Kuvendit të Kosovës, Spiropali: Rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali uroi sot kryetarin e ri të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Bashën.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kryeparlamentarja përgëzoi gjithashtu Kuvendin e Kosovës “për çeljen e rrugës për ndërtimin e institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve”.

“Mezi pres të rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit tē Kosovës, për të mirën e qytetarëve tanë, për mbështetjen e integrimit euroatlantik të dy vendeve tona, dhe garantimin e mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon”, shkruan Spiropali.

Kuvendi i Kosovës zgjodhi sot deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha për kryetar të Kuvendit.

Në përpjekjen e 58-të për konstituimin e Kuvendit, propozimi i Vetëvendosjes u miratua me 73 vota pro, 30 kundër dhe 3 abstenim.

Ai arriti t’i marrë votat e nevojshme falë votës së një pjesë të deputetëve të PDK-së, AAK-së dhe një pjese të pakicave. LDK dhe Lista Serbe votuan kundër.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e ngërçit të krijuar, kjo ishte seanca e katërt e zhvilluar ku deputetët dhanë dakordësi për emrin e Dimal Bashës si kreu i ri i Kuvendit të Kosovës.

/m.q/j.p/

The post Dimal Basha në krye të Kuvendit të Kosovës, Spiropali: Rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PL: Të rikthejmë bujqësinë si prioritet kombëtar

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Partia e Lirisë, përmes një deklarate nga zëdhënësja e Presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli u shpreh sot se Shqipëria e vitit 2024 është vendi me popullsinë më të kequshqyer në Europë.

Sipas saj “nga viti 2022 deri në vitin 2024, Shqipëria nuk ka qenë në gjendje të sigurojë ushqim të mjaftueshëm për qytetarët e saj. 5.4% e popullsisë është e nënushqyer, ndërkohë që në vendet e rajonit ky tregues është thuajse i zhdukur”.

Memelli theksoi se ky është një turp kombëtar, por mbi të gjitha një krim social.

“Në Shqipëri nuk mungon toka pjellore, nuk mungon potenciali prodhues, por mungon politika e ndershme, mungon vizioni dhe mungon përgjegjësia”, nënvizoi Memelli.

Sipas Memellit, nuk mund të ketë zhvillim me qytetarë që vuajnë për ushqim.

Memelli tha se “Partia e Lirisë ka një program të qartë dhe më se të realizueshëm, 5 prioritete për katër milionë shqiptarë plus, ku fokusi kryesor është të garantohet siguria ushqimore për çdo familje shqiptare me programe emergjente mbështetëse për shtresat më të varfra”.

“Të rikthejë bujqësinë si prioritet kombëtar, duke e bërë Shqipërinë të vetëmjaftueshme në prodhimin e ushqimit bazë, por jo vetëm edhe shndërrimin e saj në fuqi eksportuese. Të ulë koston e jetesës përmes politikave fiskale të drejta dhe subvencioneve reale për prodhuesit vendas”, u shpreh Memelli.

/m.q/j.p/

The post PL: Të rikthejmë bujqësinë si prioritet kombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

APD: Në 7 muaj, 135 jahte turistike në portin e Durrësit

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Autoriteti Portual Durrës njoftoi sot se gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2025, në kalatat e Portit të Durrësit janë akostuar 1,709 mjete lundruese, mes tyre 135 jahte turistike.

Sipas APD Ky numër reflekton jo vetëm rritjen e lëvizjes turistike, por edhe rolin e rëndësishëm të portit në shërbimin ndaj shkëmbimeve tregtare.

“Kjo dëshmon për cilësinë e shërbimeve portuale që ofron Porti i Durrësit”, nënvizoi APD përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

The post APD: Në 7 muaj, 135 jahte turistike në portin e Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INSTAT: Numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri u rrit me 2,2% gjatë 2024-ës

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri ka arritur në 21.940 në fund të vitit 2024, duke shënuar një rritje prej 2,2% krahasuar me vitin 2023. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) pasqyrojnë një tendencë në rritje të interesit të të huajve për të jetuar dhe punuar në Shqipëri.

Sipas statistikave, meshkujt përbëjnë shumicën e të huajve me leje qëndrimi me 61,9%, ndërsa femrat zënë 38,1%. Grup-mosha më e përfaqësuar është ajo nga 30 deri në 39 vjeç, që përbën 24,6% të të huajve gjithsej.

Po sipas shifrave të INSTAT, numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri, në vitin 2024 shënoi rritje prej 6,0%, krahasuar me vitin 2023. Shtetasit nga Italia dhe India përbëjnë 28,8% të aplikimeve.

Të huajt me origjinë nga Kosova, Italia dhe Turqia përbëjnë numrin më madh të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri.

Shumica e të huajve kanë ardhur për qëllime punësimi, duke përbërë 54,3% të lejeve të qëndrimit, ndjekur nga bashkimi familjar me 24,5%, arsye të tjera me 16,3%, studimet me 4%, dhe qëllimet humanitare me 0,9%.

Në 2024 u identifikuan 1540 të huaj të parregullt në territorin e Shqipërisë, duke shënuar një rënie të konsiderueshme, krahasuar me 6630 në vitin 2023.

Të huajt në Shqipëri sipas vendit të origjinës

Në vitin 2024, të huajt me origjinë nga Kosova janë 4592 banorë, duke shënuar një rritje me 23,7%, krahasuar me 2023, ndërsa të huajt me leje qëndrimi në Shqipëri me origjinë nga Italia janë 3763 banorë, duke shënuar një rritje me 11,5%, krahasuar me 2023.

Sipas të dhënave, Evropa zë pjesën më të madhe me 65,5% (14.367 persona me leje qëndrimi), duke shënuar një rënie prej 5,6%, krahasuar me 2023; Azia ka shënuar rritje të ndjeshme me 20,1% (4545 persona); Amerika, Afrika dhe Oqeania rritje me 23,4% (3028 persona).

Të dhëna mbi të huajt me leje qëndrimi në Shqipëri si dhe të huajt e parregullt sigurohen nga Departamenti për Kufirin dhe Migracionin.

/m.q//r.e/

The post INSTAT: Numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri u rrit me 2,2% gjatë 2024-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Stadiumi i ri “Flamurtari” në Vlorë, Vengu: Arenë moderne në funksion të qytetit

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Stadiumi “Flamurtari” pritet të kthehet në një arenë moderne sportive dhe një pikë referimi për jetën sportive, sociale dhe ekonomike të qytetit të Vlorës, si pjesë e një masterplani të gjerë zhvillimi.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu nëpërmjet një postimi sot në rrjetet sociale, nënvizoi se stadiumi do të jetë në funksion të qytetit, ndërsa theksoi rëndësinë e këtij projekti.

Sipas tij, veç stadiumit, plani përfshin ndërtimin e një pishine publike moderne dhe një pallati të ri të sportit për qytetin e Vlorës.

“Projekti i transformimit të Stadiumit ‘Flamurtari’ në një arenë tërësisht të re dhe moderne në funksion të qytetit, është pjesë e një masterplani i cili planifikon zhvillimin e një zone edhe më të gjerë se ajo e pronës publike dhe përveç stadiumit parashikon edhe një pishinë të re publike dhe pallatin e ri të sportit të qytetit të Vlorës”, nënvizoi Vengu.

Vengu shtoi se projekti sjell një harmoni të gjetur mes arkitekturës moderne dhe trashëgimisë historike.

“Projekti fitues i konkursit ndërkombëtar, në pronën publike, përfshin ndërtesa bashkëkohore që do ti japin një gjallëri të re jetës sociale e ekonomike të Vlorës, përmes konceptimit të bukur ariktektonik të XDGA | Consulting and Management Albania ltd | Jeshile Landscape | Bollinger + Grohmann Sarl | Ledia Kostandini, në një harmoni tejet të gjetur me trashëgiminë aq të pasur historike të këtij qyteti kaq të dashur nga të gjithë shqiptarët dhe bota mbarë”, shkruan Vengu.

 

/m.q//r.e/

The post Stadiumi i ri “Flamurtari” në Vlorë, Vengu: Arenë moderne në funksion të qytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

U rrezikuan gjatë lundrimit në det, policia iu shkon në ndihmë pushuesve në Sarandë e Palasë

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Policia Kufitare e Vlorës iu shkoi sot në ndihmë disa pushuesve që u rrezikuan gjatë lundrimit me mjetet e tyre lundruese, në Sarandë dhe në Palasë.

Policia e Shtetit njoftoi se “shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë me mjetet e tyre lundruese dhe bënë të mundur ndihmën dhe shoqërimin e sigurt të turistëve dhe mjeteve lundruese drejt bregut”.

“Pas marrjes së njoftimit se, rreth një milje larg Gjirit të Sarandës, kapiteni i një jahti me flamur maltez kërkonte ndihmë pasi mjeti i tij lundrues kishte pësuar defekt dhe kishte marrë ujë, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e kapitenit në mënyrë të sigurt në breg dhe rimorkimin e jahtit në Portin e Limionit”, njoftoi policia.

Më tej, forcat blu njoftuan se “në zonën e Shën Andreut, disa turistë që ndodheshin në bordin e një mjeti lundrues po rrezikoheshin për shkak të kushteve të vështira të detit, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e turistëve në mënyrë të sigurt në breg dhe ankorimin e mjetit të tyre lundrues në molin e Palasës”.

/m.q//r.e/

The post U rrezikuan gjatë lundrimit në det, policia iu shkon në ndihmë pushuesve në Sarandë e Palasë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarr në Akërni, katër helikopterë në aksion për shuarjen e flakëve

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Një zjarr përfshiu pasditen e sotme pyllin me pisha në zonën e hidrovorit, në fshatin Akërni, Novoselë, pranë lagunës së Nartës.

Mediet raportojnë se për shkak të terrenit të vështirë dhe rërës që pengon lëvizjen e automjeteve zjarrfikëse, në pyllin e pishave pranë hidrovorit kanë shkuar edhe 4 helikopterë për shuarjen e flakëve, prej të cilëve, dy nga Emiratet e Bashkuara dhe dy të Forcave të Armatosura.

Po ashtu në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse të Vlorës me 7 punonjës, të cilët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Era ka bërë zjarri të përhapet në një sipërfaqe më të madhe, ndërsa pjesa më e madhe e pyllit është përfshirë nga zjarri.

Në një intervistë për mediet, kryetari i bashkisë së Vlorës Ermal Dredha tha se zjarri në Pishë-Poro të Vlorës vijon dhe është në një gjatësi 2-3 kilometra.

Dredha u shpreh se dyshohet që është zjarrëvënie e qëllimshme dhe tha se autori duhet që të dalë para drejtësisë.

“Zjarri ka nisur në Delisuf dhe nga atje ka ardhur deri këtu në hidrovor, është 2 deri në 3 km gjatësi zjarri. Terreni nuk është se është shumë i vështirë po ka shumë sipërfaqe pylli me pisha dhe është e vështirë që të operohet. Janë sjellë dy helikopterë nga Forcat e Armatosura dhe dy nga Emiratet Arabe dhe do të vijohet sërish nesër.

Jemi në terren, por dua që t’i bëj thirrje banorëve nëse kanë informacione, sepse ka dyshime që mund të jetë zjarrëvënie e qëllimshme, pse jo, përgjegjësit të vendosen para përgjegjësisë, sepse është rast i përsëritur dhe rrezikohen jetë njerëzish dhe natyra. Nesër në orën 5 në mëngjes do të jetë një grup i organizuar me 40 forca mbështetëse nga Ministria e Mbrojtjes dhe mund të marrim ndihmë edhe nga bashki të tjera”, tha Dredha.

/m.q//r.e/

The post Zjarr në Akërni, katër helikopterë në aksion për shuarjen e flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

U dekorua nga Zelensky, Spiropali: Shenjë e kontributit të palëkundur të Shqipërisë krah Ukrainës

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali i dërgoi sot një letër falenderimi presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, pasi ky i fundit e dekoroi me çmimin e lartë shtetëror “Urdhri i Princeshës Ollga, i Klasit të Parë”.

Nëpërmjet letrës së postuar në rrjetet sociale drejtuar presidentit Zelensky, Spiropali shkruan se “e përjetova me mirënjohje dhe emocion nderin e lartë të Urdhrit Shën Olga, Klasi i Parë, që është akorduar nga Shkëlqesia Juaj, Ditën e Pavarësisë së Ukrainës”.

Sipas kryeparlamentares, “ky vlerësim në emrin tim është mbi të gjitha shenjë respekti për kontributin dhe qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë krah Ukrainës në këtë kohë të vështirë”.

“Populli shqiptar, Kuvendi dhe institucionet e Shqipërisë kanë qenë dhe mbeten të bashkuar e të vendosur në mbështetje të Ukrainës. Ky qëndrim buron nga zemra e çdo qytetari shqiptar, nga besimi ynë tek liria, dinjiteti dhe e drejta e një kombi për të jetuar i pavarur dhe për të vendosur vetë për të ardhmen e tij”, shkruan Spiropali.

Më tej Spiropali nënvizon se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet një zë i qartë e i fuqishëm në mbrojtje të parimeve dhe vlerave demokratike euroatlantike.

“Ne do të vijojmë të qëndrojmë pranë Ukrainës, ashtu si deri tani. Do të mbështesim të gjitha përpjekjet e Shteteve të Bashkuara, Presidentit të SHBA-së, udhëheqësve europianë, NATO-s dhe botës demokratike për ndalimin e luftës dhe vendosjen e një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në Ukrainë”, shkruan Spiropali.

Spiropali falënderon Zelensky-n për “nderin e jashtëzakonshëm”.

“Uroj dhe besoj vendosmërisht se shumë shpejt do të festojmë fitoren e plotë të Ukrainës ndaj agresorit”, e përmbyll reagimin kryeparlamentarja Elisa Spiropali.

/m.q/r.e/

The post U dekorua nga Zelensky, Spiropali: Shenjë e kontributit të palëkundur të Shqipërisë krah Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në kërkim nga Italia për trafik narkotikësh, arrestohet 19-vjeçari në Fier

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Një 19-vjeçar u arrestua në Fier me qëllim ekstradimi drejt Italisë pasi akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike.

Policia njoftoi sot se në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh finalizuan operacionin e radhës, të koduar “Operacionalja 59”.

“Gjatë këtij operacioni, u kap në Fier dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi Z. Z., 19 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Cukalat, Berat”, njoftoi policia.

Sipas policisë ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Riminit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike. Maksimumi i dënimit është 10 vjet burgim.

Interpol Tirana vijon procedurat, në bashkëpunim me autoritetet italiane, për ekstradimin e këtij shtetasi.

/m.q/j.p/

The post Në kërkim nga Italia për trafik narkotikësh, arrestohet 19-vjeçari në Fier appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkodër, asgjësohen rreth 2 mijë bimë narkotike

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinata”, gjatë kontrolleve në territor, u gjetën dhe u asgjësuan 1987 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa në qarkun Shkodër.

Policia procedoi penalisht, për shpërdorim të detyrave, 3 kryetarë fshatrash.

“Në territorin e njësive administrative Gur i Zi dhe Postribë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 186 bimë të dyshuara narkotike canabis sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Shpor, shtetasin M. C., për kryetarin e fshatit Ura e Shtrenjt, shtetasin R. M., dhe për kryetarin e fshatit Vilez, shtetasin F. L”, njoftoi policia.

Sipas policisë në territorin e njësisë administrative Shllak, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 1801 bimë të dyshuara narkotike canabis sativa.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike. /j.p/

The post Shkodër, asgjësohen rreth 2 mijë bimë narkotike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Operacioni “Koordinata”, asgjësohen bimë narkotike në Kurbin

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Polica e Kurbinit në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinata”, për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, ka asgjësuar 116 bimë narkotike.

Policia njoftoi sot se “gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasin A. B., 38 vjeç, banues në Kurbin, i cili po kujdesej për bimët narkotike të kultivuara në oborrin e banesës së tij”.

Sipas policisë bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies, përveç një pjese që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Operacioni policor antikanabis “Koordinata” vijon pa ndërprerje, në të gjithë territorin e vendit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/m.q/j.p/

The post Operacioni “Koordinata”, asgjësohen bimë narkotike në Kurbin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndezi zjarr në afërsi të shinave të trenit në Fier, arrestohet 51-vjeçari

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Një 51-vjeçar është arrestuar nga policia në Fier pasi ndezi zjarr në afërsi të shinave të trenit në lagjen “16 prilli”, dhe si pasojë u dogjën 600 metra katrorë me lëndë drusore të linjave hekurudhore.

Policia njoftoi sot se “si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale të autorëve të rasteve të zjarrvënieve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin R. N., 51 vjeç, banues në Fier”.

“51-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr në afërsi të shinave të trenit, për të pastruar një sipërfaqe toke nga barishtet. Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 600 metra katrorë me lëndë drusore të linjave hekurudhore”, njoftoi policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

/m.q/j.p/

The post Ndezi zjarr në afërsi të shinave të trenit në Fier, arrestohet 51-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌