Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 August 2025Main stream

Rama: S’është pikturë, është Dhërmiu live pa filtra

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Dhërmiu, fshati bregdetar i cilësuar si parajsë tropikale po tërheq  çdo vit  mijëra turistë vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau mbrëmjen sot pamje nga perëndimi i diellit në Dhërmi.

“S’është pikturë, është Dhërmiu live, pa filtra”, shkruan Rama.

Mediet e ndryshme ndërkombëtare pasqyrojnë në reportazhet dhe shkrimet e tyre bukuritë e Dhërmiut, duke tërhequr vëmendjen e turistëve për ta vizituar atë.

Gjatë muajit korrik edhe gazeta prestigjioze amerikane ”New York Times” ka përzgjedhur edhe Dhërmiun ndër destinacionet më të mira turistike globale.

Pak më shumë se një kilometër i gjatë, me shezlongë në dispozicion dhe gjire shkëmbore të izoluara, që shpërndahen në skajin jugor të plazhit, Dhërmiu është një destinacion kryesor edhe për ata që duan të festojnë, pasi në zonë organizohen disa festivale të mëdha muzikore gjatë gjithë verës.

Plazhet e Jonit këtë vit janë frekuentuar nga mijëra pushues, jo vetëm vendas, por edhe shumë të huaj.

/k.s//a.f/

The post Rama: S’është pikturë, është Dhërmiu live pa filtra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: “Albanian Trails”, platformë kushtuar turizmit të natyrës

8 August 2025 at 10:18

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Rritja e numrit të turistëve të cilët zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë shoqërohet edhe me rritjen e numrit të vizitorëve në shtigjet natyrore të të gjitha vështirësive.

Ndaj, duke ndjekur interesin, por edhe problematikat e hasura nga numri i lartë i frekuentimit të shtigjeve, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka krijuar të parin website zyrtar shtetëror të quajtur “Albanian trails”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një video informuese mbi këtë website, i cili i vjen në ndihmë çdo vizitori të përjetojë itinerare dhe eksperienca frymëzuese në peizazhet, parqet dhe monumentet tona të natyrës.

“Shtigjet tona natyrore, aq të shumta në zonat e mbrojtura të Shqipërisë tashmë mund t’i zbuloni dhe informoheni rreth tyre paraprakisht në platformën dedikuar turizmit të natyrës www.albaniantrails.al krijuar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, për të përjetuar itinerare dhe eksperienca frymëzuese në peizazhet, parqet dhe monumentet tona të natyrës”, u shpreh Rama.

Turizmi i natyrës është konsideruar tepër i përshtatshëm për gjeografinë shqiptare, me një terren të thyer nga jugu në veri të territorit.

Ndaj, Zonat e Mbrojtura në të 12 qarqet e vendit po përgatiten që ta shfrytëzojnë më së miri këtë lloj turizmi mjaft fitimprurës gjatë gjithë vitit.

/m.m/r.e/

The post Rama: “Albanian Trails”, platformë kushtuar turizmit të natyrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Mirror”: Shqipëria, destinacioni i bekuar me klimë mesdhetare dhe peizazhe magjepsëse

8 August 2025 at 07:34

LONDËR, 7 gusht /ATSH/- E bekuar me një klimë mesdhetare dhe temperatura të ngrohta që arrijnë deri në 30 gradë Celsius, Shqipëria është një parajsë për adhuruesit e diellit, shkruan Milo Boyd në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.

Kompania ajrore “Wizz Air” ka lançuar një itinerar të ri, duke lidhur Britaninë e Madhe me destinacionin e ri evropian të lirë dhe me diell.

Shqipëria është quajtur “Maldivet e Evropës” falë brigjeve të saj të pacënuara me rërë të bardhë dhe ujërave të kristalta që zbukurojnë Rivierën e saj spektakolare.

Me një numër në rritje të pushuesve që zbulojnë rajonin – kjo perlë ende ofron vlera të jashtëzakonshme krahasuar me vendet e tjera evropiane.

Vizitorët mund të kënaqen me akomodime luksoze pa shtrënguar buxhetin e tyre, me apartamente buzë detit të disponueshme për vetëm 20 paund në natë.

Ushqimi është i shijshëm dhe një vakt i bollshëm me pije, zakonisht kushton rreth 15 paund.

Falë një mori videosh në TikTok që shfaqin ujërat e saj të kristalta dhe rërën e bardhë të pastër, Shqipëria është bërë një pikë e nxehtë për pushuesit që kërkojnë një përvojë të ngjashme me ato në Maldive.

E bekuar me një klimë mesdhetare dhe temperatura verore që arrijnë deri në 30 gradë Celsius, Shqipëria është një parajsë për adhuruesit e diellit.

Linja e re e “Wizz Air” lidh Aeroportin Gatwick të Londrës me Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë. Biletat më të lira kushtojnë vetëm 19,99 paund.

Nëse nuk jeni afër Aeroportin Gatwick të Londrës, atëherë “Ryanair” ofron gjithashtu fluturime për në Tiranë nga Birmingham, Bristol, Mançester, Edinburgu dhe Aeroporti Stansted i Londrës.

Shqipëria krenohet me koston e ulët të jetesës në Evropë, me dhoma hoteli në qendër të Tiranës që kushtojnë më pak se 30 paund, përfshirë mëngjesin.

Apartamentet buzë detit përgjatë bregdetit Adriatik janë edhe më të përballueshme.

Një tjetër rrugë e përballueshme për në bregdetin e shkëlqyer të Shqipërisë është të fluturosh për në Korfuz dhe pastaj të hipësh në një traget për afërsisht 15 paund në çdo drejtim.

Ju mund të ngrini një kamping në Dhërmi, dhe të eksploroni një plazh të ri çdo ditë. Një drekë e këndshme buzë detit në zonë do të kushtojë vetëm rreth 10 paund për person.

Ekspertja e udhëtimeve, Laura Hewson, e cila eksploroi Shqipërinë vjeshtën e kaluar, ndau përvojën e saj.

“Në atë kohë, se bashku me shoqen time, Farrell Modd po planifikonim të shkonim në Kroaci. Por, një nga miqtë tanë që kishte qenë në Shqipëri tha se duhej të shkonim me patjetër. Ai tha se ishte si Greqia dhe Kroacia, por më e lirë dhe shumë më e bukur pasi nuk kishte dyndje turistësh”, tha Laura Hewson.

Ajo shtoi se në Shqipëri, mund të përballonin një hotel me katër yje – me mëngjesin e përfshirë – me të njëjtin çmim që kishin paguar për qëndrimet në hostele në Itali dhe Spanjë.

Farrell Modd, zbuloi se rrjetet sociale kishin luajtur një rol në zgjedhjen e Shqipërisë si destinacionin e tyre – duke shtuar se ajo ishte mahnitur nga videot ku shfaqeshin peizazhe magjepsëse nga vendi.

Farrell ishte e entuziazmuar kur zbuloi se vendi i vogël mesdhetar ofronte ujëra të pastra kristal dhe vendpushime të shumta për not – të gjitha me çmime miqësore me buxhetin për turistët. //a.i/

https://www.mirror.co.uk/travel/europe/wizz-air-launches-budget-20-35682479

The post “Mirror”: Shqipëria, destinacioni i bekuar me klimë mesdhetare dhe peizazhe magjepsëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 7 August 2025Main stream

Raman ndan pamje nga Pogradeci: Hëna si poezi më vete mbi liqen

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Qyteti i Pogradecit vijon të mbetet ndër më preferuarit për mijëra vizitorë vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga mbrëmja në Pogradec në këto net vere.

“Hëna si poezi më vete mbi liqen”, shkruan Rama.

Përveç bukurive natyrore që ofron, investimet në infrastrukturë dhe hapësira publike kanë bërë që Pogradeci të jetë një zgjedhje kryesore për turizëm në të gjitha stinët e vitit.

I zgjedhur masivisht për qetësinë dhe freskinë që ofron në ditët e nxehta të verës, Pogradeci mbetet destinacion shumë i kërkuar edhe gjatë stinëve të tjera, ndërsa është rritur edhe numri i turistëve të huaj.

/k.s/r.e/

The post Raman ndan pamje nga Pogradeci: Hëna si poezi më vete mbi liqen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria turistike, të huajt: Vend me bukuri natyrore, mikpritje dhe çmime të lira

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Në pikun e sezonit turistik për këtë vit, përpos pushuesve që zgjedhin bregdetin e jugut apo Adriatikun për plazhet me ujërat e kaltra dhe rërën e bardhë, ka shumë prej tyre që i qasen natyrës, artit dhe kulturës, duke zbuluar atraksione të ndryshme të Shqipërisë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përcolli sot në rrjetet sociale, mesazhet e turistëve të huaj që kanë vizituar kryeqytetin tonë, Tiranën, si edhe disa qytete të tjera si Shkodrën apo Gjirokastrën.

Ministrja Kumbaro, e përshkruan videon me mbishkrimin e “Shqipërisë turistike në sytë dhe fjalët e miqve”, ndërsa thotë se disa janë elementët që veçojnë turistët e huaj për vendin tonë, si mikpritjen si askund tjetër, si dhe bukuritë natyrore e kulturore.

“Turistët zbulojnë thesaret e transformimet e Shqipërisë me dëshirën për t’u rikthyer përsëri”, tha Kumbaro.

Ndërsa, një turist që ka vizituar kryeqytetin tonë thotë se i pëlqejnë njerëzit, mikpritja, moti i mrekullueshëm etj.

“Është shumë bukur, ka njerëz shumë të mirë dhe të bukur, miqësor, ushqimi shumë i shijshëm, natyrë e bukur, kohë e bukur”, u shpreh një tjetër.

Një tjetër turiste cilësoi se Shqipëria është një vend shumë i bukur, sepse ka miq që e kanë vizituar dy vite më parë dhe ishin shumë entuziastë për vendin tonë, por ajo tha se do të vizitojë edhe Beratin dhe Gjirokastrën.

“Shqipëria është shumë e bukur, malet janë të mrekullueshme, mendoj që ka edhe pak ndikim italian te kulinaria. Kemi ngrënë pica, pasta shumë të mira. Më pëlqejnë rrugët, janë të qeta, ka pemë kudo, vërtet shumë bukur”, vijoi një tjetër.

Gjithashtu, një turist që ka zgjedhur të vizitojë Shkodrën këtë gusht, thotë se zgjodhi ta zbulojë vetë Shqipërinë, e sidomos Shkodrën duke parë liqenin dhe kalanë e qytetit.

“Nuk kemi qenë asnjëherë më parë këtu, por na pëlqen shumë. Është shumë më lirë se Spanja, Italia. Ka ushqim shumë të mirë, plazhe të bukura”, u shpreh një turist nga Gjermania.

“Jam këtu për të bërë hiking nga Valbona në Theth. Zgjodha Shqipërinë sepse kam disa miq nga Zelanda e Re që janë shpërngulur këtu dhe më thanë që është shumë bukur. Duket një zgjedhje shumë e mirë, është lirë, ka shtigje të bukura, shumëllojshmëri zgjedhjesh”, pohoi një tjetër turiste.

Ndërsa, në Gjirokastër një grup turistësh që kanë vizituar shtëpinë muze të Ismail Kadaresë, shprehen se janë të mahnitur nga puna që është bërë me objektet e koleksionit në këtë muze, ndërsa nga mënyra si është ruajtur tradita, kanë kuptuar se si kanë jetuar shqiptarët vite më parë, me ngrohje me oxhak në dimër, me një kuzhinë tradicionale, etj.

/e.i//a.f/

The post Shqipëria turistike, të huajt: Vend me bukuri natyrore, mikpritje dhe çmime të lira appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan reportazhin e “Franceinfo”: Shqipëria, destinacioni turistik më i kërkuar në Europë

7 August 2025 at 09:43

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Prestigjiozja franceze “Franceinfo” i ka kushtuar një hapësirë të veçantë Shqipërisë, duke e vlerësuar si vendin me rritjen dhe kërkesën më të lartë turistike në Europë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale kronikën e përgatitur nga stacioni i njohur informativ francez “Franceinfo”, e cila e konsideron Shqipërinë “El Doradon e re për pushuesit”.

“Franceinfo” nënvizon se në pesë vitet e fundit Shqipëria ka një rritje prej 80% të numrit të turistëve.

“Ujëra bruz dhe ishuj të shkretë. Kjo nuk është as Karaibet dhe as Maldivet, por Shqipëria, e vendosur midis Greqisë dhe Italisë, e cila tani është gjithashtu e njohur për turistë nga e gjithë bota”, përshkruan ndër të tjera kronika e “Franceinfo”.

“Shqipëria, ku qytetërimet mesdhetare kanë pasuar njëra-tjetrën, secila duke lënë gjurmë sublime greke, romake, bizantine, veneciane dhe osmane”, vijon kronika.

Një tjetër avantazh që ofron Shqipëria, sipas “Franceinfo” janë çmimet shumë të ulëta.

Franceinfo: Shqipëria, El Doradoja e re e turizmit evropian

/m.m//a.f/

The post Rama ndan reportazhin e “Franceinfo”: Shqipëria, destinacioni turistik më i kërkuar në Europë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Le Figaro”: Shqipëria mes destinacioneve më të mira kulturore për të udhëtuar

7 August 2025 at 10:53

PARIS, 7 gusht /ATSH/ E përditshmja franceze “Le Figaro” e ka renditur Shqipërinë mes pesë destinacioneve kulturore më të mira për të vizituar në një udhëtim të organizuar.

Nga kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës te thesaret e Rilindjes Italiane, duke përfshirë Vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Shqipëri, këto destinacione ofrojnë një ndërthurje të peizazhit dhe kulturës.

Cilat janë destinacionet më të mira kulturore për udhëtime të organizuara?

1-Shqipëria dhe Thesaret e UNESCO-s

2-Një shëtitje në zemër të Uashington DC, Merilendit dhe Virxhinias

3-Salzburg: Mozarti dhe Shkëlqimet e Salzkammergut

4-Madhështitë e Saksonisë: Dresden dhe Leipzig, dy qytete të artit dhe historisë

5-Firence, toka e mjeshtrave: Ekspozita “Fra Angelico” dhe Thesaret e Rilindjes

Shqipëria dhe thesaret e UNESCO-s

Zbuloni këtë udhëtim në Shqipëri

Shqipëria, një perlë e vërtetë e fshehur e Ballkanit, joshëse me pasurinë e historisë së saj dhe diversitetin e peizazheve të saj.

Nga Tirana në Gjirokastër, nëpërmjet Beratit dhe Butrintit, ky udhëtim ju çon në gjurmët e qytetërimeve që kanë lënë gjurmë në këto toka: ilirët, grekët, romakët dhe osmanët.

Një vizitë në një vend ku autenticiteti kombinohet me shkëlqimin e vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Shqipërinë nuk do ta zbuloni vetëm përmes monumenteve të saj.

Ajo jeton në mikpritjen e popullit të saj, pasurinë e traditave të saj dhe shijet e gastronomisë së saj.

Shijoni një byrek krokant, dëgjoni polifonitë shqiptare të listuara në UNESCO dhe eksploroni tregjet e gjalla – ku ndërthuren aromat mesdhetare dhe ndikimet orientale.

Këto janë vetëm disa nga përvojat që e bëjnë këtë udhëtim të paharrueshëm.

Shëtitja nëpër rrugët e ngushta të Krujës, një performancë vallesh popullore apo zbulimi i vreshtave lokale janë të gjitha momente që dëshmojnë autenticitetin dhe ngrohtësinë e kësaj toke mikpritëse. //a.i/

https://www.lefigaro.fr/voyages/selection/5-destinations-culturelles-a-decouvrir-en-voyage-organise-20250802

 

 

 

The post “Le Figaro”: Shqipëria mes destinacioneve më të mira kulturore për të udhëtuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Rama ndan pamje nga Gjiri i Lalëzit

6 August 2025 at 21:44

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Pak kilometra nga Tirana dhe Durrësi, Gjiri i Lalëzit në komunën e Ishmit, mirëpret mijëra pushues vendas e të huaj.

Plazhi i Gjirit të Lalëzit ndodhet në veri të Durrësit dhe ofron kushte mjaft të mira në drejtim të higjienës dhe pastërtisë për pushues të të gjitha moshave.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky plazh, i shtrirë në bregdetin e Adriatikut midis Kepit të Rodonit në veri dhe Bishtit të Pallës në jug.

Pastërtia e rërës dhe ujit dhe shërbimi cilësor bashkohen me gjelbërimin e natyrës duke bërë që ky plazh të jetë një vend mjaft i preferuar nga turistët.

Qarku i Durrësit ka një bregdet me gjatësi 62 km, nga të cilat 25 kilometra i përkasin gjirit detar të Lalëzit.

Zona mes Gjirit të Lalëzit dhe Kepit të Rodonit është një zonë që ofron gjithçka që i duhet një turisti vendas apo të huaj.

Madje edhe turistëve që preferojnë të bëjnë disa lloje aktivitetesh gjatë pushimeve të tyre.

Këtu mund të gjesh infrastrukturën e ndërtuar, pastërtinë e ujit dhe rërës për një plazh të mrekullueshëm, bukuritë e natyrës për kampingje, aktivitetin sportiv me biçikleta, apo turizmin religjioz te Kisha e Shën Ndout dhe atë historiko-arkeologjik te Kalaja e Skëndërbeut në Kepin e Rodonit.

/m.m/r.e/

The post Rama ndan pamje nga Gjiri i Lalëzit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DW Travel reportazh: Tirana, nga reliket komuniste në një nga destinacionet kryesore të Evropës

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Tirana po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj. Gazetarja e Deutsche Welle Travel, Gönna Ketels, ka realizuar një reportazh në kryeqytetin e Shqipërisë, ku prezanton të gjitha vendet që duhet të vizitohen për një ditë në Tiranë, së bashku me këshilla për ta bërë udhëtimin më të paharrueshëm.

Reportazhi i plotë i DW Travel:

Mirë se vini në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë. Është një qytet me kontraste midis të kaluarës komuniste dhe modernizmit, betonit dhe hapësirës së gjelbër, traditës dhe modës. Vetëm pak vite më parë, konsiderohej një destinacion për vizitorët vendas në Ballkan.

Tani është një nga destinacionet kryesore të Evropës. Jam këtu për t’u zhytur në historinë e Tiranës, përfshirë disa nga vendet e saj më të errëta dhe të fshehura. Dhe dua të zbuloj pse udhëtarët e duan qytetin. Dhe çfarë duhet të bëni patjetër vetëm në një ditë.

Ku ndodhet Tirana?

Shqipëria ndodhet në Evropën Juglindore, në brigjet e Adriatikut dhe Jonit. Tirana në qendër ka rreth 400 000 banorë.

Sheshi Skënderbej

Unë filloj nga sheshi Skënderbej. Është shumë mirë herët në mëngjes, pa turma. Këtë e quaj shesh unë! Princi Skënderbeu është një hero kombëtar dhe një simbol i pavarësisë së Shqipërisë. Ai udhëhoqi një rezistencë kundër osmanëve në shekullin XV. Ka shumë gjëra për të parë pranë sheshit. Por, një nga më të rëndësishmet, Muzeu Historik Kombëtar, është i mbyllur deri në vitin 2028. Tirana është më mirë të eksplorohet në këmbë. Shumica e gjërave për të parë janë në qendër.

Tregu i Pazarit të Ri

Destinacioni im i radhës është tregu i ri i Pazarit të Ri. Këtu mund të blini suvenire tipike, nga tradicionalet deri tek të veçantat: si magnete me ish-diktatorin e Shqipërisë, Enver Hoxha. Vendasit gjithashtu blejnë këtu. Unë zgjedh një suvenir të ëmbël: mjaltë shqiptar. Ky është vërtet i mirë. Më vjen keq. Ka shumë kafene dhe restorante përreth tregut. Provoj një specialitet shqiptar: byrek, brumë filo krokante me mbushje të ndryshme. Po ha kombinimin klasik të spinaqit dhe djathit. Ky është ushqimi më i mirë shqiptar që shërbehet në rrugë. Kushton 80 lekë, pak më pak se një euro.

Muzeu Bunk’art

Dua të mësoj më shumë rreth historisë së Shqipërisë. Vendi ishte nën sundimin komunist nga viti 1947 deri në vitin 1991, i udhëhequr nga diktatori Enver Hoxha deri në vdekjen e tij në vitin 1985. Vizitoj një muze në një ish-bunker bërthamor në periferi të qytetit. Enver Hoxha ndërtoi shumë e shumë nga këto bunkerë në komunizëm. Dhe deri më sot Shqipëria është vendi me më shumë bunkerë në botë. Ky ka 106 dhoma, kështu që kam kureshtje ta shoh. Dyert e hyrjes janë bërë prej katër tonësh betoni të përforcuar dhe janë projektuar për t’i bërë ballë sulmeve të rënda. Kompleksi ishte selia nëntokësore e Shtabit të Përgjithshëm të Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë. Muzeu i ҁon vizitorët nëpër dhomat origjinale, përfshirë atë të Hoxhës, me ekspozita historike dhe instalime multimediale. Paranojak për sulmet nga Blloku Perëndimor dhe Lindor, diktatori shpesh e izolonte Shqipërinë. Muzeu sjell atmosferën shtypëse të epokës.

Teleferiku Dajti Ekspres

Pas bunkerit të errët, kam nevojë për pak ajër të pastër dhe një ndryshim peizazhi. Stacioni i teleferikut ishte vetëm pesë minuta larg në këmbë. Tani le të shohim se çfarë lloj pamjesh mund të kemi. Dajti Ekspres ju çon në mbi 1 000 metra në 15 minuta. Një udhëtim vajtje-ardhje kushton 1 500 lekë. Kjo është rreth 15 euro.

Mali Dajti

Mali Dajti është një park kombëtar. Mund të ngjiteni në këmbë deri në majë ose thjesht të shijoni pamjen. Pak e mjegullt, por a nuk është romantike?
Shtëpia e Gjetheve

Pas pushimit tim, kthehem në qendër, në “Shtëpinë e Gjetheve”, ish-selinë e Shërbimit Sekret komunist.

Drejtoresha Etleva Demollari ndihmoi në ngritjen e muzeut. Tregohet se si regjimi i shtypte dhe monitoronte njerëzit. Ata hynin në shtëpitë e njerëzve. Për shembull, ata shihnin që kishe një lloj sendi në shtëpinë tënde. Ata vinin kur nuk ishe në shtëpi. Dhe e shkëmbenin me një tjetër me “ҁimkë” (përgjues). Dhe ktheheshin pas tre ditësh, sepse bateria zgjaste tre ditë. Kështu, që ata vinin pas tre ditësh dhe e merrnin përsëri.

“Ҁimkat” janë pajisje të vogla dëgjimi të fshehura mirë. Ato ishin futur në mure, telefona ose mobilie për të regjistruar biseda fshehurazi.

Janë disa dhoma në të cilat janë instaluar “çimka” përgjimi. Është po ashtu një dhomë e veçantë, ajo me numër 27. Nëse kishte vizitorë, përmes çimkave përgjoheshin se çfarë ata flisnin. Dhe, nëse shkojmë në dhomën me numër 27, mund të dëgjojmë se çfarë po thonë vizitorët e tjerë.

Ekspozita përmban informacion lidhur me persekutimin dhe burgosjen e mijëra njerëzve gjatë diktaturës komuniste. Koleksioni i pajisjeve dhe dokumenteve të saj pasqyrojnë mënyrën se policia sekrete “Sigurimi” punonte dhe funksiononte në zyrat e saj.

Ajo që më bën vërtet përshtypje është se këtu mund të shikoni të gjitha aspektet e përgjimit dhe si kanë funksionuar. Për shembull, kjo dhomë është vendi ku mblidhej dhe kontrollohej posta. Ata përdornin pajisje me avull për hapjen fshehtas të zarfave dhe pastaj përdornin ndriçim me rreze ultraviolet për të kontrolluar nëse njerëzit kishin përdorur bojë sekrete për mesazhe të fshehta.

Kjo ekspozitë e bën represionin e epokës komuniste vërtet të prekshëm. Është e frikshme të shikosh se sa pak privatësi gëzonin njerëzit dhe sa i përhapur ishte përgjimi ndaj tyre.
Është koha për të parë Tiranën moderne. Për këtë bëhem pjesë e një turi të shoqëruar me udhërrëfyes.

“Mirë se vini në Tiranë. Unë jam Erindi. Jam rritur në këtë qytet dhe, të themi, unë do të jem udhërrëfyesi juaj për sot. Bashkë do të zbulojmë disa prej atraksioneve kryesore të Tiranës, skenën e artit të rrugës dhe arkitekturën moderne të qytetit.

Ndërtesa të reja futuriste janë ngritur gjatë viteve të fundit. Kjo godinë mbresëlënëse në sheshin “Skënderbej” është frymëzuar nga heroi kombëtar, Skënderbeu.

“Është një projekt abstrakt me disa detaje që e bëjnë të ketë pamjen e një busti, apo koke. Mund të shikoni me sytë tuaj formën e hundës së dalë nga fasada e ndërtesës. Janë plot katër kate të saj që formojnë hundën, veshët në të dyja anët dhe pjesën e fytyrës. Gjysma e fytyrës është e harkuar në anën e djathtë, ndërsa gjysma tjetër është e sheshtë. Por do të thosha që është vërtet mbresëlënëse që njerëzit mund të mos dallojnë një fytyrë, mund të mos shohin një njeri aty, por mund të thuhet se gjithësesi dallohet forma e një koke”.
Që prej viteve 2000, arti i rrugës është në zhvillim të vazhdueshëm. Erindi na prezanton disa pikturave murale, që shpesh janë pasqyrim i ndryshimeve shoqërore dhe i banorëve të qytetit. Gjendet po ashtu sinjalistikë rrugore e riprojektuar në mënyrë krijuese, që është diçka e pamendueshme në disa vende të tjera.

A s’është problem kjo gjë me sinjalistikën? Pyes sepse nëse kjo do të ndodhte në Gjermani, bashkia s’do të pranonte kishte imazhe të tilla në tabelat e sinjalistikës rrugore?

-Nuk do të pranonte? Sigurisht, këto imazhe janë krijuar me një lejë përkatëse. Do të thosha se kjo është po ashtu gjithçka që ata mund të kenë nevojë të ndryshojnë që ne të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian. Nuk e di. Do ta shohim këtë.

Shqipëria është vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE që prej vitit 2014. Tani do të shkojmë në lagjen trendi të Tiranën.

“Tani gjendem te Blloku. Dikur ishte lagjja vetëm për elitën e regjimit diktatorial, por ku sot mund të shkojë kushdo dhe është një nga pjesët më të gjalla të Tiranës”.

Stomaku ka filluar të më gërryejë. Në “Bllok” gjen një koleksion të gjerë restorantesh. Por m’u desh pak kohë të gjeja një restorant me kuzhinë shqiptare.

“Po provoj një nga gatimet më të famshme shqiptare; fërgesa. Është gatim tradicional i Tiranës, i përgatitur me domate, speca të kuq, salcë kosi dhe, nganjëherë, me mish, por mund të jetë edhe gatim tërësisht vegjetarian”.
Kremoze dhe paksa djegëse. Më pëlqen.

Pikën kulmore të vizitës në Tiranë e kisha lënë për perëndimin e diellit: Piramida e Tiranës. E ndërtuar në vitin 1988 si muze për diktatorin Enver Hoxha, sot Piramida është qendër e inovacionit dhe kreativitetit. Pamja nga këtu pasqyron harmoninë mes të kaluarës dhe së tashmes së Tiranës.

Mendoj se Tirana është mjaftueshëm e madhe për t’u vizituar brenda një dite. Në këtë program ju kam treguar disa prej aspekteve të saj kryesore, nga historia e pasur te pjesa e saj moderne. Si gjithmonë, ka edhe shumë gjëra të tjera për t’u parë. Po ju? A do të dëshironit ta eksploronit vetë Tiranën?

 

/u.sh/p.s/k.s/a.f/

The post DW Travel reportazh: Tirana, nga reliket komuniste në një nga destinacionet kryesore të Evropës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dhoma Amerikane e Tregtisë mbështet strategjinë afatgjatë për zhvillimin e turizmit në Shqipëri

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Dhoma Amerikane e Tregtisë në vendin tonë (AmCham), nëpërmjet Komitetit të Turizmit dhe Mikpritjes ka ndjekur me interes zhvillimet në sektorin e turizmit dhe hartimin e strategjisë afatgjatë, si një dokument strategjik i domosdoshëm për zhvillimin e sektorit.

Përmes një deklarate për mediet, ‘AmCham’ shprehet se ka qenë një kërkesë e hershme e saj zhvillimi dhe zbatimi i një vizioni strategjik, që i jep përparësi qëndrueshmërisë afatgjatë duke ndërmarrë masat e nevojshme me zhvillimin e një kuadri të ri rregullator dhe përcaktimin e qartë të metodave të menaxhimit të destinacioneve.

“AmCham këmbëngul në mendimin e vet se vetëm përmes kësaj qasje që kërkon ndryshime themelore, mund të zhvillojmë një sektor të qëndrueshëm që respekton trashëgiminë natyrore e kulturore, duke promovuar praktika që mbështesin mjedisin dhe komunitetet. Kjo do të mundësojë që Shqipëria të bëhet një destinacion i rëndësishëm turistik në Evropë ku çmimet dhe cilësia ofrojnë pushime për të gjithë”, thuhet në deklaratë.

Sipas AmCham, vizioni për turizmin 2030, i hartuar edhe me pjesëmarrjen e grupeve të interesit të industrisë, përbën themelin mbi bazën e të cilit do të ndërtohen dhe harmonizohen të gjitha nismat strategjike.

“Dhoma Amerikane do të ndjekë me mjaft interes zbatimin e kësaj strategjie në vijim edhe të rekomandimeve të hartuara nga Komiteti i Turizmit dhe Mikpritjes që prekin fushat e akomodimit, udhëtimit dhe transportit, agroturizmit, si dhe konsulencën dhe trajnimet”, thuhet më tej.

/a.f/

The post Dhoma Amerikane e Tregtisë mbështet strategjinë afatgjatë për zhvillimin e turizmit në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Rikualifikimi i Ujërave Termale të Bënjës, duke ruajtur rregullat e një zone të mbrojtur

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Në kantierin e Ujërave Termale të Bënjës në Përmet vijojnë punimet për përmirësimin e shërbimeve, peizazhit turistik dhe ndërhyrjeve rikualifikuese për të krijuar një atraksion të zhvillimit të qëndrueshëm.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, inspektoi nga afër punimet shoqëruar nga përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, kryetarët e bashkive Përmet e Këlcyrë, drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi dhe ajo e Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar Lumi Vjosa.

“Me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kemi nisur investimin e një kantieri rikualifikimi të të gjithë zonës si nevojë për të ndërhyrë në radhë të parë për të orientuar flukset, si të makinave që grumbullohen në hyrje të kësaj zone natyrore dhe turistike si dhe për të organizuar gjithë hapësirën, duke ofruar dhe shërbime. Këtu kemi mungesë totale të ujit dhe energjisë elektrike. Me këtë investim të qeverisë shqiptare, do ta kthejmë në një atraksion të zhvillimit të qëndrueshëm, sepse jemi në zonë të mbrojtur dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos kemi ndërhyrje të rënda”, tha Kumbaro.

Ky projekt është i ndarë në disa zona të cilat përfshijnë hapësirën e parkimit, atë të kamperave, hapësira për piknik, një zonë dedikuar shitjes së produkteve lokale dhe artizanale, zona e vaskave, një amfiteatër i konceptuar për aktivitete, si dhe një zonë shërbimesh ku do të ketë edhe dushe e dhoma zhveshjeje.

Kumbaro kërkoi një bashkëpunim të ngushtë mes bashkisë Përmet dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për një menaxhim të suksesshëm të këtij atraksioni.

“Na duhet bashkëpunim me bashkinë për të gjetur një model të mirë të menaxhimit, me qëllim që të ruhet standardi, pastërtia dhe gjithë ky investim të mos degjenerohet. Kjo është arsyeja pse jemi të gjithë sot, bashkë me zyrën e administrimit të Parkut Kombëtar të Vjosës, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe bashkitë Këlcyrë e Përmet që në hartën e tyre turistike e kanë një ndër stacionet më të preferuara këtë zonë”, tha Kumbaro.

Ky investim parashikohet të përfundojë në muajin mars të vitit 2026.

Ujërat Termale të Bënjës në Përmet konsiderohen si më të mirat në Evropë. Burimet e ujërave termale të Bënjës, apo siç quhen ndryshe Banjat e Bënjës, gjenden 14 kilometra larg qytetit jugor të Përmetit në komunën Petran, vetëm 3 kilometra larg nga vendi ku lumi Vjosa bashkohet me përroin e Lëngaricës. E veçanta e tyre është se këto janë burime të hapura në natyrë. Temperatura e këtyre ujërave është, 26- 32°C.

Ky vend i rrethuar nga një natyrë e paprekur, paraqet një përzierje unike midis historisë aventurës dhe natyrës.

1 nga 3

/k.s//a.f/

The post Kumbaro: Rikualifikimi i Ujërave Termale të Bënjës, duke ruajtur rregullat e një zone të mbrojtur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Franceinfo: Shqipëria, El Doradoja e re e turizmit evropian

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ – Rubrika “Ne, evropianët” na çoi këtë të martë, më 5 gusht, në Shqipëri apo El Doradon e re për pushuesit, sipas stacionit të njohur informativ francez, Franceinfo.

”Ky vend i ish-Bllokut Lindor ishte për një kohë të gjatë një nga regjimet më të mbyllura në Evropë. Tani po hapet për turizëm, me rezultate spektakolare.

Një rritje prej 80% e turistëve në pesë vjet.

Ujëra bruz dhe ishuj të shkretë. Kjo nuk është as Karaibet dhe as Maldivet, por Shqipëria, e vendosur midis Greqisë dhe Italisë, e cila tani është gjithashtu e njohur për turistë nga e gjithë bota.

Shqipëria, ku qytetërimet mesdhetare kanë pasuar njëra-tjetrën, secila duke lënë gjurmë sublime greke, romake, bizantine, veneciane dhe osmane.

Dhe kohët e fundit, përgjatë gjithë vijës bregdetare, bunkerë po aq të shëmtuar sa periudha në të cilën u ndërtuan.

Dhe gjithashtu në Tiranë, kryeqytet, një mbetje e një regjimi komunist paranojak që kishte frikë nga pushtimet.

Njëri prej tyre tani është shndërruar në një muze për turistët mosbesues.

“Ky bunker nuk u përdor kurrë për luftë, sepse nuk patëm kurrë luftë. Pas Luftës së Dytë Botërore, u përdor shumë për të marrë në pyetje njerëzit”, shpjegon Sokol Selami, një guidë në ”Bunk’Art”.

12 milionë turistë në vitin 2024

Kështu veproi regjimi i terrorit i Enver Hoxhës, i fundit i admiruesve të Stalinit. Për më shumë se 40 vjet, Shqipëria mbeti një nga vendet më të mbyllura në botë.

Në vitin 1991, regjimi ra.

Shqiptarët zbuluan lirinë.

Gati 35 vjet më vonë, ndërtesa ultramoderne po shfaqen në sheshin kryesor të Tiranës.

Toka e shqiponjave është hapur ndaj botës së jashtme. Dhe turistët po vërshojnë.

12 milionë u numëruan vitin e kaluar.

Ky është një efekt pas Covid-19 dhe medieve sociale që po e popullarizojnë destinacionin.

“Ne erdhëm të filmojmë Shqipërinë për të inkurajuar njerëzit të vizitojnë këtë vend, sepse në Poloni nuk është ende një destinacion kaq popullor”, thotë Adrianna Skon, një influencere polake.

Dhe profesionistët e turizmit kanë gjetur mënyrën se si ta shesin atë.

“Jam këtu me ftesë të një agjencie udhëtimesh polake që shet udhëtime në Shqipëri. Ne donim vetëm të kontrollonim nëse është vërtet mjaftueshëm interesante për ta rekomanduar, dhe që nga dita jonë e parë, menduam se ishte vërtet e shkëlqyer”, shpjegon gruaja e re në hyrje të videos së saj.

Këto video janë krijuar nga influencerë dhe marka, por edhe nga udhëtarë të zakonshëm.

Në mediat sociale, Shqipëria po shpërthen si destinacion.

“Ne pamë video në TikTok dhe pastaj bëmë disa kërkime dhe kjo na çoi këtu”, rrëfyen turistët.

Një tjetër avantazh për një audiencë shpesh shumë të re janë çmimet janë shumë të ulëta./  a.jor.

The post Franceinfo: Shqipëria, El Doradoja e re e turizmit evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Plazhi i Kunes në Lezhë, mes gjelbërimit dhe freskisë së Adriatikut

6 August 2025 at 09:28

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje mahnitëse nga Plazhi i Kunës në Lezhë, duke e cilësuar atë si një destinacion unik mes gjelbërimit të natyrës dhe freskisë që ofron deti Adriatik.

“Plazhi i Kunës në Lezhë, mes gjelbërimit dhe freskisë së Adriatikut”, shkruan Rama në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale, i shoqëruar me pamje nga ky destinacion turistik gjithnjë e më i preferuar nga vendas dhe të huaj gjatë sezonit veror.

Në Kunë pushuesit mund të zgjedhin mes plazhit publik dhe atij privat. Turistët e huaj shpesh vendosen në këtë zonë me pisha të dendura edhe me kamperat e tyre. Po ashtu, ka edhe zona për aktivitet sportiv, volejboll..etj

Plazhi i Kunës ndodhet në pjesën veriore të Shqipërisë, rreth 5 kilometra larg qytetit të Lezhës dhe është pjesë e Kompleksit të Kune-Vainit, një zonë e mbrojtur me rëndësi të veçantë ekologjike dhe biodiversitet të pasur. I njohur për peizazhin natyror të veçantë, me pyje të dendura pishe, laguna dhe rërë të artë, plazhi tërheq turistë vendas dhe të huaj që kërkojnë pushime të qeta dhe larg zhurmës urbane.

Kuna është ndër zonat më të hershme të zhvilluara për turizëm në këtë rajon, dhe vitet e fundit ka njohur investime të vazhdueshme për përmirësimin e infrastrukturës turistike dhe promovimin e saj si një destinacion i qëndrueshëm ekologjik.

Në kuadër të zhvillimit të turizmit, qeveria shqiptare ka përfshirë zonën e Kunës në projektet e saj strategjike për ruajtjen dhe promovimin e mjediseve të mbrojtura, duke nxitur njëherazi edhe zhvillimin ekonomik lokal.

Plazhi i Kunës mbetet një ndër perlat e natyrës shqiptare, që ofron përvoja autentike mes natyrës së paprekur dhe mikpritjes tradicionale të zonës së Lezhës.

/a.f/

The post Rama: Plazhi i Kunes në Lezhë, mes gjelbërimit dhe freskisë së Adriatikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Plehrat zhvlerësojnë turizmin, të huajt e bëjnë problem në forumet e udhëtimit me 600 mijë ndjekës

5 August 2025 at 23:02

“Shqipëria po digjet! Dhe jo, nuk është thjesht zjarr, është një paralajmërim. Unë nuk jetoj këtu, jam një kalimtare. Ndalova! Vëzhgova! Dhe zemra mu thye.

Kjo sepse Shqipëria është një vend i bukur, por kjo bukuri është e mbuluar me plehra. Kudo! Nën ura, përgjatë rrugëve, në kanale, në shkurre. Shishe, plastika, gota,  të hedhura kudo dhe askush nuk bën asgjë. Tani ka marrë flakë dhe mos thoni që është vetëm nga i nxehti, nga koha apo klima. Po, këto ndikojnë, por arsyeja e vërtetë është neglizhenca juaj.”

Ky është një koment që Iwona Alex Gray postoi në ditën e parë të gushtit në faqen Visit Albania, një faqe që ka rreth 600 mijë ndjekës që duan të dinë për Shqipërinë, pyesin, informohen, kanë kuriozitet. Statusi shoqërohet me një foto që ndoshta të huajve u vret sytë më shumë se ne shqiptarëve, të cilët e shohim shpesh dhe na është zbehur reagimi. Postime të tilla në rrjete sociale, platforma të udhëtimeve apo të vlerësimit të destinacionit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Kjo situatë u duket të huajve e pakonceptueshme. Për ta kuptuar mjafton të shohësh mijëra komente që postohen çdo ditë në Google Review, ashtu siç u mbush me komente edhe postimi që turistja e huaj bëri në grupin Visit Albania.

Michael T komentoi: “Ke shumë të drejtë. Shohim kaq shumë fshatra, sidomos në zonat malore, ku pas shtëpive ka male me mbeturina. Ka mungesë të infrastrukturës së mbetjeve në këtë vend. Por për më tepër, ka shumë pak ose aspak ndërgjegjësim për natyrën dhe mbrojtjen e saj. Është zakonisht e neveritshme të endesh nëpër parkime makinash nëse te duhet të pushosh. Vendi është i bukur dhe do të ishte edhe më shumë, nëse s’do të kishte këtë ‘anë të shëmtuar’ të Shqipërisë.”

Veronica W konfirmon gjithashtu se kjo është e vërtetë. “Në këto vite njerëzit po hedhin gjëra nëpër rrugë, plazhe, male. Por nuk ka infrastrukturë në Shqipëri, me përjashtim të qyteteve të mëdha. Shumica e njerëzve në fshat duhet të kujdesen vetë për mbetjet e tyre dhe në disa raste edhe i djegin. Njerëzit përpiqen të marrin përgjegjësi, por duhet bërë më shumë. Por mund të them se e njëjta gjë vlen edhe për Mbretërinë e Bashkuar,” thotë ajo.

Aida H pohon se kjo është tipike për vendet e Ballkanit dhe nuk e kupton pse njerëzit urrejnë vendet e tyre, ndërkohë që një komentues tjetër i huaj shprehet se më shumë se urrejtje, bëhet fjalë për mungesë ndërgjegjësimi.

Pavarësisht se mbetjet nuk duket të jenë problemi më i madh që ka Shqipëria, për të huajt kjo duket të jetë çështja kryesore. Turizmi dhe rritja e interesit për Shqipërinë kanë çuar të huajt në çdo cep të saj dhe shumica, teksa magjepsen nga bukuritë natyrore, ngrejne zërin në platforma online për ndërgjegjësim. Përtej të mirës që mund të sjellë kjo për rritjen e vëmendjes, ajo vjen edhe me koston e “marketingut negativ”, ku Shqipëria identifikohet si një vend i mbuluar nga plehrat./ N.Maho

 

Nga bukuritë natyrore te kaosi, plehrat e shtrenjtimi içmimeve; Shqipëria turistike në syrin e botës

The post Plehrat zhvlerësojnë turizmin, të huajt e bëjnë problem në forumet e udhëtimit me 600 mijë ndjekës appeared first on Revista Monitor.

Liqeni i Malit të Gramozit, Rama ndan pamjet

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Liqeni i malit të Gramozit në Kolonjë është një ndër destinacionet ideale turistike, për vizitorët vendas dhe turistët e huaj.

Përmes rubrikës “Beautiful Albania”, kryeministri Edi Rama publikoi sot një video të këtij liqeni.

Ky liqen, një “thesar” i fshehur i bukurive natyrore shqiptare gjendet në 2400 metra lartësi, ndërsa malet e larta dhe natyra përreth ofrojnë një panoramë të jashtëzakonshme.

Liqeni me origjinë akullnajore, sipërfaqe rreth 0,4 ha dhe formë elipsi, renditet në listën e atraksioneve më të kërkuara, sidomos në dimër kur reshjet e borës dhe temperaturat e ulta e shndërrojnë në një sipërfaqe të ngrirë mes bimësisë dhe pyjeve të shumta të zonës.

Të apasionuarit pas lartësive, ngjiten në këto territore të thyera për të ushtruar sportin e alpinizmit apo ecjeve malore, ndërsa liqeni vizitohet sipas itinerarit: qyteti i Ersekës – fshati Starje – liqeni i Gramozit.

/e.i//r.e/

The post Liqeni i Malit të Gramozit, Rama ndan pamjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Eco Routes në Ujëvarën e Topojanit, projekt i BE-së për natyrë dhe turizëm të qëndrueshëm

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Projekti Eco Routes i Bashkimit Europian është një iniciativë që synon të promovojë transportin e qëndrueshëm, turizmin e gjelbër, dhe zhvillimin rajonal në përputhje me strategjinë e BE-së për tranzicionin e gjelbër dhe ruajtjen e biodiversitetit.

Njërën nga ditët e ‘Reel the Site’, BE bën me dije se është vizituar Ujëvara e Topojanit, aty ku natyra dhe turizmi i qëndrueshëm bashkohen falë projektit Eco Routes, të financuar nga Bashkimi Europian.

Sipas BE-së, konkurrentët eksploruan shtigjet e ecjes të zhvilluara për të lidhur njerëzit me natyrën dhe për të promovuar turizmin ndërkufitar.

“Pjesë e të njëjtit projekt është edhe Parku i Aventurave në Shishtavec, një hapësirë për të gjitha moshat që sjell aktivitete në natyrë dhe e bën zonën edhe më tërheqëse për vizitorët”, thuhet në njoftim.

Projekti Eco Routes synon të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të rrisë vizitat e zonave Kukës dhe Rahovec, duke nxitur bashkëpunimin ndërkufitar dhe duke e kthyer këtë rajon në një destinacion për ekoturizëm.

Eco Routes është një rrjet rrugësh turistike ose trase ekologjike ku përdoren nga biçikleta, ecësit, ose transporti publik; lidhen zona natyrore, parqe kombëtare, monumente kulturore e vende të trashëgimisë; janë të zhvilluara në mënyrë të qëndrueshme, pa ndotje dhe me përfitim për komunitetet lokale dhe promovohet ekoturizmi, produkte vendase dhe bizneset e vogla.

Qëllimi i projektit është reduktimi i ndotjes nga transporti duke nxitur biçikletat dhe ecjen, zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm në harmoni me natyrën dhe kulturën, ndërlidhja e rajoneve rurale me qytetet për të ndihmuar zhvillimin ekonomik lokal, ndërgjegjësimi për natyrën dhe trashëgiminë kulturore përmes udhëtimeve edukative dhe ekologjike, etj.

/e.i//r.e/

The post Eco Routes në Ujëvarën e Topojanit, projekt i BE-së për natyrë dhe turizëm të qëndrueshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

”Metro”: Tirana, qyteti me histori interesante, ushqim të shijshëm dhe jetë nate të larmishme

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ – Në një artikull për të përditshmen ”Metro”, gazetarja britanike Martina Andretta përshkruan një udhëtim në Tiranë, ku për vetëm 61 paund në ditë shijon një qytet të gjallë, me histori interesante, ushqim të shijshëm dhe jetë nate të larmishme.

”Tirana po zhvillohet me ritme të shpejta dhe ofron shumë për turistët, nga muzetë e periudhës komuniste te arkitektura moderne. Udhëtimi është i lirë, ushqimi cilësor dhe akomodimi i përballueshëm.

Një murale gjigante e një vajze të pikturuar me ngjyra toke, një bllok apartamentesh me vija të ndritshme apo një rrokaqiell i ri në formën e një koke.

Duke udhëtuar nëpër Tiranë, nuk mund të mos ngresh kokën. Shoferi im i taksisë, Erioni përkulet mbi timon dhe tregon ndërtesat përreth nesh.

“Kjo është e re, ajo tjetra është shumë e njohur për turistët, edhe kjo është e re”, thotë ai.

Një aromë joshëse përhapet nga një tezgë pranë xhamit të makinës. Një shitës po hap ballokume të freskëta, një ëmbëlsirë tradicionale, dhe kulaç. Në një cep, burrat po luajnë domino mbi një tavolinë të improvizuar.

Tirana ndihet e gjallë. Kryeqyteti shqiptar, me pothuajse 600 000 banorë, është pak a shumë sa madhësia e lagjes londineze ”Brent”, por ajo ka plane ambicioze.

Dhe me historinë e saj të larmishme, klimën mesdhetare dhe kuzhinën e shijshme, është një zgjedhje e nënvlerësuar për një pushim të përballueshëm në qytet.

Gjëra për të bërë në Tiranë

Është e pamundur të vizitosh Tiranën pa u takuar me kujtimet e së kaluarës së saj komuniste. Jo shumë larg sheshit ”Skënderbej”, i njohur si zemra e qytetit, ndodhet një bunker nëntokësor i Luftës së Ftohtë.

”Bunk’Art 2” dhe ”Bunk’Art 1”, i vendosur më larg – janë muze që i japin jetë paranojës së Enver Hoxhës.

Udhëheqësi komunist i Shqipërisë ishte aq i fiksuar pas pushtimit të huaj saqë vlerësohet se urdhëroi krijimin e më shumë se 170 000 bunkerëve – duke e bërë Shqipërinë vendin me më shumë bunkerë në botë.

Pas rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90, Tirana përbëhej kryesisht nga ndërtesa gri të stilit sovjetik.

Në filli të viteve 2000, Edi Rama – kryetari i atëhershëm i bashkisë dhe tani kryeministër – nisi një iniciativë për të injektuar ngjyra në kryeqytet.

Si rezultat, ka murale kudo që kthen kokën, nga cepat e banesave deri te stolat e parkut. Nëse planifikoni të qëndroni vetëm disa ditë, merrni në konsideratë t’i bashkoheni një turi arti rrugor që do t’ju çojë në vende të fshehura që ia vlejnë.

Atraksione të tjera që ia vlen të vizitohen përfshijnë Xhaminë e Et’hem Beut – një monument i bukur kulturor që i shpëtoi shkatërrimit gjatë epokës komuniste – dhe malin e Dajtit, i cili mund të arrihet me teleferik.

Diçka që më habiti për Shqipërinë ishte ushqimi i saj eklektik dhe i shijshëm. Është një përzierje shijesh mesdhetare dhe ballkanike, me pjata të shijshme me mish dhe ushqime të shijshme vegjetariane.

Shijova ndoshta shumë byrek si dhe salca me bazë kosi dhe dollma.

Një nga vaktet e mia të preferuara ishte te Piceri Era Blloku, ku shërbehen qofte të shijshme shqiptare me një salcë kremoze me nardem kumbulle, një reçel tradicional.

Sigurisht, nuk mund të mos e vija në provë jetën e natës shqiptare.

Shkoni në Radio Bar Tirana për disa kokteje vërtet të lira me atmosferë retro.

Nëse po kërkoni diçka më luksoze, bari rrotullues 360° në Sky Club ofron një pamje të jashtëzakonshme dhe një atmosferë romantike. U ula atje për dy orë, duke pritur që dielli të perëndonte dhe të lyente horizontin të kuq duke pirë martini.

Megjithatë, i preferuari im ishte Bar Komiteti.

Vendi e quan veten një “kafe-muze” dhe është i dekoruar me objekte nga periudha komuniste. Në mure ka peceta të punuara me dorë, makina qepëse të përdorura dhe kostume tradicionale. Pas vizitës sonë të parë, kur pimë disa kokteje klasike, u kthyem përsëri, këtë herë të vendosur të provonim raki.

Ekipi pas barit na priti me një buzëqeshje, duke bërtitur nga larg “u kthyet përsëri?!”.

Për shkak të disa vështirësive gjuhësore, vendosëm t’i besonim plotësisht kamerierit tonë për të zgjedhur një përzgjedhje pijesh me raki bazuar në opsionet “pikante, të ëmbla ose të tharta”.

Nuk u zhgënjyem kur morëm një infuzion freskues me bazë manaferrash dhe me shoqërimin perfekt të muzikës live në sfond.

Një qytet që ndryshon me shpejtësi

“Kudo në Shqipëri ka një kantier ndërtimi aktiv”, më thotë Arber Musabelliu, një guidë lokale nga Free Walking Tour Tirana.

Kur e vizitoi vitin e kaluar, Alice Murphy e ”Metro” vuri re gjithashtu se disa zona të vendit ishin të mbingarkuara dhe të mbipopulluara.

Përpara se të bëhej kryeqyteti i Shqipërisë në vitin 1920, Tirana ishte një qytet relativisht i vogël, në një pozicion strategjik në qendër të vendit.

Tani, pak më shumë se 100 vjet më vonë, është një qytet modern evropian me plane të guximshme zhvillimi.

Një masterplan – i njohur si Tirana 2030 – synon ta transformojë kryeqytetin në një qendër urbane më të gjelbër, më të qëndrueshme dhe teknologjike.

I udhëhequr nga arkitekti italian Stefano Boeri, vizioni përfshin ndërtesa të çuditshme.

Disa nga ato që janë ngritur tashmë përfshijnë një hartë të pikselizuar të vendit, një rrokaqiell që duket se është frymëzuar nga një set Jenga dhe një bllok patriotik apartamentesh luksoze në formën e heroit kombëtar të Shqipërisë.

Dhe, për shkak se Tirana përbëhet kryesisht nga ndërtesa të ulëta të epokës komuniste, efekti është çorientues.

Arkitektura zakonisht nuk është gjëja ime, por në Tiranë, u fiksova.

Duke parë horizontin e qytetit, me malin Dajti në sfond, sytë e mi u magjepsën nga këto shtylla monumentale, që ngriheshin mbi peizazhin.

Ku të qëndroni në Tiranë

Krahasuar me kryeqytetet e tjera evropiane, Tirana është e vogël dhe e lehtë për t’u eksploruar në këmbë. Autobusët në qendër janë gjithashtu shumë të shpeshtë.

Për një pushim fundjave, qëndroni pranë Bllokut të gjallë ose sheshit ”Skënderbej” për të qenë afër atraksioneve kryesore dhe jetës së natës.

Qyteti ka shumë mundësi të përballueshme kur bëhet fjalë për akomodimin.

Meqenëse po udhëtoja me tre miq, zgjodhëm diçka me hapësira të përbashkëta. Për ne, shfrytëzimi maksimal i kohës sonë së bashku – qoftë duke vizituar një muze apo thjesht duke pushuar në divan pas një dite shëtitjeje – ishte gjëja më e rëndësishme.

Zgjodhëm një Airbnb me dy dhoma gjumi dhe dy banjo me një vlerësim 4,98 për 220 paund në total.

I vendosur pranë Bllokut, ishte vetëm katër minuta në këmbë nga rruga kryesore, që do të thoshte se mund të ktheheshim lehtësisht në shtëpi pas darkës dhe pijeve në një nga baret në modë të lagjes.

Apartamenti u certifikua si i Preferuari i Mysafirëve, që do të thotë se lista u vlerësua shumë nga mysafirët e mëparshëm.

Eltoni, pritësi ynë, ishte jashtëzakonisht i përgjegjshëm dhe u sigurua që të ndiheshim si në shtëpi./  a.jor.

The post ”Metro”: Tirana, qyteti me histori interesante, ushqim të shijshëm dhe jetë nate të larmishme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Turizmi ka dështuar, shkak eurot e drogës

By: Ela
5 August 2025 at 13:40

Kryedemokrati Sali Berisha ka vijuar edhe këtë të martë denoncimet nga selia blu. Sipas Berishës, turizmi në Shqipëri ka dështuar në mënyrë spektakolare. Kryedemokrati thotë se shifrat e paraqitura nga qeveria Rama janë të manipuluara dhe shton më tej se shkak i dështimit të turizmit gjatë 2 viteve të fundit, janë eurot e drogës. “Turizimi […]

The post Berisha: Turizmi ka dështuar, shkak eurot e drogës appeared first on BoldNews.al.

Kanionet e Prekalit, Rama: Një copëz magjie në zemër të Shkodrës turistike

5 August 2025 at 10:48

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Lumi i Kirit dhe kanionet e Prekalit në Shkodër janë kthyer ndër destinacionet më të vizituara nga turistët vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kanionet e Prekalit dhe Urës së Shtrenjtë, me ftesën për ta vizituar.

“Një copëz magjie në zemër të Shkodrës turistike. Prekal dhe Ura e Shtrenjtë”, shkruan Rama.

Ujë i kristaltë, vaskat, kanioni, pastërtia, qetësia dhe ajri i freskët i maleve përreth është ajo që të ofron Lugina e Kirit.

Çdo fundjavë kur moti është i ngrohtë, qytetarët shkodranë, turistë të huaj dhe banorë të fshatrave rreth rrjedhës së lumit, frekuentojnë këto brigje për banjo dielli, larje në ujërat e freskët, por dhe për sportet ujore.

Ura e Shtrenjtë mbi lumin Kir lidh Shkodrën me Prekalin. Kanionet gëlqerore të formuara nga veprimtaria erozive e lumit të Kirit ofrojnë një pamje magjepsëse për çdo vizitor që zgjedh të vizitojë zonën.

1 nga 5

/m.m//a.f/

The post Kanionet e Prekalit, Rama: Një copëz magjie në zemër të Shkodrës turistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Zogaj, fshati plot thesare turistike

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Fshati Zogaj, i ndodhur 3-4 km përtej Shirokës këtë sezon turistik veror po vizitohet nga turistë të shumtë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Zogaj, duke e cilësuar një fshat, plot thesare turistike.

Zogaj këtë vit është në listën e 6 fshatrave që përfaqësojnë Shqipërinë në aplikimin për “Fshatrat më të mirë turistikë” të Organizatës Botërore të Turizmit.

Zogaj gjendet 3-4 km përtej Shirokës dhe është i njohur për peshkimin, bimët mjekësore e klimën alpine. Ai kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Ky fshat kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Zogaj është i njohur si një fshat i vjetër peshkimi dhe së bashku me Shirokën janë ndër zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut.

/k.s//a.f/

The post Kumbaro: Zogaj, fshati plot thesare turistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌