Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Bashkimi Evropian: Projektligji i miratuar në Ukrainë rikthen pavarësinë e agjencive antikorrupsion

31 July 2025 at 15:33

Komisioni Evropian deklaroi sot se projektligji i miratuar po sot në Ukrainë rikthente garancitë themelore, që mundësonin pavarësinë e agjencive antikorrupsion.

“Sipas mendimit tonë, ligji i ri adreson sfidat kryesore që paraqet pavarësia e Agjencisë Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit (SAP)”, tha zëdhënësi i Komisionit, Guillaume Mercier.

Parlamenti ukrainas miratoi sot me shumicë të madhe votash një projektligj që rivendos pavarësinë e organeve kundër korrupsionit, duke përmbysur një tekst të mëparshëm të kritikuar nga shoqëria civile dhe Bashkimi Evropian.

Një total prej 331 deputetësh, minimumi i kërkuar ishte 226, votuan në favor të tekstit të ri të propozuar nga presidenti Volodymyr Zelensky gjatë seancës plenare, e cila u transmetua drejtpërdrejt.

Kryeministrja Yulia Svyrydenko e përshëndeti menjëherë votimin, duke siguruar se ligji i ri “eliminon rrezikun e ndërhyrjes në punën e agjencive kundër korrupsionit”.

“Kjo është një përgjigje e qartë ndaj pritjeve të shoqërisë dhe partnerëve tanë evropianë”, shtoi ajo në median sociale.

Dokumenti i mëparshëm, i miratuar më 22 korrik, e vendosi Agjencinë Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit (SAP) drejtpërdrejt nën mbikëqyrjen e Prokurorit të Përgjithshëm, i emëruar direkt nga presidenti.

Sulme ajrore ruse në Zaporizhzhia, 16 të vrarë dhe mbi 35 të plagosur në një burg

By: Rovena
29 July 2025 at 08:37

Të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe 35 të tjerë janë plagosur nga një sulm ajror rus gjatë natës në rajonin e Zaporizhzhias, në jugperëndim të Ukrainës. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet lokale ukrainase.

Guvernatori rajonal Ivan Fedorov shkroi në aplikacionin Telegram se goditja kishte shkatërruar ndërtesat e një institucioni korrektues (burgu), ndërsa shtëpi private përreth janë dëmtuar rëndë.

Sipas zyrtarëve lokalë, ky është një nga sulmet më vdekjeprurëse të muajve të fundit në territorin ukrainas.

Në një tjetër sulm të ndarë në rajonin Dnipropetrovsk, katër persona u vranë dhe disa të tjerë mbetën të plagosur, sipas burimeve nga administrata rajonale.

Fedorov bëri të ditur se forcat ruse kanë lëshuar tetë goditje ajrore në distriktin e Zaporizhias, duke përdorur, sipas tij, bomba ajrore me shpërthim të lartë.

Që prej nisjes së agresionit të gjerë në vitin 2022, forcat ruse kanë sulmuar rregullisht rajonin e Zaporizhzhias duke përdorur dronë, raketa dhe bomba ajrore./abcnews.al

Lufta/ Zelensky dhe i dërguari i SHBA-së bisedojnë për blerjen e armëve për Ukrainën

By: Ardit
14 July 2025 at 15:48

I dërguari i posaçëm amerikan për Ukrainën, Keith Kellogg, u takua të hënën në Kiev me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të biseduar rreth mbështetjes ushtarake për Ukrainën. Takimi i tyre ndodhi midis sulmeve të pareshtura ruse dhe në prag të një “njoftimi të rëndëshishëm” që presidenti amerikan, Donald Trump, ka premtuar se do të […]

The post Lufta/ Zelensky dhe i dërguari i SHBA-së bisedojnë për blerjen e armëve për Ukrainën appeared first on BoldNews.al.

Gjenerali i Ukrainës paralajmëron ofensivë të re ruse

By: Rovena
5 July 2025 at 20:27

Komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, paralajmëroi të shtunën për mundësi të një ofensive të re ruse në rajonin e Kharkivit, një zonë në verilindje të Ukrainës që është përballur me luftime të ashpra që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022.

Këtë verë, Moska po avancon ngadalë në disa pjesë të vijës së frontit, duke sulmuar vazhdimisht me shumë ushtarë, në përpjekje për të përfituar nga epërsia që ka në trupa dhe armë, raporton Reuters.

Trupat ruse kanë hyrë tashmë edhe në rajonin verior të Ukrainës, Sumy, ku kanë krijuar një prani të vogël në territorin ukrainas gjatë muajve të fundit.

Në një postim në aplikacionin Telegram, Syrskyi shkroi se ka kaluar dy ditë duke punuar me njësitë ushtarake në rajonin e Kharkivit.

Ai tha se gjatë kësaj kohe ka biseduar me komandantët, ka studiuar situatën në terren dhe ka vlerësuar nevojat e trupave që ndodhen aty.

“Rusët po përpiqen të avancojnë me numra, por ne duhet të jemi të përgatitur, të përdorim zgjidhje taktike dhe teknologjike të përshtatshme për të mos i lejuar ata të përparojnë”,  ka deklaruar Syrskyi.

Autoritetet në Ukrainë: Ndërprerja e dërgesave të armëve nga SHBA inkurajon Rusinë

2 July 2025 at 22:33

Kievi ka paralajmëruar se ndërprerja e dërgesave të armëve nga SHBA-ja mund ta inkurajojë Rusinë të vazhdojë luftën në Ukrainë, e cila tani është në vitin e saj të katërt.

Të martën, Shtëpia e Bardhë ka thënë se ka ndërprerë disa dërgesa armësh në Ukrainë.

“Vendimi është marrë për të vënë interesat e Amerikës në vend të parë pas një shqyrtimi nga Departamenti i Mbrojtjes të mbështetjes dhe ndihmës ushtarake të SHBA-së për vendet e tjera”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly.

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka thënë në një deklaratë se “çdo vonesë ose zvarritje në mbështetjen e aftësive mbrojtëse të Ukrainës vetëm sa do ta inkurajonte agresorin të vazhdonte luftën dhe terrorin, në vend që të kërkonte paqe”.

Ajo theksoi veçanërisht nevojën që Kievi të forcojë mbrojtjen e tij ajrore teksa Rusia vazhdon ta godasë vendin me raketa dhe dronë pothuajse çdo natë.

Një diplomat amerikan me bazë në Kiev është ftuar në ministrinë e Jashtme për bisedime të mërkurën.

Megjithatë, ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka thënë se nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar nga SHBA-ja në lidhje me “pezullimin ose rishikimin” e dërgesave të armëve dhe u bëri thirrje njerëzve të mos spekulojnë në bazë të informacionit të pjesshëm.

Por në një deklaratë, ministria e Mbrojtjes ka thënë gjithashtu se rruga për t’i dhënë fund luftës ishte “përmes presionit të vazhdueshëm dhe të përbashkët ndaj agresorit”.

Në fundjavë, Ukraina ka pësuar sulmin e saj më të madh ajror që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë, me më shumë se 500 dronë dhe raketa balistike dhe lundruese të lëshuara në qytetet e saj.

Gjermania do ta ndihmojë Ukrainën të prodhojë më shumë armë

By: Rovena
30 June 2025 at 22:03

Gjermania synon të ndihmojë Ukrainën të prodhojë më shumë armë më shpejt, ndërsa Kievi synon të forcojë pozicionin e saj negociues në bisedimet e paqes me Rusinë për t’i dhënë fund luftës së tyre më shumë se trevjeçare, ka thënë të hënën diplomati më i lartë gjerman, Johann Wadephul.

“Ne e shohim detyrën tonë si ndihmë për Ukrainën në mënyrë që ajo të mund të negociojë më fuqishëm”, ka thënë Wadephul gjatë një vizite në kryeqytetin ukrainas, Kiev, i shoqëruar nga përfaqësues të industrisë gjermane të mbrojtjes.

Përpjekjet ndërkombëtare për paqe të udhëhequra nga SHBA-ja nuk kanë arritur të bëjnë përparim në ndalimin e luftimeve. Presidenti rus, Vladimir Putin në fakt ka hedhur poshtë një armëpushim dhe nuk është larguar nga qëllimet e tij të luftës.

“Kur Putini flet për paqe sot, kjo është tallje e pastër”, është shprehur Wadephul në një konferencë shtypi me ministrin e Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha.

“Gatishmëria e tij e dukshme për të negociuar është vetëm një fasadë deri më tani”, ka shtuar ai.

Lufta e Rusisë nuk ka shenja se do të ndalet. Lufta e saj shkatërruese përgjatë vijës së frontit prej rreth 1,000 kilometrash dhe sulmet me rreze të gjatë në zonat civile të Ukrainës kanë vrarë mijëra trupa dhe civilë.

Ukraina ndërkohë ka mungesa në armë dhe me pak forca në vijën e parë teksa ndihma ndërkombëtare ka qenë jetike për rezistencën e Ukrainës kundër ushtrisë dhe ekonomisë më të madhe të fqinjit të saj. Gjermania ka qenë mbështetësi i dytë më i madh ushtarak i Ukrainës pas Shteteve të Bashkuara.

“Ne duam të ndërtojmë sipërmarrje të reja të përbashkëta në mënyrë që vetë Ukraina të mund të prodhojë më shpejt dhe më shumë për mbrojtjen e saj, sepse nevojat tuaja janë të mëdha”, ka thënë po ashtu Wadephul.

Udhëtimi i diplomatit të lartë gjerman në Kiev ka ardhur më pak se 48 orë pasi Rusia nisi sulmin e saj më të madh ajror kundër Ukrainës gjatë fundjavës.

Kim Jong-un nderon ushtarin e rënë në Rusi, miraton vendosjen e trupave në Kursk

By: Rovena
30 June 2025 at 16:00

Pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror i Koresë së Veriut kanë treguar një moment emocional të liderit Kim Jong-un, i cili shihet teksa derdh lot dhe bie në gjunjë pranë arkivolit të një ushtari koreano-verior të rënë gjatë një misioni në territorin rus.

Trupi i pajetë ishte mbuluar me flamurin kombëtar të Koresë së Veriut, ndërsa ceremonia, e organizuar me solemnitet të lartë, përçoi jo vetëm dhimbje, por edhe mesazhe të qarta politike.

Sipas raportimeve nga mediat shtetërore, Kim Jong-un ka miratuar gjithashtu planet ushtarake që përfshijnë qytetin rus të Kurskut, një veprim që interpretohet si përgatitje për vendosjen e trupave verikoreane në Rusi deri në fund të vitit.

Ndërkohë, gjatë së dielës, lideri korean mori pjesë në një shfaqje artistike të mbajtur me rastin e përvjetorit të parë të nënshkrimit të Traktatit të Partneritetit Strategjik Global midis Koresë së Veriut dhe Rusisë, sipas KCTV dhe gazetës zyrtare Rodong Sinmun./abcnews.al

Zelensky nënshkruan ujdi me Këshillin e Evropës për themelimin e një tribunali për krime lufte

By: Rovena
26 June 2025 at 09:08

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e nënshkroi të mërkurën vonë një marrëveshje me Këshillin e Evropës për themelimin e një tribunali të posaçëm që do t’i gjykonte zyrtarë të lartë përgjegjës për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Tribunali do t’i ndjekë penalisht “krimet e agresionit” në lidhje me pushtimin dhe mund të gjykojë politikanë të lartë rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin.

“Çdo kriminel lufte duhet ta dijë se do të ketë drejtësi dhe kjo vlen edhe për Rusinë”, tha Zelensky pas nënshkrimit të marrëveshjes në Strasburg me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset.

“Do të nevojitet guxim i madh politik dhe ligjor për t’u siguruar se çdo kriminel rus i luftës do të përballet me drejtësinë, përfshirë Putinin”, tha Zelensky në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës pas nënshkrimit të marrëveshjes.

“Duhet ta dërgojmë një mesazh të qartë: agresioni çon në ndëshkim. Dhe, këtë duhet ta bëjmë së bashku, si Evropë”, shtoi ai më vonë në X.

Mandati i tribunalit do të jetë ndjekja penale e drejtuesve të lartë politikë dhe ushtarakë për krimin e agresionit kundër Ukrainës, tha Këshilli i Evropës.

“Kjo vepër penale i referohet vendimit për të përdorur forcën e armatosur kundër një shteti tjetër duke e shkelur Kartën e OKB-së”, tha këshilli.

Shtetas të Bjellorusisë apo Koresë së Veriut mund të ndiqen gjithashtu penalisht nëse provohet se kanë luajtur rol të rëndësishëm në krimin e agresionit kundër Ukrainës, shtoi ai.

Berset theksoi se e drejta ndërkombëtare “duhet të zbatohet për të gjithë, pa përjashtime dhe pa standarde të dyfishta”.

Ai tha se Këshilli i Evropës shpreson se tribunali do ta nisë punën vitin e ardhshëm. Nuk është vendosur ende se ku do ta ketë selinë tribunali.

Kjo është hera e parë që një tribunal i tillë themelohet nën mbikëqyrjen e Këshillit të Evropës, organit më të lartë për të drejtat e njeriut në kontinent.

Këshilli i Evropës, me 46 anëtarë, nuk është pjesë e BE-së, dhe përfshin shtete evropiane të rëndësishme jashtë BE-së si, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina.

Rusia u përjashtua pas pushtimit të Ukrainës./REL

Të paktën 9 të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

By: Rovena
23 June 2025 at 09:38

Të paktën gjashtë njerëz janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulmet ruse me dronë dhe raketa në kryeqytetin e Ukrainës gjatë natës, njoftuan të hënën në mëngjes shërbimet e emergjencës të Ukrainës.

Ekipet për shpëtim dhe zjarrfikësit po përpiqen të nxjerrin njerëz që besohet se kanë ngecur nën rrënojat e një ndërtese banimi, e cila është shembur pjesërisht.

Në një zonë tjetër të Ukrainës, një sulm me dron rus me rreze të shkurtër veprimi vrau dy njerëz dhe plagosi dhjetë të tjerë në rajonin e Çernihivit, thanë autoritetet. Sipas kreut të administratës rajonale, Viacheslav Chaus, tre fëmijë janë mes të plagosurve.

Në një qytet tjetër të Ukrainës, Bila Tserkva, u vra një person dhe u plagosën tetë të tjerë.

Rusia i kreu këto sulme pothuajse një javë pas një sulmi të kombinuar që e ndërmori të martën e kaluar, ku vrau 28 njerëz në Kiev, 23 prej të cilëve në një ndërtesë banimi që u shemb pasi u godit drejtpërdrejt nga një raketë ruse.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e quajti atë sulm si një nga bombardimet më të mëdha të luftës, e cila është tani në vitin e katërt.

Në orët e para të së hënës, dronët dhe raketat goditën zona banimi, spitale dhe infrastrukturë sportive në disa qarqe të Kievit, sipas shërbimeve të emergjencës.

Dëmet më të mëdha u raportuan në qarkun Shevçenkivski, ku një pjesë e një ndërtese pesëkatëshe u shemb.

Pesë njerëz u konfirmuan të vdekur nga sulmi në ndërtesë, ndërsa 10 të tjerë, përfshirë një grua shtatzënë, u shpëtuan nga një godinë e lartë aty pranë, që gjithashtu pësoi dëme të rënda nga shpërthimi.

Banorë të tronditur, disa të mbështjellë me batanije, vëzhgonin me lot në sy ndërsa po zhvillohej operacioni i pastrimit. Dhjetëra vullnetarë po ndihmonin për të hequr xhamat e thyer, degët e pemëve të rrëzuara dhe mbeturinat e tjera.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, u tha gazetarëve nga vendi i ngjarjes se “shpresojmë shumë që numri i viktimave të mos rritet”, por punonjësit e shpëtimit ishin ende duke kërkuar në ndërtesën e shembur për viktima të tjera./REL

Shkon në 28 numri i viktimave nga sulmi në Kiev, mbi 130 të plagosur

By: Rovena
18 June 2025 at 17:33

Numri i viktimave nga sulmi i fundit me raketa të forcave ruse në Kiev është rritur në 28, ndërkohë që më shumë se 130 persona kanë mbetur të plagosur, sipas raportimeve të fundit nga autoritetet ukrainase. Ky sulm, i cili përfshiu përdorimin e raketave dhe dronëve, është cilësuar si një nga më të rrezikshmit që nga fillimi i vitit.

Në lagjen Solomyansky të kryeqytetit ukrainas, një pallat nëntëkatësh është shkatërruar plotësisht nga shpërthimi i një rakete, duke lënë të bllokuar shumë banorë nën rrënoja. Ekipet e shpëtimit kanë punuar pa ndalim për të nxjerrë trupat e pajetë dhe për të shpëtuar të mbijetuarit. Nga 28 viktimat, 23 janë nxjerrë nga ky pallat, ndërsa 5 të tjerë janë gjetur në pjesë të tjera të qytetit. Shpërthimi ka shkaktuar gjithashtu dëme të konsiderueshme në ndërtesat përreth dhe ka vështirësuar operacionet e shpëtimit për shkak të vazhdimit të sulmeve ajrore.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka dënuar ashpër këtë sulm, duke e cilësuar atë si një akt të papranueshëm të agresionit ndaj civilëve. Ai ka bërë thirrje për mbështetje ndërkombëtare dhe për dënimin e veprimeve të tilla nga Rusia. Po ashtu, ai ka theksuar rëndësinë e forcimit të mbrojtjes ajrore të vendit për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen.

Ky incident ka shkaktuar tronditje të thellë në mesin e popullsisë dhe ka nxitur reagime të shumta nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe nga shtetet perëndimore, të cilat kanë kërkuar masa të menjëhershme për të ndaluar agresionin rus dhe për të mbrojtur jetën e civilëve ukrainas./abcnews.al

Sulmi masiv i Moskës në rajonin e Poltavas/ Goditet rafineria më e madhe e naftës në Ukrainë

15 June 2025 at 07:26

Rajoni i Poltavas është goditur rëndë nga një tjetër sulm rus: rafineria më e madhe e naftës në Ukrainë është përfshirë nga flakët, ndërsa disa fabrika të tjera janë duke u djegur.

Fillimisht, qyteti i Kremençukut u shënjestrua nga një valë dronësh, pasuar më vonë nga raketa lundrimi Kalibr dhe të paktën dy raketa hipersonike Kinzhal, me fuqi shkatërruese.

Ky qytet i vjetër industrial, me një popullsi prej 220 mijë banorësh, është vënë në shënjestër të përsëritur nga ushtria ruse ditët e fundit. Kremençuku përfaqëson një nyje të rëndësishme të industrisë së Ukrainës, që para agresionit kontribuonte me 7% në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit.

Sulmi ishte rrënues: për disa orë, qielli i natës u ndriçua nga flakët që shpërthyen pas goditjeve./abcnews.al

Putin refuzon takimin trepalësh/ Trump e Zelensky gati, Kremlini: Të plotësohen disa kushte

By: Rovena
3 June 2025 at 19:29

Rusia ka refuzuar sërish një takim të afërt mes Vladimir Putin, Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Putin ka deklaruar se është i hapur për takime të nivelit të lartë, por fillimisht duhen plotësuar disa kushte.

Sipas Kremlinit kjo mund të ndodhë si rezultat i marrëveshjeve që janë përpunuar në një nivel teknik, në një nivel ekspertësh.

Një takim trepalësh mes Trump, putin dhe Zelensky u propozua në raundin e dytë të bisedimeve në Stamboll. Ministri i jashtëm ukrainas Rustem Umerov tha se një takim i tillë mund të ndodhë në fund të muajit.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitte tha se Trump është i hapur për një takim të tillë dhe dëshiron që liderët të ulen në tryezë.

Zelensky po ashtu ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u takuar, por palët janë ndeshur vazhdimisht  në refuzimin e Putin.

Në bisedimet në Stamboll të hënën, delegacionet ranë dakord të shkëmbejnë rreth një mijë të burgosur lufte dhe trupat e ushtarëve të rënë.

Por kushtet e tyre për t’i dhënë fund konfliktit mbetën shumë larg njëra-tjetrës.

Peskov, tha se bisedimet e së hënës midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll nuk pritej të sillnin ndonjë përparim, por vuri në dukje arritjen e disa marrëveshjeve dhe tha se puna do të vazhdojë./abcnews.al

 

Autopsitë e të burgosurve ukrainas tregojnë për sistem brutaliteti në burgjet ruse

By: Rovena
1 June 2025 at 08:25

Pas pushtimit rus në Ukrainë, mbi 200 të burgosur ukrainas të luftës kanë vdekur në robëri. Rasti i ushtarit Serhii Hryhoriev, i cili u kthye në një qese kufome, vë në pah brutalitetin dhe neglizhencën në burgjet ruse. Autopsitë dhe dëshmitë tregojnë për tortura sistematike dhe abuzime.

“Gjithçka do të rregullohet”. Ushtari ukrainas Serhii Hryhoriev e thoshte këtë aq shpesh gjatë telefonatave të shkurtra nga fronti, saqë gruaja dhe dy vajzat e tij e morën seriozisht. Vajza e tij më e vogël, Oksana, e bëri tatuazh këtë frazë në kyçin e dorës si talisman.

Edhe pasi Hryhoriev u kap nga ushtria ruse në vitin 2022, familja e tij e shqetësuar besonte se ai përfundimisht do të ishte mirë. Në fund të fundit, Rusia është e detyruar nga ligji ndërkombëtar t’i mbrojë të burgosurit e luftës.

Megjithatë, Hryhoriev u kthye në shtëpi i vdekur, në një qese kufome.

Një certifikatë vdekjeje ruse deklaron se 59-vjeçari vdiq nga një sulm në tru. Por një autopsi ukrainase dhe një ish-i burgosur lufte që u ndalua me të tregojnë një histori të ndryshme të mënyrës se si vdiq ai – një histori dhune dhe neglizhence mjekësore nga duart e rrëmbyesve të tij.

Hryhoriev është një nga më shumë se 200 të burgosur lufte ukrainas që kanë vdekur teksa ishin të burgosur që nga pushtimi në shkallë të gjerë i Rusisë tre vjet më parë. Abuzimi brenda burgjeve ruse ka qenë faktor kontribues në shumë nga këto vdekje, sipas zyrtarëve nga grupet e të drejtave të njeriut, OKB-së, qeverisë ukrainase dhe një ekzaminuesi mjekoligjor ukrainas i cili ka kryer dhjetëra autopsi të të burgosurve të luftës.

Zyrtarët thonë se numri i të vdekurve në burgje shton prova se Rusia po i abuzon sistematikisht ushtarët e kapur rob. Ata thonë se mospërputhjet mjekoligjore si ajo e Hryhorievit, dhe riatdhesimi i trupave të gjymtuar dhe të dekompozuar, tregojnë një përpjekje për të mbuluar torturat e dyshuara, urinë dhe kujdesin e dobët shëndetësor në dhjetëra burgje dhe qendra paraburgimi në të gjithë Rusinë dhe pjesën e pushtuar të Ukrainës.

Autoritetet ruse nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Ata e kanë akuzuar më parë Ukrainën për keqtrajtim të të burgosurve rusë të luftës – akuza që OKB-ja i ka mbështetur pjesërisht, megjithëse thotë se shkeljet e bëra nga  Ukrainës janë më pak të zakonshme dhe jo aq të rënda sa ato për të cilat akuzohet Rusia.

“Gjallë e mirë”

Hryhoriev iu bashkua ushtrisë ukrainase në vitin 2019 pasi humbi punën si punonjës zyre në një shkollë të mesme. Kur filloi lufta tre vjet më vonë, ai u stacionua me ushtarë të tjerë në Mariupol, qytet port industrial që ishte vendi i një beteje të ashpër – dhe larg shtëpisë së tij në rajonin qendror, Poltava.

Më 10 prill 2022, Hryhoriev telefonoi familjen e tij për t’i siguruar se “gjithçka do të shkojë mirë”. Kjo ishte hera e fundit që ata folën me të.

Dy ditë më vonë, një i afërm i një ushtari në njësinë e Hryhorievit telefonoi për të thënë se burrat ishin kapur. Pasi Mariupoli ra në duart e Rusisë, më shumë se 2.000 ushtarë që mbronin qytetin u bënë të burgosur rusë.

Shpejt familja e tij mori një telefonatë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, i cili konfirmoi se ai ishte gjallë dhe zyrtarisht i regjistruar si rob lufte, duke garantuar mbrojtjen e tij sipas Konventës së Gjenevës. “Na thanë: ‘kjo do të thotë se gjithçka është në rregull … Rusia duhet ta kthejë atë’”, kujtoi gruaja e Hryhorievit, Halyna.

Në gusht të vitit 2022, ajo mori një letër prej tij, ku i drejtohej me një nofkë. “Halochka ime e dashur”, shkroi ai. “Jam gjallë dhe mirë. Gjithçka do të shkojë mirë”.

E dëshpëruar për më shumë informacion, vajza e tij Oksana, 31 vjeçe, kërkoi me kujdes llogaritë e mediave sociale ruse, ku shfaqeshin rregullisht video të të burgosurve të luftës ukrainase. Më në fund, ajo e pa atë në njërën prej tyre – dukej i dobët dhe pa dhëmbë. Flokët e tij gri ishin të prera shumë shkurt, duke u dhënë formë tipareve të buta, tani pjesërisht të mbuluara nga mjekra.

Në videon, me shumë mundësi të xhiruar nën presion, Hryhoriev thotë: “Jam gjallë dhe mirë”.

“Por nëse e shikonit, do të shihnit se kjo nuk ishte e vërtetë”, tha Oksana.

E vërteta ishte e zymtë, tha Oleksii Honcharov, një 48-vjeçar i burgosur i luftës ukrainas që u ndalua me të.

Honcharov jetoi në të njëjtat kazerma burgu si Hryhoriev duke filluar nga vjeshta e vitit 2022. Gjatë një periudhe muajsh, ai pa Hryhorievin të merrte të njëjtin dënim të rëndë si çdo i burgosur tjetër i luftës në Koloninë Korrektuese Kamensk-Shakhtinsky në Rusinë jugperëndimore.

“Të gjithë u goditën – pa përjashtime”, tha Honcharov, i cili u riatdhesua në Ukrainë në shkurt si pjesë e një shkëmbimi të burgosurish. “Disa më shumë, disa më pak, por të gjithë duruam”.

Honcharov duroi muaj të tërë dhimbjesh në gjoks gjersa ishte në robëri. Edhe atëherë, rrahjet nuk ndaleshin kurrë, tha ai, dhe ndonjëherë ato fillonin pas lutjeve të tij për kujdes mjekësor, të cilat injoroheshin.

“Kah fundi, mezi ecja”, tha Honcharov, i cili u diagnostikua me tuberkuloz pasi u kthye në Ukrainë – një sëmundje gjithnjë e më e zakonshme midis të burgosurve të luftës që ktheheshin.

Një raport i OKB-së i vitit 2024 zbuloi se 95% e të burgosurve ukrainas të luftës, të liruar kishin duruar tortura “sistematike”. Të burgosurit përshkruan rrahje, goditje elektrike, dhunë seksuale, ekzekutime të simuluara dhe privim nga gjumi.

“Kjo sjellje nuk mund të ishte më e paligjshme”, tha Danielle Bell, monitoruesja më e lartë e të drejtave të njeriut e OKB-së në Ukrainë.

Raporti gjeti gjithashtu se disa të burgosur rusë të luftës u keqtrajtuan nga forcat ukrainase gjatë kapjes së tyre fillestare — duke përfshirë rrahje, kërcënime dhe goditje elektrike. Por abuzimi ndaloi pasi të burgosurit rusë të luftës u transferuan në qendrat zyrtare të paraburgimit të Ukrainës, sipas raportit.

Hryhoriev ishte fizikisht i fortë dhe shpesh u mbijetoi të burgosurve të rinj gjatë ushtrimeve të detyruara, kujtoi Honcharov. Por me kalimin e kohës, ai filloi të tregonte shenja të përkeqësimit fizik: marramendje, lodhje dhe përfundimisht, paaftësi për të ecur pa ndihmë.

Megjithatë, pavarësisht gjendjes së tij të përkeqësuar, zyrtarët e burgut ofruan vetëm kujdes minimal shëndetësor, tha Honcharov.

Zbulimi i rrethanave të vdekjes së të burgosurve të luftës

Në një dhomë të ndritshme, sterile, me erën e ëmbël dhe të thartë të dekompozimit njerëzor, Inna Padei kryen autopsi mbi trupat e ushtarëve ukrainas të riatdhesuar nga Rusia, si dhe mbi civilët e zhvarrosur nga varret masive. Qindra trupa të mbështjellë me qese plastike të zeza janë dorëzuar në kamionë frigorifer në morgun ku ajo punon në Kiev, kryeqytetin e Ukrainës.

Ata që vdiqën në betejë ende mbajnë uniforma ushtarake dhe shpesh kanë plagë të dukshme të jashtme. Trupat e ish-të burgosurve të luftës janë të veshur me uniforma burgu dhe shpesh janë të gjymtuar dhe të dekompozuar.

Është detyra e Padeit dhe ekspertëve të tjerë mjekoligjorë të bashkojnë detajet se si vdiqën ushtarë si Hryhoriev. Këto raporte janë shpesh informacioni i vetëm i besueshëm që marrin familjet e ushtarëve – dhe ato do të përdoren nga Ukraina, së bashku me dëshmitë nga ish-të burgosurit e luftës, për të ngritur akuza për krime lufte kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.

Trupi i një ish-të burgosuri të luftës i ekzaminuar së fundmi nga Padei kishte një frakturë sa një bajame në anën e djathtë të kafkës. Kjo sugjeronte se ushtari ishte goditur nga një objekt – një goditje potencialisht aq e fortë sa ta vriste menjëherë, ose pak më vonë, tha ajo. “Këto lëndime mund të mos jenë gjithmonë shkaku i drejtpërdrejtë i vdekjes”, tha Padei, “por ato tregojnë qartë përdorimin e forcës dhe torturës kundër ushtarakëve”.

Më parë këtë vit, Amnesty International dokumentoi torturën e përhapur të të burgosurve ukrainas të luftës në Rusi. Raporti i saj ishte veçanërisht kritik ndaj sekretit të Rusisë në lidhje me vendndodhjen dhe gjendjen e të burgosurve të luftës, duke thënë se refuzonte t’u jepte grupeve të të drejtave të njeriut ose punonjësve të shëndetësisë qasje në burgjet e saj, duke i lënë familjet në terr informativ për muaj ose vite për të dashurit e tyre.

Nga më shumë se 5.000 të burgosur të luftës që Rusia ka riatdhesuar në Ukrainë, të paktën 206 vdiqën në robëri, përfshirë më shumë se 50 si pasojë e një shpërthimi në një kazermë burgu të kontrolluar nga Rusia, sipas qeverisë ukrainase. 245 të burgosur të luftës ukrainase u vranë nga ushtarët rusë në fushën e betejës, sipas prokurorëve ukrainas.

Numri i të burgosurve të luftës të vdekur pritet të rritet gjersa kthehen dhe identifikohen më shumë trupa, por ekspertët mjekoligjorë përballen me sfida të rëndësishme në përcaktimin e shkaqeve të vdekjes.

Në disa raste, mungojnë organet e brendshme. Herë të tjera, duket sikur mavijosjet ose lëndimet janë fshehur disi.

Zyrtarët ukrainas besojnë se gjymtimi i trupave është një përpjekje nga Rusia për të fshehur shkaqet e vërteta të vdekjes. Dekompozimi ekstrem është një tjetër pengesë, thonë zyrtarët.

“Ata i mbajnë trupat derisa të arrijnë në një gjendje ku asgjë nuk mund të përcaktohet”, tha Petro Yatsenko, një zëdhënës i agjencisë qeveritare ukrainase përgjegjëse për çështjet e të burgosurve të luftës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka thënë se shkëmbimi i shpejtë i të burgosurve të luftës duhet të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje armëpushimi, së bashku me kthimin e mijëra civilëve ukrainas, përfshirë fëmijët e deportuar me forcë në Rusi. Një shkëmbim i madh të burgosurish midis Rusisë dhe Ukrainës u zhvillua gjatë fundjavës së kaluar.

Associated Press intervistoi të afërmit e 21 të burgosurve të luftës ukrainas që vdiqën në robëri. Autopsitë e kryera në Ukrainë zbuluan se pesë prej këtyre të burgosurve të luftës vdiqën nga problemet e zemrës, përfshirë ushtarë që ishin 22, 39 dhe 43 vjeç. Katër të tjerë vdiqën nga tuberkulozi ose pneumonia, dhe tre të tjerë vdiqën, përkatësisht, nga një infeksion, asfiksi dhe një plagë në kokë me forcë. Padei tha se raste si këto — dhe të tjera që ajo ka parë — janë sinjale paralajmëruese, duke sugjeruar se abuzimi fizik, lëndimet dhe sëmundjet e patrajtuara ka të ngjarë të kenë kontribuar në vdekjen e shumë ushtarëve.

“Në kushte normale ose humane, këto nuk do të kishin qenë fatale”, tha Padei.

Në një raport autopsie, mjekët ligjorë thanë se një individ ishte goditur me rrymë dhe ishte rrahur vetëm disa ditë para se të vdiste nga një problem i zemrës dhe dobësimi ekstrem. Autopsi të tjera treguan se trupat kishin shenja të gangrenës ose infeksioneve të patrajtuara.

“Çdo gjë që përshkruajnë të burgosurit e kthyer … ne e shohim të njëjtën gjë në trupa”, tha Padei.

“Një engjëll në qiell”

Muaj pasi Hryhorievit ishte paraburgosur në burgun Kamensk-Shakhtinsky – dhe pasi vajza e tij e pa atë në videon e mediave sociale të ushtrisë ruse – shëndeti i tij u përkeqësua ndjeshëm, sipas Honcharov.

Por në vend që të dërgohej në spital, Hryhoriev u zhvendos në një qeli të vogël që ishte e izoluar nga të burgosurit e tjerë. Një tjetër rob ukrainas, një ndihmës mjekësor, u caktua të qëndronte me të.

“Ishte lagështi, ftohtë, pa asnjë ndriçim”, kujtoi Honcharov.

Ai vdiq në atë qeli rreth një muaj më vonë, tha Honcharov. Ishte 20 maji 2023, sipas certifikatës së tij të vdekjes ruse.

Familja Hryhorievit nuk mësoi se ai kishte vdekur deri më shumë se gjashtë muaj më vonë, kur një ish-i burgosur lufte kontaktoi. Pastaj, në mars të vitit 2024, policia në Ukrainën qendrore telefonoi: Një trup kishte mbërritur me një certifikatë vdekjeje ruse që mbante emrin e Hryhorievit. Një test ADN-je konfirmoi se ishte ai.

Një autopsi e kryer në Ukrainë kundërshtoi pretendimin e Rusisë se Hryhoriev vdiq nga një sulm në tru. Thuhej se ai vdiq nga hemorragjia pas një traume të fortë në bark që i dëmtoi edhe shpretkën.

Trupi i Hryhorievit iu dorëzua familjes qershorin e kaluar dhe menjëherë pas kësaj ai u varros në qytetin e tij të lindjes, Pyriatyn.

Për ta nderuar atë, gruaja dhe vajza e madhe e Hryhorievit, Yana, ndoqën shembullin e Oksanas dhe bënë tatuazhe në kyçet e duarve me shprehjen optimiste të tij.

“Tani kemi një engjëll në qiell që na përcjell”, tha Halyna. “Ne besojmë se gjithçka do të shkojë mirë”.

 

Peskov: Ukraina ende nuk i është përgjigjur propozimit të Rusisë për bisedime më 2 qershor

By: Rovena
29 May 2025 at 14:32

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar të enjten se Rusia është ende në pritje të një përgjigje nga Ukraina sa i përket propozimit për mbajtjen e rundit të ardhshëm të bisedimeve për paqe në Stamboll më 2 qershor.

Zyrtarët rusë e propozuan mbajtjen e rundit të dytë të negociatave direkte një ditë më parë, me qëllimin për t’ia parashtruar Ukrainës memorandumin i cili ngërthen ato që po përshkruhen si elementet kyçe për “tejkalimin e shkaqeve rrënjësore” të konfliktit, ka raportuar agjencia Reuters.

Kur u pyet lidhur me sugjerimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Ukrainës, Andrii Sybiha, i cili kërkoi nga Rusia që ta dorëzonte menjëherë memorandumin, Peskov e mohoi këtë ide dhe e quajti si “jokonstruktive”.

“Këtu, ose duhet të konfirmosh gatishmërinë për të vazhduar negociatat ose ta bësh të kundërtën”, ka thënë Peskov.

Bisedimet paraprake të mbajtura më 16 maj dështuan të prodhojnë një marrëveshje për armëpushim, për të cilën Moska zyrtare ka njoftuar se është i pamundur të arrihet para se të plotësohen disa parakushte./abcnews.al

Ukrainasit do të qëndrojnë më gjatë/ Zgjatet afati i qëndrimit në Shqipëri në 4 vite

21 May 2025 at 23:24

TIRANË– Qeveria ka vendosur zgjatjen e leje qëndrimit të shtetasve ukrainas në Shqipëri me një vit. Nga 3 vjet që ishte tashmë është bërë 4 vjet.

Ky vendim i këshillit të ministrave i vjen në ndihmë shtetasve të Ukrainës që janë Shqipëri.

Ndërkohë që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës është në vitin e tretë. Shqipëria prej kohësh është rreshtuar në krah të Ukrainës jo vetëm duke dënuar agresionin, por edhe duke vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Po ashtu vendi ynë ka mbajtur edhe një Samit për Ukrainën dhe ka nënshkruar edhe marrëveshje në fushën e sigurisë./abcnews.al

Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën para takimit të Stamboll

15 May 2025 at 14:36

Rusia dhe Ukraina bënë deklarata të ndërsjella duke akuzuar njëra-tjetrën përpara bisedimeve të paqes në Stamboll, të organizuara nga Turqia.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili mbërriti në Ankara për t’u takuar me presidentin Recep Tayyip Erdoğan, bëri deklarata në lidhje me negociatat që do të zhvillojnë me Rusinë në Stamboll.

Ai tha se Ukraina ka ardhur me një delegacion të nivelit të lartë për negociatat. Zelensky kritikoi Rusinë, duke thënë se “Niveli i delegacionit rus është pothuajse një mashtrim”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova reagoi ndaj kësaj deklarate, duke e quajtur Zelensky një “klloun” dhe një “dështak”.

Në përgjigje të kësaj, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ukrainase, Heorhii Tykhyi në një deklaratë tërhoqi vëmendjen në faktin se presidenti rus Vladimir Putin nuk mundi të vinte në Stamboll.

“Në vend që Putini të vijë në Turqi dhe të zhvillojë bisedime serioze me Zelenskyn për t’i dhënë fund luftës dhe për të vendosur paqen, Rusia po i bën fyerje personale presidentit ukrainas. Kjo nuk është hera e parë që Ministria e Jashtme ruse është bërë objekt talljeje. Për më tepër, delegacioni në Turqi nuk udhëhiqet nga Ministria e Jashtme ruse. Detyra e tyre është të lehin nga Moska”, tha Tykhyi.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha se “Zelensky është një person i mjerë dhe po udhëhiqet nga Britania”.

Merz: Evropa ka nevojë për ndihmën e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

7 May 2025 at 17:50

Kancelari gjerman, Friedrich Merz deklaroi se beson që lufta në Ukrainë nuk mund të ndalet pa përfshirjen politike dhe ushtarake të SHBA-së, ndërsa Kievi po vëzhgon nga afër se si do të pozicionohet Berlini nën udhëheqjen e udhëheqësit të tij të ri konservator.

Merz, i cili u takua me presidentin francez Macron në Paris në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit më pak se 24 orë pas marrjes së detyrës, tha se ‘’Evropa ishte gati të ndihmonte në arritjen e një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën’’.

“Por, ne gjithashtu e dimë se do të vazhdojmë të kemi nevojë për amerikanët”, shtoi ai.

”Shtetet e Bashkuara do të luajnë gjithashtu një rol kyç në ofrimin e garancive të sigurisë për një armëpushim ose marrëveshje të mundshme paqeje”, sipas kancelarit të ri.

Merz tha se do ta theksonte këtë pikë gjatë bisedimeve të planifikuara me administratën Trump.

“Ne duam që amerikanët të qëndrojnë në bord” dhe të vazhdojnë të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre brenda NATO-s dhe gjithashtu ndaj Ukrainës’’, theksoi ai.

I pyetur në lidhje me kontributet specifike gjermane për garancitë e sigurisë për Ukrainën në rast të një marrëveshjeje paqeje, Merz nuk dha asnjë përgjigje.

‘’Derisa të ketë një armëpushim të përhershëm dhe një marrëveshje me Rusinë, ne nuk mund të japim asnjë informacion mbi fushëveprimin e garancive të sigurisë që do t’i ofrojmë Ukrainës, sepse thjesht nuk i dimë ende kushtet”, shtoi ai.

I dërguari special i Trump: Ukraina e gatshme të japë tokën e pushtuar nga Rusia

By: Rovena
1 May 2025 at 10:51

I dërguari special për Ukrainën i presidentit amerikan Donald Trump, Keith Kellogg, ka thënë se Ukraina është e gatshme të japë tokën e pushtuar nga Rusia.

“Ukrainasit vetëm se kanë deklaruar se janë të gatshëm ta japin tokën… jo de-jure, përgjithmonë, por de-facto sepse rusët në fakt e kanë pushtuar atë”, ka deklaruar Kellogg të mërkurën për “The Telegraph”.

“Kjo është ajo se çfarë janë të gatshëm të bëjnë, ata ma thanë këtë javën e kaluar”, shtoi ai në një intervistë për Fox Neës.

Rusia kontrollon pothuajse 20% të territorit ukrainas, pjesa më e madhe është zona kryesore industriale e vendit. Administrata e Trumpit po përpiqet për të arritur një marrëveshje për paqe në mes Ukrainës dhe Rusisë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin deri tash ka refuzuar një armëpushim të përhershëm, por ka njoftuar të hënën një armëpushim treditor nga 8 maji deri më 11 maj, të cilën Kellogg e ka quajtur si “absurde”.

Vance: SHBA “tërhiqet” nëse Rusia dhe Ukraina nuk pranojnë propozimet për luftën

By: Rovena
23 April 2025 at 16:09

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance ka paralajmëruar se SHBA do të tërhiqet nga përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, nëse Ukraina dhe Rusia nuk pajtohen për një marrëveshje.

Paralajmërimi i JD Vance vjen në një kohë kur takimi i nivelit të lartë që u prit të mbahej në Londër midis ministrave të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Ukrainës dhe SHBA-së degradoi në takim të nivelit të zyrtarëve, pasi sekretari amerikan, Marco Rubio dhe i dërguari i posaçëm, Steve Witkoff refuzuan të marrin pjesë.

SHBA-ja është impenjuar në bisedimet e kësaj jave në Moskë, ku Witkoff do të takohet për herë të katërt me presidentin rus, Vladimir Putin, teksa shpejtësia e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës është shtuar.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky vazhdimisht ka këmbëngulur se duhet “një armëpushim i menjëhershëm, i plotë dhe i pakushtëzuar”./abcnews.al

Parlamenti i Ukrainës miraton zgjatjen e ligjit ushtarak

By: Rovena
16 April 2025 at 16:02

Teksa lufta me Rusinë po vazhdon, një shumicë dërrmuese prej 357 deputetësh nw Parlamentin e Ukrianws miratuan zgjatjen e ligjit ushtarak deri nw gusht. Kjo i lejon vendit të vazhdojë mobilizimin e trupave dhe pezullon ciklin zgjedhor, raporton Reuters.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është përballur me presionin për të mbajtur zgjedhje nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili e quajti atë një diktator, kritika që bëri që ukrainasit të shtonin mbështetjen për Zelenkyn.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka vënë vazhdimisht në dyshim legjitimitetin e Zelenskyt pas përfundimit të mandatit të tij në vitin 2024. Por në përputhje me legjislacionin ukrainas, zgjedhjet janë të pamundura gjatë gjendjes ushtarake.

Ndërsa bisedimet e paqes të udhëhequra nga administrata Trump krijuan shpresa për një armëpushim të mundshëm dhe zgjedhje eventuale, disa politikanë të opozitës ukrainase filluan të kritikojnë Zelenskyn më hapur.

Petro Poroshenko, ish-president dhe udhëheqës i partisë më të madhe opozitare, “Solidariteti Evropian”, ka thënë se nuk kishte dyshim se ligji ushtarak duhet të zgjatet, veçanërisht pas sulmeve vdekjeprurëse ruse në Sumy dhe Kryvyi Rih këtë muaj.

Por ai ka akuzuar Zelenskyn për përpjekje për të forcuar fuqitë e tij gjatë gjendjes ushtarake.

Megjithatë, partia e Poroshenkos ka mbështetur në masë të madhe zgjatjen e ligjit ushtarak, me vetëm një ligjvënës nga partia që votoi kundër tij.

❌
❌