TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ceno Klosi dha sot një pasqyrë të detajuar të ecurisë së sektorit energjetik për vitin 2024 në vendin tonë. I pranishëm në tryezën mbi sistemin elektro-energjetik, Klosi theksoi se viti 2024 ishte një vit sfidues, por vijues i transformimit të strukturës, performancës dhe vizonit për sektorin energjetik në vendin tonë.
“Prodhimi i energjisë për 2024, prodhimi neto i energjisë vendase, ai i energjisë elektrike për këtë vit arriti në shifrën e 7836 kWh, ku 56% e këtij prodhimi u sigurua nga KESH dhe 44% nga prodhuesit privatë dhe me përparësi. Kjo shifër ndonëse më e ulët se 2023, është ende mbi mesataren historike të periudhës 2009-2024 gjë që dëshmon stabilitet të qëndrueshëm pavarësisht kushteve hidrologjike më të pafavorshme të vitit të kaluar”, tha Klosi.
Klosi nënvizoi se “përveç kontributit të KESH një zhvillim thelbësor ka qenë rritja e rolit të impianteve fotovoltaike të cilat prodhuan afro 490 gigavat energji dhe shënuan një kapacitet të instaluar prej 449 megavat”.
“Vetëm gjatë 2024 janë futur në prodhim 26 impiante të reja me 270 megavat kapacitet, ku 94% e kësaj rritje vjen nga burimet diellore”, tha Klosi.
Për sa i përket rrjetit të transmetimit, Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), sipas Klosit, ka vijuar investimet strategjike për përmirësimin e infrastrukturës “ku linjat kapin shifrën e mbi 3400 km në nivelet 110-400 kilovat”.
“Përmirësimi i linjave ekzistuese dhe ndërtimi i linjave të reja interkonjektive me fqinjët veçanërisht projekti me Maqedoninë e Veriut, shënjojnë hapa konkret drejt një Shqipërie të integruar në tregjet rajonale dhe evropiane të energjisë”, u shpreh më tej Klosi.
Klosi theksoi se “niveli i humbjeve në rrjetin e transmetimit për vitin 2024 është ulur në nivelin e 2.02% nga 2.17% vitin e kaluar, tregues i investimeve të zgjuara dhe rritjes së efikasitetit të sistemit”.
Sa i përket shpërndarjes së energjisë elektrike, Klosi tha se “operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike ka përmirësuar ndjeshëm performancën operacionale duke ndikuar në uljen e humbjeve, rritjen e arkëtimeve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit për vitin 2024”.
Klosi tha po ashtu se “konsumi total i energjisë ka pasur një rritje domethënëse me fokus të veçantë, me optimizmin e menaxhimit të pikut të ngarkesës, fakt që na ka përgatitur për një sistem më të balancuar dhe të përgjegjshëm ndaj kërkesave gjithnjë e në rritje të konsumatorit”.
“Një hap para ka qenë edhe integrimi në tregun e energjisë gjatë 2024 ku Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në tregun e përbashkët përmes ALPEX bursës shqiptare të energjisë, ku në vitin 2024 ka vijuar operimi i tregut të ditës në avancë dhe tregun Brenda ditës në bashkëpunim me Kosovën”, tha Klosi.
Gjithashtu shtoi Klosi “një pjesë e prodhuesve të energjisë që me parë operonin me kontrata mbështetëse tani janë transferuar në tregun e lirë duke rritur fleksibilitetin dhe konkurrencën”.
I ndalur tek vizioni i vendit për të ardhmen, Klosi tha se Shqipëria mbetet e fokusuar “për një energji të pastër dhe të sigurt dhe të qëndrueshme. Angazhimi ynë për një tranzicion të drejtë dhe të suksesshme energjetik është i qartë”.
“Jemi duke mbështetur investimet në burimet e rinovueshme përmes skemave mbështetëse dhe garancive të origjinës në investime në vet prodhim dhe në konsumatorin aktiv, në investime në ndërtimin e kapaciteteve të reja ruajtjes “storage”, të cilat janë një inovacion për sektorin energjetik shqiptar gjithashtu edhe investime për digjitalizimin e rrjetit dhe përmirësimin e menaxhimit të pikut të ngarkesës ku tashmë kemi një planifikim investimesh ndryshe nga më parë të cilat planifikohen në mënyrë të zgjuar duke pasur parasysh dhe perspektivën që ka sektori energjetik”, u shpreh Klosi.
Sipas Klosit rezultatet e vitit 2024 janë një dëshmi se sektori energjetik po kalon një epokë të re, ku kemi siguri energjetike, efikasitet, qëndrueshmëri dhe çmime të përballueshme për qytetarët dhe ekonominë.
/m.q/j.p/
The post Klosi: Rreth 490 gigavat energji nga impiantet fotovoltaike, mbetemi të fokusuar tek burimet e rinovueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.