Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Zjarret nuk ndalen në Maqedoninë e Veriut, flakët avancojnë drejt kufirit me Kosovën

By: Besnik
7 July 2025 at 19:18

Maqedonia e Veriut po përballet me disa vatra aktive zjarri, të shkaktuara nga temperaturat jashtëzakonisht të larta që këto ditë tejkalojnë 36 gradë Celsius.

Kushtet e thata, era dhe terrenet malore po e vështirësojnë shuarjen e flakëve, ndërsa autoritetet janë në gjendje gatishmërie në disa rajone të vendit.

Ndër rastet më serioze është zjarri i madh në rajonin e fshatit Bllacë. Ky zjarr ka shpërthyer që nga mesdita e së dielës dhe vazhdon të jetë aktiv edhe këtë të hënë, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.

“Një ndër zjarret më serioze, i cili ende është aktiv, është ai në malin e fshatit Bllacë, i cili është një fshat kufitar i RMV-së me Kosovën. Autoritetet kanë tentuar që ta shuajnë tërësisht zjarrin tashmë dy ditë me radhë, por ende duket që ka shumë shenja të zjarrit në shumë pjesë të malit. Ndërsa ato pjesë që tashmë janë shuar, duket që janë shkrumbuar tërësisht”, thotë Ferikan Iljazi – gazetare e Euronews Albania.

Mëngjesin e së hënës, rreth orës 05:00, ndërhyrja ajrore rifilloi me tre helikopterë – dy të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe një i Armatës së Maqedonisë së Veriut. Në terren janë të angazhuara edhe Brigada e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit me disa ekipe dhe automjete zjarrfikëse, ndërmarrjet publike të komunës, ekipet e Kryqit të Kuq me një rezervuar uji për helikopterët, si dhe forcat e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH).

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) ka konfirmuar se është në komunikim të vazhdueshëm dhe koordinim të plotë me të gjitha institucionet përgjegjëse në terren.

“Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të re, pasi vendi është në kushte të rrezikshme për përhapje të shpejtë të flakëve.”

LEXONI GJITHASHTU:

The post Zjarret nuk ndalen në Maqedoninë e Veriut, flakët avancojnë drejt kufirit me Kosovën appeared first on Euronews Albania.

Shqipëri-Maqedoni e Veriut-Mali i Zi, bashkëpunim në luftën kundër informalitetit në tregun e punës

TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë ndërmarrë një nismë të përbashkët për të luftuar informalitetin në tregun e punës, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një mjedisi më të sigurt dhe në përputhje me standardet evropiane.

Në një takim rajonal të mbajtur në Tiranë, me mbështetjen e qeverisë gjermane përmes GIZ, përfaqësues nga inspektoratet e punës të tre vendeve u mblodhën për të shkëmbyer eksperienca dhe për të harmonizuar veprimet konkrete që synojnë përmirësimin e kushteve të punës dhe uljen e informalitetit.

Ky bashkëpunim fokusohet në menaxhimin e migracionit të rregullt ndërkufitar, duke përvetësuar praktikat më të mira evropiane, si dhe në zhvillimin e inspektimeve të përbashkëta dhe veprimeve të koordinuara kundër shkeljeve të të drejtave të punës.

Përveç kësaj, iniciativat promovojnë fuqimisht punën e denjë dhe të sigurt në të gjithë rajonin, duke përforcuar një klimë më të qëndrueshme dhe të drejtë pune.

Marrëveshja e nënshkruar midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi është një shembull i bashkëpunimit rajonal që përfaqëson një qasje të unifikuar për të adresuar sfidat e përbashkëta në tregun e punës.

Ky angazhim përforcon përpjekjet drejt integrimit evropian dhe krijon një themel të fortë për përmirësimin e kushteve sociale dhe ekonomike në rajon, duke synuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe të drejtë për të gjithë punonjësit. /j.p/

The post Shqipëri-Maqedoni e Veriut-Mali i Zi, bashkëpunim në luftën kundër informalitetit në tregun e punës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Jemi aty për sigurinë e vendit”/ Rutte: NATO mbetet e angazhuar në Kosovë

By: user 11
26 June 2025 at 07:12

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar edhe një herë angazhimin e Aleancës për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, duke përmendur veçanërisht Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën si pika kyçe të këtij përkushtimi. Gjatë një konference për shtyp në kuadër të Samitit të NATO-s në Hagë, Rutte u pyet për mungesën e përfshirjes së rajonit në deklaratën përfundimtare të samitit.

Ai u përgjigj duke sqaruar se NATO mbetet aktive dhe e angazhuar në rajon, kryesisht përmes misioneve të saj paqeruajtëse në Kosovë (KFOR) dhe në Bosnje e Hercegovinë (EUFOR).

“Përkushtimi i NATO-s ndaj Ballkanit nuk ka lëkundje. Jemi të pranishëm përmes trupave tona dhe bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet lokale”, deklaroi Rutte, duke shtuar se ai vetë ka vizituar rajonin dhe është takuar me liderë politikë në Kosovë dhe Bosnje.

Ai theksoi se NATO dhe Bashkimi Evropian janë duke bashkërenduar veprimet e tyre në rajon.

The post “Jemi aty për sigurinë e vendit”/ Rutte: NATO mbetet e angazhuar në Kosovë appeared first on Lapsi.al.

Eurostat 2024/ Çmimet në Shqipëri po kapin më shpejtësi nivelin e BE-së, më të lartat në rajon

By: V K
18 June 2025 at 13:54

Çmimet në Shqipëri po rriten shumë shpejt, duke e ngushtuar gjithnjë e më shumë hendekun me BE. Sipas të dhënave të sotshme të Eurostat, niveli mestar i çmimeve në vendin tonë ishte sa 62.9 për qind e mesatares së BE-së, nga 58.2% që ishte ky nivel, me 2023 dhe 54.6 që ishte në vitin 2022.

Vetëm në dy vite, Shqipëria ka ngushtuar hendekun e çmimeve me mesataren e BE-së me 8.3 pikë.

Gjithashtu, Shqipëri kishte rritje me të fortë se mesatarja rajonale. Në vitin 2024, Shqipëria zë vendin e parë në Rajon për nivel të lartë të çmimeve në krahasim me mesataren e BE (62.9), duke kaluar Serbinë (61.4), Bosnjë-Hercegovinën (59.7) dhe Malin e Zi (57.9), Maqedoninë ë e Veriut (49.6%) dhe duke u afruar me Kroacinë (73.3).

Në vitin 2022, Serbia kishte mesataren më të lartë të çmimeve në krahasim me BE-në. Nga vendet e europiane Turqia dhe Maqedonia e Veriut, kishin çmime më të ulëta se mesatarja e BE-së.

Ndërsa Luksemburgu dhe Danimarka, kishin nivelin më të lartë të çmimeve në krahasim me BE-në.

Gjithsesi vendi ynë konsiderohet ende “më lirë” se BE-ja, pasi çmimet mbeten rreth 37 % më të ulëta se mesatarja europiane, por diferenca po zvogëlohet me shpejtësi.

Forcimi i monedhës vendase ka ndikuar. Monedha vendase, u mbiçmua me rreth 15 % ndaj euro. Kur blerjet përllogariten në euro, kjo rrit nivelin relativ të çmimeve.

Në ekonominë e brendshme edhe pse inflacioni zyrtar ra gjatë 2023-24, ai mbeti më shumë se objektivi, sidomos te ushqimet dhe shërbimet e ndërmjetme.

Rritja e çmimeve ka rënduar kostot e jetesës. Rritja e pagave nominale ka qenë më e ngadaltë se ritmi i çmimeve në shumë produkte.

Shqipëria mbetet më e lirë se destinacionet mesdhetare në BE, por avantazhi konkurrues po tkurret me rritjen e çmimeve.

Teksa sfida për çmimet po bëhet me e forte, vendi ynë duhet të rrisë produktivitetin e punës në mënyrë që të sigurojë konvergjencën me BE-në.

Eurostat krahason nivelin e çmimeve (AIC = Actual individual Consumption, EU = 100) mes 36 vendeve evropiane. Indeksi tregon sa shtrenjtë i kushtojnë një familjeje mallrat e shërbimet për konsum të përditshëm, pasi janë korrigjuar dallimet e fuqisë blerëse./ Monitor

The post Eurostat 2024/ Çmimet në Shqipëri po kapin më shpejtësi nivelin e BE-së, më të lartat në rajon appeared first on Albeu.com.

Papa Leo XIV bën apel për paqe mes Izraelit dhe Iranit: Situata është përkeqësuar seriozisht

14 June 2025 at 11:36

Në fund të audiencës së Jubileut, Papa Leo XIV bëri një apel për paqe, duke shprehur shqetësimin për përkeqësimin serioz të situatës mes Iranit dhe Izraelit.

“Në këto ditë, po vijnë lajme shumë shqetësuese. Situata në Iran dhe Izrael është përkeqësuar seriozisht,” tha ai.

Papa vazhdoi më tej duke apeluar për përgjegjësi dhe arsye, duke theksuar rëndësinë e angazhimit për një botë më të sigurt dhe paqësore.

“Në një moment kaq delikat, dëshiroj të ripërtërij një apel për përgjegjësi dhe arsye. Angazhimi për të ndërtuar një botë më të sigurt, të lirë nga kërcënimi bërthamor, duhet të ndiqet përmes takimeve respektuese dhe dialogut të sinqertë për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme, të bazuar në drejtësi, vëllazëri dhe të mirën e përbashkët.”, tha ai.

Sipas Papës, çdo kërcënim ndaj ekzistencës së një kombi është i papranueshëm.

“Askush nuk duhet të kërcënojë kurrë ekzistencën e një tjetri. Është detyrë e të gjitha vendeve të mbështesin kauzën e paqes, duke nisur rrugën e pajtimit dhe duke promovuar zgjidhje që garantojnë siguri dhe dinjitet për të gjithë!”, tha mes të tjerash.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Papa Leo XIV bën apel për paqe mes Izraelit dhe Iranit: Situata është përkeqësuar seriozisht appeared first on Sinjali.

Ndalohen dhjetëra oficerë dhe shefa policie si të dyshuar për tragjedinë e Koçanit

12 June 2025 at 22:56

Më shumë se dhjetë oficerë policie dhe ish-drejtorë policie nga Koçani dhe Shtipi janë ndaluar si të dyshuar për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçani, dhe disa prej tyre, sipas “Skopje1”, janë edhe shefa që ishin në detyrë në mars, kur ndodhi tragjedia në të cilën vdiqën 62 të rinj.

Disa ish-oficerë policie dhe zyrtarë policorë, si dhe ish-kryetarët e komunës së Koçanit dhe drejtuesit e disa institucioneve shtetërore përgjegjëse për lëshimin e lejes për të drejtuar diskotekën e improvizuar, janë tashmë të dyshuar në këtë rast.

Më herët MPB për “Skopje1” njoftoi se janë ngritur tre kallëzime penale për periudha të ndryshme kohore.

“Kallëzimi i parë penal lidhet me periudhën nga viti 2022 deri në vitin 2024, kundër gjithsej shtatë personave, nga të cilët pesë janë oficerë aktivë policie dhe dy janë pensionistë.

Kallëzimi i dytë penal lidhet me periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2022, kundër gjithsej 10 personave, nga të cilët (dy oficerë janë shkelës të përsëritur) katër janë oficerë aktivë policie dhe gjashtë janë pensionistë.

Kallëzimi i tretë penal lidhet me periudhën nga viti 2023 deri në vitin 2024, kundër gjithsej tre oficerëve policorë, nga të cilët njëri është shkelës i përsëritur”, thonë nga MPB.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ndalohen dhjetëra oficerë dhe shefa policie si të dyshuar për tragjedinë e Koçanit appeared first on Sinjali.

Serbia thotë se është e shqetësuar për mbështetjen e Malit të Zi ndaj Kosovës

12 June 2025 at 20:14

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë tha se është e shqetësuar për shkak të deklaratave që vijnë nga Mali i Zi lidhur me mbështetjen për pavarësinë e Kosovës dhe lobimin aktiv për anëtarësimin e Prishtinës në organizata ndërkombëtare.

Një ditë më parë, ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, deklaroi gjatë një interviste në RTV Mali i Zi se do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Mali i Zi do të japë mbështetje të qartë kur të ngrihet çështja nëse Kosova duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian apo e Këshillit të Evropës”, deklaroi Ibrahimoviq.

Edhe pse disa nga partitë që janë pjesë e koalicionit qeverisës në Mal të Zi nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Ibrahimoviq u shpreh që beson se ky qëndrim nuk do ta rrezikojë koalicionin, duke pasur parasysh se Mali i Zi ka prioritete të qarta në politikën e jashtme.

Një nga këto prioritete janë edhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, tha Ibrahimoviq.

“Mali i Zi njihet nga partnerët ndërkombëtarë si një vend që kultivon marrëdhënie të mira fqinjësore. Prandaj, do ta mbështesim shtetin tonë mik, Kosovën, sepse është prioritet i politikës së jashtme që ajo të jetë anëtarja e radhës e Bashkimit Evropian dhe kjo nuk bie ndesh me qëndrimet tona”, u shpreh ai.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë i vlerësoi deklaratat nga Mali i Zi si “në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara, por edhe me marrëdhëniet e mira fqinjësore”.

Përmes një deklarate, MPJ-ja serbe u bëri thirrje fqinjëve, përfshirë Malin e Zi, që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që mund të “përshkallëzojnë tensionet” dhe të punojnë për forcimin e besimit të ndërsjellë.

“Ne besojmë se është thelbësore të punohet për ruajtjen e marrëdhënieve pozitive, në vend që të mbështeten aktivitetet antiserbe, përçarjet e mëtejshme dhe konfliktet”, u tha në deklaratë.

Mali i Zi e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, kur në pushtet ishte Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Millo Gjukanoviqit, e cila i humbi zgjedhjet në gusht të vitit 2020 ndaj Frontit Demokratik (DF) proserb dhe prorus, Demokratëve dhe Lëvizjes URA.

Njohja e pavarësisë së Kosovës shkaktoi protesta dhe përplasje në rrugë nga opozita e atëhershme, e përbërë nga parti proserbe të udhëhequra nga Fronti Demokratik, i cili tani është pjesë e shumicës qeverisëse në Mal të Zi.

Partitë e Frontit Demokratik, të cilat ndërkohë janë shpërbërë, mbajnë dy poste të zëvendëskryeministrave dhe tre ministri në qeveri. Udhëheqësi i tyre, Andrija Mandiq, i afërt politikisht me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, është në krye të Parlamentit të Malit të Zi.

Qëllimet e tyre në politikën e jashtme përfshijnë heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, tërheqjen e Malit të Zi nga NATO-ja dhe anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Ata pretendojnë se Kosova është territor i pushtuar serb dhe e quajnë atë një “kuazi-shtet”.

Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022.

Në Mal të Zi, partia në pushtet është Lëvizja Evropa Tani e kryeministrit Millojko Spajiq, së bashku me Demokratët, partitë e ish-Frontit Demokratik, Partinë Boshnjake dhe Forumin Shqiptar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Serbia thotë se është e shqetësuar për mbështetjen e Malit të Zi ndaj Kosovës appeared first on Sinjali.

Ushtria e Malit të Zi do të trajnojë ushtarët ukrainas

12 June 2025 at 18:33

Pas nëntë muajsh pritjeje, anëtarët e Parlamentit të Malit të Zi kanë miratuar vendimin për të dërguar pjesëtarë të ushtrisë në Misionin e Bashkimit Evropian për Ndihmë Ushtarake për Ukrainën.

Dyzet e nëntë nga 81 deputetët votuan në favor të vendimit.

Sipas vendimit të miratuar, pjesëtarët e Ushtrisë së Malit të Zi do të marrin pjesë në misionin e BE-së për ndihmë ushtarake për Ukrainën.

“Me qëllim të forcimit të kapaciteteve të Forcave të Armatosura të Ukrainës për të mbrojtur integritetin territorial të vendit, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht, dhe si përgjigje ndaj ofensivave aktuale ushtarake të Federatës Ruse, por edhe të agresorëve të tjerë të mundshëm”, thuhet në sqarimin se pse u mor ky vendim.

Opozita akuzoi kryeparlamentarin Andrija Mandiq – që kundërshton NATO-n dhe mbështet presidentin rus Vladimir Putin – se ka penguar këtë përpjekje.

Partia e tij, që është pjesë e koalicionit qeverisës, ka kundërshtuar anëtarësimin në aleancën ushtarake perëndimore dhe po ashtu kundërshton sanksionet që Podgorica ka vendosur ndaj Moskës për shkak të agresionit kundër Ukrainës.

Mali i Zi iu bashkua NATO-s më 2017, në kohën kur vendi qeverisej nga Partia Demokratike e Socialistëve, e cila u rrëzua nga pushteti në vitin 2020.

“Nëntëdhjetë e nëntë për qind e shumicës së sotme parlamentare nuk ka votuar për anëtarësimin në NATO”, tha kjo parti, duke komentuar shtyrjen nëntëmujore të votimit për këtë çështje.

Ministri i Mbrojtjes, Dragan Krapoviq, duke shpjeguar vendimin, përsëriti se “as që bëhet fjalë” që ushtarët e shtetit të tij, që do të dislokohen për këtë mision, të dërgohen në territorin e Ukrainës.

“Dua ta bëj këtë gjë të qartë. Unë kurrë nuk do të mbështesja diçka të tillë. Të gjitha aktivitetet e këtij misioni kryhen në territorin e BE-së, në Poloni dhe Gjermani”, tha ministri.

Misioni i BE-së është një nga dy misionet për Ukrainën që janë organizuar pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, dhe ku Mali i Zi pritet të marrë pjesë.

Misioni i dytë organizohet nga NATO-ja.

Më 7 shkurt të këtij viti, Këshilli për Mbrojtje dhe Siguri miratoi një draft-vendim për përfshirjen e Ushtrisë së Malit të Zi në aktivitetet e NATO-s, përkatësisht në misionin për ofrim ndihme dhe trajnimi për Ukrainën.

Anëtarët e Këshillit – ku bëjnë pjesë presidenti i shtetit, Jakov Millatoviq, kryeministri Millojko Spajiq dhe kryeparlamentari Andrija Mandiq – u pajtuan që aktivitetet e Ushtrisë në kuadër të këtij misioni të zhvillohen vetëm në territorin e një prej shteteve anëtare të NATO-s.

Megjithatë, për pjesëmarrje në këtë mision duhet të vendosë Parlamenti i Malit të Zi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ushtria e Malit të Zi do të trajnojë ushtarët ukrainas appeared first on Sinjali.

Vuçiq falënderon Zelenskyn për mosnjohjen e Kosovës

12 June 2025 at 18:31

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka vlerësuar si shumë të suksesshme vizitën e tij në Ukrainë në kuadër të Samitit Ukrainë–Evropa Juglindore, ku tha se falënderoi Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për “respektimin e integritetit territorial të Serbisë” dhe për mungesën e përfaqësuesve nga Kosova në këtë samit, shkruan Gazeta Sinjali.

“Falënderova mikpritësit tanë ukrainas, Presidentin Zelensky, për respektimin e integritetit territorial të Serbisë. Siç e patë, nuk kishte përfaqësues nga Prishtina”, deklaroi Vuçiq, duke e cilësuar këtë si një gjest të rëndësishëm ndaj Serbisë.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Zelensky falënderoi Vuçiqin për iniciativën për ndihmë në rindërtimin e vendbanimeve ukrainase, duke e quajtur bashkëpunimin një “formë vërtet efektive”.

Vuçiq gjithashtu mohoi zërat se me këtë vizitë ka tradhtuar Rusinë, duke theksuar se Serbia nuk ka nënshkruar deklaratën për dënimin e agresionit rus dhe ka abstenuar gjatë samitit, për të ruajtur balancën në politikën e jashtme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Vuçiq falënderon Zelenskyn për mosnjohjen e Kosovës appeared first on Sinjali.

Shqipëria përkeqësohet në indeksin e barazisë gjinore

By: user 8
12 June 2025 at 17:00

Shqipëria renditet e 36-a nga 148 ekonomi në Raportin e barazisë Gjinore 2025, të publikuar nga Forumi Ekonomik Global, me një rezultat të përgjithshëm barazie gjinore prej 0.763 (që nënkupton që mbyll 76.3% të hendekut gjinor), duke shënuar një përkeqësim krahasuar me rezultatin prej 0.780 (78.0%) dhe vendin e 23-të që zinte në 2024-ën.

Indeksi bazohet në katër nën indekse kryesore: “Pjesëmarrjen Ekonomike dhe Mundësitë”, “Arsimin”, “Shëndetin dhe Mbrojtjen”, dhe “Fuqizimin Politik”, ku secili nën indeks përfshin tregues të veçantë si diferenca e pagave dhe norma e punësimit (ekonomik), shkalla e përfshirjes në nivelet e ndryshme të arsimit (arsim), raporti gjinor te jetëgjatësia dhe shëndeti (shëndet) dhe përqindja e grave në parlament e poste ministrore (politik).

Secili tregues matet fillimisht si raporti ndërmjet grave dhe burrave në një shkallë 0–1, pastaj mesatarizohen me peshë të barabartë për të dhënë rezultatin përfundimtar të indeksit, i cili shpreh përqindjen e mbylljes së hendekut.

Përkeqësimi në renditje i Shqipërisë është ndikuar nga treguesi i fuqizimit politik: Ky nënindeks ra nga 0.419 (në vend të 30 në 2024) në 0.349 (në vend të 42 në 2025), duke qenë kontribuuesi kryesor në uljen prej 13 pozicione.

Gratë në Parlament kanë një hendek prej 0.556 ( në vend të 40), pa ndryshim, por vendet e tjera kanë përmirësuar përqindjet e tyre, prandaj edhe relativisht Shqipëria renditet më poshtë. Gratë në pozita ministrash ranë me 16.7 pikë përqindjeje, nga rreth 0.857 në 2024 në 0.714 në 2025, duke ulur ndjeshëm rezultatin e nënindeksit.

Vitet ku një grua ka qenë në krye të shtetit mbeten 0, pa ndryshim, por ky tregues ka peshë të vogël në totalin e nëndeksorit

Arsimi dha një ndikim të ulët në përkeqësim, ku nënideksi nga 0.958 ra në 0.955 për shkak të përfshirjes në arsimin fillor që u ul me 5.9 pikë përqindjeje dhe përfshirjes në arsimin e mesëm që u ul me 6.8 pikë përqindjeje.

Të tjerë nënindekse Pjesëmarrja Ekonomike dhe Mundësitë dhe Shëndeti dhe Mbrojtja shënuan përmirësime të vogla.

Treguesi ku Shqipëria ka rezultatin më të dobët është Fuqizimi Politik, me një vlerë indeksi prej 0.349 (mbyll 34.9% të hendekut).

Treguesi ku Shqipëria performon më së miri është Shëndeti dhe Mbrojtja, me një indeks prej 0.963 (mbyll 96.3% të hendekut), po ashtu dhe edukimi (95.5% të hendekut).

Treguesi Pjesëmarrja Ekonomike dhe Mundësitë mbyll 78.7% të hendekut.

Në kuadër të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria (36-të nga 148 ekonomitë) renditet pas Serbisë, por përpara vendeve të tjera në rajon, si më poshtë:

Serbia 26-të
Shqipëria 36-të
Bosnje e Hercegovina 73-të
Mali i Zi 84-të
Maqedonia e Veriut 90-të

Në Europë Shqipëria renditet në vendin e 20 nga 40 shtete. Shqipëria është më mirë në renditje se Italia, që është e 35-a në Europë. Kryesimin në Europë e mbajnë Islanda, Finlanda, Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar.

Renditja
Raporti vlerëson hendekun gjinor në 148 ekonomi duke përdorur katër nën indekse kryesore: Pjesëmarrjen Ekonomike dhe Mundësitë, Arsimin, Shëndetin dhe Mbrojtjen, si dhe Fuqizimin Politik.

Rezultatet matën shkallën e mbylljes së hendekut në një shkallë 0-1, ku 1 përfaqëson barazinë e plotë, dhe i shndërrojnë këto vlerë në përqindje e mbylljes së hendekut.

Rezultatet globale tregojnë se hendeku gjinor është mbyllur mesatarisht në 68.8% në vitin 2025, një rritje prej 0.3 pikë përqindjeje nga 68.4% në 2024 për grupin konstant prej 145 ekonomive që ruhen në të dy edicionet.

Kur analizohet mbulimi i 100 ekonomive që mbahen në indeks që nga 2006, hendeku është ngushtuar nga 68.6% në 69.0%, një përmirësim prej 0.4 pikë përqindjeje.

Ekonomitë me të ardhura të larta vazhdojnë të përparojnë më shpejt, me një mesatare gati 74.3% të hendekut të mbyllur, ndërsa ekonomitë e ardhura të ulëta arrijnë rreth 66.4%.

Rajonet e Europës dhe Amerikës së Veriut dominon listat e performancës së lartë, ndërsa Afrika Sub-Sahariane dhe Azia Jugore mbeten mbrapa në disa tregues.

Në krye qëndron Islanda që mbyll 92.6% të hendekut —pozicioni i parë për 16 edicione rresht—ndjekur nga Finlanda (87.9%), Norvegjia (86.3%) dhe Britania e Madhe (83.8%), të gjitha që mbyllin hendekun mbi 80%. Europa zë tetë nga dhjetë vendet e para, ndërsa përfaqësuesit jashtë Europe janë Zelanda e Re (82.7%) dhe Namibia (81.1%).

Në fund të renditjes, ekonomitë që mbyllin 60% të hendekut janë kryesisht vende në zhvillim, ku në vendet si Pakistan (56.7%), Sudani (57.0%) dhe Çadi (57.1%) shihen nivelet më të ulëta të barazisë gjinore.

Raporti thekson nevojën për përshpejtimin e progresit në politikat e fuqizimit ekonomik të grave, krijimin e kornizave ligjore mbështetëse, dhe investimet në kujdesin social, si elementë kyç për tejkalimin e ngadalësimit aktual. Në veçanti, përforcimi i përfaqësimit politik dhe qasja te kujdesi i përballueshëm do të jenë vendimtare për arritjen e barazisë së qëndrueshme në dekadat në vijim.

The post Shqipëria përkeqësohet në indeksin e barazisë gjinore appeared first on Lapsi.al.

Një ditë pas vizitës në Ukrainë, Vuçiq i shkruan Putinit e uron për “Ditën e Rusisë”

12 June 2025 at 16:40

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vetëm një ditë pas pjesëmarrjes në Samitin Ukrainë – Evropa Juglindore në Kiev, i ka dërguar një letër urimi presidentit rus, Vladimir Putin, me rastin e “Ditës së Rusisë”, shkruan Gazeta Sinjali.

Në letrën që kanë publikuar mediat serbe, Vuçiq ka falënderuar personalisht Putinin për mbështetjen e Rusisë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, duke theksuar rëndësinë jetike që ka kjo çështje për interesat shtetërore dhe kombëtare të vendit të tij.

“Besoj se marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve tona dhe bashkëpunimi gjithëpërfshirës do të vazhdojnë të zhvillohen me sukses”, shkruan ndër të tjera Vuçiq në letrën dërguar Kremlinit.

Ndërkohë, Komisioni Evropian e përshëndeti vizitën e Vuçiqit në Ukrainë, duke e cilësuar si “sinjal të rëndësishëm”, në një kohë kur qëndrimi i Serbisë ndaj luftës në Ukrainë ka ngjallur reagime të ndryshme në Evropë.

Kujtojmë se presidenti serb ishte i pranishëm edhe në ceremonitë e Ditës së Fitores në Moskë më 9 maj, duke u bërë një nga të paktët liderë evropianë që mori pjesë në këtë ngjarje, e cila u kritikua nga zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Një ditë pas vizitës në Ukrainë, Vuçiq i shkruan Putinit e uron për “Ditën e Rusisë” appeared first on Sinjali.

Vuçiq në samitin në Ukrainë refuzon të nënshkruajë deklaratën që dënon agresionin rus

11 June 2025 at 23:13

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi gjatë vizitës së tij të parë në Ukrainë, që nga fillimi i agresionit rus, se “nuk e ka tradhtuar Rusinë” dhe se në samitin e mbajtur në Odesa nuk e ka nënshkruar deklaratën që dënon agresionin, pasi ajo bënte thirrje për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Ai tha se Serbia ka qëndruar neutrale dhe se askush nuk ka ushtruar ndonjë “presion të madh” ndaj tij që ta nënshkruante këtë deklaratë.

“Sërish kam qenë i vetmi që nuk e kam pranuar deklaratën. Ndryshe nga ata që pranojnë çdo gjë kundër Rusisë, çdo gjë që munden”, tha Vuçiq më 11 qershor para gazetarëve në Odesa, ku mori pjesë në samitin Ukrainë – Evropa Juglindore.

Ai theksoi gjithashtu se është “krenar për politikën e Serbisë” dhe për “pavarësinë dhe vetëvendosjen” e saj. “Kështu do të vazhdojmë”, shtoi Vuçiq.

Deklarata, e nënshkruar në samitin e Odesës nga liderë të Ballkanit Perëndimor, përfshirë nga Rumania, Moldavia, Greqia dhe Kroacia, dënon agresionin rus, bën thirrje për anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe dënon krimet e luftës të kryera nga Rusia, sipas agjencisë AFP.

Dokumenti, ndër të tjera, i bën thirrje Rusisë të tërheqë trupat nga Ukraina dhe dënon dëbimin e mijëra civilëve ukrainas, përfshirë fëmijë, për në Rusi.

Gjatë fjalimit të tij në samit, presidenti serb deklaroi se Serbia do të vazhdojë të respektojë të drejtën ndërkombëtare, përfshirë “mbrojtjen e integritetit territorial të vendeve që janë të njohura nga Kombet e Bashkuara”.

“Gjithmonë kemi mbrojtur këtë qëndrim dhe do të qëndrojmë të palëkundur në këtë pikë. Mendoj se në një mënyrë kjo mund të jetë edhe e dobishme për Ukrainën”, tha Vuçiq, raporton REL.

Në një deklarim për gazetarët, ai shtoi se e ka falënderuar presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për “respektimin e plotë të Kartës së OKB-së dhe të integritetit territorial të Serbisë”.

“Dhe këtu nuk kishte Prishtinë dhe përfaqësues të Prishtinës”, tha Vuçiq.

Në fjalimin e tij në samitin në Odesë, ai deklaroi gjithashtu se Beogradi “do të dëshironte të ndihmonte në rindërtimin e një ose dy qyteteve apo një rajoni të vogël” në Ukrainë, si shenjë mbështetjeje për qytetarët ukrainas.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, falënderoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për pjesëmarrjen në Samitin Ukrainë – Evropa Juglindore dhe për ndihmën ndaj Ukrainës. Ai theksoi rëndësinë e kësaj vizite, e para e Vuçiqit në Ukrainë, sidomos në kohë lufte, duke vlerësuar praninë e tij në terren.

Zelensky tha se ata diskutuan për mbështetjen e ndërsjellë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, bashkëpunimin dypalësh dhe rindërtimin e Ukrainës. Ai falënderoi Serbinë për iniciativën për të ndihmuar në procesin e rimëkëmbjes dhe për të marrë nën patronazh rindërtimin e disa vendbanimeve ukrainase – një formë shumë efektive bashkëpunimi, sipas tij.

Në fund, Zelensky vlerësoi mbështetjen e Serbisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Në fillim të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Serbia kishte shprehur mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës, por deri më sot ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Moskës.

Zyrtarët serbë kanë vazhduar të ruajnë lidhjet me Rusinë, dhe Vuçiq ishte më 9 maj në Moskë, në Paradën e Fitores me rastin e 80-vjetorit të fitores mbi fashizmin. Atje, ai u takua me presidentin rus, Vladimir Putin.

Presidenti serb publikoi në një postim profilin e tij në Instagram se më 11 qershor, ku thuhej se në Odesa ishte angazhuar për intensifikimin e dialogut dhe arritjen sa më të shpejtë të paqes.

Në margjinat e samitit, ai u takua edhe me presidentin e Ukrainës.

“Shkëmbyem mendime për rëndësinë e arritjes së paqes afatgjatë dhe të qëndrueshme, respektimin e të drejtës ndërkombëtare, si dhe për rolin e diplomacisë në kapërcimin e konflikteve”, shkroi Vuçiq në Instagram, postim që e shoqëroi me një fotografi me Zelenskyn.

Ai shtoi se biseduan edhe për çështje ekonomike dhe për qëllimet e përbashkëta në drejtim të forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme shoqërore.

Gjatë tre vjetëve luftë, Serbia ka thënë se ka një politikë të neutralitetit dhe ka mohuar se furnizon me armë palët e përfshira në konflikt.

Megjithatë, Shërbimi i Jashtëm i Sigurisë së Federatës Ruse më 28 maj e akuzoi Serbinë se, “pavarësisht deklaratës zyrtare për neutralitet”, Beogradi vazhdon të furnizojë Ukrainën me municione dhe se me këtë po e “godet Rusinë pas shpine”.

Reagimi nga Moska erdhi pasi për vite me radhë media të ndryshme kishin raportuar se armë dhe municione serbe, përmes vendeve të treta, kanë përfunduar në duart e ushtarëve ukrainas.

Beogradi zyrtar ka mohuar disa herë që Serbia ka eksportuar drejtpërdrejt armë në Ukrainë apo Rusi, si dhe ka theksuar se nuk mund të ndikojë në atë se ku përfundojnë armët e shitura përmes ndërmjetësve.

Pas deklaratës së shërbimit rus, Vuçiq tha se do të ndërpriten kontratat për shitjen e armëve dhe municioneve kur të ketë dyshime për abuzim dhe dërgim të tyre në frontin ukrainas.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Vuçiq në samitin në Ukrainë refuzon të nënshkruajë deklaratën që dënon agresionin rus appeared first on Sinjali.

Greqi: Shqiptari bëhet shpëtimtari i dy fëmijëve që po mbyteshin në lumë

11 June 2025 at 22:35

Një emigrant shqiptar në Greqi është bërë hero pasi shpëtoi dy adoleshentë të cilët po rrezikonin të mbyteshin në lumin Arachthos.

Ngjarja ndodhi kur dy djemtë e mitur, të moshave 14 dhe 15 vjeç, ishin futur në lumë për t’u larë. Ata u shpëtuan nga Ledian Goga, një emigrant nga qyteti i Dimalit, i cili nuk hezitoi të zhytej në ujërat e thella për t’i nxjerrë.

Djemtë aktualisht janë duke u trajtuar për lëndimet, ndërsa Lediani ka ndarë momentet dramatike që përjetoi gjatë shpëtimit.

“Njëri është në të njëjtën moshë me vajzën time. Ata erdhën dhe kërkuan ndihmë. Po pija kafe, dëgjova ‘ndihmë’ dhe hipa menjëherë në makinë. Ata thanë ‘ndihmë, dy fëmijë po mbyten’ dhe erdha menjëherë. Hyra brenda, nxora njërin dhe më thanë se kishte një tjetër. Shkova ta kërkoj, u zhyta dhe nuk e gjeta. Pastaj kërceva nga varka, ishte shumë e thellë, pesë ose gjashtë metra. E pashë fëmijën të shtrirë, e kapa dhe me shumë mundim e nxorra që të merrte frymë”, tregoi Lediani për median lokale Arttv.

Ai tha se shpreson që fëmijët të mbijetojnë dhe shprehu emocionet e tij për ndihmën që ofroi.

“Ne të gjithë u munduam së bashku. Mendoj vetëm për fëmijët. Tani, fëmijët e mi po qajnë, duhet të kthehem në shtëpi. Për Zotin, fëmijët janë gjithçka. Unë jam i huaj, por bëra atë që duhej, nuk ka rëndësi se çfarë kombësie janë. Shpresoj që fëmijët të jetojnë dhe të mund të vazhdojnë jetën e tyre. Zoti na ndihmoftë që të shpëtojnë”, shtoi ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Greqi: Shqiptari bëhet shpëtimtari i dy fëmijëve që po mbyteshin në lumë appeared first on Sinjali.

Vuçiq nga Odesa: E falënderova Zelenskyn që nuk ftoi përfaqësues të Kosovës në Samit

11 June 2025 at 21:33

Në Samitin e Ukrainë – Evropë Juglindore në Odesa, Presidenti serb Aleksandër Vuçiq nuk e ka lënë pa përmendur Kosovën, duke u shprehur i kënaqur që nuk pati asnjë përfaqësues nga Prishtina.

Vuçiq, në një prononcim për mediat serbe, e vlerësoi si të suksesshëm takimin e tij në këtë samit, duke theksuar se Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pati respektuar plotësisht Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe integritetin territorial të Serbisë. Ai gjithashtu vlerësoi faktin që nuk kishte asnjë përfaqësues të Prishtinës në samit.

“Ky është një gjest i madh ndaj vendit tonë,” tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia do ta vlerësojë këtë akt.

Ai po ashtu e përmendi këtë ngjarje si herën e katërt që merr pjesë në këtë samit dhe herën e parë që po e bën në territorin ukrainas.

Në lidhje me një çështje tjetër të rëndësishme, Vuçiç sqaroi se ai nuk ka firmosur deklaratën e përbashkët të Samitit që dënonte Rusinë. Ai theksoi se kjo nuk ishte një deklaratë e lehtë për Serbinë dhe se për këtë arsye ka abstenuar nga firmosja e saj.

“Deklarata që u miratua nuk ishte e lehtë dhe për këtë arsye emri im dhe ai i Serbisë nuk janë midis nënshkruesve të saj,” tha Vuçiq, duke shtuar se ai nuk dëshironte të kryente një akt tradhtie ndaj Rusisë.

Ai gjithashtu kritikoi mediat opozitare në Serbi, të cilat e kanë etiketuar si agjent rus ose ukrainas, duke e quajtur këtë një situatë ku ai është akuzuar nga të dyja anët.

Ai theksoi se Serbia vazhdon të mbrojë interesat e saj, duke u udhëhequr nga parimet e drejtësisë ndërkombëtare dhe pavarësisë së saj.

“Dhe çfarë, kë tradhtova? Rusinë? Me çfarë? Duke ardhur në samit, kjo është hera ime e katërt në samitin e Evropës Juglindore dhe Ukrainës, dhe unë jam përsëri i vetmi që nuk e pranova deklaratën. Ndryshe nga ata që do të pranonin gjithçka kundër Rusisë, gjithçka që munden. Por kjo tregon për shkatërrimin e tyre të plotë. Për faktin se ata nuk dinë më çfarë duan. Edhe kur mbroj interesat tona, dhe duke mbrojtur tonat, gjithmonë janë pjesërisht interesa ruse, si dhe ukrainase. Sepse ne mbrojmë interesat e së drejtës publike ndërkombëtare. Dhe gjithmonë të udhëhequr nga interesat tona. Kur nuk ke argumente, atëherë nuk të mbetet gjë tjetër veçse të shpresosh se do të arrish diçka me gënjeshtra. Në fund, rezultatet janë gjithmonë të njëjta. Gënjeshtrat kanë këmbë të shkurtra. Jam krenar për politikën e Serbisë, për pavarësinë tonë dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Vuçiq.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Vuçiq nga Odesa: E falënderova Zelenskyn që nuk ftoi përfaqësues të Kosovës në Samit appeared first on Sinjali.

Gjuriq: Serbia po lufton për interesat e saj në Kosovë

11 June 2025 at 13:55

Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, ka pretenduar se “Serbia do të përfitonte në shumë fronte nga anëtarësimi në BE, por gjithashtu duhet të mbrojë interesat e saj në lidhje me Kosovën dhe marrëdhëniet e tjera në komunitetin ndërkombëtar”.

Në një intervistë për televizionin në shërbim të regjimit serb, “TV Përva”, Gjuriq ka thënë se Serbia “duhet të hyjë në BE si anëtare me të drejta të plota”.

“Vlerësimi ynë i interesit serb është se duhet të hyjmë në Bashkimin Evropian si një vend i barabartë, i pranuar, që do të ketë një karrige me të drejtë vote të plotë, që të vendosë së bashku me të tjerët për politikën e jashtme të sigurisë së Bashkimit Evropian dhe që të marrë pjesë në ndarjen e buxhetit financiar në Bruksel, i cili nuk është i vogël. Vetëm shikoni, Bullgaria ka marrë mbi 90 miliardë euro nga buxheti i përbashkët i Bashkimit Evropian, Serbia ka marrë gjithashtu miliarda në vitet e fundit, por 10 herë më pak se sa do të kishte marrë nëse do të ishte anëtare me të drejta të plota. Pra, ne fitojmë në shumë fronte nga ky anëtarësim”, ka thënë Gjuriqi.

Ai ka shtuar se për Serbinë është e rëndësishme “të mbrojë interesat kombëtare”.

“Ne kemi interesat tona specifike që lidhen me Kosovën dhe me disa marrëdhënie të tjera në komunitetin ndërkombëtar dhe nuk duam të dalim humbës për shkak se nuk i përgjigjemi disa zyrtarëve apo burokratëve në ndonjë qendër të largët, ne i përgjigjemi para së gjithash qytetarëve të Serbisë. Besoj se na intereson të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian, shpresoj se do të jemi, për këtë është e nevojshme vullneti dhe energjia nga të dyja palët”, ka pretenduar ai.

Duke kujtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po merr pjesë sot në samitin Ukrainë-Juglindja e Evropës në Odesë, ai tha se të gjitha këto hapa po ndërmerren si pjesë e përpjekjeve të Serbisë “për të përmirësuar pozicionin e saj në opinionin politik evropian”.

“Të hapim dyer të reja për Serbinë, të sigurojmë hyrje të reja investimesh, të sigurojmë që interesi i Serbisë, qoftë për Kosovën apo tema të tjera, të dëgjohet dhe respektohet më mirë. Nuk varet vetëm nga ne”, ka përfunduar Gjuriqi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Gjuriq: Serbia po lufton për interesat e saj në Kosovë appeared first on Sinjali.

Pas mosparakalimit të veturës, shqiptari dhe dy të tjerë sulmojnë punonjësin e pastrimit në Greqi

10 June 2025 at 18:30

Një ngjarje e dhunshme ka tronditur Athinën, ku një punonjës i pastrimit është sulmuar brutalisht nga tre persona, përfshirë një shtetas shqiptar.

Sipas mediave vendase dhe deklaratës së punonjësit, ngjarja ka ndodhur kur tre të rinjtë, duke udhëtuar me veturë pas veturës që pastron koshat e qytetit, kanë tentuar ta parakalojnë. Pas një përpjekjeje të dështuar, ata kanë zbritur nga makina dhe kanë sulmuar fizikisht punonjësin me grushte.

Pamjet e incidentit janë shpërndarë në media, duke i bërë ato publike. Policia ka reaguar duke identifikuar një nga sulmuesit, një shtetas shqiptar, dhe ka shpallur atë në kërkim. I dyshuari është 34 vjeç, me disa precedentë penalë në Greqi.

Ky incident ndodh në një periudhë të ndjeshme për Greqinë, pasi vetëm pak ditë më parë është regjistruar vrasja e një punonjëseje të shërbimit të pastrimit, një ngjarje që ka ngjallur shqetësim të madh në vend.

Hetimet për këtë rast vazhdojnë dhe autoritetet greke janë duke e ndjekur ngjarjen me seriozitetin e duhur.

VIDEO

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Pas mosparakalimit të veturës, shqiptari dhe dy të tjerë sulmojnë punonjësin e pastrimit në Greqi appeared first on Sinjali.

Gjyqi i djalit që vrau 10 persona në Beograd vazhdon: Ekspertja neuropsikiatre tregon rezultatet e ekzaminimit

9 June 2025 at 13:26

Procesi gjyqësor ndaj prindërve të djalit që ekzekutoi 10 persona në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd, ka vazhduar sot në Gjykatën e Lartë. Ekspertja neuropsikiatre, Dr. Aneta Lakic, ka dëshmuar para gjykatës duke zbuluar gjetjet e ekzaminimit psikiatrik të të akuzuarit.

Sipas Dr. Lakic, djali ishte plotësisht i vetëdijshëm për veprimet e tij, por nuk ka treguar pendim. Ajo ka theksuar se djali ka përdorur mekanizma mbrojtës, duke shmangur pyetjet e pakëndshme dhe kërkuar ndërprerjen e bisedave. Ai dyshohet se ka thënë se “nuk do ta kishte bërë” aktin nëse do t’i dinte pasojat, por pa u ndjerë fajtor.

Një tjetër detaj shqetësues është deklarata e djalit që, sipas ekspertës, ndihet i sigurt se nuk do të mbajë përgjegjësi për krimin për shkak të moshës së tij dhe ndjen se është i “mbrojtur nga hakmarrja” e prindërve të viktimave.

Gjetjet e ekspertëve sugjerojnë se djali u frymëzua nga rastet e vrasjeve masive në SHBA, dhe për një periudhë, sipas tij, kishte dëshirë të bëhej “psikopat”. Ai gjithashtu kërkoi informacion mbi dënimet me burgim të përjetshëm dhe vdekje, duke shprehur se do të kishte “qetësi dhe libra” në burg.

Në lidhje me marrëdhëniet e tij familjare, djali ka përmendur si më të afërmit e tij xhaxhain dhe gjyshen, ndërsa të tjerët i ka përshkruar si “të pushtuar nga fantazmat”.

Procedurat gjyqësore ndaj prindërve të tij vazhdojnë, dhe seanca e radhës do të sjellë më shumë informacion mbi zhvillimet e këtij procesi të rëndësishëm.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Gjyqi i djalit që vrau 10 persona në Beograd vazhdon: Ekspertja neuropsikiatre tregon rezultatet e ekzaminimit appeared first on Sinjali.

Arrestohet lideri i partisë kryesore opozitare në Republikën Sërpska

9 June 2025 at 10:49

Millan Milliqeviq, kryetar i Partisë Demokratike Serbe, u arrestua të hënën, konfirmuan nga kjo parti, që është më e madhja opozitare në Republikën Sërpska të Bosnje e Hercegovinës.

Ministria e Punëve të Brendshme e këtij entiteti njoftoi se oficerët e Drejtorisë së Policisë Kriminale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska, nën mbikëqyrjen e Departamentit Special për Luftimin e Korrupsionit dhe disa departamenteve të tjera, kryen një aksion operativ të koduar “Blloku”.

Në njoftimin e MPB-së thuhet se personat me inicialet M.M., M.D. dhe M.J. – të gjithë nga qyteti Teslliq – u privuan nga liria, nën dyshimet se kanë kryer vepra penale të ndikimit dhe pranimit të ryshfetit.

Në njoftim thuhet, gjithashtu, se oficerët e policisë kanë sekuestruar rreth 45.000 euro gjatë hetimeve në gjashtë muajt e fundit, me urdhër të gjykatës kompetente.

Këto para thuhet se buronin nga veprimet korruptive të personave të përmendur dhe se ato janë depozituar në depozitën e gjykatës.

Personat e privuar nga liria do t’i dorëzohen prokurorit kompetent të Prokurorisë së Republikës Sërpska brenda afatit ligjor, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e këtij entiteti.

Nga Partia Demokratike Serbe në Teslliq thanë se “kjo është një përpjekje e dukshme për frikësim politik, duke krijuar kaos dhe dhunë kundër vullnetit të shprehur të qytetarëve”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Arrestohet lideri i partisë kryesore opozitare në Republikën Sërpska appeared first on Sinjali.

Opozita shpall fitore në Kosjeriq të Serbisë, Qeveria nuk deklarohet

8 June 2025 at 23:08

Opozita në Kosjeriq, komunë në perëndim të Serbisë, ka shpallur fitore në zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën, ndërsa Qeveria nuk është deklaruar ende.

Përfaqësuesit e listës “Të bashkuar për Kosjeriqin” kanë thënë se janë duke udhëhequr, sipas të dhënave nga 27 prej 29 qendrave të votimit.

Zgjedhjet lokale në Kosjeriq dhe Zajeçar, komunë në jug të shtetit, janë testi i parë zgjedhor për Qeverinë prej nisjes së bllokadave të studentëve nëpër fakultete, në nëntor të viti 2024, të nxitura nga vdekja e 16 personave, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Në të dyja këto komuna, prej vitesh, është në pushtet Partia Përparimtare Serbe (SNS), e themeluar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Deri në orën 19:00 kanë votuar 82 për qind e votuesve në Kosjeriq, dhe 59.6 për qind në Zajeçar, sipas misionit vëzhgues Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA).

Mbështetësit e listës opozitare “Të bashkuar për Kosjeriqin”, janë mbledhur para ndërtesës komunale ku janë duke u numëruar votat. Ata janë dëgjuar duke bërtitur “Fitore” dhe “U krye çdo gjë”.

Edhe banorët e Zajeçarit kanë dalë në qendër, në pritje të rezultateve zgjedhore.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 7:00 në të dyja komunat, dhe janë mbyllur në orën 20:00.

Ministria për Punë të Brendshme e Serbisë ka thënë gjatë ditës se në disa qendra votimi në Kosjeriq “ka pasur tentime për të bllokuar ilegalisht qendrën e votimit, dhe për të penguar procesin zgjedhor”, mirëpo që “ato janë shmangur në përputhje me ligjin”.

“Zyrtarët policorë nga stacioni policor në Kosjeriq janë duke vepruar pas raportimeve nga presidenti i Komisionit të Zgjedhjeve se në qendrën e votimit 22, në fshatin Dërmanovina, vëzhguesi Veselin Ristanoviq, duke përfaqësur listën ‘Të bashkuar për Kosjeriqin’ e ka djegur listën e votimit për personat që mund të votojnë nga shtëpitë. Policia është duke punuar në këtë rast”, është thënë në deklaratën policore pasditen e së dielës.

Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA) ka thënë se ka raportuar në polici se disa vëzhgues të organizatës në Kosjeriq kanë pranuar kërcënime dhe provokime përmes thirrjeve telefonike.

Në Zajeçar kanë garuar tetë lista elektorale, ndërsa në në Kosjeriq vetëm tri.

Në Kosjeriq kanë garuar listat: “Nuk do të heqim dorë nga Serbia – Aleksandar Vuçiq”, “Partia ruse – Serbia në BRICS, Sllobodan Nikoliq” dhe “Të bashkuar për Kosjeriqin”.

Në Zajeçar kanë garuar këto lista: “Nuk do të heqim dorë nga Serbia – Aleksandar Vuçiq”, “Ndryshimi që e besojmë në Ugljesha Gjuriçkoviq, Dragana Rashiq”, “Të bashkuar për të ruajtur Zajeçarin, Mirko Jellenkoviq, Milladin Kërstiq”, “Doktor Nenad Ristoviq – Vendas për Zajeçarin”, “Ivica Daçiq – SPS – Të vendosur për Zajeçarin”, lista minoritare “Koalicioni për Serbinë Lindore – Sasha Radulloviq Gërlanac”, “Ne, Forca e Popullit – profesor Branimir Nestoroviq” dhe “Serbët Liberalë – Vlladimir Kovaçeviq”.

Ndonëse në parim nuk dukeshin zgjedhje shumë të rëndësishme, fushata zgjedhore në dy komunat është përcjellë nga incidentet, përleshjet mes mbështetësve të Qeverisë dhe opozitës dhe sulmeve ndaj ekipeve të gazetarëve.

Pavarësisht se kanë pak banorë, ato janë kthyer në një temë të rëndësishme javëve të fundit dhe në destinacione të domosdoshme vizitash për zyrtarët e lartë shtetërorë, përfshirë edhe vetë Vuçiqin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Opozita shpall fitore në Kosjeriq të Serbisë, Qeveria nuk deklarohet appeared first on Sinjali.

Shpërndanin narkotikë në Mykonos – në pranga 3 shqiptarë, njëri prej tyre nën hetim nga SPAK

8 June 2025 at 23:04

Tre shtetas shqiptarë, një prej të cilëve nën hetim nga SPAK, kanë rënë në prangat e policisë greke në një operacion të gjerë anti-drogë të zhvilluar në ishullin e Mykonos.

Nga hetimi policor, doli në pah ekzistenca e një grupi kriminal, anëtarët e së cilës, të paktën që nga maji i vitit 2025, tregtonin sasi kokaine, kokaine rozë, marijuane dhe tableta droge në zonën e Mykonosit.

Konkretisht, anëtarët e grupit u vendosën në tre banesa me qira, ngjitur me njëra-tjetrën, të cilat i përdorën si “strehëza”, duke ruajtur lëndët narkotike. Pastaj ata udhëtonin ose me automjet privat ose me motoçikletë, të cilat i kishin si mjete “operative”, në zona të ishullit, ku ua shisnin substancat “klientëve” të tyre, duke përfituar një përfitim të madh financiar.

Në prangat e policisë ranë Spiro Lila, 30 vjec dhe Roland Allka, 33 vjeç, të dy nga Gramshi si dhe Euglend Dumi, 36 vjec, nga Vaqarri i Tiranës. Lila rezulton person i shpallur në kërkim nga SPAK, si pjesë e një grupi kriminal me bazë në Sarandë, të goditur në maj 2019 nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, që kryente trafik ndërkombëtar droge.

Lidhur me operacionin në Greqi, grupi, për të arritur qëllimin e tyre të paligjshëm dhe për të shmangur zbulimin, gjatë tregtimit të substancave, një anëtar i organizatës qëndroi jashtë banesave, duke vepruar si roje telefonike. Në të njëjtën kohë, anëtarët që po udhëtonin drejt pikës së transportit ose lëviznin në zona të ndryshme të ishullit, duke bërë ndalesa të shkurtra, duke vëzhguar automjetet që kalonin, ose lëviznin me shpejtësi të lartë, duke bërë manovra të rrezikshme.

Nga kontrollet e kryera, me ndihmën e një qeni policie dhe u gjetën dhe u sekuestruan 932.22-gram kokainë, 7 gram kokainë rozë, 899 gram marijuanë, 1.4 gram metamfetaminë kristalore, 93 tableta narkotike, 5.060 euro, 1 pistoletë, 10 fishekë, 1 thikë, 1 automjet, 1 motorr, 3 peshore elektronike precize dhe 4 telefona celularë.

Siç ka rezultuar, përfitimi i paligjshëm financiar i pritur i grupit nga shitja e lëndëve narkotike të sekuestruara tejkalon shumën prej 100.000 euro.

Sasitë e drogës së sekuestruar do të dërgohen për ekzaminim laboratorik, ndërsa shuma e sekuestruar e parave do të dërgohet në Zyrën e Depozitave dhe Kredive të Zyrës Tatimore të Mykonos.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Shpërndanin narkotikë në Mykonos – në pranga 3 shqiptarë, njëri prej tyre nën hetim nga SPAK appeared first on Sinjali.

❌
❌