Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 July 2025Telegrafi

Barcelona triumfon në miqësore ndaj Vissel Kobe – debutojnë blerjet e reja, Bardghji gjen rrjetën

27 July 2025 at 13:55

Barcelona ka arritur fitore me rezultat 3-1 në turneun parasezonal në Japoni ndaj Vissel Kobe. 

Pasi pati iniciativën për pjesën më të madhe të ndeshjes, blaugranasit e gjetën golin në minutën e 33-të përmes Eric Garcias që realizoi për 1-0 pas një tollovie brenda zonës. 

Vendasit ia dolën që të barazojnë rezultatin në minutën e 42-të përmes Taisei Miyashiro i cili realizoi për 1-1 pas një gabimi të pafalshëm nga Pau Cubarsi. 

Në pjesën e dytë Hansi Flick ndryshoi tërësisht përbërjen startuese, duke i dhënë hapësirë blerjeve të reja si Marcus Rashford dhe Roony Bardghji. 

Roony Bardghji scores his first goal for Barça Lewandowski with assist Rashford pre assist pic.twitter.com/QriLUnPMjF

☝ (@fireAceee) July 27, 2025

Ishte pikërisht Bardghji ai i cili në fund ia doli të realizonte për t’i dhënë epërsinë për herë të dytë Barcelonës. 

Pas një aksioni mirë të organizuar, Bardghji realizoi në minutën e 77-të për 2-1 pas asistimit nga Robert Lewandowski. 

Roony will never forget this day 🥹 pic.twitter.com/cDDNUD6wJ3

— FC Barcelona (@FCBarcelona) July 27, 2025

Për rezultatin përfundimtar të takimit u përkujdes i riu Pedro Fernandez nga La Masia, i cili në minutën e 87-të realizoi për 3-1.

Barcelona tani do t’i luajë edhe dy ndeshje tjera miqësore në Japoni, fillimisht ndaj Seoul pastaj ndaj Daegu./Telegrafi/

The post Barcelona triumfon në miqësore ndaj Vissel Kobe – debutojnë blerjet e reja, Bardghji gjen rrjetën appeared first on Telegrafi.

Parada e marinës ruse anulohet për “arsye sigurie”

27 July 2025 at 13:44

Rusia tha të dielën se një paradë e madhe vjetore detare ishte anuluar për “arsye sigurie”, pa specifikuar kërcënimin apo shqetësimin.

“Kjo ka të bëjë me situatën e përgjithshme. Arsyet e sigurisë janë me rëndësi të madhe”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, i cituar nga agjencitë ruse të lajmeve, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Parada ishte menduar të ishte kulmi i Ditës së Marinës së Rusisë, e cila bie të dielën e fundit të korrikut të çdo viti dhe nderon marinarët e vendit.

Por autoritetet lokale në qytetin bregdetar të Shën Petersburgut, ku ishin planifikuar të kalonin anijet luftarake dhe nëndetëset, thanë të premten se parada ishte anuluar pa dhënë ndonjë arsye.

Presidenti rus Vladimir Putin – i cili rivendosi Ditën e Marinës në 2017, gati katër dekada pasi u anulua në kohën sovjetike – nuk u shfaq personalisht këtë vit për herë të parë.

Në vend të kësaj, ai u shfaq në një mesazh video duke përshëndetur “trimërinë” dhe “heroizmin” e marinarëve të Rusisë që morën pjesë në ofensivën në Ukrainë.

Rusia, e cila nisi operacionin e saj ushtarak në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 me bombardime të përditshme të fqinjit të saj, është përballur me sulme hakmarrëse me dronë ukrainas në territorin e saj në muajt e fundit.

Dhe Ministria ruse e mbrojtjes tha të dielën se 100 dronë ukrainas u rrëzuan gjatë natës.

Të paktën 10 prej tyre u kapën jo shumë larg Shën Petersburgut dhe një grua u plagos, tha guvernatori i rajonit veriperëndimor të Leningradit, Aleksandr Drozdenko, në Telegram.

Ky sulm me dronë ndërpreu gjithashtu operacionet në aeroportin Pulkovo të Shën Petersburgut, duke vonuar dhjetëra fluturime, thanë autoritetet e objektit. /Telegrafi/

The post Parada e marinës ruse anulohet për “arsye sigurie” appeared first on Telegrafi.

Donnarumma do të largohet nga PSG, dy gjigantët anglezë në garë për italianin

27 July 2025 at 13:42

Gianluigi Donnarumma pritet të largohet nga Paris Saint-Germain gjatë kësaj vere, pasi klubi ka vendosur të mos rrezikojë ta humbasë në një transferim të lirë në të ardhmen.

Sipas L’Equipe, PSG është e gatshme të dëgjojë oferta për portierin italian, pasi bisedimet për rinovimin e kontratës së tij e cila skadon në qershor 2026  kanë ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve rreth pagës.

Klubi parisien po punon për të gjetur një zëvendësues, dhe kandidati kryesor është Lucas Chevalier nga Lille. Ky transferim mund t’i kushtojë PSG-së rreth 40 milionë euro.

Duke parë këtë situatë, Manchester United dhe Manchester City kanë shfaqur interes të fortë për Donnarumman dhe tashmë janë futur seriozisht në garë për nënshkrimin e tij.

Për portierin 25-vjeçar janë raportuar më parë interesime edhe nga Chelsea dhe Galatasaray, por dy klubet nga Manchesteri shihen si favoritë aktualë.

Donnarumma vjen nga një sezon shumë i mirë me PSG-në, duke pasur rol kyç në fitoren historike të Ligës së Kampionëve për klubin francez.

Nëse ai vendos të rikthehet në Serie A, kandidatët më të besueshëm mbeten vetëm Interi dhe Juventusi të vetmit që mund të përballojnë pagën dhe statusin e tij. /Telegrafi/

The post Donnarumma do të largohet nga PSG, dy gjigantët anglezë në garë për italianin appeared first on Telegrafi.

BDI: Kalaja e Shkupit të mbrohet nga ndërhyrjet që rrezikojnë autenticitetin e saj

27 July 2025 at 13:40

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj projektit të paralajmëruar për ndërtimin e objekteve të reja në hapësirën e Kalasë së Shkupit, të cilat siç thonë nga BDI, në vend të ruajtjes dhe promovimit të vlerave historike, rrezikojnë të shëmtojnë dhe të tjetërsojnë origjinalitetin arkitektonik e kulturor të këtij lokaliteti me rëndësi të veçantë për të gjithë qytetarët.

Nga BDI thonë se Kalaja e Shkupit është dëshmi shekullore e bashkëjetesës dhe historisë shumëetnike të këtij vendi.

“Ndërhyrjet e mëhershme që nuk kanë pasur karakter shkencor dhe restaurues, tash po mendohet të plotësohen me ndërtime të reja që as nuk pasqyrojnë realitetin historik, e as nuk respektojnë autenticitetin e trashëgimisë kulturore. Bashkimi Demokratik për Integrim beson se Kalaja nuk duhet të bëhet arenë për përfitime politike apo përpjekje për imponim simbolik. Çdo projekt i ardhshëm duhet të jetë i bazuar në standarde profesionale dhe në respekt të plotë të origjinalitetit dhe vlerave të trashëgimisë së përbashkët kulturore. Kalaja e Shkupit duhet të ruhet dhe restaurohet, jo të ndërtohet mbi të dhe as të riinterpretohet në dritën e agjendave ditore. Mbrojtja e origjinalitetit të saj është përgjegjësi e përbashkët dhe një kontribut në ndërtimin e një shoqërie të matur dhe të barabartë për të gjithë”, thuhet në reagimin e BDI-së.

The post BDI: Kalaja e Shkupit të mbrohet nga ndërhyrjet që rrezikojnë autenticitetin e saj appeared first on Telegrafi.

Zjarri në Pustec, terreni i vështirë dhe era sfidojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve, mbi 75 forca në operacion

27 July 2025 at 13:35

Situata në Pustec po mbahet nën kontroll, por mbetet ende delikate për shkak të kushteve atmosferike. Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, tha se situata është më e qetë, por ende po monitorohet nga afër.

“Situata është pak më e qetë, po e monitorojmë dhe shpresojmë që era të mos favorizojë përhapjen e ndonjë vatre të mundshme. Të gjithë punonjësit e zjarrfikëses, të zonave të mbrojtura dhe të shërbimeve janë në terren dhe shpresoj që sot ta mbyllim. Një vlerësim të saktë të sipërfaqes momentalisht nuk kemi, por besoj se është gati 10-15 hektarë”, u shpreh Kolefski.

Nga ana tjetër, Gjergji Koki, drejtor i Administratës së Zonave të Mbrojtura (AdZM), bëri me dije se që prej orëve të para të mëngjesit janë angazhuar mbi 75 forca për të përballuar situatën në një terren tepër të vështirë.

“Prej orës 4 të mëngjesit, rreth 75 forca burime njerëzore, të përbërë nga mzsh Pustec, vullnetarë, administrata e zonave të mbrojtura, por dhe nga forcat e armatosura, janë shpërndarë në terren. Aktualisht po punojmë në tre fronte, ai sipëror ku grupet kanë qenë që në mëngjes në një terren shumë të vështirë për të parandaluar depërtimin në pjesën e pasme në zonën e Podgoricës që do të ishte një katastrofë nëse do depërtojë zjarri aty. Ndërkohë dy grupe të tjera kanë bërë izolimin anësor të zjarreve”, deklaroi Koki./tch/

The post Zjarri në Pustec, terreni i vështirë dhe era sfidojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve, mbi 75 forca në operacion appeared first on Telegrafi.

“Iu luta që të vinin, e çuam babin me batanije në spital” – rrëfimi prekës i Erjona Rusit për përballjen me sistemin shëndetësor

27 July 2025 at 13:35

Moderatorja, Erjona Rusi, ka ndarë një prej përvojave më të dhimbshme të jetës së saj në episodin e fundit të këtij sezoni televiziv, ku këtë herë ajo u ul vetë në karrigen e të ftuarës.

E intervistuar nga kolegu Arjon Muça, Rusi rrëfeu me lot në sy momentin kur u përball me një situatë të padrejtë dhe çnjerëzore, teksa kujdesej për të atin e sëmurë.

Përmes një dëshmie të sinqertë dhe të ngarkuar emocionalisht, ajo tregoi vështirësitë që ka kaluar për të siguruar trajtimin mjekësor që i takonte të atit dhe për të përfituar ndihmën shtetërore minimale, që shpesh kthehet në një sfidë të vështirë për familjet shqiptare në nevojë.

Foto: Screenshot/YouTube

Erjona Rusi:

“Kam një kujtim shumë të keq që lidhet me sëmundjen e babit, më është ngulitur shumë thellë, momenti më i vështirë si qenie njerëzore dhe që ka të bëjë edhe me politikat e këtij shteti me faktin se sa social ka qenë shteti shqiptar.

Njerëzit e paralizuar apo me aftësi ndryshe përfitojnë kemp, një shumë qesharake, por që të përfitosh kempin duhet që pas një viti të bëhet një rikontroll, mjekët e kempit duhet të vërtetonin që i sëmuri vazhdon të jetë i sëmurë dhe unë i jam lutur, po lutur atyre mjekëve që të vinin ta shihnin babin tek shtëpia, unë sa kisha marrë një makinë të vogël dhe u thashë ju marr unë me makinë dhe hajdeni shiheni se babin s’e lëvizim dot, nuk erdhën, do ta sillni këtu thanë, unë me mamin dhe vëllanë e kemi marrë babin me batanije se nuk e ngrinim dot, e kemi futur në makinë që ta shihnin mjekët dhe të merrnim kempin pastaj ne.

Po e di ç’ndjesi e ndyrë dhe e poshtër njerëzore është ta shohësh të afërmin tënd në atë gjendje? Isha shumë e vogël, të isha kjo Erjona që jam sot përpara atyre mjekëve, ata do ta harronin, unë kurrë s’do ta bëja, jo vetëm nga ana ekonomike se sot jam më mirë, por namin do të bëja.

Ishte edhe një rast kur isha në spital, isha gati t’i fusja thonjtë në fyt një mjeku se e hoqi nga reanimacioni dhe e çoi në dhomë se s’kishte marrë lekët, si mund të luash me jetët e njerëzve se s’ke marrë lekët, mbase emrat mund t’i kem harruar, por i mbaj mend, s’dua t’i takoj, kam urrejtje shumë, nuk janë të gjithë mjekët kështu. Kam pasur eksperienca të tmerrshme me babin dhe mjekët”.

Dëshmia e saj vjen si një thirrje publike për më shumë humanizëm, përgjegjësi dhe ndërgjegjësim ndaj sistemit shëndetësor, që shpesh u lë njerëzve më të pambrojtur vetëm dhimbjen dhe pengun. /Telegrafi/

The post “Iu luta që të vinin, e çuam babin me batanije në spital” – rrëfimi prekës i Erjona Rusit për përballjen me sistemin shëndetësor appeared first on Telegrafi.

Ish-ylli i Man Utd zbulon lojtarin i cili u trajtua sikur të ishte djali i Fergusonit

27 July 2025 at 13:24

Vitet e 90-ta ndoshta duken si një kohë shumë e largët për tifozët e Manchester United, por ata përjetuan aq shumë suksese gjatë kulmit të trajnerit Alex Ferguson, sa që do të zgjasin për gjithë jetën. 

United ishte forca dominuese në ditët e para të  Ligës Premier, duke fituar titullin gjashtë herë midis viteve 1992/1993 dhe 1999/2000. 

Ata fituan dy herë dopietën duke shtuar FA Cup në 1994 dhe 1996, dhe më pas arritën edhe më shumë duke fituar Ligën e Kampionëve për të përmbyllur tripletën e famshme në vitin 1999. 

Sulmuesi dhe fituesi i çmimit ‘Lojtari i Ri i Vitit’ nga PFA, Lee Sharpe, ishte fitues tre herë i Ligës Premier me ‘Djajtë e Kuq’ dhe më vonë luajti për Leeds United, Sampdorian dhe Bradford City, përpara se ta mbyllte karrierën me disa periudha të shkurtra në klube të ndryshme. 

Foto: Lee Sharpe

Sharpe luajti afro 200 ndeshje ligë për United në Ligën Premier, por u përball me konkurrencën e Ryan Giggs për të qenë zgjedhja e parë e Ferguson në krahun e majtë. 

Në vitin 1992, një telefonatë e famshme e Ferguson çoi në transferimin e një tjetër ylli në radhët e United. 

Mesfushori francez me temperament të fortë, Eric Cantona, u transferua nga Leeds dhe konsiderohet gjerësisht si një nga lojtarët më të mëdhenj që ka luajtur në Angli. 

Në një intervistë të fundit, Sharpe zbuloi se Cantona përfitonte trajtim të veçantë nga Ferguson. 

“Ai ishte më shumë se thjesht i preferuari i trajnerit, në një moment ishte si djali i humbur që Ferguson kishte kërkuar”, tha Sharpe për FourFourTwo. 

“Eric trajtohej ndryshe në dhomën e zhveshjes. Ishte e pabesueshme për t’u parë, por edhe mjaft qesharake. Ne ishim të kënaqur, sepse në fund të fundit, Eric ishte fenomenal”, përfundoi ai./Telegrafi/

The post Ish-ylli i Man Utd zbulon lojtarin i cili u trajtua sikur të ishte djali i Fergusonit appeared first on Telegrafi.

Igli Tare paralajmëron Club Bruggen për Ardon Jasharin: Është oferta jonë e fundit, nuk shkojmë më lartë

27 July 2025 at 13:10

Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka konfirmuar se Rossonerët kanë bërë një ofertë të përmirësuar për mesfushorin e Club Brugge, Ardon Jashari, duke e cilësuar atë si përfundimtare.

“Ne kemi një marrëdhënie të mirë me Club Brugge dhe kemi bërë një ofertë tjetër për Jasharin,” deklaroi Tare për Gazzetta dello Sport.

“E konsiderojmë të përshtatshme dhe nuk jemi të gatshëm të shkojmë më tej”, tha Tare.

Sipas Gazzetta dello Sport, oferta e parë e Milanit ishte 32.5 milionë euro plus 2 milionë bonuse. Oferta përfundimtare arrin në 33.5 milionë euro, me bonuse që e çojnë totalin në 35 milionë euro.

Jashari ka rënë tashmë dakord për kushtet personale me Milanin dhe dëshiron të veshë fanellën kuqezi. Igli Tare e ka theksuar më parë këtë muaj se 22-vjeçari është i vendosur për t’u transferuar në “San Siro”.

Mesfushori nuk është përfshirë në listën e Club Brugge për ndeshjen e sotme kundër Genk, një sinjal i qartë se një lëvizje mund të jetë afër. Ai gjithashtu mungoi në finalen e Superkupës së Belgjikës kundër Union Saint-Gilloise.

Pavarësisht kësaj, kapiteni i Club Brugge, Hans Vanaken, paralajmëroi javën e kaluar se çmimi i kërkuar për Jasharin është 40 milionë euro. Mbetet të shihet nëse klubi belg do të pranojë ofertën e fundit të Milanit.

Milani duket i vendosur të mos hyjë në një luftë ofertash. Topi tani është në fushën e Club Brugge, ndërsa tifozët kuqezi presin zhvillimet e ditëve në vijim. /Telegrafi/ 

The post Igli Tare paralajmëron Club Bruggen për Ardon Jasharin: Është oferta jonë e fundit, nuk shkojmë më lartë appeared first on Telegrafi.

Getoar Selimi tregon një rast të pakëndshëm me një grua në parking: Më pengon kur të bëjnë të ndihesh keq pse je mashkull

27 July 2025 at 13:02

Reperi i famshëm shqiptar, Getoar Selimi, ishte mysafir në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, ku rrëfeu një përvojë të pazakontë dhe jo shumë të këndshme me një vajzë në një parking.

Egla: Çfarë është një gjë të irriton më shumë në shoqërinë shqiptare që punon kundër gjinisë femërore, çfarë do të beje ti për ta ndryshuar?

Getoari: Shumë gjëra janë që nuk janë mire, por është edhe një gjë tjetër që kam filluar ta shoh shumë, a mos kanë marrë pak edhe gratë gocat kot?

Foto: Screenshot/YouTube

Rudina: Çfarë do të thotë ‘ka marrë kot’?

Gatoari: Kjo ideja e të qenit gjatë gjithë kohës… sepse e merr përparësinë, e merr, e kanë marrë çdo gjë, e merr çdo gjë, e merr çdo gjë, pastaj, vjen një moment ku pak edhe keqpërdoret ajo domëthënë. Unë kam shumë raste që di dhe shoh që e keqpërdorin. Unë kam pasur një rast një ditë në një parking. Ne u parkuam normal dhe erdhi nje grua na bërtiti “pse parkuan këtu, unë s’mund të dal nga garazhi”, i thashë që në parking jam i parkuar.

Foto: Screenshot/YouTube

“Por, unë jam femër, s’mund të dal aty, ju jeni invalid apo çka?”, tregon këngëtari se çfarë i tha ajo.

Getoari: S’po di kush është invalidi këtu. Po keqpërdoret kjo punë, nuk mendoj që gratë siç kanë qenë të shtypura si më herët, të drejtat janë të barabarta.

Kleoniki: Si do ta komentoje nëse do të ishte një burrë në vendin e parkimin.

Getoari: Unë nuk u zura.

Rudina: Pra, fakti që thotë “mos e li aty se jam grua ,te pengon, apo jo?

Getoari: Më pengon vetëm ideja kur të bëjnë të ndihesh keq pse je mashkull.

Këngëtari më tutje shpjegon tatuazhin në krah që kishte Mozartin dhe Ajnshtajnin, “Të dy janë të sëmurë”, tha ai. /Telegrafi/

The post Getoar Selimi tregon një rast të pakëndshëm me një grua në parking: Më pengon kur të bëjnë të ndihesh keq pse je mashkull appeared first on Telegrafi.

LSDM: Maqedonia po digjet, OBRM-PDUKM e paaftë dhe e painteresuar që të menaxhojë me situata krizash

27 July 2025 at 13:00

“E gjithë Maqedonia po digjet përsëri. Për shkak të paaftësisë së OBRM-PDUKM-së, 20% e sipërfaqes totale të pyjeve dhe kullotave është djegur në zjarre. Ky nuk është patriotizëm, kjo është tradhti ndaj vendit tënd. Kjo qeveri është përgjegjëse, ajo ka dështuar në mbrojtjen e pronës, natyrës, qytetarëve. Që nga java e kaluar, mbi 100 zjarre kanë qenë aktive në territorin e të gjithë vendit. Po digjet në Berovë, Radovish, Vasilevë. Për javën e dytë, Prilep, Makedonski Brod, Kriva Palanka, Zelenikovë, Karbinci, Kumanovë, Likovë, Gostivar, Zhelinë, Nagoriçane”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.

Nga partia opozitare thonë se qeveria aktuale nuk ka organizim për të menaxhuar me këto situata.

“Në vend të ndërhyrjes së koordinuar dhe veprimeve të forta për të shuar zjarrin, shohim mungesë interesi dhe çorganizim total nga ana e qeverisë OBRM-PDUKM-së. Qytetarët janë lënë të përballen vetë me zjarrin. Komuna e Berovës është lënë gjithashtu në mëshirë të fatit ditët e fundit, ndërsa zjarri shpërthen në malin Goten. Vetëm disa zjarrfikës po luftojnë me guxim zjarrin, thellë në mal, pa asnjë mbështetje të vërtetë nga shteti. Kjo është e turpshme dhe e papranueshme. Ndihma njoftohet çdo ditë, por deri më tani nuk ka mbërritur kurrë. Komuna u detyrua të thërrasë për mobilizim të popullsisë lokale dhe të kërkojë ndihmë nga komunat fqinje për të parandaluar që zjarri të arrijë në zona të populluara si Vladimirovo dhe Rusinovo. Vitin e kaluar, Hristijan Mickoski premtoi një rishikim dhe modernizim të sistemit të mbrojtjes nga zjarri. Sot shohim degradimin e plotë të atij sistemi. Në vend të automjeteve të reja zjarrfikëse – blihen telefona celularë zyrtarë për 7 milionë euro. Në vend të aeroplanëve dhe pilotëve të zjarrfikësve – qeveria po shpenzon para për fluturime private, hotele luksoze, ushqime deti të shtrenjta, papaja dhe mango. Në vend që të punësojë… zjarrfikës – po hartohen lista partiake për punësim në institucione. Nuk është patriotizëm të lësh pronat, pyjet, kullotat të digjen. Kjo është tradhti”, thuhet nga LSDM.

The post LSDM: Maqedonia po digjet, OBRM-PDUKM e paaftë dhe e painteresuar që të menaxhojë me situata krizash appeared first on Telegrafi.

Sam Altman paralajmëron: Bisedat me ChatGPT mund të përdoren si prova në gjykatë

27 July 2025 at 11:55

Shefi ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, ka paralajmëruar për rreziqet që lidhen me përdorimin e tepërt të ChatGPT, veçanërisht nga të rinjtë që e përdorin për këshilla personale apo emocionale.

Ai theksoi se bisedat me këtë Inteligjencë Artificiale nuk janë të mbrojtura ligjërisht, siç ndodh me marrëdhëniet mes pacientit dhe terapistit, apo klientit dhe avokatit.

Andaj, sipas tij, kjo do të thotë se informacionet e ndara në ChatGPT mund të përdoren si prova në gjykatë, përcjell Telegrafi.

Altman theksoi se shumë njerëz i tregojnë AI-së detaje shumë personale nga jeta e tyre, gjë që mund të sjellë pasoja serioze në raste ligjore.

Ai shtoi se duhet të ekzistojë një nivel i ngjashëm privatësie me atë që kemi me profesionistët e shëndetit mendor.

Në një tjetër deklaratë, Altman shprehu shqetësim për varësinë e tepërt ndaj ChatGPT për marrjen e vendimeve personale.

Sipas tij, është shqetësuese që të rinjtë e konsiderojnë AI-në si “zëri i fundit” për çdo çështje të jetës.

Ai theksoi se OpenAI po punon për të gjetur mënyra për ta adresuar këtë problem në rritje. /Telegrafi/

The post Sam Altman paralajmëron: Bisedat me ChatGPT mund të përdoren si prova në gjykatë appeared first on Telegrafi.

Zjarri në jug të Shqipërisë, niset nga Italia avioni zjarrfikës Canadair për të ndihmuar në shuarjen e flakëve

27 July 2025 at 11:54

Bashkimi Europian i ka ardhur në ndihmë vendit tonë duke dërguar një avion Candair nga Italia për shuarjen e flakëve në jug

Avioni zjarrfikës Canadair do të angazhohet në operacionet ajrore për shuarjen e flakëve në jug të vendit, në zonat Borsh, Piqeras dhe Lukovë.

Ky mjet ajror do të forcojë ndërhyrjet në terrene të vështira dhe të paarritshme nga toka, duke dhënë ndihmë në përballimin e situatës së zjarreve që kanë përfshirë këto zona.

Ndërkohë, helikopterët e Forcës Ajrore do të angazhohen pranë fshatit Zhulat, në rajonin e Gjirokastrës, si dhe në zonën e Qafëbuallit, pranë Bulqizës./tch/

The post Zjarri në jug të Shqipërisë, niset nga Italia avioni zjarrfikës Canadair për të ndihmuar në shuarjen e flakëve appeared first on Telegrafi.

Panik në aeroportin e Denverit, pasagjerët evakuohen përmes “rrëshqitëseve emergjente” për shkak të zjarrit nën aeroplan

27 July 2025 at 11:49

Një situatë emergjente u regjistrua në Aeroportin Ndërkombëtar të Denverit të shtunën, kur pasagjerët e një fluturimi të American Airlines u detyruan të evakuoheshin pak përpara nisjes për shkak të një problemi mekanik me pajisjen e uljes së aeroplanit.

Incidenti ndodhi në fluturimin American Airlines 3023, që ishte parashikuar të nisej nga Denver për në Miami.

Sipas Fox News, defekti u zbulua ndërsa aeroplani ndodhej ende në pistë.

🚨#BREAKING: Watch as People evacuate from a American Airlines jet after a left main wheels caught fire

📌#Denver | #Colorado

Watch as passengers and crew evacuate American Airlines Flight 3023, a Boeing 737 MAX 8, at Denver International Airport. The Miami-bound jet was forced… pic.twitter.com/RmUrXYj5Jp

— R A W S A L E R T S (@rawsalerts) July 26, 2025

Dhe në disa pamje të publikuara në internet, pasagjerët shihen duke dalë me urgjencë nga aeroplani përmes rrëshqitëseve të emergjencës, ndërsa shihet tym dhe zjarr.

Departamenti i Zjarrfikësve të Denverit reagoi menjëherë dhe arriti të shuajë zjarrin.

Passengers flee from a burning airplane on the tarmac at Denver International Airport. Everyone made it off, and one person was transported for medical attention for a minor injury, American Airlines said. pic.twitter.com/ZHJ27qUZQv

— Fox News (@FoxNews) July 27, 2025

Të gjithë 173 pasagjerët dhe 6 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan me sukses nga Boeing 737 Max 8.

Pesë persona u kontrolluan për lëndime, por nuk kërkuan shtrim në spital, ndërsa një person u dërgua për kujdes mjekësor për një dëmtim të lehtë. /Telegrafi/

The post Panik në aeroportin e Denverit, pasagjerët evakuohen përmes “rrëshqitëseve emergjente” për shkak të zjarrit nën aeroplan appeared first on Telegrafi.

Real Madridi i hapur që t’i shesë tre yje këtë verë – me dyshime për dy të tjerë

27 July 2025 at 11:44

Real Madrid po fokusohet për momentin te largimet, pasi tashmë ka 25 lojtarë në dispozicion të trajnerit Xabi Alonso, pas transferimeve të Dean Huijsen, Trent Alexander-Arnold, Franco Mastantuono dhe Alvaro Carreras që nga fillimi i verës. 

Ka një dëshirë për të afruar një mesfushor të ri, por një transferim i tillë mund të ndodhë vetëm nëse të paktën një lojtar largohet gjatë javëve në vijim.  

Rodrygo është përfolur shumë kohët e fundit për një transferim te Liverpool dhe Paris Saint-Germain. Sipas Diario AS, Real Madridi është i gatshëm të shqyrtojë oferta për sulmuesin 24-vjeçar, i cili ka humbur rëndësinë e mëparshme në skuadër që pas ardhjes së Alonsos në fillim të verës. 

Përveç Rodrygos, Real Madridi është i hapur për të dëgjuar oferta edhe për dy lojtarë të tjerë të ekipit të parë: Ferland Mendy dhe David Alaba. 

Mendy është bërë i panevojshëm pas ardhjes së Carreras, ndërsa Fran Garcia shihet si opsioni ideal për të konkurruar me mbrojtësin e ri të majtë. 

Ndërkohë, David Alaba renditet i pesti në hierarkinë e qendërmbrojtësve, pas Huijsen, Antonio Rudiger, Eder Militao dhe Raul Asencio.  

Përveç këtyre emrave, ka pasiguri edhe për të ardhmen e Dani Ceballos. Është përfolur një rikthim te Real Betis, por aktualisht ai është ende pjesë e planeve të Alonsos. Megjithatë, situata e tij mund të ndryshojë nëse nënshkruhet një tjetër mesfushor gjatë verës. 

Po ashtu, ka dyshime për rolin e Endrick në skuadër. Nëse mbetet, pritet të ketë më pak minuta sezonin e ardhshëm, pasi Alonso llogarit mbi Kylian Mbappe dhe Gonzalo Garcia si dy opsionet kryesore në sulm.  

Endrick nuk dëshiron të largohet, por rrezikon të kalojë edhe një sezon me hapësira të kufizuara në ‘Santiago Bernabeu’./Telegrafi/

The post Real Madridi i hapur që t’i shesë tre yje këtë verë – me dyshime për dy të tjerë appeared first on Telegrafi.

Mexhiti: Rinia shqiptare në RMV jo vetëm që është e pranishme, por gjithnjë e më shumë e gjen vendin e saj në shoqëri

27 July 2025 at 11:41

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Ekologjisë dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, zhvilloi takim me të rinjtë e Çairit.

Mexhiti tha se rinia shqiptare në Maqedoninë e Veriut është jo vetëm e pranishme, por gjithnjë e më shumë kërkon dhe gjen vendin e saj në shoqëri.

“Energjia, idetë dhe guximi i tyre janë frymëzimi më i madh për çdo hap që hedhim përpara,” u shpreh Mexhiti, duke theksuar se mbështetja institucionale për rininë nuk do të ndalet.

Në kuadër të bashkëbisedimit për sfidat dhe nevojat e brezit të ri, Mexhiti prezantoi masat konkrete që tashmë janë në zbatim:

Shpërndarja e vauçerëve për mbi 55 mijë studentë për blerjen e pajisjeve teknologjike;

Ndërtimi i kampusit modern për Universitetin “Nënë Tereza”;

Mbështetje financiare për universitetet, përfshirë Universitetin e Evropës Juglindore;

Miratimi i Planit Aksional për Punësim, që fokusohet në mbështetjen e bizneseve të reja dhe karrierave të të rinjve;

Ligji për punësimin sezonal të studentëve dhe nxënësve, që garanton përvojë pune pa humbur bursën;

Forcimi i arsimit dual përmes bashkëpunimit me qindra kompani vendore;

Investime në shkolla moderne, qendra rinore, biblioteka dhe pishina publike;

Ndërtimi dhe rikonstruktimi i fushave sportive në të gjitha vendbanimet;

Mbyllja e qindra kazinove online, si masë për mbrojtjen e të rinjve nga varësitë.

“Rinia është zëri që po rritet, dhe që nuk mund të anashkalohet më”, deklaroi Mexhiti.

The post Mexhiti: Rinia shqiptare në RMV jo vetëm që është e pranishme, por gjithnjë e më shumë e gjen vendin e saj në shoqëri appeared first on Telegrafi.

Edhe kapsllëku kronik mund të çojë në rrjedhje të pavullnetshme të jashtëqitjes: Si të përballoni simptomat

27 July 2025 at 11:39

Simptomat shfaqen si rrjedhje e papritur e jashtëqitjes apo pamundësi për ta mbajtur atë

Shkaqe të ndryshme, si diarreja, kapsllëku apo dëmtimi nervor, mund të çojnë në këtë problem.

Inkontinenca fekale, e njohur edhe si mospërmbajte e zorrëve apo rrjedhje e pavullnetshme e jashtëqitjes, është pamundësia për të kontrolluar jashtëqitjen. Në varësi të shkakut, ajo mund të ndodhë herë pas here ose të jetë një problem afatgjatë.

Shkaqet më të zakonshme përfshijnë dëmtime në nervat apo muskujt e rektumit ose anusit. Diarreja, kapsllëku ose gjendje të tjera mjekësore gjithashtu mund ta shkaktojnë, prandaj është thelbësore të vendoset diagnoza e saktë dhe të fillojë trajtimi i duhur.

Simptomat e inkontinencës fekale

Mospërmbajta fekale paraqet pamundësinë për të kontrolluar daljen e jashtëqitjes. Disa persona janë të vetëdijshëm për rrjedhjen, por nuk arrijnë ta ndalojnë, ndërsa të tjerët as nuk e vërejnë.

Simptomat përfshijnë:

▪ Nxitje e papritur për të shkuar në tualet
▪ Rrjedhje e papritur e jashtëqitjes apo njolla në të brendshme
▪ Pamundësi për të mbajtur gazrat ose jashtëqitjen e lëngshme

Forma dhe shpeshtësia e inkontinencës ndryshon: nga raste të rralla deri te probleme të përhershme që shoqërohen me dhimbje barku, ndjesi të pakëndshme apo çrregullime të tjera, shkruan Health.com, përcjell Telegrafi.

Shkaqet kryesore të inkontinencës fekale

1. Diarreja

Kur jashtëqitja është e lëngshme dhe e shpeshtë, ajo mund të vijë papritur dhe të jetë e vështirë për t’u kontrolluar. Diarrea është shkaku më i zakonshëm i mospërmbajtes fekale tek personat jashtë spitalit.

Shkaktarët përfshijnë infeksionet gastrointestinale ose konsumimi i ushqimeve që irritojnë stomakun. Në raste kronike (si tek sëmundjet inflamatore të zorrëve – IBD apo sindroma e zorrës së irrituar – IBS), inkontinenca mund të jetë afatgjatë.

Simptoma shoqëruese:

▪ Dhimbje apo ngërçe në bark
▪ Nauze ose të vjella
▪ Marramendje

2. Kapsllëku

Kapsllëku kronik mund të dobësojë muskujt e rektumit, duke shkaktuar rrjedhje të jashtëqitjes së akumuluar. Ndonjëherë ndodh edhe “diarre e përtejme”, ku jashtëqitja e lëngshme rrjedh rreth bllokimit të fortë.

Simptoma të tjera:

▪ Jashtëqitje e thatë apo e fortë
▪ Më pak se tri jashtëqitje në javë
▪ Tendosje e tepërt gjatë jashtëqitjes
▪ Fryrje apo dhimbje në bark

Kapsllëku është shkaku më i shpeshtë i inkontinencës fekale tek fëmijët.

3. Dëmtime të muskujve ose nervave

Kur muskujt apo nervat e anusit, rektumit ose legenit dëmtohen, nuk arrijnë të ruajnë kontrollin. Kjo mund të ndodhë për shkak të:

▪ Ndërhyrjeve kirurgjikale
▪ Lëndimeve në tru ose shtyllën kurrizore
▪ Lindjes vagjinale

Sëmundjeve neurologjike si diabeti, skleroza multiple, Parkinsoni ose infarkti cerebral

4. Sëmundje të tjera

▪ Sëmundjet inflamatore të zorrëve (IBD) – si Koliti ulceroz apo sëmundja e Kronit.
▪ Hemorroide – mund të pengojnë mbylljen e plotë të anusit.
▪ Prolapsi rektal – rrëshqitje e rektumit jashtë anusit.
▪ Kanceri anal – simptomë e mundshme është inkontinenca; edhe radioterapia mund të dëmtojë indet përreth.
▪ Anomali kongjenitale – që prekin zorrën e trashë, rektumin ose anusin.

Kur duhet të shkoni te mjeku?

Këshillohet të kërkoni ndihmë mjekësore nëse përjetoni ndonjërin nga këto simptoma:

▪ Irritim apo plagë përreth anusit
▪ Diarre të rëndë
▪ Gjak në jashtëqitje

Mjeku mund të bëjë një ekzaminim fizik dhe të rekomandojë teste si:

▪ Kolonoskopia
▪ Ultratingulli ose rezonanca magnetike (MRI)
▪ Manometria anorektale
▪ Elektromiografia (EMG)

Trajtimi i inkontinencës fekale

Qëllimi i trajtimit është përmirësimi i kontrollit mbi jashtëqitjen dhe parandalimi i incidenteve. Metodat përfshijnë:

▪ Ndryshime në dietë: shmangia e ushqimeve që shkaktojnë diarre ose shtimi i fibrave në rast kapsllëku
▪ Barnat: kundër diarresë, fibra dietike ose laksativë
▪ Stërvitja e jashtëqitjes: krijimi i një rutine të rregullt
▪ Ushtrime për muskujt e legenit: forcojnë sfinkterin anal dhe muskujt mbështetës

Në raste më të ndërlikuara, mund të rekomandohen procedura mjekësore ose kirurgjikale dhe ndihma nga specialistë të gastroenterologjisë apo kirurgjisë kolorektale.

Si të parandaloni inkontinencën fekale

Megjithëse nuk është gjithmonë e mundur ta parandaloni, këto këshilla mund të ndihmojnë:

▪ Shmangni ushqimet dhe pijet irrituese (p.sh. kafeinë, alkool, ushqime pikante)
▪ Hani vakte të vogla dhe të shpeshta
▪ Krijoni zakon të përditshëm për jashtëqitje në të njëjtën kohë
▪ Trajtoni sëmundjet kronike si IBD në mënyrë të rregullt

Komplikime të mundshme

Disa komplikime mund të zhvillohen si pasojë e mospërmbajtjes fekale. Shumë njerëz raportojnë stres emocional dhe mendor, si dhe ulje të cilësisë së jetës. Simptomat e ankthit dhe depresionit mund të shfaqen në situata shoqërore për shkak të frikës nga ndonjë “incident”.

Gjithashtu, mund të ndodhë irritim i lëkurës për shkak të kontaktit të shpeshtë me jashtëqitjen. Zakonet si fshirja e tepruar apo pastrimi i shpeshtë i zonës së prekur, së bashku me ekspozimin e lëkurës ndaj rrjedhjeve, mund të çojnë në:

▪ irritim të vazhdueshëm,
▪ plagë të lëkurës,
▪ infeksione bakteriale ose kërpudhore.

/Telegrafi/

The post Edhe kapsllëku kronik mund të çojë në rrjedhje të pavullnetshme të jashtëqitjes: Si të përballoni simptomat appeared first on Telegrafi.

Jam shkrimtare nga Ballkani – pse njerëzit supozojnë se di vetëm për luftë dhe tragjedi?

27 July 2025 at 11:30

Nga: Ana Schnabl / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Mora pjesë në një konferencë të shkrimtarëve amerikanë në Teksas, pak para se bota të futej në izolim për shkak të Kovidit-19. Midis paneleve dhe ndërlidhjes me të tjerët, kalova kohën duke shëtitur në panairin e librave, duke shfletuar titujt dhe duke bombarduar botuesit me pyetje.

“Sa vepra të përkthyera keni në katalogët tuaj? Si i zbuloni autorët që janë jashtë ShBA-së? Dhe, si e vlerësoni cilësinë e shkrimit në gjuhët të cilat ju nuk i flisni”?

Nuk isha thjesht kureshtare – isha në një mision. Doja të dija çfarë lloj veprash tërhiqnin botuesit amerikanë dhe nëse puna ime mund të zgjonte interesimin e tyre. Nuk u përpoqa të fsheh ambicien time.

Lexo po ashtu nga Ana Schnabl:
Dikur të këqijtë e Holivudit ishin rusë ose kinezë, tani jemi ne – njerëzit nga Ballkani
Melania Trump nuk shfaq asnjë interes për atdheun e saj, Slloveninë – dhe për këtë jam mirënjohëse

Një përgjigje më ka mbetur në mendje, ngulitur si një ferrë. Erdhi nga një përfaqësues i një prej shtëpive më të mëdha botuese në ShBA. Pasi shpjegova prej nga isha, duke përdorur fjalën kyçe si “republika veriore e ish-Jugosllavisë” dhe “jo një zonë lufte për momentin”, ai ofroi këtë këshillë:

“Mendo për histori dhe për tema specifike për kulturën tënde dhe për historinë e vendit”.

“Pra”, shtova me hezitim, “jo një histori, bie fjala, për një grua që la karrierën në financë, që ndahet nga burri dhe merret me qeramikë”?

“Epo, nëse ajo histori gjithashtu eksploron çështjet kulturore ose historike, atëherë po”.

Ndjeva një thumb të bezdisë, por e falënderova me edukatë dhe u largova. Papritmas, një kafe dhe një cigare ndiheshin si të domosdoshme.

Në vitet që pasuan, fillova ta kuptoj se pse fjalët e tij më acaruan kaq shumë. Ato zbuluan një model – një model që vazhdon të më frustrojë.

Për autorët nga Ballkani, nga kombet e tjera evropiane dhe nga vendet e botës historia dhe kultura e të cilëve janë mister për lexuesit e Amerikës së Veriut, rruga drejt përkthimit në anglisht – dhe botimit nga botues amerikanë apo britanikë – shpesh varet nga përmbushja e një kushti të pashkruar: vepra jonë duhet të paraqesë kontekstin politik ose kulturor të rajonit tonë, ose të paktën të mbështetet në ngjarje kyçe historike. Që të ketë sukses, duhet të ketë vlerë shpjeguese ose ilustruese – në mënyrë ideale, me një dozë didaktike.

“Lexuesit amerikanë kanë nevojë të mësojnë për vendin”, ka thënë botuesi.

Në pamje të parë, kjo pritshmëri duket e padëmshme – madje e arsyeshme. Në fund të fundit, autorët, kudo, përfshirë ata nga Ballkani, reflektojnë mbi rrethanat e tyre të menjëhershme politike dhe kulturore. Letërsia ka qenë gjithmonë një mjet për të pasqyruar, analizuar dhe kritikuar shoqërinë.

Por, nënkuptimi më i thellë i kësaj pritshmërie është më shqetësues. Ajo mbështetet në një besim të heshtur se Ballkani është një vend më pak i vlefshëm – një rajon që përgjithmonë zien me potencialin për tragjedi. Siç e tha botuesi, me sinqeritet: “Të trajtosh diçka problematike nga pikëpamja kulturore ose historike – ose më mirë, traumatike – do të ishte më me interes”.

Me “traumatike” a po imagjinonte ai mizoritë e Luftës së Dytë Botërore apo luftërat jugosllave? Mos po përfytyronte një rajon të zhytur në varfëri, pabarazi dhe tradita patriarkale? Ndoshta ai supozonte se shoqëritë ballkanike janë në mënyrë të veçantë të prira ndaj dhunës apo trishtimit. Ndoshta shpresonte për histori nga zhgënjimi post-socialist, duke ushqyer nocionin se ende po përpunojmë “traumën” e socializmit jugosllav.

Nuk mund ta them me siguri. Ajo që di është kjo: ai nuk do të kishte interes për një version ballkanik të Vitit tim të pushimit dhe relaksimit [My Year of Rest and Relaxation]. Një roman për një protagoniste nga Ballkani – që thjesht është e rraskapitur nga kapitalizmi, e përqendruar te vetja, e zemëruar ose moralisht e paqartë – nuk do të përmbushte kriteret e duhura.

Mjerisht, për të, me shumë gjasë do ta kishte anashkaluar romanin hibrid të shkrimtares sllovene Nataša Kramberger, e cila mori përsipër një fermë në Shtajer të Sllovenisë pas kthimit nga Berlini. Dhe, dyshoj se do t’i interesonin tregimet e shkurtra të kroates Luiza Bouharaoua, të cilat përshkruajnë ankthin dhe gëzimet e brezit të mijëvjeçarit – ndonëse në nuancat e Adriatikut. As poezia e poetes maqedonase Kalia Dimitrova, e cila pëlqen t’i referohet Kaprit dhe Berlinit, por rrallë Shkupit.

Që një vepër nga një autor ballkanik të ketë sukses, protagonisti i saj duhet të jetë viktimë – një viktimë e qartë dhe e padiskutueshme. Botuesit preferojnë histori që nxjerrin dhembshuri, zemërim moral, zemërthyerje ose, në mënyrë ideale, të tria bashkë.

Me pak fjalë, pritet që ne shkrimtarët ballkanikë t’u qasemi temave universale – dhimbjes, tjetërsimit, dashurisë, humbjes – përmes prizmit të ngushtë rajonal. Dhe, ajo lente duhet të përfshijë një kthesë të paparashikueshme ekzotike.

Për të qenë të qartë, Ballkani është një rajon specifik me kompleksitete unike kulturore, politike dhe historike. Shkrimtarët nga ky vend kanë shumëçka për të thënë për këto gjëra, dhe shumë prej tyre e bëjnë këtë në mënyrë të shkëlqyer. Por, nëse përkthimet në anglisht synojnë të zgjerojnë njohuritë për “atë vendin e Ballkanit”, botuesit duhet të jenë të gatshëm të angazhohen për historitë të cilat sfidojnë perceptimet ekzistuese.

Pyetja nuk është nëse shkrimtarët ballkanikë duhet të pasqyrojnë kontekstin e tyre. Shpesh e bëjmë, natyrshëm. Pyetja është nëse botuesit do të dëgjojnë larminë e zërave që dalin nga rajoni – apo do të vazhdojnë të privilegjojnë rrëfimet të cilat me përpikëri i përforcojnë supozimet e tyre.

Në fund të fundit, Ballkani ka shumëçka më shumë sesa traumë, tragjedi apo tregime të përshtatshme për të nxjerrë mësime. Ka edhe thjesht histori të shkruara në mënyrë të jashtëzakonshme për gratë që dikur punonin në financa, që lanë burrat dhe hapën një punishte qeramike. Disa botues nga Amerika e Veriut dhe Britania tashmë i kanë mbështetur plotësisht historitë e tilla, siç tregon çmimi International Booker për Georgi Gospodinovin, dhe në këtë mënyrë kanë përmbushur misionin për të sjellë zërat nga qoshet e ndryshme të botës te një audiencë globale – jo si ambasadorë të gjeografisë së tyre, por si tregimtarë në të drejtën e tyre. Por, shumë të tjerë ende nuk e kanë bërë këtë. /Telegrafi/

 

 

The post Jam shkrimtare nga Ballkani – pse njerëzit supozojnë se di vetëm për luftë dhe tragjedi? appeared first on Telegrafi.

Johnny Depp braktis Cotswolds për një jetë të qetë në East Sussex: zbulohet shtëpia sekrete dhe arsyeja pas zgjedhjes së tij

27 July 2025 at 11:29

Johnny Depp po jeton një jetë të re të qetë në një rezidencë historike në fshatin East Sussex, duke lënë pas Hollywood-in dhe dramat e viteve të fundit.

Aktori 62-vjeçar, i cili së fundmi u përball me një betejë të stuhishme ligjore me ish-bashkëshorten Amber Heard, ka zgjedhur një shtëpi të izoluar dhe të sigurt, të rrethuar nga pemë dhe kopsht klasik anglez, larg vëmendjes së botës së showbiz-it.

Banorët lokalë thonë se Depp është parë duke shëtitur nëpër fshat dhe po e shijon qetësinë e zonës, shkruan DailyMail.

Ai besohet se u lidh me East Sussex gjatë vizitave te miku i tij i ndjerë, Jeff Beck, që jetonte aty.

Shtëpia ku po qëndron aktori përfshin dhjetë dhoma gjumi, një kopsht të fundosur dhe madje edhe një amfiteatër të vogël privat.

Ndryshe nga shumë personazhe të famshëm që zgjedhin The Cotswolds, Depp ka vendosur të qëndrojë larg “elitës së zgjuar”, siç i quan ai disa nga emrat e mëdhenj që dikur e lanë pas dore.

Një burim i afërt tha: “Ai kërkon qetësi dhe njerëz që nuk e gjykojnë për të kaluarën”.

Pavarësisht se po punon për rikthimin e tij si regjisor me filmin e ri Modigliani, Depp e ka bërë të qartë se nuk dëshiron më jetën e vjetër. Siç tha vetë në një intervistë: “Më anuluan, por nuk doja të humbisja vetveten”. /Telegrafi/

The post Johnny Depp braktis Cotswolds për një jetë të qetë në East Sussex: zbulohet shtëpia sekrete dhe arsyeja pas zgjedhjes së tij appeared first on Telegrafi.

Ndërprerje e përditshme e ujit në rrugën “C” në Prishtinë, banorët ankohen për vështirësi në mes të vapës

27 July 2025 at 11:26

Banorët e rrugës “C” në Prishtinë po përballen me mungesë të ujit tash e disa ditë, ndërkohë që temperaturat e larta të verës po e bëjnë edhe më të vështirë përballimin e kësaj situate.

Sipas tyre, ndërprerjet po ndodhin çdo ditë dhe zgjasin për disa orë, shpesh pa asnjë paralajmërim. Ata janë ankuar në redaksinë e Telegrafit, duke shprehur shqetësimin për mungesën e ujit në një periudhë kur nevojat për ujë janë edhe më të mëdha për shkak të vapës.

Banorët thonë se nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, për mungesën e ujit./Telegrafi/

The post Ndërprerje e përditshme e ujit në rrugën “C” në Prishtinë, banorët ankohen për vështirësi në mes të vapës appeared first on Telegrafi.

Refuzuan 170 milionë euro nga City, Chelsea tregon se për sa para e lejojnë largimin e anglezit

27 July 2025 at 11:21

Chelsea ka refuzuar një ofertë prej mbi 170 milionë eurosh për Cole Palmer, të ardhur nga Manchester City, ish-klubi i lojtarit.

Londinezët nuk kanë ndërmend ta lënë të lirë yllin e tyre dhe e kanë ngritur çmimin në një nivel rekord: 250 milionë funte.

Kjo shumë do ta kthente Palmerin në lojtarin më të shtrenjtë në histori, duke kaluar transferimin e Neymar te PSG në vitin 2017, që kushtoi 222 milionë euro. Kërkesa e Chelseat nuk është vetëm strategji negocimi, por edhe një sinjal i qartë i ambicieve të klubit për të ndërtuar një skuadër elitare rreth lojtarëve të vet më të mirë.

Cole Palmer, është kthyer në një figurë kyçe në formacionin e “Blues” që nga transferimi i tij në vitin 2023. Me paraqitje mbresëlënëse, ai ka fituar besimin e tifozëve dhe ka zgjuar interesin e klubeve të mëdha në Evropë.

Këtë sezon, ai ka shkëlqyer si një nga më të mirët në Ligën Premier, me gola, asistime dhe pjekuri në lojë që e dallon nga bashkëmoshatarët. Performanca e tij ka bërë që Chelsea ta konsiderojë të pazëvendësueshëm.

Palmer ka një kontratë afatgjatë me klubin, dhe drejtuesit e Chelseat e shohin si një nga shtyllat mbi të cilat do të ndërtohet projekti afatgjatë i skuadrës. Ata nuk janë të gatshëm ta humbasin për asnjë çmim të zakonshëm.

Ndërkohë, vetë lojtari mbetet i përqendruar në fushë, duke vazhduar me paraqitje në nivele shumë të larta dhe pa u përfshirë në zhurmat e merkatos. /Telegrafi/

The post Refuzuan 170 milionë euro nga City, Chelsea tregon se për sa para e lejojnë largimin e anglezit appeared first on Telegrafi.

❌
❌