Pretendimi: Nëse Toka do të ishte vërtet një top që rrotullohet, aeroplanët nuk do të ishin në gjendje të fluturonin horizontalisht. Pilotët duhet ta anojnë vazhdimisht hundën e aeroplanit për të qëndruar në përputhje me lakimin e Tokës, por nuk e bëjnë këtë.
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————-
Në hapësirat konspiracioniste po qarkullonsërish një nga ‘argumentet’ që përdoret nga konspiracionistët e Tokës së Sheshtë që pretendon se nëse Toka është një sferë, një avion duhet të ulë hundën poshtë herë pas here, ose do të fluturojë në hapësirë.
Në realitet, një avion do të ndjekë lakimin e Tokës dhe nuk do të mundë të fluturojë në hapësirë edhe nëse piloti përpiqet ta bëjë këtë qëllmisht.
Një avion mbështetet në ngritjen nga krahët e tij, gjë që varet nga shpejtësia e aeroplanit dhe dendësia e ajrit. Si pasojë, një aeroplan do të fluturojë në një lartësi konstante, duke ndjekur lakimin e Tokës.
Sa më e madhe të jetë lartësia, aq më e vogël është dendësia e ajrit, dhe për rrjedhojë, aq më e vogël bëhet ngritja e një avioni. Në një moment, ai nuk do të jetë në gjendje të gjenerojë mjaftueshëm ngritje për të kundërvepruar ndaj peshës së tij dhe avioni nuk do mund të ngjitet më lart. Sa më e madhe lartësia, aq më e vogël sasia e oksigjenit. Si pasojë, shtytja e gjeneruar nga motorët do të jetë gjithashtu më e ulët.
Nëse avioni është drejtuar drejt hapësirës, orientimi i tij do të formojë një kënd me drejtimin e peshës së tij. Si rezultat, komponenti i ngritjes që kundërshton gravitetin bëhet gjithashtu më i vogël. Me përjashtim të disa avionëve luftarakë, shtytja e gjeneruar nga motorrët është më e ulët se pesha e avionit. Forca nga shtytja në vetvete nuk do të jetë e mjaftueshme për të çuar avionin në hapësirë.
Avionët komercialë janë projektuar që të kenë stabilitet statik gjatësor. Kur nuk ka udhëzime nga piloti mjeti fluturues do të rivendosë orientimin e tij në lidhje me qendrën e tij të gravitetit.
Për këto arsye, një avion do të ndjekë lakimin e sipërfaqes së Tokës dhe nuk do të fluturojë kurrë në hapësirë.
Fluturimi në hapësirë nuk është aq i lehtë. Nuk do të mund të fluturosh në hapësirë ‘rastësisht’. Ky lloj udhëtimi do të kërkonte një sasi të konsiderueshme energjie dhe është shumë më i shtrenjtë se çdo fluturim komercial.
Shqipëria renditet e fundit në Europë për cilësinë e ujërave bregdetare. Shkaku kryesor? Ujërat e zeza të patrajtuara që derdhen në det, mungesa e impianteve të trajtimit dhe menaxhimi i dobët mjedisor.
Esmeralda Topi
Në fillim të vitit 2023, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, gjatë një konference të posaçme për prezantimin e “Arritjeve, sfidave dhe objektivave të vitit”, shpalosi ambiciet për përmirësimin e cilësisë së ujërave larës në vend.
“Qëllimi është të shkojmë në zero dhe të avancojmë me një procedurë tjetër që është flamuri blu për plazhet. Synohet zerimi i ujërave larës problematikë”,deklaroi ajo, teksa citoi të dhëna nga Agjencia Europiane e Mjedisit.
E njëjta agjensi, një vit më vonë ngre alarmin për cilësinë e ujërave në Shqipëri. Ndryshe nga sa zotohej Kumbaro, Shqipëria renditet e fundit në Europë për cilësinë e ujërave larës.
Burimi: EEA
Këto shifra e vendosin Shqipërinë si vendin me përqindjen më të ulët të cilësisë së shkëlqyer dhe më të lartën për cilësinë e dobët, ndër të gjitha vendet e përfshira në analizë.
“Janë të paktën katër raportet e fundit të Agjencisë Europiane të Mjedisit që tregojnë përkeqësimin e cilësisë së ujërave larës në Shqipëri. Jemi shumë larg flamurit blu. Dhe kjo e dëmton turizmin”, thotë Olsi Nika, drejtues i Eco Albania.
Të fundit në Evropë
Nga 119 pika të monitoruara në vend, vetëm 16% janë klasifikuar me cilësi “shkëlqyer”, duke shënuar rënie dramatike nga 41% një vit më parë dhe shumë larg mesatares së BE-së që është 85.4%. Edhe më shqetësues është fakti se 22.7% e ujërave në Shqipëri kanë cilësi të dobët.
46% e ujërave të monitoruara në vend rezultojnë me cilësi të mirë dhe 11.8% kanë cilësi të mjaftueshme.
Ndërkohë që Ministrja Kumbaro promovon idenë e plazheve me flamur blu, një standard ndërkombëtar që kërkon cilësi të lartë ujore, menaxhim të qëndrueshëm dhe shërbime të plota, të dhënat tregojnë se jemi shumë larg tij.
Agjencia Europiane e Mjedisit thotë se problemi kryesor lidhet me mungesën e investimeve në trajtimin e ujërave të ndotura. Shpeshherë, ujërat e zeza të papërpunuara përfundojnë drejtpërdrejt në det apo lumenj, duke kontaminuar zonat bregdetare që janë kthyer në epiqendra të turizmit masiv.
Po ashtu, raporti nxjerr në pah se reshjet intensive dhe përmbytjet e herëpashershme mund të shtojnë ndjeshëm ndotjen nga rrjetet e kanalizimeve.
Ndaj për vendet me renditje të dobët, si Shqipëria, Agjencia Europiane e Mjedisit rekomandon masa urgjente duke përfshirë ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza, forcimin e monitorimit sezonal dhe përfshirjen aktive të komuniteteve lokale në kontrollin dhe mbrojtjen e mjedisit.
Përfundim
Nisur nga të dhënat e mbledhura, deklaratën e ministres Mirela Kumbaro për zerimin e ujërave larës problematikë në Shqipëri, e kategorizojmë të pavërtetë.
Pretendimi: Forcat ruse kanë kapur dërgesën më të madhe të adrenokromit në histori në bazën detare Tartus të Sirisë, rafinuar nga gjaku i 10,000 fëmijëve, porositur për elitën
Verdikti: E paprovuar
————————————————————
Në rrjetet konspiracioniste po qarkullonpretendimi i pazakontë se Rusia ka kapur dërgesën më të madhe të adrenokromit në histori në bazën detare Tartus në Siri. Pretendohet se kjo ngarkesë “ishte rafinuar nga gjaku i 10,000 fëmijëve” dhe ishte “për elitën e Hollivudit.”
Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk përmban ndonjë referencë apo ndonjë burim për të mbështetur pretendimin e jashtëzakonshëm.
Postimi duket se i referohet një artikulli të botuar më 22 nëntor 2024 në portalin amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch.
Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.
Në brendinë e tij, artikulli nuk përmban asnjë referencë apo burim që mbështet pretendimet e tij të çuditshme. Autori mjaftohet duke thënë: “Sipas raportimeve, një avion privat i regjistruar në Izrael u sekuestrua brenda Krimesë ruse më 17 nëntor, me dhjetëra fëmijë të traumatizuar që mbaheshin robër në kushte të tmerrshme.” Cilat rapotime, nga cilat burime? Artikulli nuk na tregon.
Në të njejtën mënyrë, duke mos ofruar asnjë provë apo burim veçse “njerëzve të brendshëm” anonimë, The People’s Voice ka botuar një numërartikujsh me pretendime të pazakonta.
Narrativa e trafikimit të fëmijëve për t’u nxjerrë adrenokromin që përdoret nga elitat për të zgjatur jetën dhe rininë e tyre u shfaq për herë të parë në 2017 në ShBA, si pjesë e teorisë konspirative QAnon. Kjo teori përshkruan presidentin amerikan Donald Trump si një hero i vetëm që po luftonte një kabal elitash që ishin pedofilë dhe vrasës fëmijësh. QAnon premtonte se këta komplotistë do të ekspozoheshin dhe ndëshkoheshin së shpejti në një “stuhi” që po vinte.
Një variant i hershëm i kësaj teorie konspiracioni, Pizzagate, pretendon se pjesëtarët e Partisë Demokrate të ShBA dhe disa restorante amerikanë ishin të përfshirë në një ring trafikimi fëmijësh dhe pedofilie. Ndikuar nga kjo teori, në 4 dhjetor 2016, një burrë nga North Carolina shkoi në picerinë Comet Ping Pong dhe shtiu me armë.
Sa i përket adrenokromit, kjo substancë prodhohet nga oksidimi i adrenalinës. Ajo është studiuar në vitet 1950-70, por sot nuk ka asnjë përdorim mjekësor. Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) nuk e ka aprovuar përdorimin e adrenokromit. Mbi të gjitha, nëse një kabal elitash do ta donte gjithsesi këtë substancë të deklaruar të padobishme nga shkenca, nuk do t’i duhej të rrëmbenin fëmijë nëpër tunele nëntokësore për ta përftuar atë. Adrenokromi mund të krijohet në laborator, madje mund të blihet në internet lehtësisht.
Joseph A. Schwarcz, drejtori i Zyrës për Shkencën dhe Shoqërinë në Universitetin McGill, shkruan se teoria konspirative e adrenokromit ka ngjyrime anti-Semite, duke cituar një histori të gjatë të akuzave se hebrenjtë përdorin gjakun e fëmijëve të krishterë në ritualet e tyre fetare. Këto akuza kanë shërbyer historikisht për të justifikuar dhe nxitur persekutimin e hebrenjve në Europë.
Sipas Kongresit Botëror Hebraik, “ky mit konspiracioni është në thelb antisemitik, pasi akuzon figura të shquara hebraike si Rothschildët dhe George Soros – përveç të tjerëve që përkrahësit e mitit gabimisht besojnë se janë hebrenj, si Bill Gates – se janë orkestruesit e lëvizjes për të torturuar fëmijët. Mohimi, shtrembërimi dhe banalizimi i Holokaustit janë të pranishme edhe në gjuhë.”
Ironikisht, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për Presidentin rus Vladimir Putin më 17 mars 2023, për rrëmbimin e fëmijëve nga Ukraina.
Pretendimi: Hakerat rusë kanë hyrë në serverin e forcave të armatosura ukrainase dhe kanë zbuluar aty se Ukraina ka humbur 1.7 milionë ushtarë
Verdikti: E paprovuar
————————————————
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se hakerë rusë hynë në bazën e të dhënave të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ukrainase dhe morën informacion në lidhje me 1.7 milionë ushtarë ukrainas të vdekur dhe të zhdukur nga viti 2022 deri në 2025.
Versioni më i hershëm i pretendimit erdhi nga Mash, një kanal i njohur rus në Telegram që u identifikua nga raporti i BE për kërcënimin e dezinformimit të vitit 2025 si “i lidhur me shtetin”, që do të thotë se vepron “nën mbikëqyrjen e shtetit pa zbuluar publikisht lidhjen mes tyre.”
Mesazhi përdori formulimin zyrtar të Kremlinit për konfliktin, duke iu referuar si një “operacion ushtarak special” në vend të “luftës” ose “pushtimit.”
Llogaritë pro-ruse që më parë ishin raportuar si përhapëse të informacionit të rremë gjithashtu e qarkulluan këtë pretendim. Rrjeti i faqeve të internetit pro-Kremlinit Pravda, i njohur për përhapjen e keqinformimit, gjithashtu e përforcoi thashethemin. Së fundmi, mediat shtetërore ruse, disa prej të cilave janë të bllokuara në Bashkimin Evropian, të tilla si RT (më parë Russia Today), Gazeta.ru dhe RIA Novosti, gjithashtu e përhapën thashethemin, me këtë të fundit që pretendonte se kishte marrë konfirmim direkt nga grupi i hakerëve.
Ne nuk gjetëm asnjë informacion të besueshëm në lidhje me grupin Palach Pro të përmendur në postim. Një kërkim në Google nuk nxori asnjë raport të aktivitetit të tyre para 20 gushtit 2025, kur filloi të qarkullonte pretendimi për viktimat ukrainase.
Qendra për Luftën ndaj Dezinformimit, pjesë e Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, e kundërshtoi lajmin në Telegram dhe Facebook, duke shkruar: “Në fakt, është një mashtrim absolutisht absurd, sepse Ukraina nuk ka pasur kurrë një ushtri të rregullt prej 1.7 milion njerëzish gjatë viteve të pavarësisë.”
Ajo argumentoi se forcat e armatosura të Ukrainës numërojnë më pak se 900 mijë dhe se 1.7 milion ushtarë të vdekur ose të zhdukur do të tejkalonin tërë madhësinë e forcës. “Qëllimi i këtij mashtrimi është të demoralizojë ukrainasit, të bindë botën për ‘shterimin dhe joefikasitetin e Forcave të Armatosura të Ukrainës’ dhe të dobësojë mbështetjen e saj ndërkombëtare,” përfundoi postimi i Qendrës.
Qendra Ukrainase për Komunikime Strategjike dhe Siguri Informacioni gjithashtu e kundërshtoi pretendimin, duke shkruar “është një trillim që synon demoralizimin e ukrainasve,” duke theksuar “propaganda ruse përhap këtë lajm të rremë” edhe pse “nuk ofrohen prova.”
“Lajmi i rremë bazohet në modelin e zakonshëm: një figurë e sajuar mbështetet me dokumente të rastësishme për të krijuar ‘iluzionin e së vërtetës,” shkruhej në postim.
Petro Andryushchenko, kreu i Qendrës për Studimin e Pushtimit, komentoi në Telegram se Ukraina është “në epiqendrën e një sulmi të ri të madh informativ nga rusët.” Ai vuri më tej në dukje se ndërsa pretendimi është “thjesht i rremë, sepse thjesht nuk kishim aq shumë njerëz në ushtri,” ka “ndoshta disa dokumente të tjera të vërteta” që grupi i hakerëve i ka marrë dhe “këto dokumente do të përdoren për të legjitimuar gënjeshtrën.”
Në raportimet e luftës, termi “viktima” nuk nënkupton vetëm vdekjet, pasi përfshin ushtarët që janë vrarë, plagosur, zhdukur ose kapur rob. Ukraina nuk publikon shifra zyrtare të viktimave dhe vlerësimet e besueshme të pavarura janë të kufizuara. Megjithatë, vlerësimet e disponueshme i vendosin humbjet ukrainase shumë më poshtë se 1.7 milion të pretenduara në sulmin e dyshuar kibernetik.
“Që kur Federata Ruse nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës, HRMMU ka dokumentuar vdekjen e të paktën 13,883 civilëve, përfshirë 726 fëmijë, dhe 35,548 të plagosurve, përfshirë 2,234 fëmijë,” deklaroi një njoftim për shtyp i Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut më 13 gusht 2025.
Në shkurt 2025, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në një intervistë për NBC News se 46 mijë ushtarë ukrainas ishin vrarë dhe më shumë se 390 mijë ishin plagosur që nga fillimi i luftës. Një raport i qershorit 2025 nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare vlerësoi midis 60 mijë dhe 100 mijë ushtarë ukrainas të vrarë, me një total prej 400 mijë viktimash, dhe deri në 250 mijë ushtarë rusë të vrarë si pjesë e 950 mijë viktimave totale ruse.
Postimi në Facebook, në mënyrë tipike, drejton lexuesit kureshtarë drejt një lidhjeje në komente për të zbuluar çfarë ndodh pas këtij zbulimi.
Po në mënyrë tipike, në brendinë e tij, artikulli i shkruar me një shqipe të çalë e ridrejton lexuesin tek një video 10-minutëshe në Youtube.
Video pretendon se një burrë i quajtur Simon Marku kishte gjetur një bunker të Luftës së Dytë Botërore në oborrin e shtëpisë.
Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se kjo ngjarje nuk i ka ndodhur një shqiptari të quajtur Simon Marku, por një anglezi të quajtur Simon Marks.
Sipas mediavevendase, në 2016, Simon Marks nga Luton zbuloi atë që mendohet të jetë një strehë kundërajrore nën oborrin e tij, pasi rrota e makinës së tij ngeci në një gropë.
Një udhëtim mes natyrës së bekuar dhe sfidave të turizmit shqiptar.
Nga Esmeralda Topi dhe Atdhe Mulla
Mëngjesi i 25 gushtit na gjeti në rrugë. Nga Tirana morëm drejtimin për në jug, me synimin për të parë nga afër ecurinë e një sezoni turistik që nisi me pritshmëri të mëdha, por që nuk arriti të kthehej në “bumin” e shumëpërfolur.
Rruga drejt Himarës zgjati rreth tre orë e gjysmë. Për fatin tonë të mirë, zgjimi i hershëm na kurseu trafikun, madje edhe në autostradën Tiranë–Durrës, e cila prej muajsh është kthyer në një makth udhëtimi për shkak të punimeve.
Në hyrje të Vlorës, tek rrethrrotullimi i njohur si “Kulaçi”, disa pika shiu na e prishën humorin për pak çaste. Por ndërsa iu afruam ujit të ftohtë, dielli doli sërish. Plazhet përbri shëtitores së Vlorës ishin thuajse bosh, me ndonjë pushues të rrallë.
Vlorë, 25 gusht 2025Vlorë, 25 gusht 2025Vlorë, 25 gusht 2025
Në Radhimë, dielli përvëlonte si në mes të korrikut, por as aty nuk kishte shumë njerëz. Pamja e rrugës na përforconte mendimin se këtë vit, Shqipëria nuk po përjetonte asnjë bum. Këtë përshtypje e konfirmonin edhe të dhënat zyrtare. Sipas INSTAT, në korrik, kulmin e sezonit veror, numri i turistëve të huaj ishte rritur me vetëm 0.4 për qind, ndërsa vizitorët gjithsej me 1.5 për qind krahasuar me një vit më parë. Një rritje e papërfillshme.
Nga Llogaraja në Himarë
Rrugës për në tunelin e Llogarasë, një tabelë blu shkaktoi të qeshura në makinën tone: Green Coast 13 km, Mykonos 598 km, Bodrum 773 km, Ibiza 1,531 km. I them grupit me shaka:
“Të gjitha këto kanë të përbashkët çmimet e kripura”
Pak minuta më vonë, pasi kaluam tunelin ende pa pagesë, u gjendëm mbi Palasë. Pamja e Jonit ishte mbresëlënëse dhe na shoqëroi deri në Himarë, destinacionin final. Ndryshe nga Vlora, Himara gumëzhinte. Plazhi ishin mbushur me njerëz, vendas e të huaj, duke i dhënë një frymëmarrje ndryshe qytetit.
Himarë, 25 gusht 2025Himarë, 25 gusht 2025Himarë, 25 gusht 2025Himarë, 25 gusht 2025
U ulëm në një lokal modest, buzë plazhit publik. Porosia ishte e thjeshtë: një birrë dhe një kafe e ftohtë. Çmimi? 650 lekë. Deri këtu asgjë e çuditshme, por kur kërkova faturën, kamarieri, një djalë i sjellshëm, u zu ngushtë. “Nuk e kemi ndezur ende…”, tha gjithë siklet.
Himarë, 25 Gusht 2025Himarë, 25 Gusht 2025Himarë, 25 Gusht 2025
Këmbëngula dhe pas pak solli një fletë të shkruar me dorë. M’u kujtua menjëherë skena e famshme e faturës së rigonit që Muçi ia kërkonte Bardhës.
Himara nuk është Dhërmiu
Në Himarë çmimet varionin. Një natë në hotele kushtonte nga 5,000 mijë deri në 50,000 mijë lekë, ndërsa çadrat me dy shezlongë nga 1,000 deri në 2,000 mijë lekë. Restorantet buzë shëtitores kishin çmime të ngjashme me Tiranën, larg “faturave fantazmë” që qarkullojnë në rrjete sociale. Dhe himariotët këmbëngulnin se
“Himara nuk është Dhërmiu!”
Himarë, 25 gusht 2025Himarë, 25 gusht 2025
Megjithatë, edhe ata pranonin se ky vit kisht një rënie të dukshme.
Himarë, 25 gusht 2025Himarë, 25 gusht 2025Himarë, 25 gusht 2025
Në një market të vogël, bleva një shishe ujë për 50 lekë. Me kupon. Se fsheha habinë ndaj pronarja m’u përgjigj me humor: Shikoji të gjitha çmimet… i kam si në Tiranë. Nuk je në Dhërmi këtu!
Himarë, 25 gusht 2025Himarë, 25 gusht 2025
“Hoteli është plot, por restoranti nuk ka konsum si vitin e kaluar. Ka rënie me të paktën 20 për qind”, pohoi menaxherja e një hoteli në Potam.
Shqiptarët e varur nga “sponsorët”
Pushuesit vendas ankoheshin për çmime të papërballueshme. Një pensionist nga Elbasani, që pushonte me familjen në Potam, tha me humor:
“Për shqiptarët është shumë e shtrenjtë. Kam ardhur me sponsor, se vetë s’doja ta përballoja dot. Kush është sponsori? Baxhanaku!”, dhe qeshi me të madhe.
Himarë, 25 gusht 2025Himarë, 25 gusht 2025Himarë, 25 gusht 2025
Edhe turistët e huaj ndanin të njëjtin këndvështrim. Një spanjolle që po qëndronte dy javë nga veriu në jug e përshkruante Shqipërinë për nga çmimet si vend “pak a shumë sa Spanja”.
“Jo shumë e lirë për ne, është një vend për t’u zbuluar. Çmimet janë të ngjashme me Spanjën”, pohoi ajo, teksa shtoi se Shqipëria mbetet gjithsesi një vend për tu rekomanduar.
Himarë, 25 gusht 2025Himarë, 25 gusht 2025
Dy vajza amerikane, në ditën e parë të pushimeve të tyre, mendonin ndryshe. “Jemi për herë të parë në Shqipëri. E kemi parë në TikTok e Instagram.Ne po bëjmë një udhëtim nëpër botë në kërkim të një përvoje të lirë. Dhe Shqipëria ishte në listën e Ballkanit. Pastaj bëmë kërkimet tona dhe Shqipëria dukej shumë e lirë dhe e bukur”
Vajzat kishin ardhur në Shqipëri pas një jave pushim në vendet baltike dhe skandinave.
“Krahasuar me ato vende që ishin goxha të shtrenjta, këtu është më lirë. Edhe krahasuar me SHBA-të”, thanë njëzëri.
Turizmi është si ullinjtë
Në oborrin e një hoteli familjar në Himarë, nën hijen e ullinjve, takova vëllezërit Neranxi bashkë me nënën e tyre. Prej 20 vitesh ata e kishin ngritur me mund hotelin “George”. Arturi, vëllai më i madh i familjes e sheh turizmin si punë afatgjatë.
“Unë personalisht jam në të njëjtat nivele, por mundohem me mish e shpirt. Unë nuk shoh të marr lekun e të ikësh, unë investoj tek klienti që ti lë shije të mirë në mënyrë që nëse do rikthehet në Himarë të vijë patjetër këtu” . Vëllai i tij shtoi një krahasim të goditur.
“Turizmi është si ullinjtë, një vit jep prodhim, një vit jo. Kështu është dhe turizmi sepse njerëzit qarkullojnë”
Rënia e turizmit këtë vit, sipas tyre, nuk e ka zanafillën tek çmimet e larta të jugut. Ata besojnë se Shqipëria është bërë më e shtrenjtë në tërësi.
Himarë, 25 gusht 2025
“Jetesa në Shqipëri është shtrenjtuar”, argumenton Turi.
Dhe kjo është e vërtetë, mendoja teksa bisedoja me ta, familjarë të përkushtuar pas një industrie që siç edhe vetë e pranonin është ende në fillesa.
“Problemet që kemi ne si industri turistike ishin dhe vjet dhe do të jenë edhe vitin tjetër. Ne jemi në fillim të turizmit masiv, nuk kemi përvojë, as traditë në turizëm siç mund të kenë komshinjtë tanë”, vijon me tej Arturi, duke pranuar edhe abuzimet që ndodhin në jug.
“Nëse një dhomë ofron kushte për 70 euro, nuk ke pse e shet 90 sepse të gjithë e shesin 90. Kjo është pjesa e abuzimit”, shton ai.
Në fund, Arturi thotë se industria turistike në Shqipëri duhet të përqendrohet tek pushuesi vendas.
“Këshilla ime është që të investojmë tek shqiptarët. Këtu e kam fjalën edhe për ata të Kosovës, për emigrantët. Turistët shqiptarë kanë një karakteristikë që shumë pak e kanë kuptuar: Janë të vetmit që mund të të vijnë dhe dy herë brenda një sezoni. Edhe tre herë”
Kosova nuk është më “garanci”
Zak Topuzi që drejton “Shoqatën Shqiptare të Turizmit” kujton se Kosova ka qenë për vite burimi kryesor i turistëve. Por tashmë, sipas tij, “Kosova nuk është më treg i garantuar. Liria e lëvizjes ka sjellë liri zgjedhjeje, dhe kosovarët po zgjedhin përvojën më të mirë, shpesh Greqinë”.
“Një faktor kyç që po ndikon në këtë zhvendosje është fuqia konkurruese e ofertave turistike rajonale në euro. Zhvlerësimi i euros me 27% (krahasuar me lekun) ka rritur ndjeshëm koston e paketave shqiptare. Në Greqi, për të njëjtin çmim, një familje kosovare mund të marrë shërbime të standardizuara, resort të mirë organizuar, vila me kapacitete të kufizuara dhe privatësi të garantuar”, argumenton Topuzi.
Ndërsa, ekonomisti Artan Gjergji shton se filozofia ‘kap çfarë të kapësh’ nuk është e qëndrueshme.
“Mekanizmi i tregut është i pamëshirshëm. Nuk ka dënim më të madh për një biznes se sa ndryshimi i sjelljes dhe preferencës së klientëve si pasojë e abuzimit. Duhet reflektim në mendësi para se të jetë shumë vonë”
Sipas tij, çmimet shpesh nuk rriten drejtpërdrejt në vlerë nominale, por në mënyrë të tërthortë, duke abuzuar me sasinë e produktit.
“Një pica e mesme shitet me çmimin e një pice familjare, ndërsa pica më e vogël ofrohet si standarde. Po kështu, sasia e një sufllaqeje 270 lekëshe në Tiranë është e barabartë me dy sufllaqe 350 lekëshe në Shëngjin, Durrës, apo edhe më keq në Vlorë e Sarandë”
Edhe Irena Beqiraj, eksperte për ekonominë dhe financat e sheh çështjen përmes logjikës ekonomike.
“Turizmi kërkon infrastrukturë që përdoret vetëm në verë. Investimet që shfrytëzohen tre muaj në vit kanë presion të madh tek çmimet. Për më tepër, Shqipëria importon shumicën e produkteve, dhe ky model nuk mund të mos shoqërohet me inflacion”
***
Rruga e kthimit nga Himara na la me një mendim të vetëm: Shqipëria është e bekuar me natyrë, por turizmi nuk bëhet vetëm me det e me diell përvëlues. Turizmi kërkon respekt për pushuesin, mendje të kthjellët për të ardhmen dhe vizion përtej verës.
Nuk mjafton të hapësh dyert, nëse nuk di të mbash miqtë brenda.
Pretendimi: Imane Khelif është tërhequr nga karriera e boksit
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————
Një numër mediashshqipfolëse kanë raportuar se boksierja algjeriane Imane Khelif i ka dhënë fund karrierës duke u tërhequr nga boksi pas akuzave se “është burrë”.
Lajmi për tërheqjen e Imane Khelif nga boksi qarkulloi më 20 gusht, kur ish-menaxheri i saj, Nasser Yesfah, deklaroi në një intervistë me gazetën franceze Nice Matin se “Imane jo vetëm që është larguar nga Nice , por edhe nga bota e boksit.”
Po atë ditë, pak pasi u botua artikulli, Imane Khelif publikoi një postim në faqen e saj në Facebook, duke deklaruar: “Lajmi për tërheqjen time nga boksi nuk është i vërtetë, por bazohet vetëm në deklaratat e bëra nga ata që nuk më përfaqësojnë më në asnjë mënyrë.”
Statusi i Khelif
Boksierja algjeriane shkroi se nuk e kishte njoftuar kurrë tërheqjen e saj nga boksi dhe se po stërvitet rregullisht midis Algjerisë dhe Katarit në përgatitje për ngjarjet e ardhshme sportive.
“Thashetheme të tilla përhapen vetëm për të prishur dhe fyer karrierën time atletike dhe profesionale. Do të mbetem gjithmonë besnike ndaj sportit të boksit dhe atdheut tim,” përfundoi Khelif.
Prej Lojërave Olimpike të Parisit në 2024, Imane Khelif është bërë shënjestër e lajmeve të rreme. Këto pretendime të nxjerra nga konteksti qarkullojnë edhe në mediat shqipfolëse dhe janë verifikuar më parë nga Faktoje si të pabaza.
Pretendimi: Gazetari shqiptar Artur Zheji mohoi sëmundjen pak para se të ndërronte jetë
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————–
Në vazhdën e lajmeve për vdekjen e papritur të gazetarit shqiptar Artur Zheji më 23 gusht 2025, një artikull i Gazeta Dita pretendon se ky i fundit kishte “bërë një ndërhyrje kirurgjikale në Gjermani disa muaj më parë. Por ai i mohoi lajmet se ishte sëmurë.”
Në brendinë e tij , artikulli citon një intervistë ku Zheji “ka pohuar se ndodhet në Sarandë me familjen dhe se lajmet që qarkullojnë për semundjen e tij të janë si “puçrrat që u dalin fëmijëve nga djersa e vapës”. Ai pranoi se ka kryer një ndërhyrje të lehtë kirurgjikale në Gjermani, por sipas tij këto tre muaj ka preferuar të kujdeset për vetën, duke hequr “prizat’ nga zhvillimet e përditshme.”
Megjithatë, një kërkim i tekstit të intervistës së cituar shpejt zbulon se “operacioni në Gjermani dhe mohimi i sëmundjes” nuk ka ndodhur së fundmi, por mbi 6 vite më parë.
“Këto dy tre muajt e fundit, u kujdesa për shëndetin, më me vëmëndje se më parë, pasi bëra një ndërhyrje kirurgjikale të lehtë dhe të shpejtë, në Gjermaninë e bekuar nga Zoti.
Porse fill pas kësaj, kam parapëlqyer të heq “prizat”, nga e përditshmja mediatike dhe politike shqiptare, për të ulur stresin dhe kotësinë e rënies në kurthin e lajmeve të verës, që shpesh janë të ngjashme me puçrrat që u dalin fëmijëve nga djersa e vapës.”
Pretendimi: Gazetari shqiptar Artur Zheji nuk vdiq nga zemra, por nga vaksinat
Verdikti: E paprovuar
———————————————
Gjatë viteve të fundit grupet anti-vaksinë shfrytëzojnë vdekjen e kujtdo për të pretenduar se shkaku është e ashtuquajtura ‘vraksina’ anti-Covid. Viktima më e fundit e kësaj teorie është publicisti shqiptar Artur Zheji, i cili ndërroi jetë më 23 gusht 2025.
Kështu, një artikull i portalit Patriotik Media Albania parashtron pretendimin e jashtëzakonshëm se Zheji, në të vërtetë, nuk ka vdekur nga një arrest kardiak, siç u raportua, por nga “vaksinat dhe nga sistemi që fsheh të vërtetën.”
Ajo që sillet si ‘provë’ për këtë pretendim është fakti se Zheji “e ka pranuar se kishte bërë një numër të madh vaksinash,” duke e shoqëruar këtë pretendim me një citim të shkëputur nga një pyetje apo koment të Zhejit, ku kërkohet më shumë transparencë, gjatë një emisioni televiziv.Artikulli nuk sqaron se cilat vaksina, dhe nuk provon asnjë lidhje mes vaksinave, të pakta apo të shumta, dhe vdekjes.
Artikulli pretendon se “Zheji ishte i ekspozuar ndaj pasojave të vaksinave që, sipas studimeve ndërkombëtare, mund të shkaktojnë dëmtime kardiovaskulare edhe tek personat që më parë nuk kishin sëmundje të zemrës.” Megjithatë, “studimet ndërkombëtare” në fjalë nuk citohen.
Artikulli ngre dyshime mbi versionin zyrtar të atakut kardiak, duke pretenduar se Artur Zhehi nuk kishte histori sëmundjesh të zemrës. Përkundër këtij pretendimi, publicisti i ndjerë kishte deklaruar edhe publikisht kryerjen e një ndërhyrjeje në Gjermani në vitin 2019, pra përpara shpërthimit të Covid-19 dhe fushatave të vaksinimit, dhe që prej këtij momenti ishte këshilluar nga mjekët që të kryente sa më shumë aktivitet sportiv.
Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, rreziku (i panjohur) nga miokarditi dhe perikarditi pas marrjes së vaksinës anti-Covid ekziston kryesisht tek meshkujt adoleshentë dhe të rinj. Kur vdiq, Zheji ishte 63 vjeç.
Ai nuk i ka fillesat si Rama. Dhe sa duket as të ardhmen politike. Nga 10 shkurti i këtij viti, ai ndodhet në arrest me burg.
SPAK dyshon se kryebashkiaku Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, kanë përfituar pasuri personale nga fonde publike. Skema përfshin favorizim të kompanive private për tendera dhe leje ndërtimi.
Qysh prej muajit shkurt, në zyrat e Bashkisë Tiranë ka pasur lëvizje në nivel drejtorësh deri në nivel nënkryetarësh ku kryeministri Edi Rama ka përqendruar ndjeshëm ndikimin e tij
Lëvizja e fundit ishte në fund të muajit korrik, ku nëpërmjet një VKM të miratuar nga qeveria, Tirana dhe njësitë e tjera vendore nuk do të kenë më të drejtë të japin leje ndërtimi për pallate mbi 6 kate.
Kjo kompetencë i kaloi ekskluzivisht Këshillit Kombëtar të Territorit, i drejtuar nga Kryeministri, Edi Rama.
Lejet e ndërtimit
Por sa leje ndertimi u dhanë gjashtëmujorin e parë të këtij viti nga Bashkia Tiranë, kur arrestimi i Veliajt u bë në muajin shkurt?
Faktoje.al iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë duke marrë si referencë kohore zgjedhjet lokale 2023, vitin 2024 dhe gjashtëmujorin e parë Janar-Qershor 2025
Përgjigja
Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit e kryeqytetit informoi për Faktoje.al se në vitin 2023 Bashkia e Tiranës dha 53 leje ndërtimi mbi 6 kate për godina banimi dhe shërbimi, në vitin 2024 numri ra në 44 dhe në gjashtëmujorin e parë të 2025 (Janar-Qershor) vetëm në 9 leje.
Firma
Në bazë të Ligjit nr. 107/2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit” i ndryshuar dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, kryetari i bashkisë ishte përgjegjës (deri kur qeveria ndryshoi firmën) për vendimmarrjen lidhur me aplikimet për leje të ndërtimit në territorin administrativ të bashkisë.
Nuk dihen datat konkrete se kur janë dhënë 9 lejet e ndërtimit (mbi 6 kate) këtë gjashmëmujor, por me arrestimin e Erion Veliajt, procesi duket se ka hyrë në ngërç.
Tani që firma ka kaluar në duart e Edi Ramës, mbetet për t’u parë nëse ky trend rënës do të vazhdojë, apo vendimi i qeverisë synon pikërisht të zhbllokojë lejet e mbetura pezull. Eksperienca e deritashme ka folur më shumë për këtë të fundit…
Pretendimi: Zonja e parë e ShBA Melania Trump është mbesa e Anastasia Romanov, një nga vajzat e carit të fundit rus Nikolla II Romanov
Verdikti: E paprovuar
———————————————
Në hapësirat konspiracioniste online po qarkullon pretendimi i pazakontë se Anastasia Romanov, vajza më e vogël e carit të fundit rus është gjyshja e zonjës së parë së ShBA Melania Trump.
Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk përmban ndonjë referencë apo ndonjë burim për të mbështetur pretendimin e jashtëzakonshëm.
Pas Revolucionit Rus të vitit 1917, Nikolla II u rrëzua nga froni dhe më 17 korrik 1918, u vra së bashku me gruan, katër vajzat dhe djalin e tij nga mbështetësit e bolshevikëve. Kjo i dha fund dinastisë Romanov dhe Rusia nuk ka patur më një familje mbretërore që atëherë.
Menjëherë pas ekzekutimit, qarkulluan thashetheme se Anastasia kishte mbijetuar mrekullisht. Në 1920, një grua u shfaq në Berlin, më vonë e quajtur Anna Anderson. Disa besonin se gruaja mund të kishte qenë Anastasia. Megjithatë, testet e ADN që atëherë kanë përjashtuar mundësinë që kjo grua të ishte Anastasia.
Anastasia ishte 17 vjeç në kohën e ekzekutimit të saj. Ajo nuk ishte ende e martuar dhe nuk ka të dhëna për ndonjë fëmijë që mund të ketë pasur.
Sa i përket gjasave që vajza e re t’i ketë mbijetuar ekzekutimit të familjes së saj, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, trupat e Romanovëve u zhvarrosën në vitin 1991.
Fillimisht, në varr u gjetën vetëm eshtrat e carit, gruas së tij dhe tre fëmijëve (Olga, Tatiana dhe Maria ose Anastasia). Kjo ringjalli thashethemet se Anastasia me të vërtetë i kishte mbijetuar ekzekutimit.
Megjithatë, në 2007, dy trupa të tjerë u gjetën në një varr aty pranë, që më vonë u zbulua se ishin Alexei dhe vajza e katërt. Testet e ADN më vonë konfirmuan se këta ishin vërtet Romanovët.
Prindërit e Melania Trump kanë lindur në vitet 1944 dhe 1945. Postimi nuk specifikon nëse Anastasia Romanov pretendohet të jetë gjyshja e Melania Trump nga nëna apo nga babai. Megjithatë, duke qenë se ajo vdiq në 1918, vështirë se mund të ketë qenë nëna e ndonjërit prej prindërve të Melania. Gjyshja e Melania Trump nga nëna është Amalia Ulčnik (mbiemri i vajzërisë Gliha), sipas shtypit slloven. Gjyshja e saj nga babai është Antonija Ribi.
Nga Sebi Alla Në një proces mëse të mirëorganizuar, një prodhues vendas i madh, tetë subjekte import- shpërndarje me shumicë dhe dyshimi i arsyeshëm për përcaktim çmimesh dhe cilësie, kanë kthyer 3069 farmaci të licensuara në të gjithë vendin si shitore të produkteve të diktuara nga grosistët e barnave.
Krahas dominimit të tregut nga subjekte të mëdha prodhuese dhe tregtuese, ekspertët e fushës ngrenë shqetësimin e rënies së cilësisë së medikamenteve, jo vetëm atyre të rimbursueshme por edhe atyre që tregtohen në farmacitë e hapura.
“Tregu shqiptar i farmacive të rrjetit të hapur, por zhytet nën kthetrën e monopolizimit”, thotë për Faktoje.al, ish-presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma.
Edhe vetë institucionet shtetërore e konstatojnë monopolizimin e tregut në përcaktimin e çmimit dhe llojeve të medikamenteve, duke ua lënë në duar pak subjekteve një proces zinxhir prodhim dhe tregtim shumicë-pakicë.
“Çmimi i barnave në tregun farmaceutik nuk është element konkurrues pasi fiksimi i tij për të paktën një periudhe 6 mujore dhe përcaktimi i tij në pullën e kontrollit e bën atë të pandryshueshëm, duke sjellë kufizim të konkurrencës me çmimet e produkteve në tregun farmaceutik nga aktorët e këtij tregu”. Me këtë përfundin arrin Autoriteti i Konkurrencës pas një hetimi të gjatë, duke dalë me një raport përfundimtar (i fundit) në tetor të vitit 2022.
Kontrolli i plotë çmim-produkt!
“Në Shqipëri janë 3069 farmaci të licencuara; importues dhe shpërndarës në tregun farmaceutik (Tregtimi me shumicë i barnave) janë 233 licenca; Prodhuese në sektorin farmaceutik (Prodhimi i barnave) janë 10 licenca dhe farmaci spitalore (Shërbime spitalore), janë 27 licenca”, thotë QKB (Qendra Kombëtare e Biznesit), për Faktoje.al.
Edhe pse janë dhënë 233 licensa për subjekte të tregtim me shumicë të barnave, numri real i tyre është shumë më i vogël.
Nga një hetim i Autoritetit të Konkurrencës, rezulton se në vitin 2022 ishin 13 kompani të mëdha farmaceutike.
Ndërkohë nga verifikimet e Faktoje.al dhe pas përpunimit të të dhënave që vijnë edhe nga hetimi i Autoritetit të Konkurrencës, rezulton se aktualisht janë vetëm tetë subjekte të mëdha të cilët kontrollojnë tregun, por pasi hapin filiale me emra të tjerë tregtarë, “mbulojnë” aktivitetin e tyre, ç’ka japin ‘de jure” idenë se në vend ka shumë kompani tregtimi me shumicë.
“Në tregun farmaceutik kemi një shtresëzim të tillë; import-shpërndarje një kategori dhe prodhues një kategori tjetër, por produktet e të dy kategorive, shpërndarjen tek qytetari e realizojnë përmes farmacive të rrjetit të hapur. Fundi i hinkës është farmacia e rrjetit të hapur. Një pjesë nëpërmjet tenderave shkon në spitale, dhe një pjesë tjetër lëvrohet për qytetarët në farmaci”, thotë Toma.
Subjektet e mëdha prodhuese
Faktoje.al iu referua hetimit të Autoritetit të Konkurrencës i cili në një analizë të detajuar qartësisht dallon vetëm një kompani prodhuese barnash vendase, Profarma dhe tetë kompani të tjera tregtuese.
QKB ka të regjistruar 10 subjekte prodhuese, por Diana Toma saktëson se “vetëm një kompani është prodhuese barnash, (Profarma), ndërsa kompanitë e tjera prodhojnë produkte teknike mjekësore ose produkte parafarmeceutike”.
Autoriteti i Konkurrencës në të njëjtin raport (tetor 2022 i fundit) mori në shqyrtim tregun e ilaçeve dhe konstatoi se: “Mbështetur në analizën e të dhënave mbi vlerën e barnave të prodhuara në vend dhe të tregtuara nga ndërmarrjet e autorizuara për prodhim dhe tregtim, rezultoi se, ndërmarrja Profarma është prodhuesi më i madh farmaceutik në vend, i ndjekur nga Noval dhe Florfarma. Nga një kryqëzim i të dhënave të depozituar nga Profarma SHA dhe FSDKSH (lista e barnave te rimbursueshme), konstatohet se në listën e barnave të rimbursueshme, produktet e Profarma janë pothuajse në të gjitha rastet, alternativa më e lirë brenda barit xhenerik”, thotë AK, që gjithashtu nuk konstaton shkelje, pasi ndonëse sheh dominim tregu, e mbulon me çmimin e ulët të ilaceve, veçanërisht atyre të rimbursueshme.
Subjektet tregtuese
Autoriteti i Konkurrencës në hetimin e saj thekson se institucionet shtetërore, veçanërisht Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) nuk i kishin vënë në dispozicion dokumentet përkatëse mbi kompanitë prodhuese dhe tregtuese, sa ilaçe kanë importuar dhe mbi cilësinë e tyre. Megjithatë Autoriteti i Konkurrencës del në përfundimin se për vitin 2022 “ndërmarrjet më të mëdha të importit të barnave mjekësore janë (Rejsi Farma SHPK, Incomed SHPK, Evita SHPK, IMI Pharma SHPK, Trimed SHPK, Aldosch Farma SHPK, Fufarma SHA, Pegasus SHPK, CFO Pharma SHPK, Delta Pharma-AL SHPK, Megapharma SHPK dhe Intermed SHPK)”.
AK konstaton gjithashtu se një subjekt tregtar ka dominuar përgjatë vitit 2020 me “vaksinën anti grip”, duke e konsideruar këtë shkelje, pasi rreth 75 % e kësaj vaksine gjendej vetëm në farmacitë e hapura, rrjet i këtij subjekti importues.
“Në përfundim të procedurave hetimore, Autoriteti i Konkurrencës konstatoi se: ’fiksimi i çmimet të shitjes së barnave në çdo nivel tregtimi, të përcaktuara në VKM nr. 143, datë 18.2.2015 “Për përcaktimin e marzheve të tregtimit dhe fabrikimit të barnave”, pika 1,2 dhe 3 sjell kufizim të konkurrencës në tregtimin me shumicë dhe pakicë të barnave”. Gjithashtu po ky institucion konstaton se, “ekzistenca e integrimit vertikal të ndërmarrjeve importuese farmaceutike dhe farmacive të rrjetit të pakicës, mund të sjellë krijimin e pozitës dominuese në treg”.
Pavarësisht qëndrimit të Autoritetit të Konkurrencës, tregu farmaceutik në vend jo vetëm nuk ka ndryshuar, por po thellon kontrollin nga një grup i vogël prodhuesish dhe tregtuesish me shumicë dhe pakicë të ilaçeve.
“…Tek farmacitë e hapura ka kompani të mëdha importuese të cilat duket se kanë bërë shtrirje nga tregtia me shumicë deri në pjesën fundore. Kanë hapur rrjetet e tyre farmaceutike”, thotë Toma, ndërsa shton se kjo ka sjellë “monopolizim të plotë nga prodhimi, depo të mëdha farmaceutike, shpërndarja dhe pastaj tregtia me pakicë nëpërmjet rrjeteve të tyre të farmacive të hapura”
Hap e farmaci…!
Tre ligje kontroverse të viteve 2009, 2014 dhe 2015, nën sloganin e hapjes së madhe për licensimin e shumë farmacive dhe uljes së çmimeve të ilaçeve, duket se tashmë kanë sjellë dominim të tregut farmaceutik nga një grup i vogël biznesmenësh një prodhues vendas të barnave dhe tetë subjekteve të mëdha importuese të cilët kanë edhe rrjetet farmacish të shitjes me pakicë për të mbyllur ciklin prodhim-tregtim-shitje.
Në vitin 2009, Parlamenti miratoi ligjin 10081, për licensat dhe lejet, të propozuar nga qeveria.
“Nëse deri në 2009 kishim dhënjen e lejes për hapjen e farmacive nga Ministria e Shëndetësisë mbi kritere profesionale, distance etj, pas miratimit të këtij ligji këto kritere rrëzoheshin dhe me dëshirën e çdo individi i cili gjente një ambient edhe ngjitur me një farmaci tjetër, vetëm nëpërmjet vetëdeklarimit që bëhej, QKB-së, gëzonte të drejtën e hapjes së farmacisë”, thotë për Faktoje.al, Diana Toma, ish-presidentja e Urdhrit të Farmacistëve.
“Në vitin 2009 kur ju dha e drejta gjithkujt për të hapur farmaci, ndodhi që u shkëput lidhja mes farmacistit dhe farmacisë në pronësi. Pesha e përgjegjësisë iu la drejtuesit teknik dhe në këtë formë, i krijuam një mburojë artificiale pronarit të farmacisë që të bënte shkelje pa kokëçarje, pasi ‘faturat’ do i paguante drejtuesi teknik i farmacisë që tashmë nuk ishte pronar i subjektit”, thotë Toma, ndërsa këmbëngul se kjo formë largoi profesionistin farmacist nga tregu dhe i dha rëndësi konceptit tregtar edhe në fushën shëndetësore.
Dy ligjet që larguan cilësinë dhe ‘kapën’ tregun…!
Në vitin 2014 ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja për disa muaj premtoi ndryshime rrënjësore në sistemin shëndetësor në ligjin për barnat për shërbimin farmaceutik, duke premtuar ulje çmimesh dhe kontroll nga shteti. Gjithashtu edhe amendimet e këtij ligji një vit më vonë çimentuan industrinë farmaceutike në vend, duke paracaktuar çmimet, cilësinë dhe në mënyrë indirekte edhe kompanitë që do kishin më shumë akses në këtë treg të rëndësishëm. “Origjina e barnave që erdhën zëvendësuese, të barnave patentë, patjetër do i ketë çmimet më të lira, por kjo solli atmosferë mbytëse për kompanitë prestigjioze”, thotë Toma. “Kemi shumë farmaci që falimentojnë dhe që janë në pronësi të farmacistëve profesionistë dhe shtohet numri i këtyre farmacive që janë në pronësi të këtyre rrjeteve. Shohim që rrjetet farmaceutike shesin produkte më lirë sesa ne i blejmë në depo. Para cilit fenomen jemi? Para fenomenit që po investohet për të mbyllur farmacitë e tjera që është shkelje dhe mbyllje në mënyrë të pandershme apo para fenomenit që po pastrohen para”, thekson ish-presidentja e Urdhrit të Farmacistëve.
Kush kontrollon?
Agjencia Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al tha se në vendin tonë janë të autorizuara për tregtim:
“Barnat e prodhuara në vendin tonë; barnat që kanë marrë autorizim për tregtim dhe që qarkullojnë në njërin nga vendet e Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanada, Turqi, Zvicër, Izrael, Japoni, Australi, Norvegji, Islandë dhe Mbretëri e Bashkuar; barnat që kanë marrë autorizim për tregtim lokal dhe që qarkullojnë në vend; barnat e prodhuara në vendet e Ballkanit, vetëm kur kanë marrë autorizim për tregtim dhe që qarkullojnë në vendin e tyre dhe barnat e pajisura me autorizimin e tregtimit nga (EMA) ose (FDA)”.
Ndonëse janë pesë autorizime, dominuese të tregut për përdorim spitalor dhe në farmaci private janë barna të prodhuara në vendin tonë, Turqi, apo një nga vendet e Ballkanit, kryesisht Serbi.
“Kompanitë e huaja prestigjioze që ishin deri në atë kohë, (viti 2015), u larguan të detyruara nga ana ligjore, apo konstatuan se nga përcaktimi i qeverisë do uleshin çmimet, që do të thotë se nuk do të kishin treg”, thotë ekspertja e farmaceutikës Diana Toma.
Sipas saj, largimi i detyruar i kompanive të mëdha farmaceutike nuk ishte i paqëllimtë. “Zhvendosja e tregut në vlerësimin tim është bërë vetëm për interesa të pastra fitimi për një shtresë apo kategori të caktuar individësh, duke mos e patur fare parasysh rëndësinë e prezencës së përfaqësive farmaceutike në Shqipëri të cilat në vetëvete janë garantues të stabilitetit të tregut farmaceutik të një vendi”
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert”në Tiranë
Pretendimi: Leonora Jakupi dhuron 10 mije euro për këdo që arrin të plotësojë në mënyrë perfekte foton
Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi
———————————————————
Një postim nga faqja “𝐋𝐞𝐨𝐧𝒐𝐫𝒂 𝐉𝐚𝐤𝒖𝐩𝐢𝒊 𝐅𝐚𝐧𝐬•” që është parë mbi 45 mijë herë në Facebook duket se tregon një foto të këngëtares kosovare me mbishkrimin “Unë do të dhuroj 10,000 € Kush arriti të bëjë në mënyrë perfekte foton më poshtë.”
Ideja e lojës është që përdoruesit që ‘arrijnë’ të ndalojnë videon e sipërme në momentin kur rrethi me flamurin shqiptar të jetë plotësisht mbi rrethin e zi do të marrin 10 mijë euro nga Leonora Jakupi.
Megjithatë, nëse komentojmë çfarëdolloj fjale në këtë postim, faqja na dërgon një mesazh personal duke na falenderuar dhe pyetur në cilin qytet jetojmë.
Më pas, na dërgon një mesazh automatik që kushtëzon marrjen e çmimit me shpërndarjen e postimit në 5-10 grupe brenda 15 minutash. Kjo paçka se, fillimisht, i vetmi kusht për të marrë çmimin ishte “të bëjë në mënyrë perfekte foton.”
Këto përshkallëzime të kushteve për marrjen e çmimit duhet të bëjnë lexuesin skeptik të heqë dorë nga çmimi, duke dyshuar tashmë edhe në ekzistencën e tij.
Me gjasa kemi të bëjmë me një skemë mashtrimi.
Faqja zyrtare e këngëtares Leonora Jakupi ka mbi 200 mijë ndjekës dhe nuk ka bërë asnjë postim, ku ofron shpërblime për ndjekësit.
Faktoje ka verifikuar dhe më parëskema të tillamashtrimi që përdornin imazhin e këngëtares Leonora Jakupi dhe personalitetesh të tjera të politikës dhe artit që njihen gjerësisht në hapësirat shqiptare.
Pretendimi: Në këtë video, gruaja e Daniel Shimës tregon se çfarë zbuluan kamerat për drejtorin e zhdukur
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————————-
Një video e botuar më 21 gusht 2025 nga kanali Vjosa TV pretendon të përmbajë fjalët e gruas së “drejtorit të zhdukur” Daniel Shima mbi çfarë zbuluan kamerat e sigurisë.
Video duket se i referohet lajmit të bujshëm për ish-zv.drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Daniel Shima, i cili u deklarua i zhdukur nga familjarët më 20 gusht 2025, për t’u rishfaqur disa orë më vonë.
Megjithatë, shikuesi kurioz do të zhgënjehet kur të shohë videon.
Në të, nuk përmendet, e aq më pak të flasë, gruaja e Shimës. Kjo sepse ajo në fakt nuk ekziston. Shima nuk rezulton të jetë i martuar dhe raportimet në media flasin për një partnere ose të dashur. Daniel Shima kur u kthye tha se ishte larguar me dëshirë, pas një konflikti me partneren e tij.
Më tej, video premton të tregojë çfarë “zbuluan kamerat për Daniel Shimën”, por zhgënjen duke thënë se “kamerat e asaj zone i kishin fshirë pamjet duke ngritur akoma më shumë dyshime se një dorë e fuqishme qëndron pas kësaj ngjarjeje.”
Për këtë pretendim, si zakonisht, nuk sillet ndonjë provë apo burim. Asnjë njoftim i policisë apo raportime të mediave të tjera nuk përmendin fshirjen e kamerave. Përkundrazi, gazetarja Klodiana Lala raporton se kamerat e sigurisë e kanë filmuar Shimën në makinën e tij në Qytetin Studenti dhe deri në dalje të tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Pretendimi: Shkenca në Britani konfirmon se vaksinat kundër Covid-19 shkaktojnë kancer
Verdikti: Mungon konteksti
Barbara Halla
Disa postime të publikuara në Facebook përgjatë gushtit ringjallën narrativën se vaksinat kundër COVID-19 kanë shkaktuar rritje në numrin e kancereve agresive. Postimet pretendojnë se ky rrezik është konfirmuar tashmë nga studimeve shkencore në Britani, duke mbështetur dyshimet e grupeve skeptike ndaj vaksinimit gjatë pandemisë.
Origjina e këtij lajmi duket se është një artikull i tabloid-it britanik Daily Mail, i publikuar në 23 mars 2025, i cili është i disponueshëm për lexuesit vetëm përkundrejt abonimit. Kjo duket se e ka bërë më të vështirë për ndjekësit e postimeve në rrjetin social që të konsultojnë detajet e artikullit origjinal.
Faktoje.al verifikoi më tej faktet e sjella nga tabloidi britanik për të zbuluar se vetë autorja e artikullit nuk pretendon se lidhja e vaksinës dhe kancerit mbështetet mbi studime shkencore. Kjo lidhje shkak-pasojë është mbështetur nga disa mjekë, të përmendur kryesisht në një intervistë me gazetarin Piers Morgan. Përgjatë intervistës me Morgan, Angus Dalgleish – i cili është onkolog, por jo një ekspert mbi vaksinat – sugjeron se përdorimi i vaksinave kundër COVID-19 mund të lidhet me rritjen e rasteve të kancerit, ose përsëritjen e tij tek pacientët. Megjithatë, kjo deklarata e Dalgleish bazohet në histori personale dhe jo në të dhëna apo studime shkencore.
Në fakt, nuk ekziston asnjë studim i shkallës së gjerë që të tregojë se vaksinat shkaktojnë ose përkeqësojnë rastet e kancerit. Për shembull, organizata Cancer Research UK, organizata më e madhe e pavarur në botë për studimin e kancerit, konfirmon se nuk ka asnjë provë që tregon një lidhje midis vaksinave kundër COVID-19 dhe kancerit. Qendra akademike për studimet shkencore në SHBA, Mayo Clinic, vërteton po ashtu që pretendimet se vaksinat kundër COVID-19 shkaktojnë kancer janë të pabaza.
Artikulli i Daily Mail ka cituar disa doktorë, por jo doktorë që merren me studime shkencore mbi kancerin apo vaksinat. Për më tepër, ky artikull i referohet gjithashtu Robert F. Kennedy Jr., Sekretarit të Shëndetit amerikan në qeverinë e dytë të Donald Trump. Kennedy njihet si një figurë që është skeptik ndaj vaksinave dhe është verifikuar nga ekspertët mjekësorë dhe verifikuesit e fakteve si një person që shpërndan dizinformim mbi vaksinat. Vetë Faktoje ka hedhur poshtë disa nga teoritë që ai ka shpërndarë ndaj vaksinave.
Tabloidi britanik Daily Mail, njihet për tituj sensacionalistë. Organizata Media Bias/Fact Check e cilëson besueshmërinë e Daily Mail në nivelin “Low” (“të ulët”).
Ekspertët në fushë konfirmojnë se nuk ka prova se vaksina kundër COVID-19 shkakton kancer apo ka rritur numrin e rasteve të kancerit.
Ideja që vaksinat shkaktojnë “kancer” është pjesë e një ekosistemi më të gjerë të teorive të konspiracionit ndaj COVID që kanë lulëzuar që nga viti 2020. Këtu përfshihen pretendime të rreme se vaksinat ndryshojnë ADN-në e njeriut, përmbajnë mikroçipa ose shkaktojnë infertilitet masiv. Pavarësisht popullaritetit të tyre, këto pretendime janë hedhur poshtë disa herë nga shkencëtarët dhe autoritetet shëndetësore, siç e ka verifikuar më parë edhe Faktoje.
Pretendimi: SHBA e bleu Alaskën për vetëm 7.2 milionë dollarë
Verdikti: Mungon konteksti
Ditët e fundit, disa media shqiptare kanë qarkulluar lajmin se SHBA e ka blerë shtetin e Alaskës nga Rusia për vetëm 7.2 milionë dollarë. Duke përdorur tituj sensacionalë, këto artikuj e kanë përshkruar shitjen e Alaskës si “çmenduri,” ose kanë shtuar pikëçuditëse në fund për të vënë në dyshim këtë çmim që konsiderohet tepër i ulët. Megjithëse shifra është e saktë, në këto artikuj nuk shpjegohet një detaj mjaft i rëndësishëm, faktin që ky është çmimi me të cilin SHBA e bleu Alaskën në vitin e largët 1867. Duke marrë parasysh historikun e inflacionit, ky çmim në ditët e sotme do të ishte rreth 157 milionë dollarë.
Ndërkohë, artikuj te tjerë kanë shkruar tituj spekulativë për të bërë të duket sikur situata e Alaskës është vënë në pikëpyetje, apo një marrëveshje e re mund të ndodhë midis Amerikës dhe Rusisë.
Në fakt, asnjë nga këto detaje nuk përmendet as në artikullin vetë, i cili fokusohet tek historiku i kësaj marrëveshje midis Amerikës dhe Rusisë përgjatë takimit që Putin dhe Trump mbajtën për të diskutuar luftën e Rusisë në Ukrainë. Ky takim u mbajt në Anchorage, qytetin më të madhë të shtetit. Si pasojë, këtu bëhet fjalë për një artikull, i cili është publikuar në mes të një serie lajmesh me tituj të ekzagjeruar për përmbajtjen e takimit.
Shuma prej 157 milionë dollarësh mund të duket si shumë e ulët për një territor si ai i Alaksës, i cili ka një sipërfaqe prej rreth 1,518,800 kilometrash katror. Megjithatë, historia e blerjes së Alaskës është më e komplikuar. Përmes negociatave të udhëhequra nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së William H. Seward dhe i dërguari rus Eduard de Stoeckl, një marrëveshje u nënshkrua më 30 mars 1867 dhe u ratifikua nga Senati i SHBA-së. Alaska ju transferuar SHBA-ve më datë 18 tetor 1867, ditë që tani përkujtohet si Dita e Alaskës.
Rusia vendosi ta shiste territorin e Alaskës për një sërë arsyesh siç e shpjegon The New York Times, duke përfshirë frikën se Britania e Madhe apo fuqive të tjera evropiane, që kishin territore në Kanadanë e sotme, mund ta sulmonin Rusinë përmes Alaskës. Në atë kohë, disa kritikë e tallën marrëveshjen, duke e quajtur atë si “Marrëzia e Seward,” duke e akuzuar Sekretarin e Shtetit se kishte harxhuar miliona për të blerë një tokë pa vlerë. Megjithatë, vlera e Alaskës si territor do të rritej në vitet në vazhdim, pasi territori doli të kishte burime të shumta ari dhe nafte.
Faktoje hap thirrjen për konkursin kombëtar të verifkimit e fakteve, një mundësi për gazetarët që duan të kontribuojnë në kërkim të së vërtetës dhe të nderojnë kujtimin e gazetarit të shquar Fatos Baxhaku.
Si të Aplikoni:
Dërgoni CV-në tuaj dhe plotësoni formularin në info@faktoje.al Afati: 15 Shtator 2025!
Kush mund të aplikojë:
Gazetarë të apasionuar pas verifikimit dhe raportimeve të bazuara në fakte për të promovuar mendimin kritik mbi çështje me rëndësi publike. Ne po kërkojmë produktet më të mira nga gazetarë që përdorin teknikat më efektive të kontrollit të fakteve dhe shfaqin kërkime që përfshijnë analizën e të dhënave, përmbajtje me të dhëna të hapura dhe të tjera burime inovative. Mos e humbisni mundësinë për të faktuar të vërtetën!
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar shpesh herë se ai nuk ndërhyn dhe nuk i komenton vendimet e gjykatave. Ishte një prej atyre parimeve që ai i shfaqte si trofe të reformës në drejtësi: “Për sa kohë e kemi zgjedhur këtë sistem, duhet të pajtohemi edhe me faktin se pushtetet e pavarura mund të marrin vendime që nuk na pëlqejnë. Unë nuk dua t’i komentoj vendimet e gjykatave sepse nuk më takon,” shkruante ai në shkurt të vitit 2022.
Në të njëjtin muaj, kur u pyet për dënimin me burg të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Rama përsëriti të njëjtën linjë: “Unë nuk komentoj asnjëherë vendimet e gjykatave. Unë e kam ditur mirë çfarë kam bërë kur kam udhëhequr reformën në drejtësi”
Mos komentimin e vendimeve të gjykatës, madje, kryeministri e përdori edhe për të treguar ndryshimin mes tij dhe opozitës. Kur gjykata dënoi deputetin demokrat Ervin Salianji për shpifje Rama shkroi se, nuk komentonte vendimet e gjykatave kur ato nuk janë përfundimtare, por theksoi se ka të drejtë të shprehë publikisht opinionin e tij kur gjykatat japin drejtësi deri në fund.
“…Kundërvënia me egërsi ndaj një vendimi gjykate të formës së prerë (…) flet shumë qartë për dallimin mes dy botëve që ndajnë shumicën e Shqipërisë me Mbretërinë e Shpifarakëve”- shkruante asokohe kryeministri.
Por, ashtu siç shpesh ndodh në politikën shqiptare, parimet duket se kanë jetëgjatësi më të shkurtër se statuset në rrjete sociale.
Një vit më vonë, kryeministri u shndërrua nga spektator i heshtur në komentator i zjarrtë kur zgjodhi të sulmonte drejtpërdrejt një gjykatës, Hazbi Balliun e Gjykatës Administrative, për vendimin e tij që ndalonte vendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në një objekt të konfiskuar nga shteti.
Objekti në fjalë është ende pjesë e një beteje gjyqësore, pra nuk ka vendim të formës së prerë. Por kjo nuk e pengoi kryeministrin të komentonte përmes një postimi në Instagram, ku akuzoi gjykatësin për “marrje në mbrojtje” të ndërtuesve të paligjshëm dhe vuri në dyshim integritetin e tij profesional.
“Më në fund gjykatësi Balliu e nxorri arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz… Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të Republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit a të gjykatës Balliut,” shkroi Rama.
Kryeministri, i cili dikur theksonte rëndësinë e stoicizmit institucional dhe që drejton institucionet përgjegjëse për ndalimin e ndërtimeve pa leje, por që shpesh i kanë lejuar dhe më pas legalizuar ato, sot akuzon gjyqtarët se mbrojnë ndërtuesit e paligjshëm, për një proces gjyqësor ende të papërfunduar.
Në fund, ajo që duket qartë është se pretendimi i kryeministrit se nuk komenton vendimet e gjykatave, sot mbetet një premtim politik i dhënë dikur, por i pambajtur.
Takimi mes presidentit rus Vladimir Putin dhe ish-presidentit amerikan Donald Trump në Alaskë nuk prodhoi një rezultat konkret mbi çështjen që ka përfshirë botën, luftën në Ukrainë. Por ajo që la pas ishte një lumë narrativash të cilat, në mungesë të fakteve, morën jetë nëpër media online dhe rrjete sociale, duke spekuluar mbi gjithçka: nga shëndeti i Putinit deri te “roli shpëtimtar” i Trump.
Një gju që dridhet dhe shumë teori
Pak minuta pas daljes së tyre të përbashkët para mediave, një video që tregonte Putinin teksa përshëndetej me Trump u bë virale. Në pamjet e shpërndara gjerësisht, lideri rus shihej duke lëvizur gjurin dhe majën e këmbës së majtë në mënyrë të përsëritur, ç’ka u interpretua si “dridhje të dyshimta” ose “këmbë xhelatinoze.”
Kaq mjaftoi që në media ndërkombëtare, dhe me shpejtësi edhe në ato shqiptare, të shpërndaheshin hipoteza për një sëmundje misterioze të presidentit rus. Tituj si “Putin i sëmurë? Momenti kur këmbët i dridhen gjatë bisedës me Trump”, u kthyen në klishe për të tërhequr klikime.
Teza të tjera shkuan edhe më tej: disa pretenduan se Putin nuk kishte zbritur fare në Alaskë dhe se në vend të tij ishte dërguar një sozi.
Por narrativat nuk u ndalën vetëm te dridhjet e gjunjëve. Në median shqiptare qarkulloi një tjetër ide: se Rusia është “shumë pranë fitores” në Ukrainë. Artikuj të cilwt riprodhuan një shkrim të publikuar në gazetën italiane “La Repubblica” me tituj që njoftonin fitoren e Rusisë si “Ushtarë dhe dronë, një përparim i pandalshëm” u shpërndanë gjerësisht, por pa analizuar nëse realiteti në front përputhej me këtë lloj triumfalizmi.
“Nëse Trump do të ishte president…”
Një tjetër narrativë u ushqye drejtpërdrejt nga deklarata e vetë Putinit. Në një intervistë të dhënë pas takimit, ai pohoi se “nëse Trump do të ishte president i SHBA-së në vitin 2022, Rusia nuk do ta kishte sulmuar Ukrainën.” Ky version, i riprodhuar me tituj të mëdhenj në mediat shqiptare, pasqyroi deklaratën e Putin pa dhënë asnjë kontekst apo analizë mbi arsyet e dhënies së kësaj deklarate apo asaj që Putin kërkon të arrijë me mbështetjen e kësaj narrative.
Ky mesazh, në përputhje me linjën e mëparshme të Kremlinit për ta paraqitur Trump si një figurë “më të pranueshme” për Rusinë, u përhap si konfirmim se mes dy liderëve ekziston një marrëdhënie e veçantë.
Në disa media online, ngjarja u përdor për të përhapur lajme të brendshme me tituj keqinformues si “Takimi Trump–Putin/ Berisha befason me reagimin surprizë në ‘Alaskë’…”, por brenda lajmit nuk kishte asnjë befasi, vetëm qëndrime të parashikueshme të liderit të opozitës shqiptare, në linjë me retorikën pro-Trump.
Narrativa që largojnë vëmendjen
Në vend që të përqendrohej tek të kuptuarit dhe analizimi i situatës dhe rezultatit që takimi prodhoi, shpesh diskursi publik u zhvendos drejt spekulimeve, interpretimit të gjesteve trupore dhe komenteve anësore, duke ushqyer opinionin publik më shumë me thashetheme sesa me fakte.
Në këndvështrimin e studiuesit të marrëdhënieve ndërkombëtare Ledion Krisafi, Trump po nxiton për të arritur një marrëveshje ndërkohë që rusët kanë për qëllim ta shtyjnë sa më shumë situatën deri sa Trump të mërzitet dhe të heqë dorë.
“Më duket e pamundur që Rusia të ndalojë luftën në këtë pikë. Që territori i pushtuar nga Rusia do i ngelet Rusisë në një mënyrë ose tjetër, kjo është e qartë pak a shumë tashmë. Qëllimi i Rusisë është shkatërrimi i plotë i popullit ukrainas”, vijon Krisafi.
Sipas tij, tashmë thelbi është tek garancitë e sigurisë që mund t’i jepen Ukrainës.
“Garancitë vështirë se funksionojnë në një situatw të tillë sepse vende si Gjermania, Britania, Franca, Italia që mund të çojnë trupat e tyre në Ukrainë vështirë se mund të luftojnë me Rusinë nëse ndodh një incident a provokim në vijën e re të kontaktit, vlerëson ai.
Nga Sebi Alla Në disa premtime rresht, kryesisht në kohë fushatash zgjedhore, 2017 dhe 2021, kryebashkiaku Erion Veliaj tha me bindje se Tirana do të furnizohej me ujë në 100 % të territorit të saj.
“Lajmi i mirë për qytetarët është se fillojmë investimin e fundit të madh që jo vetëm 70 % e Tiranës të ketë furnizim 24 orë, por 100 % e Tiranës të furnizohet me ujë” deklaroi Veliaj në vitin 2021, teksa i shoqëuar nga kryeministri Rama inspektonin punimet në impiantin e Bovillës.
Pavarësisht premtimeve dhe rritjes të çmimit të ujit në Tiranë, që nga janari i vitit 2018, gjendja e tanishme tregon se zona të shumta në kryeqytet kanë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm, sidomos në dy njësitë e saj 1 dhe 2, por edhe në fshatra.
Uji shkon me orar të kufizuar dhe në disa raste mungon plotësisht dhe si “zgjidhje” mbetet furnizimi me autobote të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë.
“Aktualisht zonat problematike në furnizimin me ujë të pijshëm janë: Zona e Saukut të ri; Sauku i Vjetër; Mjull Bathore; Zona e Selitës”, thotë për Faktoje.al UKT.
Ujë me “pikatore”…!
Në disa lagje të Tiranës furnizimi me ujë ka pasur probleme. Dy nga zonat me dendësi të madhe të popullsisë, Selita dhe Sauku janë në hartat e kuqe si thellësisht me probleme përsa i përket furnizimit normal me ujë të pijshëm.
Faktoje.al kontaktoi me qytetarë edhe lagje të tjera të Tiranës ku rezulton se në Lagjen 5 Maji, në rrugën “Siri Kodra”, dhe nga zona e Ali-Demit deri pranë Lagjes Çollak, në juglindje të Tiranës, qytetarët ankohen për ndërprerje të furnizimit me ujë.
Duke iu referuar zonave problematike, UKT thotë për Faktoje se arsyeja e mungesës lidhet me shpërdorimin e ujit. “…uji i pijshëm shpërdorohet për vaditje, larje automjetesh, mbushje e pishinave që rrjedhin ujë dhe janë të dëmtuara etj. Sasia e ujit të pijshëm llogaritet për frymë dhe jo për shpërdorim të tij”, thotë UKT.
Sipas saj, shpërdorimi i ujit të pijshëm nga individët për arsye të ndryshme si dhe ndërhyrjet në rrjet janë shkaktarët kryesorë të disbalancës së shpërndarjes së ujit.
Depozitat si zgjidhje
Një tjetër premtim nga kryebashkiaku Veliaj për Tiranën ishte që me furnizimin e Tiranës me ujë pa ndërprerje duhet të largoheshin nga vetë banorët depozitat që ndodheshin kryesisht në tarraca pallatesh. Kjo kërkesë, u kthye në “urdhër” për t’i hequr menjëherë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.
“Kjo histori ka vazhduar për shumë gjatë në qytetin tonë. Marrim vendim për të hequr të gjitha depozitat e ujit nga tarracat, jo për t’i lënë pa alternativë, por që në bashkëpunim me administratorët e pallateve të kenë mundësi që, si pallatet e reja, në hapësirën e përbashkët, në katin e parë ose në një nga vendet e parkimit, të instalojnë një depozitë të përbashkët për të gjithë banorët; pra, jo secili të vetën”, tha kryebashkiaku Erjon Veliaj.
Aktualisht depozitat janë shpëtim për banorët pasi uji që vjen me orar të kufizuar në disa zona edhe vetëm 1 orë, veçanërisht në Sauk dhe nëse nuk do ishin pajisur me depozita problemet do të ishin edhe më të mëdha. Pyetjes së Faktoje.al se si veprohet kur nuk ka ujë më tepër së 24 orë, UKT iu përgjigj se: “Kur mungesa kalon mbi 24 orë, asistojmë në furnizimin me autobote për të mbuluar zonat e banesave që kanë mungesë uji deri në zgjidhjen e problematikës”.
Tirana larg premtimit
Raporti i ERRU (Enti Rregullator i Ujit) për vitin 2024 mori në shqyrtim furnizimin me ujë në 61 bashkitë e vendit ku vetëm Lezha bën përjashtim me furnizim pa ndërprerje ndërsa bashkitë e tjera kanë probleme.
Tirana gjithashtu futet ndër katër bashkitë e vendit që furnizojnë banorët 13-20 orë ujë në ditë. ERRU konstaton se një tjetër problem mbetet mbledhja e detyrimeve nga konsumimi i ujit.
“ERRU i ka rekomanduar shoqërive UK se duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë pajisjes 100% të konsumatorëve me matës në mënyrë që konsumatorët të paguajnë volumin real të ujit të konsumuar, por edhe për faktin se faturimi aforfe lë hapësirë për shpërdorimin e ujit nga konsumatorët për ujitje, veçanërisht ato të shtëpive private dhe zonave rurale”, thuhet në raport.
Ndërsa UKT në përgjigjen për Faktoje thotë se, “për vitin 2025, projekt kryesor është vazhdimi i shtesës së impiantit të trajtimit të ujit të pijshëm Bovillë me 1200 l/sek si dhe evidentimi apo eleminimi i rrjedhjeve dhe shpërdorimit të ujit të pijshëm, duke bashkëpunuar dhe me institucione të tjera si dhe nëpërmjet teknologjive të reja”.
Përfundimi
Tirana vijon të përballet me mungesën e ujit të pijshëm në disa zona të saj, veçanërisht në njësitë 1 dhe 2, kryesisht përgjatë muajve të verës. Pavarësisht investimeve të kryera në përmirësimin e rrjetit shpërndarës dhe në impiantin e Bovillës, kryeqyteti vijon të mos furnizohet rregullisht me ujë të pijshëm. Premtimin për furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj do e konsiderojmë premtim të pambajtur.