Nga Llesh NDOJ
Të gjithëve na kanë bërë përshtypje veprimet, si një rrufe në qiell të kthjellët, të Kryeministrit Edi Rama këto ditë të nxehta në mes të korrikut, me fokus çlirimin e hapësirave publike në bashkitë kryesore të vendit, kryesisht në ato rajone ku turizmi është parësorë në aktivitetin e tyre, si Vlora, Durrësi, Shkodra e Fieri, me paralajmërimin e tij ultimativ se aksioni do të shtrihet në të gjithë teritorin e vendit. Nuk është hera e parë që ndodh një situatë e tillë në vendin tonë, bile në shumicën e rasteve, aksione të tilla kanë patur të njejtin protagonist: Edi Ramën! Kujtojmë periudhën, tashmë të largët, kur shembeshin objektet e paligjshme në parkun “Rinia” në Tiranë, apo në shumicën e qyteteve të vendit, kur policia ndërtimore, atëherë e drejtuar nga drejtori i saj i hekurt Mitat Havari, i shembte pa mëshirë objektet e paligjshme, të cilat kishin mbirë si kërpudhat pas shiut, në një periudhë kur shteti ishte vërtetë “kap ç’të kapësh”, ngritur mbi një vizion (në fakt pa asnjë vizion!) tribal të drejtuesit të kohës Sali Berisha, i cili me dashje e me një program të mirëmenduar për karieren e tij personale, u bëri thirrje njerëzve të turren drejt çdo hapësire të lirë. Kjo mund të tipizohet plotësisht si koha e “tokë e xanun”! Ai aksion, që pasoi një periudhë të mosshtetit, edhe sot gjendet plotësisht i justifikuar në opinionin e njerëzve, por ai s’mbeti i vetmi…
Le të kujtojmë ngjarjet në Astir, apo problemet me shpronësimet për ndërtimin e Unazës së Re në Tiranë, ku pa asnjë program e asnjë marrëveshje sociale, njerëzit uleshin për të fjetur me çati mbi krye dhe gdhiheshin megjithë dyshek në rrugë e trotuare. Le të sjellim ndërmend atë nanën mirditore, simbol të qëndresës atje, që kacafytej me policinë duke shprehur dëshpërimin e saj më të thellë për djersën e humbur padrejtësisht të bijëve të saj në emigracion, që vetë shteti po ja dëmtonte pa sanjë justifikim, le të kujtojmë me dhimbje sa loti u derdh, e sa mallkime u dhanë nga njerëz të pafajshëm, të cilëve vetë shteti ua kishte “bërë me sy” të vepronin në menyrë të paligjëshme, në këmbim të një vote, apo edhe në mënyrë korruptive, ku përfaqësuesit e tij, në këmbim të mosveprimit, kishin mbushur trastat me para. E prap gjendet një justifikim: ato veprime bëheshin në emër e në interes të projekteve madhore, siç ishte Unaza e Madhe e Tiranës dhe ofronin edhe ndonjë kompromis social me të prekurit prej tyre.
Po si mund të justifikohet futja në burg e fshatarëve në skajet më të largëta të vendit, të cilët në pronën e tyre, pa penguar e dëmtuar askënd dhe thjesht për një çati mbi krye, bënin ndonjë shtesë objekti! E pajustifikuar dhe me qëllime jonjerëzore mund të karakterizohet e gjithë ajo situatë, ndonëse brenda kornizës ligjore. Përsëri protagonist është Edi Rama! Justifikimi: Duhet ndërtuar shteti ligjorë, ndryshe s’mund të integrohemi në Evropën ku synojmë të bëjmë pjesë! Prap me vete, me zë e nën zë, shumëkush i ka justifikuar këto veprime, si hapa të vegjël drejt qëllimeve të mëdha, por që deri më tash kanë rezultuar “xhirim në baltën”, që e kemi krijuar vetë vit pas viti.
Le të kthehemi tani tek aksioni aktual dhe mendësia që dukshëm qëndron pas tij. “Ylli polar” ekonomik i kësaj qeverisje, ka vite që është përcaktuar turizmi. Ky objektiv jo vetëm ekonomik, ka rezultuar i suksesshëm, të paktën në këta hapat e tij fillestarë, kur masivizimi, më shumë si eksplorim i të panjohurës se sa si përmbushje e kërkesave, ka patur efekte të mira, veçanërisht afatshkurtëra. Disa inisiativa qeveritare, më mirë të themi personale të kreut të qeverisë Rama, si ajo e investitorëve strategjikë, apo e ashtuquajtura “paketa e maleve”, rritja e pagës minimale dhe pagat referuese në punësimet në sektorin e turizmit, e ndonjë masë tjetër e ngjashme me to, mbeten për t’u përshëndetur. E tillë, për t’u pëshëndetur, është edhe masa e paralajmëruar për vënien në dispozicion të publikut pa pagesë të hapësirave në plazhe, duke licensuar për përdorimin e tyre vetëm strukturat hoteliere. Por ç’emër mund t’i vendosim shembjes në kulmin e sezonit turistik të resortit në Golem para disa viteve? Po aksionit aktual në Vlorë, Fier, Durrës e Shkodër, në pikun e sezonit turistik të shumëpritur, si mund t’ia vemë emrin? Ç’imazh kërkon të shpërndajë zoti Rama tek turistët e partnerët ndërkombëtarë me ato pamje rrenuese në Theth dhe jo vetëm aty, me lotët e njerëzve, që sa hap e mbyll sytë, iu shemben jo vetëm kursimet e jetës, por edhe ëndërrat e të ardhmes. Mendoni se ka prej tyre që kanë lënë emigracionin për ato ëndërra, me qëllim që t’a ndërtojnë jetesën në vendin e tyre.
Le të qartësohemi hapur fare, hapur para kujtdo që e lexon këtë shkrim e që mund t’më paragjykoje si anarshist, apo antishtet: Unë jam për shtetin ligjor dhe në funksion të ngritjes së tij jam i gatshëm të sakrifikoj edhe personalisht shumëçka. Por, a është ky shteti ligjorë? Më tej akoma, a bëhet shteti ligjorë me aksione të tilla, ku protagonist është një individ, qoftë ky edhe i pari i shtetit, apo shteti është (duhet të jetë, në fakt!) veprim i përditshëm vijues e ligjorë, i shtrirë njëtrajtshmërisht në të gjithë territorin ku ai e shtrin ndikimin e pushtetit të vet? Më saktë, në të gjithë territorin ku duhet t’a shtrije pushtetin e tij, pasi faktet flasin se nuk ndodh kështu. Kjo situatë e vështirë nuk ka mbërritur deri këtu në një ditë, por ka një historik kohëzgjatje që flet haptazi për mungesën e shtetit ligjorë, korruptimin e tij deri në palcë, funksionimin me orekse private e mungesën e autoritetit të ligjit. E kjo, jo vetëm në Theth, apo në skajet më të largëta të vendit, por edhe në Tiranë, në Durrës, në Vlorë, në Fier, në Elbasan, në Shkodër etj, që janë zemra e vendit, jo vetëm fizikisht, por edhe ekonomikisht e në aspektin e shtetbërjes. Ky lloj shteti që funksionon me veprime e aksione ditore, me fushata e teke individuale, sipas mendësive e humorit të një individi, qoftë ky edhe kryeministri i vendit, vetëm shtet ligjorë nuk mund të jetë! Simptomat e tij anojnë dukshëm drejt qeverisjeve autoritare, në mos me shenja diktatoriale, jo krejt për t’u neglizhuar!
Përsëri e them: Ç’i takon publikut, i duhet kthyer atij, se vetë emri “Republikë”, që vjen nga “res publica”, ose “gjerat publike”, për të cilat ngrihet e funksionon shteti, këtë nënkupton, por kjo duhet të realizohet vetëm me ligj dhe vetëm me procedure ligjore, e kurrë me aksione e fushata! Në rastin e tanishëm, më shumë se ata të cilëve u janë shembur apo do t’u shemben ndërtimet e paligjshme, të përhershme apo provizore qofshin ato, unë jam i bindur se po dëmtohet imazhi i shtetit dhe vetë perspektiva e vendit.
Kryebashkiaku i Vlorës miratoi dorëheqjet “vullnetare” të bëra me urdhër të Ramës, për 21 drejtorët e asaj bashkie, por a e ka bërë ndonjëherë analizën e pozicionit të tij si kryebashkiak zoti Dredha? Të ishte burrë i ndershëm e drejtues vizionar, ose s’do t’a kishte pranuar këtë situatë poshtëruese për të e bashkinë e tij, duke e yshtur kryeministrin t’a shkarkonte me vendim, ose i ndërgjegjshëm për përgjegjésitë e veta dhe i paaftë për të ndryshuar situatën nga brenda institucionit që i është besuar të drejtojë, duhej të jepte menjëherë dorëheqjen. Të njejtat fjalë shkojnë edhe për demokrato – socialistin e bashkisë së Shkodrës Beci, për jetëgjatin pushtetar Subashi, e këdo tjetër që pranon poshtërimin e vartësve të tij, për të mbajtur karrigen e dhuruar nga Rama. Të them të vërtetën, nuk jam simpatizant personal i kryebashkiakut të Lezhës, por kam bindjen se ai kurrë nuk do t’ia kishte lejuar vetes një poshtërim të tillë, plus që shumë veprime të modelit “aksion” i ka nisur vetë, përpara se t’i niste me porosi nga Edi Rama. Edhe pak më tej akoma: – A është ky shtet i barabartë në veprim për të gjithë?
Kurrë nuk i kam pranuar zërat që i japin qeverisjes aktuale nuanca si një qeverisje, në mos anti, jo dashamirëse me Veriun e Shqipërisë. Edhe kur më janë vënë përballë argumentat e mungesës së rrugëve, apo vënies së të vetmeve tarifa pagese posaçërisht në rrugët e veriut, nuk i kam mbajtur anën kësaj ideje, e cila fatkeqësisht nuk është thjesht një fiksion. Ja! Edhe tani shembulli merr dhenë e vihet si “çimento” speciale në themelet e një ndarjeje, që nuk duhet të ekzistoje qoftë edhe si fiksion, propogandë apo ndikim armiqësorë, quaje po deshe. Në Vlorë, pas disa ditë shfaqjeje të tipit “show” të shëmtuar me protagonist Kryeministrin, u bë gjeja e duhur: u arrit në një kontratë “win – win”, sipas së cilës bizneset do t’a vazhdojnë aktivitetin edhe këtë sezon, për t’iu nënshtruar një rregullimi të përgjithshëm në shtator. Mrekulli… edhe pse me vonesë e me mosveprim nga organet që kanë status ligjorë për t’a bërë këtë. Po pse Thethi u kthye në “Kandahar”? Pse ato kioska të vogla që shërbenin për mbijetesë, u shembën aq shpejt e aq pamëshirshëm Zoti Kryeministër? A nuk është turp për shtetin kur sheh atë malësorin e varfër që qanë me lot për gjakun (jo thjesht djersën!) e shkuar dëm? Ju e dini besoj, se malësori me zor derdh lot edhe kur i ikën djali i vetëm, por nuk e pranon tradhëtinë, pabesinë dhe fyerjen e dinjitetit njerzorë. Dhe çuditemi pastaj, kur e vetmja pjesë e harresës shqiptare që “ngjyroset blu” në zgjedhje është Veriu! Veriorët janë burra të besës, por t’i presësh ata në besë, kurrë nuk është gjetje e zgjuar!
Shteti ligjorë nuk mund të jetë aksion një apo disa ditorë, por veprim i qëndrueshëm, shteti ligjorë nuk mund të jetë veprim dhe iniciativë individësh, sado të fuqishëm e të mençur qofshin ata, por bashkëveprim institucionesh, shteti ligjorë nuk ka pse ngutet pasi ai i ka në dorë edhe gurin edhe arrën dhe mund të veprojë! I forti kurrë nuk ngutet, prej trimnie e jo prej tutet! – thotë një shprehje popullore veriore. Atëherë, pse po ngutet Edi Rama? A është vërtetë “i fortë” ai, siç e tregojnë numrat në qeverisjen e gjatë e fitoret e njëpasnjëshme me të cilat dominon gjithë jetën politike të vendit, apo është një frikacak e diktatoruc që fshihet pas shtetit, për të realizuar ambiciet e tij personale, shpesh të dyshimta.
Në se për kaq shumë vite qeverisje, shteti që ke ngritur me duart e tua nuk funksionon, jep menjëherë dorëheqjen, Zoti Kryeministër, dhe hapu rrugë zhvillimeve të reja edhe pse është tmerrësisht vonë!
The post Shteti s’mund të jetë një akt, por veprim i vijueshëm i institucioneve ligjore appeared first on Sot News | Lajme.