Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – FIFA shton një simbol të ri për fituesit e Kupës së Botës

17 July 2026 at 22:52

NJU JORK, 17 korrik /ATSH/ – Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, skuadra që do të fitojë finalen e së dielës mes Spanjës dhe Argjentinës do të shpërblehet jo vetëm me trofeun dhe medaljet e arta, por edhe me unazën e kampionit, sipas Reuters.

FIFA njoftoi se kjo risi synon të krijojë një traditë të re në turneun më prestigjioz të futbollit.

Sipas FIFA-s, 30 unaza të personalizuara do t’i ndahen ekipit fitues.

Menjëherë pas finales, kapiteni dhe trajneri do të marrin versione të përkohshme të unazave, ndërsa modelet përfundimtare do të personalizohen me identitetin e skuadrës kampione dhe do t’u dorëzohen më vonë.

Në njërën anë të unazës do të jetë i gdhendur trofeu i Kupës së Botës, ndërsa ana tjetër do të përmbajë elemente që lidhen me ekipin fitues.

Unazat e lojtarëve do të jenë pjesë e një serie të kufizuar prej 2 026 copësh të numeruara.

Nga kjo seri, 1 996 unazat e mbetura do të dalin në shitje për tifozët në mbarë botën si produkte zyrtare të licencuara nga FIFA.

Unazat e kampionëve janë një traditë e njohur në sportet profesionale të Amerikës së Veriut, si NFL, NBA, Major League Baseball dhe NHL, por deri më tani nuk janë përdorur në asnjë kompeticion të organizuar nga FIFA.

Kjo risi është pjesë e disa ndryshimeve që kanë shoqëruar Kupën e Botës të këtij viti.

Finalja do të përfshijë edhe një spektakël artistik gjatë pushimit mes pjesëve, i ngjashëm me atë të Super Bowl-it, duke sjellë një format më të afërt me sportin amerikan.

Po ashtu, gjatë gjithë turneut janë zbatuar pushime të detyrueshme për hidratim, të cilat FIFA i ka justifikuar me temperaturat e larta dhe lagështinë në Amerikën e Veriut. Megjithatë, kjo praktikë ka ngjallur kritika nga lojtarë, trajnerë dhe tifozë, të cilët argumentojnë se ndërprerjet ndikojnë në ritmin e lojës dhe u japin skuadrave mundësi shtesë për riorganizim taktik./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – FIFA shton një simbol të ri për fituesit e Kupës së Botës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Ministrja serbe të shpallet non grata, padi për nxitje të genocidit

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sërish pas deklaratës së ministres serbe, Snezana Paunoviç, lidhur me Kosovën dhe periudhën e luftës së vitit 1998.

Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha e cilëson “ndjesë të një monstre” tërheqjen e pjesshme të deklaratës nga ministrja serbe, duke akuzuar se ajo nuk ka reflektuar për përmbajtjen e qëndrimit të saj.

Berisha tha se me korrigjimin e deklaratës së saj, ku zëvendësoi termin “spastrim etnik” me “depërtim”, ka treguar sipas tij vazhdimësi të një mentaliteti racist.

Kreu i PD gjithashtu kritikoi kryeministrin Edi Rama për mungesën e reagimit ndaj kësaj çështjeje.

“Partia Demokratike dënon edhe një herë me forcën më të madhe deklaratat raciste, antishqiptare dhe çnjerëzore të ministres serbe, heshtjen si fija e barit të narkoqeverisë së Tiranës, si dhe përsërit kërkesën për shpalljen e saj “non grata” dhe ngritjen e padisë për nxitje të gjenocidit ndaj saj”, shkruan Berisha.

/m.q/j.p/

The post Berisha: Ministrja serbe të shpallet non grata, padi për nxitje të genocidit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – “Rolling Stones” barazojnë rekordin e “Beatles” në listat britanike

17 July 2026 at 22:33

LONDËR, 17 korrik /ATSH-DPA/ – Grupi legjendar britanik “Rolling Stones” ka barazuar rekordin e “Beatles” për numrin më të madh të albumeve që kanë arritur vendin e parë në klasifikimin zyrtar britanik.

Albumi i tyre i ri, “Foreign Tongues”, është bërë albumi i 15-të i grupit që ngjitet në krye të listës së albumeve në Britaninë e Madhe.

Albumi me 14 këngë vjen pas suksesit të “Hackney Diamonds” të vitit 2023 dhe është vlerësuar gjerësisht nga kritika si një nga projektet më të mira të grupit në vitet e fundit.

Me këtë sukses, Mick Jagger, Keith Richards dhe Ronnie Wood barazojnë një rekord historik të vendosur nga “The Beatles”.

Në vendin e dytë të klasifikimit renditet “My chemical romance” me versionin e ripërpunuar të albumit “Danger days: The true lives of the fabulous Killjoys”, ndërsa Olivia Rodrigo mban vendin e tretë me albumin e saj “You seem pretty sad for a girl so in love”.

Në vendin e katërt renditet përmbledhja “The Essential” e Michael Jackson.

Ndërkohë, grupi irlandez “December 10” i krijuar në vitin 2025 nga Simon Cowell, debutoi në vendin e pestë me albumin “On your side”, duke regjistruar hyrjen më të mirë në klasifikim për një grup djemsh në gjashtë vitet e fundit.

Në klasifikimin e këngëve më të dëgjuara në Britaninë e Madhe Sam Fender dhe Olivia Dean vazhdojnë të kryesojnë me hitin “Rein me in”, që ka qëndruar 17 javë jo radhazi në vendin e parë.

Kënga ka kaluar rekordin e Bryan Adams dhe është vetëm një javë larg barazimit të rekordit historik të Frankie Laine për numrin më të madh të javëve në krye të klasifikimit. /Ad.Ab./  a.jor.

The post MUZIKË – “Rolling Stones” barazojnë rekordin e “Beatles” në listat britanike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Kosovës hedh poshtë akuzat e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit për “presion ndaj serbëve”

PRISHTINË, 17 korrik/ATSH/ Policia e Kosovës hodhi poshtë pretendimet, siç tha, të pabazuara, të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) për “presion, diskriminim apo frikësim të serbëve dhe Kishës” serbe.

“Pretendime të tilla nuk mbështeten në fakte, nuk pasqyrojnë realitetin e veprimtarisë së Policisë së Kosovës dhe krijojnë një perceptim të rremë mbi mandatin, përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të institucionit”, tha Policia e Kosovës.

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit përmes një reagimi më 17 korrik denoncoi ato që i cilësoi si shkelje të bëra nga Policia e Kosovës ndaj serbëve dhe Kishës serbe, duke thënë se Policia është bërë “instrument i presionit që synon t’ua bëjë më të vështirë jetën njerëzve dhe Kishës sonë”.

“Me keqardhje të madhe, ne duhet të themi që raportet mes komunitetit serb dhe Kishës sonë në njërën anë, dhe institucioneve të Kosovës në anën tjetër, veçmas të Policisë së Kosovës, kurrë nuk kanë qenë në nivel më të ulët gjatë gjithë periudhës së pasluftës. Ky përfundim nuk bazohet në një rast të vetëm të izoluar, por në një varg të gjatë veprimesh që nuk mund të arsyetohen në asnjë mënyrë si dështime individuale dhe që, dita-ditës, po marrin gjithnjë e më shumë karakteristikat e diskriminimit sistematik”, tha Dioqeza, sipas të cilës, gjithnjë e më shumë serbë më nuk e shohin Policinë e Kosovës si një urë të besimit, por si “instrument të presionit, kontrolleve selektive dhe frikësimit sistematik”.

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit përmendi ndalimin e 37 personave gjatë shënimit të Vidovdanit më 28 qershor. Sipas saj, Policia i keqtrajtoi disa nga të ndaluarit, duke përmendur se për këto pretendime Avokati i Popullit i Kosovës ka nisur hetime.

Policia u kundërpërgjigj se për më shumë se një dekadë ka garantuar zhvillimin e sigurt të qindra ceremonive fetare, pelegrinazheve dhe aktiviteteve të Kishës Ortodokse Serbe në të gjithë territorin e Kosovës.

Duke përmendur rastin e Vidovdanit, që u shënua në Gazimestan afër Prishtinës, Policia tha se ceremonia është zhvilluar pa ndërhyrje e pa pengesa nga ana e saj.

“Veprimet policore të ndërmarra pas përfundimit të ceremonisë nuk kanë qenë të drejtuara ndaj besimtarëve, identitetit serb apo riteve fetare. Masat policore janë ndërmarrë vetëm ndaj personave për të cilët kanë ekzistuar dyshime të arsyeshme për sjellje që përbënin elemente të nxitjes së urrejtjes, provokimit ose cenimit të rendit publik”, u tha në reagimin e Policisë së Kosovës.

Pas ndalimit të 37 personave më 28 qershor, në opinion u shfaqën pretendime se personat e ndaluar janë ekspozuar ndaj keqtrajtimit fizik dhe psikologjik nga disa zyrtarë policorë, të cilët, sipas këtyre pretendimeve, i kanë goditur me shuplaka, i kanë rrahur, fyer dhe poshtëruar, si dhe i kanë detyruar të brohorasin “Kosova Republikë”.

Policia e Kosovës tha se akuzat e ngritura nga Dioqeza për diskriminim dhe frikësim të serbëve nuk qëndrojnë, duke përmendur se në përbërjen e saj ka pjesëtarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

“Vetë përbërja shumetnike e Policisë së Kosovës, mekanizmat e mbikëqyrjes civile dhe institucionale, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë, përjashtojnë çdo pretendim se Policia e Kosovës vepron mbi baza etnike, fetare apo politike”, u tha në reagimin e Policisë.

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit u ankua se vitin e fundit ka pasur rritje të incidenteve dhe shkelje të zonave të mbrojtura përreth objekteve fetare.

Sipas këtij institucioni, ka pasur sulme, hyrje me forcë, grabitje dhe akte të përdhosjes ndaj kishave ortodokse serbe, dhe pothuajse “pa përjashtim ato nuk kanë marrë përgjigje efektive nga organet gjyqësore apo policore”.

“Vëmë në pah praktikën shqetësuese të Policisë së Kosovës, e cila është vërejtur edhe në raporte ndërkombëtare, që sulmet ndaj Kishës t’i trajtojë thjesht si dëmtim prone ose vandalizëm, duke fshehur kështu përmasat e dhunës ndërfetare dhe ndëretnike që vazhdon të jetë e pranishme dhe e toleruar në Kosovë”, tha Dioqeza.

Por, Policia u kundërpërgjigj se mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare përbën një “nga përgjegjësitë më të rëndësishme” të saj.

Sipas saj, pas transferimit të përgjegjësive nga KFOR-it, ajo ka përgjegjësinë për të ofruar siguri për objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare, duke shtuar se janë 24 objekte që ruhen 24/7 nga zyrtarët policorë.

Duke iu përgjigjur akuzave për sulmet dhe aktet e tjera në objektet fetare ortodokse, Policia tha se më 2024, kanë qenë 53 raste dhe vetëm 16 prej tyre apo 30 për qind janë evidentuar në objektet ortodokse. Ndërkaq, më 2025 janë evidentuar 10 raste në objekte ortodokse të trashëgimisë kulturore dhe fetare.

“Gjatë periudhës janar-qershor 2026, janë evidentuar 34 raste në: 27 raste ose 79 për qind kanë ndodhur ne objektet myslimane, 5 rast ose 15 për qind në ato ortodokse dhe 2 rast ose 6 për qind ne ato katolike”, tha Policia, duke shtuar se incidentet ndaj objekteve fetare dhe kulturore në pjesën dërrmuese kanë të bëjnë me vjedhje.

Kisha Ortodokse e Kosovës dhe pronat e saj kanë mbrojtje ligjore bazuar në Kosovë, bazuar në Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.

Ky ligj siguron mbrojtjen e manastireve, kishave dhe vendeve të tjera fetare ortodokse serbe në Kosovë, si dhe mbron vendet e tjera kulturore dhe historike që janë me rëndësi të veçantë për komunitetin serb.

Në reagimin e saj, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos zvogëlojë praninë diplomatike dhe të sigurisë në Kosovës, pasi tha se për komunitetin serb kjo prani është kyç.

Dioqeza po ashtu tha se çdo reduktim i trupave ndërkombëtare “do të inkurajonte qarqet ekstremiste që të vazhdojnë presionin ndaj popullit serb dhe Kishës”.

NATO ka paralajmëruar se për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë nga viti i ardhshëm do të reduktohet numri i pjesëtarëve të KFOR-it. /rel/

The post Policia e Kosovës hedh poshtë akuzat e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit për “presion ndaj serbëve” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump akuzon Kanadanë si përgjegjëse për zjarret që po ndotin qytetet amerikane

UASHINGTON, 17 korrik /ATSH-ANSA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump akuzoi Kanadanë si përgjegjëse për zjarret që po ndotin qytetet amerikane.

“Ne e mbajmë Kanadanë përgjegjëse për dështimin për të mirëmbajtur pyjet e saj dhe bimësinë përkatëse”, shkroi Trump në Truth Social.

”Kjo po shkakton një pushtim të pajustifikuar të Shteteve të Bashkuara nga ajri i ndotur  dhe i pashëndetshëm, cilësia e të cilit është e rrezikshme dhe absolutisht e papranueshme!”, shtoi ai.

”Çfarë nuk shkon me Kanadanë? Cilësia e ajrit është plotësisht e papranueshme”, theksoi Trump duke shtuar se do të kontaktonte me kryeministrin Mark Carney.

“Kostot janë të pallogaritshme!” shtoi manjati, duke akuzuar Kanadanë “për dështimin në zbatimin e ndërhyrjeve themelore për menaxhimin e pyjeve dhe heqjen e mbeturinave”./  a.jor.

The post SHBA – Trump akuzon Kanadanë si përgjegjëse për zjarret që po ndotin qytetet amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HAPËSIRË – Atmosfera e një planeti të largët rrit shpresat për botë të banueshme

17 July 2026 at 22:02

NJU JORK, 17 korrik /ATSH/ – Astronomët kanë zbuluar për herë të parë prova të forta se një planet shkëmbor në zonën e banueshme të një ylli tjetër ka ruajtur atmosferën e tij për miliarda vjet. Bëhet fjalë për “LHS 1140 b”, një ekzoplanet që ndodhet rreth 48 vite-dritë larg Tokës, sipas “New York Times”.

Zbulimi, i publikuar në revistën shkencore “Science”, konsiderohet një hap i madh në kërkimin për botë që mund të kenë kushte të përshtatshme për jetën.

“LHS 1140 b” rrotullohet rreth një ylli xhuxh të kuq dhe ndodhet në zonën e banueshme, ku temperaturat mund të lejojnë ekzistencën e ujit të lëngshëm. Edhe pse janë zbuluar mijëra ekzoplanetë, deri më tani nuk kishte prova të qarta se një planet shkëmbor në këtë zonë kishte mundur të ruante atmosferën e tij për një kohë kaq të gjatë.

Shkencëtarët arritën të zbulojnë praninë e heliumit që po largohej gradualisht nga shtresat e sipërme të atmosferës së planetit. Vëzhgimet u kryen me spektrografin WINERED në observatorin “Magelan” në Kili, gjatë një kalimi të rrallë të planetit përpara yllit të tij.

Një planet tjetër në të njëjtin sistem nuk tregoi shenja atmosfere, duke e bërë zbulimin për “LHS 1140 b” edhe më bindës.

Sipas autorit kryesor të studimit, Collin Cherubim nga Universiteti i Harvardit, atmosfera është një element thelbësor për të mbështetur jetën siç e njohim.

Ai theksoi se kjo është hera e parë që konfirmohet prania e një atmosfere në një planet shkëmbor brenda zonës së banueshme të një ylli tjetër.

Megjithatë, zbulimi nuk do të thotë se planeti strehon jetë.

Prania e heliumit vetëm konfirmon se ai ka ruajtur atmosferën për miliarda vjet. Tani astronomët synojnë të përcaktojnë përbërjen e plotë të atmosferës dhe të kërkojnë shenja të gazrave të tjerë, si avulli i ujit apo dioksidi i karbonit.

Shkencëtarët e konsiderojnë “LHS 1140 b” një nga objektivat më premtues për studimet e ardhshme mbi ekzoplanetët.

Zbulimi pritet të ndihmojë në identifikimin e botëve të tjera shkëmbore që mund të kenë kushte të ngjashme me Tokën dhe të rrisë shanset për të gjetur, në të ardhmen, një planet potencialisht të banueshëm./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post HAPËSIRË – Atmosfera e një planeti të largët rrit shpresat për botë të banueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 17 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Protesta e 48-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Në Tiranë ka vijuar edhe sot në ditën e 48-të protesta e qytetarëve, e cila nisi si kundërshtim ndaj investimit në Zvërnec dhe më pas u zgjerua me kërkesa për largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit dhe duke ngritur njëkohësisht shqetësime të tjera lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Një aktivist bëri thirrje për pjesëmarrje masive paraditen e 23 korrikut para Parlamentit, duke e cilësuar një ditë të rëndësishme për vijimin e protestave kundër qeverisë.

Sipas tij, prania e qytetarëve gjatë ditës do të ketë një ndikim më të madh, pasi përkon me seancën e fundit të Parlamentit para pushimeve verore.

Me pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë, protestuesit kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që ata e cilësuan “kastë të vjetër politike”.

Edhe në ditën e 48-të, protestuesit përsëritën se do të vijojnë çdo ditë tubimet dhe marshimet e tyre,

Pasi qëndruan për disa orë para godinës së Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin nëpër akset kryesore të Tiranës.

1 nga 4

/m.q/

 

The post Protesta e 48-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Macron: Mos u besoni sondazheve për zgjedhjet presidenciale

17 July 2026 at 21:23

PARIS, 17 korrik /ATSH-AFP/ – Presidenti francez Emmanuel Macron u bëri sot thirrje qytetarëve dhe analistëve të tregohen të kujdesshëm ndaj sondazheve që parashikojnë një fitore të kandidates së ”Tubimit Kombëtar” (”Rassemblement National”), Marine Le Pen, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman, Friedrich Merz në Bruhl, pranë Këlnit, Macron tha se sondazhet nuk janë gjithmonë një tregues i saktë i rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

“Duhen parë me kujdes sondazhet. Njoh shumë njerëz që në korrik të vitit 2016 konsideroheshin fitues të sigurt, por në maj të vitit 2017 rezultati ishte krejt tjetër”, tha ai, duke iu referuar zgjedhjes së tij si president i Francës.

Presidenti Macron u bëri thirrje francezëve të mos bien pre e parashikimeve pesimiste dhe të besojnë te vendimmarrja demokratike e qytetarëve.

“Besojini popullit francez. Mos parashikoni gjithmonë më të keqen. Lëreni të zgjedhë më të mirën”, deklaroi presidenti francez.

Komentet e Macron vijnë në një kohë kur disa sondazhe të fundit tregojnë se Marine Le Pen dhe forca e saj politike gëzojnë mbështetje të lartë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, megjithëse fushata ende nuk ka nisur zyrtarisht.

Macron nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë radhazi sipas Kushtetutës franceze, ndaj gara e vitit 2027 pritet të jetë një nga më të rëndësishmet në politikën franceze të viteve të fundit. /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post FRANCË – Macron: Mos u besoni sondazheve për zgjedhjet presidenciale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Komisioni Evropian vlerëson avancimin e Shqipërisë në reformën në drejtësi

BRUKSEL, 17 korrik /ATSH/ – Shqipëria vazhdoi zbatimin e reformës gjyqësore, si dhe Strategjinë Ndërsektoriale të Drejtësisë, thuhet në raportin e Komisionit Evropian për Shtetin e së Drejtës në Shqipëri gjatë vitit 2026, sipas https://commission.europa.eu/.

Procesi i verifikimit të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve u përfundua plotësisht pas finalizimit të fazës së apelimit, duke forcuar më tej pavarësinë gjyqësore, llogaridhënien dhe integritetin në të gjithë sektorin e drejtësisë.

Janë bërë disa përparime për të integruar standardet e larta të procesit të verifikimit në sistemin e drejtësisë së zakonshme, duke përfshirë rishikimin e rregullave për emërimet e anëtarëve jomagjistratë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë mbetet funksional, por përballet vazhdimisht me një numër të lartë vendesh të lira pune për magjistratë-inspektorë.

Megjithëse gjyqësori mbetet i qëndrueshëm, përpjekjet për ndikim të padrejtë në institucionet e drejtësisë dhe sulmet personale ndaj magjistratëve vazhduan.

Sfidat e identifikuara më parë mbeten në kryerjen e vlerësimeve në kohë dhe cilësore të gjyqtarëve.

Cilësia e përgjithshme e trajnimit gjyqësor është përmirësuar dhe numri i çështjeve të prapambetura është zvogëluar pjesërisht, ndërsa funksionimi i plotë i një sistemi modern të integruar elektronik të menaxhimit të çështjeve mbetet për t’u arritur, duke përfshirë planin e mirëmbajtjes dhe trajnimet.

Strategjia Kundër Korrupsionit për vitet 2024-2030 dhe plani i saj i veprimit për vitet 2024-2026 janë duke u zbatuar. Korniza ligjore për luftën kundër korrupsionit është kryesisht në vend dhe janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për t’u përafruar më tej me acquis të BE-së dhe standardet evropiane.

Struktura Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK) ka vazhduar të japë rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe në ndërtimin e një historiku të fortë hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh.

Korniza institucionale për parandalimin e korrupsionit është përmirësuar, por koordinimi me zbatimin e ligjit mbetet i dobët. Rreziqet e korrupsionit vazhdojnë të jenë të përhapura në Policinë e Shtetit, prokurimin publik dhe në sektorët me rrezik të lartë, për të cilët Shqipëria po zbaton aktualisht vlerësimet e rrezikut.

Ndërsa efektiviteti dhe transparenca e verifikimeve të deklaratave të pasurive dhe interesave nga Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Auditimin e Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) janë përmirësuar, mangësitë vazhdojnë.

Shqetësimet vazhdojnë në lidhje me pavarësinë e autoritetit rregullator të medias, që rrjedhin nga procedura e emërimit për anëtarët e bordit dhe përkatësia e tyre politike. Pavarësia e kufizuar e transmetuesit publik është gjithashtu një shqetësim.

Ndërsa u ndërmorën hapa për të adresuar transparencën e pronësisë së medias, përqendrimi i medias dhe depërtimi në treg nga grupet e biznesit me lidhje politike mbeten një shqetësim serioz. Ndërsa janë ndërmarrë disa hapa drejt krijimit të një sistemi matjeje të audiencës, ndarja e drejtë e reklamave shtetërore dhe burimeve të tjera shtetërore ende nuk është siguruar.

Mangësitë vazhdojnë në lidhje me të drejtën për të aksesuar informacionin. Rastet e kërcënimeve verbale dhe fizike, fushata e shpifjes dhe paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) që synojnë gazetarët vazhduan, ndërsa u prezantua dekriminalizimi i pjesshëm i shpifjes për gazetarët e regjistruar.

Shqetësimet mbeten në lidhje me cilësinë e procesit legjislativ, duke përfshirë zbatimin konsistent të politikbërjes së bazuar në prova dhe efektivitetin e konsultimeve publike.
Polarizimi politik vazhdon të ndikojë negativisht në punën parlamentare.

Gjykata Kushtetuese vazhdoi të jetë efektive në ruajtjen e kontrolleve dhe balancave institucionale. U emëruan një Avokat i Popullit i ri dhe një Komisioner i ri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (CPD). Në përgjithësi, organizatat e shoqërisë civile (OSHC-të) vazhdojnë të veprojnë lirisht, por vazhdojnë të përballen me sfida, të tilla si diskreditimi, transparenca e kufizuar në hartimin e politikave, praktikat e pabarabarta të konsultimit dhe kufizimet e qëndrueshmërisë financiare./ a.jor.

The post BRUKSEL – Komisioni Evropian vlerëson avancimin e Shqipërisë në reformën në drejtësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ngadalësohet rritja e numrit të turistëve në qershor, Gonxhja: Ekonomia paguan situatën

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, reagoi sot lidhur me të dhënat e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri, duke deklaruar se ekonomia e turizmit po përballet me një ngadalësim të ritmit të rritjes.

Sipas Gonxhes, Shqipëria vijon të jetë në territor pozitiv sa i takon numrit të vizitorëve të huaj, por të dhënat e muajit qershor 2026 tregojnë një frenim të ndjeshëm të rritjes.

“Ashtu siç kemi paralajmëruar, ekonomia e turizmit paguan situatën. Shqipëria mbetet në territor pozitiv sa u takon hyrjeve të shtetasve të huaj, por të dhënat e qershorit tregojnë një ngadalësim të qartë të ritmit të rritjes.

“Në qershor 2026, vendi regjistroi 1,346,279 vizitorë të huaj, krahasuar me 1,329,204 në qershor 2025. Kjo përfaqëson një rritje prej vetëm 17,075 vizitorësh, ose +1.28%. -1,223% më pak krahasuar me rritjen e muajit maj 2026 ose 12.2 herë më e ulët si rritje, dhe -638% më pak krahasuar me trendin e rritjes në 5-mujorin janar-maj 2026 ose 6.3 herë më e ulët si rritje!”, thekson Gonxhja.

Ministri nënvizoi se për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, u regjistruan 5,059,069 vizitorë të huaj, krahasuar me 4,761,648 në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Rritja totale është 297,421 vizitorë, ose +6.25%.

Gonxhja shtoi se “megjithatë, deri në muajin maj, rritja ishte +8.2%. Me përfshirjen e të dhënave të qershorit, ritmi i rritjes zbret në +6.25%, çka nënkupton një ngadalësim prej rreth -24% të dinamikës së rritjes”.

Sipas tij, ky sinjal bëhet edhe më i qartë kur analizohen disa nga tregjet kryesore.

Ministri theksoi se “në qershor 2026, krahasuar me qershorin 2025, u regjistrua rënie e numrit të vizitorëve nga: Kosova: 51,190 vizitorë më pak; Maqedonia: 15,223 vizitorë më pak; Gjermania: 13,165 vizitorë më pak; Turqia: 11,062 vizitorë më pak; Mali i Zi: 6,212 vizitorë më pak”.

Gonxhja tha se vetëm këto pesë tregje, të marra së bashku, sollën 96,852 vizitorë më pak, ose -13.00% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.

Në reagimin e tij, ministri e lidh ngadalësimin me klimën e krijuar nga tensionet publike dhe protestat, duke argumentuar se perceptimi i sigurisë dhe stabilitetit ndikon në vendimmarrjen e turistëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Në një sektor si turizmi, perceptimi i sigurisë, normalitetit dhe stabilitetit është vendimtar. Klima e krijuar nga protestat, tensioni publik dhe imazhi negativ i përcjellë në tregjet e huaja kanë rritur pasigurinë dhe kanë ndikuar në vendimmarrjen e vizitorëve, grupeve turistike dhe partnerëve ndërkombëtarë”, theksoi Gonxhja.

Sipas tij, sinjalizimet nga operatorët turistikë, hotelierët dhe agjencitë e udhëtimit konfirmojnë shqetësimet për ngadalësimin e rezervimeve, anulimet dhe hezitimin nga tregjet e huaja.

“Turizmi nuk është vetëm statistikë. Është ekonomi reale, vende pune, të ardhura për familjet dhe imazh kombëtar. Prandaj, është thelbësore për të gjithë të mbrojmë industrinë turistike nga çdo axhendë destabilizuese e konfliktuale!”, e përmbyll ministri reagimin.

/m.q/j.p/

The post Ngadalësohet rritja e numrit të turistëve në qershor, Gonxhja: Ekonomia paguan situatën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Tymi nga zjarret në Kanada mbulon verilindjen e SHBA-së para finales së Botërorit

17 July 2026 at 20:51

UASHINGTON, 17 korrik /ATSH–AFP/ –  Re të dendura tymi nga zjarret masive pyjore në Kanada kanë përfshirë sërish pjesë të mëdha të Shteteve të Bashkuara, të Amerikës, duke shkaktuar alarm për cilësinë e ajrit vetëm dy ditë para finales së Kupës së Botës, që do të zhvillohet të dielë në Nju Xhersi.

Qytetet Detroit dhe Çikago regjistruan nivele të cilësisë së ajrit në kategorinë “të rrezikshme”, ndërsa Uashingtoni u rendit në nivelin “shumë të pashëndetshëm”.

Në zonën metropolitane të Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, ku do të luhet finalja në një stadium të hapur, cilësia e ajrit u klasifikua si “e pashëndetshme”, me smogun që kufizoi ndjeshëm dukshmërinë.

Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se mund të shtohet dendësia e tymit sërish gjatë natës dhe në mëngjesin e së shtunës, megjithëse meteorologët presin që kushtet të përmirësohen deri të dielën.

Sipas tyre, pritet të ketë mjegull tymi në atmosferë, por jo në të njëjtin nivel si gjatë ditëve të fundit.

Në shumë qytete të Miduest-it dhe verilindjes së SHBA-së, banorët u panë me maska mbrojtëse në ambiente të hapura, ndërsa biblioteka dhe stacione trenash në Nju Jork shpërndanë maska falas.

Paralajmërimet për cilësinë e ajrit mbetën në fuqi edhe për Çikagon, ku autoritetet thanë se tymi mund të rikthehet gjatë fundjavës.

Shkencëtarët theksojnë se episodet e përsëritura të tymit lidhen me ndryshimet klimatike, të cilat po zgjasin sezonin e zjarreve dhe po krijojnë kushte më të favorshme për përhapjen e tyre.

Temperaturat më të larta dhe thatësira bëjnë që zjarret të digjen për javë të tëra.

Ndërkohë, në Kanada vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit mbi 200 zjarre pyjore, kryesisht në provincën e Ontarios.

Që nga fillimi i vitit janë djegur rreth 2,8 milionë hektarë, pothuajse dyfish më shumë se një javë më parë.

Deri tani nuk janë raportuar viktima në Ontario, por disa komunitete të largëta janë evakuar./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS – Tymi nga zjarret në Kanada mbulon verilindjen e SHBA-së para finales së Botërorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi reagon për raportin e Komisionit Europian

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi sot pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian për Shtetin e së Drejtës për vitin 2026.

Bardhi nënvizon se “raporti konfirmon zyrtarisht se Rama e ktheu Kuvendin në mburojë personale për bashkëpunëtoren e tij, të akuzuar për 1.1 miliardë euro abuzime me tenderat”.

Sipas tij, raporti konfirmon njëkohësisht se opozita qëndroi aty ku duhej: në krah të ligjit dhe kundër korrupsionit.

Ai shton se KE shprehet qartë se refuzimi i Kuvendit për të hequr imunitetin e Belinda Ballukut, pas kërkesës së SPAK-ut, cenon parimet e kontrollit dhe balancës, si edhe barazinë përpara ligjit.

“Raporti dokumenton gjithashtu se, paralelisht me refuzimin e kërkesës së SPAK-ut, mazhoranca, me firmën edhe të Edi Ramës, propozoi ndryshime në Kodin e Procedurës Penale për të zgjeruar rrethin e zyrtarëve që nuk mund të pezullohen nga detyra. Njësoj si opozita, edhe Komisioni Evropian arrin në përfundimin se këto ndryshime pengojnë hetimet për korrupsionin e nivelit të lartë dhe ushqejnë pandëshkueshmërinë”, thekson Bardhi.

“SPAK ka vetëm një rrugë për të mos u bërë pjesë e pandëshkueshmërisë që denoncon sot Brukseli në çështjen Balluku: t’i drejtohet pa vonesë Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut”, shkruan Bardhi.

/m.q/j.p/

The post Bardhi reagon për raportin e Komisionit Europian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parku i Artit në Kinostudio, hapësira e re dedikuar artit, kulturës dhe komunitetit

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Një hapësirë e re e dedikuar artit, kulturës dhe komunitetit është tashmë pjesë e peizazhit urban të Tiranës. Parku i Artit në Kinostudio ka sjellë një transformim të zonës së ish-Kinostudios, duke e kthyer atë në një pikë të re takimi për qytetarët, artistët dhe vizitorët.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga qytetarë të shumtë të cilët kanë zgjedhur që të kalojnë këtë mbrëmje vere në parkun e Artit në Kinostudio.

I konceptuar si një park kulturor urban, kjo hapësirë ndërthur gjelbërimin me elementë artistikë, instalacione, ambiente për aktivitete kulturore dhe hapësira që lidhen me trashëgiminë e kinemasë.

Parku rikthen vëmendjen te një zonë me rëndësi historike për artin dhe filmin në Shqipëri, duke e sjellë atë në një formë moderne dhe të hapur për publikun.

Parku i Artit synon të jetë një qendër aktive për ekspozita, aktivitete artistike, shfaqje filmash dhe evente komunitare, duke krijuar një lidhje mes historisë së ish-Kinostudios dhe zhvillimit të ri urban të kryeqytetit.

/m.q/j.p/

The post Parku i Artit në Kinostudio, hapësira e re dedikuar artit, kulturës dhe komunitetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jaupaj: Rreth 250 fëmijë në kampin veror të Tropojës, në fokus edukimi mjedisor

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, mori pjesë sot pjesë në ceremoninë përmbyllëse të kampit veror të Tropojës, së bashku me kryetarin e Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi.

Sipas ministrit, rreth 250 fëmijë zhvilluan një javë aktivitetesh të përqendruara te mësimi, kreativiteti dhe ndërgjegjësimi për mbrojtjen e mjedisit.

Jaupaj u shpreh se në zemër të Alpeve Shqiptare, fëmijët mësuan se kujdesi për natyrën nis nga veprime të përditshme, si mbajtja pastër e mjedisit, riciklimi, respektimi i jetës së egër dhe ripërdorimi i materialeve në frymën e ekonomisë qarkulluese.

“Në zemër të Alpeve Shqiptare, fëmijët mësuan se kujdesi për natyrën fillon me veprime të vogla: duke mbajtur pastër mjedisin, duke ricikluar, duke respektuar jetën e egër dhe duke i dhënë një jetë të re materialeve përmes ekonomisë qarkulluese. Mesazhi; kreativiteti dhe kujdesi për mjedisin mund të ecin krah për krah”, shkruan ai.

Sipas tij, kampi përcolli mesazhin se kreativiteti dhe kujdesi për mjedisin mund të ecin krah për krah, duke nxitur edukimin e brezit të ri për mbrojtjen e natyrës.

“Mirënjohje për të gjithë vullnetarët, mësuesit, prindërit dhe organizatorët që investojnë te fëmijët tanë. Ata janë brezi që do të kujdeset për pasuritë e jashtëzakonshme natyrore të Tropojës dhe të gjithë Shqipërisë”, shkruan Jaupaj.

/m.q/j.p/

The post Jaupaj: Rreth 250 fëmijë në kampin veror të Tropojës, në fokus edukimi mjedisor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA shkatërron një kullë vëzhgimi në bregdetin iranian

17 July 2026 at 19:50

UASHINGTON, 17 korrik /ATSH-DPA/ -Ushtria amerikane njoftoi sot se ka shkatërruar një kullë vëzhgimi detar në bregdetin jugor të Iranit, e cila, sipas saj, përdorej për mbikëqyrjen e trafikut detar në Gjirin e Omanit.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), kulla ishte pjesë e një rrjeti të mbikëqyrjes detare përgjatë bregdetit iranian dhe kontrollohej nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC). Po ashtu, edhe mediat iraniane raportuan për një sulm ndaj një kulle vëzhgimi në zonë.

CENTCOM deklaroi se IRGC-ja e kishte përdorur këtë kullë për dekada me radhë për të gjurmuar dhe identifikuar anijet tregtare që kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për transportin e naftës në botë.

Sipas ushtrisë amerikane, shkatërrimi i kullës dobëson aftësinë e Gardës Revolucionare për të koordinuar sulme ndaj ekuipazheve civile dhe ndihmon në mbrojtjen e lirisë së lundrimit në rajon.

SHBA – ja shtoi se operacioni i zhvilluar dje synon të garantojë kalimin e sigurt të anijeve, me përjashtim të atyre që përpiqen të thyejnë bllokadën detare amerikane ndaj porteve iraniane.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane raportuan se sulmet amerikane gjatë natës shkaktuan viktima dhe dëme në infrastrukturë në disa rajone të jugut të vendit. Deri tani nuk janë bërë publike të dhëna të pavarura që të konfirmojnë në mënyrë të plotë pretendimet e secilës palë.

Ngjarja shënon një tjetër përshkallëzim të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara të Bashkuara dhe Iranit, në një periudhë kur situata e sigurisë në Gji dhe në Ngushticën e Hormuzit mbetet veçanërisht e brishtë./ /Ad.Ab./  a.jor.

The post UASHINGTON – SHBA shkatërron një kullë vëzhgimi në bregdetin iranian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Shehaj të sqarojë të dhënat e shitjes së vilës në Itali

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një videomesazh në rrjetet sociale iu drejtua kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, duke i kërkuar sqarime lidhur me një vilë në Itali.

Në videomesazh, Balla ngre pikëpyetje mbi statusin e pronës, duke aluduar për mospërputhje në deklarimet e bëra nga Shehaj.

“A është 250, 498, 359? E ke shitur vjet në shtator apo është akoma e jotja? Se mos e nxjerr Kadastra e Italisë që është ende e jotja, se na merr në qafë pastaj. Shihi këto letrat dhe sqaroje pak këtë punë”, shprehet Balla në video.

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, iu përgjigj duke theksuar se të dhënat për shtëpinë e familjarëve të tij janë publikuar me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

Sipas kreut të partisë Mundësia kjo bëhet për shkak se qeveria kërkon të mbyllë gojën e deputetëve të Mundësia dhe të ndalen nga denoncimet e skandaleve korruptive të Ramës.

“Ne nuk ndalemi! Nuk na trembni dot, as me filmime dhe as me Taulant-a, as me krimin as me oligarkët, as me mediat tuaja të cilat i financoni me paratë e qytetarëve shqiptarë”, e mbyll reagimin e tij Shehaj.

/m.q/j.p/

The post Balla: Shehaj të sqarojë të dhënat e shitjes së vilës në Itali appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Transparencë e shërbimeve publike, lançohet platforma kombëtare për raportim të problematikave

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Inspektorati i Përgjithshëm lançoi sot platformën sigurt.gov.al (https://sigurt.gov.al/) e cila i vjen në ndihmë qytetarëve dhe subjekteve/bizneseve.

Në sigurt.gov.al, qytetarët mund të futen dhe të denoncojnë një sipërmarrje e cila shkel ligjin e punës, ndot mjedisin apo shkel ligje të tjera të shtetit shqiptar. Qytetarët mund të zgjedhin vetë nëse duan të identifikohen në denoncimin që bëjnë ose të ruajnë anonimatin.

Po ashtu, platforma i jep mundësi edhe subjekteve, bizneseve që të mund të denoncojnë një inspektor i cili nuk zbaton ligjin, rregulloren apo shkel etikën në punën e tij. Edhe në këtë rast, biznesi mund të zgjedhë të jetë anonim ose të identifikohet.

Çdo raportim pajiset me një kod unik gjurmimi, i cili mundëson ndjekjen online të statusit dhe fazave kryesore të trajtimit të rastit.

Platforma ofron për bizneset checklist-a sektoriale, materiale vetëkontrolli, udhëzime praktike dhe rekomandime për reduktimin e riskut dhe përmirësimin e përputhshmërisë me standardet ligjore ne inspektim.

Publikohen statistika dhe të dhëna të agreguara e të anonimizuara mbi problematikat dhe trendet, pa ekspozuar identitetet e raportuesve apo masat administrative.

Platforma synon të rrisë transparencën ndaj shërbimeve publike, bashkëpunimin e qytetarëve dhe bizneseve  me institucionet shtetërore, veçanërisht ato lidhur me inspektimin.

/m.q/j.p/

The post Transparencë e shërbimeve publike, lançohet platforma kombëtare për raportim të problematikave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Zjarret shkatërrojnë 12 000 ha tokë dhe detyrojnë evakuimin e 1 100 banorëve

17 July 2026 at 19:09

MADRID, 17 korrik /ATSH-DPA/  Zjarri masiv në Aragon të Spanjës ka shkatërruar rreth 12 mijë hektarë tokë, ndërsa mbi 1 100 banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.

Flakët shpërthyen të mërkurën në rajonin verilindor të Aragonit dhe, sipas autoriteteve rajonale, ky është zjarri më i madh i këtij viti në Spanjë.

Kryeministri i Aragonit, Jorge Azcon, deklaroi sot se zjarri mbetet ende jashtë kontrollit.

Evakuimet kanë përfshirë pesë fshatra në provincën e Zaragozë, Ore, Asín, Luesia, Malpica de Arba dhe Uncastillo, të cilat ndodhen rreth 100 kilometra në veri të qytetit të Zaragozës.

Gjithashtu, banorët e Petilla de Aragón, në rajonin fqinj të Navarrës, janë larguar si masë paraprake.

Autoritetet thanë se, për momentin, nuk parashikohen evakuime të tjera, por situata mbetet shumë e rrezikshme.

Rreziku i përhapjes së mëtejshme të flakëve vazhdon të jetë jashtëzakonisht i lartë për shkak të erërave të forta dhe të paqëndrueshme, temperaturave të larta dhe lagështisë shumë të ulët, të cilat favorizojnë përhapjen e zjarrit.

Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar më shumë se 400 efektivë të shërbimeve të emergjencës, të mbështetur nga helikopterë, avionë zjarrfikës dhe Njësia Ushtarake e Emergjencave (UME), e cila po ndihmon në përballimin e situatës. /Ad.Ab./ a.jor.

The post SPANJË – Zjarret shkatërrojnë 12 000 ha tokë dhe detyrojnë evakuimin e 1 100 banorëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi vizitë monitoruese në IEVP Lezhë, Kupi: Angazhim për trajtim dinjitoz të pacientëve

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, priti përfaqësues të Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të cilët zhvilluan një vizitë monitoruese në IEVP Lezhë.

Gjatë vizitës, delegacioni u njoh nga afër me kushtet e trajtimit të pacientëve ndaj të cilëve është vendosur masa “mjekim i detyruar”, si dhe me shërbimet dhe kujdesin e ofruar në funksion të respektimit të të drejtave dhe dinjitetit të tyre.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nënvizoi se mbetet e angazhuar për garantimin e të drejtave dhe trajtimin dinjitoz të personave të privuar nga liria, përfshirë pacientët me masën “mjekim i detyruar”, si dhe për forcimin e transparencës institucionale dhe përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve në sistemin penitenciar.


/m.q/j.p/

The post Kuvendi vizitë monitoruese në IEVP Lezhë, Kupi: Angazhim për trajtim dinjitoz të pacientëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Vazhdojnë protestat pas shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes

17 July 2026 at 18:28

KIEV, 17 korrik /ATSH-DPA/ – Protestat kundër vendimit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, vazhduan sot për të tretën ditë radhazi në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Ukrinform, shumë protestues po kërkojnë gjithashtu largimin e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë, Oleksandr Syrsky, i cili konsiderohet pjesë e një brezi më të vjetër të drejtuesve ushtarakë dhe shihet si pengesë për reformat.

Në kuadër të një riorganizimi të gjerë qeveritar, presidenti Zelensky largoi nga kabineti kryeministren Julia Svyrydenko dhe ministrin e Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, i cili kishte mbajtur detyrën vetëm për gjashtë muaj.

Fedorov, 35 vjeç, konsiderohet një reformator që modernizoi sistemin e prokurimeve të ushtrisë dhe u angazhua fuqishëm për dixhitalizimin dhe modernizimin e forcave të armatosura ukrainase.

Megjithatë, ai kishte pranuar publikisht se ishte përfshirë në një konflikt të vazhdueshëm me komandantin Syrsky.

Në fund, Zelensky vendosi të mbështesë Syrskyn dhe synon të emërojë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes Yevchen Khmara, drejtuesin në detyrë të shërbimit të inteligjencës SBU.

Ky është ndryshimi i katërt në postin e ministrit të Mbrojtjes që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022.

Ndërkohë, ish-ministri i Brendshëm Ihor Klymenko, i cili ishte përfolur si kandidat për të drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes, do të emërohet sekretar i ri i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Këtë detyrë e mbante deri tani ish-ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, i cili për një periudhë të gjatë udhëhoqi negociatat me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë për përfundimin e luftës.

Në ndryshimet e tjera qeveritare, Zelensky i ofroi Taras Kachka, ish-zëvendëskryeministër për integrimin evropian, postin e drejtuesit të misionit të Ukrainës pranë Bashkimit Evropian në Bruksel.

Parlamenti ukrainas konfirmoi dje Sergii Koretskyi si kryeministër të ri të vendit.

Ish-drejtuesi i kompanisë shtetërore të energjisë “Naftogaz” mori 289 vota, duke tejkaluar ndjeshëm shumicën e nevojshme prej 226 votash./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post UKRAINË – Vazhdojnë protestat pas shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌