Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayCitizens.al

“Revolucioni Flamingo”: 30 ditë rezistencë qytetare

29 June 2026 at 18:36

Sot, bëhet një muaj që mijëra qytetarë kanë mbushur bulevardin kryesor të Tiranës nën petkun e përbashkët të quajtur “Revolucioni Flamingo”.

Ajo që nisi në 31 maj si një reagim qytetar kunër ndërhyrjeve dhe projekteve të ndërtimit në Pishë Poro-Nartë dhe Zvërnec, tanim është shndërruar në një nga lëvizjet më të gjata qytetare të pas viteve ’90 në Shqipëri.

“Revolucioni Flamingo” ka mbledhur në të njëjtin shesh aktivistë mjedisorë, qytetarë të prekur nga problematika të ndryshme, të rinj, familje me fëmijë të vegjël dhe përfaqësues të diasporës. Me kalimin e ditëve, krahas mbrojtjes së natyrës, protestës iu shtuan kërkesa të tjera politike, nga kundërshtimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura te kundërshtimi i ligjit për investitorët strategjikë, deri te kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe ndryshimin e qeverisë.

“Kjo është mënyra që njerëzit që duan vendin e tyre protestojnë”

Joni Vorpsi, aktivist mjedisor, pjesë e organizatës mjedisore PPNEA ka qenë në terren që kur makineritë e rënda mësynë në Pishë Poro-Nartë duke hapur rrugët dhe shtruar zhavorr. Sot, edhe pas një muaji në shesh, për Jonin thelbi i protestës mbetet i lidhur me mbrojtjen e natyrës dhe mbi të gjitha është një manifestim i dashurisë për vendin.

“Kjo është mënyra që njerëzit që duan vendin e tyre protestojnë. E gjithë rezistenca është një manifestim i dashurisë që rinia dhe qytetarët kanë për natyrën, për Shqipërinë”, u shpreh Vorpsi për Citizens.al.

Sipas tij, gjatë këtij muajit protesta ka kaluar disa faza dhe ka marrë dimensione të reja, por pa humbur pikën kryesore të nisjes.

“Kërkesat janë shtuar dhe specifikuar, pro ajo që ka rëndësi është që natyra shqiptare mbetet zemra e protestës”, thotë Vorpsi.

Aktivisti e konsideron një nga arritjet më të mëdha faktin që çështja e Zvërnecit dhe projekteve në zonat e ndjeshme natyrore u kthye në një debat publik. Sipas tij, qytetarët refuzuan një model vendimmarrjeje ku projekte të mëdha zhvillohen pa konsultim dhe pa përfshirjen e komuniteteve.

“Qytetarët nuk e pranuan këtë arrogancë dhe i detyruan të gjithë që të flasin për këtë çështje”, thotë Vorpsi.

“Është thyer frika, është krijuar besimi”

Për aktivisten Arilda Lleshin, një nga veçoritë kryesore të kësaj proteste është përmasa politike që ka marrë. Ajo e cilëson “protestën më të madhe politike që ka parë Shqipëria në 35 vite”, duke argumentuar se ndryshon nga protestat e mëparshme, të cilat kanë pasur objektiva më specifike.

“Kërkon rrëzimin e një qeverie, kërkon qeveri tranzitore, ndryshime në ligje, shfuqizime ligjesh. Ndërkohë që protestat e mëparshme si ajo e armëve kimike ose protesta e studentëve kanë qenë vetëm specifike, sektoriale dhe nuk kanë arritur deri te identifikimi i thelbit të problemit. Sot kemi një protestë me kërkesa të qarta politike”, thotë ajo.

Por sipas saj, arritja më e madhe nuk matet vetëm me numra apo me vendime konkrete.

“Gjëja më e rëndësishme është se është thyer frika. Është krijuar besimi te vetvetja. Ka ndryshuar gjendjen psikologjike të shqiptarëve”, thotë Lleshi.

Luçiana Kokaj, aktiviste nga Rrjolli u shpreh se është hera e parë që pas 35 vitesh, shqiptarët të ngrihen në këtë masë kundër kësaj klase politike.

“Besoj ne kemi pasur shumë herë arsye që të ngrihemi dhe të jemi në shesh por nuk ka ndodhur asnjëherë në këto përmasa dhe besoj që gjenerata Z po bën vërtetë një punë fanstastike në gjithë këtë betejë”, u shpreh Luçiana për Citizens.al.

Sipas saj, kjo ka sjellë parehati te përfaqësuesit shtetërorë.

“Tani po shoh një intervistë live të një prej deputetëve të PS dhe ata janë të gjithë të shpërfytyruar, të tensionuar, i shikon të gjithë që janë në një gjendje acarimi sepse kishin menduar që ky ishte sulltanati i tyre dhe mund ta menaxhonin si të donin me pashallëqet e veta”, argumenton Kokaj.

Për Arilda Lleshin,për shumë kohë qytetarët kanë ndjerë dëshpërim dhe bindjen se nuk mund të ndryshonin asgjë, ndërsa sot protesta ka krijuar një ndjesi tjetër.

“Nëse deri tani ishin të dorëzuar dhe të dëshpëruar për realitetin, por nuk ndjenin se mund ta ndryshonin, tani kanë shpresën se mund ta bëjnë dhe besimin te vetja dhe te të tjerë që mund ta bëjnë”, shton ajo.

“Protesta ndryshoi raportin tonë me demokracinë”

Për aktivistin Edison Lika, ky muaj nuk ka ndryshuar vetëm aktualitetin politik, por edhe mënyrën sesi shqiptarët e shohin njëri-tjetrin dhe raportin e tyre me shtetin.

“Ky muaj ndryshoi shumë gjëra, jo vetëm në aktualitet, por edhe në botëkuptimin e shqiptarëve me njëri-tjetrin. Ky na bëri të ndryshojmë raportin që ne kemi me njëri-tjetrin, pra zhbëri një raport mosbesimi që ne kemi pasur prej vitesh”, shprehet ai.

Sipas tij, një nga efektet më të rëndësishme të protestës është rikthimi i besimit mes qytetarëve dhe ideja se demokracia nuk kufizohet vetëm te procesi zgjedhor.

“Na bëri ta shohim demokracinë ndryshe, si një demokraci direkte dhe jo vetëm si një demokraci përfaqësuese. Na bëri të ndryshojmë raportin me diasporën, raport i cili ka qenë vetëm në, konsiston në shtetin social të munguar, pra që ata thjesht të bënin këtë rolin e financuesit të familjeve shqiptare dhe në mënyrën se si ne e shohin progresin”, thotë Lika.

Ai argumenton se protesta ka sfiduar edhe konceptin e progresit që, sipas tij, është lidhur shpesh vetëm me ndërtime, kulla dhe resorte.

“Shqiptarët po thonë që progresi nuk është vetëm ky. Progresi është që të mbajmë qytetarët në vend, të trajtojmë natyrën me respekt dhe të ndërtojmë një turizëm të qëndrueshëm që t’u japë vend të gjithëve, jo vetëm një pakice”, shprehet Lika.

Mes të tjerash, sipas aktivistit Lika, përmes kësaj proteste shqiptarët kanë kapërcyer dualitetin e partive politike që ekzistonte.

“Praktikisht je me njërën parti ose me tjetrën, duket sikur shqiptarët kanë dalë mbi partitë tanimë dhe politika për ta është shumë më e rëndësishme se sa tifozeria përkatëse”, shton ai.

“Shumë zëra, por me një kërkesë të përbashkët”

Aktivistët rendisin disa rezultate që i konsiderojnë si fitore të muajit të parë të protestës. Sipas Arilda Lleshit, ndër to janë heqja e disa gardheve në zona si Rrjolli, Zvërneci dhe Kakome, nisja e hetimeve nga SPAK dhe dorëheqja e deputetes Marjana Koçeku nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

Për Joni Vorpsin, një tjetër arritje është fakti që qytetarët arritën të vendosin në qendër të vëmendjes çështjen e mbrojtjes së natyrës.

“Të gjitha ditët kanë qenë të veçanta. Fryma e protestës, mospërfillja nga sulmet e deputetëve dhe studiove mediatike që kanë tentuar ta portretizojne këtë protestë si një nismë antikombëtare. Të gjitha tezat e tyre kanë rënë”, u shpreh Vorpsi për Citizens.al.

Një nga karakteristikat e “Revolucionit Flamingo” ka qenë përfshirja e grupeve me profile të ndryshme. Edison Lika e konsideron heterogjenitetin një nga pikat më të forta të protestës.

“Në protestë ka dhjetëra grupe që e shohin protestën sipas mënyrës së tyre dhe e zhvillojnë protestën sipas mënyrës së tyre. E bukura e kësaj proteste është se asnjëra prej mënyrave nuk i imponohet tjetrën, ama duket se ka pasur një lloj unisoni në një protestë paqësore,” shprehet ai.

Sipas Luçiana Kokajt fakti që njerëz me shqetësime të ndryshme janë bashkuar tregon se protesta ka kaluar përtej një kauze të vetme.

“Mua më kanë marrë pronën, dikujt tjetër i ka ndodhur një problem tjetër, dikush vuan nga spitalet, drejtësia shumë janë të shqetësuar sepse natyra shqiptare nuk po respektohet më. Ne kemi një vlerë shumë të madhe për të cilën krenohemi shumë herë nëpër të gjithë botën. Atë po duan të na e shkatërrojnë”, u shpreh Luçiana.

Aktivistët thonë se protesta nuk do të ndalet. Edison Lika shprehet se kërkesat mbeten të panegociueshme dhe se rezistenca do të vazhdojë.


“Situata nuk mund të kthehet më mbrapsht. Nuk mund të kthehemi në pikën zero ku ishim para se të fillonte protesta”,
thotë ai.


Edhe Arilda Lleshi mendon se protesta duhet të vazhdojë të evoluojë dhe të gjejë forma të reja presioni. Sipas saj, diskutimet për hapat e ardhshëm do të bëhen mes grupeve të përfshira në protestë.

“Unë jam e mendimit që duhen rrethuar institucionet, që duhen të mblidhen të gjithë grupet e interesit, grupet në protestë dhe ë arrihet në një konkluzion të përbashkët se si do të duhet të vazhdonte. Deri tani protesta do të vazhdojë çdo ditë si normalisht”, u shpreh Lleshaj, ndërsa argumenton se kjo është vala e parë e një reagimi qytetar që do të vazhdojë.

Ndërsa Luçiana Kokaj e sheh këtë proces si një betejë durimi.


“Ne kemi duruar për 36 vjet këtë sistem, klasë politike, gjithë këto gjëra të padrejta që i janë bërë qytetarëve shqiptarë, kështu që besoj se një muaj rezistencë është më e pakta që mund të bëjmë. Është çështje force, kush reziston më shumë do fitojë”, shprehet Luçiana.

Pyetjes për krijimin e një partie politike si produkt i kësaj proteste, Luçiana i përgjigjet negativisht.


“Jam shumë e lumtur që për herë të parë në Shqipëri, njerëzit të ngrihen jo për një karrige për veten por për një ideal, për Shqipërinë dhe shpresoj shumë fort që kjo protestë t’ia dali me këtë qëllim.Nuk besoj që mund të dalë një parti politike nga aty. Nuk shoh një mundësi të tillë”
, thotë ajo

Për Edison Likën protesta do të vijojë deri në doreheqje të kryeministrit Rama.

“Sigurisht që ne do ti shohim të gjitha format dhe do ti konsiderojmë të gjitha alternativat e zhvillimit të protestës në vijim. Ne jemi aty ama ky zjarr nuk është se do të shuhet, por do të jetë aty dhe do të vijojë deri në fund, deri në dorëheqjen e kyreministrit dhe tërheqjen e këtyre pikave që kemi kërkuar”, përfundoi në fjalën e tij Lika.

Aktivistët bien dakord për një pikë, se “Revolucioni Flamingo” ka ndryshuar diçka në mënyrën sesi qytetarët e shohin fuqinë e tyre për të reaguar.

Si nisi “Revolucioni Flamingo”?

Protesta nisi pasi makineri të rënda hynë në Pishë Poro–Nartë për të hapur rrugë dhe rrethuar territorin ku planifikohet projekti turistik “Zvërnec Peninsula”, me banesa, hotele deri në tetë kate dhe një port.

Pas presionit mediatik, IKMT bëri publik emrin e kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development”, duke sqaruar se ajo po kryen punime përgatitore mbi bazën e një lejeje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, ndërsa leja e zhvillimit ende nuk është lëshuar. Sipas dokumenteve të raportuara nga Citizens.al, kompania kontrollohet nga dy pronarë përfitues përmes një rrjeti kompanish në Holandë.

Më 30 maj, zvarritja e një protestuesi nga roja private gjatë protestës pranë gardhit me tela me gjemba nxiti reagim të gjerë qytetar. Që prej asaj dite protesta vijon çdo mbrëmje.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk ka ende një projekt të miratuar dhe se makineritë ndodheshin në terren vetëm për studime, pa dhënë më shumë transparencë. Projekti është lidhur publikisht me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, ndërsa pronat ku planifikohet zhvillimi janë në pronësi të kompanisë “Albania Land Development”, aksionerët kryesorë të së cilës janë “Sazan Holding” dhe vëllezërit Al-Khayyat nga Katari, të cilët Rama i ka cilësuar investitorë. Deri më sot nuk është lëshuar leje ndërtimi.

Ndërkohë, protesta është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare, si produkt i pakënaqësive prej vitesh tanimë, ku janë bashkuar shqetësime për korrupsionin, mungesën e transparencës, shëndetësinë, arsimin dhe të drejtat e pronës.

Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, ndryshime kushtetuese e zgjedhore, si dhe shfuqizimin e ligjeve për Zonat e Mbrojtura, Trashëgiminë Kulturore, “Paketën e Maleve” dhe Investimet Strategjike. Ata kërkojnë gjithashtu një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, të hartuar me pjesëmarrjen e ekspertëve dhe qytetarëve.

Lexo gjithashtu:

The post “Revolucioni Flamingo”: 30 ditë rezistencë qytetare appeared first on Citizens.al.

Pas 23 ditësh protestë, qytetarët artikulojnë pesë kërkesa ndaj qeverisë

23 June 2026 at 14:44

Pas më shumë se tre javësh protestash paqësore kërkesat e qytetarëve janë përmbledhur në disa propozime të cila u lexuan dje në emër të grupit organizator të protestës. Duke dalë kësisoj me kërkesa që sipas tyre janë “legjitime dhe të panegociueshme”.

Deklarata me pesë kërkesat kryesore u parashtrua në ditën e 23-të të protestës, ndërsa qytetarët këmbëngulin se do të vijojnë të jenë në shesh deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ku kryesorja është dorëheqja e kryeministrit Rama.

Protestuesit kërkojnë që pas dorëheqjes së kryeministrit të krijohet një qeveri teknike tranzitore dhe jo partiake.
Mes të tjerash ata kërkojnë ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e këtyre ndryshimev me referendum popullor.

Ndër këto ndryshime ata kërkojnë edhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e prtive politike, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.

Si pikë të katërt dhe ajo cfarë realisht nxori qytetarët në shesh është anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”, anulimin ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë Kulturore”, shfuqizimin e ligjit “Paketa e Maleve” si dhe shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.

Si pikë të fundit, protestuesit kanë kërkuar një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e konsultuar kjo me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.

Rama përgjigjet me linçim

Që prej nisjes së protestës, kryeministri Edi Rama reagimet e tij i ka pasur përmes rrjeteve sociale, shpesh duke u marrë personalisht me protestuesit, me qëllim zhbërjen e kauzës.

Mjafton një “xhiro” nga faqja në Facebook e kryeministrit Rama për të parë aktivistë e qytetarë pjesëmarrës në protestë të nxjerrë me foto dhe të shoqëruar me tekst ironik, duke i përshkruar pjesëmarrësit dhe aktivistët me terma që sugjerojnë ekstremizëm, manipulim apo mungesë përfaqësimi.

Në një reagim pas një marshimi të protestuesve, ai shkroi se “një grup vendos se ka të drejtë të frikësojë të tjerët për hir të atdheut”, duke e krahasuar sjelljen e tyre me forma të intimidimit dhe linçimit publik.

Në postime të tjera, Kryeministri ka ironizuar protestën përmes memeve dhe komenteve satirike, duke e quajtur atë “revolucioni imagjinar i flamingove”, ndërsa aktivistët që kundërshtojnë projektet turistike në zonat e mbrojtura i ka përfshirë shpesh në narrativa tallëse dhe përçmuese.

Një pjesë e komunikimit të tij është fokusuar edhe te individë të veçantë të përfshirë në protestë. Në disa raste ai ka publikuar fotografi, video apo komente të protestuesve, duke iu drejtuar personalisht dhe duke sugjeruar se ata po manipulohen nga aktorë të tjerë politikë ose publikë. Së fundmi, në një postim kushtuar një protestuesi të vetëm në shkallët e Kryeministrisë, Rama argumentoi se qytetarët që protestojnë mbeten të vetmuar pasi shfrytëzohen nga ata që i nxisin.

Kjo qasje është kritikuar nga organizatorët e protestës dhe disa pjesëmarrës, të cilët e konsiderojnë si përpjekje për të delegjitimuar lëvizjen përmes etiketimit dhe diskreditimit publik të aktivistëve, në vend të një debati mbi shqetësimet që ata kanë ngritur për zonat e mbrojtura, investimet strategjike dhe mënyrën e zhvillimit të vendit.

Lexo gjithashtu:

The post Pas 23 ditësh protestë, qytetarët artikulojnë pesë kërkesa ndaj qeverisë appeared first on Citizens.al.

32 mijë firma në KQZ për trajtimin shëndetësor të fëmijëve

22 June 2026 at 17:12

Mbi 32 mijë firma të qytetarëve shqiptarë u dorëzuan sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në mbështetje të nismës ligjor për të garantuar trajtim shëndetësor të fëmijëve 0-18 vjeç brenda dhe jashtë vendit.

Nënshkrimet u mlodhën përgjatë tre muajve në qytete të ndryshme të vendit dhe kishte si qëllim që të sigurojë që asnjë fëmijë të mos mbetet pa trajtim mjekësor për shkak të pamundësive ekonomike, duke u mbështetur te donacionet e qytetarëve, përmes platformës “Gofund”.

Përfaqësuesit e grupit nismëtar thanë se mbështetja e mbi 32 mijë qytetarëve përbën një mesazh për institucionet se trajtimi shëndetësor i fëmijëve duhet të garantohet nga shteti, sidomos kur kurimi kërkohet jashtë Shqipërisë dhe kostot janë të papërballueshme për familjet.

Pas dorëzimit të firmave në KQZ, ato do tu nënshtrohen procesit të verifikimit dhe më pas shkon në Kuvend ku ndiqet në tre komisione, atë të ligjit, të financave dhe shëndetësisë. Në rastin më të mirë, për të kaluar më pas në votim në kuvend.

“Nga ky moment, vendimmarrja kalon në duart e deputetëve, të cilët kanë mundësinë të mbështesin një nismë që synon të garantojë më shumë siguri dhe mbështetje për familjet shqiptare”, thuhet në reagimin e grupit nismëtar.

Një nismë e lindur nga kërkesat për ndihmë përmes “GoFund”

Janë të shumta rastet që hasim në rrjetet tona sociale ku familjarët, nga pamundësia ekonomike, ndërmarrin fushata për të mbledhur të ardhura me qëllim kurimin e fëmijëve jashtë vendit, në rastet kur nuk ju jepet asnjë shpresë në sistemin shëndetësor shqiptar.

Sot fati i tyre varet nga zemërgjerësia e qytetarëve, të cilët rreken të dhurojnë sa munden.

Tre muaj më parë, shkak për këtë nismë u bë rasti i një fëmije nga Korca, i cili arriti të kurohej jashtë shtetit falë një fushate mbledhjesh fondesh.

Më pas, grupi nismëtar erdhi në Tiranë, mbështetur edhe nga Qëndresa Qytetare për të mbledhur firma, për të udhëtuar më pas në Durrës, në Shkodër dhe Elbasan.

Sipas avokates Evis Miço, pjesë e Nismës për Fëmijët projektligji trajton fëmijët si një kategori të veçantë dhe parashikon procedura më të shpejta për sigurimin e trajtimit mjekësor.

“Ka një ligj ekzistues që është ai i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor, i cili trajton si të gjithë shtetasit e tjerë edhe fëmijët, por ky projektligj i trajton fëmijët si një target grup i posaçëm”, u shpreh Evis Miço.

Për Ardit Konomin, inxhinier në profesion dhe pjesë e Nismës për Fëmijët, Shqipëria ka vonuar prej kohësh krijimin e një mekanizmi të tillë.

“Ka pasur shumë raste Shqipëria, fëmijësh, familjesh, prindërish, gjyshërish që kanë kaluar peripeci të rënda, në tentativë për të siguruar alternativë mjekësore për këta fëmijë. Ky projektligj zgjidh ekzaktësisht këtë lloj krize, këtë lloj situate shumë të vështirë që krijohet”, u shpreh Konomi.

Kjo nismë u mirëprit edhe nga Avokati i Popullit, i cili në takimin me nismëtarët gjatë kohës që ishin në proces të mbledhjes së nënshkrimeve u shpreh se nuk ka asnjë vend aq të varfër sa të mos garantojë shëndetin e fëmijëve të vet.

“Nuk do kishte nevojë për këtë ligj, por fatmirësisht ju po e çoni përpara këtë ligj. Ne të gjithë si institucion jemi në mbështetje totale të kësaj nisme. Ne do të ushtrojmë ato kompetenca kushtetuese që kemi për të kërkuar Kuvendit që do të dëgjohemi vetëm për këtë çështje duke ju ftuar dhe ju që ta parashtrojmë këtë problematikë në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh gjatë takimit me nismëtaret në 1 qershor, Avokati i Popullit, Endri Shabani.

Lexo gjithashtu:

The post 32 mijë firma në KQZ për trajtimin shëndetësor të fëmijëve appeared first on Citizens.al.

“Kjo nuk është rruga e duhur”: Shkencëtarët kërkojnë ndalimin e projekteve në Vjosë–Nartë

21 June 2026 at 18:09

Një grup studiuesish shqiptarë dhe të huaj zhvilluan këtë fundjavë një vizitë shkencore në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, në vijim të shqetësimeve dhe debatit publik të shkaktuar nga projektet e zhvillimit turistik të planifikuara në këtë territor.

Pas vizitës në terren, studiuesit kërkuan ndalimin e menjëhershëm të ndërhyrjeve zhvillimore në zonë, duke argumentuar se Vjosë–Narta përfaqëson një nga ekosistemet më të rëndësishme natyrore në Shqipëri dhe Europë.

Profesori Aleko Miho tha se modeli i zhvillimit të propozuar për këtë territor nuk është rruga e duhur dhe se aktivitetet që cenojnë biodiversitetin dhe integritetin e zonës duhet të ndalen menjëherë.

“Kjo nuk është rruga e duhur e zhvillimit. Bëjmë thirrje që këto lloj aktivitetesh zhvillimore në këtë zonë të ndalohen menjëherë. Kjo zonë meriton prej vitesh të jetë pjesë e Parkut Kombëtar të Vjosës dhe të shihet një zhvillim në përputhje me kërkesat e mjedisit, ku në bazë të jetë zhvillimi i qëndrueshëm”, u shpreh Miho.

Profesori Friedrich Schiemer nga Universiteti i Vjenës theksoi rëndësinë e veçantë të deltës së Vjosës për biodiversitetin dhe vlerësoi se mospërfshirja e të gjithë kompleksit natyror në parkun kombëtar mbetet një problem që duhet adresuar.

“Është e qartë se kemi një numër të jashtëzakonshëm habitatesh dhe ky diversitet duhet të ruhet. Nuk bëhet fjalë vetëm për flamingot, por për një pasuri shumë më të gjerë speciesh dhe habitatesh të rrezikuara”, tha Schiemer.

Sipas tij, komuniteti shkencor mund të ndihmojë në gjetjen e modeleve të zhvillimit që ruajnë natyrën dhe njëkohësisht krijojnë mundësi ekonomike për komunitetet lokale.

Akademiku Perikli Qiriazi solli në vëmendje disa prej vlerave më të veçanta natyrore të Zvërnecit dhe Nartës, duke veçuar dunat ranore, lagunat dhe ekosistemet ujore të zonës.

Ai ndaloi veçanërisht te laguna e Limopuos, duke theksuar rëndësinë e saj si një rezervuar i rrallë me ujë të ëmbël në mes të një kompleksi lagunor me ujë të kripur.

“Lagunat janë të kripura dhe ruajnë komunikimin me detin, ndërsa ky është një liqen me ujë të ëmbël. Është shumë e rëndësishme që në mes të një mjedisi të kripur të kemi një sipërfaqe kaq të madhe me ujë të ëmbël”, tha Qiriazi.

Ai përmendi gjithashtu kodrat molasike të Zvërnecit, të formuara nga procese natyrore bregdetare, si një tjetër element me vlerë të rrallë gjeologjike dhe peizazhore.

“Resortet mund ta kthejnë natyrën e mbrojtur në qytet turistik”

Profesori i Universitetit të Tiranës, Ferdinand Bego, tha se gjatë vizitës në terren grupi i studiuesve konstatoi ndërhyrje të dukshme në territor, përfshirë pastrimin e vegjetacionit dhe nivelimin e sipërfaqeve.

“Për dy apo tre ditë aktivitet të një firme që pretendohet se ka marrë leje për studime gjeologjike, ne pamë se ishte pastruar vegjetacioni, ishin sheshuar dunat dhe ishin hapur sheshe ndërtimi”, tha Bego.

Sipas tij, pavarësisht deklaratave se nuk ekziston ende një projekt konkret, fakti që janë dhënë leje zhvillimore tregon se planet për ndërtime ndodhen në një fazë të avancuar.

“Resortet turistike që shiten si modele zhvillimi mund të kthehen në zona urbane të veshura me emrin ‘luxury resorts’. Ekosistemet natyrore dhe habitatet e krijuara për qindra e mijëra vite rrezikojnë t’ia lënë vendin qyteteve dhe fshatrave turistike që do të jenë qendra të mirëfillta banimi”, u shpreh ai.

Bego paralajmëroi se një zhvillim i tillë mund të sjellë humbjen e një pasurie natyrore me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për brezat e ardhshëm.

“Sado i bukur të shitet dhe sado t’i vishen emra si ‘Dubai’ apo ‘Maldive’, një gjë është e sigurt: Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë për të fituar gjë, por do të humbasin një thesar të jashtëzakonshëm natyror që përfaqëson një nga ekosistemet më të ruajtura në rajon”, tha ai.

Protesta e flamingove është protestë për gjithë biodiversitetin

Taulant Bino nga AOS Albania tha se simbolika e flamingove nuk duhet parë si mbrojtje e një specieje të vetme, por si një alarm për të gjithë ekosistemin.

“Kjo protestë po quhet e flamingove si simbolikë, por është edhe protesta e pelikanëve dhe e shumë gjallesave të tjera. Është protesta e atyre që duan ta mbrojnë dhe ta trashëgojnë këtë pasuri ndër breza”, tha Bino.

Ai bëri të ditur se gjatë vizitës në zonë u vunë re flamingo në prag të sezonit të folezimit, si dhe specie të tjera të rëndësishme shpendësh.

Sipas tij, kërcënimet për Vjosë–Nartën nuk lidhen vetëm me projektet në Zvërnec, por edhe me zhvillime të tjera të planifikuara përgjatë gjithë kompleksit natyror të deltës së Vjosës.

“Nëse lejohet të zhvillohet kështu Zvërneci, atëherë janë në kërcënim edhe të gjitha zonat e tjera të mbrojtura, si Butrinti, Karavastaja apo Buna–Velipoja”, përfundoi Bino.

Zona e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë përfaqëson një nga komplekset më të rëndësishme lagunore dhe bregdetare në Shqipëri, me vlera të larta ekologjike, peizazhore dhe socio-ekonomike.

Kompleksi përfshin laguna, kripore, ligatina, pyje bregdetare me pishë, habitate dunore dhe kodra bregdetare, të cilat mbështesin një biodiversitet të pasur dhe shërbejnë si zona të rëndësishme për migrimin, ushqimin dhe folezimin e shpendëve.

Në muajin maj 2026 nisën ndërhyrje paraprake në kuadër të projektit për zhvillimin e një resorti turistik në territorin e zonës së mbrojtur. Këto zhvillime shkaktuan reagime të forta publike dhe çuan në nisjen e protestave që më pas u shndërruan në atë që sot njihet si “Revolucioni Flamingo”.

Edhe pse protesta nisi si një lëvizje për mbrojtjen e zonave të mbrojtura, me kalimin e javëve ajo është zgjeruar drejt kërkesave për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Lexo gjithashtu:

The post “Kjo nuk është rruga e duhur”: Shkencëtarët kërkojnë ndalimin e projekteve në Vjosë–Nartë appeared first on Citizens.al.

Diaspora në shesh: “Shqipëria nuk është pronë private”

20 June 2026 at 22:45

Prej orësh në udhëtim shqiptarë nga Gjermania, Anglia, Franca, Austria e vende të tjera evropiane marshuan sot në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë në ditën e 21-të të protestës.

“Ne jemi ata që sakrifikuam çdo gjë për familjet tona që të mbijetojnë në këtë vend që ju i harruat”, ishte mesazhi i tyre i shpalosur në një banderolë të madhe që përshkonte mes për mes bulevardin ndërsa brohoritjet e tyre ushtonin për një “Shqipëri të Re”.

Elton Papa nga Berati ka 26 vite në emigrim. Ai tha për Citizens.al se ajo çfarë e shqetëson është korrupsioni i lartë në Shqipëri.

“Nuk mundem më jashtë duhet të kthehem në vendin tim, dua të rregullohet vendi im. Mjaft më! Të kthehen kalamajtë e mi këtu. Nuk dua as post, asnjë gjë. Do të punoj vetë. Dua drejtësi, nuk dua korrupsion. Kaq!” u shpreh ai, ndërsa qëndronte pas banderolës së diasporës.

Njëjtë si Elton edhe Miri Leçini, nga Kavaja ka emigruar jashtë vendit prej vitit 1995, duke mos gjetur asnjë arsye për tu kthyer në Shqipëri.

“22 vite në Greqi. Nga Greqia se nuk u bë vendi im kurrë emigrova në Gjermani. Nuk dua që rinia të largohet nga këtu, të heqë atë që kemi hequr ne, të ikin nëpër male e nëpër gomone. Prandaj uroj që të shkulet me rrënjë e me dhëmballë ky sistem”, tha Miri Leçini për Citizens.al.

Thirrjet “Diaspora është këtu” kumbuan mes mijëra qytetarëve të cilët zhurmuan sheshet dhe bulevardin këtë të shtunë, ndërsa pankartat me mesazhe drejtuar qeverisë shqiptare ishin të shumta.

“Pankarta është se atdheun nuk e kemi në shitje, nuk e falim, nuk e japim me qira, nuk e nxjerrim as në Pazar. Dhe unë i kërkoj djalit tim, ia le amanet që ta mbrojë dhe ky më ka dhëne besën që do ta mbrojë deri në vdekje”, u shpreh një nga qytetarët e pranishëm.

Sipas tij, arsyeja pse ka dalë të protestojë është për të larguar këtë kasë politike.

“Prej 36 vitesh na vjedhin, na rrahin, na burgosin, na detyrojnë të ikim nga vendi dhe presin që ne të lodhemi. Këta nuk janë lodhur gjithë këto vite duke na vjedhur. Ne do të qëndrojmë këtu derisa t’jua marrim edhe qindarkën e fundit që i kanë vjedhur këtij populli”, u shpreh qytetari protestues.

Një tjetër qytetar i ardhur nga Birmingami në Mbretërinë e Bashkuar tha për Citizens.al se ka ardhur të shesh për të protestuar për një jetë më të mirë.

“Shpresojmë që ajo jetë më e mirë të bëhet këtu në vendin tonë. Të ndërrojë kjo qeveri që ka kaq vjet që e ka bërë si pronë private Shqipërinë dhe të na vijë një më e mirë”, deklaroi ai.

Për Nadir Hotin, një tjetër qytetar protestues në shesh, Zvërneci ishte vetëm pika që mbushi kupën dhe e derdhi.

“Mendoj që ka ardhur momenti ti themi mjaft kësaj, ka ardhur momenti që 36 vjet mjaftojnë, mashtrime dhe vjedhje. Ka ardhur koha për një Shqipëri të re, për një politikë të pastë. Mendoj që Evropën mund ta bëjmë këtu vetë”, deklaroi Hoti për Citizens.al

Ndërsa janë bërë tre jave prej nisjes së protestës sheshi vijon të mbushet, duke shënuar këtë të shtunë pjesëmarrjen më të madhe për shkak edhe të pjesëmarrjes së diasporës.

Për mjekun Ermal Pashaj, pjesa më e madhe e diasporës që sot janë në shesh nuk kanë gjetur zgjidhje mjekësore në Shqipëri.

“Edhe kolegët nëpër spitale thonë që ku është qeveria më e mirë edhe shërbimi është më i mirë. Jo more jo. Shqipëria është lule dhe atë po nuk e bëmë ne nga këtu brenda nuk ka për të na e sjellë njeri as ndonjë pelikan dhe as ndonjë shqiponjë që do të fluturojë nga lart. Ne jemi shqiponjat e këtij vendi. Ne duhet ta bëjmë këtë vend”, u shpreh mjeku Ermal Pashaj.

Paraditen e së shtunës, para socialistëve Rama u shpreh se nuk do të japë dorëheqjen, e cila sipas tij do të ishte rruga më e lehtë. Ai u shpreh se kontratën e ka me popullin që i dha 83 mandate 1 vit më parë, me destinacionin për ta çuar vendin në BE.

Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Një grup udhëheqës nuk i jepet zhurmës dhe sa më shumë zhurma zmadhohet, aq më shumë një grup udhëheqës forcon identitetin e vet, duke bashkuar të gjithë në emër të destinacionit. S’jemi për të fituar numrin e klikimeve të ditës, por Shqipërinë në BE”, tha Rama.

Sipas tij protestën po e sponsorizojnë faktorë të shumtë për të fituar klikime.

Sipas tij, Narta dhe Zvërneci u kthyen në vëmendjen e botës jo për shkak të çështjes mjedisore, por sepse protesta u lidh me emrin e Jared Kushner dhe me hijen e vjehrrit të tij, presidentit amerikan Donald Trump.

Tërheqja zvarrë e protestuesve në Zvërnec nga forcat e sigurisë private, ndërkohë që Policia e Shtetit ishte e pranishme në protestën e 30 majit, ka nxjerrë në shesh prej tre javësh qytetarët. Ajo që nisi si protestë për zonat e mbrojtura, tanimë është kthyer në një protestë mbarëkombëtare, për ndryshim të sistemit qeverisës dhe dorëheqje të kryeministrit Edi Rama.

Lexo gjithashtu:

The post Diaspora në shesh: “Shqipëria nuk është pronë private” appeared first on Citizens.al.

Akademikët e diasporës mbështesin protestat: “Pa dije, Shqipëria nuk ka të ardhme”

18 June 2026 at 17:13

123 akademikë dhe kërkues shkencorë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestat qytetare që po zhvillohen në Shqipëri.

Ata i kanë cilësuar protestat si një reagim legjitim ndaj krizës së thellë politike dhe institucionale, e cila, sipas tyre, ka dëmtuar besimin e qytetarëve te shteti dhe të ardhmen e vendit.

Në një deklaratë publike të titulluar “Arsimi, Shkenca dhe Inovacioni – Domosdoshmëri Kombëtare”, akademikët dhe kërkuesit shkencorë shqiptarë shprehin solidaritet me protestuesit dhe me kërkesat e tyre për një Shqipëri më të përgjegjshme, transparente dhe të drejtë, me institucione që u shërbejnë qytetarëve dhe jo pushtetit.

“Besojmë se shumë nga sfidat me të cilat përballet Shqipëria sot janë rezultat i dështimeve të përsëritura politike dhe institucionale, të cilat për shumë vite kanë dobësuar besimin e qytetarëve te shteti, te drejtësia dhe te mundësia për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët të akademikëve.

Sipas tyre, kjo krizë vjen edhe për shkak të gjendjes së arsimit, shkencës dhe inovacionit në Shqipëri.

“Politikat e ndjekura ndër dekada nuk i kanë vendosur këta sektorë dhe kapitalin njerëzor në qendër të zhvillimit të vendit. Përkundrazi, ato kanë toleruar nën-financimin, mungesën e meritokracisë, dobësimin e integritetit akademik, lidhjet klienteliste dhe mungesën e një vizioni afatgjatë për dijen si interes kombëtar”, thekson, ndër të tjera, deklarata.

Në reagimin e tyre theksohet se pa arsim cilësor, pa kërkim shkencor serioz dhe pa inovacion, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm, ekonomi konkurruese dhe institucione demokratike të forta.

“Një shoqëri nuk mund të ecë përpara duke nënvlerësuar dijen, duke dobësuar universitetet dhe duke trajtuar aftësinë, kompetencën dhe punën e ndershme si vlera dytësore”, shkruajnë ata.

Sipas nënshkruesve, gjendja e arsimit dhe shkencës nuk është thjesht një problem sektorial, por një tregues i drejtpërdrejtë i modelit të qeverisjes në vend. Ata rendisin si problematika kryesore mungesën e financimit të qëndrueshëm, ndërhyrjet politike në universitete, standardet e dobëta akademike dhe mungesën e lidhjes së dijes me zhvillimin ekonomik.

Deklarata ngre gjithashtu shqetësimin për largimin e vazhdueshëm të të rinjve dhe profesionistëve të kualifikuar nga Shqipëria. Akademikët argumentojnë se rikthimi i besimit te dija, puna dhe merita është kusht për krijimin e mundësive reale për brezat e ardhshëm.

Ata shprehin gatishmërinë për të kontribuar me ekspertizën dhe përvojën e tyre në ndërtimin e institucioneve serioze dhe në forcimin e arsimit, shkencës dhe inovacionit në Shqipëri. Megjithatë, sipas tyre, ky kontribut nuk mund të shkëputet nga nevoja për ndryshime të thella politike dhe institucionale, të cilat po kërkohen nga qytetarët në protestë.

“E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet pa dije. Një vend që nuk vlerëson arsimin, shkencën, inovacionin dhe kapitalin e vet njerëzor, dobëson vetveten”, përfundon deklarata.

Deklarata është nënshkruar nga 123 akademikë, profesorë dhe kërkues shqiptarë të diasporës, të angazhuar në universitete dhe institucione kërkimore në vende si Gjermania, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Zvicra, Franca, Italia, Austria, Belgjika, Holanda, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Finlanda, Australia dhe vende të tjera.

The post Akademikët e diasporës mbështesin protestat: “Pa dije, Shqipëria nuk ka të ardhme” appeared first on Citizens.al.

Parlamenti Evropian kërkon ndalimin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura

17 June 2026 at 14:42

Parlamenti Evropian miratoi sot rezolutën për Raportin e Komisionit Evropian mbi Shqipërinë për vitin 2025, duke shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë, i njohur edhe si Vjosë–Nartë.

Eurodeputetët u kërkuan autoriteteve shqiptare të shfuqizojnë ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda këtyre territoreve dhe dobësojnë mekanizmat e mbrojtjes mjedisore.

Në rezolutë kërkohet gjithashtu: “Një moratorium i menjëhershëm për procedurat e reja të lejeve, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura dhe të garantohet përputhja e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës.”

Parlamenti Evropian shprehu shqetësim edhe për Ligjin për Investimet Strategjike. Sipas rezolutës, procedurat e përshpejtuara të lejeve dhe dobësimi i kontrollit mjedisor rrezikojnë të kenë pasoja negative në zonat e mbrojtura dhe territoret e tjera ekologjikisht të ndjeshme.

Edhe pse rezoluta nuk është juridikisht detyruese, ajo përbën një sinjal të fortë politik për Shqipërinë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Qëndrimi i Parlamentit Evropian vjen pas deklaratës së Komisioneres Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, më 15 qershor, e cila u prit me kritika nga ambientalistët.  Ajo tha se Komisioni kishte marrë garanci nga qeveria shqiptare se projekti do t’i nënshtrohej një Vlerësimi të plotë të Ndikimit në Mjedis dhe se do të respektoheshin standardet evropiane.

Sipas Joni Vorpsit nga organizata mjedisore PPNEA, thirrja e Parlamentit Evropian për moratorium të menjëhershëm është pikërisht ajo që nevojitet për mbrojtjen e Vjosë–Nartës.

“Ajo u jep autoriteteve shqiptare kohën dhe qartësinë e nevojshme për t’u përafruar me standardet evropiane për mbrojtjen e natyrës dhe për të shmangur gabime të pakthyeshme që do të dëmtonin rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Ne e duam Shqipërinë në familjen evropiane dhe pikërisht për këtë arsye nuk mund të lejojmë që kjo çështje të trajtohet gabim”, u shpreh Vorpsi.

Edhe Anouk Puymartin, drejtuese e politikave në BirdLife Europe and Central Asia, tha se përmes kësaj rezolute Parlamenti Evropian është rreshtuar përkrah qytetarëve shqiptarë që protestojnë për mbrojtjen e zonës.

“Ky votim dërgon një mesazh të qartë: nuk mund të bëhesh pjesë e Bashkimit Evropian ndërsa shkatërron ligatinat e mbrojtura dhe anashkalon ligjet e tua. Mbrojtja e Vjosë–Nartës dhe respektimi i Direktivave për Shpendët dhe Habitatet janë kushte themelore për anëtarësimin në BE”, u shpreh Puymartin në deklaratën e publikuar nga BirdLife Europe.

Sot është dita e 18-të që qytetarët protestojnë kundër projekteve turistike dhe ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, në atë që tashmë njihet si “Revolucioni Flamingo”.

Protesta nisi si një lëvizje për mbrojtjen e zonës dhe kundër dhunës së ushtruar ndaj një protestuesi në Zvërnec. Me kalimin e ditëve, kërkesat u zgjeruan drejt transparencës, përgjegjshmërisë institucionale dhe kundërshtimit të mënyrës së qeverisjes, ndërsa në shesh po kërkohet edhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Lexo gjithashtu:

The post Parlamenti Evropian kërkon ndalimin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura appeared first on Citizens.al.

Mjedisorët kundër Ramës: Nuk mjaftojnë garancitë politike për Zvërnecin

16 June 2026 at 14:50

Një koalicion prej 77 organizatash mjedisore dhe të shoqërisë civile ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për projektet turistike në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit. Organizatat i cilësojnë argumentet e tij si “deklarata politike pa baza shkencore dhe ligjore”.

Sipas tyre, qeveria po përpiqet ta paraqesë projektin në Zvërnec si një investim në përputhje me interesin publik dhe standardet evropiane, ndërkohë që ende mungojnë dokumentet kryesore mbi të cilat duhet të mbështetet një vendimmarrje e tillë.

Projekti arkitektonik nuk është bërë publik, Vlerësimi i Thelluar i Ndikimit në Mjedis nuk ka përfunduar dhe nuk është paraqitur një analizë e plotë për ndikimin mbi habitatet, biodiversitetin dhe ekosistemet e zonës së mbrojtur.

“Ende nuk disponojmë informacionin shkencor dhe teknik që do të duhej të shërbente si bazë për çdo përfundim mbi pranueshmërinë e projektit”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

“Shteti nuk është spektator”

Organizatat kundërshtojnë argumentin se investimi në Zvërnec është thjesht një marrëveshje mes privatësh. Zona është pjesë e Peizazhit të Mbrojtur “Pishë Poro–Nartë” dhe, sipas tyre, shteti ka detyrimin të mbrojë interesin publik dhe vlerat natyrore të territorit.

Ato thonë se ndryshimet e miratuara në vitin 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura kanë dobësuar mekanizmat e mbrojtjes mjedisore. Zgjerimi i aktiviteteve të lejuara, heqja e sistemit të nënzonimit dhe kalimi i kompetencave vendimmarrëse nga institucionet mjedisore te Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit kanë ndryshuar, sipas tyre, ekuilibrin mes ruajtjes së natyrës dhe zhvillimit ekonomik.

Organizatat kujtojnë se dokumentet strategjike të planifikimit bregdetar e kishin përcaktuar Zvërnecin si zonë të përshtatshme për ekoturizëm dhe aktivitete me ndikim të ulët, jo për zhvillime intensive urbane.

Për to, debati nuk lidhet me faktin nëse pronat private janë blerë ligjërisht, por me pyetjen nëse shteti po dobëson instrumentet e mbrojtjes së natyrës për të lejuar zhvillime që më parë nuk do të ishin të mundura brenda një zone të mbrojtur.

“Shteti nuk është spektator në një transaksion privat, por institucioni që ka detyrimin të mbrojë interesin publik dhe vlerat natyrore të zonave të mbrojtura”, thuhet në deklaratë.

“Procedurat janë përmbysur”

Një tjetër shqetësim lidhet me mënyrën si është ndjekur procedura.

Sipas organizatave, KKTU miratoi lejen zhvillimore më 30 mars 2026, ndërsa vetëm më 15 maj autoritetet mjedisore vendosën që projekti duhet t’i nënshtrohej një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis.

Ato argumentojnë se vlerësimi mjedisor duhet t’i paraprijë vendimmarrjes dhe jo të përdoret më pas për të justifikuar një vendim të marrë.

Duke qenë se Pishë Poro–Narta është pjesë e rrjetit Emerald dhe zonë pilot e Natura 2000, projekti duhet t’u nënshtrohet standardeve më të larta të vlerësimit shkencor dhe analizës së alternativave, theksojnë organizatat.

Në deklaratë ngrihen shqetësime edhe për ndikimet që aktivitetet paraprake mund të kenë shkaktuar mbi dunat ranore, shpendët dhe habitatet e folezimit të breshkës së detit Caretta caretta.

Sipas organizatave, këto ndikime duhej të ishin analizuar përpara se të niste çdo ndërhyrje në terren.

Ato kërkojnë që Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis të mos kthehet në një formalitet, por të mbështetet në analiza të pavarura shkencore. Shqetësimi i tyre është se ndërhyrjet kanë nisur përpara përfundimit të vlerësimit dhe se ky proces mund të përdoret më pas për të legjitimuar një realitet të krijuar në terren.

“Logjika e procesit është përmbysur: ndërhyrjet kanë paraprirë vlerësimin, ndërsa vlerësimi rrezikon të përdoret për të justifikuar një realitet të krijuar paraprakisht”, thuhet në deklaratë.

Zvërneci dhe Vjosa, pjesë e të njëjtit sistem natyror

Organizatat kundërshtojnë edhe deklaratën e kryeministrit se projekti në Zvërnec nuk ka lidhje me deltën e Vjosës.

Ato sqarojnë se askush nuk pretendon që resorti do të ndërtohet brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se sistemet natyrore të zonës janë të shkëputura nga njëri-tjetri.

Laguna e Nartës, pylli i Pishë Poros, dunat bregdetare dhe peizazhi i kësaj pjese të Adriatikut janë formuar nga procese gjeologjike dhe hidrologjike, në të cilat Vjosa ka pasur një rol të rëndësishëm ndër shekuj.

Për organizatat, shqetësimi kryesor lidhet me ndikimin kumulativ të zhvillimeve turistike përgjatë gjithë zonës Zvërnec–Akërni dhe jo vetëm me ndikimin e një projekti të vetëm.

Standardet evropiane kërkojnë që të vlerësohen jo vetëm pasojat e drejtpërdrejta të një projekti, por edhe ndikimi i tij në kombinim me projekte të tjera ekzistuese ose të planifikuara në të njëjtin territor.

“Pyetja nuk është nëse Vjosa është e mbrojtur, por nëse i gjithë kompleksi natyror i zonës po mbrohet në mënyrë të qëndrueshme përballë presionit në rritje të zhvillimeve turistike”, thuhet në deklaratë.

Statusi i mbrojtur nuk e bën projektin automatikisht të pranueshëm

Sipas organizatave, fakti që Pishë Poro–Narta klasifikohet si “Peizazh i Mbrojtur” nuk do të thotë se çdo zhvillim brenda saj është i pranueshëm.

Kjo kategori mbrojtjeje synon ruajtjen afatgjatë të biodiversitetit dhe peizazhit. Organizatat argumentojnë se ndryshimet ligjore të viteve të fundit e kanë dobësuar këtë mbrojtje në praktikë.

Pishë Poro–Narta përfshin një sërë vlerash të rëndësishme natyrore, monumente natyrore dhe territore të lidhura me Parkun Kombëtar të Lumit Vjosa. Delta e Vjosës u njoh gjithashtu në vitin 2025 si pjesë e një Rezerve Biosfere të UNESCO-s.

Për këtë arsye, sipas tyre, debati nuk duhet të mbetet te emërtimi formal i zonës, por te pyetja nëse projekti përputhet me qëllimin kryesor të një zone të mbrojtur: ruajtjen afatgjatë të natyrës dhe peizazhit.

Kërkohet transparencë për Sazanin

Për projektin në Sazan, ato shprehen se deklarata e qeverisë se ishulli do të mbetet pronë shtetërore nuk u jep përgjigje shqetësimeve kryesore.

Çështja, sipas tyre, nuk lidhet vetëm me pronësinë e tokës, por edhe me kushtet e përdorimit, të drejtat që mund t’u kalohen investitorëve privatë, kohëzgjatjen e kontratave, kufizimet e aksesit publik dhe garancitë mjedisore.

Duke qenë se negociatat, projekti arkitektonik dhe studimet mjedisore nuk janë bërë publike, organizatat kërkojnë transparencë të plotë përpara çdo vendimmarrjeje.

Sipas tyre, vetëm publikimi i marrëveshjeve dhe vlerësimeve mjedisore mund të tregojë nëse interesi publik po mbrohet.

Mjedisorët për deklaratën e Komisionit Evropian: “Nuk mjaftojnë garancitë politike”

Në konferencën për shtyp të 15 qershorit, Komisionerja Evropiane Marta Kos deklaroi se Komisioni Evropian kishte “marrë garanci nga Qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një Vlerësim i plotë i Ndikimit në Mjedis dhe se do të respektohen standardet mjedisore evropiane”.

PPNEA e cilësoi këtë qëndrim të papranueshëm, duke argumentuar se mbështetet në informacion të pasaktë dhe në garanci politike të qeverisë shqiptare.

“Ndërkohë që injoron zhvillimet e paligjshme që tashmë kanë ndodhur në Vjosë–Nartë, pa lejet e nevojshme, pa masa mbrojtëse dhe pa transparencë. Këto ndërhyrje kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme ekologjike dhe kanë nxitur javë të tëra protestash publike”, thuhet në reagimin e PPNEA-s.

Sipas organizatës, deklarata e Komisioneres nuk trajton çështjet kryesore të debatit: ligjshmërinë e ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur, dëmin e mundshëm ekologjik dhe detyrimin për rikthimin e gjendjes në përputhje me ligjin.

“Komisioni duhet të adresojë urgjentisht zhvillimet e paligjshme të ndodhura dhe t’i bëjë thirrje qeverisë shqiptare për një moratorium mbi aktivitetet dhe punimet”, thuhet në reagim.

PPNEA i kërkoi Komisionit Evropian të mbajë një qëndrim më të qartë dhe të kërkojë ndalimin e çdo aktiviteti deri në garantimin e respektimit të kuadrit ligjor.

Reagimit i është bashkuar edhe BirdLife Europe and Central Asia. Sipas organizatës, çështja e Vjosë–Nartës nuk është vetëm një debat mjedisor, por lidhet drejtpërdrejt me besueshmërinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe me respektimin e shtetit të së drejtës.

“Procesi i anëtarësimit në BE nuk ndërtohet mbi premtime dhe komunikim publik, por mbi respektimin e ligjeve. Ligjet e BE-së duhet të zbatohen në praktikë”, është shprehur Anouk Puymartin, drejtuese e politikave në BirdLife Europe and Central Asia.

Organizatat theksojnë se mbrojtja e Vjosë–Nartës është një test jo vetëm për politikat mjedisore të Shqipërisë, por edhe për seriozitetin me të cilin institucionet evropiane kërkojnë zbatimin e standardeve në vendet kandidate.

The post Mjedisorët kundër Ramës: Nuk mjaftojnë garancitë politike për Zvërnecin appeared first on Citizens.al.

Në Dardhë të Librazhdit gardhi ra, por nevoja për ujë mbetet

15 June 2026 at 18:56

Një orë e gjysmë nga Tirana, pasi lë qytetin e Librazhdit, shtrihet fshati Dardhë. Mes gjelbërimit të stinës, zor se dallon shtëpitë e banorëve si oaze të një fshati që në 2018 ishte një nga 100 fshatrat turistikë në Shqipëri.

Por përveç titullit “turistik” të dhenë, ky fshat nuk gëzon as të drejtën bazike, atë të ujit të pijshëm.

Të dielën, dhjetëra banorë të indinjuar nga mungesa e vëmendjes dhe mos dëgjimit të shetësimeve të tyre për mungesë të ujit të pijshëm, u ngjitën në krye të fshatit në gurrën e bardhë, sikurse ata e emërtojnë burimin e ujit dhe shembën bashkarisht gardhin prej teli që ishte vendosur mbi burim.

Kompania “Lucente Koncesionare” e cila ushton aktivitetin në këtë zonë përmes një hidrocentrali ishte shkaku i gardhimit të burimit të ujit, duke i lenë banorët prej gjashtë muajsh me ujë të pakët deri në shterje të tij ditët e fundit.

“U organizuam edhe erdhëm e prishëm. Kaq. Kemi që një nëntor që na bëjnë dallavere. Kemi çuar kërkesa në bashki, në komunë dhe rezultati ishte ky”, u shpreh Edi Korra, banor i fshatit Dardhë.

Sipas Edit, përgjatë këtyre muajve jetesa pa ujë të pijshëm është bërë e vështirë.

“Kemi marrë në telefon rojën, të lutem shko te uji se nuk kishim ku të kalonim”, u shpreh Korra.

Një nga zonjat e pranishme pranë burimit të ujit u shpreh për Citizens.al se më shumë po rrinë të kontrollojnë burimin se sa në shtëpi.

“S’kemi ujë, kemi 7-8 muaj që nuk kemi ujë. Një ditë eja në gurrë (burim të ujit) një dite shko në shtëpi. Kemi venë depozita, qelben”, u shpreh ajo, ndërsa nuk ngurroi të përmendte hezitimin për ti dalë para kompanisë së HEC-it për të kërkuar të drejtën e tyre.

Pak më sipër burimit të ujit kalon rruga Egnatia, e cila pas shembjes së urës në Dragostunjë në muajin shkurt, u kthye në rrugën kryesore që lidhte juglindjen me Tiranën.

Për një tjetër zonjë në moshë kjo situatë prej shtatë-tetë muajsh dhe punimet së fundmi nga kompania e HEC-it ju ka pamundësuar askesin në ujë të pijshëm e të pastër.

“Më shumë vijmë në gurrë (burim të ujit) se sa jetojmë te shtëpia. Edhe ai ujë që është që furnizohemi prej këtej është gjithë pisllëqe, gjithë mbeturina, nuk ka hesap më çfarë të të themi”, u shpreh ajo

Për Haqif Dukën, banor të zonës, kundërshtimi ndaj ndërtimit të HEC-it në këtë zonë i ka kushtuar edhe shoqërim në komisariatin e policisë në vitin 2014, ndërsa ishte kryeplak i fshatit.

“Në 2014 mua më kanë marrë dhe më kanë futur brenda se dola pengesë dhe ndenjëm gjashtë orë brenda”, shprehet Duka.

Megjithatë, hidrocentrali u bë, por me një marrëveshje me banorët.

“Kemi bërë marrëveshje pesë muaj, 15 maj deri më 15 tetor të ndërpriten punimet e HEC-it dhe të ishte për vaditje për nevojat e fshatit”, u shpreh Haqif Duka për Citizens.al.

Sipas banorëve, kompania jo vetëm që nuk ka respektuar marrëveshjen për ujin e vaditjes, tanimë ka gardhuar edhe burimin e ujit të pijshëm.

“Këtu kanë marrë (ujë) gjithë lagjja që përbëhet prej 60 shtëpish. Tubat e fshatit kanë pasur nga një pol ujë, e ka përgjysmuar, ka dhënë nga një gjysmë pol ky dhe e ka futur në tubat e hekurit. Në disa vende vete uji, në disa vende nuk vete. U detyruam që popullit i erdhi në majë të hundës edhe u detyruam që ta shembim gardhin”, u shpreh më tej Haqif Duka.

Sipas banorëve shqetësimi i tyre është dërguar disa herë në bashki dhe Zyrën e Bashkëqeverisjes, por nuk është marrë asnjë masë konkrete.

Pas aktit të heqjes së gardhit dhe jehonës që mori ky veprim në rrjetet sociale, në fshat mbërriti kryebashkiaku i Librazhdit, Mariglen Disha, i cili u shpreh se gardhimi është i paligjshëm dhe se ndaj kompanisë do të merren masa duke vendosur sanksione.

Sanksione të cilat ishin vendosur edhe më herët nga IKMT-ja, para se gardhi të hiqej nga banorët, duke e gjobitur kompaninë “Lucente Koncesionare” me 2 milionë lekë.

Kompania nuk iu përgjigj kërkesës së Citizens.al për koment.

Banorët thonë se takimet me pronarin dhe institucionet nuk sollën zgjidhje. Sipas tyre, vetëm pas rrëzimit të gardhit në zonë mbërritën kryetari i bashkisë dhe punonjësit për pastrimin e territorit.

“E kemi ballafaquar dy-tre herë pronarin këtu. Ka ardhur edhe policia bashkiake. Dhe dje që hoqëm gardhin erdhi kryetari i bashkisë dhe sot ka sjellë punëtorët për heqjen e gardhit”, u shpreh Haqif Duka.

Njëjtë mendon edhe Edi Korra: “Derisa erdhi kryetari i bashkisë dje nga portalet vetëm që pa që u shemb dhe erdhi nga frika e vet, jo për ne se për ne s’ka menduar ndonjëherë”.

Banorët thonë se “Gurra e Bardhë” ka shërbyer prej vitesh si burim i ujit të pijshëm jo vetëm për Dardhën, por edhe për fshatra të tjerë të zonës, si Spathari dhe Babja.

Sipas legjislacionit dhe kushteve që zakonisht përcaktohen në lejet dhe kontratat për shfrytëzimin e burimeve ujore, operatorët e hidrocentraleve janë të detyruar të respektojnë rrjedhën ekologjike të ujit dhe të mos cenojnë furnizimin e komuniteteve me ujë të pijshëm apo nevoja të tjera jetike të banorëve.

Lexo gjithashtu:

The post Në Dardhë të Librazhdit gardhi ra, por nevoja për ujë mbetet appeared first on Citizens.al.

Personat me aftësi të kufizuara në shesh për një sistem gjithëpërfshirës

14 June 2026 at 18:17

“Edhe ne jemi këtu!” është thirrja e përbashkët e dhjetëra qytetarëve me aftësi të kufizuara që i janë bashkuar “Revolucionit Flamingo” në shesh.

Sikurse mijëra qytetarë të tjerë që kërkojnë ndryshim në qeverisje, personat me aftësi të kufizuara kanë sjellë në qendër të vëmendjes problemet e përditshme që shpesh mbeten në perfieri të debatit publik sikurse mungesa e aksesit, shërbimet e pamjaftueshme dhe përjashtimi nga tregu i punës.

Për Suela Lalën, pjesëmarrja në protestë nuk është thjesht solidaritet politik, por një pasqyrim i pakënaqësive të thella që ky komunitet ndaj me pjesën tjetër të shoqërisë.

“Jemi të pakënaqur me aksesin, jemi të pakënaqur me mundësitë për punësim, jemi të pakënaqur për shërbimet. Kështu që kjo është një arsye për t’ju bashkuar protestës dhe për të kërkuar më shumë barazi edhe vëmendje edhe për ne që s’jemi gjëkundi në agjendat dhe prioritetet e qeverisjes”, u shpreh Suela Lala, përdoruese e karriges me rrota dhe drejtuese e Fondacionit Së Bashku.

Për Stefan Palokën, me aftësi të kufizuar në shikim, vështirësitë e përditshme me të cilat përballen janë të shumta, duke e bërë lëvizjen në qytete sfidë të vazhdueshme.

“Unë e di se çfarë heq nëpër rrugët e Shqipërisë, për shkak të mungesës së çdo lloj sinjalistike për personat e verbër,” thotë ai, duke theksuar se problemet nuk kufizohen vetëm te infrastruktura.

Sipas tij, trajtimi financiar është i pamjaftueshëm dhe nuk garanton as nevojat bazë të jetesës.

“Trajtim financiar dinjitoz. Pagesat janë të mjerueshme. Janë të tilla që as buka thatë nuk është e garantuar për personat me aftësi të kufizuar”, u shpreh Stefan Paloka për Citizens.al.

Paloka kritikon gjithashtu mungesën e mundësive reale për punësim, duke theksuar se shteti duhet të zgjedhë mes mbështetjes ekonomike dinjitoze ose hapjes së tregut të punës.

Emanuela Pepkola nga “Down Syndrome Albania” vjen në protestë si një qytetare që është detyruar të largohet nga vendi për një shërbim shëndetësor dinjitoz për djalin e saj me sindromën Down.

“Sot supozoj që përfaqësoj edhe ata që u larguan të detyruar për t’u larguar”, shprehet Emanuela Pepkola për Citizens.al.

Në anën tjetër të angazhimit të saj civil, Pepkola ngre shqetësimin për qëndrueshmërinë e shërbimeve për fëmijët me aftësi të kufizuara. Ajo thekson se qendra që ofron shërbime për këta fëmijë rrezikon mbylljen pas më shumë se një dekade pune, në një kohë kur sipas saj mbështetja shtetërore mbetet e pamjaftueshme.

“Nëse këto shërbime do ishin të mira dhe cilësore në shtet s’është e nevojshme ndoshta të ekzistojmë as ne për çështje shërbimesh”, tha Emanuela për Citizens.al.

Në këtë protestë, përfaqësues të komunitetit të personave me aftësi të kufizuara nuk sjellin vetëm kërkesa specifike sektoriale, por i bashkohen një thirrjeje më të gjerë për dinjitet, akses dhe një sistem më gjithëpërfshirës.

“Kjo është një revoltë që për t’ju bashkuar popullit dhe për të thënë që jemi dhe ne bashkë me ta për një jetë me dinjitet për personat me aftësi të kufizuara”, përfundon Pepkola.

Mes mijëra protestuesve pjesëmarrës në shesh zërat e tyre theksojnë se barazia nuk është një çështje e veçantë, por një mungesë që prek të gjithë shoqërinë në mënyra të ndryshme.

Lexo gjithashtu:

The post Personat me aftësi të kufizuara në shesh për një sistem gjithëpërfshirës appeared first on Citizens.al.

Gjashtë muaj pa ujë, banorët e Dardhës në Librazhd rrëzojnë gardhin mbi burimin

14 June 2026 at 17:00

Prej gjashtë muajsh, banorët e fshatit Dardhë në bashkinë Librazhd janë pa ujë të pijshëm, pasi burimi i ujit i njohur si “Gurra e Bardhë” është rrethuar nga kompania “Lucente Koncensionare”, e cila operon hidrocentralin në zonë.

Të dielën, në shenjë proteste rrëzuan gardhin prej teli, i cili po ua kufizonte aksesin në një burim jetik për komunitetin.

Më herët, banorët i ishin drejtuar Zyrës së Bashkëqeverisjes për të denoncuar situatën. Pas ankesës së tyre, Bashkia Librazhd ngriti një grup pune për të verifikuar problematikën në terren.

“Në zbatim të urdhrit nr. 1045, datë 18.11.2025 të kryetarit të Bashkisë Librazhd, është ngritur një grup pune, i cili ka kryer verifikime në terren për kontrollin e veprimtarisë së HEC-it, përfshirë respektimin e menaxhimit të integruar të burimeve ujore për furnizimin me ujë të pijshëm të komunitetit, lejimin e rrjedhës ekologjike të ujit dhe verifikimin e mundësisë së ndërtimeve pa leje”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Bashkëqeverisjes drejtuar banorëve.

Sipas procesverbalit të hartuar nga grupi i punës i Bashkisë Librazhd në nëntor 2025, banorët e fshatit Dardhë duhej të furnizoheshin me ujë të pijshëm në pikën ku e merrnin më parë.

Procesverbali i mbajtur nga Bashkia Librazhd në terren në nëntor 2025

Megjithatë, sipas banorëve, edhe pas inspektimit në terren dhe rekomandimeve të institucionit vendor, furnizimi me ujë nuk është rikthyer.

Banorët thonë se “Gurra e Bardhë” ka shërbyer prej vitesh si burim i ujit të pijshëm jo vetëm për Dardhën, por edhe për fshatra të tjerë të zonës, si Spathari dhe Babja.

Sipas legjislacionit dhe kushteve që zakonisht përcaktohen në lejet dhe kontratat për shfrytëzimin e burimeve ujore, operatorët e hidrocentraleve janë të detyruar të respektojnë rrjedhën ekologjike të ujit dhe të mos cenojnë furnizimin e komuniteteve me ujë të pijshëm apo nevoja të tjera jetike të banorëve.

Banorët thonë se në rastin e Dardhës është kufizuar aksesi jo vetëm në ujin për përdorim bujqësor, por edhe në vetë burimin e ujit të pijshëm.

The post Gjashtë muaj pa ujë, banorët e Dardhës në Librazhd rrëzojnë gardhin mbi burimin appeared first on Citizens.al.

“Rama jepe dorëheqjen”: Revolucioni Flamingo në ditën e 13-të

12 June 2026 at 22:05

“Rama, jep dorëheqjen!” ishte thirrja që për të 13-ën ditë radhazi kumbon në Tiranë çdo pasdite, teksa mijëra qytetarë marshojnë nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë.

Ajo që nisi si një lëvizje qytetare kundër projekteve turistike në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, me kalimin e ditëve është shndërruar në një protestë më të gjerë kundër korrupsionit, mungesës së transparencës dhe mënyrës së qeverisjes së vendit.

“Kemi dëgjuar parullën ‘Shqipëri e Re’. Rinia jemi ne që do ta bëjmë këtë Shqipëri të re. Si student, bashkë me çdo student tjetër këtu, ëndërrojmë një Shqipëri ku secili merr atë që i takon prej asaj që bën dhe jo prej atij që njeh”, u shpreh një student përmes megafonit.

Për aktorin Florjan Binaj, kushdo që ka përfituar nga detyrat publike në mënyrë të paligjshme duhet të përballet me drejtësinë.

“Që nga ’90-a deri më sot, kush ka vjedhur edhe 100 lekë duhet të shkojë në burg. Kushdo që ka shkelur ligjin duhet të shkojë në burg”, deklaroi Binaj.

Një tjetër qytetar tha se ajo që i ka bërë bashkë protestuesit është përballja me padrejtësinë.

“Mes nesh ka qytetarë me bindje të ndryshme politike e besime të ndryshme fetare, por na bashkon bindja se e përbashkëta nuk duhet lënë në mëshirën e arbitraritetit, padrejtësisë dhe dhunës”, deklaroi ai.

Në shesh u dëgjuan sërish thirrjet “Shqipëria nuk është në shitje”, “Rama dorëheqje” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, slogane që janë bërë pjesë e pandashme e protestave të ditëve të fundit.

Si çdo mbrëmje, pas fjalimeve të mbajtura në shesh nga qytetarë të ndryshëm, protestuesit nisën marshimin në rrugët e Tiranës. Çdo ditë marshimi përshkon itinerare të ndryshme në qytet, mes thirrjeve për dorëheqjen e qeverisë dhe ftesave që qytetarë të tjerë t’i bashkohen protestës.

Rama nga 35-vjetori i PS: “Protesta nisi me një zemërim të drejtë, por me një kërkesë të padrejtë”

Ndërsa për të 13-ën mbrëmje radhazi qytetarët protestonin para Kryeministrisë, kryeministri Edi Rama iu përgjigj drejtpërdrejt protestës nga mitingu i organizuar në sheshin “Italia”, me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste.

Në një fjalim të gjatë, Rama i kushtoi një pjesë të konsiderueshme protestës së qytetarëve, duke argumentuar se lëvizja kishte nisur nga një shqetësim legjitim, por ishte transformuar më pas në një protestë politike.

“Protesta nisi me zemërimin e drejtë për një akt dhune dhe me kërkesën e padrejtë për anulimin e një investimi madhor që do të ndikojë ndjeshëm parametrat ekonomikë dhe socialë të Shqipërisë”, deklaroi Rama.

Kryeministri mbrojti projektin e investimit, duke e cilësuar atë si mundësinë më të madhe ekonomike që i është ofruar vendit. Sipas tij, investimi do të sillte të paktën 4 miliardë euro në ekonominë shqiptare dhe do të përbënte një zhvillim strategjik për turizmin elitar.

Rama u përpoq gjithashtu të adresonte shqetësimet e protestuesve për mjedisin dhe biodiversitetin, duke i ftuar ata të njihen me dokumentacionin dhe proceset institucionale që, sipas tij, garantojnë mbrojtjen e zonës.

“Ejani t’i dëgjoni, ejani t’i shikoni dhe ejani t’i verifikoni vetë faktet”, tha ai, duke shtuar se “nuk ka asnjë status investitori strategjik” të dhënë për projektin dhe se “ishulli nuk shitet dhe nuk jepet me qira”.

Në fjalimin e tij, Rama argumentoi se qeveria socialiste ka qenë përgjatë viteve promotore e mbrojtjes së mjedisit, duke përmendur moratoriumin e pyjeve dhe të gjuetisë, zgjerimin e zonave të mbrojtura dhe shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.

Një pjesë e rëndësishme e fjalës iu kushtua edhe kritikës ndaj asaj që ai e quajti dezinformim në rrjetet sociale. Kryeministri tha se shumë qytetarë janë ndikuar nga “gjysmë të vërteta”, foto dhe video të manipuluara, të cilat sipas tij kanë krijuar një “apokalips dixhital” rreth projektit.

Megjithatë, Rama pranoi se protesta tashmë ka marrë karakter politik.

“Jam shumë i qartë që tanimë një protestë e nisur për natyrën është kthyer në një protestë me natyrë politike, absolutisht legjitime për këdo që do të ndryshojë Shqipërinë sipas qasjes së tij”, tha ai.

Kryeministri mbrojti modelin e zhvillimit përmes turizmit elitar, duke argumentuar se Shqipëria nuk mund të mbështetet vetëm te turizmi masiv dhe se vendi duhet të konkurrojë me destinacionet kryesore të Mesdheut.

“Ky është investimi më i madh që i ka ardhur si mundësi Shqipërisë në historinë e saj dhe ky është një investim që Shqipëria nuk e ka luksin kurrsesi ta refuzojë”, deklaroi Rama.

Fjalimi i tij u zhvillua paralelisht me protestën në bulevard, ku qytetarët vijuan të kërkonin transparencë, mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe anulimin e projekteve që, sipas tyre, rrezikojnë pasuritë natyrore të vendit.

Përballë dy narrativave të kundërta, dita e 13-të e “Revolucionit Flamingo” tregoi se protesta po vijon të fitojë mbështetje në shesh dhe në platformat sociale.

Si erdhëm deri në ditën e 13-të të “Revolucionit Flamingo”?

Historia e “Revolucionit Flamingo” nisi në fund të muajit maj, kur në Zvërnec një qytetar u tërhoq me forcë nga punonjës të sigurisë private gjatë një proteste kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në zonën e mbrojtur të Nartës. Pamjet e incidentit u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe shkaktuan reagime të shumta publike.

Më 31 maj, aktivistë dhe qytetarë u mblodhën fillimisht përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të protestuar kundër përdorimit të forcës dhe mosreagimit të institucioneve shtetërore. Brenda pak orësh, protesta u zgjerua dhe u shndërrua në një lëvizje kundër projekteve të zhvillimit në Zvërnec dhe Sazan.

Ditët në vijim sollën rritje të vazhdueshme të pjesëmarrjes. Protestuesit nisën të mblidheshin çdo ditë në orën 18:00 në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë. Ata kanë refuzuar simbolikat partiake, duke e paraqitur lëvizjen si reagim qytetar të pavarur.

Me kalimin e ditëve, kërkesat e protestës u zgjeruan nga mbrojtja e mjedisit drejt çështjeve të korrupsionit, transparencës, emigrimit masiv dhe mënyrës së qeverisjes.

Gjatë javës së parë, protesta u përhap gjerësisht në rrjetet sociale, ku mijëra të rinj shpërndanë materiale informuese dhe koordinuan pjesëmarrjen në tubime. Në ditët pasuese, ajo mori mbështetje edhe nga qytetarë të diasporës, të cilët organizuan aktivitete solidarizuese në qytete të ndryshme të botës.

Ndërkohë, qeveria refuzoi kërkesat për anulimin e projekteve dhe kryeministri Rama deklaroi vazhdimisht se investimet do të vijojnë.

Sot, në ditën e 13-të, “Revolucioni Flamingo” ka hyrë në javën e dytë dhe është kthyer në një nga mobilizimet qytetare më të mëdha të viteve të fundit.

Lexo gjithashtu:

The post “Rama jepe dorëheqjen”: Revolucioni Flamingo në ditën e 13-të appeared first on Citizens.al.

Nga Zvërneci te kullat e Tiranës: biznesmenët nën hetim nga SPAK

12 June 2026 at 14:33

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar masa “arrest me burg” për biznesmenët Orest Sota, Artur Shehu, Ilir Shtufi dhe Edmond Jaupaj, pas një operacioni për goditjen e një grupi kriminal të dyshuar për trafik lëndësh narkotike dhe pastrim parash.

Mes personave ndaj të cilëve është lëshuar masa është edhe Artur Shehu, pronar i pjesës më të madhe të tokës ku u planifikua të ngrihet resorti luksoz në Zvërnec, ngjarje që prej 13 ditësh ka ngritur qytetarët në protestë. Sipas SPAK, janë sekuestruar 128 milionë euro të përfituara nga shitja e pronave në Zvërnec, në llogari të biznesmenit Artur Shehu.

Nga ana tjetër, Ilir Shtufi është biznesmen në fushën e ndërtimit dhe i lidhur me disa projekte kullash në Tiranë, mes tyre edhe “Mount Tirana”, pas Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ai zotëron 91% të aksioneve të kompanisë ndërtuese “Nova Construction”, ndërsa Kujtim Shtufi zotëron 9%.

“Nova Construction” është një nga tre operatorët që fitoi tenderin për Lotin 4 të Unazës së Madhe në Tiranë, një procedurë që aktualisht është nën hetim nga SPAK.

Edhe kompania “Forever Construction”, në pronësi të Lefter Sotës, babait të Orest Sotës, ka marrë leje për ndërtimin e kullave në Tiranë.

Mes tyre janë:

Bond Tower – (200 metra_, një projekt i ideuar nga studioja e arkitekturës OODA Architecture, me investitor “Nova Construction”. Kulla është parashikuar të jetë 200 metra e lartë, me rreth 55 kate, dhe do të ndërtohet në Rrugën “Dritan Hoxha”.

Lana Riverside Residences – (204 metra), pozicionuar në Bulevardin “Gjergj Fishta”, pranë ish-Universitetit të Tiranës. Ndërtesa parashikohet të ketë 56 kate mbi tokë dhe 6 kate nëntokë, me një lartësi prej 204.5 metrash dhe formë cilindrike.

Kulla është pjesë e një kompleksi dhe do të ndërtohet nga “Forever Construction”, në pronësi të Lefter Sotës, biznesmen i angazhuar në fushën e tregtimit të hekurit. Projekti është hartuar nga studioja e arkitekturës Marco Casamonti & Partners, në bashkëpunim me X-Plan Studio.

Mount Tirana – (205 metra), një kullë e vendosur në Rrugën e Barrikadave, pas Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ajo është parashikuar të ketë 58 kate dhe një lartësi prej 205 metrash.

Ndërtues i projektit është “Nova Construction – 2012”, ndërsa studioja që ka ideuar projektin është CEBRA Architects. Kulla po ngrihet në një hapësirë që më herët shërbente si lulishte, çka ka shkaktuar protesta nga qytetarët dhe aktivistët.

Citizens.al ka raportuar më herët për kullat që pritet t’i shtohen kryeqytetit, shumica prej tyre të miratuara në mungesë transparence, në rubrikën: Tirana Vertikale.

Ilustrim grafik i kullave rreth qendrës dhe lartësitë e tyre.

Lexo më shumë:

The post Nga Zvërneci te kullat e Tiranës: biznesmenët nën hetim nga SPAK appeared first on Citizens.al.

“Kur protesta mbushi sheshet, media tradicionale zgjodhi heshtjen”

11 June 2026 at 13:39

Prej 11 ditësh, mijëra qytetarë po protestojnë në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Ajo që nisi si protestë kundër ndërtimeve në Zvërnec, tashmë është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare, me thirrje edhe për dorëheqjen e qeverisë Rama.

“Revolucioni i Flamingove”, i pagëzuar si simbol i biodiversitetit të zonës së mbrojtur ku parashikohen ndërtime mbushi sheshet, pas dhunës së ushtruar nga rojet e një kompanie private ndaj një qytetari protestues në Zvërnec.

Por ndërsa videot e këtij episodi dominuan rrjetet sociale dhe u shpërndanë masivisht nga qytetarët, pjesa më e madhe e mediave tradicionale qëndroi në heshtje.

Edhe në ato pak raste raportimi, fokusi kryesor u vendos te përfitimet e mundshme të projektit, vendet e punës, ndikimi në ekonomi dhe zhvillimi turistik, duke minimizuar protestën dhe kërkesat e qytetarëve.

Për pedagogun e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës Ervin Goci, kjo nuk ishte një mungesë rastësore.

“Mediat tradicionale kanë bërë harakiri në rastin e protestave më të mëdha që ka parë ndoshta historia e Shqipërisë. Nuk duhet parë si aksidentale, sepse prej vitesh media i ka bërë bisht raportimit të realitetit në formë proaktive. Jo vetëm që e ka për detyrë ta mbulojë, por e ka detyrë edhe ta kthejë interesin publik në agjendë dhe të mos e mbulojë protestën si aksident automobilistik”, u shpreh Goci për Citizens.al.

Edhe pedagogu i komunikimit Erlis Çela, njëherazi Zëvendës Rektor për Ndërkombëtarizim, Marrëdhëniet me Industrinë dhe Komunikim në Universitetin Western Balkans, e sheh mbulimin si një shembull të asaj që literatura ndërkombëtare e quan “protest paradigm”, ku mediat priren të delegjitimojnë protestat që sfidojnë status quo-në.

“Një pjesë e mirë e raportimeve u fokusuan te identiteti i protestuesve, numri i tyre, origjina e tyre e supozuar apo te narrativa që i paraqiste si të nxitur nga faktorë të jashtëm”, u shpreh Çela.

Sipas tij, media shpesh përdor korniza që margjinalizojnë protestat, duke privilegjuar qëndrimet dhe zërat e pushtetit dhe duke lënë në plan të dytë vetë protestuesit.

Edhe Elvin Luku, pedagog në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, vëren se televizionet kombëtare fillimisht transmetuan reagimet e kryeministrit për protestën, pa raportuar më parë vetë protestën.

“Absurdi arriti deri aty sa mediat e mëdha audiovizive transmetuan live reagimin e kryeministrit Rama ndaj protestës, pa e mbuluar më parë vetë protestën, e cila kishte marrë përmasa shumë të mëdha”, thotë Luku.

Nga injorimi te delegjitimimi

Kur protesta u bë e pamundur të injorohej, një pjesë e mediave ndryshuan qasje, por jo domosdoshmërisht duke vendosur në qendër kërkesat e protestuesve. Në studio televizive dhe kronika informative nisën të qarkullonin etiketime si “grupe të vogla”, “të financuar nga Soros” apo pretendime për ndikime të huaja.

Sipas Çelës, këto etiketime janë pjesë e një strategjie të njohur delegjitimimi.

“Kur qytetarët paraqiten si ‘grupe të vogla’, ‘të financuar nga Soros’ apo si instrumente të aktorëve të jashtëm, debati zhvendoset nga çështja që ata ngrenë te identiteti i tyre. Kjo është një strategji e njohur që është përdorur në Hungari, Serbi dhe vende të tjera të Evropës Lindore për të delegjitimuar shoqërinë civile dhe protestat qytetare”, argumenton Çela.

Sipas tij, në këtë mënyrë media kontribuon në krijimin e një klime mosbesimi ndaj vetë idesë së mobilizimit dhe revoltës qytetare.

Edhe Luku vlerëson se këto narrativa synojnë të ndikojnë perceptimin publik, duke e paraqitur protestën si të manipuluar ose jo përfaqësuese të interesit publik.

“Ky lloj framing, nëse përsëritet shumë herë, mund të ndikojë në ngritjen e dyshimeve mbi pavarësinë dhe qëllimet e organizatorëve. Pra, një lloj përpjekjeje për të dobësuar frymën e protestës dhe për të ulur mbështetjen publike ndaj saj. Këto janë taktika të njohura propagandistike në kontekste të polarizuara që synojnë interpretimin publik të ngjarjeve”, argumenton Luku.

Njëjtë mendon edhe Çela, i cili thotë se mënyra se si media e kornizon protestën ka ndikim të drejtpërdrejtë në legjitimitetin që publiku i atribuon asaj.

“Fokusi te pretendimet për ndërhyrje të jashtme, te origjina e protestuesve apo te etiketimet politike synon të zhvendosë debatin nga çështjet themelore të ngritura nga qytetarët. Kjo, për mua, është një mënyrë e medias për të përcaktuar se cilat zëra duhet të konsiderohen si më të besueshëm dhe cilat jo”, përfundon ai.

Për Ervin Gocin, përdorimi i konspiracioneve dhe aludimeve e afron median me faqet anonime të dezinformimit.

“Konspiracionet, anatemimet, aludimet dhe qarkullimi i lirë i gjithfarë lajthitjesh e barazojnë median me një faqe anonime dezinformuese online. Asnjë ndryshim. Diskreditim i plotë. Shoh moderatorë që lënë të qarkullojë fare pa doganë gjithfarë tallashi në emisionet e tyre, dukshëm të paguar nga lobe që duan ta delegjitimojnë protestën”, shprehet Goci.

Sipas tij, në këtë pikë do të duhej që Prokuroria të vepronte ndaj përmbajtjeve që cenojnë sigurinë publike dhe sigurinë psikologjike të qytetarëve.

“Kjo është lufta e vërtetë hibride, me agjentë shqiptarë, pa agjentë të huaj fare”, u shpreh Goci.

Megjithatë, Goci nuk mendon se media e diskredituar ka më fuqinë të kornizojë përfundimisht perceptimin publik të një ngjarjeje.

“Mos të harrojmë se një pjesë e mirë e përmbajtjeve mediatike merren nga debate televizive post-ngjarje dhe kalojnë si reels për të bërë gallatë online. Plus që vetë mediat janë kthyer si faqe online, që për qëllim kanë të kapin ndonjë klikim”, thekson ai.

“Si përfitojnë pronarët e mediave nga qeveria”

Mbulimi i protestës ka rikthyer në vëmendje një debat të hershëm mbi pronësinë e medias në Shqipëri dhe ndikimin e saj në pavarësinë editoriale.

Raporti i fundit i publikuar nga organizata “Res Publica” pasqyron se tregu audioviziv shqiptar dominohet nga pak grupe familjare dhe ekonomike, ndërsa shumë prej tyre kanë përfituar projekte, leje apo statusin e investitorit strategjik nga qeveria.

Sipas raportit, pesë licencat kombëtare audiovizive përqendrohen kryesisht në tre bërthama familjare: familja Hoxha, që kontrollon Top Channel dhe shfaqet në mënyrë dominuese në DigitAlb; familja Frangaj-Gina, që kontrollon TV Klan, ndërsa Alba Gina evidentohet si aksionere edhe në DigitAlb; si dhe familja Dulaku, e lidhur me Vizion Plus dhe deri në dhjetor 2025 edhe me rrjetin Tring.

Raporti thekson se përfitimet ekonomike nuk kufizohen vetëm në kontrata apo pagesa publike, por përfshijnë edhe statusin e investitorit strategjik, leje ndërtimi, përdorimin e pasurive publike dhe favore të tjera administrative.

Në mesin e rasteve të dokumentuara janë projekti “ANIMA”, i lidhur me familjen Hoxha; projektet turistike “San Pietro” në Durrës dhe “Gone Perivol” në Dhërmi, të lidhura me familjen Dulaku; si dhe projekti “White Roads Hotel”, i lidhur me familjen Frangaj-Gina. Të gjitha këto janë përfshirë në skemën e investimeve strategjike.

Sipas Erlis Çelës, mënyra se si raportohen protestat lidhet jo vetëm me orientimin ideologjik të mediave, i cili shpesh është i paqartë në Shqipëri, por edhe me modelet e financimit.

“Një pjesë e mediave kryesore janë në pronësi të grupeve ekonomike që kanë interesa të rëndësishme jashtë sektorit të medias. Në literaturë kjo njihet si ‘klientelizëm mediatik’, i cili nënkupton një marrëdhënie ku media, në këmbim të aksesit, reklamave shtetërore ose favoreve të tjera ekonomike, priret t’u shërbejë interesave të elitave politike dhe ekonomike”, argumenton Çela.

Ai shton se kjo afërsi strukturore me pushtetin ekonomik dhe politik prodhon vetëkufizim editorial.

“Nuk është e nevojshme që të ketë ndërhyrje të drejtpërdrejta. Vetë struktura e pronësisë dhe varësitë ekonomike ndikojnë në mënyrën se si ndërtohen narrativat. Mendoj se kjo protestë e risolli edhe një herë në vëmendje çështjen e pronësisë së medias në Shqipëri, si një element që ndikon negativisht në lirinë e medias dhe cilësinë e informacionit”, shton Çela.

Në raport përmenden si aktorë të rëndësishëm në formësimin e debatit publik edhe Focus Media Group dhe Panorama Group, në pronësi të familjes Hysenbelliu.

“Panorama Group, që përfshin gazetën Panorama, Panorama Sport, revistën Psikologjia dhe së fundmi Panorama TV; si dhe Focus Group, ku përfshihen News 24, Gazeta Shqiptare, BalkanWeb dhe Radio Rash”, thuhet në raport.

Marrëdhënia e familjes Hysenbelliu me figura të qeverisë ka qenë e afërt, ashtu si edhe me opozitën.

“Më vonë, sidomos pas konfliktit të hapur të lidhur me Prestige Resort, pas bllokimit dhe më pas prishjes së hotelit në pronësi të Hysenbelliut, raportohet se mediat e grupit të tij ndryshuan ndjeshëm qëndrimin editorial ndaj qeverisë”, thuhet në raport.

Megjithatë, profili i kësaj familjeje është i lidhur ngushtë me ndërtimin dhe hotelerinë.

“Përfshirja në hoteleri, turizëm dhe resorte e bën këtë profil edhe më të varur nga vendimmarrja administrative, lejet e zhvillimit, politikat territoriale dhe raportet me pushtetin vendor e qendror. Mbi 10 leje ndërtimi për rezidenca dhe resorte në Tiranë, Kavajë, Elbasan ekspozohen në faqen e vetë shoqërisë ‘Erjoni’ sh.p.k. Këtu qëndron edhe arsyeja pse konflikti i Prestige Resort nuk duhet lexuar si episod i izoluar”, thekson raporti.

Vëllezërit Ulaj, nga ana tjetër, përshkruhen në raport si një ekosistem i integruar, ku media A2/G2 është vetëm një pjesë e një portofoli më të gjerë.

Ky grup ka peshë ekonomike përmes partneriteteve publike-private, si segmenti rrugor Milot–Thumanë, aksi Thumanë–Fushë Krujë–Vorë–Kashar, parkimi nëntokësor i sheshit “Italia”, si dhe projekte të kontestuara publikisht në hoteleri dhe turizëm, si resorti “Blue Borgo” në Rrjoll të Shkodrës, ku prej kohësh protestohet nga banorët e zonës.

Report TV i Carlo Bollinos nuk është e vetmja ndërmarrje e tij. Sipas raportit, janë ngritur pretendime për përfshirje në Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2 dhe përdorim të aseteve publike pa transparencë të mjaftueshme mbi procedurat, kushtet kontraktore dhe përfitimet ekonomike.

Rasti i Ora News dhe Ylli Ndroqit, sipas raportit, nuk lidhet vetëm me ndërthurjen e medias me biznesin dhe pushtetin, por edhe me pronësinë mediatike ku u aplikuan masa konfiskimi mbi bazën e ligjit antimafia.

“Kjo e dallon Ylli Ndroqin nga profilet e tjera të trajtuara në raport, sepse këtu problemi nuk qëndron vetëm te konflikti i interesit apo përqendrimi i tregut, por te vetë cenimi i integritetit të pronësisë mediatike”, thekson raporti.

Elvin Luku thotë se mbulimi mediatik i protestës nisi kur këto televizione po dëmtoheshin rëndë në besueshmërinë publike.

“Rrjetet sociale ishin gjatë gjithë kohës të mbushura me postime dhe transmetime live për protestën”, thekson Luku.

Sipas tij, ky tubim masiv 11-ditor dëshmoi edhe një herë se ndërlidhja media-politikë, e mbështetur mbi përvetësimin e parasë publike, qëndron mbi qëllimin e vetë medias për të pasqyruar me vërtetësi ngjarjet e aktualitetit.

“Një test që media shqiptare nuk e kaloi”

Për njohësit dhe studiuesit e medias, mënyra se si u trajtua “Revolucioni i Flamingove” është më shumë sesa një debat për një protestë të vetme.

Erlis Çela e konsideron atë një test të rëndësishëm për median shqiptare.

“Një pjesë e medias kryesore nuk veproi si një institucion që mbron interesin publik dhe që ushtron kontroll ndaj pushtetit, por si një mekanizëm që riprodhon narrativat e elitave politike dhe ekonomike. Në këto kushte, media rrezikon të mos funksionojë më si një hapësirë pluraliste debati, por si një instrument për menaxhimin e konsensusit”, argumenton Çela.

Sipas tij, këtu mund të gjenden edhe arsyet pse një pjesë e madhe e audiencave të reja zgjedhin rrjetet sociale për t’u informuar.

“Kjo protestë nuk flet vetëm për një konflikt mes qytetarëve dhe qeverisë, për revoltën e tyre ndaj arrogancës së pushtetit dhe abuzimeve. Për mua ajo flet edhe për krizën e medias shqiptare dhe për vështirësinë e saj për të përmbushur funksionin demokratik të përfaqësimit të interesit publik”, shtoi ai.

Për pedagogun Ervin Goci, rasti i protestave të fundit po tregon se në Shqipëri është krijuar një sferë autonome qytetare.

“Me universin e vet, me sistemin e vet të vlerave, me dinamikën e vet dhe që nuk ka asnjë lidhje as me politikën, as me median, as me kryqëzimet mes tyre për interesa kundër interesit publik”, përfundon Goci.

The post “Kur protesta mbushi sheshet, media tradicionale zgjodhi heshtjen” appeared first on Citizens.al.

“Gratë nuk janë trupa me bikini”: Rama zgjedh seksizmin ndaj influencereve në protestë

9 June 2026 at 16:54

Pjesëmarrja qytetare e influencerve të rrjeteve sociale në protestat e ditëve të fundit duket se e ka zemëruar Kryeministrin Rama, aq sa t’i shigjetojë ato personalisht në takimet me socialistët.

Komentet e tij, të cilat për një moment shkaktuan të qeshura te mbështetësit e pranishëm në sallë, u konsideruan nga aktivistët si seksiste dhe denigruese, veçanërisht ndaj vajzave dhe grave me ndikim në rrjetet sociale, të njohura ndryshe si influencere, për shkak të popullaritetit që kanë te grupe të ndryshme shoqërore, sidomos te të rinjtë.

“Por ti nuk ke pse u thua shqiptarëve ‘atje e dua komplet të virgjër bregun e detit, sepse atje do dal me bikini, me atë lidhësen e vogël’. Edhe këta që i shkojnë nga pas në protestë thonë ‘inshallah i këputet lidhësja”, tha Rama, duke ironizuar disa prej influencereve që kanë mbështetur protestat.

Keisli Alia, e cila në platformat e saj online njihet si Keishli, tha për Citizens.al se përshtypja e parë pasi dëgjoi deklaratën e kryeministrit ishte keqardhja.

“Ndjeva keqardhje për kryeministrin e vendit tim. Ishte një gjuhë seksiste, bullizuese dhe e turpshme për një kryeministër të një vendi aspirant për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, shprehet Keisli.

Ajo vëren kontrastin mes strategjive shtetërore kundër diskriminimit dhe mënyrës se si vetë drejtuesi i qeverisë komunikon publikisht.

“Për të qeshur është fakti që në letër shumë institucione të shtetit tonë kanë përpiluar e miratuar strategji e politika konkrete ndaj bullizmit, gjuhës seksiste dhe diskriminimit gjinor dhe ndodh që kryeministri është bullizuesi më i madh në këtë vend”, argumenton Keisli.

Për të, deklarata të këtij lloji nuk shënjestronin vetëm identitetin e saj si influencere, por edhe angazhimin e saj si qytetare në hapësirën publike.

“Sigurisht që ndihem e sulmuar dhe e shënjestruar për qëndrimet e mia publike”, thotë ajo.

Ajo kundërshton gjithashtu pretendimin se influencueset po e përdorin protestën për më shumë vëmendje apo ndjekës.

“Nuk kemi nevojë për vëmendje. Kemi një audiencë pa ngjyrime politike, pa interesa partiake apo pushtetore, sepse ne ofrojmë vetëm të vërtetën në mënyrën tonë digjitale. E shoh kontributin tim me rëndësi në këtë fushë, sepse kam vite si influencere që e përdor platformën për të promovuar brenda dhe jashtë vendit imazhin e një Shqipërie me njerëz të bukur, të mençur, punëtorë, që e duan zhvillimin dhe demokracinë”, tha Keisli për Citizens.al.

Në narrativën e tij ndaj influencuesve, Rama përmendi edhe pretendimin se ata nuk paguajnë taksa për aktivitetin e tyre.

Për Keislin, ky reagim ishte një përpjekje për t’i paraqitur blogerët dhe influencuesit si pjesë të evazionit fiskal. Sipas saj, një nga arsyet e kësaj revolte është pikërisht pabarazia.

“Nëse dikush bën evazion, është detyrë e shtetit ta ndalojë, të ndjekë gjithçka sipas ligjeve të këtij vendi. Nuk më duket normale që kryeministri ka dijeni për mosfunksionimin në mënyrë të pabarabartë të një tregu të lirë dhe nuk merr masa”, u shpreh Keisli.

Ajo shton se ka reaguar ndër të parat për atë që po ndodhte në Nartë, ashtu siç reagon shpesh për çështje të tjera sociale.

“Jo për interesa të mia vetjake. Në fund të ditës jetojmë në këtë komb, kam zgjedhur t’i bëj dhe t’i rris dy vajzat e mia këtu. Është detyrim qytetar i secilit prej nesh që të mbrojmë vendin tonë dhe t’u mundësojmë pasardhësve tanë një vend më të mirë”, përfundoi Keisli Alia.

“Gratë nuk janë vetëm trupa që veshin bikini”

Në një deklaratë të përbashkët, Kolektivi Feminist në Shqipëri u shpreh se gjuha e përdorur nga kryeministri është pjesë e një modeli të njohur të pushtetit ndaj grave që kundërshtojnë.

“Sa herë që gratë e kundërshtojnë, e kritikojnë apo i kërkojnë llogari, Edi Rama i sulmon përmes përçmimit, ironisë seksiste dhe përpjekjeve për t’i delegjitimuar”, u shpreh Kolektivi Feminist.

Sipas Kolektivit, seksizmi përdoret si armë politike pikërisht kur gratë bëhen të dukshme dhe të zëshme në hapësirën publike.

“Nuk e bën këtë sepse është i fortë, por sepse ndihet i kërcënuar. Dhe përballë grave me zë, zgjedh armën më të vjetër të pushtetit patriarkal: seksizmin”, thuhet në reagim.

Për Zhaklin Lekatarin, aktiviste për të drejtat e njeriut, problemi nuk është vetëm gjuha e përdorur, por mënyra se si ajo e zhvendos debatin nga kauza te trupi i gruas.

“Të reduktosh vajzat dhe gratë në trupa që veshin bikini është jo vetëm seksiste, por një papërgjegjshmëri publike dhe politike, kur këto komente vijnë nga numri një i vendit”, tha Lekatari për Citizens.al.

Sipas saj, këto nuk janë batuta gazmore, por një mesazh që e lidh vlerën e një gruaje me imazhin e saj dhe jo me përgjegjësinë publike apo intelektuale.

“Ky është një mentalitet me të cilin ne, vajzat dhe gratë, përballemi prej shekujsh në mënyrë të përditshme”, tha Lekatari.

Sipas saj, ky është një mekanizëm i njohur me të cilin gratë përballen vazhdimisht në shoqëri: minimizimi i mendimit dhe rolit të tyre publik përmes komenteve mbi pamjen.

“Gratë shqiptare veshin edhe bikini, kostume nga më të ndryshmet; por kjo nuk i bën ato më pak të zonja, profesioniste, aktiviste, studente, sipërmarrëse dhe, mbi të gjitha, votuese. Një shoqëri e emancipuar dhe demokratike shihet nga mënyra se si i trajton gratë”, shprehet Lekatari.

Ajo shton se kryeministri Rama “i ka frikë gratë”, i përdor dhe i kthen në numra, por “kur vjen puna te gjuha që përdor ndaj tyre, aty ai tradhton veten”.

Normalizimi i gjuhës seksiste në politikë

Për aktivisten Xheni Karaj, deklarata të tilla nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një kulture më të gjerë politike.

“Kjo qasje seksiste e Ramës është e papranueshme, sepse përfaqëson një metodë sistematike që ai dhe sistemi politik kanë përdorur shpesh për të intimiduar gratë me zë, për t’i reduktuar ato në objekte seksuale, duke u mohuar rolin si aktore të barabarta në jetën publike dhe politike, si dhe për të shmangur debatin mbi çështjet reale”, thotë Karaj.

Një analizë të ngjashme bën edhe Entenela Ndrevataj, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe përfaqësuese e organizatës “Albanian Women in Audiovisual”.

“Përmes komenteve mbi pamjen, veshjen apo mënyrën se si ato paraqiten në hapësirën publike, ai i redukton ato në individë që e ndërtojnë ndikimin e tyre vetëm mbi imazhin e jashtëm, duke minuar kështu legjitimitetin e pakënaqësive ndaj mënyrës së qeverisjes dhe duke zhvendosur vëmendjen nga argumentet te personi që i artikulon ato”, argumenton Ndrevataj.

Ajo thekson se gratë që morën pjesë në protestë nuk dolën në shesh si personazhe të rrjeteve sociale, por si qytetare që preken nga vendimmarrjet publike.

“Ato nuk dalin në protestë si figura të njohura të rrjeteve sociale, por si qytetare që preken dhe ndikohen drejtpërdrejt nga politikat publike”, shton ajo.

Sipas saj, narrativa se gratë kërkojnë vëmendje përmes protestës mbështetet mbi stereotipe të vjetra gjinore.

“Kjo krijon përshtypjen se pjesëmarrja e tyre në protestë nuk buron nga bindjet, shqetësimet apo qëndrimet e tyre qytetare, por nga dëshira për vëmendje, klikime apo ndjekës. Në këtë mënyrë, gratë depolitizohen: ato nuk trajtohen më si qytetare me mendime politike dhe mendim kritik, por si figura me funksion estetik, vlera e të cilave matet përmes pamjes së jashtme”, argumenton Ndrevataj.

Sipas saj, gjuha e përdorur nga njerëz me pushtet dhe me dukshmëri publike normalizon gjuhën e urrejtjes dhe forcon seksizmin, i cili është ende shumë i pranishëm në Shqipëri.

“Kjo dekurajon pjesëmarrjen e grave në jetën publike dhe i shtyn ato drejt pjesëmarrjes pasive, pasi kështu janë më të mbrojtura ndaj dhunës seksiste. Një gjuhë e tillë ndihmon në ruajtjen e pabarazisë gjinore dhe është e qëllimshme; në mënyrë që të ruhet sistemi patriarkal, gratë duhet të përjashtohen nga pjesëmarrja e barabartë dhe të kenë sa më pak pozita pushteti”, u shpreh Entenela Ndrevataj.

Lexo gjithashtu:

The post “Gratë nuk janë trupa me bikini”: Rama zgjedh seksizmin ndaj influencereve në protestë appeared first on Citizens.al.

Qytetarët rikthehen në Nartë, aty ku nisi përplasja

8 June 2026 at 18:02

Pamjet e një qytetari të tërhequr zvarrë nga rojet private në zonën e mbrojtur Pishë–Poro–Nartë, një javë më parë, tronditën opinionin publik.

Ngjarja e 30 majit nxiti një mobilizim paqësor qytetar, i cili vijon prej ditësh në Tiranë dhe qytete të tjera. Të shtunën, më 6 qershor, qytetarët u rikthyen në të njëjtin vend ku nisi përplasja që e ktheu Nartën në kryefjalë të debatit publik.

Gardhi me tela që kishte rrethuar territorin ku parashikohen zhvillime turistike në Zvërnec nuk ishte më aty. Nuk kishte më as roje private apo prani të shtuar të Policisë së Shtetit.

Punimet janë ndalur, por gjurmët e ndërhyrjes në terren mbeten të dukshme: rrugë të hapura me çakull dhe ura betoni në një nga peizazhet më të rëndësishme natyrore të vendit.

Ajo që nisi si kundërshtim ndaj një projekti turistik në Peizazhin e Mbrojtur Pishë–Poro–Nartë, tashmë është kthyer në një protestë më të gjerë për hapësirat publike, natyrën, mungesën e transparencës dhe të drejtën e qytetarëve për të ditur çfarë vendimesh merren në emër të tyre.

Rikthimi në plazhin e Dalanit, paraditen e së shtunës, ishte edhe një akt simbolik për të treguar se dhuna nuk i ka trembur.

“Sazani e Karaburuni janë vatanet e mia. Kjo tokë është e shqiptarëve, do ta gëzojnë fëmijët tanë”, tha një protestuese me megafon, përpara qindra qytetarëve të mbledhur në solidaritet.

Për aktivistët mjedisorë, protesta në Nartë ishte një mesazh kundër arrogancës së pushtetit dhe interesave private. Ata e konsiderojnë betejën për Nartën si simbol të mbrojtjes së një trashëgimie të përbashkët.

“Hynë e dhunuan, e përdhosën zonën e mbrojtur, nuk i morën leje askujt, nuk lajmëruan askënd, nuk bënë asnjë procedurë dhe më pas, kur njerëzit dolën për ta ruajtur, filluan të nxjerrin teoritë që jemi agjenturë greke, serbe, iraniane”, u shpreh Joni Vorpsi nga PPNEA.

Sipas Vorpsit, pushtetarët e kanë të vështirë të pranojnë se natyra është e lidhur me dinjitetin e shqiptarëve.

“Natyra është pjesë e kulturës së shqiptarëve. Në marrëdhënie me habitatet tona ne kemi zhvilluar kulturën, kemi zhvilluar zakonet tona. Prandaj është e rëndësishme që ta ruajmë”, deklaroi ai.

Narta përfshin një mozaik unik lagunash, pyjesh bregdetare dhe zonash me rëndësi të veçantë për shpendët migratorë. Ajo është pjesë e zonave ndërkombëtare të rëndësishme për shpendët, zonë kyçe për biodiversitetin dhe zonë kandidate Emerald, pararendëse e rrjetit Natura 2000 të Bashkimit Evropian.

Por sipas ambientalistëve, dëmet kanë nisur tashmë.

“Siç e shihni, ky çakull është hedhur muajin e kaluar. Këtu nuk ka pasur fare material çakull, ka qenë një rrugë e vjetër aksesi, e pamirëmbajtur. Nga sa kemi parë, i gjithë ky çakull lidhet deri me pjesën e hidrovorit. Imagjinoni me çfarë intensiteti kanë punuar kamionët dhe makineritë, që të shtrosh pothuajse 7–8 kilometra rrugë në një kohë kaq të shkurtër. Mbi të gjitha, është ndërtuar edhe një urë betoni”, u shpreh për Citizens.al Aleksandër Trajçe nga PPNEA.

Alarmi i ambientalistëve nisi që në fillim të muajit maj, kur në zonë u panë makineritë e para të rënda. Qeveria shqiptare, në përpjekjet për të kundërshtuar qëndresën qytetare, ka pretenduar se zona ku parashikohet të ndërtohet është pronë private.

Megjithatë, ambientalistët argumentojnë se një pjesë e territorit të prekur është pronë publike dhe përfshin edhe monumente natyre.

“Këtu jemi tërësisht në zonën qendrore të zonës së mbrojtur Pishë Poro–Nartë. Ajo që shohim është laguna e Nartës. Kjo ligatina e ndërmjetme është laguna e Limopuas dhe ka një karakteristikë shumë të veçantë, sepse është lagunë me ujë të ëmbël, midis detit dhe lagunës kryesore. Kjo është monument natyre”, rrëfen Trajçe, ndërsa tregon ligatinën pas tij.

Sipas tij, një monument natyre nuk mund të jetë pronë private.

“Është thënë se e gjitha kjo është tokë private. Në fakt, nuk është e vërtetë, sepse kjo është një sipërfaqe gati 15 hektarë, pra nuk është sipërfaqe e vogël, që është pronë publike. Ndaj kësaj prone u hoq aksesi i publikut kur gardhi ishte i vendosur dhe heqja e aksesit të publikut në një pronë publike është vepër penale me ligj”, argumenton Trajçe.

Sipas protestuesve, natyra ka qenë gjithmonë e lidhur me identitetin kulturor dhe kombëtar.

“Dikur shtëpitë i lyenim duke imituar ngjyrat që shikonim në natyrë. Dikur këngët i bënim duke imituar natyrën. Veshjet i kishim duke imituar natyrën dhe askush nuk mund të na thotë se nuk kemi ndjeshmëri për natyrën. Ata që duan të na heqin ndjeshmërinë për natyrën janë oligarkët dhe qeveria”, tha në megafon Enriko Peçuli, aktivist i Lëvizjes Bashkë.

Angazhimi qytetar i javës së fundit, sipas protestuesve të pranishëm në Nartë, ka sjellë në debatin publik një ndjenjë atdhedashurie që kishte munguar prej kohësh.

“Prej të shtunës së kaluar shqiptarët kanë përditësuar një fjalë, një fjalë për të cilën mbase nuk jemi të vetëdijshëm në përditshmëri për shkak të halleve, problemeve, punëve. Fjala është ‘Atdhe’. Atdheu nuk prodhon banditë që tërheqin zvarrë qytetarët që kërkojnë të drejtat e tyre. Atdheu është ajo çfarë duan të na marrin bashkë aleanca historike e qeveritarëve të korruptuar, në bashkëpunim me oligarkët dhe matrapazët nga e gjithë bota”, tha Klodi Leka, aktivist i Lëvizjes Bashkë.

Banorë të Vlorës, të pranishëm në protestë, u shprehën se vlerat e kësaj zone nuk maten me investime apo resorte, por me peizazhin, biodiversitetin dhe kujtesën kolektive që ajo mbart.

“Investitori më i madh strategjik këtu është Zoti. Shiko sa bukur e ka bërë: me lagunë, me manastirin që kemi aty, me ishull, me gadishull, me mrekullira. Tani pse të vijnë ata e të na fusin betonin? Është njësoj sikur të fusin një elefant në një vend që ka gjëra prej qelqi dhe t’i bëjnë copë-copë. Unë dua që këtë zonë ta gëzojnë të gjithë fëmijët shqiptarë”, u shpreh Laureta Petoshati.

Me flamuj kombëtarë në duar, qytetarët ecën mbi rrugët e hapura me zhavorr nga makineritë e rënda, aty ku më parë kishte shtigje të ngushta.

Në shenjë simbolike, ata u rreshtuan njëri pas tjetrit në bregun e detit për të formuar mesazhin: “Mbro Nartën!”

Më pas, protestuesit pritën me brohorima Eva Buzon, Ebi Spahiun, Vasilika Laçin dhe vajza e gra të tjera që shoqëruan Evën duke përshkuar me not rrugën nga ishulli i Sazanit deri në Zvërnec, si akt simbolik kundër ndërtimeve në këtë zonë.

Një javë pas përplasjes që e ktheu Nartën në kryefjalë të debatit publik, protestuesit u larguan nga zona me mesazhin se kjo betejë nuk lidhet vetëm me një projekt. Ajo lidhet me mënyrën se si merren vendimet, me pyetjen se kush vendos për hapësirat publike, për natyrën dhe për trashëgiminë e përbashkët të vendit.

Për sa kohë kjo pyetje mbetet pa përgjigje, ata thonë se nuk do t’i ndalin protestat.

Lexo gjithashtu:

The post Qytetarët rikthehen në Nartë, aty ku nisi përplasja appeared first on Citizens.al.

“Mos e prekni!”: Eva Buzo noton për Vjosë-Nartën

6 June 2026 at 20:10

“Larg duart nga Vjosë–Narta” ishte thirrja që Eva Buzo dhe skuadra e saj shoqëruese lëshuan sapo mbërritën në bregun e plazhit të Dalanit, në Zvërnec.

Notarja e ujërave të hapura iu bashkua mëngjesin e së shtunës protestave kundër projektit të zhvillimit në Peizazhin e Mbrojtur Pishë–Poro–Nartë, duke përshkuar me not segmentin nga ishulli i Sazanit drejt bregdetit të Zvërnecit.

Akti simbolik u zhvillua në ditën e shtatë të mobilizimit qytetar kundër projektit turistik të planifikuar në zonën e mbrojtur, një protestë që prej një jave ka mbledhur mijëra qytetarë në mbrojtje të Nartës dhe Zvërnecit.

“E nisëm notimin këtë mëngjes në orën 6:00 nga Sazani. Notova rreth ishullit të Sazanit dhe më pas, pjesën nga Sazani deri këtu e realizuam si stafetë, sepse isha së bashku me aktivistë që gjatë gjithë javës kanë qenë në terren, duke marshuar dhe protestuar”, u shpreh Buzo për Citizens.al.

Sipas saj, Sazani dhe zona përreth janë ndër hapësirat më të bukura natyrore të Shqipërisë, ndaj duhet të mbrohen dhe jo të preken nga projekte që rrezikojnë peizazhin.

Buzo, gruaja e parë që përshkoi me not kanalin e Otrantos nga Italia në Shqipëri për 35 orë, tha se një nga arsyet që e kishte frymëzuar në atë sfidë ishte pikërisht dëshira për të promovuar bukurinë natyrore të vendit.

“Kur notova nga Italia në Shqipëri, një pjesë e frymëzimit për atë sfidë ishte të vija në pah mrekullitë natyrore të Shqipërisë. Ndihem shumë e zhgënjyer që ato janë nën kërcënim dhe thjesht doja t’i bashkoja zërin tim njerëzve që po flasin për këtë çështje dhe po bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet”, rrëfeu ajo.

Për Buzon, notimi i së shtunës ishte më shumë se një sfidë sportive. Ai ishte një formë proteste.

“Të protestosh do të thotë të dalësh dhe të bësh gjithçka që mundesh për ta bërë zërin tënd të dëgjohet. Nëse i bie daulles, nëse këndon, nëse vallëzon, nëse ecën, nëse vrapon, çfarëdo që të jetë mënyra jote për t’iu bashkuar zërit të komunitetit, bëje!”, tha ajo.

Pas disa orësh në ujë, Buzo e mbylli aksionin e saj me një mesazh të qartë: “Ky është një vend i bukur. Mos e prekni!”

Notimi i Evës u zhvillua paralelisht me aktivitetet protestuese të organizuara në Zvërnec, ku qytetarët u rikthyen një javë pas ngjarjes së 30 majit, kur një protestues u tërhoq zvarrë nga punonjës të sigurisë private pranë gardhit me tela të vendosur në tokën ku është planifikuar projekti.

Në plazhin e Dalanit, qytetarët u vendosën njëri pas tjetrit për të formuar mesazhin: “Mbro Nartën!”

Lexo gjithashtu:

The post “Mos e prekni!”: Eva Buzo noton për Vjosë-Nartën appeared first on Citizens.al.

Protesta si pikë bashkimi për kauzat e harruara nga qeveria

5 June 2026 at 21:47

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” mblodhi sërish sot mijëra qytetarë në ditën e gjashtë të protestës kundër ndërtimeve në zonën e mbrojtur “Pishë Poro-Nartë” dhe Zvërnec.

Ata vijuan të përsërisin kërkesat e tyre për anulim të projektit, dorëheqje të qeverisë dhe anulim të ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Mirëpo ajo që nisi si reagim ndaj një projekti të diskutueshëm në një zonë të mbrojtur, duket se është shndërruar në një protestë më të gjerë kundër mënyrës se si merren vendimet publike, menaxhohen pasuritë natyrore dhe se si trajtohen shqetësimet e qytetarëve.

Mes protestuese ishin edhe përfaqësues të komuniteteve që prej vitesh kanë protestuar për çështje të pronës, mjedisit, hapësirës publike, interesit publik dhe arsimit.

Në Zall Gjoçaj, ku banorët kanë kundërshtuar prej vitesh ndërtimin e hidrocentraleve dhe ndërhyrjet në zonat natyrore, Dhimitër Koleci thotë se arsyeja pse ndodhet në protestë lidhet me të ardhmen e brezave të rinj.

“Në shesh jam për fëmijët e mi! Atë që po i bëhet Shqipërisë, ne kemi vetëm dy rrugë; ose fëmijët tanë të bëhen skllavërit e këtyre, ose të marrin gomonet për Angli. Ne kemi zgjedhur të tretën, të rezistojmë që fëmijët tanë t’i mbajmë këtu,” u shpreh Dhimitër Koleci.

Në shesh kanë udhëhequr protestën edhe banorët e Rrjollit, të cilët prej muajsh janë në protesta duke mbrojtur projektet turistike që po rrezikojnë zonën bregdetare të veriut të vendit.

Gëzim Pjeshka nga Rrjolli e lidhi betejën e Rrjollit drejtpërdrejt me atë të Zvërnecit, duke theksuar se lufta për të mbrojtur komunitetet lokale dhe tokat e banorëve është e përbashkët.

“Në Rrjoll janë duke punuar me ritme të vogla tani. Por ne na ka ardhur këtu! Nuk ka më, ka mbaruar! Dorëheqje kryeministri!” deklaroi ai.

Për Luciana Kokajn, një nga udhëheqëset e protestës, bashkë me të tjerë aktivistë përpjekjet e Kryeministrit Rama për ti konsideruar protestuesit si të orkestruar nga jashtë janë të pabaza.

“T’ju gjejnë dhe t’ju lidhin njëri me grekun, njëri me Iranin, njëri me rusin, por harrojnë se ju jeni vetëm shqiptarë,” tha banorja e Rrjollit, Luciana Kokaj.

Në këtë protestë, të quajtur së fundmi edhe si “Revolucioni i Flamingove”, si simbol i biodiversitetit të pasur të zonës së mbrojtur janë bërë pjesë edhe shqiptarë të diasporës. Sipas tyre, çështja nuk lidhet vetëm me një projekt ndërtimi, por me të drejtën për të jetuar në vendin e tyre.

“Edhe kam qenë pa letra, si të gjithë emigrantët, kemi ikur me kamionë, me gomone, për një jetë më të mirë. Kemi rrezikuar jetën tonë. Unë nuk dua të iki nga vendi im. Pse unë të iki në Angli, kur unë mund të jetoj në Shqipëri, në vendin tim, vendin më të bukur në botë,” tha Arian Koci për Citizens.al.

Kjo protestë ka pasur si veçanti edhe pjesëmarrjen e shumtë të të rinjve dhe studentëve. Sipas tyre, protesta është një mënyrë për të kërkuar shpresë në këtë vend.

“Fakti që unë duhet të studioj dhe shteti im nuk më jep mundësi, që unë të rri këtu dhe të punoj në shtetin tim, besoj se është gjë e madhe për të ngritur këtë protestë dhe për të thënë që të paktën mendoni edhe për ne,” tha studentja Shereme Hasani.

Në mesin e turmës ishin edhe pensionistë, të cilët e shohin protestën si një hapësirë ku mund të artikulojnë problemet e tyre ekonomike.

“Protestojmë që të na ngrihet pak pensioni se kemi punuar kaq vite dhe pse jo edhe ne të gjejmë të drejtën tonë,” tha një pensioniste pjesëmarrëse në protestë.

Ndërkohë, të rinjtë aktivistë vazhdojnë të kërkojnë informacion dhe transparencë për projektin.

“Nuk e dimë se çfarë po bëhet, pse po bëhet, nga kush po bëhet. Derisa të kemi këto përgjigje, padyshim që ne do të jemi të paqartë. Duke qenë të paqartë, ne duam të dimë çfarë po bëhet dhe jemi këtu,” tha aktivisti Ilir Brasha.

Nga Rrjolli te Zvërneci, nga studentët te pensionistët, nga diaspora te aktivistët, protesta po shndërrohet në një hapësirë ku bashkohen pakënaqësi të ndryshme të akumuluara ndër vite. Zvërneci mbetet shkaku që i mblodhi, por mesazhi që po del nga sheshi është shumë më i gjerë se sa fati i një projekti të vetëm.

Protesta do të vijojë edhe në fundjavë, të shtunën paradite në formë marshimi në orën 11:00 në plazhin e Dalanit në Zvërnec , për tu bashkuar sërish në orë 18:00 para Kryeministrisë.


Rama: Kjo është një luftë hibride nga Irani

Për mediat e huaja, ndërsa mori pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt në Tivar, kryeministri Rama tha se ajo çfarë po ndodh në Tiranë nuk ka të bëjë vetëm me ambientalistët, por me një luftë hibride.

“Armiq të vendit të cilët i njohim, të gjithë ata që e dinë historinë tonë, i njohin ata, iranianët, të cilët janë angazhuar në sulme kibernetike kundër nesh qysh prej një kohe të gjatë dhe që na kanë bërë kaq shumë dëme sa na kanë detyruar që t’i nxirrnim nga vendi, janë pjesë e kësaj për të nxitur narrativën se projekti nuk është ajo që thuhet”, u shpreh Rama.

Ndërsa shtoi se: “Në qoftë se nuk sheh që numri i llogarive apo i shqiptarëve në mjedisin digjital është rritur që në ditët e parë të këtyre sulmeve. Është një sulm hibrid”.

Sipas Ramës nuk ka kërkesa për të diskutuar kur ende nuk ka një projekt të miratuar.

“Së pari duhet të kemi projektin dhe pastaj ta shohim projektin e pastaj ta diskutojmë projektin. Por, nuk diskutojmë dot diçka që nuk ekziston”, vijoi Rama më tej.

Pamja e ditës së gjashtë tregoi se protesta për Zvërnecin po tejkalon kufijtë e një kauze të vetme mjedisore. Në shesh janë mbledhur histori të ndryshme, por me një emërues të përbashkët: ndjesinë se zëri i qytetarëve është dëgjuar pak ose aspak në vendimmarrje.

Lexo gjithashtu:

The post Protesta si pikë bashkimi për kauzat e harruara nga qeveria appeared first on Citizens.al.

Protesta për Nartën zgjerohet, qytetarët çajnë kordonin policor

3 June 2026 at 22:03

Dita e katërt e protestës kundër projektit në Zvërnec mblodhi sërish mijëra qytetarë në shesh, ndërsa Policia ndërhyri duke përdorur ujë dhe spraj lotsjellës ndaj protestuesve.

Pavarësisht përpjekjes për të shpërndarë turmën, qytetarët arritën të çanin kordonin policor dhe detyruan forcat e rendit të tërhiqeshin.

Thirrjet e protestës u zgjeruan përtej kundërshtimit të projektit në Peizazhin e Mbrojtur Pishë–Poro–Nartë. Qytetarët kërkuan dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, si edhe të asaj që njihet si “Paketa e Maleve”.

Eidon Kita, një i ri i pranishëm në protestë, tha për Citizens.al se po proteston pasi Shqipëria u përket qytetarëve.

“Shqipëria nuk është për t’u shitur. Shqipëria nuk ka pronar, Shqipëria është e tërë shqiptarëve dhe shqiptarët nuk do të ndalen derisa kjo gjë të marrë fund”, u shpreh ai.

Për Besjana Gurin, aktiviste mjedisore dhe drejtuese e qendrës LUMI, është domethënëse që gjithnjë e më shumë qytetarë po kuptojnë rëndësinë e mbrojtjes së natyrës.

“Shpeshherë jemi mësuar që kemi zona të mbrojtura vetëm në letër dhe, edhe nëse ne e kemi ngritur si shqetësim, ky ishte një nga rastet më agresive të ndërhyrjes në zonë të mbrojtur. Është shumë e rëndësishme të ngrihet zëri, që qëndresa të vazhdojë dhe kërkesat tona të realizohen”, u shpreh Guri për Citizens.al.

Sipas saj, edhe nëse numri i protestuesve do të bjerë në ditët në vijim, kërkesat mbeten të qarta.

“Vjosë–Narta nuk duhet të preket. Vjosë–Narta duhet të gëzojë një status më të lartë mbrojtjeje, mundësisht atë të parkut kombëtar, të bashkohet me Vjosën, sepse ne e shikojmë si pjesë integrale, të pandarë me Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa”, tha Guri.

Në ditën e katërt, megafoni i protestës u kaloi edhe qytetarëve të rinj në angazhimin publik, të cilët theksuan se vendimet për territorin nuk mund të merren pa miratimin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve.

Mario Kuçi tha për Citizens.al se arsyeja fillestare pse iu bashkua protestës ishte kundërshtimi ndaj betonizimit të zonave të mbrojtura dhe ndërtimeve brenda tyre.

“Por tashmë, sidomos pas pamjeve që pashë, ku policia private dhe njerëz të paidentifikuar ushtruan dhunë ndaj protestuesve, kauza shkoi përtej kësaj dhe mendoj që bëhet fjalë për të mbrojtur vetë demokracinë dhe vetë shtetin shqiptar nga ky grup oligarkik që tashmë ka zaptuar të gjitha nyjet e Shqipërisë dhe qeveria është tërësisht në shërbim të tyre”, deklaroi Kuçi.

Ndërsa Denisa Kasa, aktiviste mjedisore dhe pjesë e organizatës PPNEA, solli në vëmendje punën disa-vjeçare të organizatave për të ndërgjegjësuar publikun mbi atë që po ndodh në Zvërnec dhe në zona të tjera të mbrojtura.

“Arsyeja pse kjo ka ndodhur është ndryshimi i ligjit në vitin 2024. Që atëherë, një pjesë e zonave të mbrojtura kanë filluar të privatizohen, të shiten dhe më pas të shkatërrohen për të krijuar resorte dhe rezidenca të ndryshme turistike”, u shpreh Kasa.

Ajo shtoi se një zonë shpallet e mbrojtur për shkak të karakteristikave që e veçojnë nga të tjerat, si biodiversiteti i lartë, jeta e egër dhe roli si korridor ekologjik.

Protesta solli edhe thirrje kundër politikës së vjetër, me sloganet “Rama në burg, Berisha në burg!”.

Ndërkohë, Zvërneci është tashmë nën hetim nga SPAK. Prokuroria e Posaçme po heton origjinën e pronës dhe fondet e përdorura për blerjen e tokës.

Ky zhvillim është mirëpritur nga kryeministri Edi Rama, i cili deklaroi se e konsideron pozitiv procesin e verifikimit të transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec.

“Unë e konsideroj pozitiv lidhur me procesin e verifikimit të transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec. Që do të thotë me sqarimin e plotë dhe përfundimtar të origjinës së fondeve të kaluara përmes bankës dhe me çlirimin përfundimtar të investitorëve që tani janë edhe pronarë”, u shpreh Rama.

Lexo gjithashtu:

The post Protesta për Nartën zgjerohet, qytetarët çajnë kordonin policor appeared first on Citizens.al.

Tjetër kullë në bulevard, Pallati i Kongreseve drejt “rijetëzimit”

2 June 2026 at 16:53

Projekti i “Herzog &de Meuron Basel Ltd” u shpall fitues për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve bashkë me një kullë prej 260 metrash, që do të ketë karakter multifunksional për hotel dhe zyra.

Ky propozim sjell një ndërhyrje minimaliste në Pallatin e Kongreseve, duke zëvendësuar çatinë, përmirësuar akustikën brenda sallës kryesore dhe ndërtimin e gjashtë sallave të reja konferencash për gati 16000 persona.

Pesë studio ndërkombëtare arkitektësh prezantuan mëngjesin e kësaj të marte projektet finaliste për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, një prej ndërtesave më emblematike të Tiranës.

Konkursi synon transformimin e godinës në një qendër multifinksionale, duke përfshirë jo vetëm rikonstruksionin e objektit ekzistues, por edhe zhvillime të reja urbane në hapësirat përreth, duke pasur parasysh këtu edhe ndërtimin e një ose dy kullave.

Në hapje të takimit kryeministri Rama tha se objekti ka nevojë për një transformim të thellë, por duke ruajtur identitetin e tij historik dhe kulturor.

Ndërsa ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja e cilësoi projektin si një moment të rëndësishme për përshtatjen e infrastrukturës publike me zhvillimin e ri të Tiranës.

“Na duhet një hapësirë që të jetë njëkohësisht skenë kombëtare për talentet e reja shqiptare dhe një skenë ndërkombëtare për ngjarjet që e lidhin vendin tonë me botën. Një simbol i ambicies sonë për të mos qenë spektatorë të zhvillimeve, por pjesëmarrës dhe protagonistë në to”, u shpreh Gonxhja.

Nga rikonstruksioni te kullat

Projekti i propozuar nga skuadra “ARCHI-TECTONICS”, “Edil AL-IT”, “Edil-AL”, “PNI-2001” dhe Lindita Pelivani parashikon mbulimin e Pallatit të Kongreseve me një pëlhurë të lehtë xhami që e parë nga sipër sipas arkitektes që prezantoi projektin i ngjason një syri. Ndërhyrja përfshin një hyrje të re nga Bulevardi, gjelbërimin e zonës përreth, parkim nëntokësor, një amfiteatër dhe një urë lidhëse me zhvillimet e reja ngjitur. Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e një kulle me funksione hoteliere brenda “vellos” së lehtë 1.5 milimetër.

Në propozimin e dytë të udhëhequr nga skuadra “Herzog & de Meuron Basel Ltd” dominon një kullë prej 260 metrash sipër Pallatit të Kongreseve, dyfish i asaj të stadiumit që do të ketë karakter multifunksional për hotel dhe zyra. Ky propozim sjell një ndërhyrje minimaliste në Pallatin e Kongreseve, duke zëvendësuar çatinë, përmirësuar akustikën brenda sallës kryesore dhe ndërtimin e gjashtë sallave të reja konferencash për gati 16000 persona.

Skuadra e udhëhequr nga “MVRDV” në ndryshim nga propozimet e tjera sjell një kupolë katrore që mbështjell Pallatin e Kongreseve dhe nuk zgjatet në lartësi. E ruan strukturën ekzistuese të godinës dhe e transformon atë në një qendër moderne konferencash duke krijuar edhe disa pika vrojtimi deri në 72 metra lartësi.

Skuadra e katërt, e udhëhequr nga “Perrault Architecture”, sjell po ashtu një kullë masive metalike ngjitur me Pallatin e Kongreseve. Sipas prezantimit të projektit, synohet që të lidhet Pallati i Kongreseve me bulevardin dhe hapësirat publike përreth, përmes riorganizimit të gjelbërimit dhe hapësirave të aksesueshme brenda e jashtë kompleksit.

Skuadra e pestë, e drejtuar nga “Studio Gang”, propozon një transformim të Pallatit të Kongreseve në një kompleks multifunksional, si dhe ndërtimin e dy kullave të quajtura “Çardak”. Përmes këtij projekti parashikohet zgjerimi i auditorit, shtimi I hapësirave teknologjike dhe i parkimeve.

Si erdhëm deri këtu?

Në 27 nëntor 2025 Koorporata e Investimeve Shqiptare (KISH) hapi thirrje për projektin “Rivitalizimi i Pallatit të Kongreseve”.

Thirrja parashikon rikonceptimin e hapësirave të brendshme e të jashtme dhe ndërtimin e një kulle me funksione të kombinuara: hoteleri, shërbime, qendër tregtare, banim.

Privati përfiton 4,760 m² truall publik rreth Pallatit dhe të drejtën për të ngritur deri në 50,000 m² sipërfaqe ndërtimi mbi tokë. Kjo përkthehet në një ndërtesë deri 20 kate, që sipas planimetrisë së zonës mund të shfrytëzojë hapësirën e lulishtes pas Pallatit të Kongreseve, në rrethrrotullimit të rrugës “Papa Gjon Pali II”.

Pronësia e truallit, që sot shërben si park, iu kalua KISH-së nga Këshilli Bashkiak i Tiranës në muajin korrik 2025. Ky vendim I Këshillit Bashkiak të Tiranës kaloi 2261 m² truall nga bashkia te Korporata, e cila më parë ka marrë në administrim edhe truallin e Pallatit të Kongreseve.

Kryetarja e komanduar, Anuela Ristani, theksoi gjatë mbledhjes së Këshillit se ndërtesa është pronë e Ministrisë së Kulturës, dhe se bëhej fjalë vetëm për një rrip lulishteje para, i cili “duhet për projektin rijetëzimit”.

“I duhet e gjithë prona në administrim,” theksoi ajo duke justifikuar kërkesën nga KISH, teksa këshilltarët opozitarë kundërshtuan kërkesën duke u shprehur se prona po kërkohet për t’iu kaluar privatëve për kulla.

“Ai rripi i vogël që po flisni ju, është 2261 m2 dhe a mund ta na qartësoni nëse aty do të ketë një kullë?”, tha në fjalën e tij Ilir Alimehmeti.

Znj. Ristani tha se nuk ishte në dijeni të projekteve ende, apo nëse do të ketë shembje apo ndërtim të një kulle.

“Kjo është në dorë të atyre që do bëjnë ekspertizën”, theksoi ajo.

Sikurse raportoi asokohe Citizens.al, thirrja e parë e KISH, publikuar më 1 prill si “Rikonstruksion i Pallatit të Kongreseve”, ishte tërësisht boshe: pa relacione, pa vlerësime, pa planimetri. Kjo qasje ushqeu dyshimet e opozitës se procesi synonte t’i ofronte privatëve truall publik nën idenë e mjegullt të “rikonstruksionit”.

Kështu, kalimi i lulishtes u bë me procedurë të shpejtuar, pa transparencë mbi planet e ndërtimit, pa konsultim publik dhe pa garanci për ruajtjen e hapësirës së gjelbër.

Lexo gjithashtu:

The post Tjetër kullë në bulevard, Pallati i Kongreseve drejt “rijetëzimit” appeared first on Citizens.al.

❌
❌