Sot vazhdon seanca për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, ndaj tre të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Seanca nis në ora 09:30.
Ndryshe, Prokuroria Speciale, më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve, për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës për sulmin e armatosur në Banjkë i ngarkon shumicën e tyre me terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Radoiçiq akuzohet, gjithashtu, për lehtësimin dhe financimin e kryerjes së terrorizmit dhe pastrimit të parave, ndërsa i gjithë grupi akuzohet se me përdorim të dhunës dhe armëve të rënda, ka tentuar të ndajë pjesën veriore të Kosovës – ku gjenden komunat me shumicë serbe – dhe ta bashkojë atë me Serbinë.
Aktakuza e përshkruan Radoiçiqin si “udhëheqës të grupit terrorist”.
Në aktakuzë thuhet se më 24 shtator të vitit 2023, pasi bllokoi rrugën për në urën e fshatit me dy kamionë, ai dhe pjesëmarrësit e tjerë u fshehën dhe sulmuan oficerët e Policisë së Kosovës që shkuan për t’i larguar kamionët dhe për të liruar rrugën.
Në sulm mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën policët: Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.
Sipas aktakuzës, sulmi zgjati deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e grupit iku përmes rrugëve malore drejt Republikës së Serbisë”.
Në aktakuzë thuhet se ata ishin “trajnuar profesionalisht” dhe se kishin hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme nga Serbia, përmes rrugëve malore, me dhjetëra makina, disa prej të cilave të blinduara dhe të ngarkuara me armë të rënda, municione, raketahedhës, eksplozivë, uniforma ushtarake kamufluese dhe pajisje të tjera ushtarake logjistike. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan, vendosi që t’i kthejë në paraburgim pesë zyrtarët policorë që dyshohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.
Rasti ishte në rigjykim nga 21 korriku, me kërkesë të mbrojtësve të tyre.
Në aktvendimin e fundit të Gjykatës Themelore thuhet se të dyshuarve u caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji dhe se ajo do të llogaritet prej datës së ndalimit të tyre, më 7 korrik 2025, deri më 6 gusht 2025.
Aty, po ashtu, thuhet se “pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe pas vlerësimit të kundërshtimeve dhe argumenteve të të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre”, ka “arsye të mjaftueshme që të pandehurve t’iu caktohet masa e paraburgimit”.
Zejnullahu ka vdekur në orët e para të 7 korrikut, pasi është arrestuar nga policia në Lipjan.
Vdekjen e tij në vendngjarje e ka konstatuar edhe ekipi mjekësor. /Rel/
Sot në Pallatin e Drejtësisë mbahet seanca gjyqësore për rastin “Banjskë” ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Seanca ndaj tre të akuzuarve sot pritet të nisë nga ora 09:30. Seanca është vazhdim i asaj të hënës, ku dëshmitari me kodin “F1” ka dhënë dëshminë e tij në seancë të mbyllur.
Kjo u bë me propozimin e prokurori të çështjes, Naim Abazi, i cili ka theksuar se në rast të identifikimit, dëshmitarit i rrezikohet jeta.
Ndryshe, Prokuroria Speciale, më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve, për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës për sulmin e armatosur në Banjkë i ngarkon shumicën e tyre me terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Radoiçiq akuzohet, gjithashtu, për lehtësimin dhe financimin e kryerjes së terrorizmit dhe pastrimit të parave, ndërsa i gjithë grupi akuzohet se me përdorim të dhunës dhe armëve të rënda, ka tentuar të ndajë pjesën veriore të Kosovës – ku gjenden komunat me shumicë serbe – dhe ta bashkojë atë me Serbinë.
Aktakuza e përshkruan Radoiçiqin si “udhëheqës të grupit terrorist”.
Në aktakuzë thuhet se më 24 shtator të vitit 2023, pasi bllokoi rrugën për në urën e fshatit me dy kamionë, ai dhe pjesëmarrësit e tjerë u fshehën dhe sulmuan oficerët e Policisë së Kosovës që shkuan për t’i larguar kamionët dhe për të liruar rrugën.
Në sulm mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën policët: Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.
Sipas aktakuzës, sulmi zgjati deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e grupit iku përmes rrugëve malore drejt Republikës së Serbisë”.
Në aktakuzë thuhet se ata ishin “trajnuar profesionalisht” dhe se kishin hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme nga Serbia, përmes rrugëve malore, me dhjetëra makina, disa prej të cilave të blinduara dhe të ngarkuara me armë të rënda, municione, raketahedhës, eksplozivë, uniforma ushtarake kamufluese dhe pajisje të tjera ushtarake logjistike. /Telegrafi/
Një zyrtar policor dhe tre qytetarë janë arrestuar lidhur me incidentin e ndodhur pas mesnatës në fshatin Doganaj të Ferizajt, ku dy persona mbetën të plagosur pas një përleshjeje me armë zjarri. Lajmin e ka bërë të ditur Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes një komunikate zyrtare.
“Departamenti i Hetimeve ka pranuar sot pas mesnatës një informatë nga Policia e Kosovës lidhur me një incident gjuajtjeje me armë zjarri, ku si pasojë janë lënduar dy persona”, thuhet në njoftim.
Në incidentin që ka ndodhur rreth orës 00:52, ishte përfshirë edhe një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare, i cili sipas IPK-së, është në mesin e të arrestuarve.
“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se incidenti ka ndodhur fillimisht si pasojë e një mosmarrëveshjeje në trafik, duke përfunduar fatkeqësisht në një incident të gjuajtjes me armë zjarri”, sqaron IPK.
Të plagosurit – një qytetar dhe zyrtari policor – janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa sipas mjekëve ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar dy vetura, dy armë zjarri (një Glock 19 zyrtare dhe një revole Zastava), 16 gëzhoja dhe një predhë.
“Pas kontakteve me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, janë arrestuar katër të dyshuar – zyrtari policor dhe tre qytetarë – të cilëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet më tej në komunikatë.
IPK ka nisur hetimet në drejtim të veprave penale “Vrasje në tentativë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Dhënie ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale”.
Bazuar në autorizimet ligjore, IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e zyrtarit policor të përfshirë në këtë rast.
Hetuesit e Inspektoratit janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës dhe njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ndërsa pritet të ndërmerren edhe veprime të tjera për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit. /Telegrafi/
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA u nda në vlerësimin e ankimit të kryer nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ndaj vendimmarrjes së Komisionit për përfundimin e vetingut të ish-kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla. Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar për shkak të punës së tij si ndihmës […]
Shkallët e “Bulevard”, instituti i artit dhe medias në rrugën “Zogu i Parë” në Tiranë, nisën të gumëzhijnë nga ecejaket e aktivistëve të komunitetit LGBTI+ të martën.
Si çdo pasdite para “Paradës së Krenarisë”, aktivistët e këtij komuniteti u mblodhën për të kryer provat e “himnit” që do të shoqërojë paradën, e cila këtë vit do të zhvillohet paraditen e së shtunës së 24 majit.
“Ne jemi vetë dashuria, Nuk na mungon krenaria, ‘Krah për kra’ ecim bashkë, Mësojmë botën si me dashtë, Ngjyrat tona sot i ka liria.”
Teksti është përshtatur mbi melodinë e “Zjerm”, kënga që përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion, dhe do të shoqërohet me zhurmat muzikale të daulleve dhe zërave të aktivistëve për të shënjuar kështu jo vetëm një performancë, por një mesazh politik që tejkalon muret e institucioneve.
Për Ebi Spahiun, aktiviste e Aleancës LGBTI+, parada është dita dhe momenti më i rëndësishëm i vitit.
“Njësoj si fëmijët kur presin Krishtlindjen, presin Vitin e Ri, unë me të vërtetë pres ‘Pride-in’, sepse me të vërtetë gjatë periudhës që rritesha në Shqipëri dhe shihja se sa e thellë ishte homofobia dhe se sa e thellë ishe edhe fshehja e personave LGBT”, tha Ebi për Citizens.al.
Ebi Spahiu, aktiviste
Pavarësisht se ka marrë pjesë në shumë parada krenarie në shtetet e tjera, realizimi i këtij marshimi në Tiranë merr kuptim tjetër për Ebin.
“[Parada]… është një vend ku mund të shfaqem vetvetja dhe mund ta bëj pa frikë, shpresoj që një event i tillë t’u japë gjithashtu frymëzim personave të tjerë që ende janë duke pyetur veten nëse me të vërtetë kanë kurajën të dalin hapur dhe të jetojnë jetën ashtu siç duan,” shprehet Ebi.
Një tjetër zë që rezonon në provat për paradën është ai i artistes dhe aktivistes nga Kosova, Arlinda Morina, e cila drejton me megafon. Ajo prin grupin, që dalë-ngadalë merr sintoni duke u unifikuar në një këngë që buçet përtej mureve të institutit.
“Të jesh vetvetja është sfidë, por edhe liri. Prandaj, ata që të gjykojnë, edhe në se do të ishte dikush tjetër në vendin tënd, do të gjykonin po njësoj, prandaj, jeto!” thotë Arlinda, për të cilën parada e së shtunës do të jetë e disata në Tiranë teksa aktivizmi i saj në Prishtinë është mjaft i zëshëm.
Arlinda Morina-artiste dhe aktiviste duke lexuar tekstin e këngës
Motoja e këtij viti, “Krah për krah”, sipas Arlindës është thirrje force, e cila inkurajon këdo të re dhe të ri, pjesë të komunitetit, që nuk e ka pranuar ende veten.
“‘Krah për Krah’, jemi rrethi më i fortë dhe askush nuk mund të na sfidojë ngjyrat që dalin nga brendësia jonë,” vijon ajo.
Për Xheni Karajn nga Aleanca LGBT, motoja është thirrje për solidaritet përballë një vale në rritje të urrejtjes dhe dehumanizimit.
“Një thirrje jo vetëm brenda komunitetit, por edhe me aleatët tanë, me çdo qytetar që beson në barazi, dinjitet dhe drejtësi,” thotë Xheni, e cila thekson se marshimi nuk është thjesht për krenari, por për mbijetesë dhe shpresë.
Ajo e sheh paradën si një kalim nga frika drejt një zëri të fuqishëm kolektiv, ndërsa risjell në vëmendje paradën e parë me vetëm 12 persona të mbajtur në vitin 2012 në Tiranë.
“Dikur ishim një grusht aktivistësh që kërkonim të thyenim heshtjen. Sot, jemi një lëvizje e gjallë, me ngjyra, me krenari dhe me aleatë. Por mbi të gjitha, kemi fituar hapësirë publike, kemi ndërtuar narrativën tonë dhe nuk jemi më të padukshëm”, kujton Xheni, e cila prej më shumë se një dekade është në ballë të kësaj përpjekjeje.
Xheni Karaj, aktiviste (Aleanca LGBT)
Për Bledin, një tjetër aktivist, kjo paradë është për të gjithë: “për personat ‘queer’, ata që kanë pranuar veten, por dhe për ata që brohorasin në heshtje, dhe përballen me mjaft sfida”.
Davidi, fotograf dhe person transgjinor, rrëfen për Citizens.al se marshimi në paradën e krenarisë për të nuk është për dekor festiv, por si akt politik.
“Marshoj për trupat tanë që janë politizuar pa dëshirën tonë, për identitetet tona që përfliten, gjykohen dhe censurohen. Marshoj për zërat tanë që janë heshtur me dhunë institucionale dhe shoqërore”, shprehet Davidi.
Sipas tij, ky marshim është edhe për të gjitha vajzat dhe djemtë ‘queer’ në qytetet e vogla të Shqipërisë, për ata jashtë vendit që kanë emigruar për siguri dhe për çdo individ të përjashtuar.
“Marshoj për versionin tim të mëparshëm për atë djalë që më parë e përbuzte pasqyrën, që fshihej nga vetja. Sot ai marshon me kokën lart, jo për të kërkuar mëshirë, por për të kërkuar drejtësi”, rrëfen Davidi.
Ky marshim për Blinin, aktivist i Aleancës LGBT është për të frymëzuar shqiptarët LGBTI+ që ndihen të rraskapitur nga urrejtja, dhuna, diskriminimi dhe bullizimi.
“Dua që të shikojnë se nuk janë vetëm dhe ia vlen të shtyjnë përpara sepse ka shpresë. Ka shpresë jo sepse dikush do të na i servirë të drejtat që meritojmë, por sepse do të luftojmë bashkë për t’i patur. Çdo gjë është e arritshme kur bëhemi bashkë“, shprehet Blini.
Aktivistët/et duke bërë prova për Paradën e Krenarisë që do të mbahet më 24 maj
Në përpjekje të përditshme për të mposhtur sfidat
Rruga drejt barazisë dhe respektit të të drejtave të komunitetit është e gjatë, veçanërisht për një shoqëri patriarkale si shoqëria shqiptare. Ndaj edhe sfidat e të qenit pjesë e komunitetit LGBTI+ janë të përditshme.
Sfida këto, të cilat janë intensifikuar nga narrativa të ndryshme, shpesh edhe politike.
“Jemi përballur me gjuhë të hapur urrejtjeje nga figura publike dhe politike, me përpjekje për të na përdorur si gogol politik dhe me fushata të organizuara dezinformimi që na kanë portretizuar si rrezik për fëmijët dhe familjen”, tregon Xheni Karaj.
Sipas saj, këto sulme nuk kanë qenë ndaj tyre vetëm si individë, por edhe ndaj vetë “ekzistencës së dashurisë për familjet e tyre”.
“Kjo ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe mirëqenien e shumë prej nesh”, tregon Xheni.
Sfidat kanë qenë të qenësishme për Blinin në vitin që lamë pas, që u diktuan edhe nga marrëdhënia e tij me familjen, shkëputur për disa vite.
“Mosnjohja ligjore e emrit tim, gjinisë time, paragjykimet në vende ku nuk ka persona LGBTI, rikthimi i marrëdhënieve me familjen me të cilën jam shkëputur për disa vite për shkak se e kanë të vështirë të më pranojnë kështu si jam. E kanë të vështirë sidomos prej gjykimeve të njerëzve, të cilët nuk kursehen që t’i bëjnë të ndihen keq për faktin se jam çun transgjinor“, ndan Blini me Citizens.al.
Për Davidin të qenit një person transgjinor në Shqipëri është sfidë për jetën dhe jo vetëm për identitetin.
“Ky vend vazhdon të mohojë të drejtat bazike për personat ‘trans’, qasjen në trajtim hormonal, mundësinë për një punë të sigurt, dhe dinjitetin në jetën publike e private. Për shumë prej nesh, vetë ekzistenca është rezistencë”, shprehet Davidi.
Pamundësia për të gjetur punë si transgjinor dhe mos-pranimi nga shoqëria e ka detyruar të emigrojë për të mbijetuar.
“…për të jetuar të lirë, për të pasur një shans drejt vetes. Dhe kjo është tragjedi që vendi ynë nuk na mbron, por na largon”.
Ndërsa, sipas tij të qenit edhe artist përpos transgjinor është sfidë e dyfishtë.
“Krijimtaria “queer” nuk mbështetet, nuk përfaqësohet, dhe rrallëherë merret seriozisht nga institucionet kulturore shqiptare. Mungon një rrjet real mbështetjeje për artistët queer, për personat me gjini jobinare dhe per komunitetin transgjinor jo vetëm për të na përfshirë, por për të kuptuar se zëri ynë është jetik, politik dhe i domosdoshëm në këtë kohë”, argumenton Davidi.
“Ne jemi këtu”
Për Bledin, ajo çfarë dëshiron që shoqëria shqiptare të kuptojë nga parada e krenarisë është pranimi se janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë.
“Ne kemi vlera dhe jemi po aq të rëndësishëm sa çdokush tjetër. Ne nuk lëndojmë kënd, ne thjesht dashurojmë dhe se dashuria s’është krim apo turp”, shprehet Bledi.
Sipas një raporti të Aleancës LGBTI+ në Shqipëri, 45% e të anketuarve LGBTI kanë përjetuar dhunë ose diskriminim në vitin 2024.
“40.8% e të anketuarve LGBTI nuk janë aktualisht dhe as nuk kanë qenë ndonjëherë të angazhuar në kontrata formale pune. 15.6% e të anketuarve LGBTI kanë filluar punësim informal. 34% e të punësuarve raportuan se kanë përjetuar ngacmim dhe paragjykim në vendin e punës për shkak të statusit të tyre LGBTI”, shpjegon raporti.
Sipas Xheni Karajt, parada nuk është provokim dhe as festë private, por është thirrje për barazi dhe dinjitet.
“Që jetojmë, duam, kontribuojmë, dhe se dashuria jonë nuk është as më pak e vlefshme, as më pak njerëzore. Duam që shoqëria shqiptare të kuptojë se të ecësh përkrah nesh nuk është akt ideologjik, por njerëzor. Një kujtesë që askush nuk është i lirë derisa të jemi të gjithë të lirë”, u shpreh Karaj.
Ndërsa Davidi, shprehet se nga shoqëria shqiptare kërkon që të kuptojë se nuk janë vetëm një komunitet minoritar.
“…por një forcë politike që kërkon të drejta të barabarta dhe shkatërrimin e strukturave patriarkale dhe diskriminuese. Jemi këtu për të kërkuar ndryshim real në ligje, në politika, dhe në mentalitet”.
Për Blinin, shoqëria shqiptare duhet të kuptojë se dashuria për vendin, traditën dhe zhvillimin e mëtejshëm është e pamundur pa personat LGBTI.
“Ne kemi qenë gjithmonë këtu dhe kemi dhënë e japim kontributin tonë të vyer për Shqipërinë“.
Të drejtat LGBTI+ të pashkruara në programet politike
Në zgjedhjet qendrore të 11 majit, partitë politike, kush më pak e kush më shumë, paraqitën para publikut programet e tyre elektorale. Mirëpo, në asnjë prej tyre, të drejtat e komunitetit LGBTI+ nuk u panë të reflektuara.
“Fatkeqësisht, pavarësisht se ka aghenda politike të majta, të paktën që prezantohen të tilla, nuk ka programe politike progresive akoma. Kjo ishte arsyeja që unë nuk u ndjeva e përfaqësuar. Nuk ndjehem ende e përfaqësuar”, u shpreh Ebi.
Njëjtë mendon edhe Xheni Karaj, duke theksuar se shumia e partive politike në Shqipëri vijojnë ti shmangin çështjet e komunitetit.
“Të tjera parti e kanë përdorur komunitetin tonë për të ushqyer panik moral dhe urrejtje. Ne nuk duam privilegje, kërkojmë thjesht përfaqësim real, mbrojtje ligjore dhe një vend në tavolinën ku merren vendimet që ndikojnë jetën tonë”, deklaroi ajo.
Për Ebin është shqetësuese që ka narrative politike që mundohen të kthejnë kohën pas.
“…që mundohet të zhbëjë të gjithë progresin që është arritur mbi të drejtat e njeriut, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, mbi çështjen, mbi personat LGBT, mbi personat transgjinorë, mbi personat e margjinalizuar dhe që janë në skajet e shoqërisë dhe që të kenë më shumë dukshmëri dhe që të kenë rolin e tyre që ju përket në shoqëri”, deklaron Ebi.
Për herë të parë në tre dekada, socialistët po shkojnë drejt një shumice të cilësuar në parlament me 82-84 mandate. Përballë një opozite të fragmentarizuar rezultati i jep asaj mundësinë për një kontroll të gjerë mbi proceset legjislative dhe institucionale në vend. Nisur nga përvoja politike, ekspertët e shohin me shqetësim këtë përqendrim pushteti.
Ashtu si në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, edhe në zgjedhjet e 11 majit 2025, opozita dështoi të paraqiste në fletën e votimit një koalicion gjithëpërfshirës, teksa partitë e reja sfiduan ndjeshëm “status-quo”-në e saj.
Ky polarizim i la rrugë një rezultati të thellë të Partisë Socialiste, e cila megjithëse mori thuajse të njëjtin numër votash me zgjedhjet e shkuara, siguroi numër më të lartë mandatesh.
Për herë të parë që prej vitit 1997, socialistët po shkojnë drejt një shumice të cilësuar në parlament. Asokohe në një parlament me 155 deputetë PS e drejtuar nga Fatos Nano siguronte 101 mandate përballë PD-së së Sali Berishës, e cila u ndëshkua me votë për krizën piramidale të periudhës janar-gusht.
Duke parë prirjen e votave të 11 majit 2025, legjislatura e XI-të mund të shohë rikthimin e PS-së në një “supermaxhorancë” të tillë – edhe pse jo fiks në numër për të përbërë 3/5 e Kuvendit për atë që konsiderohet si shumicë e cilësuar.
Sidoqoftë, për Lutfi Dervishin, gazetar dhe njohës i mirë i politikës, rikthimi i një situate të tillë në pushtetin legjislativ mund të ketë ndikim të madh për demokracinë e vendit.
“Kjo shumicë e madhe i jep qeverisë avantazh në miratimin e reformave dhe ligjeve, por gjithashtu, vë në pikëpyetje forcimin e institucioneve dhe cilësinë e demokracisë,” tha ai për Citizens.al.
Ngjashëm mendon dhe Afrim Krasniqi, studiues dhe drejtues i Institutit të Studimeve Politike (ISP). Sipas tij me një situatë të tillë mund të vihen në diskutim ligje apo reforma, të cilat janë miratuar apo kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend.
“Ky është rasti i parë pas 20 viteve kur një parti politike ka numrin e nevojshëm të votave për të ndryshuar ligje specifike, siç quhen ligjet organike të tilla, me votat e saj, ose me aleatë siç mund të jetë rasti i PSD-së, e cila voton gjithmonë për PS-në,” komentoi Krasniqi.
Partia Socialdemokrate, e drejtuar nga Tom Doshi, rezultoi e para në Vaun e Dejës, teksa siguroi 2 mandate në qarkun e Shkodrës duke thyer raportet mes partive kryesore. Së bashku me një mandat në qarkun e Tiranës, PSD mund të përsërisë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021 ku fitoi 3 mandate.
Zakonisht, për ligjet bazë kërkohet shumicë e thjeshtë. Ndërsa për të ndryshuar kodet, ligjet që organizojnë pushtetin gjyqësor, prokurorinë apo dhe institucione të tjera nevojitet shumica e cilësuar.
Ngjashëm kërkohet shumicë e cilësuar për të emëruar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm, Avokatin e Popullit, Kontrollin e Lartë të Shtetit etj.
Thënë këtë, një “supermaxhorancë” mundet t’i ndryshojë ligjet kyçe dhe të zgjasë kontrollin mbi institucionet më të larta të shtetit, pa pasur nevojë për gjetjen e një dakordësie me opozitën.
Këtë pikë, Dervishi e sheh me shqetësim, pasi rrezikohen balancat. Ai thotë në mënyrë figurative se “me gërshërën e madhe që mori më 11 maj, shumica socialiste mundet t’i presë më lehtë thonjtë SPAK-ut.”
Pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, përpara fushatës zgjedhore, Kryeministri Rama, mbajti një qasje të ashpër ndaj SPAK-ut duke paralajmëruar ndërhyrje për të ndryshuar kompetencat apo mënyrën se si kjo strukturë vepron.
Krasniqi sheh te ky paralajmërim ndërhyrjen në sistemin legjislativ për të hequr nga vlerësimi si vepër penale të “shpërdorimit të detyrës” nga zyrtarët.
“[Rama] nuk e ka fshehur asnjëherë prirjen për të larguar përgjegjësitë publike që vijnë nga zyrtarët e lartë, në lidhje me këtë vepër penale që është objekt i SPAK-ut,” thekson Krasniqi, sipas së cilit nëse PS ndërhyn për ta ndryshuar kuadrin ligjor do të deformonte të gjitha aktet që lidhen me funksionimin e SPAK-ut.
Një mazhorancë kaq e fortë numerikisht e ka më të lehtë edhe të ndryshojë Kushtetutën, e cila kërkon “2/3-at e votave”, pra 93 vota. Numrat e bëjnë më të lehtë për të negociuar duke ulur ndikimin e opozitës në situata të tilla.
Në këtë perspektivë, nisur nga përvoja e shkuar në zgjedhje ku PS është forcuar, prej 2017 qeveris e vetme, Krasniqi është i mendimit se rezultati tregon një cenim të besimit se vota mund të ndryshojë qeverisjen në Shqipëri.
“Është një lloj zhvillimi anti-historik në aspektin e qeverisjes dhe në aspektin e sovranitetit qytetar”, analizon Krasniqi, ndërsa shpjegon se kjo tregon që problemi është sistemi dhe se PS-ja ka krijuar “një lloj sistemi patronazhist që kontrollon gjithë territorin, kontrollon votën, kontrollon burimet shtetërore dhe si të tilla i përkthen këto në vota”.
Ndarja e mandateve në 34 vite sistem pluralist në Shqipëri
Zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri u zhvilluan në vitin 1991. PS, e cila ishte ende e organizuar si Partia e Punës e Shqipërisë (PPSH), fitoi 169 nga 250 mandate që kishte asokohe në total të Kuvendi – PD mori 75 mandate.
Mirëpo në zgjedhjet e parakohshme të vitit 1992, për Kuvendin e riformatuar me 140 mandate, PD fitoi bindshëm duke siguruar 92 deputetë, ndërsa PS u tkurr në 38, partitë e tjera: PSD 7, Partia Republikane 1, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 2.
Zgjedhjet e vitit 1996, u shoqëruan me bojkot të pjesshëm të PS-së dhe aleatëve të saj, pasi PD kishte miratuar një kuadër ligjor që kufizonte pjesëmarrjen e ish-funksionarëve të sistemit komunist në proces. Për rrjedhojë, PD fitoi 122 mandate, por procesi, i cili u shoqërua me parregullsi, u kontestua ashpër.
Për shkak edhe të krizës politike dhe piramidale që pasoi këto zgjedhje, vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme në vitin 1997 ku PS u kthye në pushtet duke fituar 101 mandate nga 155 të Kuvendit që u riorganizua.
Në zgjedhjet e vitit 2001, me mbështetjen e aleatëve të saj, PS ruajti pushtetin duke siguruar 73 nga 140 mandate.
Në vitin 2005, pushteti kaloi në duart e PD-së, e cila fitoi 56 mandate, ndërsa Partia Socialiste mori vetëm 42 mandate. PR fitoi 11, PSD 7 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim fitoi 5.
Në zgjedhjet e vitit 2009, PS rriti numrin e mandateve në 65, por PD qëndroi në pushtet përmes një koalicioni me LSI, pasi asnjëra prej tyre nuk kishte shumicën e nevojshme për të qeverisur.
Ky koalicion u përmbys në zgjedhjet e vitit 2013, kur PS fitoi sërish 65 mandate, por arriti të formojë qeverinë përmes aleancës me LSI-në, duke çuar numrin e përgjithshëm të mandateve në 83.
Në vitin 2017, PS fitoi e vetme shumicën në Kuvend me 74 mandate dhe të njëjtin rezultat e përsëriti edhe në zgjedhjet e vitit 2021.
Rreziku i përqendrimit të pushtetit
Një parti që zotëron një shumicë kaq të gjerë në Kuvend e ka të lehtë të anashkalojë debatet parlamentare dhe të përjashtojë opozitën nga procesi vendimmarrës duke vënë kështu në rrezik sistemin demokratik.
Paralelisht “supermaxhoranca” mund të zbehë rolin e Presidentit, mund të çojë përpara reforma të njëanshme dhe të kthejë opozitën në një “lloj dekori”.
“Një shumicë prej 3/5 në Kuvend mund të jetë një shpatë me dy tehe. Njëra anë ofron stabilitet dhe efikasitet në qeverisje, ana tjetër përbën rrezik për minimin e institucioneve të pavarura,” shpjegon Lutfi Dervishi.
Në shumë raste, Kuvendi ka fuqinë të rrëzojë dekretet e Presidentit me shumicën prej 3/5, duke e reduktuar rolin e Kreut të Shtetit në një funksion kryesisht ceremonial.
Në këto kushte, reforma të rëndësishme si ato në drejtësi, procesin zgjedhor apo ndryshimet kushtetuese, mund të kalojnë pa dakordësi të gjerë dhe pa konsensus me opozitën.
Ky përqendrim i pushtetit krijon një realitet, ku shumica qeverisëse kontrollon edhe Kuvendin, duke e kthyer atë në një mekanizëm miratues të vendimeve të saj duke i zhbërë rolin kontrollues që ka parlamenti. Sipas Dervishit një situatë e tillë do ta kthente parlamentin “në noter të qeverisëdhe ndoshta zeron dhe debatet e brendshme”.
Për Afrim Krasniqin, një mazhorancë e tillë është “gati vrasëse” për konceptin e demokracisë.
“Edhe në kuadër integrimi, një numër i tillë votash, tregon që maxhoranca nuk do të ketë nevojë për opozitën. Ose do të ketë nevojë për një opozitë fasadë, që do të thotë nuk do të ndjejë asnjë lloj presioni për të pasur dakordësi politike për çdo lloj nisme që ajo mund të marrë në kuadër të procesit të integrimit dhe në përfaqësimin e Shqipërisë,” analizon Krasniqi.
Edhe Dervishi shpreh gjithashtu shqetësimin për dekurajimin e alternativave të reja politike dhe dobësimin e demokracisë pluraliste.
“Në kuadër të përafrimit me legjislacionin e BE-së, shumica nuk ka më nevojë për konsensus me opozitën,” thotë ai.
Në mungesë të balancave dhe kontrollit të vërtetë opozitar, një përqendrim i tillë i pushtetit mund të çojë në kapjen e institucioneve dhe në dobësimin e sistemit demokratik.
“Pyetja është ‘A do ta përdorë PS/Rama këtë fuqi për të forcuar institucionet demokratike, apo për të konsoliduar më tej kontrollin mbi to?’ Druaj se do të ndodhë kjo e dyta,” përmbyll Dervishi.
TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu u shpreh sot se “sistemi i drejtësisë në Shqipëri është i kapur dhe përdoret si instrument politik për ndëshkimin e opozitës dhe mbrojtjen e pushtetit”.
“Drejtësia me regji në Shqipëri dokumentohet qartë në raportin e prezantuar në Kongresin e SHBA për përdorimin e 270 mln euro te USAID nga Soros për të kapur drejtësinë dhe burgosur opozitën”, u shpreh Haxhiu në një deklaratë për mediet.
Sipas saj, “sot kjo nuk është më vetëm një denoncim i opozitës”.
“Kjo është një e vërtetë e dokumentuar dhe e artikuluar qartazi në Kongresin Amerikan, ku u ekspozua para botës ajo që shqiptarët e ndiejnë çdo ditë: drejtësia në Shqipëri ka rënë peng i një regjie politike të sponsorizuar nga fondet ndërkombëtare, por e kontrolluar nga një dorë e vetme: Edi Rama”, shtoi ajo.
Haxhiu theksoi se “me dhjetëra milionë dollarë nga USAID dhe fondacione të afërta me Soros-in u përdorën për të ndërtuar një sistem drejtësie që nuk lufton korrupsionin, por mbron korrupsionin në pushtet”.
“Partia e Lirisë qëndron krah qytetarëve dhe çdo individi që dhunohet nga ky sistem i kalbur. Dhe kjo përballje nuk është vetëm për Ilir Metën, është për çdo shqiptar që kërkon një vend me dinjitet, liri dhe të drejtë. Koha e drejtësisë me regji po shkon drejt fundit”, tha ajo.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) shpalli të premten, më 18 korrik, vendimin për pushimin e gjykimit të shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik ndaj konfirmimit në detyrë të prokurorit të Tiranës, Robert Kote, për shkak të tërheqjes nga ankimi nga ana e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, i cili aktualisht ushtron kompetencat e komisionerëve. […]
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit I.K., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se i pandehuri I.K në cilësi të zyrtarit doganor në pikë kalimin kufitar në Vërmicë ka lejuar të kalojë pa u kontrolluar një furgon i cili bartëte mall komercial, patika të ndryshme sportive në vlerë prej 11,457.60 euro.
Tutje në njoftim thuhet se me këto veprime i pandehuri në vlerën prej mbi 3 mijë euro ka dëmtuar buxhetin e Kosovës.
Lexoni më poshtë kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren:
Sipas kërkesës së prokurorisë, me datë 16.07.2025, rreth orës 19:17min, në Pikën Kufitare në Vërmicë, i pandehuri I.K., në cilësi të zyrtarit doganor i caktuar në PKK në Vërmicë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij zyrtare, ashtu që në kundërshtim me rregullativën ligjore që ka pasur për detyrim të ndal veturën, të hap bagazhin dhe të bëjë kontrollimin e veturës, i njëjti me qëllim nuk e hap bagazhin e veturës dhe nuk bënë kontrollimin, në atë mënyrë që automjeti- furgoni i markës “Mercedes Sprinter 316 CDI”, të cilën e drejtonte A.K., hynë në pikën kufitare dhe e parkon automjetin në kabinën nr.6, dhe fillon të komunikojë me të pandehurin, të cilit ia jep një letër dhe pastaj kthehet për të marr dokumentet dhe futet deri tek dera e kabinës ku ishte duke punuar i pandehuri I.K., dhe pas bisedës së shkurtër, të cilët duke qenë në dijeni se brenda kabinave ka video incizim me audio, të dy dalin jashtë dhe bisedojnë edhe disa sekonda, pastaj drejtuesi i furgonit A.K., largohet me furgon duke mos u kontrolluar fare, ndërsa i pandehuri I.K., në të dhënat “SEED”, regjistron se furgoni i lartpërmendur është i zbrazët, ku pastaj furgoni lëviz në rrugën e vjetër afër pikë kalimit kufitar në Vërmicë – Prizren, saktësisht afër një Restauranti duke lëvizur në drejtim te Prizrenit ndalet nga njësia për antikontrabandë të cilët kanë sinjalizuar automjetin në fjalë duke përdorur dritat rotative dhe borinë, dhe pas kontrollimit të automjetit rezulton të jetë i ngarkuar me mall komercial patika te ndryshme sportive në vlerë prej 11,457.60 €, duke ju shmangur detyrimeve doganore në vlerë prej 3,414.36 €, me të cilat veprime i pandehuri në vlerën e cekur prej 3,414.36 €, ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin./Telegrafi/
TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) shpalli sot vendimin për çështjen nr. 39/2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, lidhur me subjektin e rivlerësimit Elona Alvora.
Trupi gjykues i KPA-së, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi dhe Sokol Çomo anëtarë, vendosi në mënyrë unanime ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 538, datë 7 qershor 2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elona Alvora.
Në përfundim të gjykimit, KPA vendosi pezullimin nga detyra të Elona Alvorës për një periudhë njëvjeçare dhe detyrimin e saj për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës.
Ky vendim ka efekt të menjëhershëm dhe u shpall sot, më 16 korrik 2025, në Tiranë.
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës raportohet se kanë nisur bastisjet në objektin në të cilin ndodhen disa agjenci shtetërore, përfshirë Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Agjencinë Shtetërore të Arkivave dhe Institutin për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
Forca të shumta të policisë janë parë në vendin e ngjarjes.
Lidhur me rastin, Telegrafi ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe Policinë e Kosovës, por deri në publikimin e lajmit nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Durrësit, Ilir Hoxha.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i KPA-së, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi dhe Natasha Mulaj anëtare, pas shqyrtimit të ankimit të bërë nga Ilir Hoxha kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), nr. 734, datë 22.01.2024.
“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja ‘a’ të ligjit nr. 84/2016, ‘Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 734, datë 22.01.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Ilir Hoxha. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin zyrtar të KPA-së.
Shkarkimi i prokurorit Ilir Hoxha vjen në kuadër të procesit të Vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si pjesë e Reformës në Drejtësi në vend.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka paraqitur propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të mitur ndaj të miturit të dyshuar për vrasjen e zyrtarit policor M.L., ngjarje kjo e ndodhur më 1 prill 2025 në Kaçanik.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rreth orës 23:00 të asaj nate, në rrugën “Idriz Seferi”, i mituri në bashkëkryerje me të pandehur të tjerë, me qëllim të përgatitur paraprakisht, ka privuar nga jeta zyrtarin policor.
Viktima, pasi kishte përfunduar orarin e punës, ishte ndjekur deri te hyrja e banesës së tij nga i mituri dhe të pandehurit.
Sapo ishte futur brenda ndërtesës dhe po ngjitej shkallëve, i mituri kishte hyrë pas tij dhe kishte shtënë katër herë me armë zjarri të kalibrit 9.19 mm.
Brenda një periudhe prej rreth 47 sekondash nga akti i të shtënave, i mituri është larguar me vrap në drejtim të lokalit “Dukagjini”, ku është bashkuar me të pandehurin R.M., i cili e kishte pritur jashtë. Gjatë arratisjes, dëgjohet R.M. duke thënë “Bravo, ik”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat, viktima M.L. ka ndërruar jetë, çka është konfirmuar edhe në raportin e autopsisë.
Prokuroria konsideron se i mituri ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” në bashkëkryerje, sipas nenit 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I mituri ndodhet nën masën e paraburgimit që nga 21 prilli 2025.
Deputetja e PDK-së Eliza Hoxha nga Platforma “Liria ka emër” ka kritikuar ashpër institucionet e Kosovës për mënyrën se si e kanë trajtuar raportin me Dhomat e Specializuara në Hagë. Ajo ka theksuar mungesën e llogaridhënies, transparencës dhe mbështetjes institucionale për të akuzuarit kosovarë që po gjykohen atje.
Në një intervistë në emisionin “Five” të Televizionit Dukagjini, Hoxha ngriti shqetësime për funksionimin dhe qëllimin themelor të Dhomave të Specializuara, duke thënë se aktakuzat aktuale nuk përputhen me rrëfimin për të cilin ishte themeluar ky institucion.
“Qysh në fillim kemi qenë të zëshëm dhe me shumë delikatesë e kemi adresuar ndjeshmërinë dhe faktin që këto dhoma operojnë jashtë territorit të Kosovës. Juridikisht dhe kushtetueshëm, ato i detyrohen Kosovës, por ka munguar përgjegjësia e vërtetë për llogaridhënie,” theksoi Hoxha.
Ajo kritikoi edhe mënyrën se si janë mbajtur seancat informuese nga përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara, duke i cilësuar ato si formale dhe pa mundësi për dialog real me publikun. “Këto procese ishin vetëm për të bërë një ‘tik’, jo për të informuar publikun se çfarë po ndodh realisht në Hagë,” tha ajo, duke përmendur edhe mungesën e hapësirës për pyetje në prezantimet e kryetares Ekatarina Trendafilova.
Hoxha përkujtoi se tre vite më parë, Komisioni për të Drejtat e Njeriut kishte kërkuar të vizitonte të akuzuarit në Hagë për të vëzhguar gjendjen e tyre, por kjo nuk ishte lejuar. Ajo e cilësoi këtë si shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe të parimit të prezumimit të pafajësisë.
“Shteti i Kosovës ka dështuar të sigurojë mbështetje juridike dhe financiare për qytetarët e vet. Janë dashur individë, PDK-ja dhe fondacione të ndryshme që të ndërhyjnë për të ndihmuar procesin e mbrojtjes,” u shpreh Hoxha, duke kritikuar edhe reduktimin e fondeve për mbrojtjen përmes një udhëzimi administrativ.
Ajo përfundoi se përgjegjësia është e dyanshme: Dhomat e Specializuara që kanë funksionuar në mënyrë të mbyllur e të anshme dhe institucionet e Kosovës që kanë treguar mosinteresim dhe mungesë angazhimi për qytetarët e vet të akuzuar.
Ndryshe, sot në konferencën “Lira ka Emër”, akademik Arsim Bajrami ka kritikuar Gjykatën Speciale, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës së Kosovës, të drejtave themelore të njeriut dhe për komplot ndaj luftës çlirimtare të UÇK-së.
Bajrami e cilësoi këtë Gjykatë si “derivat i një raporti të rremë dhe të fabrikuar nga Dick Marty”, që sipas tij u sponsorizua nga Rusia dhe Serbia.
Ai tha se përmes këtij procesi, po tentohet të rishkruhet historia moderne e Kosovës dhe të inkriminohet padrejtësisht lufta çlirimtare.
“Gjykata Speciale është një projekt i montuar politikisht për ta shtrembëruar të vërtetën historike të luftës sonë çlirimtare. Ajo është ndërtuar mbi një mashtrim ordiner të Raportit të Martyt dhe për këtë heshtja e Këshillit të Evropës është bashkëfajësi e pastër”, theksoi Bajrami.
Ai kritikoi ashpër edhe vetë institucionet e Kosovës, duke i konsideruar si të dështuara në mbrojtjen e luftës çlirimtare dhe të qytetarëve që po përballen me këtë proces gjyqësor.
“Kuvendi e formoi Gjykatën Speciale me mirëbesim për drejtësi, por ajo tani është shndërruar në një gjykatë monoetnike e diskriminuese, që bashkëpunon më shumë me Serbinë sesa me autoritetet e Kosovës”, deklaroi ai.
Bajrami renditi një sërë shkeljesh që, sipas tij, e bëjnë këtë gjykatë të paligjshme dhe të paragjykuar: mbajtje të gjatë e të pajustifikuar në paraburgim, mohimi i barazisë së palëve në proces, dëshmi të fabrikuara e të përcjella nga shërbimet sekrete serbe, si dhe mungesë totale transparence dhe monitorimi ndërkombëtar.
Në lidhje me aktakuzën për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, Bajrami tha se ajo është juridikisht e paqëndrueshme dhe politikisht e rrezikshme.
“UÇK-ja nuk ka qenë ushtri shtetërore me komandë qendrore. Ishte një lëvizje popullore, një guerile patriotike që s’kishte as strukturë shtetërore dhe as plan të përbashkët kriminal. Plani i vetëm shtetëror ishte ai i Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve, përmes operacionit gjenocidal ‘Patkoi’”, theksoi akademiku.
Ai kritikoi rëndë institucionet kosovare për dështimin në mbështetjen e të akuzuarve dhe në ndërkombëtarizimin e shkeljeve që po ndodhin në këtë proces.
Në fjalën përfundimtare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurori Kastriot Memaj tha se provat kanë vërtetuar se i akuzuari për krime lufte Sllavisha Filiq ka qenë pjesë aktive në zhdukjen e doktorit Hafir Shala. Mbrojtja e këtij të fundit, avokatja Milka Milosavleviq tha se nuk është vërtetuar fajësia e Filiqit.
Në këtë seancë, prokurori Memaj tha se para kësaj Gjykate është trajtuar një çështje me rëndësi të jashtëzakonshme, e cila jo vetëm që prek themelet e rendit juridik por shkon në thelb të vlerave universale të të drejtave të njeriut dhe dijnitetit njerëzor, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai tha se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, PSRK-ja ka paraqitur prova të cilat në mënyrë koherente vërtetojnë se i akuzuari në bashkëkryerje ka marrë pjesë aktive në ndalimin arbitrar, keqtrajtimin dhe zhdukjen e doktorit Hafir Shala më 10 prill 1998.
Gjithashtu, prokurori theksoi se dëshmitë e dëshmitarëve okularë janë të qarta, të besueshme dhe në harmoni të plotë me provat tjera materiale, dhe se në kuadër të matjes së dënimit, Prokuroria vlerëson se ekziston një shkallë e lartë e dashjes dhe paramendimit.
“Veprimet e të akuzuarit janë kryer në bashkëpunim dhe në kuadër të një strukture shtetërore represive, pasojat e veprës penale janë të rënda dhe të pakthyeshme dhe nuk ekziston asnjë rrethanë lehtësuese për të akuzuarin, aq më tepër kur i akuzuari edhe më tej mbetet në arrati”, tha prokurori Memaj.
Prokurori Memaj i propozoi Gjykatës që të akuzuarin Filiq ta shpall fajtor për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” dhe t’i shqiptojë dënim në përputhje me natyrën dhe rrezikshmërinë e lartë të veprës penale, si dhe me qëllimin e dënimit si në aspketin individual, ashtu edhe në atë gjeneral.
Ndërsa, mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Kujtim Kërveshi tha se nga të gjithë dëshmitarët që kanë dëshmuar, është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari Sllavisha Filiq në ditën kritike, viktimën Hafir Shala e kishte rrëmbyer, duke e marrë pa asnjë urdhër.
Kërveshi tha se një gjë e cila u ka lënë përshtypje, janë rrethanat dhe roli se si Kryqi i Kuq nuk kishte pranuar që një dëshmitar– Sebastian Gricourt ta lironte nga imuniteti funksional- pra ta lejonte të dëshmojë, por se kjo çështje duhet të trajtohet nga organe të tjera.
Duke mbështetur aktakuzën e PSRK-së, Kërveshi i propozoi Gjykatës që të akuzuarin Filiq ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.
Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Sllavisha Filiq, avokatja Milka Milosavleviq tha se nuk është nxjerrë asnjë provë e besueshme e cila përtej dyshimit të bazuar mirë do të mund të vërtetonte se i akuzuari Filiq ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Ajo tha se nuk ka prova direkte se konkretisht i akuzuari Filiq ka marrë pjesë në këtë ngjarje dhe se nuk ka fotografi, procesverbal të komunikimit e as identifikime të besueshme, por vetëm dyshimin e bazuar, e që dyshimi nuk është provë.
“… Dyshimi i bazuar është bazë për hetim, por jo për gjykim”, tha avokatja Milosavleviq.
Milosavleviq tha se bën thirrje për gjykatën që në përputhje me KPRK-në dhe standardet ndërkombëtare, në mënyrë të drejtë e korrekte të sjellë aktgjykim lirues pasi që fajësia e të mbrojturit të saj, pranë kësaj Gjykate nuk është provuar.
Ndryshe, më 15 shtator 2023 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj Sllavisha Filiq, i cili ngarkohet se si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku me dy zyrtarë tjerë të paidentifikuar deri më tani nga organet tona, më 10 prill 1998 kishin ndaluar një veturë në Drenas, ku gjendeshin Hetem Sinani, Shaban Haziraj dhe Hafir Shala, ku të njëjtit sipas aktakuzës nga këta pjestarë ishin legjitimuar.
Aktakuza thotë se i akuzuari Filiq me dy zyrtarë tjerë (të tre të veshur me rroba civile) kishin marrë doktorin Shala dhe e kishin dërguar në objektin e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku mjeku Shala iu kishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe se nga ajo ditë më nuk dihet për fatin e tij.
Andaj, për këto veprime Filiq po ngarkohet me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë. /BetimpërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Prokurorja e Specializuar Kimbërli Uest ka mirëpritur aktgjykimin e sotëm në gjyqin e apelit ndaj Pjetër Shalës duke theksuar se zyra e saj do ta shqyrtojë me kujdes të gjithë aktgjykimin ditët e ardhshme.
“E mirëpres aktgjykimin e sotëm i cili përforcon sundimin e ligjit dhe kontribuon në arritjen e vënies para përgjegjësisë për krime serioze dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat e Shala”, tha Uest në një reagim pas shpalljes së aktgjykimit nga Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara.
“Mbaj shënim ndryshimin e gjatësisë së dënimit të shqiptuar dhe konstatimet e tjera të gjykatës. Zyra ime do ta shqyrtojë me kujdes të gjithë aktgjykimin ditët e ardhshme”, vazhdoi Prokurorja e Specializuar.
Në aktgjykimin e shkallës së parë të 16 korrikut 2024, Shala u shpall fajtor për tre akuza për krime lufte – ndalim arbitrar; torturë; dhe vrasje e paligjshme – dhe u dënua me 18 vjet burg.
Sot, Paneli i Gjykatës së Apelit i la në fuqi dënimet për të gjitha akuzat, theksoi natyrën e rëndë të krimeve dhe ndryshoi gjatësinë e dënimit të Shala në 13 vjet burg.
Sipas Krimet e Shalws u kryen në periudhën prej rreth 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave – kryesisht shqiptarë të Kosovës – që ishin paraburgosur në Fabrikën e Metalit në Kukës, Shqipëri.
Trupi Gjykues konstatoi në aktgjykimin e shkallës së parë se viktimat e kësaj çështjeje gjyqësore ishin mbajtur në kushte çnjerëzore e degraduese dhe i ishin nënshtruar abuzimit psikologjik e fizik, dhe një nga viktimat u vra.
Shala apeloi kundër aktgjykimit të shkallës së parë dhe seanca dëgjimore e apelit u zhvillua më 15 dhe 16 maj 2025.
Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në Njësinë e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021. /KP/
Organizatat e dala nga lufta, kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Hagë, e cila uli dënimin Pjetër Shalës nga 18 në 13 vjet burgim.
OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së e kanë konsideruar këtë vendim si një tjetër padrejtësi ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së.
Në reagimin e përbashkët, këto organizata shprehin “pakënaqësinë e thellë” me vendimin, duke theksuar se kishin pritur një aktgjykim lirues.
“Edhe pse dënimi është ulur, ne kemi pritur me bindje të plotë një vendim lirues, sepse besojmë në pafajësinë e bashkëluftëtarëve tanë, dhe në luftën tonë të drejtë për çlirim”, thuhet në deklaratë.
Sipas tyre, vendimi i Apelit nuk ndihmon drejtësinë, por “e thellon bindjen se kjo gjykatë ka karakter politik dhe nuk e trajton drejtësinë mbi baza të barabarta e të paanshme”.
Organizatat theksojnë se e vërteta është në anën e UÇK-së dhe nuk kanë frikë nga ajo.
“UÇK-ja nuk ka nevojë të mbrohet nga e vërteta, e vërteta historike është në anën tonë dhe bashkëluftëtarët tanë nuk do t’i nëpërkëmbë askush me procese të motivuara politikisht. Liria nuk gjykohet, ajo respektohet”, thuhet në reagim. /Telegrafi/
Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ka marrë vendim për rastin e Pjetër Shalës, duke rrëzuar shumicën e pikave të ankesës së tij, por duke gjetur disa shkelje në aktgjykimin e shkallës së parë.
“Paneli miraton pjesërisht pikat 7, 12 dhe 14 të ankesës, dhe vendosi t’i ulë dënimin Shalës nga 18 në 13 vjet burgim.
“Paneli i Apelit la në fuqi verdiktin e fajësisë së z. Shala për krimet e luftës të ndalimit arbitrar (pika 1), torturës (pika 3), dhe vrasjes së paligjshme (pika 4)”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, Paneli pranoi pjesërisht tri nga 14 pikat e apelit të Shalës dhe gjeti disa shkelje në vlerësimin e provave dhe në caktimin e dënimit.
Sa i përket dënimit për vrasjen e paligjshme, Apeli theksoi se “Trupi Gjykues nuk i dha peshë të mjaftueshme faktit që ai (Shala) nuk pati rol komandues në lidhje me kontributin personal të tij në krimin e vrasjes”.
Po ashtu, lidhur me disa viktima për të cilat Shala ishte shpallur fajtor për torturë apo ndalim arbitrar, Apeli konstatoi mungesë provash të mjaftueshme.
“Në gjyq nuk ishin paraqitur dëshmi gojore për keqtrajtimin e tyre… ndaj Paneli i Apelit prapësoi verdiktin e fajësisë për këta persona”, thuhet në njoftim.
Pavarësisht kësaj, Apeli konfirmoi se Shala mbetet fajtor për krime të rënda.
“Paneli i Apelit theksoi se ka konfirmuar verdiktet e fajësisë së Shalës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes, dhe se ulja e dënimit të tij nuk sugjeron aspak se krimet për të cilat është shpallur fajtor dhe dënuar, nuk janë të rënda”, u theksua në aktgjykim.
Apeli gjithashtu theksoi se Dhomat e Specializuara kanë juridiksion vetëm mbi individë, e jo grupe apo organizata, dhe se “as UÇK-ja, as populli i Kosovës nuk ishin objekt i këtij procesi dhe nuk u shpallën përgjegjës dhe fajtorë për këto krime”.
Shala më 16 korrik të vitit të kaluar ishte shpallur fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe ishte dënuar 18 vjet burgim.
Më 2 shtator 2024, Mbrojtja e Shalës dorëzoi njoftimin për apel kundër aktgjykimit. /Telegrafi/
Seanca në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt po vazhdon në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po dëshmon vëllai i saj, Leonardi i cili tashmë po përballet me Naim Murselin, vrasësin e akuzuar për krimin e rëndë ndaj motrës së tij.
Gazetarja e Klan Kosovës, ka dhënë detaje nga ‘ballafaqimi’ dhe deklarata e fortë e Leonardit për një ‘aferë tradhtie’.
“Naim Murseli: E kom një pyetje për Leonardin, për 12 vjet martesë, a është ankuar ndonjëherë motra e tij për mua apo për raportin tonë?
Leonard Ademaj: Jo, nuk është ankuar, përveç, me aq sa mbaj mend, e kishte prekur shumë një aferë tradhtie e Naimit, por ajo vet e kishte zgjidhur…
Naim Murseli: Ju thatë ma herët Leonard që kinse unë pasna qenë në morg me Kushtrim Kokallën, të nesërmen, në sa ora ka qenë kjo vizitë, e panjohur për mua
Leonard Ademaj: Orën nuk e di, një punonjëse në morg me tha që në mëngjes kanë ardhur Kushtrimi dhe Naimi
Naimi Murseli: Dy javë para ngjarjes, rreth datës 16 tetor, a kemi shkuar së bashku në Budva, për ta festuar ditëlindjen time, unë ti, bashkëshortja ime, bashkëshortja jote dhe fëmijët, me ftesë timen…