I ftuar në një emision televiziv, gazetari Klodian Tomorri tha se shteti nuk mund të premtojë falje gjobash për përfitime elektorale dhe më pas t’u shkojë qytetarëve me fadroma.
Ai theksoi se problemi nuk është vetëm ndërtimi pa leje, por mungesa e një plani zhvillimi që u lejon komuniteteve të jetojnë nga pasuritë që u ka dhënë natyra.
Sipas tij, qeveria ka dështuar të jetë prezente në ato zona, nuk ka zgjidhur pronësinë dhe nuk ofron asnjë mbështetje për zhvillimin ekonomik të banorëve.
“Ky shtet nuk garanton siguri juridike dhe sillet si armik ndaj qytetarëve të tij”, u shpreh Tomorri.
Pjesë nga deklarata:
Nuk është thjesht çështja që shteti tregohet si zuzar në raport me qytetarët. Kur ti i thua: “Ne do t’ju heqim dhe gjobat”, dhe më vonë, pasi fiton, u çon ruspat, është e sigurt që nuk mund të jesh serioz.
Problemi më i madh në këtë histori është një tjetër. Përgjithësisht, natyra apo mënyra se si janë shpërndarë burimet është e tillë që kompenson jetesën e njeriut. Diku ka pasuri natyrore që shfrytëzohen për turizëm, diku tjetër ka minerale, e kështu me radhë. Dhe parimi se si shfrytëzohen këto është që komuniteti të përfitojë nga ajo pasuri që i ka dhënë natyra.
Këta njerëz që jetojnë atje kanë trashëguar disa kulla të vjetra nga paraardhësit dhe jetojnë atje prej shekujsh. Nuk u jep njeri leje për ndërtim. Ata kanë trashëguar kullat dhe tani duan të presin turistë, duan të shtojnë diçka. Por çfarë ndodh? Njeri leje për ndërtim nuk u jep. Ata, pasi ndërtojnë madje edhe shtëpiza druri, ti si shtet u çon fadromat. Me çfarë do të jetojnë këta qytetarë?
Pse e ka kaq të vështirë qeveria që të bëjë një plan zhvillimi urbanistik, dhe të caktojë disa vende, modelet se si duhet të ndërtohet, dhe vendet ku mund të ndërtohet, dhe t’u thotë banorëve: “Bujrum, këtu janë kufijtë, zhvillohuni dhe jetoni me të ardhurat e turizmit”?
Ngado ta kthesh këtë histori, përgjegjësia është e shtetit. Dhe një shtet nuk mund të çohet dhe të thotë: “Këtu është bërë masakër me ndërtime pa leje”, a thua se qeveria zbriti sot në Shqipëri dhe e mori sot detyrën dhe u shkon, i tmerron, i godet, u shkatërron investimet, jetesën, sepse shumë prej tyre kanë marrë kredi për të ndërtuar.
Çfarë bën ti si shtet? Nuk i mbron në mënyrë sociale, nuk u siguron punësim, nuk i le të zhvillojnë pronën e tyre, dhe i inkurajon në një moment të caktuar kur të intereson në fushatë elektorale, dhe më pas shkon e i fundos.
Është shumë e thjeshtë. Ato zona kanë edhe një problem, shteti nuk ka qenë prezent aty as në histori, jo vetëm sot. Ata janë vetëqeverisur dhe nuk kanë pasur kadastër, regjistrim pronash, por kanë funksionuar me pleqëri fshati dhe i dinë kufijtë e tyre. Shumica prej tyre sot janë pa dokumente për pronat që i kanë prej 500 vjetësh. Ti tani nuk i le të ndërtojnë, nuk u jep certifikatën e pronësisë, pa të cilën nuk marrin dot leje për ndërtim.
Ky shtet, a ka siguri juridike? Ky shtet punon t’u shërbejë njerëzve apo si e si njerëzit e vet t’i shkatërrojë?
The post ‘Premtojnë leje në fushatë, pastaj u dërgojnë fadromat’, Tomorri: Qeveria sillet si armik i qytetarëve appeared first on Sot News | Lajme.