BRUKSEL, 27 qershor /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz kaloi rreth 16 orë duke negociuar me udhëheqësit e 26 shteteve të tjera anëtare të BE-së lidhur me sanksionet kundër Rusisë, luftën në Gazë dhe mosmarrëveshjen tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë pjesëmarrjes së tij në samitin e BE-së, në Bruksel.
“Samiti ishte i frytshëm, konstruktiv dhe gjithashtu kishte një atmosferë shumë kolegjiale”, tha Merz.
Për Merz, samiti shënoi një kthim në vendin ku ai nisi karrierën e tij politike si anëtar i Parlamentit Evropian nga viti 1989 deri në vitin 1994.
Tani, kancelari gjerman synon t’i rikthejë Gjermanisë rolin e vërtetë udhëheqës në Bashkimin Evropian.
Ai tha se donte të kontribuonte personalisht për të siguruar që Evropa të ecte përpara me sukses në vitet e ardhshme.
Asnjë marrëveshje për bashkëpunim me Izraelin
Merz dhe krerët e tjerë të shteteve dhe qeverive nuk arritën një marrëveshje për bashkëpunim të mëtejshëm me Izraelin.
Deklarata përfundimtare e samitit për këtë çështje – thjesht pranoi një raport të brendshëm shqyrtimi të BE-së, i cili deklaroi se veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës kishin shkelur parimet e vendosura për bashkëpunim të ngushtë me BE-në.
Sipas deklaratës, bisedimet mbi masat e duhura pasuese do të vazhdojnë në korrik 2025, duke marrë parasysh zhvillimet në terren.
Disa qeveri të BE-së bënë thirrje për masa më të ashpra kundër Izraelit për shkak të shkeljeve.
Spanja, për shembull, dëshiron të pezullojë marrëveshjen e partneritetit midis BE-së dhe Izraelit, e cila ka qenë në fuqi që nga viti 2000.
Megjithatë, për një veprim të tillë do të kërkohej unanimiteti. Sanksionet ekonomike ose bllokimi i aksesit të Izraelit në “Horizon Europe” programi kryesor i financimit të BE-së për kërkime dhe inovacione janë gjithashtu në shqyrtim.
Merz ka mbajtur një qëndrim të kundërt ndaj propozimeve të Spanjës dhe vendeve të tjera.
“Pezullimi ose edhe ndërprerja e kësaj marrëveshjeje është jashtë diskutimit për qeverinë gjermane”, tha ai.
Asnjë sanksion i ri ndaj Rusisë dhe asnjë përparim për Ukrainën
Samiti gjithashtu dështoi në miratimin e sanksioneve të reja kundër Rusisë.
Merz dhe shumë krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish shpresuan në arritjen e një marrëveshjeje politike për këtë, por kryeministri sllovak Robert Fico njoftoi se do t’i vinte veton masave nëse ato do të hidheshin në votim të premten, siç ishte planifikuar.
Ndërkohë, samiti i BE-së dështoi gjithashtu për herë të tretë radhazi në miratimin e rezolutave të përbashkëta për mbështetjen e Ukrainës për shkak të Hungarisë.
Për Kievin, kjo kryesisht do të thotë se nuk mund të shpresojë për përparim të shpejtë në procesin e pranimit në BE.
Një ngushëllim i vogël për Ukrainën mund të jetë se të gjithë pjesëmarrësit e tjerë të samitit vlerësuan ritmin e saj në zbatimin e reformave, duke e përshkruar progresin e bërë si të rëndësishëm.
Hungaria kundërshton anëtarësimin e Ukrainës në BE pjesërisht sepse ka frikë se blloku mund të tërhiqet në një luftë me Rusinë.
Megjithatë, Budapesti premtoi se nuk do të bllokonte zgjatjen e sanksioneve ekzistuese ekonomike kundër Rusisë, e cila pritet në korrik.
Një pakt në mosmarrëveshjen tregtare me SHBA-në?
Komisioni i BE-së, i cili është përgjegjës për negociatat tregtare, nuk pranoi të komentojë publikisht mbi propozimin e SHBA-së në mosmarrëveshjen tregtare, por Merz e bëri të qartë pas diskutimeve se ai do të preferonte ta zgjidhte çështjen shpejt.
“Më mirë tani, shpejt dhe thjesht, sesa ngadalë dhe shumë e komplikuar”, tha ai në një konferencë për shtyp.
Tarifat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump po rrezikojnë bizneset gjermane. Një zgjidhje është kryesisht e nevojshme për industrinë e automobilave, industrinë kimike, industrinë farmaceutike, inxhinierinë mekanike dhe sektorët e çelikut dhe aluminit.
Deklarata e Merz erdhi në sfondin e planeve të Trump për të vendosur tarifa shtesë duke filluar nga 9 korriku nëse BE nuk bënte lëshime ndaj SHBA-së për çështjet tregtare. //a.i/
The post BRUKSEL – Merz synon t’i rikthejë Gjermanisë rolin udhëheqës në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.