Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 July 2025Main stream

E premte e nxehtë, me temperatura të larta deri në 42°C

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Sot vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme me temperatura që do të shënojnë 42 gradë Celsius në disa qytete, njofton Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, por pa përjashtuar kalime të pakta të vranësirave në relievet malore në verilindje.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – verilindje me shpejtësi mesatare 7 m/s, në bregdet dhe lugina hera-herës do të arrijë 7-12 m/s.

Valëzimi në dete do të jetë i forcës 1-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 25/41 Diell
Kukës 22/40 Diell
Lezhë 26/41 Diell
Dibër 21/39 Diell
Durrës 24/41 Diell
Tiranë 26/41 Diell
Elbasan 25/42 Diell
Berat 23/42 Diell
Vlorë 26/39 Diell
Korçë 22/38 Diell
Gjirokastër 22/42 Diell
Sarandë 25/40 Diell

 

The post E premte e nxehtë, me temperatura të larta deri në 42°C appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kushtetuesja ua ndalon deputetëve të zgjedhur vendimet pas afatit 30-ditor

PRISHTINË, 24 korrik /ATSH/ Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka kthyer sot përgjigje ndaj kërkesave të PDK-së dhe LDK-së mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit të Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit, të mbajtur sipas transkriptit të datës 29 qershor 2025.

“Në mbështetje të nenit 116 (2) të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit dhe rregullat 44 (2), 45, 46 (2) dhe 48 (1) (d) të Rregullores së punës, më 24 korrik 2025, njëzëri vendosi  të caktojë masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo vendim dhe veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me seancën konstituive pas përfundimit të afatit 30 ditor, sikurse është përcaktuar me paragrafin 2 të pikës II të dispozitivit të Aktgjykimit KO124/25. Të urdhërojë që masa e përkohshme hyn në fuqi më 27 korrik 2025, në kohëzgjatje deri më 8 gusht 2025. Ky Vendim hyn në fuqi më 27 korrik 2025”, thuhet në vendim.

Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka vendosur, sipas detyrës zyrtare, masë të përkohshme ndaj seancave të Kuvendit, që nga e diela 27 korrik deri më 8 gusht.

Në një postim në Faceboook, Cakolli ka shkruar se Kuvendi do t’i konsumojë ditët e mbetura të afatit 30-ditor, por nuk do të mund të marrë asnjë vendim tjetër deri më 8 gusht.

“Kjo masë ndërlidhet me kërkesat e parashtruara nga PDK dhe LDK”, ka shkruar ai.

/KosovaPress/

The post Kushtetuesja ua ndalon deputetëve të zgjedhur vendimet pas afatit 30-ditor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Egnatia fiton pastër 0-2 në transfertën përballë Dinamos së Minskut

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Ekipi kampion i Shqipërisë, Egnatia fitoi 0-2 sot në transfertën hungareze përballë bjellorusëve të Dinamo Minsk.

Ndeshja e vlefshme për turin e dytë të Conference League u dominua nga ekipi rrogozhinas, i cili gjeti dy herë rrugën e rrjetës me anë të Regi Lushkjes (’28) dhe Soumaila Bakajokos (’88).

Ndryshimet e bëra nga trajneri Tetova i Egnatias, në krahasim me ndeshjen e humbur përballë Breibablik (5-0), sollën një lojë më të qartë e rezultative.

FORMACIONET ZYRTARE

Dinamo Minsk(4-3-3): Shpakovski; Ibrahim, Gavriloviç, Begunov, Kalinin; Bakhar, Abdullai, Miakish, Padstrelau; Bakiç, Djimet

Trajner: Aleksandër Pavlov

Egnatia(4-3-3): Dajsinani; Alijev, Xhemajli, Sota; Fangaj; Medeiros, Aleksi, Lushkja; Gruda, Bakajoko, Selmani

Trajner: Edlir Tetova

Kështu, kampionët e Shqipërisë presin me qetësi ndeshjen e kthimit që do të luhet në Rrogozhinë në datën 31 korrik, në orën 21:00.

The post Egnatia fiton pastër 0-2 në transfertën përballë Dinamos së Minskut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vllaznia fiton 2-1 me përmbysje përballë islandezëve të Vikingurin

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Vllaznia fitoi sonte 2-1 me përmbysje ndeshjen e parë të turit të dytë e vlefshme për UEFA Conference League, përballë islandezëve të Vikingurin.

Në ndeshjen e zhvilluar në “Loro Boriçi” kuqeblutë arritën të përmbysin golin e islandezëve të minutës së 10-të, duke shënuar dy herë në portën kundërshtare.

Golit të Gunarson (’10) iu përgjigjën Bajrami (‘67) dhe Mala (’75).

FORMACIONET ZYRTARE

Vllaznia: Jukaj; Jago, Kuro, Gjini, Gurishta; Kruja, Krymi, Sala; Mala, Balaj, Bismark

Trajner: Edi Martinaj;

Vikingur: Xhonson; Gudjonson, Thorkelson, Ekroth, Ibrahimagiç, Gunarson; Sigurdson, Hafsteinson, Ingimundarson, Agnarson; Hansen

Trajner: Solvi Xhonson

Me këtë fitore Vllaznia hedh një hap drejt kalimit të turit dhe shkon me besim në ndeshjen e kthimit në Islandë, e cila do të luhet në datën 31 korrik, në orën 20:45.

The post Vllaznia fiton 2-1 me përmbysje përballë islandezëve të Vikingurin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 24 July 2025Main stream

Conference League, Dinamo City fiton me përmbysje në transfertën e Andorrës

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ “Dinamo City” ka fituar me rezultatin 1-2 në transfertë takimin e parë në Conference League përballë ekipit nga Andorra, “FT Atletik D’Eskaldes”.

Vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të Vieira në minutën e 43-të. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1 me 0, teksa pjesa e dytë i lojës foli për skuadrën shqiptare, që arriti të shënonte dy herë, me Zabërgjanë dhe Qardakun. 

Sulmuesi shqiptar i Kosovës, përfitoi nga një gabim i portierit në minutën e 65-të, ndërkohë që shkodrani Qardaku, realizoi në prekjen e parë të topit, vetëm disa sekoda pas aktivizimit. 

Falë këtij triumfi Dinamo ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, teksa gjithçka pritet të formalizohet në duelin e kthimit.

FT ALTETIK D’ESKALDES – DINAMO CITY 1-2

Vieira 43′ / Zabërgja 65′, Qardaku 86′

Po sot luajnë edhe dy ekipet e tjera shqiptare, Egnatia dhe Vllaznia.

Egnatia, skuadra kampione e Shqipërisë që e filloi nga raundet e para eliminatore të Ligës së Kampioneve, do të luajë sot në transfertë ndeshjen e parë në Conference League përballë “Dinamos së Minskut” të Bjellorusisë.

Ndërkohë Vllaznia do të presë islandezët e “Vikingurit” këtë herë në “Loro Boriçi”, pas mrekullisë së bërë në ndeshjen e dytë të raundit të parë eliminator të Conference League.

The post Conference League, Dinamo City fiton me përmbysje në transfertën e Andorrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasadorët e huaj nesër në seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 25 korrik /ATSH/ Ambasadorët e shteteve mike pritet të marrin pjesë nesër (të premten) në vazhdimin e 52-të të seancës konstituive në Kuvendin e Kosovës.

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë njofton se duke pasur parasysh se nesër është mundësia e fundit për të konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, Ambasadori Jorn Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament.

“Duke pasur parasysh se nesër është mundësia e fundit për të konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, Ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament”, thuhet në njoftim.

Më 26 korrik skadon afati i Gjykatës Kushtetuese e cila i ka urdhëruar deputetët që konstituojnë Kuvendin brenda një muaji.

Presidentja Vjosa Osmani të martën iu drejtua Kushtetueses, mes tjerash për të kërkuar masë të përkohshme për ndalimin e rrjedhjes së afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, ku në bazë të aktgjykimit të Kushtetueses janë obliguar deputetët që deri më 26 korrik të zgjedhin trupat e Kuvendit, por pa specifikuar pasojat juridike.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ndërpreu seancën të mërkurën, më 23 korrik, duke thënë se nuk ka kushte për mbajtjen e saj. Kjo erdhi pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ia largoi mikrofonin Deharit.

Dehari pasi këtij veprimi të Musliut e ndërpreu seancën dhe e shtyu për në datën 25 korrik, në orën 11:00. Ai nuk e hodhi fare në votim formimin e komisionit të fshehtë.

/KosovaPress/

The post Ambasadorët e huaj nesër në seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E enjte 24 korrik, mot i qëndrueshëm me temperatura deri në 41°C

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se sot vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim-verilindje me shpejtësi mesatare 6 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era fiton shpejtësi 6-14 m/s.

Valëzimi në dete pritet të jetë 1-3 ballë

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 20/38 Diell
Kukës 19/37 Diell
Lezhë 20/38 Diell
Dibër 19/36 Diell
Durrës 21/39 Diell
Tiranë 24/39 Diell
Elbasan 21/41 Diell
Berat 20/40 Diell
Vlorë 23/38 Diell
Korçë 19/37 Diell
Gjirokastër 19/41 Diell
Sarandë 22/38 Diell

 

The post E enjte 24 korrik, mot i qëndrueshëm me temperatura deri në 41°C appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Hapet pikë e përkohshme kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, njoftoi sot për hapje për qarkullim të përkohshëm (sezonal) të PKK Strazimir, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit, kjo pikë do të jetë e hapur nga data 25 korrik deri më 25 shtator 2025.

“Pika e Kalimit Kufitar e përcaktuar me këtë Vendim hapet për aktivitet dhe manifestime kulturore, shkencore, profesionale, sportive dhe/apo turistike”, thuhet në vendim.

/KosovaPress/

The post Hapet pikë e përkohshme kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani kërkon sqarime nga Kushtetuesja se çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit

PRISHTINË, 22 korrik /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi sot në një konferencë për media, se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se çfarë ndodh nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi. Ajo po ashtu ka kërkuar një masë të përkohshme sa i përket afatit.

“Kërkesa jonë sot, në esencë, është kërkesë për sqarim të pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh”, tha Osmani në një konferencë për media.

Osmani kujtoi se në atkgjykimin paraprak të Kushtetueses lidhur me moskonstituimin e organit ligjvënës pas zgjedhjeve të shkurtit nuk janë sqaruar pasojat juridike.

Sipas saj, qëllimi është që të sqarohet situata e moskonstituimit brenda afati, por edhe se si ushtrohen kompetencat e secilit institucion kushtetues, në mungesë të konstituimit të një prej shtyllave kryesore të parimit të ndarjes së pushteteve, që është Kuvendi.

Po ashtu, “duhet të sqarohet se çfarë ndodh nëse Kuvendi konstituohet pas 26 korrikut”, tha ajo, duke shtuar se me këtë kërkesë po synohet të parandalohen dëmet që do të mund të shkaktoheshin.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 26 qershor ka detyruar deputetët që ta konstituojnë organin ligjvënës deri më 26 korrik.

Osmani tha se në kërkesën e dërguar në Kushtetuese, që ka të bëjë me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave, ka paraqitur edhe kërkesën për masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor të Kushtetutës.

“Kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë pa fund, dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të konstituoheshin në një mënyrë jokzushtetuese dhe do të ishin të pasafatshme”, tha e para e shtetit.

Ajo shtoi se një pezullim i afatit do të parandalonte shkeljen e Kushtetutës nga deputetët, konstituimin e Kuvendit pas afatit, që do të ishte jokushtetues dhe mundësinë e zgjedhjes së një qeverie, e cila po ashtu do të ishte në kundërshtim me aktin më të lartë ligjor.

Presidenca do ta tërheqë kërkesën nëse deputetët deri para kalimit të afatit të 26 korrikut arrijnë ndonjë marrëveshje për konstituimin e Kuvendit, sqaroi Osmani.

Më 21 korrik, deputetët për herë të 50-të dështuan të konstituonin Kuvendin e Kosovës, pasi partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë po kundërshtojnë ndryshimin e mënyrës së votimit për kryeparlamentar nga i hapur në të mbyllur.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë cilësuar si figurë përçarëse të propozuarën e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiun. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të votojë asnjë të propozuar nga LVV-ja për kryeparlamentar.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se partia e tij ka gatishmëri për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, parti së cilës tha se i ka bërë ofertë konkrete.

Kreu i LVV-së, partisë fituese të zgjedhjeve të shkurtit, tha se shpreson që bisedimet me partinë e Limajt të finalizohen gjatë kësaj jave.

“Këtë fundjavë do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose mungesën e saj”, tha ai. /REL/

The post Osmani kërkon sqarime nga Kushtetuesja se çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kursi i këmbimit, leku forcohet përballë dollarit amerikan dhe euros

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Java nisi me forcim të mëtejshëm të monedhës vendase lek, përballë dy monedhave kryesore, dollarit amerikan dhe euros.

Sipas Bankës së Shqipërisë sot një dollar amerikan u këmbye me 83,82 lekë, ose 0,03 lekë me pak, ndërsa monedha europiane u këmbye me 97,59 lekë, ose 0,01 lekë më pak se java e kaluar.

Ndërkohë, paundi britanik dhe franga zvicerane u forcuan përballë lekut, duke u këmbyer respektivisht me 112,7 dhe 104,7 lekë.

Banka e Shqipërisë zbaton një regjim të lirë të kursit të këmbimit.

Vlera e lekut kundrejt valutave të huaja përcaktohet lirisht në tregun e këmbimit valutor. Luhatjet e kursit të këmbimit reflektojnë lëvizjen e lirë të mallrave e të kapitalit në shkëmbimet tregtare dhe financiare të Shqipërisë me partnerët e saj tregtarë.

Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollari amerikan USD 83.82 -0.03
Euroja EUR 97.59 -0.01
Poundi britanik GBP 112.70 +0.03
Franga zvicerane CHF 104.70 +0.16
Jeni japonez (100) JPY 56.67 +0.26
Dollari australian AUD 54.57 -0.08
Dollari kanadez CAD 61.07 -0.03
Korona suedeze SEK 8.68 +0.01
Korona norvegjeze NOK 8.22 0.00
Korona daneze DKK 13.07 -0.01
SDR SDR 114.47 +0.18
Ari (OZ 1) XAU 281929.41 +673.87
Argjendi (OZ 1) XAG 3216.90 -2.79
Juani kinez (onshore) CNY 11.68 0.00
Juani kinez (offshore) CNH 11.68 0.00
Lira turke TRY 2.07 -0.01

 

The post Kursi i këmbimit, leku forcohet përballë dollarit amerikan dhe euros appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fiket zjarri në Belsh, dy avionë zjarrfikës të BE nisin ndërhyrjen në “Liqenin e Luleve” në Lurë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se pas një operacioni të koordinuar dhe intensiv është bërë e mundur fikja e të gjitha vatrave të zjarrit në Njësinë Administrative Rrasë, në bashkinë Belsh.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse nga MZSH Belsh, Cërrik, Gramsh, Elbasan, Peqin dhe Njësia Nerat Kuçovë si dhe angazhimit të dy mjeteve zjarrfikëse dhe efektivëve të FA u arrit të shmangej përhapja e flakëve drejt zonave të banuara.

Në operacion morën pjesë edhe dy helikopterë që ndërhynë nga ajri, duke ndihmuar në neutralizimin dhe shuarjen e zjarrit në një terren të vështirë. Aktualisht, në terren ndodhen ende efektivët e MZSH Belsh dhe punonjës të bashkisë, të cilët po kryejnë krehjen e zonës për të shmangur riaktivizimin e ndonjë vatre të fshehur.

Ndërkohë, pas kërkesës së Shqipërisë pranë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, Italia ka ardhur në ndihmë me trupa dhe dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair, të cilët po operojnë në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, në Parkun Kombëtar të Lurës. Kjo ndërhyrje synon të përshpejtojë shuarjen e vatrave aktive në këtë zonë me rëndësi të lartë natyrore. Po përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, Greqia erdhi në ndihmë me dy avionë Canadair në vatrën e zjarrit në Dukat, Vlorë.

Forcat operacionale, nën koordimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile po vijojnë punën në vatrat e tjera, në mbrojtje të qytetarëve dhe pronës.

Aksioni per fikjen e zjarrit ne Belesh, Elbasan
1 nga 13

The post Fiket zjarri në Belsh, dy avionë zjarrfikës të BE nisin ndërhyrjen në “Liqenin e Luleve” në Lurë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani pret në takim shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë

PRISHTINË, 21 korrik /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin diskutoi rreth situatës aktuale politike në vend dhe zhvillimeve të fundit.

Në fokus të takimit ishte çështja e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, hapat e mëtejmë, ndikimi i moskonstituimit në proceset e rëndësishme për vendin, si dhe në raportet me Bashkimin Evropian.

Presidentja Osmani dhe ambasadori Orav diskutuan gjithashtu për një sërë çështjesh që ndërlidhen me raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, ku Osmani ritheksoi rëndësinë e heqjes së plotë të masave të padrejta ende në fuqi, si dhe të trajtimit të aplikacionit të Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Kujtojmë që sot dështoi edhe tentimi i 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

/KosovaPress/

The post Osmani pret në takim shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UEFA Conference League, ekipet shqiptare njohin rivalët e mundshëm në turin e tretë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Është hedhur sot në Nion të Zvicrës shorti për turin e tretë kualifikues të Conference League, ku ekipet shqiptare Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo City janë njohur me rivalët e mundshëm në rast kalimi të turit të dytë.

Kampionia e Shqipërisë, Egnatia, nëse do të arrijë të kualifikohet ndaj Dinamo Minsk, do të përballet me fituesin e duelit Olimpija (SVN) – Inter Escaldes (AND).

Vllaznia ka përballë skuadrën Víkingur Reykjavík në raundin e dytë dhe në rast kualifikimi do të luajë në turin e tretë me ekipin fitues të H. Bóltfelag (FRO) – Brøndby (DEN).

Dinamo City në rast se kalon me sukses Atletic Escaldes, do të përballet në raundin e tretë me fituesin e çiftit Zire (AZE) – Hajduk Split (CRO).

Ndeshjet e para në turin e tretë të UEFA Conference League do të luhen më 7 gusht, ndërsa ato të kthimit më 14 gusht.

The post UEFA Conference League, ekipet shqiptare njohin rivalët e mundshëm në turin e tretë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E hënë, 21 korrik, mot i kthjellët dhe i nxehtë në të gjithë vendin

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se ditën e sotme moti parashikohet i qëndrueshëm dhe i kthjellët, me orë të gjata me diell në të gjithë territorin.

Sipas SHMU, era do të fryjë me drejtim jugperëndim-juglindje me shpejtësi mesatare 6 m/s, në bregdet dhe lugina hera-herës do të arrijë deri 11 m/s.

Valëzimi në dete do të jetë i forcës 1 deri në 2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 22/36 Diell
Kukës 21/37 Diell
Lezhë 19/36 Diell
Dibër 18/35 Diell
Durrës 22/36 Diell
Tiranë 24/37 Diell
Elbasan 22/39 Diell
Berat 10/39 Diell
Vlorë 23/36 Diell
Korçë 19/36 Diell
Gjirokastër 19/38 Diell
Sarandë 22/35 Diell

 

The post E hënë, 21 korrik, mot i kthjellët dhe i nxehtë në të gjithë vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Nga zemra e çliruar e Komunës së Parisit”, Rama publikon pamje nga lirimi i hapësirave publike

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Ka vijuar edhe këtë të dielë të nxehtë korriku aksioni për lirimin e hapësirave publike të zëna nga bizneset, për t’ia kthyer ato qytetarëve,

Kryeministri Edi Rama postoi pamje nga aksioni i zhvilluar në zonën e njohur si “Komuna e Parisit” në kryeqytet.

“LIVE nga zemra e çliruar e Komunës së Parisit në Tiranë”, shkruan Kryeministri në rrjetet sociale, krahas pamjeve që shfaqen në video.

Policia Bashkiake e Tiranës, në bashkëpunim me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT), po vijon aksionin në terren për lirimin e hapësirave publike nga zaptimet e paligjshme në çdo njësi administrative të kryeqytetit.

Taskforca e ngritur për këtë qëllim është e angazhuar të garantojë zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik, duke paralajmëruar masat ndëshkuese për çdo subjekt që shkel rregullat për përdorimin e hapësirave publike.

Më herët kryeministri Rama paralajmëroi se procesi i lirimit të hapësirave publike do të vijojë, pavarësisht kundërshtimeve të përkohshme.

“Ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të gjitha do ikin, por bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptuar”, shtoi Kryeministri.

The post “Nga zemra e çliruar e Komunës së Parisit”, Rama publikon pamje nga lirimi i hapësirave publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, shkodranët mirëpresin aksionin: I drejtë dhe pak i vonuar

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike përveçse po mirëpritet nga qytetarët e Shkodrës, por ka dhe një mirëkuptim çdo ditë e më shumë nga bizneset që po lirojnë vullnetarisht hapësirat në shërbim të banorëve, shprehet Bashkia e qytetit.

Qytetarët të ndryshëm shkodranë shprehen pro aksionit të ndërmarrë për lirimin e hapësirave publike të zëna nga bizneset.

“Është shumë e drejtë dhe shumë e mirë që të lirohen hapësirat për këmbësorët. Ideja dhe qëllimi është shumë i mirë”, shprehet një qytetar shkodran.

“Është pak i vonuar”, shprehet një tjetër qytetar.

Një banor shprehet se, “boll mirë e kanë ba, edhe boll mirë bajnë që i lirojnë trotuaret, rrugë, për me kalu. Skadal kanë qenë, po shyqyr që po lirohen”.

Prej disa ditësh, Policia Bashkiake e Shkodrës ka zbritur në terren, duke njoftuar të gjitha bizneset që kanë zënë hapësirat publike me struktura metalike dhe pode të paligjshme në zonat e dedikuara për kalimtarët.

“Falënderojmë të gjitha bizneset për mirëkuptimin dhe i sigurojmë që bashkia do të bëjë më të mirën brenda rregullave për të mbështetur aktivitetin e tyre”, shprehet kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, në një postim në rrjetet sociale.

The post Lirimi i hapësirave publike, shkodranët mirëpresin aksionin: I drejtë dhe pak i vonuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

I nxehti afrikan, Kosova përballet me temperatura të larta javën e ardhshme

PRISHTINË, 20 korrik /ATSH/ Një javë e nxehtë parashikohet të përfshijë Kosovën ditët në vijim.

Kjo situatë vjen si pasojë e masave të nxehta të ajrit të ardhura nga pjesa e Afrikës Veriore.

Këto masa ajrore, të cilat karakterizohen nga temperatura shumë të larta dhe përmbajtje të ulët të lagështisë, janë rezultat i qarkullimeve atmosferike që favorizojnë zhvendosjen e ajrit tropikal drejt veriut.

Ky fenomen meteorologjik shfaqet shpesh gjatë muajve të verës dhe zakonisht shoqërohet me rritje ekstreme të temperaturave, ulje të ndjeshme të reshjeve, si dhe rrezik të shtuar për thatësirë dhe zjarre në zona pyjore dhe fusha bujqësore. Temperaturat mund të tejkalojnë lehtësisht vlerat mesatare sezonale, duke shkaktuar valë të nxehti që ndikojnë negativisht në shëndetin publik.

Sipas IMHK indeksi UV  (ultraviolet) do të jetë i lartë, prandaj këshillohet që nga ora 9-17 të kufizohet ekspozimi në rrezet të diellit, sidomos personat në moshë, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.

/KosovaPress/

The post I nxehti afrikan, Kosova përballet me temperatura të larta javën e ardhshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kultivonin kanabis me llamba, arrestohen tre persona

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit vijon operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit të lëndëve narkotike me anë të llambave, të shitjes së saj, si dhe për goditjen e armëmbajtjes pa leje.

Në këtë kuadër është finalizuar operacioni policor i koduar “The Wrong Meeting” gjatë të cilit janë vënë në pranga 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë.

Sipas Policisë, janë sekuestruar gjithsej 6,2 kg kanabis në formë boçeje (dyshohet e prodhuar me llamba), një armë zjarri pistoletë së bashku me një sasi municioni luftarak, dy jelekë antiplumb, pajisje për përshtatjen e ambientit për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, dy automjete dhe 6 aparate celularë.

Dy prej të arrestuarve u kapën në flagrancë në zonën e Golemit gjatë shkëmbimit të një sasie kanabisi, ndërsa tjetri posedonte armën e zjarrit, një sasi tjetër të lëndës narkotike dhe pajisjet që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me metoda proaktive, finalizuan operacionin policor të koduar “The Wrong Meeting”, për goditjen e një rasti të veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike si dhe të armëmbajtjes pa leje.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Sh. T., 36 vjeç, banues në Vorë, Tiranë, i dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”; D. S., 21 vjeç, banues në Peqin, Elbasan dhe J. B., 17 vjeç, banues në Golem, Durrës, të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.

Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit G. S., 39 vjeç, dhe M. Ll., 33 vjeç, të dy banues në Peqin, të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.

Shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë në një parking në zonën e Golemit, Durrës, Sh. T. dhe D. S., në momentin e shkëmbimit të një sasie lënde narkotike kanabis në formë boçeje me peshë 4.5 kg.

Nga hetimet e kryera, në këtë aktivitet ishte i përfshirë edhe shtetasi J. B., i cili banonte përkohësisht në një ambient pranë parkingut, ku pas kontrollit të ambientit ku banonte, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe 1,1 kg lëndë narkotike kanabis.

Në vijim të operacionit, nga sherbimet e Komisariatit të  Policisë nr. 7 Tiranë, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Sh. T., u gjet dhe u sekuestrua 600 gram lëndë narkotike e dyshuar kanabis, një armë zjarri e dyshuar pistoletë, së bashku me një sasi municionesh luftarake (fishekë), dy jelekë antiplumb, si dhe pajisje për përshtatjen e ambientit për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.

Nga hetimet ka rezultuar se në këtë veprimtari kriminale janë të përfshirë edhe shtetasit G. S. dhe M. Ll., të cilët janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve po vijon puna për identifikimin dhe dokumentimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

The post Kultivonin kanabis me llamba, arrestohen tre persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vdes At Nikolla Marku, prifti i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare “Shën Maria” në Elbasan

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ At Nikolla Marku, prifti i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare “Shën Maria” në Elbasan, ka vdekur mbrëmjen e së shtunës, në moshën 77-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë.

Lindur dhe rritur në Elbasan, At Nikolla i përkiste atij brezi të klerikëve që e jetuan thirrjen shpirtërore jo si titull, por si mision. Për dekada me radhë, ai shërbeu me përkushtim dhe përulësi në Kishën “Shën Maria”, në lagjen Kala të Elbasanit, një nga institucionet më të vjetra të besimit ortodoks në vend.

Kisha e Shën Mërisë, e shpallur monument kulture në vitin 1963 nga Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës, gjendet në qytetin e Elbasanit dhe shquhet për vlerat e saj etnokulturore e arkitekturore të rralla. Ajo u ndërtua rreth vitit 1830 nga komuniteti ortodoks, mbi themelet e një kishe më të vjetër.

At Nikolla Marku e ktheu këtë kishë jo vetëm në një vend shërbese, por në një qendër të gjallë shpirtërore ku njerëzit gjenin paqe, fjalë të mençura dhe një dorë të hapur për ndihmë.

Gjithë jeta e tij ishte e lidhur me komunitetin në gëzime e në dhimbje, në festa e në periudha të vështira, At Nikolla ishte aty, i thjeshtë, i dashur dhe gjithmonë i gatshëm të dëgjonte, të këshillonte dhe të shërbente me ndershmëri. Me një etikë të lartë shpirtërore dhe morale, ai nuk e ndau asnjëherë fenë nga dashuria për njeriun.

Pritja për ngushëllime po bëhet në Kishën “Shën Maria”, aty ku ai kaloi gjithë jetën në shërbim të Zotit dhe të njerëzve. Ndërkohë, ceremonia mortore do të mbahet sot, më 20 korrik, në orën 17:00, ku familjarë, miq, bashkëqytetarë dhe besimtarë do t’i japin lamtumirën e fundit një figure të shenjtë të qytetit.

Vdekja e At Nikolla Markut është një humbje e madhe jo vetëm për komunitetin ortodoks, por për të gjithë qytetin e Elbasanit që e njohu nga afër përkushtimin e tij të rrallë, shpirtin e butë dhe urtësinë që e karakterizonte në çdo hap të jetës.

The post Vdes At Nikolla Marku, prifti i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare “Shën Maria” në Elbasan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bie sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore në Kosovë

PRISHTINË, 20 korrik /ATSH/ Gjatë vitit 2024, rezultatet e anketës së Agjencisë së Statistikave tregojnë se sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore ishte 420 mijë e 228 hektarë (përfshirë tokën e përbashkët), ku krahasuar me vitin 2023 (që ishte 420 mijë e 688 hektarë) ka një rënie të sipërfaqes së tokës në shfrytëzim prej 456,3 hektarë.

Agjencia e Statistikave të Kosovës njofton se nga gjithsej sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore në vitin 2024, pjesa më e madhe u përket livadheve dhe kullosave (përfshirë tokën e përbashkët) që ishte 216 534,33 ha (51,53%), krahasuar me vitin 2023 (që ishte 216 979,55  ha) ose 51,58%.

“Rënia e sipërfaqes së shfrytëzuar te toka e përbashkët ishte si rezultat i rënies së numrit të blegtorisë”, thuhet në njoftim.

Sipas ASK-së, toka e punueshme – arat marrin pjesë me 44,93% dhe kopshtet me 0,22% në gjithsej sipërfaqen e shfrytëzuar të tokës bujqësore.

“Gjatë vitit 2024, gjithsej toka e punueshme – arat ishte 188 795.00 ha. Pjesa më e madhe ishte me: drithëra (125 274,35 ha, ose 66,4%); bimë foragjere (37 117.13 ha, ose 19,7%); perime në fushë të hapur, në serra dhe në kopshte (9 827.39 ha), prej të cilave perime në fushë të hapur dhe serra ishin 8 914,65 ha ose 4,7%; patate (3 806.07 ha ose 2,0%); bishtajore (2 929.40 ha ose 1,6%); bimë industriale (1 689.82 ha ose 0,9%); kultura të tjera (2 633.81 ha ose 1,4%) dhe tokë djerrinë ishte 6 429.78 ha ose 3,4%”, njofton ASK.

Ndërkaq, sipërfaqe e ujitur, të paktën një herë gjatë periudhës referuese të anketës në vitin 2024, ishte 34 mijë e 70 hektarë.

Kurse, gjithsej sipërfaqja e trajtuar me pesticide në vitin 2024 ishte 122 mijë e 570 hektarë.

Sa i përket deleve, gjatë vitit 2024 numri i tyre ishte 211 220, ku krahasuar me vitin paraprak 2023 (që ishte 207 123 dele), ka një rritje të lehtë.

Ky publikim ofron të dhëna në formë përmbledhëse për: kulturat bujqësore bimore (shfrytëzimin e tokës bujqësore, prodhimtarinë bimore, inputet bujqësore (plehrat minerale, organike, pesticidet)); blegtorinë (therjet, shitjet, produktet blegtorale) dhe shpenzimet në ekonomitë bujqësore.

/KosovaPress/

The post Bie sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌