Tre djem nga Kosova në Hoffenheim – Asllani, Berisha dhe Avdullahu pjesë e klubit nga Bundesliga
Klubi gjerman TSG Hoffenheim, që garon në elitën e futbollit gjerman – Bundesliga, është bërë shtëpia e tre futbollistëve me origjinë nga Kosova, duke konfirmuar një prani të fortë shqiptare në një prej ligave më të forta të Evropës.
Pas rinovimit të kontratës me Fisnik Asllanin dhe rikthimin e tij në klub, në radhët e kësaj skuadre janë edhe sulmuesi Mërgim Berisha dhe mesfushori Leon Avdullahu.
Fisnik Asllani, i cili u shpërblye me një kontratë të re afatgjatë pas sezonit mbresëlënës me SV Elversberg në Bundesliga 2, ku shënoi 18 gola dhe dhuroi 9 asiste, është një nga talentet më premtues të klubit. Sulmuesi 22-vjeçar tashmë është pjesë e rëndësishme e planeve të Hoffenheimit për të ardhmen.
Ai ka debutuar për Kombëtaren e Kosovës në shtator të vitit 2024 dhe ka pesë paraqitje me ekipin A, pas një periudhe të mëparshme ku kishte përfaqësuar Gjermaninë në nivelet e moshave. Vlera e tij aktuali sipas Transfermarkt është 8 milionë euro.
Lojtari më i ri që i është bashkuar klubit është Leon Avdullahu, një mesfushor mbrojtës 21-vjeçar që këtë verë u transferua nga FC Basel. Ai përfaqëson Zvicrën në grupmoshat U21, por raportohet se është duke shqyrtuar seriozisht mundësinë e kalimit te Kombëtarja e Kosovës.
Transferimi i tij te Hoffenheim ka kushtuar rreth 8 milionë euro, me bonuse që mund ta çojnë shumën deri në 10 milionë, ndërsa vlera e tij aktuale në treg vlerësohet po ashtu në rreth 10 milionë euro.
Pjesë e Hoffenheim është gjithashtu Mërgim Berisha, një tjetër sulmues me rrënjë shqiptare, i cili ka zgjedhur të përfaqësojë Gjermaninë, edhe pse ende ka zhvilluar vetëm dy ndeshje miqësore me ekipin A, ndaj Perusë dhe Belgjikës.
Ai ishte në huazim te Augsburg, ku nuk ndezi siç u mendua. Karriera e tij ka njohur ulje pas disa sezoneve të suksesshme me Salzburg dhe Fenerbahçe. Vlera aktuale e tij sipas Transfermarkt është rreth 3.5 milionë euro.
Tre emra, tre histori të ndryshme, por me një të përbashkët – rrënjët shqiptare dhe ndeshje në Bundesligë, një nga kampionatet më të fortë në botë. /Telegrafi/
The post Tre djem nga Kosova në Hoffenheim – Asllani, Berisha dhe Avdullahu pjesë e klubit nga Bundesliga appeared first on Telegrafi.