TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Zv.sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu u shpreh në një deklaratë për shtyp sot se, “qeveria shqiptare ka vendosur t’i shpallë luftë fermerit shqiptar, t’i vërë gjoba atij që prodhon, dhe ta bëjë mallin vendas më të shtrenjtë se ai i importuar”.
Sipas saj, “sekuestrimi i qumështit të papërpunuar nga fermerët, me pretendimin e mungesës së faturës tatimore, është vetëm simboli më i fundit i kësaj politike antiproduktive dhe antikombëtare”.
“Në vend që shteti të ndërtojë infrastrukturën e munguar të grumbullimit, certifikimit, ftohjes dhe përpunimit, ai dërgon inspektorët për të gjobitur fshatarin”, tha Haxhiu, teksa shtoi se, “në çdo vend të Bashkimit Europian, fermeri është partneri më i rëndësishëm i shtetit në garantimin e ushqimit për popullsinë. /j.p/
Haxhiu theksoi se, “Partia e Lirisë kërkon ndalim të menjëhershëm të sekuestrimeve të produkteve vendase të freskëta, derisa të krijohet një sistem real dhe i drejtë për grumbullim dhe certifikim.
Rritje të buxhetit për bujqësinë në vitin 2025, për të garantuar mbështetje reale dhe jo thjesht propagandë.
Reduktimin e TVSH-së 20% në 5% mbi prodhimet bujqësore vendase – Shqipëria është i vetmi vend në Europë që aplikon këtë taksë absurde ndaj prodhimit vendas.
Ndërtimin e një sistemi të drejtë dhe transparent subvencionesh, që përkrah ata që punojnë, jo ata që abuzojnë.
Kthimin e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore në prioritet strategjik të zhvillimit kombëtar”.
“Bujqësia është një prioritet shumë i rëndësishëm , ndër 5 prioritetet tona, sepse nuk ka të bëjë vetëm me koston e jetesës, problemet me ushqimin, por ka të bëjë me decentralizimin e popullsisë dhe me kthimin dhe riintegrimin e shqiptarëve në vendlindjet e tyre”, tha Haxhiu.
TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Sulmuesi premtues Etienne Tare është zyrtarisht pjesë e “KF Tirana”.
Klubi bardheblu njoftoi se Tare i bashkohet Tiranës për sezonin e ri me energji, vizion dhe dëshirë për të dhënë maksimumin.
“Me një profil të qartë teknik dhe një mentalitet serioz pune, Tare vjen te Tirana si një futbollist me perspektivë, i gatshëm të japë kontributin e tij.
“Transferimi i Etienne Tares është një investim në vazhdimësinë dhe cilësinë, duke ndjekur filozofinë e klubit për të afruar lojtarë me potencial të madh zhvillimi, të cilët ndajnë vlera dhe përkushtim ndaj fanellës”, njofton klubi bardheblu.
Sulmuesi 21-vjeçar është djali i ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tare.
Etienne është rritur në ekipet e moshave të Lacios, ndërsa sezonin e kaluar luajti për Skënderbeun dhe më pas me Dukagjinin. /gj.m/j.p/
TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Miqësoret me përfaqësuesen italiane janë kthyer tashmë në një traditë për Kombëtaren U-19.
Shqipëria U-19 ka zyrtarizuar dy ndeshje miqësore me Italinë U-19 në muajin gusht.
Federata Shqiptare e Futbollit dhe ajo italiane kanë rënë dakord që të dy takimet të zhvillohen në Novara, në qendrën sportive “Novarello”. Ndeshja e parë do të luhet më 5 gusht, në orën 18:00, ndërsa sfida e dytë më 7 gusht, në orën 11:00.
Skuadra kuqezi, e drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj, do të nisë grumbullimin në fillim të muajit gusht. Këto dy miqësore luksi do t’i shërbejnë ekipit dhe stafit teknik si një mundësi testimi dhe përgatitjeje në kuadër të raundit të parë kualifikues për Kampionatin Europian U-19, që zhvillohet në muajin nëntor në vendin tonë.
Shqipëria është pjesë e grupit 5 së bashku me Ukrainën, Malin e Zi dhe Sllovakinë.
TIRANË, 15 korrik /ATSH/ SPAK kërkon 3 vite burg për ish-kryebashkiakun e Himarës.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka kërkuar dy vite burg për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro.
Ish-kryebashkiaku përfiton nga gjykimi i shkurtuar, pra në rast se dënohet, do vuajë 1 vit e 4 muaj në qeli.
Kjo është pretenca, lidhur me procedimin e dytë penal ndaj tij për shpërdorim detyre dhe tjetërsim prone.
Jorgo Goro akuzohet për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim me ish-drejtorin e Tokës dhe Menaxhimit të Pronës të Bashkisë Himarë, Vasillaq Strakosha gjithashtu i pandehur në këtë dosje. Për Strakoshën, SPAK ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burg (me gjykim të shkurtuar 1 vit).
Çështja është ngritur pas kallëzimit të Fredi Belerit, i cili akuzon Goron se në vitin 2016 ka tjetërsuar një sipërfaqe prej 4,263 metra katrorë tokë duke ia kaluar Arqile Bollanos, i komanduar si pasues në krye të Bashkisë Himarë.
Ndërkohë për një çështje tjetër, Goro u gjet fajtor për shpërdorim detyre dhe mosdeklarim pasurie duke u dënuar me 2 vite e 20 ditë heqje lirie. Gjykata shpalli fajtor për shpërdorim detyre edhe dy ish-zyrtarët Vezir Gjikoka dhe Jerasimo Basho.
Tre të pandehurit në këtë proces u morën nën hetim nga Prokuroria e Posaçme dhe u gjykuan se në shpërdorim të detyrës lejuan tjetërsimin e një sipërfaqe toke dhe kalimin nga pronë shtet te privatët.
TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës së sotme për shtyp dënoi atë që e cilësoi aksion të qeverisë ndaj banorëve të Thethit, “akt shtetëror terrori” dhe një nga veprimet më të rënda në historinë e vendit.
“Dënoj me forcën më të madhe aktet e terrorit shtetëror, krimit shtetëror të kryer ndaj banorëve të Thethit dhe kërkoj ndërprerjen e këtij terrori”, tha Berisha, teksa kërkoi, “dëmshpërblimin e të gjitha banesave të prishura, të premtuara se do legalizohen”.
Sipas tij, “çdo gjë bëhet për të mbuluar funeralin elektoral të 11 majit apo farsën elektorale të 11 majit”.
“Terrori shtetëror, dhuna dhe shkatërrimi i ekonomive të banorëve të Thethit është një nga aktet më të rënda, më të paprecedentë në historinë e një vendi”, tha Berisha.
“Shqiptarët duhet ta dinë se në Theth absolutisht nuk ekziston absolutisht asnjë pëllëmbë tokë e xanun, jo në Theth, po as në veri askund sepse tokën ata e kanë trashëgimi shekullore të paraardhësve të tyre dhe nuk kanë marrë kurrë asnjë pëllëmbë tokë të tjetërkujt apo tokë të askujt. Ka edhe toka të askujt, mera quhen, toka publike”, tha Berisha.
“Kreu një aksion urrejtje të papërmbajtur ndaj njerëzve që kishin shfrytëzuar pronën e vet për të ndërtuar pasi i kishte autorizuar, pasi ai dhe kreu i Bashkisë së Shkodrës, në një seri deklaratash i kishin garantuar se do legalizoheshin dhe do marrin lejet e legalizimit. Pasi u kishte kërkuar që të ftojnë njerëzit e tyre në emigracion të vijnë dhe të investojnë në Theth, Edi Rama u soll ndaj Thethit si një shkatërrimtar”, shtoi Berisha.
Sipas Berishës, qeveria nuk ka investuar në 12 vite në qarqet e veriut.
“Po të heqim Rrugën e Arbrit, e përfunduar më shumë se gjysma gjatë qeverisjes sonë, por në fakt investimet janë të barabarta me ato të një rrethi të vetëm të kategorisë së tretë në zonat e tjera të vendit”, tha Berisha.
TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sot deklarimin fajtor të të pandehurit Gazmir Preçi, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe dënimin e tij me 2 vjet e 4 muaj burgim.
Ish-shefi i Antidrogës në Policinë e Durrësit, Gazmir Preçi u arrestua me urdhër të SPAK dhe kërkesë të AMP, për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike. Ai ka rënë në pranga me urdhër të SPAK, pas një skemë gjobëvënie ndaj një biznesmeni në qytetin bregdetar të Durrësit.
GJKKO njoftoi sot se, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën për dërgimin për gjykim, të të pandehurit Gazmir Preçi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Flojera Davidhi, vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Gazmir Preçi, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe dënimin e tij me 3 vjet e 6 muaj burgim.
Në aplikim të gjykimit të shkurtuar GJKKO vendosi uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Gazmir Preçi me 2 vjet e 4 muaj burgim.
Gjithashtu u vendos heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Gazmir Preçi për 5 vjet.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Gazmir Preçi do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit në flagrancë të tij, datë 15 gusht 2024 dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Gjykata Kushtetuese organizoi sot aktivitetin për prezantimin e Udhërrëfyesit (Guidës) së Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë – Vëllimi II”.
Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, në fjalën e tij në këtë aktivitet deklaroi se, drejtësia e dhënë nga gjykatat do të jetë një kontribut i çmuar në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Gonzato theksoi se është me rëndësi që drejtësia të jetë e dukshme dhe e prekshme për qytetarët.
“Sot nuk është rasti për të rishikuar përparësitë e Reformës në Drejtësi. Megjithatë, dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi për të theksuar vlerën e dialogut. Këto elemente janë kyçe që vendimet e formës së prerë të përmbushin standardet e larta të vendosura nga Gjykata Kushtetuese. Ky është një proces i vazhdueshëm”, tha ai.
Drejtësia, shtoi ambasadori Gonzato, “jo vetëm duhet të jepet, por edhe duhet të duket që po jepet”.
Gonzato nënvizoi faktin se duhet dialog e transparencë e vazhdueshme ndërmjet institucioneve të drejtësisë.
“Vendimet e formës së prerë duhet të përmbushin standardet dhe të rrisin besimin, duke ndërtuar ura mes gjykatave dhe një gjuhë të përbashkët për këto institucione. Drejtësia jo vetëm duhet të jepet, por qytetarët duhet ta shohin, ta kuptojnë e të kenë besim”, tha Gonzato.
Vetëm kështu, theksoi ai, “anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të shihet si një mundësi transformuese”.
Gonzato gjithashtu theksoi se, “Gjykata Kushtetuese ka krijuar një trupë të pasur dhe komplekse jurisprudence që ka mbrojtur të drejtat themelore dhe ka kontribuar në reformën në drejtësi”.
“Për ta kuptuar, këto sfida me të cilat përballen profesionistët nuk kanë të bëjnë vetëm me kuptimin e përmbajtjes së vendimeve, por interpretimin e tyre në kohë dhe zbatimin praktik”, tha ai.
Prandaj, shtoi Gonzato, “vlen ky udhërrëfyes sepse përfaqëson një përgjigje të fortë ndaj këtyre sfidave. Ky udhërrëfyes ofron një bazë praktike njohurish për të nxënit e vazhdueshëm gjyqësor”.
TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Gjykata Kushtetuese organizoi sot aktivitetin për prezantimin e Udhërrëfyesit (Guidës) së Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë – Vëllimi II”.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në fjalën e tij deklaroi se, “publikimi i këtij vëllimi të ri është një hap domethënës për përmirësimin e kulturës juridike në vend”.
“Ai ofron një pasqyrë të qartë dhe të sistemuar të praktikës kushtetuese, duke shërbyer si një mjet i vyer jo vetëm për juristët, akademikët dhe studentët, por edhe për çdo qytetar që dëshiron të njohë më mirë të drejtat dhe liritë e tij”, tha Manja.
Kjo, theksoi Manja, “është dëshmi e përkushtimit institucional për transparencë, edukim juridik dhe forcim të besimit të publikut te drejtësia. Duke e bërë jurisprudencën më të aksesueshme dhe të kuptueshme, ne kontribuojmë drejtpërdrejt në krijimin e një kulture të respektit ndaj Kushtetutës dhe të drejtave themelore të njeriut”.
Në një shtet demokratik, shtoi ministri, “Gjykata Kushtetuese është garant i rendit juridik dhe i parimeve mbi të cilat ngrihet Republika. Përmes vendimmarrjes së saj, ajo mbron ekuilibrin mes pushteteve, siguron kufizimin e ndërhyrjeve arbitrare dhe mbron liritë dhe të drejtat themelore të individit”.
“Ky institucion nuk është thjesht një gjykatë që shqyrton çështje juridike – është mbrojtësi i kontratës sonë shoqërore, i themeleve të demokracisë sonë dhe i stabilitetit të shtetit”, nënvizoi Manja.
Manja theksoi se, Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës, i miratuar në fund të vitit të kaluar, përmban masa të qarta dhe ambicioze për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e transparencës.
Ai synon përmirësimin e sistemit të publikimit të vendimeve, zhvillimin e mjeteve të reja të informimit për publikun dhe profesionistët, rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin efektiv të vendimeve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve dhe shkëmbimeve me gjykatat partnere në Evropë”, u shpreh Manja.
Këto masa, shtoi ai, “nuk janë qëllim në vetvete, por pjesë e një vizioni më të gjerë për të garantuar një drejtësi më të hapur, të përgjegjshme dhe të besueshme për qytetarët”.
Manja nënvizoi se, “për Shqipërinë, procesi i integrimit evropian nuk është thjesht një objektiv politik, por një reformë e thellë shoqërore dhe institucionale. Përafrimi me standardet evropiane të të drejtave të njeriut dhe të shtetit të së drejtës kërkon një sistem drejtësie që është i pavarur, i drejtë dhe efektiv”.
Në këtë proces, shtoi Manja, “Gjykata Kushtetuese ka një rol kyç: të sigurojë që çdo ndryshim ligjor apo institucional të respektojë Kushtetutën dhe vlerat themelore mbi të cilat mbështetet rendi ynë demokratik”.
Manja theksoi se, “Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të mbështesë me të gjitha mjetet institucionale këtë proces. Ne jemi të vendosur të punojmë ngushtësisht me Gjykatën Kushtetuese, me gjykatat e tjera, me shoqërinë civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për të garantuar zbatimin e reformave dhe ndërtimin e një drejtësie që i shërben vërtet qytetarit”.
Kjo, shtoi ai, “nuk është një punë që mund të bëhet vetëm. Kërkon bashkëpunim të ngushtë, mirëbesim dhe dialog të hapur ndërmjet të gjitha institucioneve”.
TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Gjykata Kushtetuese organizoi sot aktivitin për prezantimin e Udhërrëfyesit (Guidës) së Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë – Vëllimi II”.
Kryetarja e Gjykata Kushtetuese, Holta Zaçaj në fjalën e saj u shpreh se, “udhërrëfyesi është shumë më tepër se një botim: është i pari i këtij lloji që organizon në mënyrë sistematike vendimet e Gjykatës, duke përfshirë gjithçka: nga parimet themelore kushtetuese, liritë dhe të drejtat e njeriut, organizmin, funksionimin dhe parimet mbi të cilat ushtrojnë veprimtarinë institucionet shtetërore, në këndvështrim të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke siguruar transparencë e akses në drejtësinë kushtetuese, si dhe duke ofruar një mjet të nevojshëm për të kuptuar evolucionin e saj në Shqipëri”.
“Ky udhërrëfyes është një dëshmi e gjallë e trashëgimisë së drejtësisë kushtetuese të Shqipërisë, e pasqyruar në vendimet kyçe të Gjykatës Kushtetuese. Shumë nga këto vendime janë shtyllat themelore të drejtësisë shqiptare, duke shënuar momente vendimtare në zhvillimin demokratik të vendit çka u jep atyre edhe një rëndësi historike. Ato pasqyrojnë sfidat e vazhdueshme të shoqërisë sonë dhe të reformave të ndërmarra, duke vënë në pah rolin e pazëvendësueshëm të Gjykatës Kushtetuese në mbrojtjen e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe vlerave njerëzore që janë sanksionuar në tekstin e Kushtetutës tonë”, theksoi ajo.
Për herë të parë, shtoi Zaçaj “jurisprudenca e plotë e Gjykatës Kushtetuese bëhet e aksesueshme në një format të strukturuar dhe gjithëpërfshirës, duke mundësuar një kuptim më të mirë dhe një përdorim praktik të parimeve e standardeve kushtetuese”.
Ajo theksoi se, ky dokument shërben si një burim i rëndësishëm reference për disa arsye.
“Për vetë Gjykatën Kushtetuese pasi udhërrëfyesi është konceptuar si një dokument pune, i cili ndihmon dhe lehtëson analizën dhe kërkimin shkencor, ashtu edhe shkrimin e arsyetimin ligjor. Së dyti, për gjykatat e zakonshme – udhërrëfyesi ofron një pikë referimi të qartë në ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore, interpretimin tonë të dispozitave kyçe kushtetuese. Së treti, për prokurorët pasi për shkak të rolit kyç që kanë prokurorët në zbatimin e ligjit, së katërti, për avokatët dhe praktikantet e ligjit”, tha ajo.
Për institucionet ekzekutive, udhërrëfyesi ofron qartësi se si parimet kushtetuese duhet të udhëheqin vendimmarrjen ekzekutive, duke siguruar që politikat dhe veprimet e kësaj dege të pushtetit të reflektojnë angazhimin për sundimin e ligjit dhe të drejtat e qytetarëve. Ndërkohë vuri në dukje ajo, për qytetarët dhe shoqërinë civile udhërrëfyesi bën të aksesueshme dhe të kuptueshme parimet kushtetuese duke u mundësuar qytetarëve të angazhohen më mirë për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Duke diskutuar për ndikimin e thellë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Zaçaj u shpreh se, “është e rëndësishme të theksojmë se këto vendime nuk janë thjesht me vlerë historike, ato vazhdojnë të formësojnë dhe pasurojnë peizazhin aktual ligjor përmes autoritetit të tyre precedencial”.
“Është po aq e rëndësishme të nënvizohet se autoriteti i këtyre vendimeve nuk është teorik. Përpjekjet për të kundërshtuar apo për të vënë në diskutim ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese jo vetëm minojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, por edhe destabilizojnë qeverisjen demokratike”, tha ajo.
Zaçaj shtoi se, “vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese, as opsionale për t`u zbatuar—ato janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet.
Dështimi në ekzekutimin e këtyre vendimeve vë në diskutim vetë Kushtetutën dhe kërcënon integritetin e sundimit të ligjit, i cili kërkon që të gjitha institucionet shtetërore, jo vetëm të respektojnë vendimet e Gjykatës por edhe të veprojnë në shina kushtetuese”.
Kjo, nënvizoi Zaçaj, “ vlen gjithashtu për të mbajtur në vëmendje se kur institucionet përfshirë edhe ato gjyqësore krijojnë konflikte kushtetuese apo veprojnë jashtë kuadrit kushtetues – kjo minon vet legjitimitetin e sistemit ligjor dhe gërryen besimin e publikut”.
Ndaj, shtoi ajo, “Kushtetutshmëria si mënyrë të qeni dhe të sjelluri është pasaporta jonë e vetme në rrugën e integrimit drejt Evropës së bashkuar”.
“Ne jetojmë në një moment historik jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë dhe na duhet të kujtojmë se vetëm demokracia, nuk mjafton. Sundimi i shumicës, edhe kur është i ligjshëm, mund të çojë në ligje që kufizojnë ose shkelin të drejtat themelore. Prandaj, është e domosdoshme që demokracia të jetë kushtetuese, me kufij për pushtetet, respekt të sundimit të ligjit dhe një pushtet gjyqësor të pavarur. Vetëm kështu demokracia nuk është thjesht dhe vetëm një mekanizëm qeverisës por një kulturë lirie, përgjegjshmëria dhe llogaridhënieje”, theksoi Zaçaj.
Megjithatë, shtoi ajo, “edhe vetë Kushtetuta, sado perfekte të jetë, nuk është e mjaftueshme. Është Gjykata Kushtetuese ajo që i jep kuptim, zbatim dhe mbrojtje asaj. Duke interpretuar vlerat mbi të cilat mbështeten dinjiteti njerëzor, barazia, liria dhe drejtësia, ajo siguron që parimet kushtetuese dhe të drejtat themelore të ruhen dhe te garantohen”.
Në këtë këndvështrim, Zaçaj theksoi se, mbetet një sfidë e vazhdueshme që drejtësia të jetë, jo vetëm e drejtë, por mbi të gjitha kushtetuese.
Udhërrëfyesi (Guida) e Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë – Vëllimi II” përmbledh standardet e mbajtura në vendimmarrjen e saj që prej vitit 1992 sa i takon parimeve të së drejtës, ndarjes së pushteteve si dhe të drejtave kushtetuese substanciale.
Si një instrument i rëndësishëm i cili do të shërbejë për një njohje edhe më të mirë të vendimmarrjes dhe drejtësisë kushtetuese, ky vëllim i ri ndjek dhe plotëson udhërrëfyesin e parë të Gjykatës të botuar në vitin 2024, i cili përmban jurisprudencën e periudhës 1998-2023 të Gjykatës me fokus ankimin individual kushtetues.
Vëllimi i dytë i Udhërrëfyesit, në pjesën a parë të tij përmbledh vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me parimet e përgjithshme të të drejtave dhe lirive themelore si dhe vendimmarrjen mbi të drejtat substanciale. Në pjesën e dytë ai paraqet standardet në jurisprudencën e Gjykatës mbi ndarjen e pushteteve si dhe mbi organizimin e funksionimin e organeve kushtetuese ku përfshihen institucionet si Presidenti, Kuvendi, Këshilli i Ministrave, Avokati i Popullit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjykatat e prokuroria si dhe organet e qeverisjes vendore.
Të dy vëllimet e Udhërrëfyesit, përfaqësojnë një përpjekje të rëndësishme për të sistematizuar dhe bërë edhe më të aksesueshme jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, duke synuar rritjen e transparencës, konsistencës dhe forcimin e kulturës kushtetuese në vend, në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së të drejtave e lirive të individit.
Botimi është rezultat i një pune të përbashkët të Gjykatës me ekspertë të shquar të së drejtës kushtetuese dhe mbështetet në një metodologji të qartë hulumtimi dhe sistematizimi.
Ky vëllim u realizua me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, si dhe me kontributin e Fondacionit Konrad Adenauer Stiftung. Ai është i disponueshëm në format botimi të shtypur si dhe në format elektronik të cilin e gjeni në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese paraqet udhërrëfyesin, foto: Florian Abazaj
1 nga 7
Gonzato gjatë paraqitjes së Udhërrëfyesit të Kushtetueses, foto: Florian Abazaj
TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Gjykata Kushtetuese organizoi sot aktivitetin për prezantimin e Udhërrëfyesit (Guidës) së Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë – Vëllimi II”.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet deklaroi se, në tetor të këtij viti do të mbahet një Konferencë Ndërkombëtare me fokus Reformën në Drejtësi.
“Po ndaj me ju një lajm të rëndësishëm, në tetor 2025 në rastin e 7-vjetorit të Komisionit të Venecias dhe të 30-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, përvjetor i shënuar dje më 13 korrik, Kuvendi i Shqipërisë do të organizojë konferencë ndërkombëtare e cila do të fokusohet në Reformën në Drejtësi, Reformën Zgjedhore, dhe Drejtësinë Kushtetuese”, tha Spiropali.
Spiropali u shpreh se, një nga panelet do t’i kushtohet pikërisht sfidave dhe rolit të gjykatave kushtetuese në ruajtjen e rendit demokratik në vendet anëtare të KiE-së”.
Kjo, theksoi kryeparlamentarja, “do të jetë një mundësi për të ndarë përvoja dhe për të ndërtuar një vizion të qartë për të ardhmen e Shqipërisë në Europë dhe më gjerë.
Spiropali shtoi se, Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të mbështesë Reformën në Drejtësi.
Spiropali gjithashtu vlerësoi rolin kyç të Gjykatës Kushtetuese në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe theksoi se, vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm historik.
“Shqipëria po kalon një etapë të rëndësishme në forcimin e institucioneve demokratike, në rrugëtimin drejt anëtarësimit në familjen europiane dhe në rritjen e prestigjit ndërkombëtar. Nga të gjithë ne kërkohet bashkëpunim i ngushtë për të çuar përpara këto procese jetike”, u shpreh ajo.
Duke iu referuar udhërrëfyesit të jurisprudencës, kryeparlamentarja nënvizoi se, ky botim përbën një mjet të rëndësishëm për të kuptuar dhe zbatuar vendimet kushtetuese në praktikën institucionale dhe ligjore të Shqipërisë.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë një kontribut i rëndësishëm në forcimin e shtetit të së drejtës. Ky vëllim vijon punën e nisur me botimin e parë dhe ofron një instrument të vlefshëm për analizën dhe zbatimin e jurisprudencës kushtetuese”, tha Spiropali.
TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me deputetët, ministrat dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste për Tiranën për performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” dhe rrugës drejt BE-së.
Në fjalën e tij, Rama foli edhe për situatën e krijuar në Theth, teksa u shpreh se janë legalizuar rreth 300 ndërtesa pa leje në këtë zonë.
“Ne nuk kemi prerë në besë askënd. Ne kemi shkuar në Theth së bashku me kryetarin e bashkisë dhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe me Agjencinë e Kadastrës dhe qysh se ne kemi shkuar dhe i kemi premtuar legalizimin e të gjithë shtëpive të vjetra në Theth gjë që ishte problemi më kryesor i atyre banorëve autoktonë atje ne e kemi përmbyllur atë proces me rreth 300 legalizime që ata tani disponojnë dhe kanë pronën e tyre në zonën e Thethit”, tha Rama.
“Pra premtimi ynë ka qenë do të legalizojmë pronën e gjyshërve. Premtimi ynë nuk ka qenë, dhe kurrë nuk e kemi bërë këtë në asnjë nivel dhe askush nga përfaqësuesit tanë në asnjë cep të Shqipërisë, na jepni votën ju dhe ndërtoni pa leje”, theksoi Rama.
“Dhe të gjitha këto ndërtime që janë prishur deri në gurin e fundit janë ndërtime të bëra në muajt e fundit, nuk janë ndërtime të kohës kur ne kemi qenë aty. Ka pasur një turravrap të madh në Theth dhe e përsëris, jo vetëm nga disa prej banorëve, por dhe nga individë që s’kanë lidhje fare me Thethin. Që janë ngjitur atje lart për të ndërtuar”, u shpreh kryeministri.
“Ne kemi bërë legalizimet. Kemi bërë planin urbanistik siç e kemi premtuar. Kemi vendosur edhe financimin për të realizuar transformimin e nevojshëm në zonën qendrore të Thethit dhe ajo është një zonë e mbrojtur, ku ndryshe nga çfarë dëgjova që predikohet po ashtu, që medemek po i hapim rrugë oligarkëve tonë. Megjithëse në Shqipëri s’ka asnjë oligark. Aty nuk bëhet fjalë për të lejuar ndërtime dhe për të bërë resorte turistike. Është absolutisht jashtë çdo lloj opsioni”, theksoi kreu i qeverisë.
“Të gjitha teoritë lidhur me këtë operacion janë për të ardhur keq, janë të bazuara në dezinformim. Thethi dhe banorët e tij nuk janë ata që janë shfaqur nëpër ekrane duke bërë zhurma. Kishte dalë dhe një bajraktar tani së fundmi. Ata janë një grusht njerëzish që nuk kanë lidhje fare me të vërtetën e kësaj historie dhe me marrëdhënien tonë me Thethin dhe me banorët e Thethit”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se është bërë edhe Paketa e Maleve për t’ia u lehtësuar banorëve të këtyre zonave për të marrë lejet për ndërtime.
“Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim të gjithë ata njerëz që kanë prona nëpër male me kushtin që t’i drejtohen institucioneve dhe të marrin lejen përkatëse. Madje kemi bërë dhe Paketën e Maleve për t’ia u lehtësuar dhe më shumë, duke pasur parasysh që një pjesë e tyre nuk kanë tituj pronësie sepse në zona të caktuara nuk është njohur 7501”, u shpreh Rama.
TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Në brigjet piktoreske të liqenit të Ohrit, rreth 20 kilometra larg qytetit të Pogradecit, ndodhet fshati Lin, një nga destinacionet më të veçanta që ndërthur bukurinë natyrore me pasurinë historike.
Ky fshat i vogël, i vendosur mbi një gadishull që futet thellë në liqen, ofron një panoramë magjepsëse dhe një trashëgimi kulturore me vlera të jashtëzakonshme.
Një nga thesaret më të çmuara të Linit janë rrënojat e bazilikës paleokristiane, të zbuluara në majën e kodrës që ngrihet mbi fshat.
Zbulimet arkeologjike të realizuara gjatë dekadave të fundit kanë nxjerrë në dritë një kishë të hershme që daton në shekujt V–VI pas Krishtit, e pasur me mozaikë të rrallë, zbukurime gjeometrike dhe simbole kristiane. Mozaikët janë të ruajtur në mënyrë mbresëlënëse, duke dëshmuar për një qendër të rëndësishme shpirtërore dhe kulturore të asaj kohe.
Një bashkëpunim katërvjeçar midis arkeologëve zviceranë dhe atyre shqiptarë përmbylli me sukses fazën e parë 2021-2025, duke cilësuar sitin pranë Linit, në Pogradec, si vendbanimin më të vjetër palafit në Evropë.
Po ashtu, konfirmohet që “Lin 3” mbulon 2000 vite të historisë së vendbanimeve dhe të paktën 10-12 faza apo fshatra të ndryshëm përgjatë hapësirës kohore 6000 – 4000 para Krishtit.
Vizitorët që ngjiten në kodër, jo vetëm që përballen me historinë e lashtë të krishtërimit në rajon, por edhe me një pamje panoramike që të lë pa fjalë: Liqeni i Ohrit shtrihet i kaltër përpara, ndërsa kufiri me Maqedoninë e Veriut është vetëm pak minuta larg në horizont.
Fshati Lin është një atraksion më vete. Rrugicat e ngushta me kalldrëm, shtëpitë karakteristike me oborre të gjelbëruara, mikpritja e banorëve dhe traditat e ruajtura me përkushtim i japin këtij vendi një atmosferë të ngrohtë e autentike.
Shumë vizitorë ndalojnë për të provuar gatimet e zonës ose për të bërë një shëtitje buzë liqenit, aty ku koha duket sikur ndalon.
Lini është një nga ato vende ku natyra dhe historia bashkëjetojnë në harmoni të plotë. Është një udhëtim që të çon njëkohësisht në rrënjët e qytetërimit dhe në thellësitë e qetësisë shpirtërore.
Për këdo që viziton Pogradecin, ndalesa në Lin është jo vetëm një rekomandim, por një përvojë e domosdoshme.
Zbulimet arkeologjike në fshatin Lin Foto: Florjan Abazaj
TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Në Lungomaren e Vlorës një tjetër sipërfaqe plazhi publik i është rikthyer turistëve dhe qytetarëve.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në Lungomaren e Vlorës ndërsa inkurajoi profesionistët të bëhen pjesë e aplikimeve për detyrat e shpalluara vakante nga bashkia e qytetit bregdetar.
“Në Lungomaren e Vlorës një tjetër sipërfaqe plazhi publik i është rikthyer turistëve dhe qytetarëve, ndërkohë që i inkurajoj të gjithë profesionistët e Vlorës të aplikojnë për t’u bërë pjesë e kësaj përpjekjeje, duke u përfshirë në intervistat e punës”, shkroi Rama.
Bashkia e Vlorës njoftoi sot se gjatë një kontrolli në zonën e Lungomares, u konstatuan parregullsi dhe në orët e para të mëngjesit, Policia dhe strukturat bashkiake ndërhynë dhe hoqën 40 çadra dhe 80 shezlongë të vendosura në mënyrë të paligjshme.
Hapësira prej rreth 500 metra katrorë do të kthehet tashmë në plazh publik, në shërbim të pushuesve.
Ndërkaq, pas dorëheqjeve të drejtorave të drejtorive, Bashkia Vlorë ka shpallur vakancat për të gjithë ata që besojnë se kanë përvojën, gatishmërinë dhe përgjegjshmërinë e duhur për të kontribuar dhe për t’i shërbyer zhvillimit të qytetit, në të gjitha nivelet.
Në Vlorë sikundër edhe në bashki të tjera të vendit ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike në mbrojtje të komunitetit.
TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Ish-ambasadori i Gjermanisë, Werner Daum ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare.
Ai është gjetur i pajetë në një hotel në Durrës.
Ish-diplomati ndodhej për një vizitë në Shqipëri, dhe dy ditë më parë, mori pjesë së bashku me Sali Berishën në inaugurimin e shtatores së dëshmorit të demokracisë, Josif Budo në Kavajë.
Werner Daum shërbeu si ambasador në Shqipëri nga viti 1987 deri në vitin 1990, pikërisht në kohën kur nisi lëvizja kundër regjimit komunist.
Ai hapi dyert e ambasadës gjermane për shqiptarët, duke dalë kundër udhëzimeve të qeverisë së tij.
Në një intervistë të dhënë më vonë, ai pranoi se bëri këtë gjë qëllimisht, duke e ditur se eksodi masiv i shqiptarëve do sillte edhe rrëzimin e regjimit komunist.
Ish-ambasadori Daum mbërriti në Shqipëri pak ditë më parë për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së Josif Budos në Kavajë, ku ishte i pranishëm edhe kreu i PD, Sali Berisha.
Daum u nderua me një Certifikatë Mirënjohjeje nga kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, për kontributin e tij në momentet historike të vitit 1990. /j.p/
TIRANË, 12 korrik /ATSH/ “KF Tirana” ka zyrtarizuar blerjen e mbrojtësit të majtë Georgios Valerianos.
Valerianos ka një karrierë solide në elitën e futbollit grek dhe përvoja ndërkombëtare.
Sipas klubit, Valerianos vjen për të shtuar forcë, përvojë dhe karakter në repartin difensiv të skuadrës.
“Zyrtare: Georgios Valerianos është bardheblu! KF Tirana mirëpret mbrojtësin e majtë Georgios Valerianos, i cili i bashkohet skuadrës sonë për sezonin e ri! Me një karrierë solide në elitën e futbollit grek dhe përvoja ndërkombëtare, Valerianos vjen për të shtuar forcë, përvojë dhe karakter në repartin difensiv të skuadrës sonë. Mirë se erdhe Georgios! Bardheblutë janë shtëpia jote e re”, shkruan klubi bardheblu.
TIRANË, 12 korrik /ATSH/Lumi Buna tashmë rrjedh i lirë në shtratin e tij, pas 50 vitesh me përfundimin e fazës së dytë të ndërhyrjes për pastrimin e shtratit pranë zonës së Dajlanit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lumi Buna ku ka përfunduar pastrimi në zonën e Dajlanit në Shkodër.
“Lumi Buna pas shumë vitesh rrjedh i lirë në shtratin e vet, pas mbylljes me sukses të fazës së dytë të ndërhyrjes për pastrimin e çlirimin e shumëpritur të zonës së Dajlanit në Shkodër”, shprehet Rama.
Edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, më herët e cilësoi këtë si një operacion të rëndësishëm ku pas 50 vitesh, lumi Buna rrjedh i lirë në shtratin e vet dhe i hap rrugë një epoke të re për këtë pasuri natyrore.
Ai ka falënderuar të gjitha strukturat që kontribuan që nga momenti i parë në këtë ndërhyrje, dhe veçanërisht ndaj Forcave të Armatosura nën kujdesin e Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Sipas kryebashkiakut të Shkodrës, ekipet e punës në terren punuan me profesionalizëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, të udhëhequr nga nënkolonel Shkumbin Gjana, nënkolonel Egert Kuka dhe të mbështetur nga kolonel Shkëlzen Mhillaj, drejtues i operacionit, të cilët bënë të mundur çmontimin e plotë të strukturës metalike (dajlanit) në lumin Buna.
Beci ka nënvizuar se “ky operacion nuk është vetëm një arritje teknike, por një hap i madh drejt mbrojtjes së mjedisit dhe rikthimit të lirisë natyrore të lumit Buna një aset i çmuar për qytetin dhe gjithë rajonin”.
Sipas bashkisë së Shkodrës, në fazën e parë të ndërhyrjes për pastrimin e shtratit të lumit Buna janë hequr rrjetat dhe pinarët, ndërsa në fazën e dytë pjesët metalike që kanë pasur nevojë për ndërhyrje më të specializuar.
TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Në skajin juglindor të Shqipërisë, vetëm pak minuta larg qytetit të Pogradecit, ndodhet një nga perlat më të çmuara të turizmit natyror: Parku i Drilonit.
Ky vend i rrallë është kthyer prej vitesh në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj, falë gjelbërimit të dendur, burimeve të kristalta dhe faunës së pasur ujore.
Sapo hyn në park, ndjen menjëherë qetësinë që mbizotëron. Rrugicat e shtruara me gurë kalojnë nën hijen e plepave shumëvjeçarë, ndërsa zhurma e lehtë e gjetheve që përplasen nga era krijon një atmosferë të veçantë çlodhjeje.
Burimet natyrore të Drilonit, të cilat furnizojnë direkt liqenin e Pogradecit, përshkojnë parkun përmes kanaleve të qeta ku notojnë shpendët dhe mjellmat e bardha.
Turistët ndalen shpesh për të fotografuar këtë bukuri natyrore, ndërsa fëmijët ndjekin me sy zogjtë që lëvizin lirshëm mbi ujë.
Prania e kafeneve tradicionale buzë kanaleve të liqenit e bën përvojën edhe më të këndshme për vizitorët që duan të shijojnë një pije nën freskinë e pemëve dhe zërat e natyrës.
Driloni është një destinacion që çdo vit tërheq mijëra vizitorë që kërkojnë pak qetësi, bukuri dhe frymëzim. Për ata që duan të largohen për pak nga zhurma e qyteteve, Driloni mbetet një zgjedhje ideale për relaks dhe kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën e paprekur të Shqipërisë juglindore.
Pranë Drilonit është edhe fshati Tushemisht me “Zonjën nga qyteti”, i cili së bashku me Parkun natyror të Drilonit janë shndërruar në një pol të ri ekoturistik jo vetëm për Pogradecin, por edhe për Korçën.
Driloni apo Voloreka siç e quajnë pogradecarët, vetëm 6 km larg Pogradecit, është një nga mrekullitë natyrore dhe një nga atraksionet më të bukura në vendin tonë, ku investimet e realizuara me ndërtimin e rreth 4 mijë metra rrugica për këmbësorët që kanë zgjeruar sipërfaqen e parkut, kanë nxjerr më në pah potencialin turistik të kësaj zone.
Driloni është një burim karstik që përbëhet nga tri vija uji që rrjedhin për t’u derdhur disa dhjetëra metra më tej, në bregun juglindor të liqenit. Njëri prej tyre, ai më kryesori, krijon një basen të madh ujor, ku mund të shëtitësh, vozitësh me varkë, të shijosh bukuritë e florës dhe faunës së pasur.
Rrugicat e ndërtuara lidhin të gjithë sipërfaqen nga burimet e Drilonit në fshatin Gurras, deri në shëtitoren përgjatë liqenit të Ohrit.
Sipërfaqja ku shtrihet shëtitorja e Tushemishtit dhe Parku i Drilonit është shumëfishuar në 150 hektarë, e gjitha në funksion të turizmit, me 13 ura të reja, shëtitore, korsi biçikletash, 8 mijë pemë të mbjella, 5 km gjatësi e lundrueshme me varkë.
TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Hartimi i planit të bashkëpunimit strategjik Shqipëri–Kosovë 2025–2028 u diskutua në Tiranë, mes përfaqësuesve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se, ky nuk është thjesht një bashkëpunim teknik, është një marrëdhënie vëllazërore që forcohet çdo ditë, me besim, respekt dhe vizion të përbashkët për sigurinë e vendeve tona dhe të gjithë rajonit.
“FSK ka bërë hapa të mëdhenj përpara në transformimin dhe modernizimin e saj dhe Shqipëria do të vijojë ta mbështesë me të gjitha mundësitë, në çdo fushë ku ka nevojë: nga arsimimi dhe stërvitja, te shkëmbimi i eksperiencave dhe ndërtimi i kapaciteteve”, thekson MM.
MM shprehu vendosmërinë për ta çuar edhe më tej këtë bashkëpunim.
TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Akademia e Forcave të Armatosura ka hapur aplikimet për vitin akademik 2025–2026.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu shprehet në një postim në rrjetet sociale se kjo nuk është vetëm karrierë ushtarake, por edhe formim profesional në disa drejtime të rëndësishme.
Duke e cilësuar si një dritare për një të ardhme me uniformë dhe karrierë, Vengu fton të rinjtë që të bashkohen me të rinjtë dhe të rejat që zgjedhin sfidën, disiplinën dhe dinjitetin, dhe të zgjedhin Akademinë që formon liderët e së ardhmes.
Aplikimi realizohet vetëm online përmes portalit zyrtar www.ualbania.al.
TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Qeveria ka miratuar vendimin për rikonstruksionin e hidrovorit e Vlorës.
Ky projekt do të minimizojë rrezikun e përmbytjeve dhe do të forcojë mbrojtjen e qytetit ndaj reshjeve intensive.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu e cilësoi këtë vendim në një postim në rrjetet sociale si një lajm të rëndësishëm për Vlorën që nxit rritjen e kapaciteteve për një qytet turistik gjithëvjetor falë përmirësimit të standarteve të infrastrukturës.
Projekti që do të financohet nga buxheti i shtetit, në kuadër të programit “Menaxhimi i Infrastrukturës së Kullimit dhe Ujitjes”, me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural parashikon rikonstruksion të plotë të hidrovorit për të rritur në mënyrë të ndjeshme rritjen e kapacitetit për largimin e ujrave.
Vengu theksoi se ky është një investim për sigurinë, jetën dhe të ardhmen e qytetarëve të Vlorës.