Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 July 2025Main stream

FINANCE – Bitcoin vazhdon të rritet në nivel rekord, tejkalon 123 mijë dollarë

NJU JORK, 14 korrik /ATSH-AA/ – Bitcoin ka vazhduar me rritjen e tij, duke arritur një rekord të ri prej 123.000 dollarësh mëngjesin e sotëm.

Kriptomonedha është rritur për pesë ditë, duke arritur nivele historike gjatë javës së fundit.

Çmimi aktual i kriptomonedhës më të madhe është rreth 122.200 dollarë, duke u rritur me 4,2 për qind nga dita në ditë.

Sipas të dhënave nga firma e analizave Coinmarketcap, vlera e tregut global të kriptomonedhave, përfshirë Bitcoin, u rrit me afërsisht 3,5 për qind në 24 orët e fundit, duke arritur në 3,8 trilionë dollarë.

Çmimi i Bitcoin, kriptomonedha më e madhe sipas kapitalizimit të tregut, është rritur me gati 27 për qind që nga fillimi i këtij viti.

Çmimi i Ethereum, kriptomonedha e dytë më e madhe sipas kapitalizimit të tregut, fitoi rreth 2,7 për qind në vlerë, duke u rritur në 3.045 dollarë.  /os/

The post FINANCE – Bitcoin vazhdon të rritet në nivel rekord, tejkalon 123 mijë dollarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj ajrit të kondicionuar mund të shkaktojë infeksion

ANKARA, 14 korrik /ATSH-AA/ – Kryetari i Departamentit të Sëmundjeve Infektive dhe Mikrobiologjisë Klinike të Fakultetit të Mjekësisë pranë Universitetit të Ankarasë (AU), prof. dr. Serhat Birengel thotë se bakteret legionella të transmetuara përmes kondicionerëve mund të shkaktojnë pneumoni.

Birengel në një deklaratë për Anadolu foli për problemet shëndetësore që mund të lindin për shkak të ekspozimit ndaj ajrit të kondicionuar dhe rritjes së sëmundjeve infektive gjatë muajve të verës.

Duke tërhequr vëmendjen te përdorimi në rritje të kondicionerëve gjatë muajve të verës, Birengel tha se kalimet e papritura nga i nxehti në të ftohtë mund të ndikojnë negativisht në sistemin imunitar.

“Përderisa temperaturat rriten për shkak stinës, si konsumi i lëngjeve ashtu edhe përdorimi i kondicionerëve mund të shkaktojnë dobësi të trupit për shkak të dallimeve midis të nxehtit dhe ftohtit. Bakteret legionella të transmetuara përmes kondicionerëve mund të shkaktojnë pneumoni. Ndërsa trupi dobësohet, bëhet më e lehtë që viruset e tjera të frymëmarrjes të bëjnë vend”, paralajmëroi ai duke shtuar se nuk duhet qëndruar përballë kondicionerit veçanërisht kur njeriu djersitet.

– “Temperatura ideale për ajër të kondicionuar në mjediset e punës është 18-21 gradë”

Mjeku turk foli edhe për përdorimin e kondicionerit në mjediset e punës. “Temperatura ideale për ajër të kondicionuar në mjediset e punës është 18-21 gradë. Nëse uleni afër ajrit të kondicionuar, ndryshimet e papritura të temperaturës mund të shkaktojnë edemë të mukozës së sinuseve dhe sinusitit tek ata me alergji. Kjo vlen edhe për kondicionerët e automjeteve; është e dobishme të mbroheni nga ndryshimet e papritura të temperaturës”, tha ai.

Ai dha informacion rreth shkaqeve kryesore të infeksioneve të verës. “Konsumimi i pijeve të ftohta në veçanti mund të ketë efekte negative në sistemin gastrointestinal, ndërsa pijet e përgatitura në mjedise johigjienike ose pirja e ujit nga burime të papaketuara mund të shkaktojnë infeksione të zorrëve”, u shpreh Birengel.   /os/

The post FOKUS – Ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj ajrit të kondicionuar mund të shkaktojë infeksion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HAPESIRE – Shkencëtarët zbulojnë bashkim rekord të vrimave të zeza 10 miliardë vite dritë larg

VIRXHINIA, 14 korrik /ATSH-AA/ – Shkencëtarët kanë zbuluar bashkimin më masiv të vrimave të zeza të vëzhguara ndonjëherë, pas një përplasjeje midis dy vrimave të zeza gjigante mbi 10 miliardë vite dritë larg Tokës, njoftuan studiuesit.HKENCA,

Sipas të dhënave nga Observatori i Valëve Gravitacionale me Interferometër Lazer (LIGO) me bazë në SHB, çdo vrimë e zezë ishte më shumë se 100 herë më e madhe se masa e diellit dhe u spiralizua në njëra-tjetrën përpara se të bashkohej në një vrimë të re të zezë që vlerësohet të jetë rreth 265 herë më e madhe se masa e diellit tonë.

“Këto janë ngjarjet më të dhunshme që mund të vëzhgojmë në univers, por kur sinjalet arrijnë në Tokë, ato janë fenomenet më të dobëta që mund të matim”, tha Profesor Mark Hannam për The Guardian.

“Në kohën kur këto valëzime shfaqen në Tokë, ato janë të vogla”, shtoi ai, duke iu referuar teorive se dy vrimat e zeza mund të jenë formuar nga bashkimet e mëparshme.

Në këtë rast, bashkimi rekord i vrimave të zeza ka sfiduar teoritë aktuale se si formohen objekte të tilla masive, me detektorë të bazuar në Tokë që kapin valëzime të zbehta hapësirë-kohë më të vogla se një proton. Vrima e re e zezë po rrotullohet gjithashtu pothuajse në limitin teorik rreth 400.000 herë më shpejt se Toka.

“Këto janë masat më të larta të vrimave të zeza që kemi matur me besim me valë gravitacionale,” tha Hannam, një anëtar i bashkëpunimit LIGO.

“Dhe ato janë të çuditshme, sepse ato janë të përplasura në diapazonin e masave ku, për shkak të të gjitha llojeve të gjërave të çuditshme që ndodhin, ne nuk presim që të formohen vrima të zeza”, tha ai.

Fizikantët e LIGO-së besojnë se vrimat e zeza ka të ngjarë të jenë formuar nga bashkimet e mëparshme, duke shpjeguar madhësinë e tyre masive dhe rrotullimin e shpejtë. “Ky është shembulli më ekstrem ku kjo është ndoshta ajo që po ndodh”, tha Hannam.

“Detektorët që kemi planifikuar për 10 deri në 15 vitet e ardhshme do të jenë në gjendje të shohin të gjitha bashkimet e vrimave të zeza në univers, dhe ndoshta disa surpriza që nuk i presim”, tha ai.   /os/

The post HAPESIRE – Shkencëtarët zbulojnë bashkim rekord të vrimave të zeza 10 miliardë vite dritë larg appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – Mbi 80 palestinezë të vrarë në sulmet ajrore izraelite

GAZA, 14 korrik /ATSH-AA/ – Të paktën 82 palestinezë, përfshirë fëmijë dhe njerëz që mbushnin ujë, u vranë të dielën në një seri sulmesh ajrore izraelite që synonin zonat e banimit dhe tendat e personave të zhvendosur në të gjithë Rripin e Gazës.

Në sulmin e fundit, gjashtë palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga disa sulme izraelite në lagjet Zeitoun dhe Al-Tuffah të Qytetit të Gazës, thanë mjekët.

Pesë persona u vranë gjithashtu dhe 25 të tjerë u plagosën nga sulmet izraelite në tendat që strehonin palestinezët e zhvendosur në qytetin verior të Gazës dhe qytetin jugor të Khan Younis.

Bombat izraelite shënjestruan gjithashtu një tubim civilësh në Qytetin e Gazës, duke vrarë 11 persona, përfshirë një fëmijë dhe një mjek. Mbi 50 të tjerë u plagosën, thanë zyrtarët lokalë të shëndetësisë.

Në veri të Rripit të Gazës, gjashtë palestinezë u vranë dhe të tjerë u plagosën pasi një aeroplan luftarak izraelit bombardoi një shtëpi në kampin e refugjatëve Shati në perëndim të Qytetit të Gazës.

Pesë të tjerë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm ajror të veçantë që goditi një shtëpi në Rrugën Hamid në perëndim të qytetit të Gazës.

Tre palestinezë të tjerë u vranë dhe katër të tjerë u plagosën kur një sulm ajror izraelit shënjestroi një tendë që strehonte njerëz të zhvendosur në veri të qytetit të Gazës.

Në lagjen Al-Sabra të qytetit të Gazës, një vajzë e re dhe një person tjetër u vranë, dhe disa persona u plagosën kur forcat izraelite bombarduan një shtëpi familjare pranë Xhamisë së Kompleksit Islam.

Bëhet e ditur se mbi 80 palestinezë u vranë nga sulmet ajrore izraelite përfshirë 10 duke mbushur ujë.   /os/

The post GAZA – Mbi 80 palestinezë të vrarë në sulmet ajrore izraelite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Trump: SHBA është grabitur për dekada, nga miqtë dhe armiqtë!

UASHINGTON, 14 korrik /ATSH-ANSA/ – Presidenti amerikan Donald Trump shkroi në rrjetin e tij social Truth se ”bota ka përfituar nga Shtetet e Bashkuara për një kohë shumë të gjatë”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë grabitur në tregti dhe ushtri, nga miqtë dhe armiqtë njësoj, për dekada të tëra”, shkroi ai.

”Kjo ka kushtuar triliona dollarë dhe situata nuk është më e qëndrueshme – dhe kurrë nuk ka qenë! Vendet duhet të ndalen dhe të thonë: ‘Faleminderit për shumë vitet e lirisë, por ne e dimë që tani duhet të bëni atë që është e drejtë për Amerikën’, shkroi Trump.

”MNdërkohë ne duhet t’u përgjigjemi duke thënë: Faleminderit që e kuptuat situatën në të cilën ndodhemi. Shumë e vlerësuar!”, shkroi ai. /os/

The post UASHINGTON – Trump: SHBA është grabitur për dekada, nga miqtë dhe armiqtë! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

TENIS – Swiatek mposht Anisimovën duke fituar titullin e parë në Wimbledon

LONDER, 12 korrik /ATSH-DPA/ – Tenistja polake, Iga Swiatek, fitoi titullin e saj të parë në Wimbledon për femra, duke mposhtur amerikanen, e renditur e 13-ta, Amanda Anisimova, me rezultatin 6-0, 6-0 në finale.

Ajo që duhet të kishte qenë kulmi i karrierës së saj u shndërrua në një makth për 23-vjeçaren Anisimova, por kjo shënon rikthimin e Swiatek në majë.

Ajo gjithashtu bëhet femra e parë polake që fitoi një titull të Wimbledon në njëshe në epokën e Hapur, 13 vjet pasi bashkëkombësja e saj Agnieszka Radwanska humbi ndaj Serena Williams në finale.   /os/

The post TENIS – Swiatek mposht Anisimovën duke fituar titullin e parë në Wimbledon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Von der Leyen: BE dëshiron të gjejë një zgjidhje miqësore për mosmarrëveshjen tregtare me SHBA

BRKSEL, 12 korrik /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian dëshiron të gjejë një zgjidhje miqësore për mosmarrëveshjen tregtare me Shtetet e Bashkuara, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, pasi mori lajmin për vendosjen e planifikuar të tarifave prej 30% për eksportet drejt SHBA-së.

Në një deklaratë, von der Leyen tha se Komisioni Evropian kishte marrë shënim letrën e presidentit të SHBA-së Donald Trump që detajonte normën e re të tarifave që do të vendoset duke filluar nga 1 gushti.

Ajo tha se Komisioni mbetet i përkushtuar për të punuar për të arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara para afatit.

“Vendosja e tarifave prej 30% për eksportet e BE-së do të prishte zinxhirët thelbësorë të furnizimit transatlantik, në dëm të bizneseve, konsumatorëve dhe pacientëve në të dy anët e Atlantikut”, theksoi von der Leyen.

Ajo gjithashtu theksoi se pak vende në botë janë aq të hapura dhe të përkushtuara ndaj praktikave të tregtisë së lirë sa BE-ja.

Megjithatë, ajo përsëriti se Bashkimi Evropian do të vendoste kundërmasa nëse Uashingtoni do të ngurronte të negocionte, duke filluar me tarifa speciale për importet e SHBA-së në BE. /os/

The post BRUKSEL – Von der Leyen: BE dëshiron të gjejë një zgjidhje miqësore për mosmarrëveshjen tregtare me SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – E njëjta ditë, e njëjta ëndërr: diplomohen… nënë e bijë!

PIZA, 12 korrik /ATSH-ANSA/ – Një nënë dhe vajza e saj, kanë arritur të diplomohen në të njëjtën ditë në Universitetin e Pizës, Itali, ku të dyja u diplomuan me nota dhe nderime maksimale.

Të sapodiplomuarat ishin Marica Rossi, 57 vjeçe, dhe Marta Manzi, 22 vjeçe.

Nëna, një sipërmarrëse turizmi dhe këshilltare bashkiake në Montopoli, u diplomua me një diplomë në ”Letërsi Evropiane për Botime dhe Prodhim Kulturor”, duke përfunduar kështu një studim që e kishte ndërprerë rreth 20 vjet më parë ndërsa kishte mbetur shtatzënë.

Vajza mbrojti tezën e saj në pasdite, në artet interpretuese.

“Ishte një ditë e bukur … një festë e vërtetë. Jemi të gjithë vërtet të emocionuar. Jam e lumtur për Martën dhe jam krenare edhe për veten time. Po mbaroj një kurs studimi këtu, të cilin e kisha ndërprerë për punë dhe më pas për shtatzëni. Tani shpresoj të jem edhe një shembull dhe frymëzim për gratë dhe burrat që, për arsye të ndryshme, u detyruan të ndërprisnin studimet e tyre si djem ose vajza”, thekson zonja Rossi.

”Nuk është kurrë vonë”, thekson ajo.

“Jam shumë e lumtur. Diplomimi në të njëjtën ditë me nënën time është një kthesë e mrekullueshme e fatit; nuk ishte planifikuar. Ajo ishte e shqetësuar se diploma e saj do ta errësonte pak timen, por për mua, është thjesht një gëzim i dyfishtë. Për mua dhe për historinë e familjes sime, për gjyshen time, e cila është një grua shumë inteligjente, por që nuk pati mundësinë të studionte edhe pse me siguri do të kishte qenë e aftë”, thekson vajza e saj Marta./   /os/

The post SOFT NEWS – E njëjta ditë, e njëjta ëndërr: diplomohen… nënë e bijë! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Evropianët thellësisht të shqetësuar nga represioni në Gjeorgji

BERLIN, 12 korrik /ATSH-AFP/ – Shtatëmbëdhjetë vende evropiane dhe Bashkimi Evropian shprehën “shqetësimin dhe alarmin e tyre të thellë për përkeqësimin e situatës në Gjeorgji”, ku po shpërthen një valë represioni kundër kundërshtarëve, në një deklaratë të përbashkët, të lëshuar sot.

“Ne nuk do të hezitojmë të përdorim gamën e plotë të mjeteve unilaterale dhe shumëpalëshe në dispozicionin tonë nëse autoritetet gjeorgjiane vazhdojnë të marrin masa që minojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Gjeorgji”, paralajmëruan këto vende, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Të paktën pesë figura të opozitës gjeorgjiane janë dënuar javët e fundit për refuzimin për të dëshmuar para një komisioni parlamentar që heton abuzimet e mundshme të kryera gjatë mbretërimit të presidentit Mikheil Saakashvili (2004-2013), i cili vetë është burgosur që nga viti 2021.

Nënshkruesit e kësaj deklarate janë ministrat e Jashtëm të Belgjikës, Republikës Çeke, Danimarkës, Estonisë, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Islandës, Irlandës, Letonisë, Lituanisë, Holandës, Norvegjisë, Polonisë, Spanjës, Suedisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian.

Sipas tyre, këto dënime janë “të motivuara politikisht (…) qëllimi i qartë i të cilave është të shtypin opozitën politike në Gjeorgji vetëm disa muaj para zgjedhjeve lokale”.

Ky represion “kontribuon në çmontimin e demokracisë në Gjeorgji dhe transformimin e saj të shpejtë në një regjim autoritar”, denoncojnë ata, duke vënë në dukje se tashmë “ka rezultuar në një përkeqësim të ndjeshëm të marrëdhënieve tona, duke përfshirë një ulje të ndihmës për Gjeorgjinë dhe bashkëpunimin me autoritetet gjeorgjiane”.

Për evropianët, “nuk është tepër vonë për të ndryshuar kursin”.

Për këtë qëllim, autoritetet gjeorgjiane duhet “të lirojnë menjëherë politikanët, gazetarët dhe aktivistët e ndaluar padrejtësisht, të përmbysin legjislacionin e tyre represiv dhe të fillojnë një dialog kombëtar”.

Gjeorgjia ka përjetuar një krizë politike që nga fitorja e partisë “Ëndrra gjeorgjiane”, në zgjedhjet parlamentare të tetorit 2024, e cila u refuzua nga opozita, e cila e konsideroi votimin të manipuluar.

Në fund të nëntorit 2024, qeveria njoftoi se po pezullonte procesin e pranimit në Bashkimin Evropian, duke shkaktuar demonstrata të mëdha të opozitës që u shtypën me dhunë nga autoritetet, me kërcënime dhe arrestime të aktivistëve dhe demonstruesve./ /os/

The post KOMENT – Evropianët thellësisht të shqetësuar nga represioni në Gjeorgji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Erdogan përshëndet çarmatimin e PKK-së, por hapat e mëtejshëm të paqartë

STAMBOLL, 12 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti turk, Recep Tajip Erdogan përshëndeti sot çarmatimin simbolik të luftëtarëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) si një “faqe të re” për Turqinë, por pa ndonjë reformë konkrete apo masë amnistie.

“Dje, plaga 47-vjeçare e terrorit, me vullnetin e Zotit, ka hyrë në procesin e përfundimit”, u tha Erdogan anëtarëve të partisë së tij në pushtet, AKP, në Ankara.

“Sot është një ditë e re, dyert e një Turqie të madhe dhe të fuqishme janë hapur gjerësisht”, theksoi ai.

Të premten, 30 militantë të PKK-së dogjën pushkë dhe mitralozë në Irakun verior, duke shpallur fundin e luftës së armatosur në përputhje me thirrjet e udhëheqësit të burgosur të PKK-së, Abdullah Ocalan, në Turqi.

Zyrtarët turq e përshkruan ngjarjen si një moment historik, megjithëse mijëra luftëtarë mbeten nën armë.

Erdogan pranoi “gabimet” e shtetit të kaluar dhe aktet “e paligjshme” siç janë zhvendosjet me forcë, djegiet e fshatrave dhe ndalimet e gjuhës kurde.

Megjithatë, ai ia kaloi përgjegjësinë parlamentit, duke njoftuar një komision me AKP-në e tij, aleatin nacionalist MHP dhe Partinë pro kurde DEM për të përcaktuar hapat e ardhshëm në procesin e paqes.

Fusha e veprimit dhe mandati i komisionit mbeten të paqarta.

Ndërsa Erdogan bëri thirrje për dialog, kritikët theksojnë se disa kryetarë bashkie të DEM janë shkarkuar nga postet e tyre për lidhje të dyshuara me terrorizmin dhe politikanë kryesorë kurdë, përfshirë ish-kandidatin presidencial Selahattin Demirtas, mbeten pas hekurave./ /os/

The post TURQI – Erdogan përshëndet çarmatimin e PKK-së, por hapat e mëtejshëm të paqartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: BE dhe Meksika nga 1 gushti tarifa prej 30% për mallrat e tyre drejt SHBA-së

UASHNGTON, 12 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se Bashkimi Evropian dhe Meksika do të përballen me një tarifë prej 30% për importet në SHBA që nga 1 gushti.

Ai paralajmëroi se do të vendoste taksa edhe më të larta mbi importet nëse ndonjëri prej partnerëve tregtarë të SHBA-së do të vendoste të hakmerrej.

Trump ka publikuar në rrjetin e tij social Truth në një imazh të letrës së tij që i ka dërguar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbi vendimin.

Në letër, Trump u ankua për deficitin tregtar “afatgjatë, të madh dhe të vazhdueshëm” që Shtetet e Bashkuara kanë me BE-në, duke akuzuar bllokun prej 27 vendesh për politika dhe barriera tregtare të padrejta.

Trump shkroi se administrata e tij do të eliminonte normën e lartë të tarifës nëse “Bashkimi Evropian, ose vendet brenda tij, vendosin të ndërtojnë ose prodhojnë në Shtetet e Bashkuara”.

Këtë javë, Trump u dërgoi një mori letrash udhëheqësve të huaj duke i informuar ata për tarifat e reja të larta që ai synon të vendosë për produktet e tyre duke filluar nga 1 gushti. /os/

The post SHBA – Trump: BE dhe Meksika nga 1 gushti tarifa prej 30% për mallrat e tyre drejt SHBA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky njofton rifillimin e dërgesave të armëve nga SHBA

KIEV, 12 korrik /ATSH-AA/ – Presidenti Volodymyr Zelenskyy njoftoi të premten se SHBA-ja ka rifilluar dërgesat e ndihmës ushtarake drejt Ukrainës.

“Kemi marrë sinjale politike në nivelin më të lartë – sinjale të mira – përfshirë nga Shtetet e Bashkuara dhe nga miqtë tanë evropianë. Sipas të gjitha raportimeve, dërgesat e ndihmës janë rikthyer”, tha ai në Telegram.

Zyrtarët ushtarakë ukrainas do të takohen javën e ardhshme me të dërguarin special të SHBA-së, Keith Kellogg, tha Zelenskyy.

“Ne do të vazhdojmë punën tonë javën e ardhshme me palën amerikane në nivel ushtarak. Ushtria jonë do të punojë me gjeneralin Kellogg. Ne gjithashtu po përgatisim paketa të reja evropiane të mbrojtjes”, tha ai.

Ndërkohë, mediat ukrainase raportuan se Kellogg pritet të mbërrijë të hënën në Kiev për një vizitë njëjavore. /os/

The post KIEV – Zelensky njofton rifillimin e dërgesave të armëve nga SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – Të paktën 66 të vrarë prej sulmeve ajrore izraelite

GAZA, 12 korrik /ATSH-AA/ – Të paktën 66 palestinezë, përfshirë 27 kërkues ndihmash, u vranë sot në sulmet ajrore izraelite që goditën lokacione të shumta në gjithë Rripin e Gazës, thanë burime mjekësore dhe lokale.

Një sulm ajror në rrugën Jamal Abdel Nasser, përballë Universitetit Islamik në perëndim të Qytetit të Gazës, vrau një nënë dhe tre fëmijët e saj.

Në lagjen lindore Al-Tuffah të qytetit, katër gra u vranë dhe dhjetë civilë të tjerë u plagosën kur një raketë izraelite goditi një shtëpi pranë Shkollës “Yaffa”.

Tre anëtarë të së njëjtës familje u vranë në lagjen Sheikh Radwan të Qytetit të Gazës pasi një sulm ajror shënjestroi një apartament banimi.

Dy palestinezë të tjerë u vranë në një sulm tjetër në një shtëpi në lagjen Al-Rimal të Qytetit të Gazës.

– Gaza qendrore

Në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, një fëmijë u vra dhe të tjerë u plagosën kur një shtëpi pranë Shkollës “Al-Hassaina” në perëndim të kampit të refugjatëve Nuseirat u bombardua.

Burime lokale thanë se një dron izraelit goditi gjithashtu një tendë që strehonte familje të zhvendosura në zonën Al-Mansura të Deir al-Balahut, duke vrarë shtatë palestinezë, përfshirë katër nga e njëjta familje.

Dy gra u vranë gjithashtu kur një sulm ajror izraelit goditi një apartament në pjesën lindore të qytetit.

Pranë Spitalit Al-Aqsa në Deir al-Balah, tre palestinezë u vranë kur një tendë që strehonte persona të zhvendosur u vu në shënjestër.

– Gaza jugore

Në Khan Younis, 11 palestinezë, përfshirë fëmijë dhe një grua, u vranë kur avionët luftarakë izraelitë bombarduan tendat që strehonin familje të zhvendosura pranë Spitalit Kuvajtian në zonën Al-Mawasi.

Veçmas, ekipet e shpëtimit gjetën trupat e dy viktimave të tjera nga lagjja Sheikh Nasser në Khan Younis.

– Kërkues ndihmash humanitare

Të paktën 27 palestinezë u vranë dhe 180 të tjerë u plagosën kur forcat izraelite hapën zjarr ndaj civilëve që prisnin ndihmë humanitare në veri të qytetit Rafah në Gazën jugore, sipas burimeve mjekësore.

Dëshmitarët okularë thanë se trupat izraelite qëlluan drejtpërdrejt mbi turmat e mbledhura pranë pikës së shpërndarjes së ndihmave Al-Shakoush, ku qindra ishin mbledhur me shpresën për të marrë ushqim dhe furnizime bazë mes përkeqësimit të kushteve të urisë në enklavën e rrethuar.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka kryer një ofensivë brutale në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, duke vrarë deri më tani mbi 57.800 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi dhe përhapje sëmundjesh.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.   /os/

The post GAZA – Të paktën 66 të vrarë prej sulmeve ajrore izraelite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA dhe Kina përshëndesin takimin pozitiv mes ministrave të tyre të Jashtëm

KUALA LUMPUR, 11 korrik /ATSH-AFP/ – Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, zhvilloi sot një takim pozitiv me homologun e tij kinez, Wang Yi në Malajzi, thanë të dy vendet, në një përpjekje të dukshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre.

Ky ishte takimi i parë midis dy ministrave që nga kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar, mes tensioneve të vazhdueshme mbi tregtinë, Tajvanin dhe teknologjinë e përparuar.

Takimi u zhvillua në kuadër të takimeve të ministrave të Jashtëm të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në Kuala Lumpur, ku tarifat amerikane, të para me shqetësim, ishin në qendër të diskutimeve.

“Ka disa çështje që do të duhet të zgjidhim, gjë që është normale midis vendeve të madhësisë, staturës dhe ndikimit tonë në botë”, tha Marco Rubio për shtypin pas një ore bisedimesh me Wang Yi.

“Por, e gjeta këtë takim shumë konstruktiv dhe pozitiv”, tha Rubio, një kritik i rregullt i qeverisë kineze.

Pas një dite e gjysmë në Kuala Lumpur, ai shprehu gjithashtu besim se do të zhvillohej një takim midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe homologut të tij kinez, Xi Jinping.
“Ekziston një vullnet i fortë nga të dyja palët për ta arritur këtë”, deklaroi ai.

Duke përdorur të njëjtin ton qetësues, Ministria e Jashtme kineze e përshëndeti takimin në një deklaratë si “pozitiv, pragmatik dhe konstruktiv”.

Çuditërisht për një raport zyrtar kinez të një shkëmbimi diplomatik me Uashingtonin, asnjë pikë mosmarrëveshjeje, madje as Tajvani, nuk u përmend qartë në tekst.

Wang Yi, megjithatë, i kërkoi Uashingtonit të bisedonte me Pekinin “në kushte të barabarta”./  /os/

The post FOKUS – SHBA dhe Kina përshëndesin takimin pozitiv mes ministrave të tyre të Jashtëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – Bitcoin në rekordin e ri prej 118 000 dollarësh

NJU JORK, 11 korrik /ATSH-AA/ – Bitcoin ka vazhduar me rritjen e tij duke arritur një rekord të ri prej 118.239 dollarësh mëngjesin e sotëm.

Kriptomonedha ka shënuar rritje për dy ditë me radhë, duke kaluar nivelin prej 113 mijë dhe 115 mijë dollarësh brenda më pak se 24 orësh.

Pas arritjes së një tjetër niveli rekord, çmimi i Bitcoin mëngjesin e sotëm ishte rreth 118 820 dollarë duke shënuar një rritje prej rreth 6 për qind.

Sipas të dhënave nga firma e analizave ”Coinmarketcap”, vlera e tregut global të kriptomonedhave, përfshirë bitcoin, është rritur rreth 5,92 për qind gjatë 24 orëve të fundit duke arritur në 3,67 trilionë dollarë.

Çmimi i bitcoinit, kriptomonedha më e madhe sipas kapitalizimit të tregut, është rritur me gati 26 për qind që nga fillimi i këtij viti.

Çmimi i ethereum, kriptomonedha e dytë më e madhe sipas kapitalizimit të tregut, gjithashtu është rritur rreth 7 për qind duke arritur në 2 993 dollarë./  /os/

The post NJU JORK – Bitcoin në rekordin e ri prej 118 000 dollarësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Von der Leyen & Costa: Nuk ka vend për mohimin e gjenocidit të Srebrenicës

BRUKSEL, 11 korrik /ATSH-DPA/ – Zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian përkujtuan masakrën e Srebrenicës, në të cilën u vranë rreth 8 000 myslimanë boshnjakë në vitin 1995 gjatë luftës në Bosnjë, dhe paralajmëruan për mohimin e gjenocidit.

“Disa ngjarje në histori hedhin një hije që shtrihet nëpër breza. Gjenocidi në Srebrenicë është një prej tyre. Ai qëndron ndër kapitujt më të errët në kujtesën kolektive të Evropës”, theksoi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Më 11 korrik 1995, serbët e Bosnjës pushtuan enklavën myslimane të Srebrenicës. Në ditët pasuese, u vranë rreth 8 000 njerëz, shumica e të cilëve ishin burra dhe djem adoleshentë.

Gjykatat ndërkombëtare e njohën zyrtarisht masakrën si gjenocid.

“Është detyra jonë të kujtojmë dhe të ruajmë të vërtetën, në mënyrë që brezat e ardhshëm të dinë saktësisht se çfarë ndodhi”, shtoi von der Leyen.

“Ne hedhim poshtë dhe dënojmë me forcë çdo mohim, shtrembërim ose minimizim të gjenocidit të Srebrenicës, si dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës”, shtoi ajo.

Sipas raportimeve të mediave lokale, incidentet e mohimit të gjenocidit të Srebrenicës janë në rritje, me udhëheqjen rajonale të serbëve të Bosnjës në Bosnje-Hercegovinë që merr pjesë në mohime./   /os/

 

The post BRUKSEL – Von der Leyen & Costa: Nuk ka vend për mohimin e gjenocidit të Srebrenicës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – 54 të dënuar për gjenocidin e Srebrenicës, 781 vite burg dhe pesë burgime të përjetshme

POTOÇARI/SREBRENICË (BH), 11 korrik /ATSH-FENA/ – Për gjenocidet dhe krimet e kryera gjatë rënies së Srebrenicës më 11 korrik 1995, kur u vranë më shumë se 8 000 boshnjakë, 54 individë janë dënuar deri më tani nga gjykatat ndërkombëtare dhe vendase duke marrë një total prej 781 vitesh burg dhe pesë dënime me burgim të përjetshëm.

Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Srpska (VRS) Ratko Mladiç u dënua nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë nga viti 1992 deri në vitin 1995.

Gjykata e Hagës dënoi gjithashtu ish-presidentin e Republikës Srpska, Radovan Karaxhiç me burgim të përjetshëm në vitin 2019.

Përveç Karaxhiçit dhe Mladiçit, gjykata ka dhënë edhe tre dënime të tjera me burgim të përjetshëm për gjenocidin e Srebrenicës.

Në vitin 2010, iu dha një dënim ish-Shefit të Sigurisë së VRS-së, Ljubisha Beara, i cili vdiq në Berlin në vitin 2017.

Në vitin 2015, u dënua ish-ndihmëskomandanti për Inteligjencë dhe Siguri i Shtabit të Përgjithshëm të VRS-së, Zdravko Tolimir. Ai vdiq vitin pasardhës.

Nënkoloneli i Korpusit ”Drina” të VRS-së, Vujadin Popoviç, u dënua gjithashtu me burgim të përjetshëm për gjenocid, shfarosje, vrasje dhe persekutim të boshnjakëve.

Gjykata e Hagës lëshoi ​​vendimin e saj të parë që e klasifikonte krimin e Srebrenicës si gjenocid në vitin 2001, duke dënuar ish-gjeneralin e VRS-së, Radislav Krstiç, me 35 vjet burg për ndihmë dhe pjesëmarrje në gjenocid.

Në vitin 2024, Krstiç shkroi një letër të hapur të shkruar me dorë duke pranuar gjenocidin kundër boshnjakëve në Srebrenicë.

Oficerë të tjerë të VRS-së të dënuar me burgim të gjatë përfshijnë Drago Nikoliç (35 vjet), Dragan Obrenoviç (17 vjet), Momir Nikoliç (20 vjet), Radivoje Miletiç (18 vjet) dhe Ljubomir Borovçanin (17 vjet).

Jovica Stanishiç dhe Franko Simatoviç, krerët e sigurisë serbe gjatë viteve 1990, u dënuan në vitin 2023 për një sipërmarrje të përbashkët kriminale që përfshinte krimin e vitit 1995 në Trnovo, ku u vranë gjashtë civilë boshnjakë nga Srebrenica.

Drazhen Erdemoviç, një anëtar i Detashmentit të 10-të të Sabotazhit, ishte personi i parë që pranoi fajësinë në Gjykatën e Hagës për vrasjen e boshnjakëve të kapur.

I arrestuar në Serbi në vitin 1996, ai u dënua po atë vit me pesë vjet burg, dhe dëshmia e tij më vonë kontribuoi në dënimin e Ratko Mladiçit./   /os/

The post FOKUS – 54 të dënuar për gjenocidin e Srebrenicës, 781 vite burg dhe pesë burgime të përjetshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE marrëveshje me Izraelin për të rritur ndihmën humanitare në Gaza

BRUKSEL, 10 korrik /ATSH-DPA/ – Izraeli ka pranuar “masa të rëndësishme” për të përmirësuar situatën humanitare në Gaza, deklaroi përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.

Në një deklaratë, Kallas tha se Izraeli ka rënë dakord për një rritje të konsiderueshme të numrit të kamionëve të ndihmës humanitare që hyjnë në Gaza çdo ditë, hapjen e disa kalimeve kufitare shtesë dhe rihapjen e rrugëve të shpërndarjes së ndihmës, si dhe shpërndarjen e ushqimit, duke përfshirë edhe përmes furrave të bukës dhe kuzhinave publike.

Masat shtesë përfshijnë rifillimin e furnizimeve me karburant për objektet humanitare, mbrojtjen e punonjësve të ndihmës dhe riparimin e infrastrukturës jetësore, duke përfshirë furnizimin me energji elektrike dhe ujë.

“Këto masa janë ose do të zbatohen në ditët në vijim, me mirëkuptimin e përbashkët se ndihma në shkallë të gjerë duhet t’i dorëzohet drejtpërdrejt popullsisë dhe se do të vazhdojnë të merren masa për të siguruar që të mos ketë devijim të ndihmës për Hamasin”, theksoi ajo.

“Ne mbështetemi te Izraeli për të zbatuar çdo masë të rënë dakord”, shkroi Kallas në një postim të veçantë në platformën e mediave sociale X./    /os/

The post BRUKSEL – BE marrëveshje me Izraelin për të rritur ndihmën humanitare në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – Rama: Përkrah partnerëve evropianë sa herë që Ukraina ka nevojë për ne

ROMË, 10 korrik /ATSH-ANSA/ – Kemi qenë dhe do të jemi përkrah Italisë dhe partnerëve tanë evropianë në këtë përpjekje sa herë që Ukraina ka nevojë për ne, deklaroi sot në Romë kryeministri Edi Rama, i pranishëm në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës.

”Roma është një vend i sigurt . Tani për tani nuk ka më vend më të sigurt se Italia, me protokollet e saj të ndryshme të sigurisë. Mendoj se edhe Volodymyr Zelensky e shijoi kontaktet njerëzore në La Nuvola (ndërtesë në Romë për konferencat e rëndësishme ndërkombëtare – shën. i përkth.), me truprojat, të cilët, mos më keqkuptoni, janë të padobishëm sot sepse ne ndihemi të sigurt”, shtoi Edi Rama nga Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës.

“Shqipëria ka mobilizuar shumë burime për Kievin, ndërsa me kemi qenë dhe do të jemi përkrah Italisë dhe partnerëve tanë evropianë në këtë përpjekje sa herë që Ukraina ka nevojë për ne. Ne do të jemi në krahun e tyre dhe në krahun tuaj”, shtoi ai.

“Paqja duhet të jetë gjithmonë në krye të mendimeve dhe shpresave tona dhe ajo nuk mund t’i ndajë shoqëritë tona”, theksoi Rama.

”Nuk duhet të lejojmë askënd jashtë kufijve demokratikë të Evropës të na japë leksione”, theksoi ai./    /os/

The post ROMË – Rama: Përkrah partnerëve evropianë sa herë që Ukraina ka nevojë për ne appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – Meloni: Le ta imagjinojmë që tani një Ukrainë të lirë dhe të rindërtuar

ROMË, 10 korrik /ATSH-ANSA/ – Një pjesëmarrje kaq e gjerë dhe e nivelit të lartë në këtë konferencë i dërgon botës një mesazh të rëndësishëm, atë që secili prej nesh është këtu për të bërë pjesën e vet për një qëllim të përbashkët, që të shohim përtej padrejtësisë së padurueshme që i është shkaktuar popullit ukrainas për më shumë se tre vjet, deklaroi kryeministrja italiane Giorgia Meloni në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës.

”Duhet të jemi në gjendje të imagjinojmë një Ukrainë të rindërtuar, të lirë dhe të begatë. Ne synojmë ta arrijmë këtë qëllim jo vetëm duke ndihmuar Ukrainën të mbrohet, duke ndjekur çdo përpjekje për paqe, por edhe duke qenë në gjendje të imagjinojmë pasojat, duke qenë në gjendje të rindërtojmë atë që është shkatërruar: rrugë, ura, shkolla, kisha, spitale”, shtoi Meloni.

“Ne duam ta ndalim errësirën, të ndërtojmë një të ardhme të fortë, të denjë për një komb krenar si Ukraina, një komb që, pavarësisht bombave, sulmeve ndaj infrastrukturës strategjike, të zhvendosurve, viktimave, fëmijëve të shkëputur nga familjet e tyre, vazhdon të ketë një ekonomi të gjallë dhe të qëndrueshme”, theksoi ajo.

“Lufta shpesh gërryen besimin në të ardhmen; e kemi parë këtë shumë herë gjatë historisë. Këtë herë, nuk ishte kështu. Populli ukrainas e shikoi armikun e tij drejt në sy dhe zgjodhi të luftonte sepse e do atë që po mbron dhe mund të shohë përtej konfliktit. Kjo i ka lejuar Ukrainës të vazhdojë të jetojë, duke kërkuar një dritë në errësirën më të thellë”, tha ajo.

Me një përqafim për Volodymyr Zelensky dhe një shtrëngim duarsh me gruan e tij, Olena Zelenska, kryeministrja Giorgia Meloni i uroi mirëseardhjen presidentit ukrainas dhe zonjës së parë në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës, ku morën pjesë afërsisht pesëdhjetë krerë shtetesh dhe qeverish dhe ministra.

Meloni mirëpriti edhe presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, kryeministrin polak Donald Tusk, kryeministrin shqiptar, Edi Rama, kryeministrin maltez, Robert Abela, kryeministrin finlandez, Petteri Orpo dhe presidentin çek, Petr Pavel./  /os/

 

The post ROMË – Meloni: Le ta imagjinojmë që tani një Ukrainë të lirë dhe të rindërtuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌