“Nëse luajmë si në pjesën e dytë, gjithçka është e mundur” – Isufi nuk dorëzohet
Trajneri i Malishevës, Bekim Isufi, ka vlerësuar se ekipi i tij ka ende mundësi reale për të përmbysur rezultatin ndaj Vikingurit në ndeshjen e kthimit të fazës së parë eliminatore të Ligës së Konferencës.
Në sfidën e parë të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, skuadra nga Kosova u mposht minimalisht 1-0 nga kampionët e Islandës.
Pas ndeshjes, Isufi tha se ekipi i tij kishte treguar respekt të tepruar ndaj kundërshtarit në pjesën e parë, gjë që ndikoi në paraqitjen në fushë.
“Mendoj se përderisa ekziston mundësia, pjesa e dytë e sfidës, mundësitë janë reale. Nuk bën të kemi respekt të tepruar për kundërshtarin, si në pjesën e parë”.
“Duhet të fokusohemi në ndërprerje, në lojën në ajër. Nëse luajmë si në pjesën e dytë, me më shumë vetëbesim, çdo gjë është e mundur. Kemi një javë të përgatitemi. Tani i dimë mundësitë dhe se si të paraqitemi më mirë. Në pjesën e parë kishim shumë respekt për kundërshtarin. Në pjesën e dytë kishim raste, por na mungoi fati për të konkretizuar,” – ka thënë Isufi për KTV-në.
Tutje, ai theksoi se plani për pjesën e parë ishte kontrolli i topit dhe tentimi për të rrezikuar më shumë, por se respekti i tepruar ndikoi që kjo të mos ndodhte.
“Në pjesën e parë u morëm vesh të kemi kontrollin e lojës dhe të rrezikojmë më shumë. Respekti i tepruar bëri që mos të kemi mundësi të hyjmë në lojë. Në pjesën e dytë e kemi ditur se nuk kemi çka të humbim. Pjesa e dytë ishte dominante, kishim aksione. Jemi munduar të eliminojmë gabimet. Vikinguri na ka dominuar në lojën në ajër, ndërsa në aspektet tjera kemi dominuar”, përfundoi trajneri i Malishevës. /Telegrafi/
The post “Nëse luajmë si në pjesën e dytë, gjithçka është e mundur” – Isufi nuk dorëzohet appeared first on Telegrafi.