Enzo Maresca, nënshkrimi më i lirë dhe më fitimprurës i Chelseat të çuditshëm që harxhoi mbi 1 miliard euro
Chelsea ka gjetur te Enzo Maresca njeriun e duhur – dhe këtë herë nuk ka pasur nevojë të shpenzojë miliona.
Vetëm 12 milionë euro ishte klauzola e lirimit nga Leicesteri, një shifër simbolike për një trajner që ka sjellë dy trofe në “Stamford Bridge” në sezonin e tij të parë: Ligën e Konferencës dhe Kupën e Botës për Klube. Ky investim modest është kthyer në fitime të mëdha dhe ka sjellë lavdi sportive që mund të blinte dhjetë trajnerë të tjerë.
Enzo Maresca nisi kohën e tij si trajner në vitin 2017 si asistent te Ascoli, për të vazhduar me ekipin rezervë të Manchester Cityt, pastaj si ndihmës i Pep Guardiolas. Më pas drejtoi Parmën, ku u shkarkua, e më vonë ndihmoi Leicesterin të rikthehej në Ligën Premier.
Në verën e vitit 2024, ai mori drejtimin e Chelseat dhe në pak muaj e ktheu skuadrën në kampione bote, me një fitore të qartë ndaj PSG-së në finalen e zhvilluar në New Jersey.
Detyra e parë që iu dha Marescas ishte të pastronte rrëmujën – një mision që shumë të tjerë e kishin provuar dhe kishin dështuar. Por ndryshimi me të ishte qasja: më pak fjalë dhe më shumë punë. Ai bëri zgjedhje të mençura me lojtarët që u bashkuan, por ajo që e veçon më shumë është se vlerësoi lojtarët që tashmë ishin aty, të mbingarkuar nga çmimet e larta të transferimit.
Maresca riktheu në formë Cucurellën dhe Caicedon, duke i përdorur me efikasitet dhe besim. Një tjetër goditje ishte aktivizimi i duhur i Joao Pedros, i cili u përshtat menjëherë me filozofinë e skuadrës.
Në finalen ndaj PSG-së, Chelsea dominoi me qartësi dhe disiplinë. Topa të vazhdueshëm në krah, fizikalitet dhe kontroll i duelit, me Malo Guston që bllokoi gjithçka dhe Robert Sánchez që udhëhoqi nga porta.
Ishin të qartë, të organizuar dhe të vendosur që nga minuta e parë. Trajneri e kishte përgatitur gjithçka me detaj, dhe para golit të parë, Chelsea kishte krijuar tri raste të pastra shënimi.
Italiani e shkatërroi PSG-në e Luis Enrique në vetëm 45 minuta dhe ia doli ta bëjë Chelsean kampione bote me stil.
Me vetëm 64 ndeshje në stolin e “Blues”, Maresca ka arritur më shumë se çfarë shumë të tjerë s’mundën për vite. Ai ka hyrë në elitën e trajnerëve evropianë jo vetëm për trofetë, por për mënyrën se si e ka transformuar Chelsean në një skuadër fituese me identitet të qartë. /Telegrafi/
The post Enzo Maresca, nënshkrimi më i lirë dhe më fitimprurës i Chelseat të çuditshëm që harxhoi mbi 1 miliard euro appeared first on Telegrafi.