Bizneset paralajmëron veprime të ashpra nëse ZRRE nuk tërhiqet nga vendimi për tregun e lirë energjetik
Bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kanë paralajmëruar veprime të ashpra nëse Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se bizneset shprehin shqetësim të thellë për mënyrën e njëanshme dhe të papërgatitur me të cilën po zbatohet ky vendim, i cili rrezikon rëndë stabilitetin e tyre financiar dhe vetë ekzistencën e shumë kompanive në vend.
“Nëse ZRRE nuk merr SOT vendim për shtyrjen e menjëhershme të këtij procesi, bizneset do të detyrohen të ndërmarrin masa demokratike dhe ligjore të kundërshtimit, përfshirë protesta të gjera dhe bllokim të aktiviteteve ekonomike. Kërkesat për dialog dhe rishqyrtim janë shpërfillur sistematikisht nga ZRRE, duke e thelluar pasigurinë në treg dhe duke e rritur barrën financiare mbi sektorin privat, që tashmë po përballet me sfida të rënda”, thuhet në njoftim.
Bizneset anëtare të DHTIK paralajmërojnë se përgjegjësia e plotë për çdo pasojë të kësaj krize bie mbi ZRRE-në dhe institucionet që lejojnë zbatimin e këtij vendimi të padrejtë.
“Andaj edhe njëherë kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të vendimit dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të komunitetit të biznesit në çdo proces që ndikon në funksionimin e tyre”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
The post Bizneset paralajmëron veprime të ashpra nëse ZRRE nuk tërhiqet nga vendimi për tregun e lirë energjetik appeared first on Telegrafi.