Operacioni në Belsh, fiket zjarri që rrezikonte zonat e banuara
Pas një operacioni të koordinuar dhe intensiv është bërë e mundur fikja e të gjitha vatrave të zjarrit në Njësinë Administrative Rrasë, në bashkinë Belsh. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse nga MZSH Belsh, Cërrik, Gramsh, Elbasan, Peqin dhe Njësia Nerat Kuçovë si dhe angazhimit të dy mjeteve zjarrfikëse dhe efektivëve të FA u arrit të shmangej përhapja e flakëve drejt zonave të banuara.
Në operacion morën pjesë edhe dy helikopterë që ndërhynë nga ajri, duke ndihmuar në neutralizimin dhe shuarjen e zjarrit në një terren të vështirë. Aktualisht, në terren ndodhen ende efektivët e MZSH Belsh dhe punonjës të bashkisë, të cilët po kryejnë krehjen e zonës për të shmangur riaktivizimin e ndonjë vatre të fshehur.
Ndërkohë, pas kërkesës së Shqipërisë pranë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, Italia ka ardhur në ndihmë me trupa dhe dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair, të cilët po operojnë në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, në Parkun Kombëtar të Lurës. Kjo ndërhyrje synon të përshpejtojë shuarjen e vatrave aktive në këtë zonë me rëndësi të lartë natyrore. Po përmes Mekanizmit Evropian te Mbrojtjes Civile, Greqia erdhi në ndihmë me dy avionë Canadair në vatrën e zjarrit në Dukat, Vlorë.
Forcat operacionale, nën koordimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile po vijojnë punën në vatrat e tjera, në mbrojtje të qytetarëve dhe pronës.