Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 July 2025Main stream

SIRI – Sulme izraelite pranë Shtabit të Përgjithshëm në Damask

16 July 2025 at 14:24

TEL AVIV/DAMASK 16 korrik  /ATSH-DPA/  – Ushtria izraelite tha  sot se avionët e saj luftarakë sulmuan hyrjen e selisë së udhëheqjes ushtarake të Sirisë, pranë Damaskut.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në BM, tha se Izraeli nisi dy sulme ajrore të njëpasnjëshme pranë selisë së Shtabit të Përgjithshëm në Damask, duke plagosur dy persona.

Ushtria izraelite tha se operacioni ishte një përgjigje ndaj trazirave në Sirinë jugore, ku forcat qeveritare janë akuzuar për shtypje të dhunshme kundër pakicës druze.

Izraeli tha se po monitoronte veprimet e qeverisë siriane dhe synonte të mbështeste komunitetin druze, duke i përshkruar ata si aleatë.

Shumë druzë shërbejnë vullnetarisht në ushtrinë izraelite.

Sipas observatorit, forcat kanë ekzekutuar civilë druzë gjatë shtypjes.

Monitoruesi vlerëson se rreth 250 njerëz janë vrarë në dhunë që nga e diela.

Që nga fillimi i vitit, observatori ka dokumentuar 70 sulme izraelite në territorin sirian, 60 nga ajri dhe 10 nga toka, duke synuar ose dëmtuar rreth 102 vende, duke përfshirë depo armësh, pozicione ushtarake dhe automjete./  /Ad.Ab./

The post SIRI – Sulme izraelite pranë Shtabit të Përgjithshëm në Damask appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Mbretëresha Camilla zëvendësadmirale e Marinës Mbretërore Britanike

16 July 2025 at 12:21

LONDËR, 16 korrik  /ATSH-DPA / –  Mbretëresha britanike, Camilla, do të bëhet zëvendësadmirale duke reflektuar “respektin e lartë” që ajo gëzon te marinarët, njoftoi kreu i Marinës Mbretërore.

Gjenerali Gwyn Jenkins, Lord i Parë i Detit dhe Shef i Shtabit Detar, tha se  ky “rol nderi” do të “përmirësonte më tej marrëdhënien e Madhërisë së Saj me shërbimin”.

Emërimi do të bëhet zyrtarisht sot kur Camilla do të vizitojë bazën detare të Devonportit.

Jenkins th se “emërimi në këtë rol nderi  pasqyron respektin e lartë që Madhëria e Saj gëzon nga të gjithë ne” .

Jenkins, i cili është pjesë e Marinës Mbretërore, u takua dje me Camillan kur ajo u emërua si anëtare nderi e lirë dhe ndihmëse e Kompanisë së Adhurueshme të Prodhuesve të Shkrimtarëve dhe Gazetave, një organizatë e lidhur me Marinën Mbretërore.

Ai tha gjatë eventit se “jemi shumë krenarë për rolin e Madhërisë së Saj me ‘HMS Astute’, ashtu si edhe ekuipazhi, ka shumë rëndësi për ne si Marinë dhe për ta si ekuipazh që është nëndetësja e Mbretëreshës”.

Camilla bëri shaka kur tha se nuk donte të shërbente në një nëndetëse dhe kreu i Marinës Mbretërore shtoi më pas se  “mendonte se të gjithë do ta pranonim që të jesh në një nëndetëse është një aftësi shumë e veçantë, duhet të jesh vërtet e përkushtuar ndaj rolit dhe asaj që bën për vendin.

“Mund të jetë jashtëzakonisht shpërblyese, është një ndjenjë e mahnitshme pune në grup në bord, por nuk është për të gjithë”, shtoi ai.

“Angazhimi i saj i vazhdueshëm në aktivitetet dhe arritjet tona gjatë viteve ka qenë shumë i rëndësishëm për ne”, tha Jenkins./  /Ad.Ab./

 

The post SOFT NEWS – Mbretëresha Camilla zëvendësadmirale e Marinës Mbretërore Britanike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kina kritikon politizimin e tregtisë, pas tensioneve me SHBA-në

16 July 2025 at 10:33

PEKIN, 16 korrik /ATSH-DPA/ – Zëvendëskryeministri kinez, He Lifeng paralajmëroi sot  se ishte sot kundër politikave tregtare proteksioniste dhe politizimit të zinxhirëve globalë të furnizimit, në një goditje indirekte ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas kërcënimeve të fundit me tarifa nga Uashingtoni.

Duke folur në hapjen e Ekspozitës Ndërkombëtare të Zinxhirit të Furnizimit në Pekin, ai tha se ”disa vende po ndërhynin në tregje nën pretekstin e reduktimit të rrezikut, duke përdorur mjete të tilla si tarifat dhe masat kufizuese për të promovuar të ashtuquajturin kthim të prodhimit”.

Ai shtoi se Kina kundërshtoi shfrytëzimin artificial të çështjeve tregtare për qëllime politike dhe ideologjike.

Ai nuk përmendi asnjë vend drejtpërdrejt, por theksoi se nuk kishte fitues në një luftë tarifore.

Zinxhirët globalë të furnizimit u vunë nën presion të ri në prill, pasi Kina vendosi kufizime në eksportet e metaleve të rralla dhe SHBA-të njoftuan tarifa të reja për importet nga vende të shumta.

Kompanitë gjermane kanë shprehur gjithashtu shqetësim për mungesat e mundshme të materialeve kritike nga Kina./  /Ad.Ab./

 

The post FOKUS – Kina kritikon politizimin e tregtisë, pas tensioneve me SHBA-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 15 July 2025Main stream

GJERMANI – Merz: SHBA të mos nënvlerësojë BE-në për mosmarrëveshjet tarifore

15 July 2025 at 16:00

GARMISCH-PARTENKIRSCHEN (Gjermani), 15 korrik /ATSH-DPA/ – SHBA-ja nuk duhet ta nënvlerësojë gatishmërinë e Evropës për t’u kundërpërgjigjur, nëse tarifat e planifikuara prej 30% për mallrat e BE-së hyjnë në fuqi, tha sot kancelari gjerman Friedrich Merz.

”Qeveria amerikane duhet ta dijë se Evropa është e gatshme t’u përgjigjet ngarkesave tepër të larta doganore me masa të ngjashme”, tha Merz në një takim me kabinetin bavarez në malin më të lartë të Gjermanisë, Zugspitze.

Merz tha se është në kontakt të ngushtë me presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

”Bashkimi Evropian ende shpreson për një zgjidhje të negociuar për mosmarrëveshjet tarifore”, tha kancelari.

“Qëllimi ynë është dhe mbetet të arrijmë shpejt një zgjidhje që lehtëson tregtinë me Shtetet e Bashkuara dhe siguron tarifa më të ulëta përsëri”, tha Merz.

“Tani kemi kohë deri në fund të korrikut për të zhvilluar negociata”, shtoi ai.

Trump  njoftoi javën e kaluar një afat deri më 1 gusht për negociatat.

Një tarifë prej 30% për të gjitha mallrat e BE-së do të kishte ndikime të mëdha në ekonominë e Gjermanisë, e cila është shumë e fokusuar në eksporte./   /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Merz: SHBA të mos nënvlerësojë BE-në për mosmarrëveshjet tarifore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – ”United Torah Judaism” tërhiqet nga qeveria për shkak të shërbimit të detyrueshëm ushtarak

15 July 2025 at 15:31

TEL AVIV, 15 korrik /ATSH-DPA/ – Një parti ultraortodokse izraelite ka njoftuar tërheqjen nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu për shkak të planeve për shërbimin e    detyrueshëm ushtarak, raportuan sot mediat izraelite.

Sipas faqes së lajmeve “Ynet”, partia ”United Torah Judaism”, e cila përfaqëson komunitetin Haredi, është e pakënaqur me një projektligj të paraqitur dje  që synon të rregullojë shërbimin ushtarak për ultraortodoksët.

Ligjvënësit e kësaj partie, përfshirë zëvendësministrin e Transportit dhe ministrin për Çështjet e Jerusalemit, pritet të japin dorëheqjen nga qeveria, megjithëse gazeta “Times of Israel” raportoi se dorëheqjet mund të marrin deri në 48 orë kohë për të hyrë në fuqi, duke i dhënë Netanyahut kohë të rishqyrtojë propozimet e tij.

”United Torah Judaism” ka shtatë vende në Knesset, parlamenti izraelit, me 120 vende.

Tërheqja e tyre nga koalicioni i Netanyahut do ta linte qeverinë me vetëm 61 vende, duke krijuar një shumicë shumë të ngushtë prej vetëm një mandati.

Si një ndërlikim shtesë për kryeministrin, edhe një parti tjetër ultraortodokse, ”Shas”  mund të largohet nga koalicioni për shkak të planeve, gjë që mund ta detyrojë Netanyahun ose të japë dorëheqjen ose të udhëheqë një qeveri minoritare.

Çështja e rekrutimit të burrave izraelitë shumë fetarë në ushtri ka qenë prej kohësh një pikë tensioni për koalicionin e Netanyahut.

Ajo është rikthyer në rendin e ditës për shkak të luftës në Gaza, pasi komandantët paralajmërojnë për një mungesë urgjente të ushtarëve të gatshëm për luftim./  /Ad.Ab./

The post IZRAEL – ”United Torah Judaism” tërhiqet nga qeveria për shkak të shërbimit të detyrueshëm ushtarak appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJENEVË – OKB: Rritje e dhunës së kolonëve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor

15 July 2025 at 14:56

GJENEVË, 15 korrik /ATSH-DPA/ – Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka ngritur alarmin për një rritje të mprehtë të sulmeve nga kolonët izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Jerusalemin Lindor.

Sipas zyrës në Gjenevë, vetëm në qershor u plagosën 96 palestinezë, shifra më e lartë mujore në mbi dy dekada.

Gjithashtu, qindra shtëpi u shkatërruan.

”Që nga fillimi i këtij viti, OKB-ja ka dokumentuar 757 sulme nga kolonët që kanë shkaktuar viktima ose dëme materiale për palestinezët, një rritje prej 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024”, tha sot një zëdhënës.

”Këto veprime”, shtoi ai, ”po kontribuojnë në konsolidimin e mëtejshëm të aneksimit të pjesëve të Bregut Perëndimor nga Izraeli, praktikë që konsiderohet e paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare. Zhvendosja e detyruar e civilëve në territoret e pushtuara mund të përbëjë krim kundër njerëzimit”.

”Forcat izraelite të sigurisë kanë përdorur forcë edhe kundër individëve të paarmatosur në Bregun Perëndimor”, tha zyra e OKB-së.

Që nga sulmi i udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, forcat izraelite dhe kolonët kanë vrarë 964 palestinezë në Bregun Perëndimor, sipas të dhënave të OKB-së.

”Gati 3 000 shtëpi janë shembur, shpesh me arsyetimin se nuk kishin leje ndërtimi, megjithëse marrja e këtyre lejeve është pothuajse e pamundur për palestinezët”, tha zëdhënësi./   /Ad.Ab./

The post GJENEVË – OKB: Rritje e dhunës së kolonëve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Pistorius : Dy sisteme ”Patriot” po përgatiten për Ukrainën

15 July 2025 at 12:21

UASHINGTON, 15 korrik /ATSH-DPA/ – Dorëzimi i dy sistemeve ”Patriot” për Ukrainën po përgatitet, tha në Uashington ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius pas takimit me sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-së, Pete Hegseth.

“Dorëzimi do të financohet nga Gjermania. Megjithatë, detajet e fundit teknike, logjistike dhe financiare duhen ende të sqarohen”, tha Pistorius.

”Këto duken të zgjidhshme për të dy palët, kështu që do të fillojmë punën shpejt”, shtoi ai.

”Ukraina ka nevojë urgjente për sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore”, pohoi Pistorius.

Në një bisedë telefonike disa javë më parë, ai i kishte bërë sugjerimin Hegseth për të blerë dy sisteme ”Patriot” nga SHBA-ja në mënyrë që t’i dorëzojë ato në Ukrainë.

Ministri gjerman i Mbrojtjes ishte në kryeqytetin e SHBA-së në vizitën e tij të parë që kur presidenti i SHBA-së Donald Trump mori detyrën në janar.

Vizita pritej të përqëndrohej në dërgimin e sistemeve të mëtejshme të mbrojtjes ajrore në Ukrainë.

Në fillim të bisedimeve, Pistorius e siguroi Hegseth se Gjermania do të vazhdonte të luante një rol të fortë dhe të besueshëm në aleancën e NATO-s./   /Ad.Ab./

The post SHBA – Pistorius : Dy sisteme ”Patriot” po përgatiten për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Maratonisti i njohur 114-vjeçar britanik vdes në një aksident rrugor

15 July 2025 at 11:01

LONDËR, 14 korrik /ATSH-DPA/ – Vrapuesi i njohur britanik i maratonës, Fauja Singh vdiq në një aksident rrugor në Punjab, Indi, në moshën 114 vjeçare.

Atleti – që besohet të jetë vrapuesi më i vjetër që ka përfunduar një maratonë – u godit nga një makinë dhe pësoi lëndime fatale ndërsa përpiqej të kalonte një rrugë në fshatin e tij të lindjes Beas Pind, pranë Jalandhar në Punjab, të hënën, sipas raportimeve në Indi.

Klubi i tij i vrapimit në Londër “Sikhs In The City” konfirmoi vdekjen dhe tha se ngjarjet e

tyre të ardhshme në Ilford, në lindje të Londrës, do të jenë një festë e jetës dhe arritjeve të tij.

Singh – i cili jetoi në Ilford që nga viti 1992 – bëri emër duke thyer një numër rekordesh për kohët e maratonës në grupe të ndryshme moshe.

100-vjeçari u bë frymëzim për atletë të panumërt duke vrapuar maratona mbi moshën 100 vjeç.

Një profil në faqen e internetit të Olimpiadës tha se Singh u lind në Punjab, atëherë nën sundimin britanik, më 1 prill 1911 dhe ishte më i vogli nga katër fëmijë në një familje fermerësh.

Thuhej se ai vuante nga këmbët e holla dhe të dobëta, dhe nuk ishte në gjendje të ecte deri në moshën pesë vjeç.

Vetëm në vitin 2000, në moshën 89 vjeç, ai filloi të vraponte, duke u bërë shpejt i famshëm duke përfunduar maratonën e tij të parë në Londër në 6h54’.

Singh vrapoi në maratona të shumta, duke përfunduar Maratonën e Ujit të Torontos në 2003 në 5h40’, rekordi i tij personal.

Më 16 tetor 2011, në Toronto, vrapuesi mendohet të jetë bërë 100-vjeçari i parë që vrapon një maratonë.

Libri i rekordeve botërore “Guinness” e përshkroi atë si një “arritje frymëzuese”, por tha se nuk ishte në gjendje ta njihte këtë sukses pa provën e nevojshme të datës së tij të lindjes.

Singh nuk kishte një certifikatë lindjeje, pasi të dhënat zyrtare të lindjes nuk mbaheshin në Indi në vitin 1911, megjithëse data e lindjes në pasaportën e tij ishte 1 prill 1911, dhe ai mori një letër personale nga mbretëresha Elizabeth II në ditëlindjen e tij të 100-të.

Ai ishte një mbajtës pishtari për Lojërat Olimpike të Londrës 2012 dhe doli në pension në moshën 101 vjeç. /Ad.Ab./

The post BM – Maratonisti i njohur 114-vjeçar britanik vdes në një aksident rrugor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Kallas: BE-ja shumë, shumë pranë vendosjes së më shumë sanksioneve ndaj Rusisë

15 July 2025 at 10:30

BRUKSEL, 15 korrik  /ATSH-DPA/ – Përfaqesuesja e lartë e politikës së Jashtme  të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se shpreson që blloku të mund të vendosë shumë shpejt për një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë.

“Jemi shumë, shumë afër”, tha ajo, duke shtuar se pret një vendim “sot ose nesër”.

Ministrat e Jashtëm të BE-së takohen sot në Bruksel për sanksione te reja ndaj Rusisë dhe luftën në Ukrainë si  tema kryesore të agjendës në bisedime

Grupi i propozuar i masave ndëshkuese synon sektorët financiarë dhe të energjisë të Rusisë në përgjigje të refuzimit të presidentit Vladimir Putin për të rënë dakord për një armëpushim pa kushte në Ukrainë, por jo të gjithë 27 anëtarët e BE-së deri më tani e kanë miratuar paketën.

Kallas tha se e mirëpriti njoftimin e SHBA-së se po dërgon armë mbrojtëse në Ukrainë, duke shtuar se shpreson “se ata do të marrin të gjitha që ju janë premtuar”./  /Ad.Ab./

The post BRUKSEL – Kallas: BE-ja shumë, shumë pranë vendosjes së më shumë sanksioneve ndaj Rusisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PAKISTAN – Mbi 100 viktima pas shirave të rrëmbyeshëm

15 July 2025 at 09:10

ISLAMABAD, 15 korrik /ATSH-DPA/ – Më shumë se 100 persona kanë humbur jetën gjatë javëve të shirave të rrëmbyeshëm të musoneve dhe përmbytjeve të menjëhershme në Pakistan, thanë sot zyrtarët, mes paralajmërimeve për mot më të keq që e pret kombin e Azisë Jugore.

”Shirat që filluan nga veriperëndimi në qershor tani janë përhapur në të gjithë vendin, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme dhe duke shkaktuar përmbytje të qyteteve”, tha Agjencia Kombëtare Kundër Fatkeqësive.

”Shumica e 100 vdekjeve të regjistruara u shkaktuan nga shembja e çative dhe mureve, ndërsa strukturat e vjetra u shembën pas javësh shirash të rrëmbyeshëm”, tha agjencia në përditësimin e fundit  dje në mbrëmje.

”Më shumë se 200 persona u plagosën, shumica në provincën qendrore të Punjabit, ku rrugët dhe shtigjet në disa qytete mbetën nën ujë për orë të tëra të martën”, shtoi ajo./ /Ad.Ab./

The post PAKISTAN – Mbi 100 viktima pas shirave të rrëmbyeshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

IZRAEL – Partitë ultraortodokse mund të largohen nga koalicioni

14 July 2025 at 15:55

TEL AVIV, 14 korrik /ATSH-DPA/ – Partitë ultraortodokse izraelite po kërcënojnë përsëri të tërhiqen nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu për shkak të planeve për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Gazeta “Haaretz” raportoi se dy parti, ”Shas” dhe ”United Torah Judaism”, po planifikojnë të braktisin koalicionin nëse përjashtimet për burrat ultraortodoksë hebrenj nuk përfshihen në legjislacionin mbi shërbimin ushtarak.

Koalicioni i Netanyahut ka një shumicë të ngushtë në Knesset, parlamenti izraelit, me  68 nga 120 vende.

Çështja e rekrutimit të burrave shumë fetarë izraelitë në ushtri ka qenë një pikë tensioni prej kohësh për koalicionin e Netanyahut.

Kjo është rikthyer në agjendë për shkak të luftës në Gaza, me komandantët që paralajmërojnë për një mungesë urgjente të ushtarëve të gatshëm për luftë.

Ndërsa anëtarët e komuniteteve ultraortodokse janë përjashtuar nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak për dekada të tëra, përjashtimi skadoi vitin e kaluar dhe qeveria nuk ka arritur të miratojë një ligj të ri për të çimentuar statusin e veçantë.

Gjykata Supreme lëshoi një vendim vitin e kaluar që burrat ultraortodoksë hebrenj duhet të rekrutohen në shërbim ushtarak./   /Ad.Ab./

 

The post IZRAEL – Partitë ultraortodokse mund të largohen nga koalicioni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky propozon Yulia Svyrydenko në postin e kryeministres

14 July 2025 at 15:11

KIEV, 14 korrik /ATSH-ANSA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka propozuar që ministrja aktuale e Ekonomisë, Yulia Svyrydenko të udhëheqë qeverinë ukrainase për të rinovuar degën ekzekutive, sipas asaj që lideri ukrainas shkroi në Telegram.

“Po fillojmë një transformim të degës ekzekutive në Ukrainë. Kam propozuar që Yulia Svyrydenko të udhëheqë qeverinë ukrainase dhe të përditësojë ndjeshëm punën e saj”, shkroi Zelensky.
“Pres me padurim të paraqes programin e veprimit të qeverisë së re në të ardhmen e afërt”, shtoi ai.

Ditët e fundit, Zelensky njoftoi riorganizimin e kabinetit dhe duket se ministri i Mbrojtjes, Umerov do të bëhet ambasadori i ardhshëm ukrainas në Shtetet e Bashkuara.

“Me Svyrydenkon ndajmë një raport mbi zbatimin e marrëveshjeve me partnerët evropianë dhe amerikanë në mbështetje të Ukrainës, të arritura në konferencën e fundit mbi rindërtimin e Ukrainës. Ne duhet të zbatojmë sa më shpejt të jetë e mundur gjithçka që mund të mbështesë stabilitetin e shtetit dhe shoqërisë sonë”, theksoi presidenti ukrainas./ /Ad.Ab/

The post KIEV – Zelensky propozon Yulia Svyrydenko në postin e kryeministres appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kellogg mbërrin në Kiev për bisedime me liderët ukrainas

14 July 2025 at 14:24

KIEV, 14 korrik /ATSH–DPA/ – I dërguari special i SHBA-së, Keith Kellogg mbërriti sot në Kiev për bisedime me udhëheqësit ukrainas, mes shenjave se mbështetja e Uashingtonit për Ukrainën po forcohet.

Kellogg u prit nga Andriy Yermak, kreu i zyrës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Ka shumë tema për bisedime”, tha Yermak në një postim në Telegram me fotografi të mbërritjes së diplomatit amerikan.

Yermak tha se bisedimet do të përqendroheshin në fushën e mbrojtjes, rritjes së sigurisë, armëve dhe bashkëpunimit të zgjeruar midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara.

Vizita vjen ndërsa qëndrimi i presidentit të SHBA-së Donald Trump mbi konfliktin e Ukrainës duket se po ndryshon, pas muajsh përpjekjesh të pasuksesshme për të siguruar një armëpushim në konflikt.

Ai kritikoi dje presidentin rus Vladimir Putin, duke thënë se “ai flet mirë dhe pastaj i bombardon të gjithë në mbrëmje. Pra, ka një problem të vogël atje”.

Trump tha se synon të autorizojë shitjen e sistemeve mbrojtëse raketore ”Patriot” te Bashkimi Evropian, i cili më pas do t’ia furnizonte ato Ukrainës.

Në një shenjë të mëtejshme se mbështetja për Ukrainën po forcohet potencialisht, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ndodhet në Uashington për bisedime me presidentin Trump./   /Ad.Ab./

The post FOKUS – Kellogg mbërrin në Kiev për bisedime me liderët ukrainas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Xhaka drejt sauditëve të Neom SC?

14 July 2025 at 13:42

DYSELDORF, 14 korrik /ATSH-DPA/ – Mesfushori Granit Xhaka mund të jetë lojtari i fundit që largohet nga nënkampionëy e Bundesligës, Bayer Leverkusen, sipas raporteve të shumta gjermane.

“Sky TV” tha se 32-vjeçari zviceran me origjinë shqiptare ka “një marrëveshje verbale në parim” me klubin e Ligës Profesionale Saudite, Neom SC, për një transferim gjatë verës.

Gazeta “Bild” dhe revista sportive “Kicker” raportuan gjithashtu interesin e Neom SC.

“Sky” tha se Neom e ka informuar Leverkusenin për qëllimet e tij, me një tarifë transferimi të vlerësuar në 6,0 milionë euro për Xhakën, i cili ka një kontratë me Leverkusenin deri në vitin 2028.

Ende nuk ka marrëveshje midis klubeve, por Sky tha se bisedimet për vendimmarrjen mund të zhvillohen sot.

Nuk ishte e qartë nëse Xhaka do t’i bashkohej Leverkusenit sot  në një udhëtim në Rio de Zhaneiro për një kamp stërvitor 10-ditor.

Leverkusen tashmë ka humbur trajnerin Xabi Alonso i cili shkoi te Real Madridi, organizatorin e lojës Florian Wirtz dhe mbrojtësin e djathtë Jeremie Frimpong që shkuan te Liverpooli, dhe qendërmbrojtësin Jonathan Tah te Bayern Munich.

Leverkuseni ka sjellë gjithashtu përforcime, të udhëhequra nga organizatori i lojës Malik Tillman, i cili erdhi nga kampionët holandezë PSV Eindhoven./  /Ad.Ab./

 

The post GJERMANI – Xhaka drejt sauditëve të Neom SC? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Sefcovic: Tarifat e reja të SHBA-së mbi importet e BE-së do të pengonin tregtinë

14 July 2025 at 13:03

BRUKSEL, 14 korrik /ATSH-DPA/ – Tarifat e shpallura të SHBA-së prej 30% mbi importet nga Bashkimi Evropian do të ndikojnë rëndë në tregtinë dhe zinxhirët e furnizimit transatlantik, paralajmëron negociatori kryesor i tregtisë i BE-së.

“Do të ketë një ndikim të madh në tregti. Do të jetë pothuajse e pamundur të vazhdojmë tregtinë siç jemi mësuar në një marrëdhënie transatlantike”, tha komisioneri i Tregtisë i BE-së Maros Sefcovic në lidhje me kërcënimin e rritjes së tarifave nga 1 gushti.

“Kjo e ndalon tregtinë”, theksoi Sefcovic, i cili kryeson ekipin negociator të BE-së në mosmarrëveshjen tregtare me Uashingtonin.

“Zinxhirët e furnizimit transatlantik do të preken rëndë në të dyja anët e Atlantikut”, tha ai, duke shtuar se ”edhe SHBA-ja nuk do ta donte një skenar të tillë”.

BE-ja po tregonte “durim të jashtëzakonshëm, kreativitet të jashtëzakonshëm për të gjetur zgjidhjet” me SHBA-në, tha ai.

Njoftimi i presidentit Donald Trump se po vendos tarifa shtesë erdhi ndërsa negociatorët e BE-së shpresonin se ishte e arritshme një marrëveshje.

Pavarësisht zhgënjimit, Sefcovic ende synon  arritjen e një zgjidhjeje, duke njoftuar bisedime të reja me homologët e tij amerikanë.

“Nuk mund ta imagjinoj të largohem pa përpjekje të vërteta”, shtoi ai.

Sefcovic po merr pjesë në një takim të ministrave të tregtisë së BE-së në Bruksel. Komisioneri tha se do të diskutojë kundërmasat e mundshme me ministrat për t’u përgatitur në rast se negociatat dështojnë./  /Ad.Ab./

The post BRUKSEL – Sefcovic: Tarifat e reja të SHBA-së mbi importet e BE-së do të pengonin tregtinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Macron: Liria e Evropës po përballet me sfidat më të mëdha që nga LIIB

14 July 2025 at 11:50

PARIS, 14 korrik  /ATSH/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron ka paraqitur planet për një rritje të madhe të shpenzimeve për mbrojtjen, duke paralajmëruar se liria e Evropës po përballet me një “kërcënim më të madh” se kurrë më parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, sipas BBC.

Në një fjalim drejtuar forcave të armatosura në Paris, ai tha se “po jetojmë në një moment vendimtar” për shkak të gjendjes komplekse gjeopolitike.

Macron kërkoi që shpenzimet për mbrojtjen e Francës të rriten me 3,5 miliardë euro vitin e ardhshëm dhe më pas edhe me 3,0 miliardë euro të tjera në vitin 2027.

Duke iu referuar kërcënimit nga Rusia, ai dënoi “politikat imperialiste” dhe “fuqitë që aneksojnë territore”.

Macron premtoi të dyfishojë buxhetin ushtarak të Francës deri në vitin 2027, tre vjet më herët nga sa ishte planifikuar fillimisht.

Në vitin 2017, buxheti i mbrojtjes ishte 32 miliardë euro dhe sipas planeve do të arrijë në 64 miliardë euro për dy vjet.

Këto propozime duhet ende të miratohen nga qeveria franceze.

“Që të jesh i lirë në këtë botë, duhet të jesh i frikshëm. Që të jesh i frikshëm, duhet të jesh i fuqishëm”, tha ai në fjalim, i cili u mbajt në prag të Ditës së Bastijës.

Macron tha se bota po përjeton rikthimin e fuqisë bërthamore dhe “përhapjen e konflikteve të mëdha”.

Ai përmendi gjithashtu bombardimin amerikan të Iranit, luftimet mes Indisë dhe Pakistanit dhe atë që e quajti “luhatjet e mbështetjes amerikane për Ukrainën”.

Muajin e kaluar, vendet anëtare të NATO-s ranë dakord të angazhohen që të shpenzojnë 5% të PBB-së çdo vit për mbrojtje, nga objektivi i mëparshëm prej 2%./  /Ad.Ab./

The post FRANCË – Macron: Liria e Evropës po përballet me sfidat më të mëdha që nga LIIB appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Do t’i shesim BE-së raketat ”Patriot” për Ukrainën

14 July 2025 at 09:25

UASHINGTON, 14 korrik /ATSH-DPA/  – Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se synon t’i shesë Bashkimit Evropian raketat “Patriot”, që më pas blloku i 27 vendeve t’ia japë Ukrainës.

Duke folur me gazetarët në aeroportin ushtarak të bazës ”Andrews”, pranë Uashingtonit, Trump e përshkroi marrëveshjen si një transaksion biznesi, duke thënë se “Bashkimi Evropian po paguan për to. Ne nuk po paguajmë asgjë për to, por do t’ua dërgojmë… do t’u dërgojmë atyre sisteme ‘Patriot”.

“Nuk kam rënë dakord ende për numrin, por ata do të kenë disa sepse kanë nevojë për mbrojtje”, shtoi ai.

Presidenti amerikan nuk tha se cilat vende të BE-së do të paguanin për armët dhe as nuk dha detaje./  /Ad.Ab./

The post SHBA – Trump: Do t’i shesim BE-së raketat ”Patriot” për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SLLOVAKI – Fico: Synojmë marrëveshje për ndërprerjen e furnizimeve me gaz rus

12 July 2025 at 14:24

PRAGË, 12 korrik /ATSH/Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico deklaroi sot se vendi synon të arrijë deri të martën një marrëveshje me Komisionin Evropian dhe partnerët e BE-së për të siguruar garanci që nuk do të ketë pësoja nga ndërprerja e furnizimit me gaz rus si dhe për paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë, sipas Reuters.

Sllovakia ka bllokuar paketën e 18-të të sanksioneve për shkak të mosmarrëveshjes me një propozim të veçantë të Komisionit që parashikon ndërprerjen e të gjitha importeve të gazit rus nga viti 2028.

Sipas Sllovakisë, kjo mund të shkaktojë mungesa, rritje të çmimeve dhe tarifave të tranzitit si dhe pretendime për dëmshpërblim nga furnizuesi rus ”Gazprom”. /Ad.Ab./  a.jor.

 

The post SLLOVAKI – Fico: Synojmë marrëveshje për ndërprerjen e furnizimeve me gaz rus appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOLUMBI – Arrestohet një nga drejtuesit e dyshuar të “Ndrangheta”-s

12 July 2025 at 13:40

BOGOTA, 12 korrik /ATSH/ – Autoritetet kolumbiane njoftuan se kanë kapur një drejtues të dyshuar të mafies italiane “Ndrangheta” në Amerikën Latine, i akuzuar për drejtimin e dërgesave të kokainës dhe për menaxhimin e rrugëve të trafikut të paligjshëm drejt Evropës, sipas AP.

Policia e identifikoi të dyshuarin si Giuseppe Palermo, i njohur edhe me emrin “Peppe”, një shtetas italian i kërkuar me urdhër arresti ndërkombëtar të Interpol-it në 196 shtete.

”Ai u arrestua në rrugë në kryeqytetin kolumbian, Bogota, gjatë një operacioni të koordinuar mes autoriteteve kolumbiane, italiane dhe britanike, si dhe agjencisë së zbatimit të ligjit të Bashkimit Evropian, Europol”, sipas një raporti zyrtar.

”Palermoja besohet se është pjesë e një prej bërthamave më të forta dhe më të lidhura të mafies ‘Ndrangheta”, tha kreu i policisë kolumbiane, Carlos Fernando Triana, në një postim në platformën X.

“Ndrangheta”, një nga organizatat kriminale më të fuqishme dhe më të fshehta të Italisë, ka shtrirë ndikimin e saj edhe jashtë vendit dhe akuzohet gjerësisht për importimin e kokainës në Evropë.

”I dyshuari jo vetëm që drejtonte blerjen e dërgesave të mëdha të kokainës në Kolumbi, Peru dhe Ekuador, por kontrollonte gjithashtu edhe rrugët detare dhe tokësore që përdoren për transportimin e drogës drejt tregjeve evropiane”, shtoi Triana./   /Ad.Ab./  a.jor.

The post KOLUMBI – Arrestohet një nga drejtuesit e dyshuar të “Ndrangheta”-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Lavrov: Koreja e Veriut mbështet plotësisht qëllimet e pushtimit të Ukrainës

12 July 2025 at 13:39

MOSKË, 12 korrik /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov vlerësoi sot aleancën ushtarake me Korenë e Veriut, gjatë një vizite në këtë vend të mbyllur diktatorial.

“Miqtë tanë koreanë kanë riafirmuar mbështetjen e tyre të pakushtëzuar për të gjitha objektivat e operacionit special ushtarak dhe veprimet e udhëheqjes dhe ushtrisë ruse”, tha Lavrov, duke përdorur termin që Kremlini përdor për pushtimin e Ukrainës e që ka nisur prej më shumë se tre vitesh.

Koreja e Veriut e ka mbështetur luftën e Rusisë kundër Ukrainës duke i dërguar Moskës armë dhe ushtarë.

Bisedimet e ministrit Lavrov me homologen e tij koreano-veriore, Choe Son Hui, në qytetin portual Wonsan u zhvilluan në sfondin e raportimeve mediatike për një dërgim të ri të ushtarëve koreanoveriorë në Rusi.

Ushtarë nga Koreja e Veriut janë dislokuar në rajonin perëndimor rus të Kurskut, për të rimarrë pjesë të zonës që ishin zënë nga trupat ukrainase.

Edhe pse u desh kohë që ky dislokim të njihej zyrtarisht, në fund të qershorit televizioni shtetëror i Koresë së Veriut, KCTV, transmetoi pamje ku udhëheqësi Kim Jong Un vendoste flamurin koreano-verior mbi një arkivol duke nderuar me gjasë ushtarë që humbën jetën në luftën në Ukrainë.

Në kryeqytetin koreano-verior, Phenian, Lavrov falënderoi Korenë e Veriut për ndihmën dhe shpalli se në Kursk do të ngrihet një memorial për ushtarët koreanoveriorë të rënë ne Ukrainë./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

 

The post RUSI – Lavrov: Koreja e Veriut mbështet plotësisht qëllimet e pushtimit të Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌