ARABI SAUDITE – Marrëveshje me vlerë 6 miliardë dollarë për Sirinë
DAMASK, 24 korrik /ATSH-DPA/ – Arabia Saudite nënshkroi sot një marrëveshje ekonomike me vlerë mbi 6 miliardë dollarë me Sirinë e shkatërruar nga lufta, duke dhënë një tjetër sinjal mbështetjeje nga monarkia e pasur me naftë për udhëheqësit e rinj të vendit.
Marrëveshjet u nënshkruan gjatë një forumi të madh biznesi saudit-sirian, i hapur sot në Damask.
Arabia Saudite ka dhënë mbështetje politike dhe ekonomike për Sirinë që nga rrëzimi i udhëheqësit afatgjatë Bashar al-Asad në muajin dhjetor.
Në maj, udhëheqësi de facto i Arabisë Saudite, princi i kurorës Mohammed bin Salman, organizoi në Riad një takim mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit aktual sirian Ahmed al-Sharaa, duke shënuar takimin e parë në 25 vjet mes liderëve të dy vendeve.
Gjatë vizitës së tij në Arabinë Saudite, Trump shpalli heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Sirisë. Edhe Bashkimi Evropian ka ndërmarrë një hap të ngjashëm.
Sipas ministrit saudit të Investimeve, Khalid Al-Falih, marrëveshjet e nënshkruara sot mbulojnë sektorë si energjia, infrastruktura, industria, shërbimet financiare, teknologjia e informacionit dhe bujqësia.
“Do të punojmë për të inkurajuar investitorët ndërkombëtarë që të eksplorojnë mundësitë në Siri”, tha Al-Falih.
Që prej rrëzimit të al-Asadit, udhëheqja e re e Sirisë ka kërkuar njohje ndërkombëtare dhe mbështetje ekonomike për rindërtimin e vendit, i cili është shkatërruar nga më shumë se një dekadë luftë. /Ad.Ab./
The post ARABI SAUDITE – Marrëveshje me vlerë 6 miliardë dollarë për Sirinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.