Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 August 2025Main stream

Begaj viziton fermën në Malësi të Madhe: Shembull i përkushtimit ndaj traditës

16 August 2025 at 10:52

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj vizitoi sot fermën “Veleçik Milk” në Hot të Malësisë së Madhe, ku shprehu mbështetjen për zhvillimin e sipërmarrjeve vendase në zonat rurale.

Begaj inkurajoi të rinjtë që të kthehen të investojnë në Shqipëri, duke iu dedikuar punës, traditës dhe pasionit.

“Gjovalini ka përfunduar studimet e larta për Ekonomi në Tiranë. Ai u kthye në vendlindje, në Malësinë e Madhe, për të zhvilluar biznesin e familjes, duke risjellë në tryezat tona gatimet shekullore shqiptare, siç është ”djathi i ziem i Veleçikut”, i cili sot ka arritur të marrë dhe certifikatën e cilësisë së lartë. Shqipërisë i duhen djemtë si Gjovalini, që i dedikohen punës, traditës dhe pasionit”, u shpreh Presidenti Begaj.

Presidenti Begaj po zhvilloi vizita dhe takime me sipërmarrës në zonat rurale  e të cilët bisedon për projektet dhe zhvillimin që sjell investimi në ngritjen e fermave blegtorale, agroturizmin dhe artizanatin.

/m.m/ /a.g/

 

The post Begaj viziton fermën në Malësi të Madhe: Shembull i përkushtimit ndaj traditës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha nga Istogu: Procesi në Gjykatën e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, pa fakte

16 August 2025 at 10:43

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një vizitë  në Istog, ku vizitoi edhe varret e dëshmorëve të rënë në luftën për lirinë e Kosovës.

Në një intervistë për televizionin Kanali10, Berisha u shpreh se procesi në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet pa fakte.

“Deri më sot nuk kam lexuar një fakt të vetëm përgjegjës për ata që udhëhoqën këtë luftë dhe që janë sot në bankën e akuzës. Uroj që ky proces të konfirmojë, të sanksionojë pafajësinë e tyre dhe rolin që ata luajtën. Ata udhëhoqën një luftë çlirimtare’”, theksoi Berisha gjatë intervistës.

Berisha tha se “lufta çlirimtare e popullit të Kosovës është faqja me e ndritur e historisë së kombit shqiptar që nga luftërat e Skënderbeut deri më sot”.

“Ajo luftë e bëri të lirë kombin shqiptarë por e bëri Ballkanin dhe Evropën me të drejtë dhe më të lirë. Në këtë kuadër asgjë nuk mund të errësojë kontributin historik të luftëtarëve të lirisë”, tha ai.

Në kuadër të kësaj vizite, Berisha vizitoi varret e dëshmorëve të rënë në luftën për lirinë e Kosovës dhe i nderoi ata.

“Betejat e luftëtarëve të Istogut dhe në tërësi të kësaj zone, kanë qenë betejat nga më të përgjakshmet, por dhe me një rol shumë të veçantë në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ndaj dhe unë shpreh edhe njëherë nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme ndaj luftëtarëve të UÇK-së, të cilët me luftën e tyre, mbrojtën jo vetëm vlerat e shqiptarëve për liri dhe dinjitet, por ajo ishte lufta e fundit çlirimtare në Europë dhe i dhanë fund një kolonie në zemër të Europës që përbënte një turp të madh dhe të patolerueshëm”, theksoi ai.

Berisha nderoi edhe Ibrahim Rugovën, duke qenë se ishte në vendlindjen e tij, në Istog.

“Është burri i madh i këtij kombi që çështjen e drejtë të popullit të Kosovës, çështjen e lirisë dhe pavarësisë së tij, e mori nga barakat e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë dhe e çoi deri në Dhomën Ovale, në zyrat më të larta të SHBA”, theksoi Berisha në intervistën e tij për mediat e Kosovës.

/m.m/ /a.g/

The post Berisha nga Istogu: Procesi në Gjykatën e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, pa fakte appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Hapësira ime publike”, 4923 denoncime nga qytetarët, zgjidhen 735 prej tyre

16 August 2025 at 09:51

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Lirimi i hapësirave publike po vijon në gjithë territorin, ndërkohë që në dispozicion të qytetarëve për denoncimin e rasteve është vënë në dispozicion edhe aplikacioni digjital “Hapësira ime publike”.

Vetëm pak ditë nga vënia në funksion e këtij aplikacioni janë regjistruar 4923 problematika të raportuara, ndërsa kanë marrë zgjidhje 735 prej tyre dhe pjesa tjetër po shqyrtohet.

Paralelisht, vijojnë dhe rastet e zgjidhura, teksa pjesa tjetër është në proces verifikimi nga institucionet e linjës.

Kjo iniciativë e re e qeverisë në përballjen me problemin e zaptimit të hapësirave publike, i jep mundësi qytetarëve të denoncojnë duke bashkëlidhur foto dhe video për 7 problematika të ndryshme.

Denoncuesi mund të vetëidentifikohet përmes portalit e-Albania, ose të qëndrojë në anonimat.

Në rast se qytetarët nuk marrin përgjigje për ankesën e parë brenda 24 orësh, në portal është vendosur në dispozicion një formular për ndjekje të mëtejshme të problematikës.

Në portalin “Hapësira ime publike” mund të denoncohen të gjitha rastet që shqetësojnë komunitetin duke nisur nga zënia e trotuareve, parkimet e paligjshme, ndërtime pa leje, dëme të pronës publike, ndotje fizike apo akustike të hapësirës publike, zaptim të rrugëve kombëtare, përfshirë kantieret e ndërtimit me rrethime të pasigurta.

/m.m/

The post “Hapësira ime publike”, 4923 denoncime nga qytetarët, zgjidhen 735 prej tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Shërbim cilësor pranë qendrës shëndetësore verore Palasë, mbi 1 mijë konsulta këtë sezon veror

16 August 2025 at 09:49

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Qendrat shëndetësore verore të hapura në zonat turistike të vendit vijojnë të ofrojnë kujdes shëndetësor cilësor për pushuesit dhe turistët.

Një ndër 36 pikat verore është edhe ajo në Palasë, ku mjekët dhe infermierët ofrojnë ndihmën e parë dhe këshilla shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri të ditur sot se “mbi 1 mijë vizita e konsulta mjekësore janë kryer këtë sezon, duke garantuar shërbim cilësor, të shpejtë dhe të aksesueshëm për çdo nevojë shëndetësore”.

“Qendra Shëndetësore Verore Palasë, në zemër të bregdetit shqiptar. Me përkushtim dhe kujdes Dr. Evisi është çdo ditë pranë pushuesve vendas e të huaj, duke u siguruar që pushimet të jenë të qeta dhe të sigurta. Mbi 1,000 vizita e konsulta mjekësore këtë sezon, duke garantuar shërbim cilësor, të shpejtë dhe të aksesueshëm për çdo nevojë shëndetësore”, shprehet ministrja.

Koçiu thekson se shëndeti i qytetarëve dhe pushuesve është prioriteti i MSHMS-së kudo dhe kurdo.

Stafi mjekësor i qendrës shëndetësore verore në Palasë është i pranishëm çdo ditë për të ofruar ndihmën e nevojshme për banorët dhe turistët.

Doktoreshë Evis Caca u shpreh se në Qendrën Shëndetësore të Palasës trajtohen raste të shumta përfshirë probleme me lëkurën apo konfuzione nga rëniet nga lartësitë, apo edhe probleme respiratore, kardiovaskulare etj.

“Mbulojmë një gamë të gjerë në këtë qendër. Shërbimi është i hapur 24/7 duke pritur pacientë të të gjitha moshave, përfshirë edhe fëmijët e vegjël të cilët shpesh shfaqin infeksione virale dhe bakteriale. Janë të mirëpritur në çdo moment pacientët që kërkojnë ndihmë apo një vizitë të thjesht mjekësore në qendrën tonë duke qenë se ne jemi në dispozicionin e tyre deri në fund të sezonit veror”, u shpreh mjekja.

Ndërsa infermieri Florian Veizaj, i cili vjen nga një eksperiencë pune pranë Spitalit Memorial Fier tha se është përzgjedhur të punojë këtë vit në Qendrën Verore Palasë ku trajtohen virozat e stinës, gjendjet febrile, traumat dhe dëmtimet minimale në pjesën e mikrokirurgjisë.

Gjatë sezonit turistik veror janë në funksion të plotë 36 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, nga veriu në jug. Ato garantojnë shërbim mjekësor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të gjithë pushuesit, vendas apo të huaj dhe do të jenë hapura deri në fund të shtatorit.

/m.m/ /a.g/

 

The post Koçiu: Shërbim cilësor pranë qendrës shëndetësore verore Palasë, mbi 1 mijë konsulta këtë sezon veror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga Shpella e Pëllumbave dhe Plazhi i Pasqyrave në Sarandë

16 August 2025 at 08:20

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Plazhi i Pasqyrave midis Sarandës dhe Ksamilit, i renditur si plazhi me ujin me të kaltër në botë vijon të mahnisë me bukurinë e tij pushuesit vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky plazh dhe nga Shpella e Pëllumbave, destinacione mjaft të preferuara për turistët që zgjedhin bregdetin e jugut.

Shpella e Pëllumbave është po ashtu një nga atraksionet më të bukura natyrore të jugut të Shqipërisë. Ajo ndodhet afër Ksamilit, në bregun e Jonit. Një vend i shkëlqyer për ata që duan të eksplorojnë natyrën dhe të shijojnë pamje mahnitëse. Shpella ofron një atmosferë magjike, ku natyra dhe historia bashkohen për të krijuar një përvojë të paharrueshme për vizitorët.

Ndërsa Plazhi i Pasqyrave e ka marrë këtë emër, nga iluzioni që krijohet duke parë reflektimin e diellit mbi ujin e pastër të detit, duke i dhënë atij një efekt magjik, njësoj si të ishte një pasqyrë.

Ai ka një peizazh të mrekullueshëm, i formuar si një gji i izoluar nga formacione shkëmbore të rrethuara me gjelbërim. Bregu është me guralecë të bardhë, ujin bruz të pastër.

Plazhi i Pasqyrave është vendi ideal për të shijuar qetësinë dhe detin në relaks të plotë.

Çdo sezon vere ky plazh mbetet një ndër më të frekuentuarit, nga turistë vendas e të huaj.

“National Geographic” e ka renditur plazhin e “Pasqyrave” ndër gjashtë plazhet më të mira sekrete të Evropës për të vizituar .

1 nga 3

/m.m/

The post Rama ndan pamje nga Shpella e Pëllumbave dhe Plazhi i Pasqyrave në Sarandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 15 August 2025Main stream

Festa e Shën Marisë, Kryepeshkopi Joan nga Korça: Lutemi për shuarjen e shpejtë të zjarreve

15 August 2025 at 14:54

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Besimtarët e krishterë festojnë sot Ditën e Shën Marisë, një nga festat më të rëndësishme të besimtarëve ortodoksë dhe katolikë.

Në këtë ditë Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, drejtoi liturgjinë Hyjnore në Manastirin e Fjetjes së Hyjlindëses Mari në Boboshticë, Korçë.

Në Liturgjinë Hyjnore që drejtoi Fortlumturia i Tij, por edhe në kishat e mbarë vendit, me vendim të Sinodit të shenjtë të Kishës Ortodokse u shtua një thirrje lutjeje për situatën e rënduar të zjarreve që po kalon vendi: “Për pushimin e shpejtë dhe pa pasoja të zjarreve, për shpirtrat e atyre që humbën jetën, për ndihmën e vëllezërve e motrave që gjenden në rrezik e në vuajtje për shkak të tyre, si edhe për ata që me vetëmohim luftojnë për shuarjen e tyre, me përgjërim dhe solidaritet, le t’i lutemi Zotit”.

Kjo lutje u bë sot në të gjitha manastiret dhe kishat e shumta që mbajnë emrin e Fjetjes së Hyjlindëses Mari në të gjitha dioqezat e Shqipërisë.

Në këtë ditë të shenjtë, besimtarët e krishterë në mbarë vendin i kanë uruar edhe autoritetet e larta shtetërore.

I njohur si “Fjetja e Hyjlindëses”, 15 gushti është dita kur shenjtorja iu bashkua birit të saj, në botën e përjetshme.

Festa e Fjetjes së Hyjlindëses kremtohet në 15 gusht, e paraprirë nga dy javë agjërimi (kreshme). Kjo festë, e cila quhet edhe “Marrja”, është për të përkujtuar vdekjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Nënës së Krishtit. Ajo shpall që Maria “u mor” nga Perëndia, në mbretërinë qiellore të Krishtit, në të përmbushurit e ekzistencës së saj trupore dhe shpirtërore.

/m.m/j.p/

The post Festa e Shën Marisë, Kryepeshkopi Joan nga Korça: Lutemi për shuarjen e shpejtë të zjarreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ruhuni nga piromanët verbalë, humbës kronikë që flasin nga urrejtja për avionë e për roja pylli

15 August 2025 at 18:35


TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Në një kohë kur Shqipëria përballet me situatën e zjarreve, kryeministri Edi Rama komentoi edhe disa prej reagimeve që vijnë lidhur me masat e marra për përballimin e tyre.

Kryeministri Rama ndau në rrjetet sociale momentet tragjike nga përballja me zjarret në Patra, Greqi, duke iu përgjigjur siç tha ai “të gjithë atyre që flasin nga urrejtja apo nga sëkëlldia për avionë e për roja pylli”.

Kryeministri kujtoi se “Greqia ka 77 avionë zjarrfikës, por lufta me zjarret sot është ku e ku më e komplikuar sesa duket kur do të fajësosh qeverinë pse s’ka avionë”.

Rama bëri thirrje për t’u ruajtur nga “piromanët verbalë të këtij vendi, humbës kronikë që nuk kanë asgjë më për të humbur”.

Kryeministri ndau edhe shpjegimin mjekësor për piromaninë, ndërsa u shpreh se “piromani verbal është një individ që shfaq prirje sistematike për të gjeneruar tension, konflikt ose polarizim shoqëror përmes gjuhës së folur apo të shkruar, shpesh me qëllim përfitimi politik, mediatik ose personal”.

Më poshtë reagimi i Kryeministrit Rama në rrjetet sociale:

Ruhuni nga piromanët verbalë

Kjo video është një moment tragjik i këtyre ditëve nga përballja e vendit fqinj me zjarret.
Po e postoj për të gjithë ata që flasin nga urrejtja apo nga sëkëlldia për avionë e për roje pylli, sepse ky vendi fqinj ka 77 avionë zjarrfikës por lufta me zjarret sot është ku e ku më e komplikuar se sa duket kur do të fajësosh qeverinë pse s’ka avionë.

Ndërkohë sipas ChatGPT:

Në terma mjekësorë, piromania (zjarrvënia) është një çrregullim i kontrollit të impulseve, ku personi ndien një shtysë të fortë për të ndezur zjarre dhe përjeton një ndjenjë kënaqësie ose çlirimi pas këtij veprimi.

Një piroman është një person që, me dashje dhe shpesh për kënaqësi ose impulse personale, i vë zjarr ndërtesave, pyjeve, automjeteve apo pronave të tjera. Në shumicën e vendeve piromania trajtohet si një çrregullim psikologjik që shpesh kërkon trajtim, por edhe si një krim që ndëshkohet rëndë nga ligji.

E pyetur për piromaninë verbale ChatGPT shpjegon:

Piromani verbal është një individ që shfaq prirje sistematike për të gjeneruar tension, konflikt ose polarizim shoqëror përmes gjuhës së folur apo të shkruar, shpesh me qëllim përfitimi politik, mediatik ose personal. Ai përdor deklarata të ngarkuara emocionalisht, insinuata, dhe narrativa konspirative si “stimulues ndezës”, duke shkaktuar reaksione të forta në publik.

Ky fenomen mund të shihet si një variant metaforik i piromanisë klasike, ku objekti i shkatërrimit nuk është materiali fizik, por kapitali social dhe besimi publik. Në rastin specifik të akuzave për zjarret, piromani verbal instrumentalizon fatkeqësitë natyrore si “material djegës” diskursiv, duke krijuar një klimë mosbesimi dhe histerie kolektive, pavarësisht mungesës së provave faktike.

Ruhuni nga piromanët verbalë të këtij vendi, humbës kronikë që nuk kanë asgjë më për të humbur”.

/m.m/j.p/

The post Rama: Ruhuni nga piromanët verbalë, humbës kronikë që flasin nga urrejtja për avionë e për roja pylli appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tre të arrestuar për shkelje rrugore në Lezhë, procedohen penalisht 14 të tjerë

15 August 2025 at 12:47

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Policia Rrugore e Lezhës ka rritur gatishmërinë në përmbushjen e parametrave të sigurisë, parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve, gjatë sezonit veror.

Në këtë kuadër shërbimet e Policisë po kryejnë monitorime pandërprerë të akseve rrugore, me pajisje të logjistikës bashkëkohore, të loguara dhe të paloguara, me qëllim evidentimin e shkeljeve që janë burim aksidenti, si dhe parkimet e gabuara që bëhen pengesë për qarkullimin.

Gjatë këtyre dy javëve, janë arrestuar 3 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 14 të tjerë, për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, si dhe janë vënë gjithsej 2094 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

“Konkretisht janë vendosur: 15 masa për mosvënien e rripit të sigurimit; 114 masa për mosvënien e kaskës mbrojtëse; 131 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit; 25 masa për drejtim mjeti në efektin e alkoolit; 23 masa për xhama të errësuar;
763 masa për parakalime të gabuara; 435 masa për ndalim apo qëndrim të gabuar; 35 masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve; 553 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor”, bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të Policisë.

Kontrollet nga Policia Rrugore do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia Rrugore e Lezhës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos drejtojnë mjetin, në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
/m.m/

The post Tre të arrestuar për shkelje rrugore në Lezhë, procedohen penalisht 14 të tjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Angazhim maksimal për shuarjen e zjarreve në veri, operacione nga ajri me 6 helikopterë

15 August 2025 at 12:45

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot angazhimin maksimal të gjithë strukturave të shtetit për shuarjen e çdo vatre zjarri në veri të vendit.

Rama bëri të ditur se “që në orët e para të mëngjesit, 6 helikopterë janë në misione intensive në Fushë Arrëz, Mirditë dhe Bulqizë”.

Në 24 orët e fundit ka pasur një përmirësim të dukshëm të situatës nga zjarret në vend. Gjatë kësaj periudhe janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat 3 vatra janë aktive dhe 6 janë në monitorim.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve në gjithë territorin e vendit u angazhuan 52 automjete zjarrfikëse dhe 740 forca operacionale, të ndihmuar nga Forcat e Armatosura me 323 forca ushtarake, 7 automjete zjarrfikëse dhe 1 helikopter të FA-së. Gjithashtu morën pjesë 4 helikopterë (EBA, çek, sllovak) dhe 1 avion Canadair nga Italia.

/m.m/j.p/

The post Rama: Angazhim maksimal për shuarjen e zjarreve në veri, operacione nga ajri me 6 helikopterë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Dita e shtegtarëve” në Lezhë, çelet ekspozita “Simfoni libri me autorë lezhjanë”

15 August 2025 at 12:03

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ “Dita e Shtegtarëve”, një festë e përvitshme që i kushtohet kryesisht emigrantëve në Lezhë, u festua sërish sot me organizimin e aktiviteteve të shumta kulturore.

Biblioteka “Gjergj Fishta” prezantoi ekspozitën “Simfoni libri me autorë lezhjanë”, në të cilën përfshihen krijime nga emra të shquar si Frang Bardhi, Gjergj Fishta, Ndoc Gjetja, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Shpresa Kapisyzi, Agim Isaku, Tonin Çobani e Frano Kulli, deri te shkrimtarët më të rinj të qyteti.

“Kjo ekspozitë është jo vetëm një udhëtim në kohë përmes fjalës së shkruar, por edhe një dëshmi e gjallë e trashëgimisë letrare lezhjane, që bashkon të kaluarën me të tashmen në një simfoni të përbashkët librash e autorësh”, thufet në njoftimin e bashkisë Lezhë.

Prej vitit 2006, Lezha është kthyer në epiqendër të festës tradicionale “Dita e Shtegtarëve”.

Bashkia e Lezhës organizon çdo vit aktivitete të shumta, për ta kthyer 15 gushtin në një ditë simbol të gjithë atyre qytetarëve që janë larguar nga atdheu.

/m.m/j.p/

The post “Dita e shtegtarëve” në Lezhë, çelet ekspozita “Simfoni libri me autorë lezhjanë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Testimi i informatizuar për “Mjekësi të Përgjithshme”, nga 18 deri 22 gusht

15 August 2025 at 10:59

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Testimi i informatizuar për programin e studimit “Mjekësi e Përgjithshme” do të zhvillohet nga 18-22 gusht.

Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila ndau njoftimin e rëndësishëm për aplikantët në programin e studimit për Mjekësinë e Përgjithshme.

Kalendari i plotë i testimeve është publikuar tashmë nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, në kuadër të organizmit të testimit të informatizuar të maturantëve që duan të ndjekin programin e studimit “Mjekësi e Përgjithshme” në Universitetin e Mjekësisë Tiranë.

20200 maturantë kanë aplikuar në fazën e parë për të ndjekur studimet e larta në të gjitha universitetet e vendit, ose 500 më shumë se një vit më parë.

Në 10 programet e listuara si preferencat e 20200 maturantëve aplikantë, interesi vazhdon të jetë i ngjashëm ndër vite.

Teknologjia, mjekësia dhe financat renditen në tri fushat më të kërkuara, ku edhe mundësia për vende të lira në raundin e dytë zerohet.

/m.m/j.p/

 

The post Manastirliu: Testimi i informatizuar për “Mjekësi të Përgjithshme”, nga 18 deri 22 gusht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Mikpritja e veçantë e Shkodrës në aeroportin “Nënë Tereza”

15 August 2025 at 10:47


TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Shkodra, me bukuritë e shumta natyrore dhe historike, është kthyer në destinacion mjaft të kërkuar për vizitorët vendas, por edhe për turistët e huaj.

Promovimi i potencialit turistik që ofron kryeqendra e veriut, mbetet pika e fortë e numrit gjithnjë e në rritje të turistëve të huaj që zgjedhin këtë destinacion.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga ajo që e cilësoi “mikpritja e veçantë e Shkodrës në aeroportin ‘Nënë Tereza'”, një tjetër gjetje për të promovuar “ngjyrat” e qytetit tek turistët e huaj.

“Një pikë takimi për të gjithë vizitorët që zgjedhin Shkodrën për të shijuar bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore”, shkruan Rama, krahas videos ku turistët marrin ftesën e parë për të vizituar Shkodrën sapo mbërrijnë në Aeroportin “Nënë Tereza”.

Zonat më të vizituara në Shkodër mbeten Velipoja, Thethi, zona e Liqenit të Shkodrës, Pedonalja e Shkodrës, Kalaja e Rozafës.

Përveç pasurive natyrore, Shkodra ka edhe një ofertë të rëndësishme kulturore ku Muzeu “Marubi”, Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës, Muzeu “Oso Kuka”, Muzeu i Kalasë, të cilët ngjallin kureshtjen e turistëve.

/m.m/j.p/

The post Rama: Mikpritja e veçantë e Shkodrës në aeroportin “Nënë Tereza” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita e Shën Marisë, një nga festat më të rëndësishme të besimtarëve të krishterë

15 August 2025 at 09:20

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ 15 gushti është Dita e Shën Marisë, një nga festat më të kremtuara për besimtarët e krishterë.

I njohur si “Fjetja e Hyjlindëses”, 15 gushti është dita kur shenjtorja iu bashkua birit të saj, në botën e përjetshme.

Festa e Fjetjes së Hyjlindëses kremtohet në 15 gusht, e paraprirë nga dy javë agjërimi (kreshme). Kjo festë, e cila quhet edhe “Marrja”, është për të përkujtuar vdekjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Nënës së Krishtit. Ajo shpall që Maria “u mor” nga Perëndia, në mbretërinë qiellore të Krishtit, në të përmbushurit e ekzistencës së saj trupore dhe shpirtërore.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka ndarë kalendarin e festimeve në të gjitha kishat dhe manastiret e Fjetjes së Hyjlindëses Mari.

“Fjetja e Hyjlindëses” është paraqitur në afresket e kishave të ndryshme orthodhokse, anembanë vendit, ashtu sikurse edhe “Lindja e Virgjëreshës” apo “Hyrja e saj në Tempull”.

15 gushti kremtohet edhe nga besimtarët katolikë në të gjithë botën. Besimtarët katolikë në të gjithë botën kremtojnë të Ngjiturit e Zojës në Qiell, apo Zojën e Madhe, siç njihet ndër shqiptarë. Simbolikisht i vendosur në qendrën e periudhës së verës, ky solemnitet mund të konsiderohet si kohë për çlodhje e ripërtëritje.

Zojës së Madhe i janë kushtuar shumë kisha si ajo e Barbullushit në kryedioqezën metropolite të Shkodër-Pultit, ajo e Mamurrasit, në kryedioqezën metropolite të Tiranë-Durrësit, ajo e Kaçë-Naraçit në dioqezën e Sapës, ajo e Grudës dhe ajo në fshatin Kollomzë afër Ulqinit, në kryedioqezën e Tivarit, ajo e Letnicës në Karadak dhe ajo e Zymit të Hasit, në administraturën apostolike të Prizrenit në Kosovë.

Në trevat shqiptare Kishat kushtuar Virgjërës Mari janë dëshmi identiteti shpirtëror e kombëtar, thesar feje e arti.

/m.m//a.f/

The post Dita e Shën Marisë, një nga festat më të rëndësishme të besimtarëve të krishterë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

“Respekt”, Rama ndan foton e të riut duke shpëtuar një qenush nga zjarri

14 August 2025 at 22:25

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Zjarret që kanë përfshirë edhe zona të banuara kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme duke djegur shtëpi, sipërfaqe me bimësi dhe gjithashtu edhe kafshë.

Ndërsa shpëtimi i jetëve njerëzore dhe i banesave ka qenë prioritet gjatë aksioneve për shuarjen e flakëve, shpëtimi i kafshëve shtëpiake dhe bagëtive ka qenë po ashtu prioritet për banorët, por edhe për forcat e emergjencave.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foton e një të riu në qytetin e Gramshit, duke shpëtuar një qenush të bllokuar në mes të flakëve.

“Respekt”, shkruan Rama krahas fotos.

Më herët sot kryeministri informoi se 207 shtëpi janë të dëmtuara nga zjarret që kanë përfshirë disa zona të vendit, nga të cilat 40 familje deri tani kanë humbur shtëpinë plotësisht.

Po ashtu, deri tani numërohen 3 619 krerë bagëti të humbura, ndërsa inventarizimi i dëmeve vazhdon.

/m.m/r.e//a.f/

The post “Respekt”, Rama ndan foton e të riut duke shpëtuar një qenush nga zjarri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Tradita e Libohovës prezantohet para qindra turistëve në Qafën e Pazarit në Gjirokastër

14 August 2025 at 20:52

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Qyteti i gurtë i Gjirokastrës gjatë këtij viti ka shënuar një fluks të lartë turistësh vendas e të huaj.

Qendra muzeale e qytetit është destinacioni fillestar, pasi të gjithë turistët e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Qafa e Pazarit, “aty ku takohen tradita e Libohovës me sytë kureshtarë të qindra turistëve për t’i shtuar magjinë mbrëmjeve gjirokastrite”.

“Vajzat e Libohovës, njëra më e bukur se tjetra me kostumet tradicionale dhe energjinë rinore ndriçuan sokakët e gurit duke e kthyer në një skenë të hapur ku vizitorët që po shijojnë Gjirokastrën, u bënë pjesë e festës”, u shpreh Kumbaro.

Sipas ministres, “tradita jonë nuk është thjesht histori, por një shpirt i gjallë që frymëzon breza”.

Ndër destinacionet më të preferuara për turistët janë Pazari karakteristik, kalaja e Argjiros, banesat karakteristike të Zekatëve, Skëndulajve, Parku Natyror i Viroit apo vlerat e trashëgimisë kulturore në njësitë administrative si Parku Arkeologjik i Antigonesë, objektet e kultit.

Gjatë këtij viti bashkia e Gjirokastrës ka organizuar një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike për promovimin e vlerave të folkut, traditës, etj.

Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.

/m.m/a.f/r.e/

The post Kumbaro: Tradita e Libohovës prezantohet para qindra turistëve në Qafën e Pazarit në Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Plazhet e Durrësit siç nuk ua tregojnë ata që duan t’ju thonë se turizmi ka ngecur

14 August 2025 at 18:30

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Qyteti bregdetar i Durrësit edhe këtë sezon turistik veror vijon të jetë një ndër të preferuarit e turistëve vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregdeti i Durrësit, i mbushur plot me pushues.

“Faleminderit për këtë video kujt ma dërgoi! Nga plazhet e Durrësit siç nuk ua tregojnë ata që duan t’ju thonë se turizmi ka ngecur”, u shpreh kryeministri.

E gjithë vija bregdetare e Durrësit ofron një hapësirë të konsiderueshme dhe të larmishme me plazhe ranore dhe pjesërisht shkëmbore, si edhe struktura hoteliere apo agroturizëm, të cilat ofrojnë shërbime turistike për të gjithë turistët dhe vizitorët vendas dhe të huaj.

Përveç turizmit të detit dhe rërës Durrësi ka edhe një trashëgimi kulturore të jashtëzakonshme.

Qyteti është i pasur me histori, arkitekturë dhe site arkeologjike si: Amfiteatri romak, Muret rrethuese të kalasë së qytetit, Shesh-tregu Bizantin, Kulla Veneciane, Termat antike romake, Bazilika e Arapajt, Fortifikimi i Skënderbeut në Kepin e Rodonit, Kalaja e Ishmit etj.

/m.m/r.e/a.f/

The post Rama: Plazhet e Durrësit siç nuk ua tregojnë ata që duan t’ju thonë se turizmi ka ngecur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Rilindja Urbane 2.0”, Rama: Transformojmë hapësirat publike në hapësira cilësore komunitare

14 August 2025 at 17:38

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama kujtoi sot se lirimi i hapësirave publike nuk është një aksion i përkohshëm, por është një program katërvjeçar që quhet “Rilindja Urbane 2.0”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga çmontimi i një tjetër strukture metalike që kishte zënë hapësirat publike.

Rama siguroi se “ky program nuk mbaron me këto çmontime, po vazhdon me rehabilitimin e me transformimin e hapësirave publike në hapësira cilësore bashkëjetese komunitare”.

“Disa e vonojnë çmontimin vullnetar me idenë e gabuar se ‘aksioni do mbarojë’, por ky nuk është një aksion, është një program katërvjeçar që quhet Rilindja Urbane 2.0 dhe ky program nuk mbaron me këto çmontime, po vazhdon me rehabilitimin e me transformimin e hapësirave publike në hapësira cilësore bashkëjetese komunitare”, shtoi Rama.

Kryeministri u kujtoi përfaqësuesve të bizneseve se nëse nuk i çmontojnë vullnetarisht këto struktura, ato jo vetëm që do të hiqen, por do të ketë edhe gjobë.

“Kush nuk e heq më mirë vetë atë që ka bërë, në fund do ta heqë po bashkë me një gjobë”, theksoi ai.

Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Aksioni ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/m.m/r.e//a.f/

The post “Rilindja Urbane 2.0”, Rama: Transformojmë hapësirat publike në hapësira cilësore komunitare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret, Ambasada e Greqisë: Solidaritet me mjete ajrore zjarrfikëse

13 August 2025 at 22:24

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Ambasada e Greqisë në Shqipëri shprehu sot solidaritetin me vendin tonë për përballjen me situatën e zjarreve, ku aktualisht po kontribuon me mjete ajrore zjarrfikëse.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada e Greqisë në Shqipëri shpreh mbështetjen e saj të sinqertë për vendin mik dhe fqinj, Shqipërinë, ndërsa shprehet se “po monitoron situatën me frontin e gjerë të zjarreve në vend”.

“Në frymën e bashkëpunimit dhe solidaritetit, Greqia, brenda kuadrit të kapaciteteve të saj, kontribuon në përpjekjet për shuarjen e zjarreve me mjete ajrore zjarrfikëse, si në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ashtu edhe në kontekstin e bashkëpunimit dypalësh. Mendimet tona janë me popullin shqiptar”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Greqisë.

Gjatë 24 orëve të fundit në gjithë territorin e vendit u regjistruan 34 vatra aktive zjarri, nga të cilat 13 janë izoluar dhe shuar.

/m.m//a.f//r.e/

The post Zjarret, Ambasada e Greqisë: Solidaritet me mjete ajrore zjarrfikëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

34 vatra aktive, 13 të shuara, Rama: Gatishmëri maksimale, ndihmë edhe nga partnerët

13 August 2025 at 22:01

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në gjithë territorin e vendit kishte 34 vatra aktive zjarri, nga të cilat 13 janë izoluar dhe shuar.

Kryeministri e konsideroi “një ditë sakrifice dhe krenarie për të gjitha strukturat shtetërore, që vijojnë pa ndërprerje përpjekjet në terren për shuarjen e flakëve në të gjithë vendin”.

Rama bëri të ditur se në operacione janë angazhuar dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe trupa të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në të gjitha bashkitë e prekura.

“Po ashtu janë angazhuar mbi 600 efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës bashkiakë dhe forca vullnetare. 5 helikopterë dhe 1 avion zjarrfikës Canadair i sjellë bujarisht nga miqtë e shtrenjtë italianë”, shtoi Rama.

Kryeministri nënvizoi se në përballje me situatën e zjarreve janë angazhuar qindra mjete, përfshirë autoambulanca dhe mjete transporti për evakuimin dhe mbështetjen e banorëve.

“Vatra që kërkojnë vëmendje në vazhdim: Delvinë, Poliçan, Gramsh, Dropull, Finiq, Berat, Tepelenë dhe Bulqizë, ku forcat nga toka dhe mjetet nga ajri po punojnë pa u ndalur për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pronës”, theksoi ai.

Rama siguroi se gatishmëria është maksimale dhe bashkëpunimi mes të gjitha strukturave shtetërore dhe mbështetja e partnerëve europianë dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe po vijon për të përballuar këtë situatë të vështirë

/m.m//a.f//r.e/

The post 34 vatra aktive, 13 të shuara, Rama: Gatishmëri maksimale, ndihmë edhe nga partnerët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Raporti i DASH për Shqipërinë: Qeveria, hapa të besueshëm për të ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje

13 August 2025 at 21:48

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin e ri për të drejtat e njeriut, ku për Shqipërinë theksohet se gjatë vitit 2024 ”nuk pati ndryshime të rëndësishme në situatën e të drejtave të njeriut”.

Raporti vlerëson se “qeveria ndërmori hapa të besueshëm për të identifikuar dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje të të drejtave të njeriut”.

Lidhur me lirinë e shtypit, raporti nënvizon se “Kushtetuta parashikon lirinë e shprehjes, duke përfshirë edhe për anëtarët e shtypit dhe mediet e tjera, dhe qeveria zakonisht i respektonte këto të drejta, megjithëse shpifja ishte një vepër penale”.

“Në prill, parlamenti krijoi një komision ad hoc për dezinformimin dhe në takimet e tij fillestare komisioni ftoi anëtarët e organizatave të medias dhe organizatave joqeveritare (OJQ) të merrnin pjesë dhe të monitoronin punën e komisionit. Media dhe shoqëria civile i panë këto veprime si një hap pozitiv drejt mbrojtjes së lirisë së shprehjes”, thuhet në raport.

Në raport theksohet se “ligji dhe kushtetuta ndalonin arrestimin dhe paraburgimin arbitrar dhe parashikonin të drejtën e çdo personi për të kundërshtuar ligjshmërinë e arrestimit ose paraburgimit të tij në gjykatë dhe qeveria në përgjithësi i respektoi këto kërkesa”.

“Mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve vonoi procedurat penale. Burimet e kufizuara materiale, mungesa e hapësirës, menaxhimi i dobët i kalendarit gjyqësor, stafi i pamjaftueshëm dhe mosparaqitja e avokatëve dhe dëshmitarëve gjithashtu e penguan sistemin gjyqësor të gjykonte çështjet në kohën e duhur. Sipas PBB-së, procesi i verifikimit të sistemit të drejtësisë e përkeqësoi situatën dhe çoi në vende të lira në gjykata dhe prokurori”, citon raporti.

Lidhur me marrëdhëniet e punës, raporti nënvizon se “ligji parashikonte një pagë minimale për të gjithë sektorët, dhe paga minimale kombëtare ishte më e lartë se pragu kombëtar i varfërisë”.

Për sa i përket mbrojtjes së refugjatëve, raporti vlerëson se “qeveria bashkëpunoi me Zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe organizata të tjera humanitare në ofrimin e mbrojtjes dhe ndihmës për refugjatët, refugjatët e kthyer ose azilkërkuesit, si dhe persona të tjerë të shqetësuar”.

Lidhur me situatën për të drejtat e njeriut raporti thotë se “nuk pati ndryshime të rëndësishme në situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri gjatë vitit”.

“Çështjet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshinin raporte të besueshme për kufizime serioze të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, duke përfshirë autocensurën e gazetarëve. Qeveria ndërmori hapa të besueshëm për të identifikuar dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje të të drejtave të njeriut”, thuhet në raport.

Lidhur me lirinë e shtypit, raporti thekson se “qytetarët ishin të lirë të kritikonin hapur qeverinë, duke përfshirë mediet tradicionale dhe sociale, dhe ata e bënë këtë”.

/m.m/r.e//a.f/

The post Raporti i DASH për Shqipërinë: Qeveria, hapa të besueshëm për të ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌