Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 July 2025Main stream

Përplasen dy motorë uji në Golem, lëndohet një 31-vjeçar nga Kosova

13 July 2025 at 19:55

Një aksident në det është regjistruar pasditen e sotme në Golem, ku janë përplasur dy motorë uji, duke lënë të lënduar një 31-vjeçar nga Kosova.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:36, në zonën detare të quajtur “Manhatan”, rreth 800 metra larg perimetrit të sigurisë, që nuk është zonë e dedikuar për plazhin, por për lundrim.

Sipas informacioneve zyrtare, shtetasi S. D., 25 vjeç, lindur në Çorovodë, duke drejtuar një motor uji, është përplasur me një tjetër motor uji që drejtohej nga shtetasi P. B., 31 vjeç, lindur në Kosovë.

Si pasojë e përplasjes, P. B., ka pësuar lëndime dhe është transportuar menjëherë në spital nga Policia Kufitare që po monitoronte zonën detare.

Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, drejtuesi tjetër, S. D., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale.

Sipas verifikimeve paraprake, rezulton se të dy po lundronin së bashku dhe ishin të pajisur me jelekë shpëtimi.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit detar.

The post Përplasen dy motorë uji në Golem, lëndohet një 31-vjeçar nga Kosova appeared first on Telegrafi.

Dënohen shqiptarët vëlla e motër në Britani me 5 dhe 6 vite burg: “Spiunazh” me informacione nga bursa

13 July 2025 at 19:37

Karriera e shkëlqyer e një shqiptari në Londër si analist i tregjeve financiare është ndërprerë, pasi ai dhe e motra u dënuan për përdorim të informacioneve të brendshme për përfitime monetare.

Sipas agjencisë Reuters, të cilës i referohet Top Channel, Redinel Korfuzi, 38 vjeç i lindur në Tiranë, drejtoi skemën dhe i dha informacione motrës së tij Oerta Korfuzi, 36 vjeçe e lindur në Dibër, duke përfituar nga tregtimi aksioneve 1 milion stërlina.

Redinel Korfuzi, një ish-analist kërkimi me një pagë vjetore prej 500,000 paund në vit, u dënua me 6 vite burg. Motra e tij Oerta u dënua me pesë vjet burg.

Gjatë procesit gjyqësor ata mohuan akuzat por u shpallën fajtorë nga një juri për komplot për të kryer tregti të brendshme dhe pastrim parash, pas një gjyqi tre mujor në Gjykatën Southark të Londrës.

Autoriteti i Sjelljes Financiare (FCA), që e ndoqi çështjen penalisht, tha se dyshja kishte përdorur aksesin e Korfuzit në informacione të brendshme për të “manipuluar sistemin dhe kënaqur lakminë e tyre”.

Ata përfituan nga informacione konfidenciale të 13 kompanive duke blerë e shitur aksione tek këto kompani dhe marrë një fitim pothuajse 1 milion paund. Redinel Korfuzi merrte informacione të brendshme rreth planeve të kompanive për të ngritur kapital ose për të shitur blloqe të mëdha aksionesh të zotëruara nga aksionerë ekzistues.

Ai tregtonte aksionet përmes disa llogarive, përfshirë ato të motrës së tij – për të cilën gjykata dëgjoi se ishte e vetëdijshme për mashtrimin.

Tek sa lexoi masën e dënimit Gjykatësi Alexander Milne i tha se: “Kjo ishte lakmi dhe arrogancë. Gjithçka për të cilën keni punuar, tani ka marrë fund. Asnjëherë më nuk do t’ju besohet të tregtoni.Të dy menduat se ishit shumë të zgjuar për t’u kapur.”

“Nuk ka dyshim tha gjykatësi se ishit të suksesshëm në rolin tuaj, dhe shefi juaj i mëparshëm foli për ju me admirim. Gjykatësi u tha të dyve se “nuk ju shkoi mendja” se tregtia nga llogari të ndryshme duke përdorur të njëjtën adresë IP kompjuteri, do të linte “gjurmë digjitale”.

Gjatë dy viteve, të dy kishin fituar shuma të mëdha parash që nuk mund të justifikoheshin.

The post Dënohen shqiptarët vëlla e motër në Britani me 5 dhe 6 vite burg: “Spiunazh” me informacione nga bursa appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Bllaca mes EULEX-it dhe Beogradit: Si kërkonte lirimin përmes prokurorit serb dhe ndikimit në Bruksel

10 July 2025 at 23:30

Në episodin e parafundit të ciklit “Brenda laptopit të Bllacës, nga kush kontrollohej agjenti i dyfishtë?” në emisionin Debat Plus, janë publikuar detaje nga komunikimet e Nazim Bllacës, dëshmitarit të shumëproceseve gjyqësore në Kosovë.

Sipas përgjimeve të publikuara, Bllaca i shprehte shqetësimet hetueses së EULEX-it, Zdenka Pumper, për bllokimin e rastit “Bllaca 4”.

Ai tregon asaj se do t’i dërgojë një letër përmes mikut të tij, Gjinoviq Radosllavit, prokurorit serb Miljko Radosavljeviq, me qëllim që ky i fundit ta përcjellë letrën drejt Brukselit.

Bllaca:  A po të pengoj diçka?

Zdenka: Jo, jo jo…

Bllaca: Dëgjomë, unë kam fol me Gjino, dhe ai thotë që e do komentin  në ora 9 të hënën. Unë e çoj në tavolinë te Mirko, a po kupton? Sepse atë dokumentin tim, a e kupton? Dhe ai do të thërras menjëherë…a e kupton?

Zdenka: Jo, nuk e kuptoj se çfarë dokumenti.

Bllaca: Tash kam fol me Gjinoviqin, ai thotë bone dokumentin që të bllokohet aty puna, i kam thanë Alleni mundet me kry komplet landën dhe çoje në Prokurori, mirëpo tash në Prokurori ka dal një guri i madh, a po kupton?

Zdenka: Më fal por nuk po të kuptoj.

Bllaca: Dëgjomë, unë kam fol tash, i kam thanë Alleni punon me ekipin dhe e ka kry landën për arat.

Zdenka: Po, po e kuptoj.

Bllaca: Po, tash ai e kalon te Prokuroria.

Zdenka: Po, tash veç është bë.

Bllaca: Po, është kry por ku është poenta? Poenta është se Prokuroria po ma bllokon punën, nuk don me shku deri në fund. Ai thotë shkruaje dokumentin me ma çu dhe unë do ta dërgoj në Bruksel direkt. Tash, të hënën shkon në Bruksel në orën 10 Gjino, dokumenti im.

Zdenka: Kur shkon?

Bllaca: Në ora 10 shkon dokumenti. Pse ky njeri don me dal prej procesit, a e kupton? Ne dojmë llogari pse, ku është problemi?

Zdenka: Ani, ata kanë me kërku prej Brukselit.

Sipas këtyre bisedave, Gjino, i përmendur nga Nazim Bllaca, kishte lidhje të forta brenda EULEX-it. Këto lidhje arrinin deri te zyrtarë shumë të lartë, përfshirë Allen Eduarsin, i cili ka shërbyer si shef i hetimeve në Njësinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në EULEX.

Kjo konfirmohet edhe nga regjistrimi audio mes Bllacës dhe Pumper.

Bllaca: Po, po. A e din çka më tha? Më tha a je gjallë, ku ke qenë? Unë i thashë po don me më vra EULEX-i, po don me m’rreh EULEX-i. Ai veç keshi. Ai tha jo bre. Derisa të jetë gjallë Allen Eduards, mos u brengos, mos mendo për këtë punë – kështu më ka thanë ai.

Zdenka: Ndoshta edhe mua dojnë…

Bllaca: Tash unë për 2-3 orë e bëjë gati edhe e çoj të hënën.

Zdenka: Atëherë shkon të hënën në ora 10 në Bruksel.

Bllaca: Po, po

Zdenka: Zyrtarisht thua ashtu?

Bllaca: Po, po. Kjo shkon formalisht. Ai do të thërras direkt. Ai flet direkt çka bëhet nëse del ky njeri prej procesit. Natyrisht, kjo është goditje e madhe, a e kupton? Edhe shkruaj krejt, që kam punu edhe nuk kam flejt hiç prej pram.

Zdenka: Veç me pa, a e kam kuptu mirë. A i keni thanë atij se ju planifikoni, kur është ajo të enjten, kur takohemi, që ju do të shkoni te mediat?

Bllaca: Po, po. Ai thotë që çoje gjithçka me shkrim.

Zdenka: Unë për këtë po flas.

Bllaca: Dëgjomë, ai thotë se kjo nuk guxon me ndodh. Nuk mundemi me shku te kjo pikë sepse kemi investuar shumë në këto punë. A më kupton?

Zdenka: Po.

Bllaca: Tash do ta shkruaj dhe do ta çoj në shqip sepse ai e ka dikënd prej Shqipërisë aty që ia përkthen. Ka disa gra që punojnë aty, e din qysh funksionon aty. Veç dashta me të lajmëru.

Zdenka: Mirë që më ke lajmru, unë do t’iu tregoj edhe poshtë.

Në letrën “Çështja për tu trajtuar: ndihmë në zhbllokimin e situatës përmes Brukselit”, drejtuar prokurorit për krim të organizuar në Serbi, Miljko Radosavljeviq, Bllaca shprehet qartë se ai nuk do të dëshmojë më kundër Azem Sylës – në rastin Bllaca 4 – nëse nuk lirohet me kusht.

“Që nga prilli i vitit 2013 kam kam filluar të bashkpunoj me hetuesen Zdenka ne lidhje me çështjen  e pronave dhe kemi bashkpunuar pothuajse 20 muaj  dhe jam  shume i knaqur me bashkpunimin qe kam pas me Zdenken ne lidhe  me rastin e Azem Syle dhe kunder 9 personav tjerë.Pasi Zdenka ka perfunduar hetimet në lidhej  me pronat  dhe mashtrimi ndaj disa familjeve serbe ku bëhet  fjal  për  milion  euro   lënda ka përfunduar  fazen e hetimeve dhe shefi i policis me siguri.z.Alan  Edëars ka dorzuar në prokurori kete rastë për  10 persona jane pjes e krimit te organizuar. Lendën në prokurori  është duke e udhëheç Danilo Cecarelli prokuror special nga Eulex. Une jam takuar me kete pëson  dhe i kam then nëse  Ju z.Danilo nuk me lironi me kusht që unë e kam fituar  këtë  të drejt ather  unë  nuk  guxoj  të deshmoj kunder Azem Syles  dhe të tjerve sepse  Une në Pavionin D  jam  nën kontrrolit   e  Hajredin Kuqit  dhe Azem Syles  unë nuk  guxoj se me  vrasin si Agim Zogajn. Po të  donte  Brukseli  pasi une  kam  plotsuar  kriterin per  tu  liruar  Brukseli  do  ta zhbllokonte  situaten  dhe  do  te  me  lironte   permes  Hajredin  Kuqit  automatikisht”, thuhet në letërn e Bllacës.

Bllaca shpëtimin e kërkon në Beograd.

“Une  i  kam  thën  pasi  ju   nuk  keni fuqi  të  me  lironi  me  Kusht  Unë  Nazim Bllaca  do  të  terhiqem  se nuk guxoj  të  dëshmoj  kunder  Azem Syles a  në  realitet  Azem  Syla  dhe  partia e  tij  mua  me  japin  bukë  në  Dubravë. Unë  Nazim  Bllaca  pas  5 vitetve  bashkpunim  me  Eulexi-in  do  të  terhiqem  zyrtarish dhe  publikish  pa  vullnetin  tim  nga  rasti  Bllaca  4  kundër  Azem  Syles  dhe  të  tjerve. Takimi  mes  meje  dhe  z.Danilo  do  të  jetë  me  21  janar  2015  ne  Fush Kosovë  ku  zyrtarisht  do  te  terhiqem. Une  po  kërkoj  nga  ju  z.Radosavleviç  ndihmë     që  ju  te  intervenoni në  Bruksel  dhe  ata  ti  pyetni  pse  po  perzihet  politika   ne  rastin  Bllaca  4  në  krye  me Hashim Thaqit   për  mos  me  lirue  Bllacen nga  Burgu. Une  kerkoj  nga  Ju  që  ju të  pyetni  z.Jerosllava –kryeprokurore ,Danilon –prokuror dhe Alan Edwars-shef policie    se  a  ka  nderhy  politika  kunder  Bllaces  apo jo   veç  pèr  arsye  mos  me  fillu  procesi  Bllaca 4  sepse  ka  te  bej  me  profilin  e  lartët  politke”, thuhet më tej në letrën e Bllacës drejtuar prokurorit serb.

Bllaca në këtë letër thotë se Radosavljevici është personi i cili mund të ndikoj në Bruksel për ta liruar nga burgu.

“Ju lutem z.Radosavljevic ju  jeni    person  i cili  mund  të  ndikon  ne  Brkusel  lidhur  me  lirmin  tim  se  pa u   liruar  unë  nuk do  burgoset  kurrë  Azem Syla dhe  ju  e  di  dhe   keni  arsye  se  familjet  serbe  nga  Serbija  janë  viktima   të  grupi të Azem Syles. Dhe  ne  fund  kerkoj  nga  ju  intervenim  direkt ne  Bruksel  se  këtu  ne  Kosove  por  ka  edhe  ne  Eulex  disa  persona  që  kan  deshir  të  deshtoi  rasti  BLLACA  4.Ju  falenderoj  per  mirkuptim  i  nderuari  z.Radosavljevic dhe  kete  leter  ju  lutem  mund  ta  perdoreni  si  deshmi  edhe  ne  Bruksel në  emer  timin”, thuhet në letërn e Bllacës.

Bllaca u bë i njohur për publikun kosovar më 2009, kur doli në një konferencë të jashtëzakonshme për media, duke u vetëshpallur si agjent i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) dhe pretendimeve se informacione për vrasjet e pasluftës, raporton RTVDukagjini.

The post Bllaca mes EULEX-it dhe Beogradit: Si kërkonte lirimin përmes prokurorit serb dhe ndikimit në Bruksel appeared first on Telegrafi.

Zhupa: Në Theth luhet me disa investitorë strategjikë austriakë që duan zonën e boshatisur

10 July 2025 at 23:26

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar për situatën e fundit në Theth, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe përfshirje në interesa të dyshimta.

“E para është arroganca e një pushteti në mandatin e katërt, që nuk i intereson asgjë. Nuk i intereson imazhi i Shqipërisë, nuk i intereson jeta e qytetarëve dhe nuk i intereson zbatimi i ligjit. Kjo ndodh sepse nuk e var fatin politik te qytetarët,” u shpreh Zhupa në A2CNN.

Duke iu referuar informacioneve që ajo thotë se posedon, Zhupa deklaroi se “në Theth po luhet me disa investitorë strategjikë, të cilët e duan zonën të boshatisur”.

Sipas saj, këta investitorë janë “me shumë mundësi austriakë”.

“Se cilët janë do t’i shikojmë në ditët në vijim. Asnjë lëvizje e Edi Ramës nuk është lëvizje për interes qytetar, por gjithmonë janë lëvizje që kanë mbrapa një interes klientelist. Mund të jetë lobim ndërkombëtar, mund të jenë para ‘cash’, mund të jenë interesa të lidhura me familjarë të tij, por asnjëherë nuk bën lëvizje për interes të qytetarit,” theksoi Zhupa.

Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur zhvillimet në Theth kanë ngjallur debate dhe shqetësim publik lidhur me të ardhmen e zonës dhe menaxhimin e saj.

The post Zhupa: Në Theth luhet me disa investitorë strategjikë austriakë që duan zonën e boshatisur appeared first on Telegrafi.

Avokati Berisha thotë se Agon Zejnullahu nuk është ngufatur nga policia

10 July 2025 at 20:49

Besnik Berisha, avokat i njërit nga pesë policët e arrestuar në rastin e vdekjes së Agon Zejnullahut, ka deklaruar se sipas të dhënave që ka, viktima ka pasur së paku tri lloje gjakderdhjesh, dhe se nuk bëhet fjalë për vdekje nga ngulfatja nga Policia.

Në një intervistë në emisionin “Frontal” në T7, Berisha tha se bëhet fjalë për gjakderdhje cerebrale, pulmonare dhe kardiake.

“Dyshohet që ka pasur edhe gjakderdhje cerebrale. Po ta them këtë ty këtu, unë ta them ekskluzivisht – trupi i tij ka tri gjakderdhje të konstatuara: gjakderdhje cerebrale, pulmonare dhe kardiake. Unë po ta them ty këtu, a kam informacion apo po qes fall, le të mbetet në emision”, tha ai.

Berisha mohoi se vdekja e Zejnullahut ka ardhur si pasojë e ngulfatjes gjatë ndërhyrjes së Policisë, ashtu siç është aluduar në disa raportime.

Ai theksoi se do të presin rezultatet zyrtare të autopsisë për të sqaruar plotësisht rrethanat e vdekjes së të riut.

The post Avokati Berisha thotë se Agon Zejnullahu nuk është ngufatur nga policia appeared first on Telegrafi.

Licencimi i vëllait nga ZRRE për furnizim me energji, reagon Luan Dalipi

10 July 2025 at 18:31

Luan Dalipi, shef i stafit të Kryeministrit Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj disa lajmeve të publikuara në media për përfshirjen e tij apo të familjarëve të tij në përfitime të padrejta nga licencimi për tregti me energji.

Në një deklaratë publike, Dalipi i cilësoi këto raportime si “trillime dhe insinuata dashakeqe” nga portale dhe politikanë opozitarë, të cilët – sipas tij – janë rritur në një kohë kur korrupsioni ishte normë.

Ai theksoi se po tentohet të krijohet një barazim i padrejtë midis qeverisjes së tanishme dhe qeverive të mëparshme të korruptuara.

“Ka nga ata që, me zell të veçantë dhe motivim politik, bëjnë çmos për të shpikur skandale – jo për interesin publik, por për ta njollosur Qeverinë Kurti, qeverisjen më të ndershme dhe transparente që ka pasur ndonjëherë jo vetëm Kosova, por mbarë rajoni i Ballkanit Perëndimor,” ka shkruar Dalipi.

Ai ka përmendur disa tituj të portaleve që e përmendin atë dhe vëllain e tij në kontekst të licencimit nga ZRRE për tregti me energji, duke i quajtur si shembuj të gazetarisë që udhëhiqet nga interesa të ngushta financiare dhe nostalgji për kontratat njëburimore të së kaluarës.

Për të sqaruar publikun, Dalipi ka renditur disa fakte:

Numri i licencave për tregti me energji nuk është i kufizuar.

Blerja dhe shitja e energjisë bëhet brenda sektorit privat, pa ndërhyrje politike.

Më shumë kompani të licencuara rrisin konkurrencën dhe ulin çmimet.

Bizneset zgjedhin vetë furnizuesin e energjisë.

Ai ka theksuar gjithashtu se, ndryshe nga qeveritë e kaluara, Qeveria Kurti ka ulur ndjeshëm shpenzimet për media. Sipas tij, gjatë qeverisjes së partive tjera si AAK, PDK dhe LDK, shpenzimet për kontrata njëburimore me media kanë qenë shumë më të larta sesa në kohën e Vetëvendosjes.

“Qeveria nuk blen heshtjen, dhe kjo duket i shqetëson disa,” shkroi Dalipi.

Në fund të reagimit, ai fton qytetarët të mos bien pre e manipulimeve mediatike dhe thekson se historia e tij profesionale është ndërtuar mbi integritet dhe punë të ndershme, përfshirë edhe përvojën në Departamentin Amerikan të Tregtisë.

“Mos lejoni që të manipulohet me emocione dhe tituj bombastikë,” përfundon ai.

The post Licencimi i vëllait nga ZRRE për furnizim me energji, reagon Luan Dalipi appeared first on Telegrafi.

Arrestohen tre persona në Pejë, Policia u sekuestron armë

10 July 2025 at 18:24

Tre persona janë arrestuar më 10.07.2025 në Pejë nën dyshimet për veprat penale “mbajtje nё pronёsi, kontroll ose posedim tё paautorizuar tё armёve” dhe “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës dhe bëri të ditur se të njëjtit janë arrestuar pas një raportimi për të shtëna me armë zjarri në bjeshkën e Strellcit më datë 08.11.2024.

“Njёsitet relevante tё Stacionit Policor nё Deçan kanë shkuar nё atё lokacion në bjeshkën e Strellcit dhe në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar katërmbëdhjetë (14) gëzhoja cal. 9 mm,  si prova materiale”- thekson policia.

Pas arrestimit të tyre, në koordinim me Prokurorin e Shtetit është kryer kontroll në shtëpitë e personave të dyshuar aty janë gjetur dhe sekuestruar armë të tipit pistoletë dhe karikatorë.

Ndër të tjera, PK njofton se me vendim tё prokurorit tё shtetit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

The post Arrestohen tre persona në Pejë, Policia u sekuestron armë appeared first on Telegrafi.

“Ti je polic, por jo Zot me ma marrë shpirtin”, familja e Agon Zejnullahut thërret protestë

10 July 2025 at 16:52

Të shtunën, më 12 korrik, në ora 11:00, para stacionit policor në Lipjan do të mbahet një protestë paqësore me moton “Drejtësi për Agonin”.

Kjo protestë organizohet nga familjarët dhe miqtë e Agon Zejnullahut, 27-vjeçarit i cili humbi jetën në rrethana ende të paqarta gjatë orëve të para të 7 korrikut, gjatë një intervenimi të policisë për arrestimin e tij.

Albani, vëllai i të ndjerit, ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje në këtë protestë, duke theksuar se qëllimi është kërkesa qytetare për drejtësi dhe transparencë.

Sipas tij, institucionet kanë dështuar në detyrën më themelore – mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

“Le të jetë kjo hera e fundit që një qytetar humb jetën nga dështimi i atyre që duhet ta mbrojnë,” thuhet në njoftimin e familjes Zejnullahu.

Protesta është paralajmëruar të jetë paqësore dhe jopolitike, me kërkesën kryesore: zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve.

Lidhur me këtë rast, pesë zyrtarë policorë tashmë janë paraqitur para gjykatës dhe janë dërguar në paraburgim për një afat prej një muaji.

The post “Ti je polic, por jo Zot me ma marrë shpirtin”, familja e Agon Zejnullahut thërret protestë appeared first on Telegrafi.

Rritet numri i turistëve të huaj që vizitojnë Kosovën

9 July 2025 at 23:57

Numri i turistëve të huaj që kanë vizituar Kosovën është në rritje të vazhdueshme nga viti në vit.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë muajit maj të vitit 2025, në Kosovë kanë hyrë gjithsej 37,300 turistë të huaj, që përfaqëson një rritje prej 19.3% krahasuar me majin e vitit të kaluar, kur numri i vizitorëve ishte 31,268.

Shtetet prej nga vijnë shumica e këtyre vizitorëve janë Shqipëria, Gjermania, Turqia dhe Zvicra.

Në total, gjatë majit 2025 janë regjistruar 61,931 vizitorë në hotelet e vendit, ku 39.7% ishin vendorë, ndërsa 60.2% të huaj.

Kjo përfaqëson një rritje prej 20.1% në krahasim me majin e vitit 2024, kur numri i përgjithshëm i vizitorëve në hotele ishte 51,568.

Sa i përket net-qëndrimeve, në muajin maj janë regjistruar gjithsej 144,265 net-qëndrime, nga të cilat 50.1% janë realizuar nga vizitorët vendorë, ndërsa 49.8% nga turistët e huaj.

Rajoni me numrin më të madh të vizitorëve vendorë ka qenë Peja, me 8,451 vizitorë dhe 31,137 net-qëndrime, duke dëshmuar kështu rëndësinë në rritje të këtij destinacioni për turizmin e brendshëm në Kosovë.

The post Rritet numri i turistëve të huaj që vizitojnë Kosovën appeared first on Telegrafi.

Shkarkohet kapiteni i Policisë në Lipjan pas vdekjes së Agon Zejnullahut

9 July 2025 at 23:42

Kapiteni i Policisë në Lipjan, Argjend Gashi, është shkarkuar nga detyra nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, në një lëvizje të menjëhershme që vjen pas ngjarjes tragjike të vdekjes së 27-vjeçarit në këtë komunë.

Nga burime të Dukagjinit mësohet se në vend të tij është emëruar Brahim Shatrolli, një zyrtar nga Ferizaj, i cili do të marrë drejtimin e policisë në Lipjan.

Ngjarja ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të 7 korrikut në Lipjan.

Pesë zyrtarë të Policisë së Kosovës dyshohen për përfshirje në ndërhyrjen që përfundoi me vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.

Policët u paraqitën para gjykate të mërkurën, seanca zgjati disa orë, dhe gjykata caktoi një muaj paraburgim për secilin prej tyre, me gjithë kundërshtimet nga mbrojtja.

Avokati i njërit prej policëve, Besnik Berisha, ngriti dyshime për mjekimin e dhënë Zejnullahut dhe theksoi se ende mungon raporti i mjekësisë ligjore që do ta sqaronte shkakun e vdekjes.

The post Shkarkohet kapiteni i Policisë në Lipjan pas vdekjes së Agon Zejnullahut appeared first on Telegrafi.

Administrata Trump rikthen fokusin diplomatik në Ballkan, dërgon zyrtar të lartë në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë

9 July 2025 at 23:01

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka rikthyer vëmendjen e saj diplomatik në Ballkan, duke dërguar një zyrtar të lartë për një vizitë zyrtare në tri shtete kyçe të rajonit – Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë.

Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit amerikan, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social X nisjen e tij drejt Ballkanit pas bisedimeve të zhvilluara në Dayton dhe Washington.

“Është një përvjetor i rëndësishëm dhe një kohë vendimtare për Ballkanin Perëndimor. Me padurim pres të forcojmë lidhjet mes SHBA-së dhe vendeve të rajonit,” ka shkruar Hanrahan, duke iu referuar kështu përvjetorit të Marrëveshjes së Daytonit, marrëveshjes që më 1995 i dha fund luftës në Bosnjë.

Kjo vizitë vjen në një moment kur SHBA-ja synon të rigjallërojë bashkëpunimin dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit, në një kohë kur sfidat politike dhe ekonomike vazhdojnë të jenë të pranishme.

I am headed to Bosnia and Herzegovina, Serbia, and Kosovo following productive conversations in Dayton and Washington. It is a pivotal time in the Western Balkans. I look forward to reinforcing ties and forging connections between the U.S. and countries in the region.

— Senior Bureau Official Brendan Hanrahan (@StateEUR) July 9, 2025

The post Administrata Trump rikthen fokusin diplomatik në Ballkan, dërgon zyrtar të lartë në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë appeared first on Telegrafi.

Bllaca kërkoi 1 milion euro e më pas 600 mijë nga Faruk Gashi që të mos dalë publikisht të flasë me emra

9 July 2025 at 22:41

Në një transkript prej 116 faqesh, datuar më 13 tetor 2009, janë zbuluar detaje nga një takim i fshehtë në Sankoc mes Nazim Bllacës dhe tre personave të tjerë: Shpresim Uka, Hysri Rama dhe Qazim Shabani.

Qëllimi i këtij takimi ishte të bindnin Bllacën që të mos dalë publikisht me rrëfimet e tij.

Sipas dokumentit, Bllaca kërkon plot 1 milion euro për të heshtur dhe shmangur publikimin e fakteve.

Ai përmend 63 herë Azem Sylën, duke thënë se ky i fundit e ka tradhtuar dhe ka qenë i informuar për përgatitjen e atentatit ndaj tij.

Në një pjesë të bisedës, Bllaca thotë:

“Interesi jem është kësaj pune mi grah masi s’mujm me gjet gjuhë të përbashkët. Unë i grahi, jam i gatshëm mi grah. Bllacalia është i gatshëm me i grah se më ke vra s’më ka dha llogari Azem Syla. Bllacalia ke i mirë kur shkojke te Seferi, ke i mirë kur shkojke te Ismeti, ke i mirë kur shkojke te Ademi, tash spo ban po duhet me qit në tjetër taborr edhe më vrajte në prapasken.”

Në një moment tjetër, Bllaca kërkon 600 mijë euro nga Faruk Gashi, duke thënë: “Mi bjen mue 600 mijë euro i mbyllim senet. Unë i marr edhe eci.”

Takimi përfundoi pa marrëveshje, dhe pak kohë më vonë, Bllaca doli para kamerave dhe opinionit publik, duke nisur kështu një prej sagave më të njohura të drejtësisë në Kosovë – dosjen “BLLACA”, që përfshiu edhe emra si Azem Syla.

The post Bllaca kërkoi 1 milion euro e më pas 600 mijë nga Faruk Gashi që të mos dalë publikisht të flasë me emra appeared first on Telegrafi.

​Identifikohet personi që shkaktoi aksident trafiku dhe u largua nga vendi i ngjarjes në Ferizaj

9 July 2025 at 22:36

Policia e stacionit policor në Ferizaj, pas një pune hetimore nga hetuesit e njësive përkatëse, ka arritur të identifikojë personin e dyshuar për shkaktimin e një aksidenti të trafikut.

Sipas njoftimit, aksidenti ka ndodhur më 2 korrik 2025, rreth orës 16:54, në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj, ku janë përfshirë një motoçikletë e tipit Gilera dhe një veturë VË Golf, të dyja me targa vendore.

“Sipas hetimeve fillestare, aksidenti ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të distancës së sigurisë nga ana e drejtuesit të motoçikletës, i cili ka goditur automjetin VË, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Pas aksidentit, drejtuesi i motoçikletës është larguar nga vendi i ngjarjes, por më 08.07.2025 është identifikuar si E.A. dhe është ftuar për intervistim në stacionin policor në Ferizaj”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, ndaj të dyshuarit janë shqiptuar katër gjoba për kundërvajtje, për: Drejtim të mjetit pa patentë shofer; Drejtim me regjistrim të skaduar; Largim nga vendi i aksidentit dhe Shkaktim i aksidentit në komunikacion.

Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe ligjet në fuqi, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në komunikacion.

The post ​Identifikohet personi që shkaktoi aksident trafiku dhe u largua nga vendi i ngjarjes në Ferizaj appeared first on Telegrafi.

Haradinaj i zhgënjyer me Kushtetuesen: Vendimi i saj, në linjë me qasjen e Kurtit për grusht shtet

9 July 2025 at 22:25

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, po ndjehet i zhgënjyer me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 26 qershorit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Deputeti Haradinaj tha se vendimi i Kushtetueses është në linje me atë të kryetarit të VV-së, Albin Kurtit dhe siç u shpreh ai, afati prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendin nuk e përmbyll gjendjen në të cilën ndodhet vendi.

“Pak a shumë jam i zhgënjyer me Gjykatën Kushtetuese. Po ju tregoj dy elemente pse: Gjykata Kushtetuese nuk ka lëndë përditë, ka lëndë vetëm kur ia dërgon një palë. Nuk është si gjykatat e zakonshme që i ka një mijë lëndë e kur i shkon edhe një, duhet me pritë kur i vjen rendi”, theksoi Haradinaj në Rubikon te Klan Kosova.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese është institucion që e bën kujdestarinë jo vetëm të Kushtetutës por edhe të rendit kushtetues dhe e ka të drejtën e interpretimit të Kushtetutës, është përgjegjëse për sigurinë institucionale, për sigurinë nacionale.

Se vendimet e saj ndikojnë në çdo element të jetës sonë”, tha më tej ai.

Kreu i AAK-së, tha se Kushtetuesja ka mundur ta trajtojë me më me urgjencën lëndën, madje sipas tij, këtë kta mundur ta bëjë brenda dy jave.

Ai tutje u reagoi ashpër gjyqtarëve të Kushtetueses, pasi sipas tij vendimi që kanë marrë i shkon për shtati qasjes së Kurtit, siç tha ai për të mbajtur grusht shtet në Kosovë.

“Mendoj se gjyqtarët e kanë pasur një mundësi të artë për ta ndihmuar vendin e vetë, me interpretu situatën ekzistuese institucionale në bazë të Kushtetutës se e kanë atë të drejtë me i dhanë perspektivë vendit. E vërtetë është që e kanë dhënë një afat 30 ditor, por nuk e kanë mbyllë këtë gjendje pra e kanë lënë të paqartë. Duke qenë kështu, kam drojë se edhe ky vendim është pak a shumë në qasjen e Kurtit për me mbajt një grusht shteti në Kosovë”, tha më tej Haradinaj.

The post Haradinaj i zhgënjyer me Kushtetuesen: Vendimi i saj, në linjë me qasjen e Kurtit për grusht shtet appeared first on Telegrafi.

“Propagandë e LDK-së, apo e LVV-së”, cila është e vërteta për buxhetin e kryeqytetit?

9 July 2025 at 20:39

Përplasjet mes Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike janë duke vazhduar tash e disa ditë në Prishtinë, tani për çështjen e buxhetit.

Dy palët, akuzojnë njëra tjetrën për propagandë, e nga shoqëria civile thonë se vetëm miratimi i ndryshimeve të Buxhetit nga Kuvendi i Kosovës, mund ta zhbllokojnë buxhetin.

Për çerdhe pa ushqim për fëmijët, shkruante këtë të hënë kryetari i Prishtinës Përparim Rama.

Këtë mes tjerash e kishte përmendur në një postim ku numëronte ndikimin e asaj që i pari e Prishtinës, e konsideron bllokadë të qëllimshme të nivelit qendror.

Buxheti i miratuar me vonesë për një numër arsyesh, në dhjetor të vitit të kaluar, nuk ka arritur të përfshihet në Ligjin për Buxhetin, pa një kuvend të konstituuar.

Por, kjo nuk ka penguar dy partitë, LDK-në me kryetarin Rama që udhëheq me kryeqytetin e Vetëvendosjen, që synon këtë komunë, të akuzojnë njëra tjetrën për propagandë.

Me fjalën e njëjtë, asambleistë të LDK-së, flasin edhe për deklaratat që vijnë nga Vetëvendosje, për rritje të shpenzimeve për mbi 2 milionë euro.

“Shihet ashiqare se ka qenë e qëllimshme. Qëllimi kryesor është se Prishtina udhëhiqet nga një subjekt tjetër dhe Vetëvendosja ashiqare, ka qëllime që ta marrë udhëheqjen e Prishtinës. Bllokimi i buxhetit rrezikon çdo sferë të komunës, shërbimet, mallrat, shërbimi në çerdhe, urgjenca, si tash që kemi nevojë për automjete për zjarrfikësit, derivatet. Komuna s’ka mjete për ti paguar. Është tërsisht propoagandë e LVV. Ato pagesa janë ekzekutuar siç ka kërkuar raporti i auditorit për qëllime gjyqësore. E dini se konkrata koletkive e obligon komunën të paguajë shujtën dha pagat jubilare për arsim. Këto pagesa janë bërë nga komuna”, ka theksuar Fiknete Bejta, asambliste e LDK-së në Prishtinë.

Por, edhe një herë tjetër, nga dega e Vetëvendosjes në Prishtinë, situatën, nuk e shohin si të ndikuar nga niveli qendror.

“Pyetja logjike në këtë rast është: nëse paska bllokadë nga qeveria, ku po i merr Komuna e Prishtinës gjithë këto miliona euro për t’i shpenzuar? Edhe më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2024. Përgjigjja është e thjeshtë dhe konkrete: nuk ka bllokadë nga niveli qendror. Ka dezinformata dhe të pavërteta nga niveli lokal. E gjithë kjo propagandë e LDK-së dhe Përparim Ramës në Prishtinë është akti i fundit i një qeverisjeje që do të mbahet mend si njëra nga më të dobëtat që ka pasur ndonjëherë kryeqyteti”, ka deklaruar Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të LVV-së.

Përderisa dy palët vazhdojnë akuzat e kundër-akuzat, në këtë situatë organizatat monitoruese të punës së Komunës, e vlerësojnë si hap thelbësor zhbllokimi e ngërçit në  Kuvendin e Kosovës.

“Vonesa në miratimin e buxhetit komunal nga Asambleja e Prishtinës në dhjetor të vitit 2024 ka krijuar një pengesë serioze, pasi ky buxhet nuk ka mundur të reflektohet përmes amandamenteve në Ligjin e Buxhetit nga Kuvendi i Kosovës. Roli i Kuvendit është kyç, pasi është institucioni përfundimtar që duhet të miratojë dhe harmonizojë ligjin e buxhetit për të mundësuar zbatimin efektiv të projekteve në nivel lokal. Por, për shkak se Kuvendi ende nuk është konstituar, procesi ka mbetur pezull. Për këtë arsye, është jetike që Kuvendi të konstituohet sa më parë dhe të amandamentohet Ligjii për Buxhetin për vitin 2025, në mënyrë që komunat, përfshirë Prishtinën, por edhe disa tjera, të mund të zbatojnë prioritetet e tyre pa pengesa”, ka theksuar Ardit Dragusha, nga organizata “D+”.

Tash e një kohë, kryetari Përparim Rama dhe Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati janë ballafaquar në rrjete sociale me Ramën që pretendon se po sabotohet dhe ministrin, që ngulë këmbë se komuna s’respektoi dispozitat ligjore dhe LDK-në, që po bllokon konstitutimin e Kuvendit, raporton RTVDukagjini.

The post “Propagandë e LDK-së, apo e LVV-së”, cila është e vërteta për buxhetin e kryeqytetit? appeared first on Telegrafi.

Serbia ia vazhdon paraburgimin ish-policit Arbnor Spahiu – reagon MPJD

9 July 2025 at 18:52

Gjykata e Lartë e Suboticës në Serbi ka marrë vendim për zgjatjen e masës së paraburgimit edhe për 30 ditë ndaj ish-policit të Republikës së Kosovës, Arbnor Spahiu.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), përmes një komunikate për media.

Spahiu ishte arrestuar më 7 qershor 2025 nën dyshimet për përfshirje në rastin e Banjskës, megjithatë, sipas MPJD-së, deri më tani autoritetet serbe nuk kanë paraqitur asnjë provë që do ta justifikonte këtë ndalim.

“Prokuroria e Lartë e Suboticës ka iniciuar procedurë penale me pretendimet për përfshirje të z. Spahiu në rastin e Banjskës, megjithatë, sipas avokatit mbrojtës, deri më tani nuk është paraqitur asnjë provë apo dëshmi e besueshme që do të rëndonte pozitën e tij ligjore,” thuhet në komunikatë.

MPJD ka theksuar se Spahiu kishte lënë Policinë e Kosovës vite përpara ngjarjeve në Banjskë dhe kjo është dëshmuar përmes dokumenteve zyrtare të dorëzuara nga avokati i tij mbrojtës në gjykatë.

Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me familjen e Spahiut dhe ka njoftuar bashkëshorten e tij për vendimin e fundit të gjykatës.

Familjarët e Spahiut pritet që nesër, më 10 korrik, të udhëtojnë drejt Suboticës për ta vizituar atë, ndërsa kanë planifikuar edhe një takim me përfaqësues të Zyrës në Beograd.

MPJD ka bërë të ditur se do të dorëzojë një kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës institucionale tek Spahiu, dhe pret që kjo të miratohet brenda kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme.

“MPJD rikonfirmon përkushtimin e saj që ky rast të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe transparente, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe obligimet që rrjedhin nga dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian,” thuhet tutje në reagim.

Institucionet kosovare kanë kritikuar vazhdimisht arrestimet që Serbia i ka bërë shtetasve të Kosovës, duke i cilësuar si veprime të njëanshme dhe të paprecedenta.

Ministria ka njoftuar se do të vazhdojë të informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejshëm në lidhje me këtë rast./Telegrafi/

The post Serbia ia vazhdon paraburgimin ish-policit Arbnor Spahiu – reagon MPJD appeared first on Telegrafi.

Rreziku i një situate të paprecedentë në Kosovë pas afatit të 26 korrikut

9 July 2025 at 18:27

Situata në Kosovë mbetet e bllokuar, ndërsa heqja e mandateve të deputetëve – një opsion i përmendur në rast të moskonstituimit të Kuvendit deri më 26 korrik – nuk konsiderohet e realizueshme.

Ekspertët paralajmërojnë se, nëse ky afat shkelet, vendi do të përballet me një krizë politike dhe juridike të panjohur më parë.

Askush nuk ka përgjigje të qartë se çfarë do të ndodhë në Kosovë pas 26 korrikut – datë kur skadon afati prej 30 ditësh që Gjykata Kushtetuese u ka dhënë deputetëve të zgjedhur për të konstituuar Kuvendin.

Deri tani, përpjekjet për formimin e këtij institucioni ligjvënës kanë dështuar 44 herë.

Partitë politike vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për ngërçin dhe të mos lëvizin nga qëndrimet e tyre.

Në këtë atmosferë bllokade, ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gjyljeta Mushkolaj, thotë se barra e përgjegjësisë duhet të kalojë tani mbi presidenten e vendit, Vjosa Osmani, e cila e ka detyrë kushtetuese të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve.

Sipas saj, e para e shtetit duhet t’i intensifikojë përpjekjet për arritjen e një konsensusi mes partive politike, dhe nëse kjo dështon, të kërkojë interpretim shtesë nga Gjykata Kushtetuese, për të qartësuar hapat e ardhshëm.

“Gjykata Kushtetuese duhet të jetë më e prerë rreth afatit që e ka përcaktuar dhe pasojave që vijnë pas këtij afati. Roli i Gjykatës Kushtetuese nuk ka përfunduar ende”, thotë Mushkolaj.

Javën e kaluar, presidentja Osmani priti për dy ditë me radhë përfaqësuesit e partive politike, në përpjekje për të zhbllokuar situatën.

Pas takimeve, ajo u shpreh qartë se konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, është “detyrim e jo opsion” dhe u bëri thirrje partive që sa më shpejt të gjejnë zgjidhje.

Radio Evropa e Lirë pyeti Zyrën e Presidentes nëse po e shqyrton mundësinë për t’iu drejtuar Kushtetueses, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Në një deklaratë për mediat më 30 qershor, këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, tha se “nëse paraqitet nevoja, presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) thonë se konsensusi është e vetmja rrugë për të tejkaluar bllokadën dhe për të konstituuar Kuvendin deri më 26 korrik.

Nëse kjo nuk ndodh, Kosova do të përballet me një situatë të panjohur deri më tash, thotë Naim Jakaj nga ky institut.

“Kosova do të hyjë në një situatë të re juridike dhe politike, që nuk e ka përjetuar më herët. Pasojat e saj do t’i ndiejmë në muajt e ardhshëm, në rast se Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik”, thotë Jakaj.

A mund t’iu merret mandati deputetëve?

As Lëvizja Vetëvendosje, që doli e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, nuk ka një përgjigje të qartë për zhvillimet që mund të pasojnë nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik.

Më 9 korrik, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve për këtë çështje, deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha shkurt: “E paparashikuar”.

Dy ditë më parë, ajo përmendi mundësinë që të gjithë deputetët e Kuvendit të humbin mandatin, nëse nuk e konstituojnë institucionin brenda afatit 30-ditor, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

“…janë 120 deputetë të legjislaturës së 9-të, që mund t’iu merret mandati, dhe të vazhdohet pastaj me deputetët që janë në listat e të gjitha partive politike”, tha Kusari-Lila.

Por, Mushkolaj shpjegon se mandatin e deputetëve të zgjedhur në mënyrë demokratike nuk mund ta marrë askush.

“Populli ua ka dhënë këtë mandat dhe populli ua merr mandatin. Vetëm nëse shkojmë në zgjedhje. Por, përsëri, duhet të konstituohet Kuvendi”, thotë profesoresha në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Jakaj, gjithashtu, nuk e sheh të mundshme heqjen e mandatit të deputetëve.

Ai thekson se Kushtetuta e Kosovës, në nenin 70, përcakton qartë arsyet për përfundimin ose pavlefshmërinë e mandatit të deputetit.

Ato përfshijnë: mosbetimin, dorëheqjen, emërimin në qeveri, përfundimin e mandatit të kuvendit, mungesën prej gjashtë muajsh në seanca, dënimin me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vite burgim, ose vdekjen e deputetit.

“Në asnjë nga pikat e aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese nuk i ka saktësuar pasojat kolektive apo individuale për deputetët, në rast të moskonstituimit brenda afatit prej 30 ditësh”, shton Jakaj.

Muhaxhiri: Nuk ka precedent për marrjen e mandateve

Edhe Artan Muhaxhiri, sociolog dhe njohës i politikës në Kosovë, thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk parashikon marrjen e mandateve nga deputetët, në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit.

Për më tepër, thekson ai, në Kosovën e pasluftës nuk ka ndonjë precedent të ngjashëm.

Ai thotë se një hap i tillë do të kërkonte një vendim të ri të Gjykatës dhe ndryshime në mënyrën e zëvendësimit të deputetëve, por, prapëseprapë, nuk do të garantonte tejkalimin e bllokadës politike që po e pengon formimin e institucioneve.

“E para, ata deputetë që do të vinin, do të kishin më pak legjitimitet dhe pothuajse të gjithë do të ishin anonimë, pa përvojë politike. Vetë fakti që nuk janë zgjedhur, dëshmon se nuk kanë arritur sukses as në garën përbrenda partive të tyre”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se personat që do t’i zëvendësonin deputetët aktualë, do të vepronin nën udhëzimet e liderëve të partive të tyre, ndaj sjellja e tyre në procesin e konstituimit të Kuvendit do të ishte e njëjtë me atë të deputetëve aktualë.

“Do të ktheheshim në pikën ku jemi tash, por me një humbje të kohës dhe me një dëmtim të perspektivës së Kosovës dhe imazhit institucional në përgjithësi”, thekson Muhaxhiri.

Ku ka mbetur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës?

Deri më tani, deputetët kanë përfunduar vetëm dy pika të agjendës: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve.

Procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e nevojshme në disa runde votimi për t’u zgjedhur në këtë post.

Dy parti parlamentare, PDK-ja dhe AAK-ja, e shohin Haxhiun si figurë përçarëse dhe kërkojnë nga Lëvizja Vetëvendosje të propozojë një emër tjetër për kryeparlamentar.

LDK-ja thotë se nuk do të mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për këtë pozitë.

E, Vetëvendosje këmbëngul tani që votimi për Haxhiun të bëhet në mënyrë të fshehtë, duke premtuar se nëse ajo nuk i merr 61 vota, do të propozojë një kandidat tjetër.

Por, kjo formë votimi kundërshtohet nga partitë e tjera, duke e futur situatën në një rreth vicioz.

Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykimin për konstituimin e Kuvendit me afat 30 ditësh më 26 qershor, pas 37 tentativave të dështuara në këtë proces.

Megjithatë, ekspertët kushtetues dhe partitë politike e kanë kuptuar dhe interpretuar këtë vendim në mënyra të ndryshme.

Muhaxhiri thotë se për të tejkaluar bllokadën në Kuvend, është e nevojshme që Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim më të qartë dhe më të drejtpërdrejtë, raporton REL.

The post Rreziku i një situate të paprecedentë në Kosovë pas afatit të 26 korrikut appeared first on Telegrafi.

Rreth 700 ankesa të qytetarëve ndaj policisë gjatë vitit 2024 për keqtrajtime e vepra të tjera

9 July 2025 at 16:56

Gjatë vitit 2024, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka pranuar gjithsej 693 ankesa për vepra penale të kryera nga zyrtarët policorë.

Të dhënat zyrtare tregojnë për një numër të lartë të rasteve që lidhen me keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit, por edhe me sjellje të tjera të ndaluara me ligj.

Sipas të dhënave të publikuara nga IPK  rastet e raportuara klasifikohen si më poshtë:

Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës: 196 raste

Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar: 163 raste

Të tjera: 112 raste

Manipulim me prova: 68 raste

Kanosje: 48 raste

Ushtrim ndikimi: 21 raste

Dhuna në familje: 16 raste

Sulm: 14 raste

Lëndim trupor: 13 raste

Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm: 12 raste

Moslajmërim i veprës penale: 11 raste

Zbulim i fshehtësisë zyrtare: 10 raste

Rrezikim në trafikun publik: 9 raste

Në mesin e këtyre ankesave, 14 ishin për sulme, ndërsa disa të tjera përfshijnë edhe akte të dhunës fizike, apo manipulime të provave dhe ndikim të padrejtë në proceset zyrtare.

Këto të dhëna theksojnë nevojën për mbikëqyrje më të rreptë institucionale dhe forcim të llogaridhënies në radhët e Policisë së Kosovës, për të ruajtur integritetin dhe besimin e qytetarëve në forcat e rendit.

The post Rreth 700 ankesa të qytetarëve ndaj policisë gjatë vitit 2024 për keqtrajtime e vepra të tjera appeared first on Telegrafi.

Qeveria në detyrë merr gjashtë vendime të reja

9 July 2025 at 16:21

Qeveria e Kosovës në detyrë, e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur sot mbledhjen e saj të 264-të, në të cilën ka marrë gjashtë vendime të rëndësishme që përfshijnë fusha të ndryshme, nga arsimi dhe punësimi te zhvillimi infrastrukturor dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

Një nga vendimet kryesore ishte ndarja e 580 mijë eurove për bashkëfinancimin e projektit për ndërtimin e Shkollës së Muzikës dhe Muzeut të Preshevës.

Kjo mbështetje vjen në vazhdën e angazhimit institucional për shqiptarët në Luginën e Preshevës, duke pasuar një vendim të mëhershëm për ndarjen e 626,400 eurove për arsimin dhe lobimin institucional në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që përfshin bursa për studentë dhe aktivitete avokuese në nivel ndërkombëtar.

Në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, Qeveria ndau 2 milionë euro për punësimin e qytetarëve të komuniteteve joshumicë në të gjithë vendin. Kjo mbështetje është pjesë e Masës 1.9 dhe synon integrimin ekonomik të këtyre komuniteteve.

Një tjetër vendim me rëndësi ishte miratimi i nismës për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim. Marrëveshja ka për qëllim zhvillimin e një kornize rregullatore kombëtare për sigurinë e digave në Kosovë.

Vlera e grantit është 1 milion dollarë dhe do të shërbejë për asistencë teknike në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Gjithashtu, Qeveria vendosi rialokimin e 1.2 milionë eurove për 10 projekte kapitale në 10 komuna: Dragash, Ferizaj, Gjakovë, Han i Elezit, Klinë, Mitrovicë, Podujevë, Shtime, Prizren dhe Mamushë.

Këto projekte synojnë të mbështesin zhvillimin lokal dhe përmirësimin e infrastrukturës në këto zona.

Vendimet e sotme u prezantuan si dëshmi e vazhdimësisë së punës institucionale dhe përkushtimit për përfshirje të barabartë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

The post Qeveria në detyrë merr gjashtë vendime të reja appeared first on Telegrafi.

Grafitë protestuese në Lipjan pas vdekjes së Agon Zejnullahut

8 July 2025 at 23:45

Vdekja e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu nga Lipjani, i cili humbi jetën pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës, ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe ka nxitur veprime simbolike proteste.

Pamjet e publikuara në media tregojnë përdorimin e forcës joproporcionale nga ana e disa zyrtarëve policorë gjatë arrestimit të Zejnullahut.

Ngjarja ka ngjallur zemërim të madh publik dhe ka vënë në pikëpyetje mënyrën e veprimit të policisë ndaj qytetarëve.

Së fundmi, në afërsi të Stacionit Policor në Lipjan janë shfaqur grafitë me përmbajtje protestuese, të vendosura nga “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”.

Në to lexohen mbishkrime si: “Policia e Kosovës të ndrydh derisa të vret”, “Policia i ka duart me gjak”, “Policia të vret” dhe “Kush na mbron prej Policisë?”.

Në reagimin e Kolektivit, thuhet se vdekja e Zejnullahut nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një strukture të dhunshme dhe të institucionalizuar të ushtrimit të pushtetit nga Policia e Kosovës.

“Brutaliteti policor që e la pa frymë Agonin nuk ishte shpërdorim i izoluar i forcës dhe pushtetit, por një normë e cila e përshkon raportin që institucioni i policisë ka krijuar me civilët/et”, thuhet në deklaratë.

Ata e cilësojnë ngjarjen si një “moment kritik për ndërgjegjen kolektive”, duke theksuar se dhuna policore nuk është e rastësishme, por sistematike dhe duhet kundërshtuar me organizim shoqëror.

“Thërrasim në mobilizim shoqëror për siguri të gjithësecilës e secilit prej nesh, dhe për të kërkuar drejtësi post-mortum për Agonin”, thuhet më tej në njoftim.

Ndërkohë, pesë policët e përfshirë në incidentin tragjik janë ndaluar për 48 orë, në pritje të procedurave të mëtejme hetimore.

The post Grafitë protestuese në Lipjan pas vdekjes së Agon Zejnullahut appeared first on Telegrafi.

❌
❌