A mund të jetë dehidratimi i fshehur shkaku i lodhjes suaj gjatë ditës?
LONDËR, 14 korrik /ATSH/- A mund të jetë dehidratimi i fshehur – shkaku i lodhjes suaj gjatë ditës? Të gjithë kemi përjetuar etjen dhe është e pakëndshme. Është gjithashtu shenja e parë e dehidratimit, e cila mund të avancojë shpejt, sipas BBC.
Dehidratimi i lehtë deri në të moderuar zhvillohet vetëm pas disa orësh, në varësi të moshes, shëndetit dhe faktorëve mjedisorë.
Personat mund të përjetojnë lodhje, marramendje dhe konfuzion. Pas 24 orësh, efektet e dehidratimit të rëndë mund të rezultojnë në simptoma serioze, duke përfshirë shokun dhe krizat epileptike.
Dehidratimi i fshehur (ose dehidratimi i nivelit të ulët kronik) mund të ndodhë kur jeni të dehidratuar lehtë gjatë një periudhe të gjatë kohore, dhe mund të ketë efekte si fizike ashtu edhe mendore.
Efektet e dehidratimit të fshehur
Siç sugjeron edhe vetë emri, dehidratimi i fshehur është një gjendje disi e fshehtë dhe ju mund të vuani nga efektet e saj pa qenë të vetëdijshëm për shkakun.
Lodhja renditet si ndër simptomat kryesore të dehidratimit të fshehur, të cilat përfshijnë gjithashtu:
• Urinë të errët
• Gojë të thatë
• Marramendje
• Dhimbje koke
• Mungesë përqendrimi
Trupi i njeriut përbëhet mesatarisht nga 60% ujë. Truri dhe zemra janë 73% ujë dhe muskujt përmbajnë 75% ujë.
Dehidratimi shkakton rënie të vëllimit të gjakut, duke rezultuar në presion më të ulët të gjakut – që do të thotë një ulje e rrjedhjes së gjakut në tru, e cila shkakton lodhje.
Njerëzit përjetojnë një rënie natyrale të energjisë pas drekës, megjithatë, nëse nuk jeni hidratuar mjaftueshëm gjatë gjithë ditës, trupi juaj do të ketë një deficit duke bërë që kjo rënie të jetë më ekstreme.
Rekomandohet që një i rritur duhet të pijë nga gjashtë deri në tetë gota ujë (1,2-2 litra) në intervale të rregullta gjatë gjithë ditës.
Meqenëse këshillohet të pihet deri në 2 litra ujë në ditë, cilësia e ujit mbetet shumë e rëndësishme.
Përmirësimi i zakoneve të pirjes së ujit duke pasur një konsum të qëndrueshëm gjatë gjithë ditës do të japë rezultate pozitive, veçanërisht nëse vuani nga mungesa e përqendrimit dhe lodhja gjatë pasdites. //a.i/
The post A mund të jetë dehidratimi i fshehur shkaku i lodhjes suaj gjatë ditës? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.