Eksportet janë rritur në korrik për të tretin muaj radhazi. Edhe ecuria e korrikut është ndikuar nga rritja e fortë e lëndëve djegëse drejt Kosovës si dhe shtimi i shitjeve të produkteve ushqimore në vendet e tjera.
Në rritje ishin dhe eksportet e grupit makineri e pjesë këmbimi. Sektori që punon me material porositësi, kryesisht tekstile e këpucë po rimëkëmbet lehtë.
Ndërsa në rënie të fortë vazhdojnë materialet e ndërtimit e metalet, të ndikuara nga frenimi i aktivitetit të Kurum.
Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në Korrik 2025 eksportet e mallrave arritën vlerën 35 mld lekë, duke u rritur me 5,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas INSTAT, Gjatë muajit Korrik 2025, në rritjen e eksporteve prej 5,7 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +12,8 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,2 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +0,8 pikë përqindje, etj. Negativisht kanë ndikuar grupet:
“Materiale ndërtimi dhe metale” me -8,0 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me -1,3 pikë përqindje.
Për 7 mujorin, tendenca mbetet pozitive.
Eksportet, gjatë këtij shtatëmujori janë rritur me 2,6 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +9,2 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +1,1 pikë përqindje, etj. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,3 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,7 pikë përqindje, etj.
Kosova “shpëton eksportet, por është thjesht efekt metodologjie, tendenca reale në rënie
Rritja e eksporteve është ndikuar nga Kosova, shitjet drejt të cilës u rritën me 72.5% në shtatëtëmujor, e ndikuar kryesisht nga grupi “mineralet, lëndët djegëse e energjia”.
Nga 6 miliardë që janë rritur eksportet në total në vlerë, shitjet e Kosovës janë zgjeruar me 17.3 miliardë lekë, për 7 mujorin, duke amortizuar rënien e eksporteve drejt shteteve të tjera, kryesisht drejt Italisë (-10.3 miliardë lekë), Maqedonisë së veriut (-2.5 miliardë lekë).
Eksportet drejt Kosovës unë 17.2% të totalit në 7 mujorin 2025, nga 10% të njëjën periudhë të një viti më parë, duke u renditur e dyta pas Italisë (38.8%).
Por, rritja e fortë e eksporteve me Kosovën ka të bëjë me faktin se që nga 1 janari 2025 tranzitet e karburantit drejt Kosovës raportohen edhe si ri eksporte, duke ndikuar në zgjerimin e fortë të eksporteve në vlerë.
Duke hequr efektin e ndryshimit të metodologjisë, që nuk janë eksportet reale drejt Kosovës, por tranzit i produkteve përmes Shqipërisë, tendenca reale e eksporteve vijon me rënie, me rreth 8-10 miliardë lekë.
Lëndët djegëse, energjia e mineralet, rritja nga Kosova
“Minerale, lëndë djegëse e energji” është grupi me rritjen më të madhe në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Për janar-korrik, eksportet arritën në gati 66 miliardë lekë, me një rritje prej 48% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur efektin kryesor e kishin shitjet e Bankers Petroleum në Spanjës, ose energjia, ndikimin kryesor në këtë tendencë e ka dhënë Kosova, që ka pasur një zgjerim të fortë të shitjeve të grupmallit “Lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e distilimit të tyre”, që siç u shpjegua më lart ka të bëjë me riklasifikimin e eksporteve drejt shtetit fqinjë.
Fasoni rritje e lehtë
Eksportet e tekstile e këpucë kanë shënuar luhatje të shumta përgjatë muajve të parë të këtij viti, me rënie e rritje të lehta. Në korrik, ky grup u rrit lehtë me 1.2%.
Për shtatëmujorin tendenca është negative, me një rënie prej 1% me bazë vjetore.
Ekspertët e tregut kanë pohuar se sezoni i prodhimit për veshjet dhe këpucët e stinës së dimrit sivjet është përqendruar në 4 muaj nga 5 muaj që zgjat zakonisht. Sezoni i prodhimit për veshjet e stinës së dimrit nga kompanitë e manifakturës sivjet nisi në muajin Prill dhe pritet të përfundojë më 15 Shtator.
Nga sektori është parashikuar një rritje eksportesh në nivelet 3 deri 5%, e ndikuar nga rritja e shitjeve në periudhën janar-shkurt 2025, krahasuar me vitin e kaluar. Këpucët janë produkti më i kërkuar, pas një rënieje në shitje gjatë viteve 2023 dhe 2024.
Materiale ndërtimi dhe metale, tkurrje e fortë 34%
“Materialet e ndërtimit dhe metalet” kanë vijuar tendencën rënëse edhe këtë vit, të ndikuar nga reduktimi i aktivitetit të Kurum, përpunuesit të çelikut, që është një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend.
Për shtatë mujorin, ky grup ra me 33%. Sektori po vuan nga kërkesa e dobët rajonale dhe tkurrja e çmimeve.
Ushqime pije e duhan, ngadalësojnë rritjen
“Ushqime pije e duhan”, një nga grupet me ecurinë më të mirë vitet e fundit po shënon rritje. Në janar-korrik, ky grup u rrit me 8.15%, teksa në korrik zgjerimi u ngadalësua në 5.9%, nga rreth 23% që ishte në qershor. Ecuria është ndikuar nga riorganizimi i fermave të vogla ë ferma më të mëdha për eksporte, shtimi i kontratave dhe zgjerimi i zonave që eksportojnë, si dhe shtimi i investimeve në magazina e zgjerimi i tregjeve deri në vendet nordike.
Makineri, pajisje, pjesë këmbimi rritje e fortë
“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” shtë grupi që e ka marrë vetën në korrik, pasi kishte shfaqur shenja stanjacioni dy vitet e e fundit. Në korrik grupi u rrit me 12.6%, ndërsa për 7 mujorin zgjerimi është 5.1%. Ky grup po vuan zhvlerësimi i euros, rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore.
Ulet deficiti tregtar
Në këtë shtatëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 239 mld lekë, duke u rritur me 2,6 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 515 mld lekë, duke u ulur me 2,1 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 276 mld lekë, duke u ulur me 5,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024.
Në Korrik 2025 eksportet e mallrave arritën vlerën 35 mld lekë, duke u rritur me 5,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 0,5 %, në krahasim me Qershor 2025.
Importet e mallrave arritën vlerën 83 mld lekë, duke u ulur me 2,4 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 9,1 %, në krahasim me Qershor 2025. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 48 mld lekë, duke u ulur me 7,5 %, krahasuar me Korrik 2024 dhe duke u rritur 17,3 %, në krahasim me Qershor 2025.




The post Rritje fiktive e eksporteve, pas ndryshimit të raportimit me Kosovën, ecuria reale është me rënie appeared first on Revista Monitor.