Rama: Mandati i katërt për Rilindjen Urbane 2.0, transformim i shërbimeve jetike
TIRANË, 21 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se mandati i katërt do të jetë mandati i Rilindjes Urbane 2.0.
Kjo, sipas kryeministrit, do të thotë më shumë hapësira publike të rikualifikuara me përfshirjen e arkitektëve të huaj.
Duke iu përgjigjur pyetjeve dhe komenteve të adresuara nga qytetarët në platformat sociale, Rama theksoi se “fatmirësisht kemi një rrjet arkitektësh të huaj si pakkush në këtë botë me një numër të konsiderueshëm edhe arkitektësh shqiptarë.
“Janë 60 arkitektë lokalë që janë angazhuar në Tiranë në 8 grupe pune, që po merren ndërkohë me projektet, sepse nuk është thjesht të heqim gjërat, por të krijojmë situata të reja të kualifikuara nga pikëpamja urbane në territoret e komuniteteve”, nënvizoi Rama.
Kryeministri siguroi se kjo gjë do të ndodhi në të gjithë perimetrin e Tiranës hap pas hapi.
“Tirana ka nevojë të ngjitet në një nivel tjetër të hapësirave publike, të kulturës urbane, cilësisë së shërbimeve dhe estetikës së shërbimeve sepse ky është momenti ku ne mund ta humbasim bastin e madh të Shqipërisë kampione e Ballkanit në turizëm, nëse nuk i japim cilësi estetike shërbimeve tona”, tha Rama.
Sipas tij, “ky është momenti edhe për transformimin e disa shërbimeve jetike nga shërbimi me ujë, tek shërbimi i pastrimit, të cilat do t’i reformojmë rrënjësisht.
“Ashtu sikundër edhe te kontrolli mbi territorin dhe kontrolli i sigurisë ushqimore. Këto janë piketa kyçe të mandatit të katërt dhe që lidhen drejtpërdrejt edhe me anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, tha Rama. /j.p/
The post Rama: Mandati i katërt për Rilindjen Urbane 2.0, transformim i shërbimeve jetike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.