Lida Berisha promovon librin ‘Meet dhe Balkans’, trajton karakteristikat e ballkanasve me humor e ilustrime

Flonja Haxhaj
Sot, në ambientet e Barabar Centre, u bë promovimi i librit “Meet the Balkans – An illustration guide to social life”, i autores Lida Berisha, një libër ky që vjen si një satirë e lehtë e karakteristikave të ballkanasve, duke përfshirë pikëvështrime të ndryshme të jetesës së tyre, shkruan KultPlus.
Botuar nga Shtëpia Botuese “Rea”, “Meet the Balkans” është një libër ilustrativ që, me stilin minimalist të Berishës, sjell një kolazh të zakoneve, sjelljeve dhe momenteve të zakonshme ballkanike – ato që shpeshherë janë njëkohësisht qesharake dhe prekëse. Me humor të hollë dhe vëzhgime të mprehta, autorja na fton të reflektojmë mbi vetveten dhe mbi atë çka na bën “ballkanas”.
Në një mbrëmje që kishte mbledhur shumë dashamirë të librit por edhe të tërhequr nga tematika e librit, ky promovim filloi me një video ilustruese që tregonte procesin e krijimit të librit por edhe në përgjithësi atë çka ky libër trajton.
Në këtë promovim, e para, fjalën e mori Rozafa Bashota nga Shtëpia Botuese ‘Rea’, e cila përveç që foli për librin, rrëfeu edhe përvojën me vetë autoren e tij.
“‘Meet the Balkans’ një libër që flet për ne, qesh me ne dhe na kujton se pse Ballkani është kaq unik. Me Lidën ka qenë kënaqësi bashkëpunimi prej ditës së parë, e ka një mënyrë shumë unike se si e sheh botën dhe këtë e ndjen në çdo faqe të librit të saj. Ajo vjen me ide të guximshme dhe me një përkushtim të rrallë ndaj detajeve, edhe artistike edhe njerëzore. Ky libër është krejtësisht Lida, i sinqertë, i veçantë në mënyrën më të mirë të mundhsme dhe shumë ballkanik”, u shpreh Bashota në fjalimin e saj.

Më pas, fjalën e mori shkrimtari, poeti dhe profesori universitar, Sali Bashota, i cili u shpreh se autorja Lida Berisha, ka arritur me një mjeshtëri të paraqesë kulturën e Ballkanit, duke kombinuar me ilustrime e fotografi.
“Gjatë leximit të këtij libri, unë mendoj se është një libër i veçantë, i botuar në Kosovë, edhe për nga tematika edhe për nga ana vizuale, mënyra e kombinimit të ideve, të motiveve, temave, subjekteve të ndryshme, që natyrisht kanë secila në vete nga një porosi. Lida ka arritur me një mjeshtëri stili, gjuhe e figuracioni të paraqesë pjesën kreative të jetës sociale në përgjithësi në Ballkan, duke përfshirë doke, zakone dhe adete, por edhe duke sjellë një imazh ku kombinohet fjala, tingulli dhe fotografia, ilustrimi. Nga ana letrare, është ajo ndjeshmëria e vetë autorit me fenomenet estetike me fenomenet sociale dhe jetësore, e që është një karakteristikë e veçantë të cilën Lida e posedon jo vetëm një pikëvështrim nga sociale e psikologjike por natyrisht unë e kam parë se ka ambicie edhe në stilin letrar, që i përket letërsisë”, u theksoi Bashota, teksa më tutje sugjeroi që ky libër të lexohet nga të gjitha gjeneratat.
I pranishëm në këtë promovim ishte edhe sociologu dhe poeti Agon Rexhepi. Ai theksoi se autorja ka arritur të shkruajë një libër me të cilin vë theksin tek të metat e Ballkanit, mirëpo në një formë në të cilën askush nuk ndjehet i ofenduar.
“Mendoj që identiteti ballkanik është goxha kompleks, është një lloj simbioze në mes të ndjenjës së patriotizmit që ndonjëherë kalon në nacionalizëm dhe në një lloj ndjenje të inferioritetit, një ndjenjë që ti aq sa e do vendin tënd aq edhe ndjehesh inferior në raport me të tjerët. Konsideroj që është goxha problematike ta gjesh një gjuhë që e portretizon nga një prespektivë antropologjike këtë çështje, por pa e ofenduar asnjërën palë. Është diçka shumë e zgjuar nga ana e autores, një kontribut shumë i vyeshëm se si ka ditur t’i shkrijë fjalët që i ka treguar në njëfarë forme një të zezë të Ballkanit, pa i bërë të ndjehen keq dhe pa ua aktivizuar ata mekanizmat mbrojtës”, tha Rexhepi.
E krejt në fund, fjalën e mori vetë autorja Lida Berisha, e cila fillimisht falënderoi të gjithë të pranishmit dhe më tutje dha më shumë informacione se si filloi shkrimi i këtij libri.
“Unë jam vëzhguese e Ballkanit për 34 vite. Mua më pëlqen të vëzhgoj, të observoj, të shoh kulturat dhe sidomos kur distancohesh prej vendit, i sheh edhe më mirë edhe mangësitë edhe të mirat, por pastaj ndonjëherë përzihen edhe nostalgjia edhe melankolia që e ke për vendin, kështu që jam munduar të jem sa më reale pa ndonjë ndjenjë të përzier. Kam pasur kohë të reflektoj dhe të jem sa më e sinqertë, pa ndonjë gjë që dikush mund ta marrë si të keqe, si kritikë”, tha Berisha, e cila në vazhdim shtoi se ky libër është vetëm një satirë e lehtë për Ballkanin, por pa dashur të ofendojë askënd.
E për fund, të pranishmit patën mundësi të jenë edhe pjesë e një ekspozite, kur u ilustruan disa nga karakteristikat që e mbizotërojnë shumicën e jetesës së ballkanasve./KultPlus.com

