Ishte një nga momentet më emocionalë të jetës së tij. Roberto Saviano, shkrimtari i njohur italian dhe autori i romanit “Gomorra”, nuk mbajti dot lotët në sallën e Gjykatës së Apelit në Romë, ku u konfirmua dënimi ndaj Francesco Bidognetti, bos i klanit të Casalesit, i njohur me nofkën “Cicciotto ’e Mezzanotte”.
Saviano shpërtheu në të qara të dëshpëruara, të krahasueshme vetëm me dhimbjen që kishte ndier në funeralin e shkrimtares Michela Murgia, më 13 gusht të dy viteve më parë. “Po, është e vërtetë. Nuk kam qarë kështu prej asaj dite,” pranoi ai, ndërsa largohej nga godina nën shoqërimin e makinave të blinduara të mbrojtjes.
I përqafuar me avokatin e tij Antonio Nobile, Saviano përsëriste: “Më kanë vjedhur jetën. Më kanë shkatërruar.” Rreth tij, ndjekës të ardhur nga qytete të ndryshme si Torino, Bolonja e Pésaro, e përshëndetën mes duartrokitjesh vendimin e gjykatës.
Bidognetti, një emër që i ngjall tmerr
Për Savianon, rikthimi i figurës së Bidognetti-t përmes lidhjes me videokonferencë nga burgu i Operas, ku ai vuan dënimin me regjim të ashpër (41-bis), ishte një përballje me ankthin që e ndjek prej vitit 2008.
Atë vit, gjatë procesit gjyqësor “Spartacus”, avokati i Bidognetti-t lexoi në sallën e gjyqit një “proklamatë” që, sipas gjykatës, përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e Savianos dhe gazetares së gazetës Il Mattino, Rosaria Capacchione.
“Nuk është rastësi që ai nuk ka munguar në asnjë seancë. Prej më shumë se 30 vitesh është në 41-bis dhe këto seanca janë si ‘ore ajrimi’ për të,” komentoi Saviano duke treguar nga ekrani.
Dy dekada nën mbrojtje, një çmim i rëndë
Prej vitit 2006, kur publikoi Gomorra, që u shit në mbi 10 milionë kopje, Saviano jeton nën mbrojtje të rreptë. “Më kanë shkatërruar jetën dhe unë nuk kam ditur si ta përballoj. Tani, trupi im duhet të ruhet çdo ditë. Për vite më thanë që mbrojtja ishte luks, por unë ëndërroj vetëm një shëtitje, një udhëtim me motor…”, rrëfeu ai i lodhur emocionalisht. Një vajzë nga publiku, Claudia, i tha: “Ta blej unë motorin, Roberto”.
Ai kujtoi edhe momentin kur u detyrua të largohej fshehurazi nga Campania: “Ishte 18 marsi i vitit 2008, katër ditë pas kërcënimit. Kisha tashmë dy truproja, kur papritur shoferi ndryshoi itinerarin dhe më çuan në një ishull, pa bagazh, sepse prokuroria vlerësoi rrezikun si të menjëhershëm. Po më kërkonte Giuseppe Setola, ‘o Cecato, një vrasës i njohur, autor i masakrës së emigrantëve ganezë”.
“Asnjë politikan në sallë”
Saviano e quajti vendimin e djeshëm “më të rëndësishmin e jetës”, pasi për herë të parë drejtësia pranoi se kërcënimet ndaj tij ishin një përpjekje për të goditur gazetarinë, jo politikën. Ai shprehu keqardhje për mungesën e reagimit institucional:
“E patë ndonjë politikan sot në sallë? Unë nuk pashë asnjë…”/abcnews.al