DAMASK – Al Sharaa: Siria nuk do të bjerë në kurthin e përfshirje në luftë
DAMASK, 17 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa akuzoi sot Izraelin se po përpiqej ta përfshinte Sirinë në luftë dhe theksoi se vendi i tij nuk do të binte në këtë kurth.
“Ne, populli i Sirisë, e dimë shumë mirë se kush po përpiqet të na fusë në luftë dhe kush po punon për të na përçarë”, tha al-Sharaa në një fjalim të transmetuar në televizionin kombëtar.
“Nuk do t’u japim atyre mundësinë të ngatërrojnë popullin tonë në një luftë që shërben vetëm për të copëtuar atdheun tonë dhe për të mbjellë shkatërrim”, shtoi ai.
Al-Sharaa fajësoi Izraelin për shfrytëzimin e paqëndrueshmërisë pas ndryshimit të regjimit, duke e akuzuar atë për goditje të infrastrukturës civile dhe për përpjekjen për të penguar rindërtimin në vend.
“Vetëm pushteti nuk garanton fitoren dhe ndezja e një lufte nuk është e njëjtë me kontrollin e rezultatit të saj. Ne jemi më të fortë se çdo përpjekje për të na copëtuar”, theksoi Al-Sharaa.
Duke iu drejtuar trazirave të brendshme në provincën jugore të Sweidës, al-Sharaa tha se qeveria kishte ndërhyrë për t’i dhënë fund përleshjeve të armatosura midis grupeve lokale.
Përleshjet midis beduinëve sunitë dhe civilëve druzë janë përshkallëzuar ditët e fundit, të përqendruara në qytetin me shumicë druze, Sweida, me trupa qeveritare siriane të vendosura në zonë.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha dje se numri i të vdekurve nga dhuna ishte rritur në 360.
Al-Sharaa fajësoi “fraksionet e jashtëligjshme” për refuzimin e dialogut dhe nxitjen e çrregullimeve, ndërsa akuzoi Izraelin për shfrytëzimin e trazirave përmes sulmeve ndaj infrastrukturës civile për të penguar përpjekjet e paqes.
Ai gjithashtu riafirmoi vendin e komunitetit druz në shoqërinë siriane, duke nënvizuar angazhimin e shtetit për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e tyre, dhe paralajmëroi kundër përpjekjeve për ta përfshirë atë në agjendat e huaja./ /Ad.Ab./
The post DAMASK – Al Sharaa: Siria nuk do të bjerë në kurthin e përfshirje në luftë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.