BRUKSEL – Kos: Buxheti i zgjerimit të BE-së rritet 37%
BRUKSEL, 17 korrik /ATSH-ANSA/ – Propozimi i Komisionit Evropian për buxhetin afatgjatë “përfshin një rritje shumë të konsiderueshme të financimit” për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë, shpjegoi komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos në një konferencë për shtyp.
“Në buxhetin aktual kishim 31 miliardë euro për vendet kandidate, ndërsa propozimi i ri përfshin 42,6 miliardë euro, një rritje prej 37%”, shtoi ajo.
“Me një buxhet më të madh, ne mund të përshpejtojmë më tej ritmin e reformave dhe investimeve, duke i afruar vendet me pranimin në BE”, theksoi Kos.
Siç parashikohej, Komisioni ka propozuar ndarjen e “100 miliardë eurove për të mbështetur reformat, rindërtimin, modernizimin dhe pranimin e Ukrainës në BE.
“Këto para’ do të ndihmojnë në sigurimin e stabilitetit financiar të Ukrainës pas vitit 2028”, shtoi ajo.
“Kushdo që mendoi se mbështetja evropiane do të dobësohej me kalimin e kohës, gaboi. Koha vërtet nuk është në anën e Rusisë”, tha Kos duke theksuar rëndësinë e “mbajtjes së fondeve për Ukrainën të ndara”.
“I gjithë ky financim për vendet kandidate bazohet në dy parime që ne tashmë po ndjekim: i pari është merita dhe i dyti është kushtëzimi, që do të thotë se vendet marrin fonde vetëm nëse plotësojnë kritere të caktuara, kryesisht të përfshira në agjendat e reformave”, shtoi ajo./ /Ad.Ab./
The post BRUKSEL – Kos: Buxheti i zgjerimit të BE-së rritet 37% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.