Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 August 2025Main stream

Ora po troket në Moskë/ Ultimatumi i Trump dhe dilemat e Kremlinit në prag të një vendimi historik

By: Rovena
5 August 2025 at 09:32

Një afat i ri po afron dhe me të ndoshta edhe një kthesë vendimtare në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Ultimatumi i Donald Trump ndaj Kremlinit, i reduktuar nga 50 në vetëm 10 ditë pas sulmeve të fundit ajrore ruse në qytetet ukrainase, përfundon të premten. Sipas Andriy Yermak, shefit të stafit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, kjo javë mund të jetë vendimtare: “Bota ka një mundësi për t’i dhënë fund luftës,” shkruan ai në Washington Post.

Në këtë klimë të tensionuar, pritet të mbërrijë në Moskë emisari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, pas disa muajsh mungesë. Kthimi i tij përkon me një periudhë kur entuziazmi i Trump për ndërmjetësim është venitur, ndërsa bisedimet ruso-ukrainase të Stambollit kanë dështuar. Në këtë interval, Rusia ka reaguar me forcë ndaj presionit amerikan: bombardime masive në Kiev dhe retorikë sfiduese nga vetë presidenti Vladimir Putin.

Sidoqoftë, nga Kremlini po vijnë sinjale të kujdesshme që sugjerojnë hapjen e një dritareje për negociata. Zëdhënësi Dmitry Peskov ka lënë të kuptohet se një takim mes Putinit dhe Zelensky-t nuk përjashtohet, por vetëm nëse paraprihet nga një marrëveshje teknike mes ekipeve negociatore. Sipas Yermak, kjo është një taktikë klasike për të shtyrë vendimet, një përpjekje e Moskës për të fituar kohë.

Në prapaskenë, mbetet e paqartë nëse Putin ka marrë tashmë një vendim strategjik apo është ende në pritje të propozimit amerikan. Qëndrimi zyrtar i Rusisë për një marrëveshje paqeje nuk ka ndryshuar, por në qarqet politike të Moskës ka zëra që sugjerojnë gatishmëri për një kompromis.

Edhe figura të afërta me propagandën e Kremlinit, si Sergey Markov, kanë hedhur idenë e një “armëpushimi ajror”: ndalim i bombardimeve ndaj Ukrainës, i cili mund të paraqitet si një sukses për Trump, ndërsa Rusia do të siguronte lehtësimin e sulmeve me dronë ndaj infrastrukturës së saj energjetike.

Në një koment paralajmërues, presidenti çek Petr Pavel ka thënë se Ukraina mund të detyrohet të pranojë heqjen dorë nga disa territore të pushtuara, nëse kjo është e vetmja rrugë drejt mbijetesës së saj si shtet. Ai gjithsesi ka theksuar se Perëndimi nuk do ta njohë kurrë aneksimin e këtyre territoreve nga Rusia.

Për rrjedhojë, koncepti i një “ngrirjeje të konfliktit” po diskutohet gjithnjë e më seriozisht. Por mbetet sfida thelbësore: a mund të garantohet që kjo të mos shndërrohet në një periudhë pushimi për një agresion të ri rus? Skepticizmi ndaj sinqeritetit të Putinit është i fortë, veçanërisht ndërsa ai vijon të përsërisë narrativën se nuk po pushton, por “çliron” një territor që e konsideron “plotësisht tonin”.

Në të njëjtën kohë, gjestet e tij publike si vizitat në manastire apo puthjet e ikonave, shërbejnë për të ndërtuar imazhin e një lideri të pamëshirshëm dhe të vendosur, që nuk ndjen pendesë për luftën. “Putini nuk ka marsh prapa,” thonë ithtarët e tij, por kjo këmbëngulje mund të shndërrohet në dobësi, veçanërisht përballë realitetit të një ekonomie në vështirësi. Vetë guvernatorja e Bankës Qendrore, Elvira Nabiullina, ka pranuar se burimet financiare të Rusisë janë drejt shterimit.

Ndërkohë, nuk është më pak e vështirë të imagjinohet që Putin do të ulet në një tryezë me Zelensky-n, sesa të besohet që ai do të injorojë kërcënimin e një vale të re sanksionesh amerikane, sidomos kur Trump po e trajton gjithnjë e më shumë këtë konflikt si një “çështje të tijën”, duke iu kundërvënë strategjisë së Joe Biden-it.

Tensioni në Kremlin reflektohet gjithnjë e më shumë përmes shenjave të tërthorta. Peskov ka bërë thirrje për “retorikë të kujdesshme” kur bëhet fjalë për armët bërthamore, një distancim i dukshëm nga deklaratat alarmuese të ish-presidentit Dmitry Medvedev. Ndërkohë, reagimi i ashpër i diplomacisë ruse ndaj vendosjes së nëndetëseve amerikane me armë bërthamore pranë kufijve të saj është shoqëruar me kërcënime për tërheqje nga marrëveshjet për raketat me rreze të shkurtër dhe të mesme, marrëveshje që “de facto” janë zhbërë që në mandatin e parë të Trump-it, ndërkohë që Rusia ka përdorur tashmë raketa si Iskander dhe Oreshnik në Ukrainë.

Në këtë klimë të fragmentuar, Putin duket se po përpiqet të kuptojë se cilin kah duhet të ndjekë  “moderatorët” që këshillojnë kujdes, apo “skifterët” që kërkojnë përshkallëzim. Siç vëren analisti ukrainas Vitaly Portnikov, presidenti rus po vë bast për atë që Trump do të ndërmarrë sapo të përfundojë ultimatumi.

Një shenjë e paparashikueshmërisë së situatës është edhe kritika e fundit e Trump ndaj Indisë, të cilën e akuzoi se “nuk i intereson sa njerëz po vriten në Ukrainë”. Kjo deklaratë mund të ketë pasoja: katër rafineritë kryesore të Indisë kanë ndalur së fundmi blerjen e naftës ruse, dhe presioni amerikan mund ta orientojë New Delhi-n drejt një qëndrimi më të ashpër ndaj Moskës.

Ndërsa afati i ultimatiumit po mbyllet, vëmendja botërore është përqendruar në kryeqytetin rus. Nga Moska pritet të përcaktohet nëse bota do të përballet me një marrëveshje paqeje, një përshkallëzim tjetër të konfliktit, apo thjesht me fillimin e një kapitulli të ri të diplomacisë së tensionuar mes dy superfuqive botërore./abcnews.al

“Kafshë shtëpiake si ushqim për grabitqarët”, thirrja e pazakontë e një kopshti zoologjik në Danimarkë

By: Rovena
5 August 2025 at 09:09

Kopshti zoologjik në Aalborg të Danimarkës u ka bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë kafshët e tyre shtëpiake të shëndetshme, por të padëshiruara, për t’u përdorur si ushqim për grabitqarët që mbahen në këtë institucion.

Në njoftimin e bërë publikisht, kopshti zoologjik kërkon dhurimin e pulave, lepujve dhe kavieve të gjalla, të cilat më pas “eutanazohen në mënyrë të kujdesshme” nga stafi i trajnuar.

Gjithashtu, kopshti pranon edhe kuaj të gjallë, me kusht që kafshët të jenë të shëndetshme dhe të shoqëruara me pasaportën përkatëse. Donatorët e kuajve mund të përfitojnë edhe zbritje tatimore.

Në një postim në Instagram, Aalborg Zoo shpjegon se ka “përgjegjësi për të imituar zinxhirin natyror ushqimor të kafshëve”, duke theksuar se kafshët e vogla bujqësore “janë pjesë e rëndësishme e dietës së grabitqarëve”. Ushqimi i ofruar në këtë mënyrë është, sipas kopshtit zoologjik, i ngjashëm me atë që grabitqarët do të gjuanin natyrshëm në habitatin e tyre veçanërisht rasti i rrisit euroaziatik.

Ndër grabitqarët që mbahen në kopsht përfshihen edhe luanët dhe tigri. Kafshët e vogla mund të dhurohen gjatë ditëve të javës, deri në katër njësi në të njëjtën kohë, pa nevojën për takim paraprak.

Në faqen zyrtare të institucionit, nën një fotografi të një tigri që ha mish, jepen kushtet për dhurimin e kuajve. Ndër të tjera, theksohet se kuajt nuk duhet të kenë marrë trajtim mjekësor gjatë 30 ditëve të fundit.

Zëvendësdrejtoresha e kopshtit zoologjik, Pia Nielsen, tha në një deklaratë se kafshët mishngrënëse në Aalborg Zoo janë ushqyer prej vitesh me kafshë të vogla bujqësore.

“Kur mban kafshë mishngrënëse, është e nevojshme që t’u ofrosh mish mundësisht me qime, kocka etj, për t’ua bërë dietën sa më natyrale,” tha ajo. “Për këtë arsye, ka logjikë që kafshët që duhet të eutanazohen për arsye të ndryshme, të shfrytëzohen në këtë mënyrë.”

Sipas saj, praktika është e zakonshme në Danimarkë dhe shumë vizitorë dhe partnerë të kopshtit zoologjik e vlerësojnë mundësinë për të kontribuar në këtë formë./abcnews.al

 

Ish-presidenti brazilian dënohet me arrest-shtëpie

By: Rovena
5 August 2025 at 08:48

Gjykata e Lartë e Brazilit ka vendosur masën e arrestit shtëpiak ndaj ish-presidentit të shtetit, Jair Bolsonaro, pasi gjeti se ai ka shkelur një ndalesë për përdorimin e rrjeteve sociale.

Ky vendim ka thelluar edhe më shumë përplasjet mes gjykatës dhe politikanit, i cili akuzohet për komplot për grusht shteti.

Bolsonaro po përballet me gjykim në Gjykatën Supreme lidhur me dyshimet se ka planifikuar që të qëndrojë në pushtet edhe pasi humbi zgjedhjet e vitit 2022 ndaj presidentit, Luiz Inacio Lula da Silva.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka synuar të ndëshkojë Brazilin, pasi e ka vlerësuar gjyqin ndaj Bolsonaros si proces të motivuar politikisht, dhe ka vendosur tarifa të larta ndëshkuese ndaj ekonomisë më të madhe në Amerikën Latine.

Bolsonaros, 70 vjeç, i është ndaluar përdorimi i rrjeteve sociale gjatë kohëzgjatjes së procesit gjyqësor dhe palëve të treta po ashtu u është ndaluar që të shpërndajnë deklaratat e tij publike.

Por, të dielën aleatët e tij sfiduan urdhrin duke shpërndarë në internet pamje të një bisede midis Bolsonaros dhe djalit të tij të madh, Flavio, gjatë një tubimi.

Gjykatësi i Gjykatës Supreme, Alexandre de Moraes, reagoi ashpër, duke deklaruar se drejtësia nuk do të lejojë që një i akuzuar “ta trajtojë si budalla”, për shkak të “fuqisë së tij politike dhe ekonomike.”

Duke kritikuar Bolsonaron se “vazhdimisht” nuk respekton kufizimet që gjykata ka vendosur ndaj tij gjatë gjykimit, gjykatësi urdhëroi që ai të dërgohet në arrest shtëpiak dhe këtë dënim ta vuajë në shtëpinë e tij në kryeqytet, Brazilia.

Ai po ashtu ia ndaloi ish-presidentit që ka shërbyer në këtë post nga viti 2019-2022, që të pranojë vizitorë, përveç avokatëve, të përdorë telefon mobil. Gjykatësi po ashtu paralajmëroi se çdo shkelje e këtyre kufizimeve do të çojë në arrestimin e tij.

Uashingtoni dënoi kufizimet e reja dhe të hënën në mbrëmje Byroja për Çështje të Hemisferës Perëndimore në Departamentin amerikan të Shtetit lëshoi një deklaratë për këtë çështje.

“Ministri Alexandre de Moraes, tashmë i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për shkelje të të drejtave të njeriut, vazhdon të përdorë institucionet braziliane për të heshtur opozitën dhe për të kërcënuar demokracinë”, u tha në deklaratën e byrosë, që u publikua në X. “Lëreni Bolsonaron të flasë!”.

Zyrtarët amerikanë shtuan se do të “mbajnë përgjegjës të gjithë ata që bashkëpunojnë me apo lehtësojnë veprimet e sanksionuara”.

Muajin e kaluar, gjykatësi Moraes kishte urdhëruar që Bolsonaro të mbante një byzylyk elektronik në kyçin e këmbës dhe vendosi ndalesën për përdorimin e rrjeteve sociale.

Trump reagoi ndaj këtij vendimi, duke ia ndaluar gjykatësit Moraes hyrjen në SHBA dhe duke ia ngrirë asetet në bankat amerikane.

Prokurorët e akuzojnë Bolsonaron dhe shtatë të akuzuar të tjerë se kanë tentuar që të përmbysin rezultatin zgjedhor të vitit 2022, në mënyrë që Bolsonaro të qëndronte në pushtet, por ky plan dështoi pasi, sipas prokurorëve, ushtria nuk pranoi të bëhej pjesë e tij.

Gjykimi pritet të përfundojë në javët në vijim dhe nëse gjendet fajtor, Bolsonaro mund të dënohet deri me 40 vjet burgim. Në janar të vitit 2023, mbështetësit e Bolsonaros kishin hyrë në Kongresin brazilian, pasi Lula u inaugurua si president.

Pavarësisht se i është ndaluar pjesëmarrja në jetën politike, Bolsonaro shpreson që do të mund të rikthehet në pushtet gjatë zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen më 2026 në Brazil./REL

Irani propozon heqjen e katër zerove nga monedha kombëtare pas dekadash inflacioni

By: Rovena
5 August 2025 at 08:44

Qeveria iraniane ka propozuar heqjen e katër zerove nga monedha kombëtare, rialli, pas dekadash inflacioni të lartë dhe vështirësish ekonomike që kanë zhvlerësuar ndjeshëm vlerën e saj.

Komisioni Ekonomik i Parlamentit iranian miratoi të dielën parimet e përgjithshme të projektligjit për ridenominimin e rallit. Kryetari i komisionit, Shamseddin Hosseini, deklaroi se monedha e re do të vijojë të quhet rial, por një rial i ri do të jetë i barabartë me 10.000 rialë të tanishëm.

Sipas autoriteteve, kjo masë synon të thjeshtojë llogaritë financiare, të ulë kostot e shtypjes së kartëmonedhave dhe të përmirësojë funksionimin e sistemit monetar. Hosseini sqaroi gjithashtu se rialli i ri do të përbëhet nga 100 “gherans”, një njësi ndihmëse monetare.

Monedha iraniane është zhvlerësuar ndjeshëm si pasojë e sanksioneve ndërkombëtare që e kanë izoluar vendin nga sistemi bankar global dhe kanë dëmtuar rëndë ekonominë e tij. Ralli ka humbur më tej vlerë ndaj dollarit në ditët e fundit, mes pasigurive politike pas luftës 12-ditore me Izraelin në qershor.

Irani ka shqyrtuar reforma të mundshme monetare që prej viteve 1990. Projektligji duhet ende të paraqitet zyrtarisht në Parlament për miratim dhe më pas të marrë pëlqimin e Këshillit të Gardës, institucioni që shqyrton kushtetutshmërinë e ligjeve, për t’u kthyer në ligj.

Zëvendëskryetari i komisionit, Jafar Ghaderi, deklaroi javën e kaluar se heqja e zerove nuk do të ndikojë në inflacion, por mund të ulë kostot e transaksioneve.

Megjithatë, analistët paralajmërojnë se kjo është një masë kozmetike, dhe në mungesë të reformave reale fiskale dhe kontrollit të inflacionit, nuk do të sjellë përmirësim të ndjeshëm në gjendjen ekonomike të vendit. Ekonomisti Kamran Nadri shkroi në shtypin vendas se “heqja e zerove nuk është as një politikë efektive monetare dhe as një mekanizëm për kontrollin e inflacionit; është thjesht një përshtatje formale për qëllime kontabiliteti.”

Irani nuk është vendi i vetëm që ka ndërmarrë reforma të tilla. Në 25 vitet e fundit, shtete si Turqia, Rumania dhe Zambia kanë hequr zero nga monedhat e tyre pas periudhash hiperinflacioni. Izraeli, për shembull, e zëvendësoi monedhën e vjetër në vitet 1985–1986 duke hequr tre zero, për shkak të rënies drastike të vlerës së saj.

Përveç inflacionit, ekonomia iraniane përballet edhe me sfida të tjera të mëdha, përfshirë mbështetjen e tepruar në të ardhurat nga nafta dhe subvencionet shtetërore, keqmenaxhimin kronik dhe klientelizmin politik. Sanksionet ndaj sektorëve bankarë dhe të eksporteve të naftës kanë kufizuar ndjeshëm të ardhurat dhe investimet e huaja.

Sipas ekonomistëve, pa lehtësim të sanksioneve, Irani ka pak hapësirë për të përmirësuar gjendjen e ekonomisë.

Para fillimit të konfliktit me Izraelin në qershor, Teherani ishte në bisedime me Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje që do të lehtësonte sanksionet në këmbim të kufizimeve mbi programin bërthamor iranian. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha për Financial Times javën e kaluar se Irani është i hapur për të rifilluar negociatat, nëse SHBA pranon të dëmshpërblejë humbjet e shkaktuara gjatë luftës dhe garanton që Irani nuk do të sulmohet gjatë procesit negociues.

Ndërkohë, Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit miratoi të dielën krijimin e një këshilli të ri mbrojtjeje, i cili do të mbikëqyrë planet mbrojtëse dhe forcimin e kapaciteteve të forcave të armatosura në mënyrë të centralizuar./abcnews.al

Turqia njofton inflacion me 33,5 përqind

By: Rovena
5 August 2025 at 08:34

Në Turqi rritja e çmimeve për konsumatorët, sipas të dhënave zyrtare, është ngadalësuar. Në muajin korrik konsumatorëve të shërbimeve dhe mallrave u është dashur të paguajnë 33,52 më shumë krahasuar me një vit më parë, vë në dukje Enti i Statistikave në Turqi. Kjo ishte kuota më e ulët e rritjes së çmimeve që nga nëntori 2021. Në qershor kuota e rritjes së çmimeve ishte 35,05 përqind. Nga qershori në korrik çmimet ranë me 2,06 përqind. Shtrenjtimi mujor u ndikua nga rritja e çmimeve për banimin me 5,78 përqind si dhe për pijet alkohoolike dhe duhanin me 5,69 përqind.

Që prej pesë vjetësh kuota e inflacionit në Turqi është dyshifrore

Kuota zyrtare është që prej pesë vjetësh dyshifrore. Në fund të vitit 2022 u arrit kuota më e lartë me 85 përqind. Ekonomistët megjithatë kanë dyshim për të dhënat e publikuara zyrtarisht. Grupi studimor Enag llogarit që kuota e inflacionit në korrik ka qenë 65,1 përqind. Banka Qendrore turke së fundi ka parashikuar një përshpejtim të përkohshëm mujor të inflacionit për shkak të rritjes së taksave për karburantin dhe duhanin si çmimeve të larta të energjisë.

Interesi vazhdon të ulet interesi i referencës

Banka e Rezervave më 24 korrik e uli nga 46 në 43 përqind interesin e refrencës duke iniciuar kësisoj një raund të ri të liberaliizmit të politikës së saj monetare. Vitin e kaluar në luftën kundër inflacionit kjo bankë reagoi me rritjen e interesave. Më parë kreu i shtetit Rexhep Tayip Erdogan e pati refuzuar një politike strikte monetare pavarësisht zhvleftësimit të vrullshëm të monedhës duke vepruar kësisoj përkundër eksperiencës së zakonshme. Analistët e bankës së madhe të SHBA-së Morgan Stanley mendojnë, se Banka Qendroe turke sivjet do t’i ulë sërish edhe tri herë intersat e refrencës. Në fund të vitit interesi i refrencës duhet të jetë rreth 36 përqind. Njëkohësisht Banka e Rezervave parashikon që kuota e inflacionit deri në fund të vitit të bjerë në 24 përqind. Ndonëse në fakt preferenca e saj është për një kuotë inflacioni prej pesë përqind./DW

Ukraina ende në mëdyshje, për marrëveshjen e SHBA-ve me NATO-n për armët

By: Rovena
5 August 2025 at 08:29

Në fillim të korrikut u arrit një marrëveshje, sipas të cilës, aleatët evropianë të NATO-s do të blejnë armë amerikane, përfshirë raketat Patriot, për Ukrainën. Megjithëse Gjermania njoftoi së fundi se dy sisteme Patriot do të dërgohen së shpejti në Kiev, ende ka dyshime nëse kjo marrëveshje do t’ia japë Ukrainës atë që i nevojitet në muajt në vijim.

Marrëveshja, e shpallur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në Uashington më 14 korrik, është në thelb një vazhdim i mënyrës së veprimit që aleatët perëndimorë kanë ndjekur prej kur Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më shumë se tri vjet më parë: evropianët i dërgojnë Kievit pajisje ushtarake që i kanë në dispozicion dhe më pas i zëvendësojnë ato me armë të reja kryesisht amerikane.

Dallimi i madh tani është se evropianët duhet t’i rrisin ndjeshëm dërgesat e armëve për Ukrainën, pasi administrata Trump deri më tani nuk ka dhënë ndonjë premtim të ri. (Dërgesat e premtuara gjatë administratës Biden, megjithatë, vazhdojnë ende.)

Deri në njëfarë mase, evropianët e kanë rritur prodhimin për ta mbushur boshllëkun. Instituti Kiel, me bazë në Gjermani, thekson se për herë të parë që nga qershori 2022, Evropa ka tejkaluar SHBA-në në ndihmën ushtarake për Ukrainën, me 72 miliardë euro, krahasuar me 65 miliardë euro nga Uashingtoni.

Çështja për Ukrainën dhe aleatët e saj është: sa i qëndrueshëm do të jetë ky mekanizëm? Në planin afatgjatë, evropianët do të duhet të blejnë më shumë armë, pasi janë zotuar t’i shpenzojnë 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen deri në vitin 2034, në samitin e NATO-s në Hagë në qershor.

Armët për Ukrainën do të jenë pjesë kyç e këtyre shpenzimeve.

Një diplomat nga një vend i BE-së, që foli në mënyrë anonime për Radion Evropa e Lirë, tha se marrëveshja e korrikut në Uashington është mënyra më e mirë për të mbajtur “amerikanët të angazhuar në Ukrainë në veçanti dhe në Evropë në përgjithësi”, pasi Shtetet e Bashkuara do të përfitojnë nga rritja e pritur e shpenzimeve evropiane për mbrojtjen.

Dhe, ndonëse Evropa është e prirë të investojë në sektorin e vet të mbrojtjes, një gjë e tillë do të kërkojë kohë. Udhëheqësit evropianë kanë vendosur që, të paktën përkohësisht, është më mirë të blejnë nga SHBA-të.

“Është ose kjo, ose ta lëmë Ukrainën pa armë,” tha një zyrtar i NATO-s për REL-in, në kushte anonimiteti, pasi nuk është i autorizuar të flasë publikisht.

“Mendoj se në anën evropiane ka një vetëdije të dhimbshme që kjo duhet të ndodhë në një mënyrë apo tjetër”, shtoi ai.

Më 21 korrik, Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës – një aleancë prej më shumë se 50 shtetesh, përfshirë të gjitha vendet anëtare të NATO-s dhe disa partnerë joanëtare – u mblodh për herë të parë online që nga njoftimi i marrëveshjes në Uashington.

Në këtë takim, që ka qenë koordinatori kryesor i dërgesave të armëve perëndimore për Kievin, deri në shtatë vende shprehën interes për të blerë armë amerikane për Ukrainën. Këto përfshinin Kanadanë, Belgjikën, Gjermaninë, Holandën dhe disa shtete nordike.

Rezultati i takimit të Grupit të Kontaktit, i njohur gjithashtu si grupi Ramstein, ishte që Ukraina do të përgatiste një “listë të hollësishme dëshirash” për ato që i nevojiten, me theks të veçantë në mbrojtjen ajrore dhe municionet. NATO-ja, nga ana tjetër, do të ofrojë një vlerësim të kostos së këtyre pajisjeve ushtarake. Më shumë qartësi priten kur grupi Ramstein të mblidhet sërish në vjeshtë, mbase për herë të parë në Ukrainë.

Pyetja kryesore tani është se sa shpejt mund të dorëzohen këto pajisje ushtarake në Ukrainë. Pritet që vendet evropiane ta furnizojnë atë me 2 milionë predha artilerie 155-milimetërshe këtë vit, dhe meqë Ukraina po fillon prodhimin e brendshëm me mbështetje financiare perëndimore, mungesa e shkaktuar nga ndalimi i eksporteve amerikane mund të mbulohet.

Por, për mbrojtjen ajrore, gjendja është më e ndërlikuar. Dhe, pikërisht këtu Ukraina ka ende nevojë për armë amerikane, veçanërisht për raketat tokë-ajër, Patriot.

Alternativa evropiane ndaj sistemit amerikan Patriot, sistemi francezo-italian SAMP-T, i është dorëzuar Kievit. Roma njoftoi së fundmi se bateria e tretë do të dërgohet në vjeshtë. Por, sipas diplomatëve të NATO-s, prodhimi i interceptorëve të nevojshëm dhe i të gjithë konfigurimit të sistemit kërkon më shumë kohë krahasuar me Patriotët. Për më tepër, edhe vetë Kievi ka vënë në pikëpyetje ndikimin e sistemit evropian.

Kur Trump dhe Rutte dolën para mediave për të shpallur marrëveshjen më 14 korrik, presidenti amerikan përmendi se 17 sisteme Patriot mund të përgatiten për t’u blerë për Ukrainën.

Javën e kaluar, Gjermania njoftoi se do të dërgojë dy bateri në Ukrainë së shpejti, por nuk është e qartë se nga do të vijnë sistemet e tjera. Aktualisht, gjashtë vende evropiane – Gjermania, Greqia, Holanda, Polonia, Rumania dhe Spanja – operojnë sisteme Patriot, por këto shtete druhen se dërgimi i tyre në Ukrainë mund t’i lërë të pambrojtura hapësirat e tyre ajrore.

Kompanitë Lockheed Martin dhe Raytheon, dy prodhuesit kryesorë të Patriotëve, po rrisin prodhimin për të përmbushur kërkesat evropiane, por Ukraina, e cila është nën sulme të vazhdueshme nga Rusia, me shumë gjasë nuk do t’i ndiejë përfitimet e kësaj rritjeje së shpejti./REL

Yesterday — 4 August 2025Main stream

Fillon gjyqi ndaj të dyshuarve për sulmin në Moskë që ka lënë 149 të vdekur

By: Rovena
4 August 2025 at 16:45

Një gjykatë në Moskë të hënën ka nisur procesin gjyqësor ndaj të akuzuar për përfshirje në sulmin e vitit të kaluar në sallën e koncerteve të Moskës, në të cilin kanë vdekur 149 persona.

Sulmi në sallën “Crocus” të Moskës më 22 mars 2024 ishte më i keqi në Rusi prej vitesh. Mbi 600 u plagosën, raporton AP.

Një fraksion i grupit të Shtetit Islamik ka marrë përgjegjësinë për masakrën në të cilën persona të armatosur qëlluan njerëzit që po prisnin një shfaqje nga një grup i njohur roku dhe më pas i vunë flakën ndërtesës.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe zyrtarët e tij kanë pohuar vazhdimisht, pa paraqitur prova, se Ukraina kishte një rol në sulm. Kievi ka mohuar fuqimisht çdo përfshirje.

Të hënën, një gjykatë ushtarake në Moskë ka nisur gjyqin e 19 të dyshuarve të akuzuar për përfshirje.

Ata përfshinin katër të dyshuar për të shtëna, të gjithë të identifikuar si qytetarë të Taxhikistanit, të cilët u arrestuan disa orë pas sulmit. Menjëherë pas arrestimit të tyre, ata u paraqitën në një gjykatë të Moskës me shenja të rrahjeve të rënda.

Komiteti Hetues ka njoftuar më parë këtë vit se gjashtë të dyshuar të tjerë ishin akuzuar në mungesë dhe ishin vendosur në listën e të kërkuarve të Rusisë për rekrutimin dhe organizimin e trajnimit të katër prej autorëve të dyshuar. Komiteti ka thënë se qëllimi i sulmit ishte “destabilizimi i situatës në Rusi”./REL

Miliarderi Ong Beng Seng pranon fajësinë në skandalin më të madh të korrupsionit në Singapor

By: Rovena
4 August 2025 at 16:18

Miliarderi i pasurive të paluajtshme në Singapor, Ong Beng Seng, ka pranuar fajësinë për përfshirjen e tij në një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit që ka tronditur vendin në dekadat e fundit. Skandali çoi vitin e kaluar në burgosjen e ish-ministrit të Transportit, S. Iswaran.

Ong, 79 vjeç, pranoi të hënën se kishte ofruar dhurata, përfshirë një udhëtim me avion privat, për Iswaran gjatë kohës kur ky i fundit ishte në detyrë si ministër.

Ngjarja ka goditur rëndë imazhin e Singaporit, një shtet i njohur globalisht për qeverisjen e pastër dhe një administratë pa korrupsion. Në përpjekje për të frenuar ryshfetin, ministrat në Singapor janë ndër më të paguarit në botë, me një pagë vjetore rreth 1 milion dollarë singaporianë (rreth 777 mijë dollarë amerikanë).

Ong u arrestua para dy vitesh dhe u akuzua zyrtarisht në tetor për ndihmë në marrjen e dhuratave nga Iswaran dhe për pengim të drejtësisë. Ai përballet me deri në shtatë vjet burg dhe gjobë, por mund të shmangë dënimin me burg për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Vendimi pritet të jepet që këtë të hënë.

Iswaran, ndërkohë, u dënua vitin e kaluar me një vit burg për marrje të dhuratave si zyrtar publik dhe pengim të drejtësisë, duke u bërë ministri i parë në Singapor që dënohet me burg në gati 50 vjet.

Ong është një nga njerëzit më të pasur të Singaporit, i njohur për investimet e tij në hotele dhe zhvillime të pasurive të paluajtshme. Ai ka qenë gjithashtu figura kyçe në sjelljen e garës së Formula 1 në Singapor, ngjarje që ende organizohet nga kompania e tij.

Rasti u përqendrua në rolin e Iswaran në komitetin drejtues të garës së F1 në Singapor. Ong akuzohet se ka ndihmuar në sigurimin e një udhëtimi luksoz për ministrin në Doha me vlerë 20 mijë e 850 dollarë singaporianë, si dhe se ka ndihmuar në fshehjen e transaksioneve përmes kompanisë së tij të Formula 1. Iswaran kishte pranuar më shumë se 400 mijë dollarë singaporianë në dhurata përfshirë fluturime, akomodime, bileta për ndeshje futbolli në Premier League, gara të F1 dhe shfaqje teatrore si Harry Potter and the Cursed Child, Hamilton dhe Kinky Boots.

I lindur në Malajzi në vitin 1946, Ong u zhvendos në Singapor dhe ndërtoi një biznes familjar që sot menaxhon hotele luksoze në mbarë botën, përfshirë markat Four Seasons dhe InterContinental. Ai ka bashkëpunuar gjithashtu në disa projekte me Temasek, fondi shtetëror i investimeve të Singaporit./abcnews.al

Pakistani rifillon dëbimin e 1.4 milion afganëve, pavarësisht shqetësimeve nga OKB-ja

By: Rovena
4 August 2025 at 15:43

Autoritetet në Pakistan e kanë rifilluar dëbimin me forcë të refugjatëve afganë, pasi qeveria federale nuk pranoi ta zgjasë afatin e qëndrimit të tyre në vend, thanë zyrtarët të hënën.

Kjo vendim prek rreth 1.4 milionë afganë që mbajnë kartela të Dëshmisë së Regjistrimit (PoR), të cilëve u ka skaduar statusi ligjor në fund të qershorit.

Shumë prej tyre kishin shpresuar për një zgjatje njëvjeçare për të zgjidhur çështje personale, siç janë shitja e pronës apo përfundimi i bizneseve, para se të ktheheshin në Afganistan.

Përveç mbajtësve të kartelave PoR, rreth 800 mijë afganë të tjerë posedojnë Kartela të Shtetasit Afgan (ACC).

Policia thotë se edhe ata po jetojnë në mënyrë të paligjshme në vend dhe po arrestohet para dëbimit në provincat Punjab lindor, Baloçistan jugperëndimor dhe Sindh jugor.

Vendimi i së hënës nxiti kritika nga Komisionari i Lartë për Refugjatët i Kombeve të Bashkuara, UNHCR.

Sipas një raporti të UNHCR-së nga qershori, të paktën 1.2 milionë afganë janë detyruar të kthehen nga Irani dhe Pakistani këtë vit.

Dëbimet në një shkallë kaq të gjerë mund ta përshkallëzojnë gjendjen tashmë të brishtë në Afganistan, ku Qeveria talibane mori pushtetin në vitin 2021.

Një njoftim i Qeverisë pakistaneze i datës 31 korrik, i parë nga Associated Press, konfirmon vendimin e Pakistanit për të riatdhesuar të gjithë shtetasit afganë me kartela të skaduara PoR.

Në njoftim thuhet se afganët pa pasaporta të vlefshme dhe pa viza pakistaneze po qëndrojnë në vend në mënyrë të paligjshme dhe duhet të kthehen në atdhe sipas ligjeve të Pakistanit për emigracionin.

Policia në mbarë Pakistanin po ndalon afganët për t’i transportuar drejt pikave kufitare, sipas dy zyrtarëve të Qeverisë dhe të sigurisë që folën në kushte anonimiteti.

Ata thanë se nuk po kryhen arrestime masive, por policisë i është dhënë urdhri të shkojë derë më derë dhe të kryejë kontrolle të rastësishme për të ndaluar të huajt që banojnë në mënyrë të paligjshme.

“Po, refugjatët afganë që po jetojnë në mënyrë të paligjshme në Pakistan po kthehen në mënyrë të dinjitetshme”, tha Shakeel Khan, komisionar për refugjatët afganë në provincën veriperëndimore Khyber Pakhtunkhwa.

Ai tha se kjo është masa më e madhe deri më tani që po zbatohet me urdhër të qeverisë federale në Islamabad.

Miliona afganë janë larguar drejt Pakistanit gjatë katër dekadave të fundit për t’i shpëtuar luftës, trazirave politike dhe vështirësive ekonomike.

Fushata e re e dëbimeve vjen pas një operacioni të gjerë të filluar në vitin 2023 kundër të huajve që jetojnë në mënyrë të paligjshme në Pakistan.

Qaiser Khan Afridi, zëdhënës i agjencisë së OKB-së për refugjatët, shprehu shqetësim të thellë lidhur me veprimet e fundit të Qeverisë pakistaneze.

“Dërgimi i njerëzve në këtë mënyrë përbën riatdhesim të detyruar dhe është shkelje e detyrimeve ndërkombëtare të një shteti”, tha Afridi në një deklaratë, duke i bërë thirrje Pakistanit që të ndjekë një qasje “njerëzore për të siguruar kthimin vullnetar, gradual dhe me dinjitet” të afganëve, dhe vlerësoi vendin për strehimin e miliona refugjatëve afganë për më shumë se 40 vjet./REL

Bursat zvicerane bien pas vendosjes së tarifave nga Trump

By: Rovena
4 August 2025 at 15:30

Tregu i aksioneve në Zvicër pësoi rënie të hënën, pasi investitorët reaguan ndaj vendimit befasues të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e një tarife prej 39 për qind ndaj produkteve zvicerane në fundjavën e kaluar.

Indeksi kryesor i bursës zvicerane, Swiss Market Index (SMI), ra deri në 1.9 për qind në orët e para të tregtimit, për të rikuperuar më vonë një pjesë të humbjeve dhe të tregtohej me 1.5 për qind më pak.

Tarifat e reja u shpallën nga presidenti amerikan të enjten mbrëma, ndërkohë që tregjet financiare në Zvicër ishin të mbyllura të premten për shkak të Ditës Kombëtare, duke e bërë të hënën ditën e parë të reagimit nga tregjet.

Aksionet e prodhuesit të orëve Rolex ranë me 1.2 për qind, ndërsa banka zvicerane UBS humbi 2.6 për qind të vlerës.

Zvicra është seli e disa prej kompanive më të mëdha farmaceutike në botë, të cilat mbështeten ndjeshëm te eksportet drejt Shteteve të Bashkuara. Po ashtu të enjten, presidenti Trump kërkoi “angazhime të detyrueshme” nga kompanitë farmaceutike globale për të ulur çmimet për konsumatorët amerikanë, duke shkaktuar rënie të aksioneve në gjithë sektorin.

Aksionet e gjigandëve farmaceutikë zviceranë Novartis dhe Roche ranë përkatësisht me 1.2 për qind dhe 2.2 për qind të hënën në mëngjes.

Franga zvicerane vazhdoi rënien kundrejt euros, duke humbur edhe 0.3 për qind, pas një rënieje prej 0.5 për qind të premten.

“Nëse këto tarifa mbeten në fuqi, ato do t’i shtohen forcave disinflacioniste në Zvicër, të cilat po e mbajnë inflacionin pranë zeros në baza vjetore,” deklaroi Chris Turner, drejtues global i kërkimeve të tregut në ING.

Franga ka fituar ndjeshëm terren këtë vit, si rezultat i pasigurisë së krijuar nga politikat e paparashikueshme të Trump, teksa investitorët kanë kërkuar alternativa ndaj aktiveve amerikane. Kjo ka detyruar Bankën Qendrore Zvicerane të ulë normat e interesit në zero, për të frenuar forcimin e valutës dhe inflacionin e dobët.

Të hënën, franga ra me 0.7 për qind kundrejt dollarit amerikan. Edhe pse kishte rënë gjatë tregtimit të premten, ajo u mbyll në nivel më të lartë ndaj dollarit pas publikimit të të dhënave të dobëta për punësimin në SHBA, që dobësuan ndjeshëm dollarin. Dobësimi i dollarit vijoi edhe të hënën, me një rënie prej 0.2 për qind kundrejt një shporte valutash kryesore./abcnews.al

 

“Të alarmuar nga drafti i Kodit të ri Penal”, Rama: Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti

By: Rovena
4 August 2025 at 15:04

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave për draftin e ri të Kodit Penal, duke i cilësuar alarmet për “gojëmbyllje” të lirisë së shprehjes si të pavend dhe të nxitura nga keqkuptime ose spekulime.

Në një postim në platformën “X”, Rama u shpreh se drafti është prezantuar publikisht për të mbledhur sa më shumë opinione në mënyrë demokratike dhe transparente.

“Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell, ndërkohë që drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij.

Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj”, ka shkruar kryeministri Rama.

Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell, ndërkohë që drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të…

— Edi Rama (@ediramaal) August 4, 2025

/abcnews.al 

 

Tragjedi në Greqi/ 55-vjeçari shqiptar gjendet i vdekur në një rezervuar të ujërave të zeza

By: Rovena
4 August 2025 at 13:56

Një 55-vjeçar shqiptar është gjetur i vdekur në Greqi, ditën e sotme, më 4 gusht. Ai ishte raportuar i zhdukur që në orët e para të mëngjesit, ndërsa disa orë më pas u zbulua pa shenja jete në një rezervuar të ujërave të zeza në zonën Dafnes, Heraklion.

Sipas mediave greke, trupi i pajetë u nxor nga ekipet e shpëtimit që mbërritën në vendin e ngjarjes. Operacioni i pompimit të ujërave të zeza u ndërmor pas dyshimeve se një shtetas shqiptar mund të kishte rënë në rezervuar.

55-vjeçari ishte raportuar i zhdukur në mëngjes, çka mobilizoi autoritetet për kërkime intensive në zonë.

Shkaqet e sakta të vdekjes janë ende nën hetim, ndërsa pritet rezultati i ekspertizës mjeko-ligjore për të zbardhur rrethanat e ngjarjes tragjike. Autoritetet kompetente po vijojnë hetimet paraprake./abcnews.al

Fluks udhëtarësh në Kakavijë/ Gushti shton hyrjet nga Greqia, emigrantë dhe turistë vijnë për pushime

By: Rovena
4 August 2025 at 13:18

Të shumtë janë ata që kanë zgjedhur Shqipërinë për të pushuar këtë gusht. Muaji ka nisur me fluks të lartë udhëtarësh që kanë hyrë në vendin tonë  nga pika kufitare e Kakavijës.

Rreth 18 mijë persona kanë ardhur nga kjo doganë prej të premtes. Kryesisht kanë qenë emigrant të kthyer pranë familjeve për pushimet verore.

Numër më i lartë i tyre është regjistruar gjatë  fundjavës. Ndryshe nga vitet e kaluara në doganën e  Kakavijës nuk ka pasur radhë te gjata pavarësisht fluksit të shtuar.

Autoritetet shqiptare po punojnë me katër sportele ndërsa autoritetet greke me dy. I lartë ka qenë dhe  numri atyre   që kanë dalë jashtë vendit nga kjo pikë kufitare. Rreth 30 mijë persona  kanë hyrë e kanë dalë nga Kakavija prej 1 gushtit./abcnews.al

Dogji një sipërfaqe toke dhe disa pemë ulliri në një fshat të Peqinit, procedohet 72-vjeçari

By: Rovena
4 August 2025 at 13:10

Një 72-vjeçar është proceduar penalisht pasi dogji një sipërfaqe toke dhe disa pemë ulliri në fshatin Fatishë të Peqinit.

Nga hetimet dyshohet se 72-vjeçari  ka ndezur zjarr në fshatin ku banonte, për të djegur mbeturina dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur një sipërfaqe toke me barishte dhe disa pemë ulliri.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

 

Subvencione për Bujqësinë/ Fier, nis aplikimi për financim për serra e stalla

By: Rovena
4 August 2025 at 13:06

Fermerët në Fier kanë nisur aplikimet për të përfituar mbështetje financiare nga shteti për të investuar në bujqësi.

Të shumtë janë ata që kanë  kërkuar sqarime për përgatitjen e dosjeve pranë Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural  këtë fillim gushti.  Kërkesat me të shumta janë për makineri bujqësore, ndërtim të serave dhe  stallave.

Fermerët thonë se rimbursimi i gjysmës së  vlerës së investimit ndihmon në uljen e kostove të shërbimeve dhe zgjerimin e aktivitetit bujqësor.

Përveç financimit me 50% të vlerës së investimit, qeveria po ofron edhe kredi të butë.   Gjithsej janë 9 skema mbështetëse me financim nga shteti që bashkë me skemat kombëtare të subvencioneve mbulojnë në total 17 sektorë bujqësorë.

Aplikimet e nisura me 30 korrik përfundojnë në shtator. Skema financuese për bujqësinë po aplikohet për të dytin vit radhazi./abcnews.al

(EMRAT) Qëlluan me armë zjarri në drejtim të automjetit të një 35-vjeçari, shpallen në kërkim dy vëllezërit në Durrës

By: Rovena
4 August 2025 at 11:41

Qëlluan me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte një 35-vjeçar, pas një konflikti për motive të dobëta me të, identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas (vëllezër).

“Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 01:00 të datës 03.08.2025, në autostradën “Durrës-Tiranë”, ku u qëllua me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi L. Sh., 35 vjeç, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës identifikuan dhe shpallën në kërkim shtetasit Emiljano dhe Elton Domi, vëllezës, të dy banues në fshatin Xhafzotaj”, njofton policia.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se pasi janë konfliktuar verbalisht, me 35-vjeçarin, për parakalimin me automjet, vëllezërit kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte ai.

Nga të shtënat u dëmtua 35-vjeçari, i cili është jashtë rrezikut për jetën. Punohet intensivisht për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Aksident i rëndë në Devoll/ Traktori del nga rruga, humb jetën 75-vjeçari

By: Rovena
4 August 2025 at 11:37

Aksident në fshatin Menkulas në Bashkinë e Devollit. Një mjet bujqësor, tip traktor me goma, del nga rruga dhe për pasoje humb jetën drejtuesi. Viktima  është 75-vjeçar, Hakim Lipe. Aksidenti ndodhi pak minuta me pare, policia po shkon ne vendin e ngjarjes./abcnews.al

Ndërprerja e ndihmës nga USAID rrezikon miliona jetë deri në vitin 2030

By: Rovena
4 August 2025 at 11:27

Mbyllja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) po shkakton tronditje serioze në sistemet shëndetësore të vendeve në zhvillim, teksa ekspertët paralajmërojnë se ndikimet e kësaj lëvizjeje mund të jenë fatale për miliona njerëz deri në fund të kësaj dekade.

Sipas një raporti të publikuar nga revista mjekësore The Lancet, ndihma ndërkombëtare e USAID ka kontribuar në shpëtimin e mbi 92 milionë jetëve gjatë 20 viteve të fundit, përmes programeve që luftojnë HIV/AIDS-in, malarien dhe sëmundjet infektive tek fëmijët. Por, ky progres është vënë në rrezik serioz pas vendimit të administratës së ish-presidentit Donald Trump për të ndërprerë deri në 80% të ndihmës humanitare ndërkombëtare, përmes një strukture të re të quajtur “Department of Government Efficiency” (DOGE).

Pasojat e këtij vendimi tashmë janë të dukshme në terren. Në Eswatini, një prej vendeve më të goditura, spitalet po mbyllen, furnizimet mjekësore janë drejt shterimit, dhe programet e parandalimit të HIV-it janë reduktuar në mënyrë drastike. Spitali “Miracle Campus”, dikur qendër shëndetësore model që trajtonte mbi 300 mijë pacientë në vit, sot ndodhet pranë mbylljes për shkak të mungesës së fondeve.

Zyrtarë të USAID dhe ekspertë të shëndetit publik në nivel ndërkombëtar shprehen se mungesa e financimit mund të rikthejë sëmundje të rrezikshme në forma më agresive dhe të pamenaxhueshme. Ata paralajmërojnë se vendet me burime të kufizuara nuk kanë kapacitetet e nevojshme për të përballuar një krizë të tillë shëndetësore.

“Ndërprerja e ndihmës nuk është vetëm një akt politik është një çështje që ndan jetën nga vdekja për miliona njerëz,” thuhet në raportin e The Lancet.

Aktualisht, Kongresi amerikan po shqyrton mundësinë e rivendosjes së një pjese të financimeve për programin PEPFAR një nga iniciativat më të suksesshme të USAID në luftën kundër HIV/AIDS, por mbështetja për programet e tjera shëndetësore mbetet e paqartë.

Ndërkohë, mijëra punonjës humanitarë janë detyruar të braktisin terrenin, dhe tonelata me pajisje e medikamente qëndrojnë të bllokuara në magazina, pa mundësi shpërndarjeje tek ata që kanë më shumë nevojë./abcnews.al

Donald Trump do të emërojë guvernatorin e Rezervës Federale dhe shefin e statistikave të punës këtë javë

By: Rovena
4 August 2025 at 10:58

 

Presidenti Donald Trump ka njoftuar se brenda pak ditësh do të emërojë një drejtues të ri të Byrosë së Statistikave të Punës (BLS) dhe do të plotësojë një vend bosh në bordin e Rezervës Federale (Fed), në kuadër të përpjekjeve të tij për të ushtruar më shumë ndikim mbi politikat ekonomike dhe burimet zyrtare të të dhënave në Shtetet e Bashkuara.

Trump konfirmoi se do të shpallë emrin e ri për drejtimin e BLS brenda tre ose katër ditësh, pasi shkarkoi nga detyra Erika McEntarfer, pas publikimit të një raporti zhgënjyes për punësimin. Ai gjithashtu tha se pritet të emërojë një guvernator të ri të Fed “brenda pak ditësh”.

Këto dy pozicione të larta në institucionet më të rëndësishme ekonomike të vendit do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në axhendën ekonomike të Trump për pjesën e mbetur të mandatit të tij. Të dy emërimet kërkojnë miratim nga Senati amerikan.

Shkarkimi i McEntarfer u konsiderua si një hap i paprecedentë, dhe u dënua nga shumë si një përpjekje për të politizuar të dhënat ekonomike që ndikojnë në tregjet globale dhe në vendimmarrjen mbi normat e interesit.

“Ne do të shpallim një statistikane të re brenda tri ose katër ditësh,” u tha Trump gazetarëve të dielën mbrëma, teksa largohej nga New Jersy për në Uashington. Ai e akuzoi McEntarfer për manipulim të të dhënave, pa ofruar asnjë provë. “Nuk kishim më besim. Shifrat ishin të çuditshme,” deklaroi ai.

Trump gjithashtu tha se ka në mendje disa emra për të zëvendësuar guvernatoren e dorëhequr të Fed, Adriana Kugler, e cila dha dorëheqjen të premten, pesë muaj para përfundimit të mandatit të saj. Dorëheqja i jep Trumpit mundësinë për të ndikuar më herët se sa pritej në përbërjen e brendshme të bankës qendrore.

Emrat më të përfolur për të pasuar kreun aktual të Fed, Jay Powell, janë: Kevin Hassett, drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar në Shtëpinë e Bardhë; Kevin Warsh nga Instituti Hoover në Universitetin Stanford; dhe sekretari i Thesarit, Scott Bessent.

Powell përfundon mandatin si kryetar i Fed në maj 2026, por mund të zgjedhë të qëndrojë si anëtar i bordit deri në vitin 2028. Deri tani nuk ka bërë të ditur nëse do të japë dorëheqjen apo do të qëndrojë për të frenuar ndonjë emërim të ri nga Trump.

Pas dorëheqjes së Kugler, Trump publikoi një mesazh në rrjete sociale duke nxitur edhe Powell që të largohet nga detyra.

Në një deklaratë zyrtare, Shtëpia e Bardhë e mbështeti vendimin për shkarkimin e McEntarfer, duke argumentuar se BLS ka nevojë për një “vështrim të freskët” dhe se të dhënat e publikuara ishin bërë të pasigurta për shkak të korrigjimeve të shpeshta që ndodhin si në administratat republikane ashtu edhe në ato demokrate.

Kevin Hassett u shpreh për Fox News: “Të dhënat nuk mund të jenë propagandë. Ato duhet të jenë të besueshme. Nëse nuk janë të tilla, është një problem serioz për SHBA-në.”

Në një intervistë të veçantë për NBC, Hassett shtoi: “Presidenti Trump dëshiron njerëzit e tij në këto pozita, në mënyrë që kur publikohen shifrat, të jenë më transparente dhe më të besueshme.”

Shkarkimi i McEntarfer u kritikua gjerësisht, pasi ajo ishte konfirmuar në janar 2024 me 86 vota pro dhe 8 kundër në Senat me mbështetje dypartiake, përfshirë edhe nga zëvendëspresidenti aktual JD Vance dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio, të cilët ishin senatorë në atë kohë.

Ish-komisioneri i BLS gjatë mandatit të parë të Trump, William Beach, e cilësoi shkarkimin si “të dëmshëm”.

“Nuk mendoj se ka ndonjë arsye reale për këtë shkarkim. Dhe kjo dëmton seriozisht sistemin statistikor, duke minuar besueshmërinë e BLS,” tha ai për CNN të dielën.

Skandal në Zelandën e Re, mamaja fut vajzën 2-vjeçare brenda një valixheje në autobusin e linjës

By: Rovena
4 August 2025 at 09:57

Një vajzë dyvjeçare është gjetur gjallë brenda një valixheje të vendosur në ndarjen e bagazheve të një autobusi në Zelandën e Re.

Ngjarja ka ndodhur të dielën gjatë një ndalese të planifikuar në qytetin Kaiëaka, rreth 100 kilometra në veri të Auckland-it. Shoferi i autobusit vuri re lëvizje brenda një valixheje pasi një pasagjer kërkoi të aksesonte ndarjen e bagazheve. Kur valixhja u hap, brenda saj u zbulua vogëlushja.

Sipas shefit të hetuesisë, detektivit Simon Harrison, vajza ishte “shumë e nxehtë, por fizikisht dukej e padëmtuar”.

Fëmija u transportua menjëherë në spital, ku vijoi të qëndrojë të dielën për të iu nënshtruar ekzaminimeve të plota mjekësore. Autoritetet nuk bënë të ditur se për sa kohë ishte mbajtur vajza brenda valixhes dhe se cilat ishin qytetet ku po udhëtonte autobusi.

Një grua 27-vjeçare është arrestuar dhe akuzuar për keqtrajtim ose neglizhencë ndaj një fëmije. Hetuesi Harrison tha se nuk përjashtohet ngritja e akuzave të tjera.

Gruaja pritet të dalë përpara gjykatës të hënën. Për ngjarjen janë njoftuar gjithashtu edhe shërbimet për mbrojtjen e fëmijëve.

Kompania Entrada Travel Group, e cila operon linjën kombëtare të autobusëve në Zelandën e Re, InterCity, konfirmoi për rrjetin NBC se incidenti ka ndodhur në një nga autobusët e saj.

“Policia u thirr në vendngjarje dhe ka nisur hetimet. Askush nuk është lënduar gjatë incidentit dhe shërbimi ka vijuar normalisht,” thuhet në deklaratën e kompanisë.

Sipas faqes zyrtare të InterCity, fëmijët deri në moshën 2-vjeçare udhëtojnë falas në prehërin e një të rrituri, ndërsa fëmijët mbi tre vjeç duhet të kenë biletë dhe të udhëtojnë me një kujdestar.

Detektivi Harrison vlerësoi shoferin e autobusit për vigjilencën dhe reagimin e shpejtë.
“Falë vëmendjes së tij, u parandalua një tragjedi e mundshme,” tha ai./abcnews.al

 

❌
❌