Shqipëria në krye të rajonit të Ballkanit Perëndimor për ekonominë e gjelbër
TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Sipas raportit të fundit të OECD “Economic Convergence Scoreboard for the Western Balkans 2025”, Shqipëria zë vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për përputhshmërinë me politikat e gjelbërta të Bashkimit Europian, duke kaluar të gjitha vendet fqinje në “Greening Cluster”, me një rezultat prej 103 pikësh, gjithashtu duke u renditur mbi mesataren e BE-së (100 pikë) dhe të Ballkanit Perëndimor (47 pikë).
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se Shqipëria ka shënuar përparim të ndjeshëm në këtë fushë për shkak të rritjes së vëmendjes institucionale ndaj agjendës së gjelbër, përmes përfshirjes së objektivave të qëndrueshmërisë në planet kombëtare dhe ndërsektoriale.
“Renditja në vendin e parë e Shqipërisë në këtë dimension shihet si një mundësi për të udhëhequr tranzicionin rajonal të gjelbër, një avantazh për tërheqjen e investimeve të huaja të qëndrueshme, një dritare për financime të gjelbra nga BE dhe institucionet ndërkombëtare”, theksoi ministri.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në rolin e Koordinatorit Kombëtar të këtij raporti, theksoi Gonxhja, mbetet e angazhuar për zhvillimin e politikave që promovojnë ekonominë e gjelbër dhe rritjen e qëndrueshme, si pjesë e përpjekjeve të Shqipërisë për integrimin evropian.
/r.e/
The post Shqipëria në krye të rajonit të Ballkanit Perëndimor për ekonominë e gjelbër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.