Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 August 2025Main stream

Gana në zi kombëtare/ Dy ministra dhe gjashtë persona të tjerë humbin jetën në një aksident ajror

By: Rovena
7 August 2025 at 09:46

Dy ministra të qeverisë së Ganë, Afrikë, ministri i Mbrojtjes Edward Omane Boamah dhe ministri i Mjedisit, Shkencës dhe Teknologjisë Ibrahim Murtala Muhammed humbën jetën në një aksident ajror ushtarak të ndodhur në rajonin qendror të Ashanti-t. Lajmi u konfirmua nga zëdhënës i qeverisë, i cili tha se në përplasjen fatale të helikopterit u vranë gjithsej tetë persona.

Shefi i kabinetit të presidencës, Julius Debrah, e përshkroi ngjarjen si një “tragjedi kombëtare”.

Sipas Forcave të Armatosura të Ganës, helikopteri ushtarak i tipit Z9, që transportonte tre anëtarë ekuipazhi dhe pesë pasagjerë, ishte zhdukur nga radarët pasi ishte nisur nga kryeqyteti Akra në orën 09:12 me orën lokale, me destinacion qytetin Obuasi. Delegacioni po udhëtonte për të marrë pjesë në një aktivitet kundër minierave të paligjshme, një problem madhor mjedisor në vend.

Trupat e viktimave u gjetën në vendin e ngjarjes dhe janë transferuar drejt Akras me avion ushtarak, sipas njoftimit të ushtrisë. Në rrjetet sociale janë shpërndarë pamje që pretendohet të tregojnë mbetjet e djegura të helikopterit.

Presidenti John Dramani Mahama ka pezulluar të gjitha aktivitetet publike të planifikuara për pjesën e mbetur të javës dhe ka shpallur tre ditë zie kombëtare duke nisur nga dita e enjte. Me urdhër të shefit të kabinetit, flamujt kombëtarë do të ulen në gjysmështizë në të gjithë vendin.

Në emër të presidentit Mahama dhe qeverisë, Debrah shprehu ngushëllime për familjet e viktimave, duke përfshirë edhe “anëtarët e shërbimit që dhanë jetën në shërbim të atdheut”.

Shkaku i aksidentit nuk është bërë ende i ditur, ndërsa autoritetet ushtarake kanë nisur një hetim zyrtar.

Apple shpall investim shtesë prej 100 miliardë dollarësh në SHBA,

By: Rovena
7 August 2025 at 09:38

Donald Trump, njoftoi të mërkurën se kompania teknologjike Apple do të investojë edhe 100 miliardë dollarë në SHBA një lëvizje që mund ta ndihmojë kompaninë të shmangë tarifat e mundshme mbi iPhone-t e prodhuar jashtë vendit.

Me këtë angazhim të ri, totali i investimeve të planifikuara nga Apple në SHBA arrin në 600 miliardë dollarë për katër vitet e ardhshme. Në fillim të këtij viti, Apple kishte deklaruar se do të investonte 500 miliardë dollarë dhe do të punësonte 20 mijë punonjës në të gjithë vendin gjatë kësaj periudhe.

Plani i investimit synon të zgjerojë zinxhirin e furnizimit dhe kapacitetet e prodhimit të avancuar të Apple në territorin amerikan, ndonëse nuk përmbush ende kërkesën e vazhdueshme të Trump që iPhone-t të prodhohen tërësisht në SHBA.

“Kompanitë si Apple po kthehen në shtëpi. Të gjithë po kthehen,” tha Trump për gazetarët nga Zyra Ovale, pak pasi CEO i Apple, Tim Cook, i dhuroi një suvenir të prodhuar në SHBA me bazë ari 24 karatësh.

“Kjo është një hap i rëndësishëm drejt objektivit përfundimtar që iPhone-t që shiten në Amerikë të prodhohen edhe në Amerikë,” shtoi Trump.

I pyetur nëse Apple do të prodhojë ndonjëherë të gjithë iPhone-t brenda SHBA-së, Cook theksoi se shumë komponentë, si gjysmëpërçuesit, xhami dhe moduli Face ID, tashmë prodhohen në SHBA, por pranoi se montimi përfundimtar “do të vazhdojë të bëhet jashtë vendit për një kohë”.

Megjithëse angazhimi financiar është i madh, analistët vlerësojnë se investimi përputhet me ritmin e zakonshëm të shpenzimeve të Apple dhe ngjan me premtime të ngjashme të bëra gjatë administratës Biden dhe mandatit të mëparshëm të Trump.

Në muajin maj, Trump kishte kërcënuar me një tarifë prej 25% mbi produktet e Apple të prodhuara jashtë vendit një ndryshim i papritur nga politika e mëparshme, kur administrata e tij kishte përjashtuar smartphone-t, kompjuterët dhe pajisje të tjera elektronike nga raundet e tarifave ndaj mallrave kineze. Sipas të dhënave financiare, tarifat e vendosura më parë i kushtuan Apple rreth 800 milionë dollarë vetëm në tremujorin e dytë të vitit.

“Ky është një hap i mirë për Apple dhe një mënyrë për të përmirësuar raportet me Trump pas muajve të tensionuar mes kompanisë dhe Shtëpisë së Bardhë,” u shpreh analisti Daniel Ives nga Wedbush Securities. Sipas tij, Apple ka një histori të përzier sa i përket realizimit të premtimeve të investimit.

Në vitin 2019, për shembull, Tim Cook vizitoi një fabrikë në Teksas së bashku me Trump, e cila u promovua si një objekt i ri prodhimi. Por rezultoi se kjo fabrikë prodhonte kompjuterë Apple që prej vitit 2013, dhe më vonë Apple zhvendosi këtë prodhim në Tajlandë.

Apple vazhdon të prodhojë pjesën më të madhe të produkteve të saj përfshirë iPhone-t dhe iPad-ët në Azi, kryesisht në Kinë, megjithëse vitet e fundit ka zhvendosur pjesë të prodhimit në Vietnam, Tajlandë dhe Indi.

Pavarësisht presionit politik, analistët janë të një mendimi se ndërtimi i iPhone-ve në SHBA mbetet jo realist, për shkak të kostove të larta të fuqisë punëtore dhe kompleksitetit të zinxhirit global të furnizimit.

“Sot kemi një zgjidhje të zgjuar ndaj kërkesës së presidentit që Apple të prodhojë të gjitha iPhone-t në SHBA,” tha Nancy Tengler, drejtore ekzekutive dhe investimeve në Laffer Tengler Investments, kompani që zotëron aksione në Apple./abcnews.al

Masakër në kampin e zhvendosurve në Sudan/ 1 mijë e 500 civilë të vrarë nga forcat paraushtarake

By: Rovena
7 August 2025 at 09:30

Më shumë se 1 mijë e 500 civilë dyshohet se janë masakruar gjatë një sulmi të zhvilluar në prill mbi kampin më të madh të zhvendosurve në Sudan, në një nga krimet më të rënda të luftës që nga fillimi i konfliktit shkatërrues në vend

Një hetim i gazetës britanike The Guardian për sulmin 72-orësh të forcave paraushtarake të Rapid Support Forces (RSF) mbi kampin Zamzam në Darfurin Verior kampi më i madh për personat e zhvendosur nga lufta ka dokumentuar dëshmi të shumta për ekzekutime masive dhe rrëmbime në shkallë të gjerë. Qindra civilë ende rezultojnë të zhdukur

Përmasat e viktimave të dyshuara e bëjnë këtë sulm të dytin më të rëndë për nga numri i të vrarëve në këtë luftë, pas një masakre etnike të ndodhur në Darfurin Perëndimor dy vite më parë.

Lufta ndërmjet RSF-së, e udhëhequr nga arabë, dhe ushtrisë sudaneze shpërtheu në prill të vitit 2023 dhe ka qenë e shoqëruar nga mizori të përsëritura, që kanë detyruar miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre dhe kanë shkaktuar krizën më të madhe humanitare në botë.

Deri tani, raportimet për sulmin në Zamzam (11–14 prill) flisnin për rreth 400 civilë jo-arabë të vrarë. Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se “qindra” janë vrarë.

Megjithatë, një komitet i ngritur për hetimin e numrit të viktimave thotë se ka dokumentuar deri më tani mbi 1 mijë e 500 të vrarë, një shifër që mund të rritet ndjeshëm, pasi shumë trupa ende nuk janë nxjerrë nga rrënojat në kampin që aktualisht kontrollohet nga RSF.

“Trupat ndodhen brenda shtëpive, në fusha dhe nëpër rrugë,” deklaroi për The Guardian Mohammed Sharif, pjesë e administratës së mëparshme të kampit.

Një ekspert i krimeve të luftës me përvojë dekadash në Darfur, i cili ka intervistuar dhjetëra të mbijetuar nga Zamzam, beson se numri i të vrarëve mund të arrijë deri në 2 mijë. Duke folur në kushte anonimiteti, ai theksoi se niveli i dhunës ishte i pashembullt, madje edhe krahasuar me masakrat ndaj grupeve etnike afrikane gjatë viteve 2000 nga milicitë arabe që më vonë formuan RSF-në.

Çdo person që ka arritur të shpëtojë, ka humbur një anëtar familjeje. Diçka e tillë nuk ka ndodhur më parë,” shtoi ai.

Sipas Abdallah Abugarda, nga Shoqata e Diasporës së Darfurit në Mbretërinë e Bashkuar, rreth 4 mijë e 500 anëtarë të organizatës së tij njohin personalisht dikë mik apo të afërm që ka humbur jetën në sulm. Ai tha gjithashtu se të paktën 2 mijë banorë të Zamzam mbeten të zhdukur.

“Masakra në Zamzam një vendstrehim për të zhvendosurit për më shumë se 20 vjet është një nga krimet më të rënda në historinë e fundit të njerëzimit. Megjithatë, bota është treguar e heshtur,” theksoi Abugarda

Zëvendësshefjа për emergjencat në Médecins Sans Frontières (MSF), Claire Nicolet, deklaroi se sulmi goditi “një nga popullsitë më të pambrojtura në planet”. Sipas saj, të mbijetuarit janë përballur me “plaçkitje të përhapura, dhunë seksuale dhe kushte të mjerueshme në vendet e tranzitit”.

Një numër i madh grash janë rrëmbyer dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre. Mohammed Sharif tha se të paktën 20 prej tyre janë dërguar në qytetin Nyala, një nga bastionet e RSF-së, rreth 160 km nga Zamzam./abcnews.al

U arrestuan bashkë me Flodian Plakun, Gjykata e Vlorës jep këtë të enjte masat e sigurisë për katër persona

By: Rovena
7 August 2025 at 09:27

Nis në orën 9 e 30 në Gjykatën e Vlorës seanca për masën e sigurisë ndaj katër personave të arrestuar së bashku me Flodian Plakun në Orikum.

Seanca zhvillohet sot për shtetasit Albano Lapshi, i çonte ushqim, Armando Dano nga Shkodra berberi. Ligor Doko pronar i hotelit ku u arrestua. Dhe Julian Aliaj qe u kap me pistoletë, i cili ka qenë i dënuar  më parë për trafik droge./abcnews.al

Ekstremet e motit përfshijnë Azinë/ Qindra të vdekur nga përmbytjet dhe vala e të nxehtit

By: Rovena
7 August 2025 at 09:07

Ndërsa reshje të rrëmbyeshme godasin Kinën, Pakistanin dhe pjesë të Indisë, një valë përvëluese e të nxehtit ka përfshirë Japoninë dhe Korenë e Jugut, duke shkaktuar qindra viktima në të gjithë rajonin e Azisë.

Sipas shkencëtarëve, ndryshimet klimatike po e bëjnë motin gjithnjë e më ekstrem, më të shpeshtë dhe të paparashikueshëm. Ky trend është veçanërisht i theksuar në Azi, e cila, sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, po ngrohet gati dyfish më shpejt se mesatarja globale.

Sipas raportit vjetor Climate Risk Index, rajoni ka humbur mbi 2 trilionë dollarë amerikanë (rreth 1.5 trilionë paund britanikë) në tre dekadat e fundit për shkak të fatkeqësive klimatike si përmbytje, valë të të nxehtit dhe thatësira.

Rekorde të të nxehtit në Japoni dhe Korenë e Jugut

Japonia regjistroi ditën më të nxehtë ndonjëherë të martën, kur temperaturat në qytetin Isesaki, në prefekturën Gunma, arritën në 41.8°C. Ky vit ka shënuar gjithashtu qershorin dhe korrikun më të nxehtë në historinë e vendit.

Sipas zyrës së mjekësisë ligjore në Tokio, nga mesi i qershorit deri në fund të korrikut, 56 persona kanë humbur jetën si pasojë e goditjes nga të nxehtit. Disa linja hekurudhore janë pezulluar përkohësisht nga autoritetet për shkak të frikës se nxehtësia mund të dëmtojë shinat e trenit.

“Ndihem e shqetësuar për ngrohjen globale, por në jetën e përditshme nuk mund të rri pa kondicioner,” tha për AFP një punonjëse zyre në Japoni. “Nuk di çfarë të bëj, thjesht po mundohem të kaloj ditët.”

Parashikimet flasin për një lehtësim të përkohshëm të të nxehtit në ditët në vijim, me reshje deri në 200 mm në disa rajone të Japonisë.

Në Korenë e Jugut, korriku solli një rekord prej 22 netësh radhazi me temperatura mbi 25°C të ashtuquajturat “netë tropikale”. Autoritetet kanë raportuar një rritje të ndjeshme të rasteve të sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë. Institucionet dhe kompanitë kanë zbutur kodet e veshjes për të lehtësuar punën dhe për të reduktuar përdorimin e kondicionerëve.

Ndërkohë, kryeqyteti i Vietnamit, Hanoi, përjetoi për herë të parë në muajin gusht një ditë me temperatura mbi 40°C. “Qyteti është kthyer në një tigan të zjarrtë,” tha për AFP Nam, një punëtor ndërtimi.

Përmbytje shkatërruese në Kinë, Indi dhe Pakistan

Në kontrast me të nxehtin përvëlues në verilindje të Azisë, pjesë të mëdha të Kinës janë përballur me përmbytje të mëdha nga Shangai deri në Pekin ku dhjetëra persona kanë humbur jetën javët e fundit.

Jugu i vendit është goditur nga reshje të dendura dhe ekipet e emergjencës po punojnë për të pastruar rrënojat, ndërsa rajoni përgatitet për rrëshqitje të mëtejshme dherash dhe përmbytje. Vetëm në qytetin Guangzhou, kryeqendra e provincës Guangdong, qindra fluturime janë anuluar ose vonuar. Përmbytjet po rrezikojnë të përkeqësojnë edhe përhapjen e virusit chikungunya, që transmetohet nga mushkonjat.

Ndërsa reshje të dendura janë të zakonshme në Kinën jugore gjatë kësaj periudhe të vitit, këtë herë ato janë shtuar nga aktiviteti i shtuar i stuhive tropikale sidomos gjatë muajit të fundit. Vetëm javën e kaluar, tre stuhi tropikale ishin aktive në Paqësorin perëndimor, ndërsa para qershorit aktiviteti ishte thuajse i papërfillshëm.

Rajone malore në rrethinat e Pekinit u goditën nga përmbytje vdekjeprurëse muajin e kaluar, ku humbën jetën dhjetëra persona, përfshirë 31 banorë të një shtëpie për të moshuar. Zonat malore dhe ato të populluara mbeten më të rrezikuarat nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave.

Tragjedi edhe në Indi dhe Pakistan

Në shtetin verior indian të Uttarakhand-it, mbi 100 persona rezultojnë të zhdukur pas një “cloudburst” një reshje ekstreme dhe e papritur mbi një zonë të kufizuar që shkaktoi përmbytje të menjëhershme.

Në Pakistan, që nga qershori, gati 300 persona kanë vdekur nga incidente të lidhura me shirat, përfshirë më shumë se 100 fëmijë. Reshjet e dendura kanë shkatërruar qindra shtëpi dhe ndërtesa. Sipas organizatës Save the Children, të paktën një e katërta e shkollave në provincën Punjab janë dëmtuar pjesërisht ose plotësisht.

Të martën, mbi 350 mm reshje ranë në Hong Kong dita më e lagësht e gushtit në qytet që nga viti 1884. Për krahasim, qyteti merr mesatarisht rreth 2400 mm reshje në vit, shumica e të cilave bien gjatë verës./abcnews.al

Yesterday — 6 August 2025Main stream

Italia jep miratimin përfundimtar për projektin historik të urës në Siçili

By: Rovena
6 August 2025 at 15:51

Qeveria italiane ka dhënë miratimin përfundimtar për ndërtimin e urës më të gjatë me një hapësirë të vetme në botë, e cila do të lidhë Sicilinë me Italinë kontinentale përmes ngushticës së Mesinës. Ky projekt i shumëdebatuar është shtyrë për dekada për shkak të shqetësimeve mjedisore, financiare dhe të tjera, por tashmë ka marrë dritën jeshile nga Komiteti Ndërministror për Planifikim Ekonomik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm (CIPESS), gjatë një takimi në Romë.

Ura pritet të jetë rreth 3.7 kilometra e gjatë dhe është përfolur për ndërtim që nga fundi i viteve 1960, si një mjet për të nxitur zhvillimin ekonomik të jugut të varfër të Italisë. Qeveria e djathtë e kryeministres Giorgia Meloni e ka bërë projektin një ndër prioritetet kryesore, duke planifikuar një fond prej 13.5 miliardë eurosh përgjatë dhjetë viteve të ardhshme për ndërtimin e urës dhe infrastrukturës përreth saj.

Sipas kompanisë “Messina Strait”, e cila mbikëqyr projektin, ura pritet të përfundojë në vitin 2032.

Megjithatë, projekti ka hasur në kundërshtime të forta nga aktivistë dhe qytetarë që shprehin shqetësime për ndërtimin në një zonë të rrezikuar nga tërmetet, kosto të larta që mund të tejkalojnë parashikimet, ndikime të mundshme mjedisore dhe përfshirje të mundshme të mafies në tenderat e ndërtimit. Këtë javë, organizata mjedisore kanë paraqitur një ankesë pranë Bashkimit Evropian, duke ngritur alarmin për rreziqe serioze për mjedisin lokal.

Nga ana tjetër, projekti ka mbështetje të gjerë nga ata që besojnë se lidhja hekurudhore dhe rrugore do të sjellë përfitime të mëdha për Sicilinë dhe rajonet jugore të Italisë, duke zëvendësuar kalimin aktual me traget dhe duke përmirësuar ndjeshëm lëvizshmërinë.

Konkursi ndërkombëtar për ndërtimin e urës është fituar nga konsorciumi “Eurolink”, i udhëhequr nga kompania më e madhe ndërtimore në Itali, “Webuild”. Pjesë e konsorciumit janë gjithashtu grupi spanjoll “Sacyr” dhe ai japonez “IHI”.

Sipas “Messina Strait Company”, miratimi i dhënë do të mundësojë nisjen e punimeve paraprake, përfshirë studimet arkeologjike dhe gjeologjike, si dhe do të autorizojë shpronësimet e nevojshme.

Ministri i Transportit dhe zëvendëskryeministri Matteo Salvini ka deklaruar se vendimi i CIPESS duhet të ratifikohet nga Gjykata Kombëtare e Auditit për të hyrë në fuqi, një proces që pritet të zgjasë disa javë.

“Webuild”, e cila aktualisht është e angazhuar në projekte madhore në mbarë botën, përfshirë projektin gjigant NEOM në Arabinë Saudite, ka vlerësuar se ndërtimi i urës mund të krijojë mbi 100,000 vende pune. Ndërkohë, “Sacyr” ka qenë pjesë e zgjerimit të Kanalit të Panamasë, ndërsa “IHI” ka kontribuar në ndërtimin e urave të mëdha pezulluese si ura Akashi në Japoni dhe ura Osman Gazi në Turqi.

Bilanc tragjik në Gaza, 138 viktima në 24 orët e fundit

By: Rovena
6 August 2025 at 15:32

Të paktën 138 persona janë vrarë gjatë 24 orëve të fundit në Rripin e Gazës nga forcat izraelite, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në këtë territor. Kjo e çon në 61.158 numrin total të të vrarëve që nga fillimi i luftës.

Sipas të njëjtës ministri, 771 persona të plagosur janë dërguar në spitalet e Gazës gjatë ditës së fundit, ndërsa një numër viktimash ndodhen ende nën rrënoja. Ambulancat dhe ekipet e mbrojtjes civile nuk kanë mundur të arrijnë deri te ta për shkak të situatës së rënduar në terren.

Në përditësimin më të fundit, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur edhe shifrat për viktimat mes atyre që kërkojnë ndihma humanitare. Sipas saj, 87 persona janë vrarë dhe 570 të tjerë janë plagosur ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihma ushqimore ose mjekësore./abcnews.al

Analiza e REL/ Tri dekada pas luftërave: Si trajtohen veteranët në Kosovë e si në rajon?

By: Rovena
6 August 2025 at 15:06

Përfaqësuesit e 47 mijë veteranëve të regjistruar të luftës në Kosovë ankohen për trajtim të padinjitetshëm nga institucionet shtetërore. Nga shuma e pensionit mujor e deri te kujdesi shëndetësor e psikologjik, ata ndihen të lënë pas dore nga shteti për të cilin luftuan për ta çliruar. Përtej kufirit, veteranët në rajon kanë dukshëm më shumë beneficione.

Në moshën 23-vjeçare, Xhevdet Thaçi kishte lënë rehatinë e jetës që kishte ndërtuar në Zvicër më 1998 dhe ishte kthyer në vendlindjen e tij në rajonin e Hasit, në verilindje të Kosovës.

Për 14 muaj rresht, deri në fund të luftës, ai ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke u angazhuar përgjatë kufirit me Shqipërinë.

Tani, 26 vjet më vonë, ai i përfaqëson veteranët e luftës së UÇK-së nga rajoni i Hasit. Këta veteranë kanë disa pakënaqësi kryesore, duke nisur nga pensioni mujor që u takon veteranëve luftëtarë.

Problemi nuk qëndron vetëm te shuma e pensionit, por edhe te pamundësia e marrjes së tij nëse je i punësuar. Kjo pasi që Thaçi thotë se pensioni i veteranit nuk duhet të shihet si ndihmë sociale.

“Luftëtarët e marrin atë pagë sepse shërbyen për ta liruar atdheun dikur dhe ajo pagë duhet të shihet si shpërblim për kontributin e dhënë për lirinë e vendit të tyre”, thotë Thaçi për Radion Evropa e Lirë.

Për më tepër, Thaçi thotë se ky pension është i pamjaftueshëm për veteranët e papunësuar.

Nga viti 2015, kur veteranët e luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë filluan të marrin pension mujor, shuma e pensionit ishte përcaktuar me ligj se “nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale e përcaktuar në Kosovë”.

Me kalimin e viteve, ligji për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndryshoi. Por, jo ashtu siç kërkonin veteranët dhe përfaqësuesit e tyre.

Vitin e kaluar, kur paga minimale u rrit në 350 euro, pensioni i veteranëve u vendos të mos bëhej sa paga minimale, “deri në kategorizimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së”.

Më vonë, në janar të këtij viti, Qeveria rriti pensionet për të gjitha kategoritë e dala nga lufta e fundit në Kosovë për 20 për qind. Nga 170 euro sa merrnin më parë, tani veteranët e luftës ata që nuk janë të punësuar, marrin pension mujor prej 204 eurosh.

Rreth 37 mijë veteranë në Kosovë, nga gjithsej 47 mijë të regjistruar, e marrin këtë pension mujor tani – që edhe pse është rritur për 34 euro, është ende dukshëm më i ulët sesa paga minimale.

Ndër kundërshtarët e vendimit për të mos harmonizuar pensionin e veteranëve me pagën minimale është edhe Enver Hajdari, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenas.

“Nuk e meritojmë. Edhe ne kemi të drejtë të hamë, të ekzistojmë, të rrisim familje, t’i shkollojmë fëmijët tanë. Veteranët janë trajtuar në mënyrën më të keqe të mundshme”, thotë Hajdari për Radion Evropa e Lirë

Kërkesat e tyre? Rishikimi i Ligjit për veteranët, rritje e mbështetjes ekonomike, qasje në trajtime psikologjike.

“Kurrë nuk kemi kërkuar lëmoshë, por edhe ne i përkasim këtij shteti, kemi bërë për këtë shtet, kemi dhënë gjak e mund dhe kërkojmë nga ky shtet që të na mbështetë”, thotë Hajdari.

Ligji për veteranët, ligj “sa për sy e faqe” Hajdari e përshkruan ligjin në fuqi për veteranët si jo të mirëfilltë dhe “sa për sy e faqe”.

Sipas ligjit, ekzistojnë gjashtë kategori veteranësh: invalidi i luftës, veterani luftëtar, i internuari, pjesëtari, pjesëmarrësi i luftës dhe ushtari i zhdukur i UÇK-së.

Pas vdekjes së tyre, pensionin mund ta marrë një familjar, në vlerë prej 70 për qind të pensionit dhe pa përfituar pensione të tjera nga sigurimet shoqërore.

Disa nga përfitimet e tjera që parasheh ligji, për të cilin edhe Thaçi edhe Hajdari kërkojnë përditësim, janë:

Veteranët dhe anëtarët e familjes së ngushtë gëzojnë të drejtën e shërbimit shëndetësor falas në spitalet e financuara nga shteti ku qytetarët e zakonshëm paguajnë vetëm ca euro për procedurat administrative – dhe përfitojnë falas barna për sëmundje kronike.

Përparësi për punësim në sektorin publik për veteranët luftëtarë dhe pjesëtarët e UÇK-së;

*Udhëtim falas me mjetet e komunikacionit urban dhe udhëtim ndërurban me gjysmë çmimi;

*Vendosje pa kompensim në shtëpitë e personave të moshuar për veteranët;

*Heqje e shpenzimeve për varrim të veteranëve.

*Megjithatë, zbatimi i këtij ligji është gjysmak, sipas Hajdarit.

Për shembull, themelimi i Qendrës së Stresit Posttraumatik, që ishte paraparë në ligj me qëllim të “rehabilitimit emocional, shpirtëror dhe të traumave si pasojë e luftës” për veteranët ka mbetur vetëm në letër.

Rreth një vit më parë, Radio Evropa e Lirë kishte raportuar se si, rreth 100 veteranë besohet se kanë vdekur nga vetëvrasjet që nga paslufta.

Thaçi tregon se në mesin e këtyre janë edhe dy veteranë nga rajoni i Hasit.

“Kemi qenë në zona të luftës dhe kemi përjetuar gjëra shumë të ndjeshme, sidomos me bashkëluftëtarët që na kanë vdekur në duar. Traumat kanë ardhur edhe në pamundësi t’i dalim në ndihmë popullit tonë, kur na janë vrarë civilë”, thotë Thaçi.

Më shumë beneficione parashihen me ligj për invalidët dhe familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si:

Lirim nga tatimi dhe dogana për vetura dhe pajisje ortopedike për invalidët;

Tarifë më e lirë për energji elektrike për familjet e ngushta të dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së, kur ata plotësojnë kriteret për kushte të këqija ekonomike;

Lirimi nga tatimi në pronë për familjet e dëshmorëve, të të zhdukurve dhe invalidëve që janë në gjendje të rëndë ekonomike;

Përkujdesja për banim përmes objekteve kolektive të banimit social për familjet e dëshmorëve, të të zhdukurve dhe invalidëve që janë në gjendje të keqe financiare; dhe

Përparësi në regjistrim në institucione arsimore publike për familjarëve e dëshmorëve, të të zhdukurve dhe invalidëve. Nga këto beneficione dhe të tjera janë të përjashtuar veteranët luftëtarë.

Gjykimet me fokus te veteranët e UÇK-së

Por, për Thaçin, është e pamundur të flitet për problemet e veteranëve pa përmendur listat e fryra të tyre.

Thaçi thotë se edhe vetë lista e veteranëve për rajonin që përfaqëson ai ishte ndryshuar dhe se tani, në bashkëpunim me Prokurorinë, nga kjo listë janë larguar mbi 1.600 persona që kishin përfituar statusin e veteranit, pa qenë të tillë.

“Luftëtarët e vërtetë ndihen tepër të zhgënjyer që u barazuan me secilin që nuk ishte luftëtar i vërtetë apo nuk ia donin të mirën UÇK-së, por që posedojnë të njëjtin status”, thotë Thaçi.

Shumica e veteranëve të regjistruar në Kosovë janë burra shqiptarë, nga rajoni i Dukagjinit.

Mirëpo, që nga fillimi, ajo se kush është regjistruar si veteran ka nxitur shumë debat. Nga përfitues të jashtëligjshëm të pensionit për veteranë besohet që Kosova është dëmtuar në vlerë prej afro 90 milionë eurosh, pasi Prokuroria pretendon se janë rreth 19.500 veteranë të rrejshëm.

Tashmë, lidhur me këtë, Gjykata Themelore e Prishtinës i ka dënuar me nga një vit burgim ish-kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku, dhe 9 të akuzuar të tjerë në rigjykimin e rastit “Veteranët” pasi besohet se ata, përmes komisionit qeveritar përkatës, ua kishin mundësuar shumë personave të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme pensionin e veteranit.

E, një shqetësim tjetër që ka qenë në fokus të organizatave të veteranëve të luftës është një proces gjyqësor, që po zhvillohet qindra kilometra larg Kosovës.

Bëhet fjalë për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë – Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, që po përballen me një aktakuzë të përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata i kanë mohuar të gjitha akuzat që rëndojnë mbi ta dhe gjykimi i tyre është cilësuar nga Organizatatat e Veteranëve të Luftës si i padrejtë dhe i njëanshëm

Shpenzimet për ekipet mbrojtëse të të pandehurve i kryen kryesisht shteti i Kosovës. Por, kjo ka nxitur akuza e kundërakuza mes OVL-së së UÇK-së dhe Ministrisë së Drejtësisë.

OVL-ja e UÇK-së ka kritikuar Qeverinë në detyrë të Kosovës pasi u raportua se për shkak të çështjes së pagesave mund të largohen avokatë që po mbrojnë të akuzuarit në Hagë. Por, Ministria e Drejtësisë insistoi se, që nga nisja e procesit gjyqësor, janë realizuar pagesa të rregullta, në përputhje me marrëveshjet dhe obligimet e përcaktuara paraprakisht.

Për këtë arsye, OVL-ja ka paralajmëruar edhe një protestë në Prishtinë këtë javë.

Veteranët në Kroaci dhe përfitimet e tyre

Qasje në ndihmë juridike kanë edhe veteranët në Kroaci, por përfitimet e tyre, të përcakuara me ligjin për luftëtarët kroatë të vitit 2017, shkojnë përtej kërkesave aktuale të veteranëve në Kosovë.

Sipas të dhënave nga viti 2021 në evidencën e Ministrisë së Luftëtarëve Kroatë ishin gjithsej 513.140 luftëtarë. Më vonë, numri i luftëtarëve u rrit për 7.205 persona pasi u tha se, disa, për “arsye normative apo personale” nuk e kishin rregulluar më parë statusin e tyre.

Luftëtar konsiderohet kushdo që ka marrë pjesë në mënyrë të organizuar në mbrojtjen e Kroacisë nga gushti i vitit 1990 deri në fund të qershorit 1996, përfshirë ata që u burgosën, vdiqën ose u zhdukën në atë periudhë, ata që kanë statusin e invalidit ushtarak të luftës, si dhe vullnetarët.

Sipas të dhënave të Institutit Kroat për Sigurim Pensional, pensioni mesatar në janar të vitit 2025 ishte 1.213 euro dhe atë e përfitojnë rreth 72 mijë persona.

Prej tyre, rreth 52 mijë janë përfitues të pensionit invalidor, ndërsa rreth 15 mijë persona marrin pension familjar, përkatësisht pas vdekjes së luftëtarit.

Çdo vit, Qeveria e Kroacisë është e detyruar ligjërisht ta përshtatë pensionin e invalidit me gjendjen ekonomike të vendit. Kështu, në fillim të qershorit të këtij viti ajo u rrit nga 520 në 540 euro.

Shumës bazë të pensionit i bashkangjiten edhe disa shtesa të veçanta, shtesa për kujdesin dhe ndihmën e një personi tjetër, shtesa ortopedike si dhe kompensim për kujdestarë dhe pensione familjare, si dhe për të papunët që janë luftëtarë kroatë.

E, çfarë të drejta të tjera kanë luftëtarët?

  • Të drejtë në sigurim shëndetësor të detyrueshëm, pension pleqërie dhe të parakohshëm, si dhe të drejtë në pension familjar dhe invalidor;
  • Shërbime të personave për kujdes, të drejta për automjet të përshtatur, ndihmë financiare një herë në vit, shtesë për fëmijët, përparësi në punësim, libra falas për fëmijët, mbështetje gjatë shkollimit si dhe përparësi në akomodim në konvikte studentore;
  • Përparësi në zgjidhjen e çështjes së strehimit, dhe mundësi për blerje banese me kushte më të favorshme në lidhje me interesat dhe afatet e shlyerjes;
  • Të drejtë në ndihmë juridike, ndihmë psikosociale, si dhe sigurimin e vendit të varrit, ndër të tjera;
  • Ndihmë financiare një herë në vit në raste sëmundjesh të rënda të vetë luftëtarit ose anëtarëve të ngushtë të familjes, fatkeqësive natyrore, vdekjes së një anëtari;
  • Mosha minimale prej 65 vjetësh për pension mund të ulet në varësi të kohëzgjatjes së pjesëmarrjes së luftëtarit në luftë. Nëse ka marrë pjesë nga 100 ditë deri në pesë muaj, mosha ulet me katër muaj. Nëse ka marrë pjesë më shumë se pesë muaj, mosha ulet me një muaj për çdo muaj të pjesëmarrjes në luftë;
  • Ata që fitojnë pension mbi bazën e përvojës së gjatë të punës, stazhi mund të shtohet për kohën e kaluar në ushtri.

Në pesë qytete të ndryshme gjenden edhe zyret e një qendre për veteranë, ku luftëtarët mund të marrin akomodim deri në 20 ditë, ndihmë psikosociale dhe mbështetje, këshillim, terapi, kurse të ndryshme dhe punëtori.

Shërbimet në këto qendra mund t’i shfrytëzojnë edhe familjarët e luftëtarëve.

Në Bosnje e Hercegovinë, praktika të ndryshme

Edhe 30 vjet pas përfundimit të luftës, të drejtat e atyre që morën pjesë në konfliktet e armatosura në Bosnje e Hercegovinë (BeH) rregullohen përmes dy sistemeve të ndara të entiteteve, pa një kornizë të përbashkët shtetërore.

Gjatë luftës në vitet ’90, në Bosnje dhe Hercegovinë vepruan tre ushtri: Ushtria e Republikës së BeH (Armija RBiH), Këshilli Kroat i Mbrojtjes (HVO), dhe Ushtria e Republikës Serbe (VRS).

Pyetjet e Radios Evropa e Lirë për numrin e përfituesve dhe shumën e kompensimeve në entitetin Federata e Bosnje e Hercegovinës nuk morën përgjigje nga ministria përkatëse.

Në Federatën e BeH, çështja e përfitimeve dhe të drejtave për ushtarët e çmobilizuar të dy ushtrive (Armata e BiH dhe HVO), invalidët e luftës dhe anëtarët e familjeve të tyre rregullohet përmes një ligji të veçantë, ndërsa rregullime shtesë ka edhe në nivel kantoni.

Ligji federal parasheh:

  • kompensime që varen nga mosha dhe kohëzgjatja e pjesëmarrjes në forcat e armatosura;
  • qasje në kujdes shëndetësor;
  • ndihmë për trajtim mjekësor;
  • mundësi për zgjidhje të strehimit;
  • përparësi në punësim.

Fëmijët dhe anëtarët e familjeve të mbrojtësve të luftës përfitojnë në arsimim përmes bursave, shkollimit falas dhe formave të tjera të mbështetjes.

Shuma e kompensimeve përshtatet çdo vit sipas treguesve ekonomikë, me qëllim që të ruhet vlera reale e tyre.

Në entitetin tjetër të Bosnje dhe Hercegovinës, Republikën Sërpska, mbi 178 mijë persona marrin shtesë mujore për veteranët, ndërsa 28 mijë të tjerë përfitojnë pension invalidor personal.

Këto të dhëna i ka bërë të ditura për Radion Evropa e Lirë Ministria e Punës dhe Mbrojtjes së Invalidëve të Luftës e këtij entiteti.

Shumat e këtyre përfitimeve ndryshojnë ndjeshëm.

*Shtesa mujore për veteranët mund të jetë simbolike, nga vetëm disa marka, por, mund të arrijë deri në 189 marka (rreth 97 euro);

*Pensionet invalidore varen nga shkalla e invaliditetit dhe variojnë nga rreth 40 marka (20 euro) deri në mbi 3 mijë marka (mbi 1.500 euro).

Ligji parasheh edhe kujdes shëndetësor për luftëtarët dhe anëtarët e familjeve të tyre, nëse nuk e realizojnë këtë të drejtë përmes ndonjë ligji tjetër. Në këto raste, ministria mbulon shpenzimet për sigurimin shëndetësor dhe për trajtimin mjekësor.

Si është situata në Serbi?

Sa persona ka Serbia që kanë marrë pjesë në luftë dhe tani marrin pension, nuk dihet, sepse numri i veteranëve ushtarakë në Serbi nuk është bërë publik zyrtarisht.

Të drejtat e tyre janë të përcaktuara në bazë të Ligjit për të drejtat e luftëtarëve, invalidëve ushtarakë, invalidëve civilë të luftës dhe anëtarëve të familjeve të tyre.

Statusi i luftëtarit përcaktohet në bazë të territorit dhe kohës së kaluar në ushtri dhe ligji përcakton se luftëtar është edhe personi që ka marrë pjesë vullnetarisht në luftë apo në aksione të armatosura në kohë paqeje, nëse ka qenë pjesë e njësive të përfshira sipas këtij ligji.

Disa nga pjesëmarrësit e forcave të armatosura serbe janë dënuar ose kërkohen në Kosovë për akuza se kishin kryer krime të luftës.

Invalidët e luftës nuk janë të ndarë nëpër kategori të ndryshme, ndërsa luftëtarët ndahen në tri kategori varësisht se sa kanë qenë të përfshirë në luftë:

*Luftëtar i kategorisë I: angazhim mbi 200 ditë dhe marrin 100 për qind të pensionit;

*Kategoria II: angazhim nga 46 deri në 200 ditë dhe marrin 80 për qind të pensionit;

*Kategoria III: angazhim deri në 45 ditë dhe marrin 60 për qind të pensionit.

Në Serbi, ish-luftëtarët kanë të drejtë për përfitime shtesë financiare, varësisht nga statusi i tyre – nëse janë të punësuar, të papunë apo pensionistë – si dhe niveli i të ardhurave që marrin.

Sipas rregullores në fuqi, një invalid lufte mbi moshën 65-vjeçare mund të përfitojë shtesë mujore, e cila llogaritet në bazë të pagës mesatare neto në vend, dy muaj para se të bëhet pagesa. Për muajin korrik, kjo bazë është rreth 920 euro, që i referohet pagës mesatare në muajin maj.

Shuma përfundimtare e shtesës varet nga lartësia e pensionit. Në rastet kur invalidi i luftës është edhe pensionist, ai përfiton diferencën mes pensionit dhe pagës mesatare, me qëllim që të ardhurat e tij mujore të arrijnë nivelin e pagës mesatare në Serbi.

Sa i përket zgjidhjes së çështjes së banimit, ligji përcakton që njësitë e vetëqeverisjes lokale të ndajnë të paktën 10 për qind të banesave të ndërtuara për strehim social për veteranët, si dhe 10 për qind të vlerës së investimeve për forma të tjera të strehimit – si kredi të favorshme, subvencione për blerjen e pronave, rinovim ose ndërtim shtëpish.

E drejta për të blerë banesë me kushte të favorshme mund të realizohet nga luftëtari, anëtarët e familjes së ushtarit të rënë, invalidi i luftës dhe invalidi ushtarak në kohë paqeje, sipas rregullave për ndërtimin e banesave për pjesëtarët e forcave të sigurisë.

Të drejtat sipas këtij ligji përfshijnë edhe pension invalidor personal, pension familjar invalidor, shtesë për kujdes, shtesë për fëmijë, shtesë ortopedike, kujdes shëndetësor, pajisje mjekësore teknike, ndihmë financiare mujore, shtesë për familje, shtesë për luftëtarë, kompensim financiar për blerjen e automjetit, stazh pensional i veçantë, rimbursim për shpenzime udhëtimi, transport falas apo i subvencionuar, të drejtë për kartelë identiteti, përparësi në punësim, ndihmë në rast vdekjeje dhe të drejtë për uniformë.

Komunat, qytetet dhe provincat autonome mund të përcaktojnë edhe të drejta shtesë për veteranët, si për shembull: zbritje për shërbimet komunale, transport falas në qytetin e tyre, parkim falas, libra shkollorë falas për fëmijët, e tjera.

Invalidët ushtarakë dhe civilë të luftës kanë të drejtë në rehabilitim profesional dhe ndihmë financiare, si dhe përparësi në punësim në organet shtetërore, të vetëqeverisjes lokale dhe të provincës, sipas këtij rendi:

  1. fëmija i ushtarit të rënë,
  2. invalidi i luftës,
  3. luftëtari.

Lidhja e Shoqatave të Luftëtarëve të Serbisë (SUBOS) thotë se synimi i saj kryesor është përmirësimi i statusit të luftëtarëve dhe ndihma humanitare për personat në nevojë dhe anëtarët e familjeve të tyre.

“Sa i përket ndihmës psikologjike dhe kujdesit shëndetësor falas për veteranët ushtarakë, në dhjetor të vitit 2023, Ministria e Shëndetësisë, me rekomandimin e Qeverisë së Serbisë, mori vendim që të gjithë veteranët që kanë kartelë të veteranit të kenë të drejtë në kujdes shëndetësor falas”, tha Aco Draça, nënkryetar i SUBOS për Radion Evropa e Lirë.

Kjo organizatë përfshin mbi njëzet shoqata të veteranëve ushtarakë në Serbi, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me këtë temë.

Pasojat e luftërave të viteve të 90-ta në Ballkan

Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (HLC), mbi 10 mijë të vdekur gjatë luftës janë viktima civile. Prej tyre, mbi 1.000 janë fëmijë. Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, janë ende të zhdukur.

Numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet.

Por, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.

Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte.

Gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, mbi 100.000 persona humbën jetën dhe 2.2 milionë u detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre. Tridhjetë vjet pas përfundimit të luftës, në Bosnjë e Hercegovinë ende po kërkohen mbi 7.600 persona.

Sipas të dhënave të Qendrës Kroate Memoriale-Dokumentuese të Luftës së Atdheut, në luftën në Kroaci kanë humbur jetën 22.211 persona.

Organizata joqeveritare kroate Documenta publikoi para 30-vjetorit se ka identifikuar 2.353 viktima gjatë dhe pas operacionit ushtarako-policor “Stuhia” të vitit 1995, shumica prej të cilëve janë persona të nacionalitetit serb, ose ishin civilë./REL

VIDEO/ Zjarr në një apartament në Vlorë, nuk dihen ende shkaqet

By: Rovena
6 August 2025 at 14:38

Një apartament në Vlorë, në zonën pranë rrugës “Transballkanike” është përfshirë nga flakët mesditën e kësaj të mërkure.

Zjarrfikëset dhe policia në vendngjarje për të fikur zjarrin dhe që mos të përhapet në banesa të tjera. Dëme materiale. Kanë nis hetimet për shkaqet e zjarrit në banesë./abcnews.al

OpenAI në bisedime për shitje aksionesh që do ta vlerësonin kompaninë në 500 miliardë dollarë

By: Rovena
6 August 2025 at 14:22

OpenAI, kompania që qëndron pas zhvillimit të ChatGPT, është në bisedime me investitorë për një raund të ri shitjeje aksionesh, që mund ta çojë vlerësimin e saj në 500 miliardë dollarë – duke e bërë kështu grupin privat më të vlefshëm të teknologjisë në botë, përpara SpaceX të Elon Musk, që aktualisht vlerësohet në rreth 400 miliardë dollarë.

Aktualisht, OpenAI është në fazën përmbyllëse të një raundi financimi prej 40 miliardë dollarësh, i udhëhequr nga gjiganti japonez i investimeve SoftBank, i cili e vlerëson kompaninë në 300 miliardë dollarë. Por sipas burimeve pranë kompanisë, OpenAI ka nisur tashmë diskutimet me investitorë si Thrive Capital për një vlerësim të ri, pothuajse dyfish më të lartë.

Ky financim pritet të realizohet përmes një shitjeje të aksioneve dytësore, që do t’u lejonte punonjësve aktualë dhe ish-punonjësve të shesin aksionet e tyre. Vlera përfundimtare në të cilën do të kryhet kjo shitje ende nuk është përcaktuar dhe do të varet nga kërkesa e investitorëve. Megjithatë, sipas një burimi të njohur me çështjen, shitja pritet të jetë dukshëm më e madhe se ajo prej 1.5 miliardë dollarësh e realizuar në fund të vitit të kaluar.

As OpenAI dhe as Thrive Capital nuk kanë pranuar të komentojnë mbi këto zhvillime.

Këto bisedime, të raportuara fillimisht nga Bloomberg, janë një tjetër tregues i interesit të jashtëzakonshëm që po gjeneron inteligjenca artificiale, duke krijuar një mjedis të paparë financimi për kompanitë që ndërtojnë apo përdorin këtë teknologji. Investitorët po nxitojnë të pozicionohen te start-up-et më premtuese, me shpresën se kompania dominuese në këtë fushë do të arrijë vlera prej triliona dollarësh.

Që nga lansimi i ChatGPT në fund të vitit 2022, të ardhurat vjetore të përsëritshme të OpenAI (një tregues i përdorur zakonisht për të matur të ardhurat nga abonimet në start-up-e) janë rritur në 12 miliardë dollarë. Kompania parashikon që kjo shifër të arrijë në mbi 20 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2025, sipas burimeve të njohura me të dhënat financiare të saj.

Konkurrenti më i afërt i OpenAI, kompania Anthropic, ka katërfishuar të ardhurat e saj vjetore të përsëritshme në 4 miliardë dollarë këtë vit dhe është në bisedime për të siguruar të paktën 5 miliardë dollarë në një tjetër raund financimi që do ta vlerësonte atë në 170 miliardë dollarë.

Të dy kompanitë, megjithatë, vazhdojnë të punojnë me humbje, për shkak të kostove shumë të larta që kërkohen për trajnim dhe operim të modeleve më të avancuara të inteligjencës artificiale.

Ndërkohë, kompanitë më të mëdha të teknologjisë kanë fituar qindra miliarda dollarë në kapitalizim tregu në ditët e fundit, pas zotimeve për të investuar më shumë në këtë fushë.

Gara për klientë është e ashpër, ndërsa kompanitë ofrojnë mjete që gjenerojnë tekst, kod apo imazhe nga kërkesat e përdoruesve.

Të martën, Anthropic njoftoi përmirësime të reja në një nga modelet e saj kryesore, që rrisin ndjeshëm performancën në programim, ndërsa OpenAI publikoi modele “open-weight” që janë të aksesueshme falas dhe mund të përshtaten nga zhvilluesit. Gjithashtu, pritet që gjatë këtij muaji OpenAI të lançojë modelin shumë të përfolur GPT-5.

Qeveria dhe shefat e ushtrisë izraelite të ndarë rreth strategjisë së Gazës

By: Rovena
6 August 2025 at 14:06

Në Izrael janë thelluar përplasjet mes qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe komandës ushtarake, ndërsa disa ministra po kërkojnë një ofensivë të re dhe të plotë në Gaza, me qëllim rimarrjen e gjithë territorit. Shefi i shtabit Eyal Zamir shprehet kundër ripushtimit të plotë, duke paralajmëruar rrezik për pengjet, mbingarkesë për trupat dhe pasoja humanitare.

Netanyahu zhvilloi takime urgjente me komandantët ushtarakë përpara një mbledhjeje të rëndësishme të kabinetit të sigurisë. Ndërkohë, negociatat për armëpushim me Hamasin kanë dështuar, dhe opsionet ushtarake po konsiderohen si rrugë për lirimin e pengjeve.

SHBA nuk ka dhënë një qëndrim të prerë për zgjerimin e ofensivës, ndërsa kriza humanitare në Gaza po përkeqësohet. Analistët paralajmërojnë se një ofensivë e plotë do të kërkonte forca shtesë dhe rrezikon të përshkallëzojë konfliktin.

“Nis transformimi i Banjave të Bënjës”, Rama: Përmirësohet infrastruktura turistike

By: Rovena
6 August 2025 at 12:15

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e transformimit të plotë të Banjave të Bënjës, një prej destinacioneve kryesore turistike në zonën e Përmetit dhe Këlcyrës. Përmes një postimi në Facebook, ai ka ndarë pamjet e projektit që po realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me synimin për të përmirësuar shërbimet bazë dhe përvojën turistike në këtë zonë termale.

Rikualifikimi përfshin përmirësimin e infrastrukturës si parkimi, furnizimi me ujë dhe krijimin e ambienteve rekreative, ndërsa po punohet edhe për një model të qëndrueshëm menaxhimi bashkë me institucionet lokale dhe agjencitë përkatëse.

“Transformimi tërësor i Banjave të Bënjës ka nisur, ku me ndërhyrjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit po zbatohet projekti që përmirëson përvojat turistike në Ujërat Termale të Bënjës, një destinacion shumë i frekuentuar i hartës turistike të Përmetit e Këlcyrës, ku është i nevojshëm rikualifikimi për të garantuar disa shërbime bazë si parkimi, furnizimi me ujë, shërbimet, por edhe një ambient më rekreativ, ndërsa me bashkitë, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe me Zyrën e Administrimit të Parkut Kombëtar të Vjosës vijon puna për një model menaxhimi të qëndrueshëm të këtij investimi”, ka shkruar kryeministri Rama.

/tvklan.al 

Richard Grenell zgjedh rivierën shqiptare për të kaluar pushimet: Në Shqipëri me amerikanë

By: Rovena
6 August 2025 at 12:09

Diplomati amerikan Richard Grenell ka zgjedhur bregdetin shqiptar për të pushuar. Në një video të shpërndarë në llogarinë e tij në Instagram shihet teksa lundron në një anije në ujërat e Ksamilit.

“Në Shqipëri me amerikanë”, ka shkruar Grenell.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by richardgrenell (@richardgrenell)

Shqipëria është një perlë e pazbuluar e Mesdheut, ku natyra e paprekur, historiku i pasur dhe mikpritja e ngrohtë krijojnë një destinacion ideal për çdo udhëtar. Rivierë Shqiptare, me plazhet e saj me ujëra kristal të kaltër, bregdetin malor dhe fshatrat piktoreskë, ofron një përvojë unike pushimi, ku relaksi dhe aventura bashkohen në harmoni të përsosur. Nga plazhet e Gjirokastrës dhe Himarës deri te qytetet historike si Saranda dhe Vlorë, kjo zonë është e përkryer për ata që kërkojnë bukuri natyrore, kulturë autentike dhe shije të pasura të kuzhinës lokale. Turizmi në Shqipëri po zhvillohet me ritme të shpejta, duke ofruar mundësi të ndryshme për pushime të paharrueshme gjatë gjithë vitit./abcnews.al

KQZ në Bosnje i heq mandatin Dodik

By: Rovena
6 August 2025 at 11:49

Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnje dhe Hercegovinës gjatë një mbledhjeje të mbajtur në Sarajevë ka miratuar vendimin për t’ia hequr mandatin presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

Heqja e mandatit vjen pasi Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës e ka dënuar me vendim të formës së prerë Dodikun me një vit burg, si dhe me ndalim të ushtrimit të kësaj dhe funksioneve të tjera politike në vend për gjashtë vitet e ardhshme, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje.

Mandati do të hiqet Dodikut pas skadimit të afatit për ankesë.

Ankesë për këtë vendim mund dorëzohet në Departamentin e Apelit të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës brenda dy ditëve nga dita e pranimit të vendimit, përmes Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnje dhe Hercegovinës, në përputhje me Ligjin Zgjedhor të Bosnjës.

Pas kësaj pritet të shpallen zgjedhjet e parakohshme për presidentin e entitetit Republika Sërpska, të cilat duhet të mbahen brenda 90 ditësh.

Zgjedhjet e rregullta të përgjithshme janë planifikuar për tetor të vitit 2026.

Sipas Ligjit Zgjedhor të Bosnje e Hercegovinës, një zyrtari të zgjedhur i përfundon mandati “ditën kur një aktgjykim bëhet në formë të prerë, përmes së cilit është dënuar me burgim prej gjashtë muajsh ose më shumë!.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Bosnjës, Dodik nuk do të ketë të drejtë të garojë për asnjë funksion politik deri në përfundim të ndalesës gjashtëvjeçare.

Më herët, Dodik ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga posti i presidentit të RS-së, pavarësisht vendimit të formës së prerë.

Dodik, si dhe partia e tij, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), e kanë kundërshtuar aktgjykimin dhe kanë ftuar opozitën për të formuar një “qeveri të unitetit kombëtar” në Republikën Sërpska, si dhe për veprim të përbashkët në institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës deri në kthimin e statusit të RS-së në “kornizat e garantuara kushtetuese”.

Mbrojtja e Dodikut ka paralajmëruar apel në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës, me qëllim që të kontestojë aktgjykimin.

Edhe Qeveria e RS-së ka njoftuar se nuk e pranojnë vendimin e shkallës së dytë të gjyqësorit në Bosnje.

Nga ky ekzekutiv e kanë vlerësuar vendimin si “juridikisht të pavlefshëm, jokushtetues dhe të motivuar politikisht”.

Në një sërë përfundimesh të miratuara në një seancë të jashtëzakonshme në Banjallukë, të martën më 5 gusht, ndër të tjera u tha se “Gjykata dhe Prokuroria e Bosnjës janë jokushtetuese dhe kanë zhvilluar një proces të montuar politikisht kundër presidentit”, i cili, sipas tyre, ka vepruar vetëm në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore.

Dodik u shpall fajtor për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjeve që më parë ishin anuluar nga përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.

Përmes atyre ligjeve, organet legjislative në RS ishin përpjekur të pengonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit të Lartë në territorin e këtij entiteti të Bosnjës.

I akuzuari tjetër në këtë rast, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së, Milosh Llukiq, është liruar nga akuzat.

Takim në Kremlin mes përfaqësuesit amerikan Steve Witkoff dhe Vladimir Putinit

By: Rovena
6 August 2025 at 11:29

Një takim mes përfaqësuesit amerikan Steve Witkoff dhe presidentit rus Vladimir Putin po zhvillohet në Kremlin, njoftojnë mediat ruse.

Witkoff mbërriti në Moskë të mërkurën, ndërsa afati i vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump për Rusinë që të pranojë një armëpushim në Ukrainë po afrohet.

Presidenti Trump ka paralajmëruar se Rusia mund të përballet me sanksione të rënda, ose edhe me sanksione dytësore ndaj të gjithë atyre që bëjnë tregti me Moskën, nëse nuk ndërmerr hapa për të ndalur “luftën e tmerrshme” në Ukrainë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Rusia do të bënte vetëm hapa seriozë drejt paqes nëse fillonte të përballej me mungesë të fondeve financiare. Ai përshëndeti kërcënimin për sanksione më të ashpra amerikane dhe taksa ndaj vendeve që blejnë naftë ruse.

Pritshmëritë për një marrëveshje deri të premten mbeten të ulëta, ndërkohë që Rusia ka vijuar sulmet e mëdha ajrore ndaj Ukrainës, pavarësisht kërcënimeve të Trump për sanksione.

Tre raunde bisedimesh mes Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll nuk kanë arritur të afrojë fundin e luftës, më shumë se tre vjet e gjysmë pas fillimit të pushtimit të plotë rus.

Kushtet ushtarake dhe politike të Moskës për paqen vazhdojnë të jenë të papranueshme për Kievin dhe partnerët e tij perëndimorë. Kremlini gjithashtu ka refuzuar vazhdimisht kërkesat e Kievit për një takim mes Zelensky-t dhe Putinit.

Ndërkohë, administrata amerikane miratoi të martën shitjen e 200 milionë dollarëve të tjera në armë për Ukrainën, pas një bisede telefonike mes Zelensky-t dhe Trump, ku diskutuan edhe bashkëpunimin ushtarak dhe prodhimin e dronëve. Ukraina po përdor dronë për të goditur rafineritë dhe objektet energjetike ruse, ndërsa Moska ka përqendruar sulmet ajrore ndaj qyteteve ukrainase.

Administrata Ushtarake e Qytetit të Kievit njoftoi se bilanci i një sulmi të fundit ndaj kryeqytetit u rrit në 32 viktima, pasi një person ndërroi jetë nga plagët e marra. Ky ishte sulmi më vdekjeprurës ndaj Kievit që nga fillimi i pushtimit. Autoritetet ukrainase raportuan të mërkurën se një sulm rus ndaj një kampi pushimi në rajonin qendror të Zaporizhzhias la dy të vdekur dhe 12 të plagosur.

“Nuk ka asnjë arsye ushtarake në këtë sulm. Është vetëm mizori për të frikësuar njerëzit,” tha Zelensky.

Një i vdekur pas shpërthimit të një zjarri në Francë

By: Rovena
6 August 2025 at 11:18

Një grua ka vdekur dhe nëntë të tjerë janë lënduar pas shpërthimit të një zjarri në jug të Francës, thanë zyrtarët lokalë më 6 gusht.

Si pasojë e zjarrit janë djegur 11.000 hektarë tokë. Zjarri, që nisi të martën pasdite, ka shkatërruar apo dëmtuar 25 shtëpi në Aude. Në këtë zonë, 1.500 zjarrfikës janë angazhuar për të shuar flakët. Gruaja që vdiq, ishte në shtëpinë e saj, kur ndërtesa u kaplua nga flakët.

Autoritetet po ashtu njoftuan se shtatë zjarrfikës kanë pësuar lëndime në betejën me zjarrin, dy prej të cilëve janë hospitalizuar. Ndërkaq, një person konsiderohet i zhdukur.

“Zjarri po përparon në një zonë ku të gjitha kushtet janë të favorshme për përhapjen e tij. Po monitorojmë skajet dhe pjesën e pasme të zjarrit për të parandaluar vatra të reja”, tha Lucie Roesch, sekretare e përgjithshme e prefekturës së Audes.

Ajo paralajmëroi se vatra e zjarrit pritet të mos shuhet për disa ditë.

“Është një operacion i gjatë”, tha Roesch.

Viteve të fundit, në këtë pjesë të Francës ka pasur disa vatra zjarri. Shkencëtarët kanë thënë se ndryshimet klimatike, të nxitura nga njeriu, po bëjnë që ngjarje të motit ekstrem të jenë më të shpeshta, më intensive dhe të zgjasin më shumë.

WhatsApp mbyll 6.8 milionë llogari të lidhura me mashtrues, Meta njofton masa të reja mbrojtëse

By: Rovena
6 August 2025 at 10:57

Kompania Meta, pronare e WhatsApp, ka njoftuar se ka mbyllur 6.8 milionë llogari të lidhura me mashtrime në gjysmën e parë të këtij viti. Llogaritë ishin pjesë e rrjeteve të mashtrimit që veprojnë në mbarë botën, shumë prej tyre të lidhura me qendra mashtrimi të drejtuara nga grupe kriminale të organizuara në Azinë Juglindore.

Sipas Metës, këto qendra shpesh përdorin punë të detyruar në aktivitetet e tyre dhe synojnë individë të ndryshëm përmes platformave të komunikimit si WhatsApp.

Njoftimi u bë publik ndërkohë që WhatsApp ka prezantuar masa të reja për të luftuar mashtrimet në platformë. Një nga risitë është paralajmërimi për përdoruesit kur shtohen në një bisedë në grup nga dikush që nuk ndodhet në listën e kontakteve të tyre.

Meta thekson se këto përpjekje janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të luftuar taktikat gjithnjë e më të zakonshme të mashtruesve, të cilët vjedhin llogari të WhatsApp-it ose i shtojnë përdoruesit në grupe ku promovohen skema mashtruese investimi apo oferta të tjera të rreme. Kompania deklaron se ka vepruar në mënyrë parandaluese duke zbuluar dhe mbyllur llogaritë mashtruese para se të aktivizoheshin nga qendrat kriminale.

Në një rast konkret, WhatsApp bashkëpunoi me Meta dhe zhvilluesin e ChatGPT, OpenAI, për të ndërprerë një skemë mashtrimi të lidhur me një grup kriminal në Kamboxhia. Grupi ofronte para në këmbim të “pëlqimeve” në rrjetet sociale për të promovuar një skemë piramidale mashtruese me qira motorësh elektrikë. U zbulua se udhëzimet për viktimat ishin hartuar përmes ChatGPT.

Mashtruesit zakonisht fillojnë kontaktin përmes mesazheve tekst, përpara se të kalojnë komunikimin në rrjete sociale apo aplikacione të mesazheve private. Transaksionet përfundimtare shpesh ndodhin në platforma pagese apo në tregje të kriptomonedhave, sqaroi Meta.

“Ka gjithmonë një kurth që duhet të jetë sinjal paralajmërues për këdo: kërkohet pagesë paraprake për të marrë fitimet e premtuara,” thuhet në deklaratë.

Qendrat e mashtrimit që u shkaktojnë humbje miliarda dollarë viktimave janë të njohura për aktivitetet e tyre në vende si Mianmari, Kamboxhia dhe Tajlanda. Këto qendra gjithashtu rekrutojnë persona që më pas detyrohen të marrin pjesë në skemat mashtruese.

Autoritetet në rajon kanë bërë thirrje për vigjilencë dhe përdorimin e masave mbrojtëse, si aktivizimi i verifikimit me dy hapa në WhatsApp, për të parandaluar vjedhjen e llogarive.

Në Singapor, për shembull, policia ka paralajmëruar qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj çdo kërkese të pazakontë që marrin përmes aplikacioneve të mesazheve.

Rama: Receta mjekësore në format unik zbatohet në të gjithë vendin që nga 1 gushti

By: Rovena
6 August 2025 at 10:35

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social Facebook se prej datës 1 gusht ka hyrë në fuqi receta mjekësore në formatin unik, e cila tashmë po aplikohet në të gjithë territorin e vendit.

Në postim, Rama ka ndarë një video me dëshmi të farmacistëve, të cilët flasin për përfitimet e kësaj risi në sistemin shëndetësor. Sipas Kryeministrit, kjo masë përfaqëson një hap përpara në përmirësimin e shërbimit shëndetësor, duke sjellë, më shumë siguri për pacientët, më pak burokraci për mjekët dhe farmacistët dhe trajtim dhe ndjekje më të saktë për të sëmurët.

“Me zërin e farmacistëve që çdo ditë janë në shërbim të qytetarëve, vjen dëshmia për një tjetër hap përpara në përmirësimin e shërbimit shëndetësor: Që nga 1 gushti, receta mjekësore në formatin unik po zbatohet në të gjithë vendin. Më shumë siguri për pacientët. Më pak burokraci për mjekët dhe farmacistët. Trajtim dhe ndjekje më e saktë”, ka shkruar kryeministri Edi Rama.

/abcnews.al

Norvegjia rishikon investimet në kompanitë izraelite të përfshira në luftën e Gazës

By: Rovena
6 August 2025 at 10:05

Qeveria norvegjeze ka urdhëruar një rishikim të thelluar të portofolit të fondit të saj sovran prej 1.9 trilion dollarësh, për të siguruar që investimet të mos përfshijnë kompani izraelite që kontribuojnë në pushtimin e Bregut Perëndimor apo në konfliktin në Rripin e Gazës.

Ky vendim erdhi pas një raportimi të gazetës norvegjeze Aftenposten, e cila zbuloi se fondi kishte blerë aksione në kompaninë izraelite Bet Shemesh Engines Ltd (BSEL), që ofron shërbime për forcat ajrore izraelite, përfshirë mirëmbajtjen e avionëve luftarakë.

Sipas të dhënave nga Norges Bank Investment Management (NBIM), institucioni që menaxhon fondin, investimi në BSEL ka nisur në vitin 2023 me një aksion prej 1.3%, i cili u rrit në 2.09% deri në fund të vitit 2024, duke arritur një vlerë prej 15.2 milionë dollarësh.

Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre e cilësoi këtë zhvillim si “shqetësues” dhe theksoi nevojën për transparencë dhe qartësi në mënyrën se si fondi investon në kompani të lidhura me konfliktin izraelito-palestinez. “Ajo që lexova më shqetësoi”, deklaroi ai për televizionin publik NRK.

Guvernatori i Bankës Qendrore dhe njëkohësisht ministri i Financave, Jens Stoltenberg, njoftoi se, për shkak të situatës së tensionuar në Gaza dhe Bregun Perëndimor, do të ndërmerret një rishikim i plotë i investimeve të NBIM në kompani izraelite.

Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i NBIM, Nicolai Tangen, sqaroi se kompania BSEL nuk është përfshirë në ndonjë listë ndalimi të rekomanduar, as nga Kombet e Bashkuara, e as nga Këshilli Etik i vetë fondit.

Aktualisht, fondi sovran i Norvegjisë zotëron aksione në 65 kompani izraelite, me një vlerë totale prej 1.95 miliardë dollarësh. Në qershor, Parlamenti norvegjez rrëzoi një propozim për tërheqjen e plotë të fondit nga kompanitë që operojnë në territoret e okupuara palestineze.

Ndërkohë, fondi ka filluar tërheqjen nga disa investime, duke përfshirë shitjen e aksioneve në një kompani energjetike dhe një grup telekomunikacioni izraelit. Këshilli Etik i fondit po shqyrton gjithashtu mundësinë e rekomandimit për tërheqje nga pesë banka izraelite.

Ky zhvillim e vendos Norvegjinë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, si një nga vendet e para që ndërmerr hapa konkretë për të lidhur investimet shtetërore me respektimin e të drejtave ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut./abcnews.al

Armë, pranga si të policisë dhe një maskë në makinë/ Pranga 21-vjeçarit në Kamëz

By: Rovena
6 August 2025 at 09:37

Tiranë/Operacione të njëpasnjëshme, si rezultat i kontrolleve dhe punës informative, kundër armëmbajtjes pa leje.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kryqëzimi”.

Arrestohet te kryqëzimi i Valiasit, një 21-vjeçar që posedonte armë zjarri me municion, armë të ftohtë, pranga si të Policisë dhe 1 kapuç për maskim.

Sekuestrohen sendet e kundërligjshme.

Në vijim të punës intensive, për identifikimin e shtetasve që posedojnë armë dhe cenojnë rendin dhe sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 finalizuan operacionin “Kryqëzimi”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi G. Q., 21 vjeç, banues në Babrru.

Ai u ndalua nga shërbimet e Policisë, teksa lëvizte me një automjet tip “Audi”, te kryqëzimi i Valiasit.

Në vijim të veprimeve procedurale u kryen kontrolle në automjetin dhe në banesën e 21-vjeçarit, ku u gjetën 1 armë zjarri pushkë me municion, 1 armë e ftohtë (thikë), pranga si të Policisë dhe 1 kapuç për maskim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme

❌
❌