Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 July 2025Main stream

“Shqipëria me demokraci të konsoliduar”, Petraj: SHBA e shohin vendin tonë më pranë BE

By: Rovena
18 July 2025 at 23:41

Avokati Edmond Petraj deklaroi në emisionin “Ora e Fundit” në ABC Neës se Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur qëndrimin më të drejtë duke mos ndërhyrë më në çështjet politike shqiptare, ndërsa kritikoi opozitën për mungesën e reflektimit pas zgjedhjeve.

Sipas tij, SHBA e konsideron Shqipërinë një vend të konsoliduar dhe pranë anëtarësimit në BE, pavarësisht problematikave të brendshme.

Ai theksoi se opozita vazhdon të mos i njohë rezultatet zgjedhore dhe se përpjekjet për lobim kundër Shqipërisë janë të papranueshme. Petraj u shpreh se hetimet dhe analizat financiare për kontratat e lobimit do të vijojnë, duke shtuar se opozita duhet të kërkojë përgjegjësinë brenda vetes.

“SHBA ka bërë gjënë më të mirë, pasi nuk duhet të futë më hundët. Nuk duhet të komentojë më zgjedhjet dhe politika shqiptare të mos i ketë më sytë nga Amerika. SHBA-të e shikojnë Shqipërinë si një vend të konsoliduar, megjithëse ne kemi shumë defekte dhe marrëdhënie joserioze me qytetarët. Por, pavarësisht kësaj ata e shikojnë Shqipërinë si një vend që është një hap larg BE-së.

Berisha doli blof që në momentin që u hapën kutitë e votimit me insistimin e tyre. Nuk kishte ndonjë tren të çuditshme sipas asaj që pretendonte opozita. Opozita kurrë nuk i ka pranuar zgjedhjet. Opozita do doja që të ishte më afër problemeve që kanë qytetarët. Sa i takon lobimit. Aty i ka plasur bomba në dorë. Nuk ka gjë më të keqe se sa të paguash para duke paguar kundër Shqipërisë. Unë e shikoj si gjënë më të paarsyeshme, sepse me këto para mund të kishin insistuar për të ringritur PD-në, megjithatë nuk ka shpresë për një ringritje të PD.

Hetim do të bëhet, analizë financiare do të bëhet për të dyja kontratat edhe për lobimin edhe për LaCivita-n. Kontrata 6+ milionë dollarëshe nuk është asgjë tjetër veçse një kontratë lobimi kundër Shqipërisë. Ata duan që të gjejnë përgjegjësinë tek vetja.

Për ndërtimet pa leje në Theth, Berisha gjithmonë flet ashtu siç flet. Mënyra e tij e vetme është konflikti. Nuk është në pozitat që të krijojë forcat e tij nga veriu në jug. Kjo katrahurë ka nisur që në kohën e Berishës, ‘tokë e nxanun’”, tha avokati Edmond Petraj./abcnews.al

Vazhdon zjarri në Drenovë/ Prej një jave zjarrfikësit nuk mund të vënë nën kontroll flakët

By: Rovena
18 July 2025 at 23:19

Vatra e zjarrit në Belishovë të Mallakastres prej thuajse një jave nuk është mundur të vihet nën kontroll. Flakët që nga mesdita e së premtes kanë përfshirë një sipërfaqe të gjerë me shkurre, pisha dhe ullishte duke shkrumbuar dhjetëra hektarë.

Shërbimet zjarrfikëse të ndihmuara edhe nga mjetet e ushtrisë po punojnë në kushte të vështira për shkak të terrenit të thyer kodrinor për të bërë të mundur izolimin e flakëve të cilat të favorizuara nga era janë përhapur në drejtime të ndryshme duke dalë jashtë kontrollit. Ndërkohë vatrat e zjarrit janë ende aktive edhe në kodrat e Gorishovës , por me intensitet të ulët.

Në terren ndodhen 10 mjete zjarrfikëse, 4 të ushtrisë të cilat po punojnë për shuarjen e plotë të flakëve. Sipas statistikave sipërfaqja e djegur dhe e përshkuar në total llogaritet rreth 150 hektarë.

Ndërkohë, situata vijon të jetë e rënduar në fshatin Gorishovë të Cakranit, ku zjarri po përhapet me shpejtësi duke përfshirë dhjetëra hektarë ullishte.

Ekipet zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për izolimin e flakëve, por era dhe thatësira e tokës po e vështirësojnë ndërhyrjen. Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo vatër të re.

Një tjetër vatër zjarri është aktivizuar këtë të premte në një sipërfaqe kodrinore në fshatin Çërraveëtë Pogradecit.

Aktualisht vatra është tepër e gjerë ndërsa po favorizohet edhe nga era. Kodra është kryesisht me bimësi të ulët.  Në vendngjarje ndodhet zjarrfikësja, forcat e pyjores dhe policia për të lokalizuar flakët.

SHBA refuzon paktin e OBSH-së për përgjigje ndaj pandemive

By: Rovena
18 July 2025 at 23:10

Shtetet e Bashkuara e kanë refuzuar një marrëveshje të miratuar nga pjesëtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për t’i avancuar përgatitjet për pandemitë e radhës, pas një përgjigjeje të çrregullt globale për pandeminë koronavirusit, ka bërë të ditur Qeveria amerikane.

Departamenti amerikan i Shtetit dhe Departamenti amerikan i Shëndetësisë kanë thënë përmes një deklarate se e kanë transmetuar edhe zyrtarisht refuzimin amerikan për të zbatuar paktin, i cili është miratuar në muajin maj në Gjenevë, pas tre vjetësh negociata.

Pakti synon të garantojë që ilaçet, terapitë dhe vaksinat të jenë të qasshme në gjithë botën, në rast të ndonjë pandemie tjetër.

Dokumenti u kërkon kompanive prodhuese pjesëmarrëse që të garantojnë se 20 për qind e vaksinave, ilaçeve dhe testeve do të ndahen për OBSH-në gjatë një pandemie, në mënyrë që vendet e varfra të kenë qasje në to.

Negociatorët amerikanë i kanë braktisur këto negociata pasi presidenti amerikan, Donald Trump e ka nisur një proces 12-mujor për largim të SHBA-së nga kjo agjenci, pak pasi e ka nisur mandatin e ri presidencial. SHBA-ja është mbështetësja më e madhe financiare e OBSH-së.

“Terminologjia e përdorur në amendamentet e vitit 2024 është e zbehtë dhe e përgjithshme, duke rrezikuar përgjigjen ndërkombëtare të koordinuar të OBSH-së që fokusohet në çështjet politike sikurse solidariteti, dhe jo në veprime të shpejta dhe efektive”, është thënë në deklaratën e lëshuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020. Më shumë se 7 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili./REL

Yesterday — 18 July 2025Main stream

Shuhet legjenda e muzikës filmike/ Alan Bergman ndërron jetë në moshën 99-vjeçare në Los Angeles

By: Rovena
18 July 2025 at 22:40

Është ndarë nga jeta Alan Bergman, kompozitori fitues i çmimeve Oscar, Grammy dhe Emmy, i cili bashkëpunoi me gruan e tij Marilyn për më shumë se gjashtë dekada dhe krijoi hite si “The Windmills of Your Mind”, “The Way We Were” dhe “In the Heat of the Night”.

Ai ndërroi jetë në moshën 99-vjeçare në shtëpinë e tij në Los Angeles.

Bergmans shkruan qindra këngë, kryesisht për filma dhe seriale televizive, dhe bashkëpunuan me kompozitorë si John Ëilliams, Quincy Jones, Henry Mancini dhe David Shire.

Materialet e tyre përfshinin këngën “In the Heat of the Night” të Ray Charles nga filmi me të njëjtin emër; këngën “The Windmills of Your Mind” të Noel Harrison nga filmi “The Thomas Croën Affair”; dhe këngën “It Might Be You” të Stephen Bishop nga filmi “Tootsie”.

“The Way We Were” ishte kënga më e shitur e vitit 1974 dhe u solli Bergmanëve një nga tre çmimet Oscar, të tjerat erdhën për “Windmills of Your Mind” dhe kolonën zanore të “Yentl”.

Çifti I kompozitorëve fituan gjithashtu dy çmime Grammy, katër çmime Emmy dhe gjatë gjithë jetës u nderuan me shumë ccmime për arritjet e tyre.

Alan Bergman lindi më 11 shtator 1925. Ai studio Universitetin e Karolinës së Veriut në dhe mori një diplomë masteri në muzikë.

Marilyn dhe Alan u martuan në shkurt të vitit 1958 dhe ishin partnerë profesionistë gjatë gjithë karrierës së tyre./abcnews.al

 

Kërkohej që prej një jave nga familjarët/ Gjendet i pajetë trupi i një 72-vjeçari në Fier

By: Rovena
18 July 2025 at 22:24

Është gjetur i dekompozuar trupi i një 72-vjeçari në tokat e fshatit Sektor Seman në Fier. Nga kqyrja paraprake, nuk janë konstatuar shenja dhune.

72-vjeçari që prej datës 12 korrik kërkohej nga familjarët pasi ishte larguar nga banesa.

Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të vdekjes./abcnews.al

Skandal financiar në Spanjë/ Ish-ministri i Financave akuzohet për favore ndaj kompanive të energjisë në këmbim të miliona eurove

By: Rovena
18 July 2025 at 22:00

Partia Popullore (PP), opozita kryesore konservatore në Spanjë, është përfshirë në një skandal mbi akuzat për trafik ndikimi nga ish-ministri i Financave, Cristóbal Montoro, duke e goditur rëndë strategjinë shpesh të drejtuar nga lideri Alberto Feijóo për akuzat ndaj qeverisë socialiste të Pedro Sánchez.

Hetimi gjyqësor nën drejtimin e gjyqtarit Rubén Rus përfshin 28 të pandehur, mes tyre Montoro dhe zyrtarë të lartë të financës. Akuzohet se ata morën të paktën 11 milionë euro nga kompani të mëdha të energjisë përmes firmës ligjore “Equipo Económico” – në këmbim të ndikimit për ndryshime të favorshme në legjislacion dhe politikë fiskale gjatë viteve 2008‑2015.

Sipas raportit të gjyqtarit, ndërmarrja ishte një “mjerrë akses” për në Ministrinë e Financave. Ndërsa kompanitë energjetike u përpoqën të ndikonin në ligje përmes lobimeve, pa sukses, vetëm kur u përfshi “nevoja” Montoro, rezultatet erdhën brenda periudhe të shkurtër, me reduktime taksash pa arsyetim të qartë .

Montoro akuzohet edhe për hyrje të paligjshme në dosjet fiskale të rivalëve politikë brenda vetë PP, përfshirë ish-presidenten e Madridit, Esperanza Aguirre, dhe figura të njohura si Rafael Nadal, Carmen Thyssen dhe Jordi Pujol Ferrusola. Sipas burimeve mediave, Rajoy ishte paralajmëruar për aktivitetet e Montoros por nuk ndërmori veprime.

Montoro dha dorëheqje nga PP të enjten dhe deklaroi se akuzat janë pa prova. Kryetari i partisë, Feijóo, insistoi se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë universale, ndërsa studiuesit politikë deklarojnë se skandali i heq ofertë dorëvistave të opozitës dhe i jep frymëmarrje Sánchez, duke krijuar ndikime të mundshme për partinë e ekstremit të djathtë Vox./abcnews.al

 

“Paketa e Maleve çelësi për zhvillimin rural”, Denaj: Synimi i qeverisë përafrimi i ligjeve sipas standardeve të BE

By: Rovena
18 July 2025 at 21:13

Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, shprehu besim të plotë në suksesin e “Paketës së Maleve”, gjatë një interviste në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC Neës. Sipas saj, kjo paketë nuk ka të bëjë vetëm me lehtësimin e dokumentacionit të pronësisë, por përfaqëson një hap të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të zonave malore përmes nxitjes së 500 bizneseve të para me përjashtim nga taksat për një periudhë 10-vjeçare.

Denaj theksoi se kjo nismë synon të krijojë punësim, të rrisë reputacionin dhe vlerën e zonave të thella. Ajo foli gjithashtu për sfidat që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke vënë në dukje nevojën për përafrimin e legjislacionit dhe përforcimin e kapaciteteve njerëzore në administratë.

Ministrja nënvizoi se mungesa e stafit të specializuar është një nga problemet më të mëdha që kërkon zgjidhje të shpejtë, duke përmendur si zgjidhje përfshirjen e studentëve të vitit të fundit në praktika profesionale me qëllim punësimin e tyre në sektor.

“Jam shumë shpresë plotë tek ‘Paketa e Maleve’. Unë nuk mendoj që paketa e maleve nuk është thjesht që lehtësi për një dokument pronësie, por ai është hapi i parë dhe nëse ai shoqërohet me 500 bizneset e para me 0 taksa në 10 vite dhe këto 500 biznese janë brenda standardeve dhe madhësisë së fermës kaq është Shqipëria dhe kaq janë zonat malore të Shqipërisë për të ngritur edhe vlerë edhe reputacion dhe punësim.

Bujqësia të gjithë sektorët dhe i gjithë mandati i Partisë Socialiste është një mandat drejt integrimit në Bashkimin Europian, dhe një merak është se ai do i arrijmë në kohë ne të gjithë ligjet që kërkohen. Ky është meraku i vetëm. Dhe puna e përditshme që këtu bëhet është se si të përafrojmë ligjet sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe burimet njerëzore janë një element shumë i rëndësishëm unë në këtë ministri kam vlerësuar çdo ditë të punës si një vlerë të shtuar duke mësuar nga agronomë që kanë 40 vite në këtë ministri.

Por, është dhe koha biologjike dhe u ka ardhur koha për të dalë në pension dhe sado që ne duam t’i mbajtën ata duhen zëvendësuar me profesorët më të mirë sot, shpresoj nga fakulteti, por pse jo dhe studentët më të mirë. Nga ana tjetër ne kemi vendosur kuota në ministri të paktën 100-150 duhen ardhur studentet e viteve të fundit për të bërë praktikat dhe më pas për t’u punësuar. Ne vetëm kështu mund ta mbyllin handikapin e burimeve njerëzore që është dhe një andikap natyror”, tha Anila Denaj./abcnews.al

“Toka nuk duhet punuar pa plan”, Denaj: Vaditja, informaliteti dhe infrastruktura, sfidat kryesore të bujqësisë

By: Rovena
18 July 2025 at 20:49

Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, gjatë një interviste në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, theksoi nevojën për një qasje më strategjike në sektorin bujqësor, duke u fokusuar në prodhime që kërkohen nga tregu vendas dhe ai ndërkombëtar.

Ajo u shpreh se është koha që fermerët të mos punojnë tokën pa një plan të qartë tregu, pasi kjo sjell vetëm humbje dhe zhgënjim. Denaj njoftoi gjithashtu se Ministria ka përfshirë këtë çështje në prioritetet afatmesme dhe ka hartuar një plan konkret për zhvillimin e blegtorisë, me fokus te rritja e numrit të bagëtive të imta dhe përmirësimi i infrastrukturës, veçanërisht në sistemin e vaditjes.

Ministrja nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe atij qendror për të përballuar sfidat, si dhe paralajmëroi investime të konsiderueshme në këtë sektor, përfshirë një fond prej rreth 700 milionë euro.

“Ne duhet të punojmë me mend se çfarë të mbjellin, ne nuk mund të punojmë tokën për një produkt që nuk e kërkon tregun. Pra nëse e gjithë puna shkon për një produkt që nuk e kërkon tregu ka frustim, prandaj dhe ne në ministri, unë e kam vendosur në një nga prioritet afatmesme të kërkuara nga kryeministri që ne të mendojmë se si të këshillojmë bizneset e angazhuara në fushën e bujqësisë të mbjellin produkte që edhe tregu i brendshëm, por edhe tregu i jashtëm i kërkon dhe i ka ardhur koha. Në raport me blegtorinë kemi një plan konkret që doli nga tryeza e përbashkët për bagëtitë e imta.

Kemi menduar që të bëjmë një plan të mirëfilltë të rritjes së bagëtive të imta dhe të rritjes së infrastrukturës në mënyrë që të shikojmë jo vetëm atë që i takon pushtetit qendror, por edhe atij vendor. Shpesh ka një ndarje të detyrave mes dy pushteteve. Vendet ku furnizohet me ujë bagëtia janë vende të amortizuara dhe absolutisht sot ka nevojë për ndërhyrje. Pushteti lokal duhet që ta përqendrojë ndërhyrje atje ku duhet, jo atje kur nuk duhet. Vaditja dhe ujitja janë aq shumë të rëndësishme, të cilat edhe për shkak të kushteve klimatike kanë një presion të burimeve ujore.

Pra mund të kesh infrastrukturë, mund edhe të investosh, por nëse të mungon burimi e ke pothuajse të pamundur. Unë aktualisht ndjej presionin e gjithë fushën e Maliqit në raport me vaditjen, ndjej presionin edhe të Myzeqesë, sidomos për zona të caktuara, apo edhe për cilësinë e vaditjes. Ne kemi një shpërndarje jo të njëtrajtshme të ujit, diku me shumicë e diku me pakicë, por kudo ndërhyrjet e infrastrukturës duhet që të bashrendojnë pushtet vendor, pushtet qendror dhe fondet janë të konsiderueshme. Përllogaritet një fond për Ministrinë e Bujqësisë që do të jetë rreth 700 milionë euro, por nga an tjetër kemi dhe mënyra alternative”, tha ministrja Anila Denaj./abcnews.al

Kredi me interesa te ulëta për bujqësinë, Denaj: Fermerët duhet të formalizohen për të përfituar

By: Rovena
18 July 2025 at 20:25

Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, gjatë një interviste në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, ka theksuar rëndësinë e formalizimit të sektorit bujqësor dhe domosdoshmërinë për ta mbështetur atë jo vetëm përmes subvencioneve, por edhe përmes kredive të buta.

Ajo u bëri thirrje fermerëve të kalojnë nga statusi individual në formën e ndërmarrjeve bujqësore, për të përfituar më shumë nga instrumentet financiare dhe për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të zinxhirit prodhim–përpunim–shitje.

Denaj theksoi se formalizimi është kusht për të pasur qasje në kredi bankare dhe vuri në dukje se përqindja e subvencioneve në buxhetin e Ministrisë është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

“Nëse ne nuk mbjellim prodhime siç e kërkojnë standardet e tregut. Ne këtë gjë nuk e bëjmë vetëm me skemën e subvencioneve, ne duhet ta bëjmë edhe me një kredi të butë. Do të flas jo vetëm në pozicionin e ekspertëve, por edhe të bujqërve. Nxitja mes prodhimit përpunimit dhe shitjes në zinxhir, kjo kërkon ndërtimin e shtëpive për të prodhuar, kërkon edhe mjetet që ka nevojë edhe hallka e fundit në zinxhir. Çështja mbetet e hap dot banka derën për sektorin e bujqërisë kur ai është infomral, jo.

Në asnjë rast banka nuk mund të kreditojë pa pasur një formalizmi dhe është e padiskutueshme sot është koha që të gjitha bizneset të heqin dorë nga NIPT-i i fermerit dhe të shkojnë drejt ndërmarrjeve bujqësore edhe me një 1-2 apo 3 hektarë. Por, letrat, dokumentacioni në raport me pjesën fiskale është absolute, kjo është një thirrje për fermerët për të mos u ndjerë të vegjël, por të mëdhenj ashtu siç janë, për punën që ata bëjnë, por ta formalizojnë atë punë. E dyta është mbështetje që ne japim me grantet që ne i quajmë subvencione, por këto janë shumë më të rëndësishme për infrastrukturën derisa të vijë procesi për prodhim.

Ne kemi ofertuar këtë vit, subvencionet e drejtpërdrejta që ulin kostot e prodhimit, ndërkohë që këto subvencionet e investimeve japin mundësinë e zgjerimit, pra janë të dyja të ndryshme dhe të dyja duhet. Politika e Ministrisë së Bujqësisë ndër vite, jo vetëm tani ka qenë që të dyja duhen. Nëse më përpara kjo politikë ka qenë me shifra më të ulëta, nëse në vitin 2013 vetëm 10% e buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë kanë qenë subvencione, sot janë 45%. Kemi një rritje shumë cilësore në një peshë specifike”, tha ministrja Denaj./abcnews.al

Sweida në flakë: Përleshje të përgjakshme midis fiseve beduine dhe pakicës druze, mbi 300 të vrarë

By: Rovena
18 July 2025 at 19:54

Provinca jugore siriane e Sweidës është përfshirë nga një valë e re dhune, ndërsa përleshjet e armatosura midis fiseve beduine dhe grupeve të pakicës druze kanë dalë jashtë kontrollit. Sipas të dhënave të publikuara nga Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut, numri i viktimave ka arritur të paktën 321 persona.

Të plagosurit janë dërguar për trajtim në një spital fushor në fshatin Deraa, ndërsa përplasjet e armatosura vijuan edhe të premten në disa zona të provincës, sipas raportimeve nga banorët vendas.

Në një deklaratë për agjencinë shtetërore siriane të lajmeve, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme deklaroi se forcat qeveritare aktualisht nuk po planifikojnë të rikthehen në Sweida. Kjo deklaratë erdhi si reagim ndaj lajmeve të publikuara nga disa media rajonale, të cilat raportuan se qeveria siriane po përgatitej të ndërhynte sërish në provincë për të shuar dhunën mes grupeve të armatosura druze dhe fiseve beduine.

Trupat e ushtrisë siriane ishin tërhequr nga Sweida pas njoftimit për një armëpushim të arritur të mërkurën. Megjithatë, dhuna shpërtheu sërish mbrëmjen e së enjtes, duke përfshirë grupet e armatosura të dy palëve ndërluftuese.

Në një përpjekje për të rivendosur rendin, qeveria në Damask vendosi sërish forca ushtarake në zonë gjatë kësaj jave. Provinca Sweida ndodhet pranë kufirit me territoret e kontrolluara nga Izraeli, dhe situata është përshkallëzuar edhe më tej pas përfshirjes së Tel Avivit në luftime.

Izraeli, i cili ka shprehur kundërshtinë ndaj vendosjes së forcave të regjimit sirian në jug të vendit, reagoi me sulme ndaj pozicioneve siriane. Të mërkurën, forcat izraelite goditën trupat siriane, duke shënjestruar edhe Ministrinë e Mbrojtjes së Sirisë dhe një zonë pranë pallatit presidencial në Damask./abcnews.al

 

Merz: Europa do të rrisë fondet për mbrojtjen e përbashkët

By: Rovena
18 July 2025 at 18:53

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka pranuar kritikat e shprehura nga presidenti amerikan Donald Trump në lidhje me kontributin e pamjaftueshëm financiar të vendeve evropiane për sigurinë kolektive. Në një intervistë për rrjetin britanik BBC, Merz konfirmoi se pas samitit të mbajtur në Hagen një muaj më parë, vendet partnere kanë rënë dakord për rritjen e angazhimeve buxhetore në fushën e mbrojtjes.

“E dimë që duhet të bëjmë më shumë. Ata po na kërkojnë të bëjmë më shumë dhe ne po e bëjmë këtë. Besoj se tashmë jemi në të njëjtën linjë. Ne nuk jemi mjaftueshëm të fortë, ushtria jonë nuk është mjaftueshëm e fortë, prandaj po shpenzojmë shumë para,” deklaroi ai.

Merz theksoi se marrëdhëniet me presidentin Trump janë të mira dhe bashkëpunimi ndërmjet dy liderëve është i rregullt, sidomos në çështje që lidhen me Ukrainën dhe tregtinë.

“Po përpiqemi të sjellim fundin e kësaj lufte. Po koordinohemi për Ukrainën dhe për tarifat tregtare. Flasim në telefon një herë në javë, po koordinojmë përpjekjet tona. Një çështje është lufta në Ukrainë, dhe e dyta janë debatet dhe tarifat tona tregtare,” shtoi ai.

Që nga marrja e detyrës, Merz është pozicionuar fort kundër Rusisë. Ai ka qenë ndër liderët e parë evropianë që udhëtuan në Kiev me tren, së bashku me përfaqësues të tjerë të BE-së, për të dhënë një mesazh mbështetjeje për Ukrainën në përballjen me agresionin rus.

“Rusia është një kërcënim për paqen dhe rendin politik në Europë, jo vetëm për Ukrainën,” deklaroi kancelari gjerman.

Në sfondin e kësaj situate gjeopolitike, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në negociata për të rivendosur një balancë në marrëdhëniet tregtare. Ndërkohë, administrata Trump ka paralajmëruar se vetëm disa ditë ndajnë Evropën nga zbatimi i tarifave 30% për një sërë mallrash, duke e shtuar urgjencën e këtyre bisedimeve./abcnews.al

Kina akuzon agjencitë e huaja të inteligjencës për përpjekje për vjedhje të mineraleve të rralla

By: Rovena
18 July 2025 at 18:44

Ministria e Sigurisë së Shtetit në Kinë ka ngritur alarmin për përpjekjet e agjencive të huaja të inteligjencës, të cilat, sipas autoriteteve, po bashkëpunojnë me kriminelë vendas për të vjedhur dhe kontrabanduar produkte që lidhen me mineralet e tokave të rralla. Në një postim zyrtar në platformën WeChat, ministria thekson se këto veprime përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.

“Shtete të caktuara, të cilat nuk kanë kapacitete për prodhimin apo përpunimin e metaleve të rralla, janë përpjekur prej kohësh të sigurojnë këto burime strategjike përmes mjeteve dhe kanaleve të ndryshme,” thuhet në deklaratën zyrtare.

Ministria përmend disa metoda të përdorura në këto përpjekje të dyshuara, përfshirë etiketimin e rremë të metaleve për t’i paraqitur si produkte jo kineze, falsifikimin e dokumentacionit, transportimin e ngarkesave të vogla përmes postës ekspres dhe devijimin e rrugëve të transportit. Sipas autoriteteve, ka pasur edhe përpjekje për të fshehur materialet kontrabandë brenda manekinëve plastikë dhe shisheve të ujit.

Ministria konfirmon se janë ndërmarrë masa ligjore për të ndaluar rrjedhën e paligjshme të këtyre produkteve strategjike jashtë vendit.

Mineralet e tokave të rralla kanë një rëndësi të veçantë gjeostrategjike, pasi Kina është prodhuesi kryesor global. Rreth 90% e prodhimit botëror të magnetëve të tokave të rralla të cilët janë thelbësorë për industrinë automobilistike, avionët, semikonduktorët dhe pajisjet ushtarake, vjen nga Kina.

Këto burime kanë qenë në qendër të përplasjes tregtare mes Pekinit dhe Uashingtonit, veçanërisht pas vendosjes së tarifave nga administrata e ish-presidentit Donald Trump. Në prill të këtij viti, Kina rriti kontrollet mbi eksportet si përgjigje ndaj masave amerikane. Megjithatë, pas disa raundeve negociatash në Gjenevë dhe Londër, qeveria kineze ka përshpejtuar procedurat për rishikimin e kërkesave për licencat e eksportit të produkteve që lidhen me tokat e rralla.

Sipas të dhënave doganore, eksportet e këtyre materialeve kanë shënuar një rritje prej 80% krahasuar me nivelet më të ulëta të pesë viteve të fundit, të regjistruara në muajin maj.

Përveç Shteteve të Bashkuara, edhe Bashkimi Evropian është i varur nga furnizimet kineze për këtë kategori produktesh. Kjo çështje pritet të jetë temë qendrore në takimin e nivelit të lartë që do të mbahet më 24 dhe 25 korrik në Pekin, midis përfaqësuesve të Kinës dhe BE-së.

SHBA ndalon diplomatët të komentojnë zgjedhjet jashtë vendit/ Minxhozi: Po riformaton marrëdhëniet me të gjithë botën

By: Rovena
18 July 2025 at 18:36

Analisti politik Skënder Minxhozi deklaroi në një intervistë për emisionin “Tirana Live” në ABC News se diplomacia amerikane ka pësuar një kthesë të dukshme në qasjen e saj ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, përfshirë edhe Shqipërinë. Sipas tij, ky ndryshim lidhet me një zbërthim të asaj që ai e cilëson si “doktrina Trump”, e cila ka lënë gjurmë në qasjen aktuale të SHBA-së.

“Diplomacia amerikane ka marrë një kthesë dhe tregohet pse e ka marrë dhe ku konstatohet ajo. Amerika përqendronte një qëndrim për zgjedhjet, kudo ku ndodhnin, dhe ishte një arbitër për zgjedhjet kudo ku ndodhnin. Sot Amerika ka ndryshuar dhe po zbërthen doktrinën Trump. Diplomacia amerikane ka marrë një kthesë, e cila tani shpjegohet; kemi zbërthimin zyrtar të asaj që ndodhi ose nuk ndodhi më 11 maj. Ne patëm një datë të madhe më 11 maj; amerikanët e rinj nuk kanë folur më as për drejtësinë e re. Shikoj që ka një apati, një tërheqje për të mos futur hundët te punët e të tjerëve. Natyrisht, heqja e fokusit dhe një tërheqje e madhe nga ne nuk është një gjë e mirë. Janë procese të koklavitura, që ecin ngadalë. Në sytë e amerikanëve kjo është diçka e re, sepse Amerika po riformaton marrëdhëniet me të gjithë botën. Administrata e re ka një qasje të re ndaj rolit që ka Amerika në raport me vendet e tjera,” tha analisti.

Duke folur për skenën politike shqiptare, Minxhozi kritikoi opozitën për qëndrime të shkëputura nga realiteti ndërkombëtar. Ai përmendi gjithashtu pritshmëritë e opozitës për një ndryshim qëndrimi nga SHBA ndaj çështjes së “non gratës” së Sali Berishës dhe dosjes “McGonigal”, duke theksuar se këto janë rrëzuar nga raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).

“Opozita vazhdon të jetojë në një univers paralel, nuk sheh se çfarë po ndodh, nuk dëshiron që t’i shikojë gjërat në kontekst dhe të pranojë marrëdhëniet e reja. Kërkon që të sillet si në kohën e Biden, por ne duam kohën e Trump dhe këtu ka një kontradiktë. Pritshmëritë që opozita krijoi për heqjen e ‘non gratës’ së Berishës apo edhe për dosjen ‘McGonigal’, por raporti i fundit i DASH konfirmon krejt të kundërtën e asaj që pretendoi opozita shqiptare,” shtoi Skënder Minxhozi./abcnews.al

 

Donald Trump kërkon rikthimin e sheqerit të kallamit në Coca-Cola/ A është kjo një zgjidhje më e shëndetshme?

By: Rovena
18 July 2025 at 18:05

Donald Trump ka bërë një thirrje publike ndaj kompanisë Coca-Cola për të ndryshuar përbërjen e pijes së saj në tregun amerikan, duke kërkuar largimin e shurupit të misrit dhe rikthimin e formulës origjinale me sheqer kallami. Sipas Trump, kjo përbërje do të ishte më e shëndetshme për konsumatorët. Por a ka vërtet bazë kjo deklaratë?

Gazeta italiane Il Gusto i është drejtuar biologut dhe nutricionistit Domenicantonio Galatà, i cili është edhe president i Shoqatës Italiane të Nutricionistëve në Kuzhinë (AINC), për të sqaruar këtë çështje.

Çfarë është shurupi i misrit dhe si ndikon në përmbajtjen kalorike të produkteve?

Shurupi i misrit është një ëmbëlsues i përbërë nga glukozë, fruktozë dhe ujë, ku zakonisht fruktoza përbën rreth 90%. Ka rreth 4 kalori për gram – pak më pak se sheqeri i zakonshëm, për shkak të përmbajtjes së ujit – por ka një fuqi ëmbëlsuese më të lartë, rreth 1.5 herë më të madhe se sakaroza. Kjo bën që të përdoret në sasi më të vogla. Përveç kësaj, ai ka përparësi teknike në industrinë ushqimore, pasi ndihmon në ruajtjen e lagështisë dhe parandalimin e mykut në produktet e brumit.

Po sheqeri i kallamit? Si ndikon në trupin e njeriut?

Sheqeri i kallamit përbëhet kryesisht nga sakarozë – një përzierje e barabartë e glukozës dhe fruktozës (50-50%). Nga pikëpamja kimike dhe metabolike, është i ngjashëm me sheqerin e bardhë të rafinuar dhe gjithashtu ofron rreth 4 kalori për gram. Ndërkohë, shurupi i misrit përmban më shumë fruktozë, e cila, sipas disa studimeve, lidhet me rritjen e prodhimit të yndyrnave në mëlçi dhe zhvillimin e problemeve metabolike.

A ka arsye për shqetësim për sa i përket shurupit të misrit?

Robert F. Kennedy Jr., në rolin e tij si Sekretar për Shëndetësinë dhe drejtues i fushatës “Make America Healthy Again”, ka ngritur alarmin për efektet e mundshme të shurupit të misrit, veçanërisht te fëmijët, duke e lidhur atë me obezitetin dhe diabetin. Disa kërkime vërtet kanë treguar lidhje mes konsumit të lartë të pijeve me shurup misri dhe rritjes së rrezikut për këto sëmundje. Megjithatë, ekspertët theksojnë se nuk duhet fajësuar vetëm një përbërës, por mënyra e përgjithshme e të ushqyerit dhe stilit të jetesës.

Vlen të përmendet se fruktoza e pranishme në shurup nuk është e njëjtë me atë të frutave, e cila shoqërohet me fibra dhe antioksidantë që neutralizojnë efektet negative. Përkundrazi, fruktoza e përpunuar mund të nxisë inflamacione dhe të kontribuojë në sëmundje kronike dhe plakje të parakohshme.

A është më i shëndetshëm sheqeri i kallamit, siç pretendon Trump?

Nga pikëpamja kalorike, ndryshimi është i vogël. Sheqeri i kallamit ka një raport më të ekuilibruar midis glukozës dhe fruktozës, ndërsa shurupi i misrit është më i pasur në fruktozë, që në sasi të mëdha mund të shkaktojë shqetësime metabolike. Megjithatë, të dy mbeten sheqerna të thjeshtë që duhen konsumuar me masë. Ndërrimi i përbërësve mund të sjellë një përmirësim të lehtë në profilin metabolik të një pijeje, por nuk e bën automatikisht atë të shëndetshme.

Cilat janë alternativat më të shëndetshme për ëmbëlsuesit?

Ekzistojnë opsione të tjera si eritritoli, maltitoli dhe stevia – ëmbëlsues natyralë apo artificialë që konsiderohen të sigurt kur konsumohen në doza të kontrolluara. Sidoqoftë, edhe këta mund të kenë efekte anësore nëse përdoren në tepri. Balanca dhe moderimi janë thelbësore në çdo rast.

Sa është sasia e rekomanduar ditore e sheqerit?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sheqeri nuk duhet të përbëjë më shumë se 10% të kalorive ditore, ndërsa niveli ideal është rreth 5% – që për një të rritur përkthehet në 25 deri 50 gramë në ditë. Për krahasim, një kanaçe e vetme Coca-Cola përmban afërsisht 35-40 gramë sheqer, që është një sasi e konsiderueshme për një konsum të vetëm.

Si mund të vlerësohet nisma e Trump?

Trump duket se po ndjek linjën e fushatës “Make America Healthy Again” për të promovuar një imazh më “patriotik” të Coca-Cola-s dhe për të tërhequr vëmendjen ndaj çështjeve të produkteve të përpunuara. Por më shumë se një përpjekje për edukim ushqimor, kjo duket të jetë një lëvizje me natyrë politike dhe marketingu. Megjithatë, si zakonisht, ai ka arritur të ngjallë debat dhe të tërheqë vëmendjen publike./abcnews.al

Before yesterdayMain stream

NATO: Transferimi i “Patriotëve” në Ukrainë është duke u përgatitur

By: Rovena
17 July 2025 at 14:25

Kryekomandanti i NATO-s, Alexus Grynkewich, ka thënë të enjten se përgatitjet sa i përket transferimit të shpejtë të sistemeve të mbrojtjes ajrore “Patriot” për në Ukrainë janë në zhvillim e sipër, gjersa vendi po përballet me disa prej sulmeve më të rënda të Rusisë që prej fillimit të luftës, ka shkruar Reuters.

“Përgatitjet janë në zhvillim e sipër, ne po punojmë ngushtë me gjermanët për transferimin e ‘Patriotëve’”, ka thënë ai gjatë një konference në qytetin gjerman të Wiesbadenit. “Udhëzimi që më është dhënë ka qenë që të lëvizim sa më shpejtë të jetë e mundur”.

Të hënën, presidenti amerikan, Donald Trump, pati njoftuar se një vend i paidentifikuar ishte gati të siguronte menjëherë 17 sisteme “Patriot” për Ukrainën.

Sipas raportimeve, besohet se Ukraina zotëron të paktën gjashtë “bateri” funksionale të mbrojtjes ajrore “Patriot” – sistem ky i bazuar në kamionë që përfshijnë radarë dhe raketahedhës.

Disa vende evropiane kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të blerë armë amerikane për Ukrainën, në kuadër të planit të parashtruar nga Trumpi.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka njoftuar disa ditë më parë se shtetet si Gjermania, Finlanda, Kanadaja, Norvegjia, Suedia, Britania e Madhe dhe Danimarka do të jenë ndër blerësit kryesorë që do ta furnizojnë Kievin zyrtar.

Javën e kaluar, gazeta britanike “The Guardian” kishte raportuar se Gjermania do të paguante për dy sisteme të mbrojtjes ajrore “Patriot”, teksa Norvegjia vetëm për një.

Burokratët e Washingtonit kanë sugjeruar që vendet evropiane do të japin një pjesë të stokut të tyre aktual të armëve për Ukrainën dhe më pas do të blejnë zëvendësime nga SHBA-ja.

Fillon gjyqi 8 miliardë dollarësh ndaj Mark Zuckerberg dhe drejtuesve të tjerë të Meta-s

By: Rovena
17 July 2025 at 13:56

Një proces gjyqësor me vlerë 8 miliardë dollarë, i ngritur nga aksionarët e Meta Platforms ndaj themeluesit të Facebook-ut, Mark Zuckerberg, dhe drejtuesve të tjerë aktualë dhe të mëparshëm të kompanisë, ka nisur të mërkurën në SHBA. Ata akuzohen se kanë përdorur në mënyrë të paligjshme të dhënat e përdoruesve të Facebook-ut, në shkelje të një marrëveshjeje të vitit 2012 me Komisionin Federal të Tregtisë së SHBA-së (FTC).

Një ndër dëshmitarët e parë në këtë gjyq që po zhvillohet pa trup gjykues (pa juristë), pritet të jetë Jeffrey Zients, shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë nën presidentin Joe Biden dhe anëtar i bordit të Meta-s për dy vjet nga maji 2018.

Pritet që në sallën e gjyqit të dëshmojnë edhe drejtues të tjerë të profilit të lartë, përfshirë Mark Zuckerberg, ish-drejtoreshën operacionale Sheryl Sandberg, sipërmarrësin Marc Andreessen, si dhe ish-anëtarët e bordit Peter Thiel (bashkëthemelues i Palantir Technologies) dhe Reed Hastings (bashkëthemelues i Netflix).

Avokati i të paditurve nuk ka pranuar të komentojë, ndërsa Meta, e cila nuk është palë në këtë çështje, gjithashtu ka refuzuar të japë deklarata. Kompania ka deklaruar më herët në faqen e saj zyrtare se prej vitit 2019 ka investuar miliarda dollarë për të mbrojtur privatësinë e përdoruesve.

Çështja gjyqësore nisi në vitin 2018, pas zbulimeve se kompania tashmë e shuar britanike “Cambridge Analytica”, e cila punoi për fushatën presidenciale të Donald Trump në vitin 2016, kishte aksesuar të dhënat e miliona përdoruesve të Facebook-ut pa leje.

Për këtë shkelje, FTC gjobiti Facebook-un me 5 miliardë dollarë në vitin 2019, duke e akuzuar kompaninë për shkelje të marrëveshjes së vitit 2012 mbi mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve. Aksionarët tani kërkojnë që Zuckerberg dhe drejtuesit e tjerë të kompanisë të rimbursojnë Meta-n për këtë gjobë dhe shpenzimet e tjera ligjore, të cilat vlerësohen në mbi 8 miliardë dollarë.

Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë, të paditurit i kanë cilësuar akuzat si “ekstreme” dhe pretendojnë se prova do të tregojë se Facebook kishte angazhuar një firmë të jashtme për të mbikëqyrur përputhshmërinë me marrëveshjen me FTC-në, dhe se kompania ishte në fakt viktimë e mashtrimit të Cambridge Analytica-s.

Përveç çështjeve të privatësisë, paditësit pretendojnë gjithashtu se Zuckerberg kishte parashikuar se skandali i Cambridge Analytica-s do të çonte në rënie të çmimit të aksioneve të kompanisë, dhe kishte shitur aksione për të përfituar personalisht mbi 1 miliard dollarë.

Avokatët mbrojtës kundërshtojnë këtë akuzë dhe thonë se Zuckerberg nuk ka bërë tregti me informacion të brendshëm, pasi ka përdorur një plan të automatizuar për shitjen e aksioneve, i cili parandalon ndikimin e tij personal mbi vendimet e tregtisë.

Ky gjyq konsiderohet i pari i këtij lloji që shkon në proces të plotë gjyqësor dhe që ngre pretendimin se një bord drejtuesish ka dështuar qëllimisht të mbikëqyrë aktivitetin e kompanisë, një akuzë që në ligjin e korporatave në Delaware konsiderohet ndër më të vështirat për t’u provuar.

Një rast i ngjashëm kundër drejtuesve aktualë dhe të mëparshëm të Boeing përfundoi me një marrëveshje prej 237.5 milionë dollarësh në vitin 2021, pa pranimin e fajit nga ana e tyre.

Gjykatësja Kathaleen McCormick, që po drejton procesin në Gjykatën e Çështjeve të Korporatave në Delaware, pritet të marrë një vendim mbi përgjegjësinë dhe dëmshpërblimin disa muaj pas përfundimit të seancave gjyqësore./abcnews.al

Reshje të dendura në Pakistan, mbi 60 viktima

By: Rovena
17 July 2025 at 13:38

Të paktën 63 persona kanë humbur jetën dhe 290 të tjerë janë plagosur brenda 24 orëve të fundit për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme në provincën Punjab të Pakistanit, që nisën të mërkurën në mëngjes.

Sipas Autoritetit Kombëtar të Menaxhimit të Katastrofave, shumica e viktimave humbën jetën si pasojë e shembjes së ndërtesave, ndërsa të tjerët u mbytën ose u goditën nga rryma elektrike.

Në qytetin Rawalpindi, pranë kryeqytetit Islamabad, autoritetet shpallën ditë pushimi publike të enjten për të mbajtur njerëzit në shtëpi. Banorët që jetojnë pranë lumit që përshkon qytetin janë paralajmëruar të evakuohen për shkak të rritjes së nivelit të ujit.

Këto humbje e çojnë në afro 180 numrin e përgjithshëm të viktimave në gjithë vendin që prej fillimit të sezonit të shirave musonike në fund të qershorit, ku më shumë se gjysma e tyre janë fëmijë. Përmbytjet kanë mbyllur disa autostrada në Punjab dhe kanë shkaktuar anulimin apo vonesën e dhjetëra fluturimeve.

Kryeministrja e provincës Punjab, Maryam Nawaz, deklaroi të enjten gjendjen e jashtëzakonshme në disa zona. “Institucionet shtetërore po punojnë me përkushtim maksimal,” shkroi ajo në rrjetin social X, duke u bërë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e sigurisë.

Në qytetin Chakwal, i cili ka marrë 400 mm reshje brenda 24 orëve, pamjet tregojnë varka shpëtimi që kërkojnë persona të bllokuar nga përmbytjet. Helikopterë ushtarakë janë angazhuar gjithashtu për të ndihmuar në zonat më të goditura.

Autoritetet paralajmërojnë se shirat dhe përmbytjet e befasishme pritet të vijojnë edhe gjatë fundjavës. Mijëra punonjës të shërbimeve të emergjencës janë në gatishmëri në të gjithë provincën.

Me një popullsi prej gati 250 milionë banorësh, Pakistani është një nga vendet më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike. Ai ndikohet nga dy sisteme të mëdha atmosferike – një që sjell temperatura ekstreme dhe thatësira, dhe tjetri që shkakton reshje të dendura musonike.

Në territorin e Pakistanit ndodhen më shumë se 13,000 akullnaja, të cilat po shkrihen me ritme të përshpejtuara. Në vitin 2022, përmbytjet e musonit përmbytën një të tretën e vendit dhe shkaktuan mbi 1,700 viktima, si dhe dëme ekonomike që tejkaluan 30 miliardë dollarë.

Në vitin 2023, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së bëri thirrje për ndihmë ndërkombëtare ndaj Pakistanit, duke theksuar se vendi është “dyfish viktimë” e ndryshimeve klimatike dhe një sistemi financiar global të “moralshëm të falimentuar”./abcnews.al

Zjarri në qendrën tregtare në Irak, shkon në 60 numri i viktimave

By: Rovena
17 July 2025 at 12:34

Të paktën 60 persona kanë humbur jetën nga një zjarr i madh që përfshiu një qendër tregtare pesëkatëshe në qytetin Kut të Irakut, bëjnë me dije zyrtarët lokalë. Zjarri shpërtheu mbrëmjen e së mërkurës në qendrën tregtare “Corniche Hypermarket”, e cila ishte hapur vetëm një javë më parë.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë zjarrfikës duke shpëtuar njerëz nga çatia e ndërtesës, ndërsa mediat shtetërore raportojnë se shumë persona ende rezultojnë të zhdukur. Guvernatori i rajonit, Mohammed al-Miyahi, e cilësoi ngjarjen si një “tragjedi dhe fatkeqësi”, duke paralajmëruar ndjekje penale ndaj pronarit të qendrës tregtare. Në nderim të viktimave, janë shpallur tre ditë zie.

Flakët përfshinë disa kate të qendrës, ndërsa zjarrfikësit luftonin për orë të tëra për shuarjen e tyre. Deri në orën 04:00 të mëngjesit, ambulancat vijonin të transportonin të plagosur drejt spitaleve në qytetin që ndodhet rreth 160 kilometra në juglindje të Bagdadit.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Irakut, nga zjarri kanë humbur jetën 61 persona, shumica prej të cilëve kanë ndërruar jetë nga asfiksia në banjot e qendrës. Deri më tani, janë identifikuar vetëm një pjesë e viktimave, pasi 14 trupa janë gjetur tërësisht të karbonizuar. Ndërkohë, 45 persona janë shpëtuar nga ndërtesa nga ekipet e zjarrfikësve.

“Na ka goditur një katastrofë,” rrëfen për AFP Nasir al-Quraishi, një mjek në të pesëdhjetat, i cili humbi pesë anëtarë të familjes së tij në zjarr. “Shkuam në qendër për të darkuar dhe për t’i shpëtuar ndërprerjeve të energjisë elektrike në shtëpi. Një kondicioner shpërtheu në katin e dytë dhe menjëherë shpërtheu zjarri. Nuk mundëm të iknim.”

Ali Kadhim, 51 vjeç, ka kërkuar të afërmit e tij, kushëririn, bashkëshorten dhe tre fëmijët e tyre – në spitalin kryesor dhe në vendngjarje, por ende nuk ka informacion për fatin e tyre.

Ndërsa Moataz Karim, 45 vjeç, ka identifikuar trupat e dy të afërmve të tij, njëri prej të cilëve kishte nisur punë në qendër vetëm tre ditë më parë. “Këtu nuk kishte asnjë sistem për shuarjen e zjarrit,” tha ai për AFP, ndërsa priste informacione për një të tretë të zhdukur jashtë Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Kryeministri i Irakut, Mohammed Shia al-Sudani, ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe ka urdhëruar nisjen e menjëhershme të hetimeve për shkaqet e zjarrit. Ai ka kërkuar gjithashtu të evidentohen të gjitha mangësitë dhe të ndërmerren masa të rrepta për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla.

Sipas autoriteteve, qendra tregtare përfshinte edhe një restorant dhe ishte hapur vetëm një javë më parë. Ngjarja rikthen në vëmendje shqetësimet për mungesën e standardeve të sigurisë në ndërtesat publike në Irak, një vend që përballet prej dekadash me keqmenaxhim dhe korrupsion.

Kujtojmë se në vitin 2023, mbi 100 persona humbën jetën nga një zjarr në një dasmë në veri të Irakut, ndërsa në vitin 2021, mbi 90 persona vdiqën pas një zjarri në repartin e izolimit për pacientët me Covid në qytetin Nasiriya./abcnews.al

Gjykata e Lartë e Koresë së Jugut shpall pafajësinë e kreut të Samsung në çështjen e mashtrimit

By: Rovena
17 July 2025 at 12:20

Lee Jae-yong, kreu i kompanisë Samsung dhe nipi i themeluesit të saj, është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Lartë e Koresë së Jugut, duke mbyllur kështu një betejë gjyqësore që zgjati vite me radhë për rolin e tij në një marrëveshje bashkimi të vitit 2015.

Lee, i cili drejton në praktikë Samsung-un që nga viti 2014, ishte akuzuar për përdorim të mashtrimeve me aksione dhe kontabilitet për të marrë kontrollin mbi kompaninë.

Në vendimin përfundimtar, Gjykata e Lartë në Seul konfirmoi pafajësinë e tij, duke mbështetur vendimet e mëparshme ku Lee ishte liruar nga të gjitha akuzat.

Kjo çështje tërhoqi vëmendjen e gjerë ndaj gjigantit teknologjik, në një kohë kur Koreja e Jugut po përballet me skandale korrupsioni në konglomeratet e mëdha familjare, të njohura si chaebols.

“Gjykata e Lartë ka konfirmuar qartë përmes vendimit të saj përfundimtar se bashkimi i Samsung C&T dhe trajtimi kontabël i Samsung Biologics ishin ligjorë,” thanë avokatët e Samsung të enjten.

“Ne falënderojmë sinqerisht gjykatën për gjykimin e saj të mençur pas një procesi të gjatë gjyqësor pesëvjeçar.”

Prokurorët kishin akuzuar Lee dhe këshilltarët e tij se kishin fryrë vlerën e kompanisë farmaceutike Samsung Biologics përmes mashtrimeve kontabël.

Ata argumentuan se kjo vlerë më e lartë i lejoi atij të blinte një pjesë më të madhe të një ndërmarrjeje kyçe të Samsung në marrëveshjen e bashkimit në 2015, duke siguruar kështu pasardhësinë e tij.

Prokurorët gjithashtu pretenduan se kjo marrëveshje ishte dizajnuar për të transferuar kontrollin e kompanisë nga babai i Lee, Lee Kun-hee, i cili vuajti nga probleme ligjore dhe ndërroi jetë në vitin 2020 pas një ataku në zemër në 2014.

Lee i ri u arrestua për herë të parë në 2017 për ryshfet ndaj një këshilltari të ish-presidentes Park Geun-hye për të lehtësuar pasardhësinë e tij në Samsung. Gjatë periudhës së vështirë ligjore, ai përfitoi ulje dënimesh, përfshirë një amnisti presidenciale speciale ndërsa ishte në arrest shtëpiak.

Qeveria kishte argumentuar se kreu i kompanisë më të madhe në vend ishte i nevojshëm për të udhëhequr rimëkëmbjen ekonomike të Koresë së Jugut pas pandemisë COVID-19. Në vitin 2024, një gjykatë distrikti e liruar Lee-n nga të gjitha akuzat në lidhje me bashkimin e dy ndërmarrjeve të tij, vlera e së cilës ishte rreth 8 miliardë dollarë (rreth 5.97 miliardë paund).

Lee u lirua përsëri pasi prokurorët apeluan çështjen në Gjykatën e Lartë. Këto procese ligjore gjatë dekadës së fundit i kanë shtuar sfidat Samsung-ut, që po përballet me konkurrencë në rritje.

Samsung Electronics, që ka operacione të mëdha në prodhimin e telefonave inteligjentë dhe çipave kompjuterikë, ka shënuar rënie të shitjeve në vitet e fundit. Gjatë një procesi gjyqësor vitin e kaluar, Lee pranoi se Samsung-u po përballet me sfida të mëdha.

“Realiteti me të cilin përballet Samsung është më i vështirë se kurrë, por unë do ta kaloj dhe do të bëj një hap përpara,” tha ai.

Tarifat e vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump përbëjnë një pengesë të mundshme për Samsung-un, i cili eksporton sasi të mëdha produkte në SHBA.

Vendimi i gjykatës u mirëprit nga komuniteti i biznesit në vend.

Federata e Industrive Koreane deklaroi se ky vendim do t’i lejojë Samsung-ut të marrë vendime më të shpejta në nivelin e lartë të drejtimit, duke ndihmuar kështu ekonominë në përballjen me trazirat tregtare me SHBA-në./abcnews.al

❌
❌