Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur ‘PrizrenFest’ vjen me edicionin e katërt

Edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur PrizrenFest do të mbahet sivjet nga data 21 deri më 28 korrik në Prizren.
Për tetë ditë, njëmbëdhjetë lokacione të shpërndara gjithandej qytetit do të shndërrohen në skena teatrore për të pritur mbi 20 shfaqje e performanca nga Palestina, Franca, Anglia, Italia, Greqia, Turqia, Bullgaria, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Kosova.
Programi i sivjetëm i festivalit përpos që i bën konak botës në Prizren, na fton ta imagjinojmë dhe pranojmë teatrin në të gjitha mënyrat e bërjes së tij, por mbi të gjitha ta njohim e ta ritheksojmë fuqinë e shprehjes teatrore për të krijuar hapësira të përbashkëta për reflektim shoqëror.
Edhe në këtë edicion, nderojmë trashëgiminë kulturore e historike të qytetit tonë, duke e shndërruar atë në një skenë teatri dhe duke e sjellë teatrin e botës në të.
Prej formave më klasike të shprehjes teatrore deri tek ato më alternative e eksperimentale, ky program që ju flet të gjitha grupeve të audiencave, navigon nëpër tema që lidhen me luftën, shërimin, kujtesën, identitetin, rezistencën, heshtjen, shëndetin mendor, ambientin e dhunën shtetërore.
I sjellim këto tema në skenat e sivjetme të PrizrenFestit, jo për të rikonfirmuar atë që tashmë e dijmë për gjendjen në të cilën ndodhet sot bota përreth nesh, por për të treguar se ashtu siç brengat dhe tragjeditë shoqërore nuk njohin kufij, njëlloj nuk njeh kufij as këmbëngulja dhe shpresa jonë për t’u bërë bashkë nëpërmjet teatrit – gjuhës që ne e flasim më së miri. Pra ne, së bashku, nuk i frikësohemi territ që e kemi përreth nesh, por i bëjmë ballë me publikun dhe artistë nga anembanë botës, për të nderuar tregimet që na bëjnë bashkë.
Programi i sivjetëm i PrizrenFest përmban shfaqje për të rritur e për fëmijë si dhe një program edukativ e diskursiv. Gjithashtu, sivjet afrohemi me publikun, jo vetëm nëpërmjet skenave të ngritura nëpër qytet dhe formave tradicionale të tij, por edhe duke e dërguar teatrin tek ata që nuk mund të vijnë në teatër dhe duke e bërë teatrin të qasshëm për të gjithë, nëpërmjet një programi të posaçëm në shtëpinë e të moshuarve, me shfaqjen “La Beauté du Souvenir” nga Franca si dhe nëpërmjet teatrit me gjuhë të shenjave me shfaqjen e programit për fëmijë “Three”.
PrizrenFest 2025 nis më 21 korrik nga ora 21:00 në Teatrin mbi Lumë, me shfaqjen e baletit “Muzg” nën koreografinë e balerinit shqiptar të njohur ndërkombëtarisht Eno Peçi, ndërsa përmbyllet me shfaqjen “Monologët e Gazës” nën regjinë e artistes palestineze Iman Aoun më 28 korrik nga ora 21:00 në Teatrin mbi Lumë.
Përgjatë tetë ditëve të festivalit, në Teatrin “Bekim Fehmiu” të Qytetit të Prizrenit do të jipen shfaqjet “Komedia e zezë” nga Kosova, “5 fytyrat e heshtjes” nga Shqipëria, “Unë jam vet grua” nga Kosova, “Drunks” nga Bullgaria.
Skena e ngritur në oborrin e Kishës së Zojës Ndihmëtare do të bëhet nikoçire e shfaqjeve “Elettra” nga Italia dhe “P’tit Jean Le Géant” nga Franca.
Në Amfiteatrin e Autostradës Bienale do të jipet shfaqja “Oedipus Rex” nga Greqia ndërsa “8%” nga Maqedonia e Veriut jipet në Autostrada Hangar.
Lidhja e Prizrenit do të bëhet skenë për shfaqjen “Oranges and Stones” nga Palestina, e Burgu i qytetit të Prizrenit për shfaqjen “Bëje ose vdis” nga Kosova, ndërsa që në Kejin pranë xhamisë së Sinan Pashës do të zë vend shfaqja “Unboxed – Unpacking Prejudice” nga Anglia.
Ekspozita “Teatri Ilegal” gjithashtu do të jetë e hapur përgjatë gjithë festivalit në hollin e Teatrit “Bekim Fehmiu”. Të gjitha shfaqjet e programit për fëmijë do të jipen në Teatrin mbi Lumë.
Hyrja në të gjitha ngjarjet e edicionit të sivjetëm të PrizrenFest është falas! Ndërsa pas përfundimit të shfaqjeve, për çdo mbrëmje mblidhemi e festojmë bashkë me muzikë të përzgjedhur në pikëtakimin e festivalit në Kejin e Sinan Pashës.
Nga 21 deri më 28 korrik, shihemi në skenat e ngritura teatrore të PrizrenFestit!
Për më shumë detaje në lidhje me programin e sivjetëm, lokacionet dhe oraret, mund të ndiqni faqet në rrjetet sociale në Instagram – PrizrenFest dhe Facebook – PrizrenFest./ KultPlus.com
