Kryeministri Edi Rama dha një mesazh të fortë mbështetjeje për ish krerët e UÇK, në një linjë me protestën që u mbajt në Prishtinë nga mijëra qytetarë dhe veteranë të luftës.
Kreu i qeverisë ngriti pyetjen e madhe se pse Kuvendi i Kosovës nuk është bërë bashkë pa dallim bindjesh politike, për të votuar një rezolutë ku rreshtohen shkeljet e normave më elementare demokratike për një proces ligjor të rregullt në Gjykatën Speciale në Hagë.
“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, në të cilën të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?!”
Më tej kryeministri shpreh gatishmërinë e Kuvendit të Shqipërisë për të votuar të njëjtin tekst, menjëherë sapo ai të kalojë në Kuvendin e Kosovës.
Kështu sipas Ramës, zëri i çdo shqiptari do të përcillej në çdo shtet demokratik që sponsorizon Tribunalin e Hagës, për të mos toleruar asnjë shkelje të një procesi të rregullt ligjor.
“Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cënim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet
Po, Liria ka emër dhe nuk është fajtore.”
Kryeministri Edi Rama ka shprehur vazhdimisht mbështetjen për ish krerët e UÇK që mbahen në Hagë në pritje të gjykimit. Ai madje ka takuar edhe ish Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në paraburgim. / abcnews.al /