Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 8 August 2025Main stream

Transformator i ri në Fushë-Kuqe, OSHEE: Funksionim normal i pompave të ujësjellësit të Durrësit

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Një tjetër ndërhyrje e suksesshme u realizua nga ekipet e  Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), të cilët përfunduan me efikasitet punimet për zgjidhjen e avarisë në nënstacionin e Fushë-Kuqes.

OSHEE njofton se, në përputhje me planin teknik, u krye zëvendësimi i transformatorit të traktit të linjës 35 kV, që shkon në drejtim të Rrilës (Lezhë), duke mundësuar rikthimin e energjisë elektrike brenda një kohe të shkurtër.

Ky nënstacion ka rëndësi strategjike, pasi siguron edhe funksionimin normal të stacionit të pompave për furnizimin me ujë të pijshëm për qytetin e Durrësit, një hallkë kyçe në garantimin e shërbimeve bazë për qytetarët.

OSHEE bën të ditur se ekipet e specialistëve, janë në gatishmëri për të ndërhyrë në kohë me riparime, në çdo rast që paraqitet avari në rrjetin energjetik të vendit.

1 nga 3

/r.e/

The post Transformator i ri në Fushë-Kuqe, OSHEE: Funksionim normal i pompave të ujësjellësit të Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema e Investimeve, 50% grant për ndërtimin e stabilimenteve të rritjes së shpendëve

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Fermerët që mbarështojnë kafshë dhe shpendë kanë tashmë një mundësi shumë të mirë për të përmirësuar infrastrukturën e fermave të tyre, përmes Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, e cila ofron deri në 50% grant për ndërtimin e ambienteve të reja.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha se, skema synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor dhe blegtoral, duke garantuar kushte më të mira për mirëqenien e kafshëve dhe sigurinë ushqimore.

Kriteret minimale për përfitimin e financimit, janë për ndërtimin e fermave me: Jo më pak se 10 lopë; jo më pak se 100 krerë të imta (dele/dhi); jo më pak se 10 dosa dhe jo më pak se 10 000 shpendë.

Mbështetja financiare për subjektet përfituese përfshin: 50% të vlerës totale të faturave tatimore që shkon deri në 15 milionë lekë për subjekt.

Fermerët kanë gjithashtu mundësinë të kombinojnë këtë mbështetje me Kredinë e Butë, që ofrohet me interes fiks vetëm 2% dhe Garanci sovrane që mbulon 70% të kolateralit.

“Kjo formulë e re e financimit krijon mundësi reale për të mbuluar 100% të investimit, duke i dhënë hov zhvillimit rural dhe shtimit të prodhimit vendas”, theksoi Denaj.

Afati për aplikim është deri më 30 shtator 2025, pranë zyrave të AZHBR (Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural), dhe përfshin 9 masa mbështetëse në total për sektorin bujqësor.

Ministrja Denaj e cilësoi Skemën Kombëtare të Investimeve 2025, një hap më pranë bujqësisë moderne dhe të qëndrueshme.

/r.e/

The post Skema e Investimeve, 50% grant për ndërtimin e stabilimenteve të rritjes së shpendëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ISSH: Aplikim në e-Albania për tërheqjen e pensionit në bankë

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) fton përfituesit që të kalojnë marrjen e pensionit nga sportelet tradicionale postare drejt sistemit bankar.

ISSH njofton se kjo iniciativë synon të shmangë radhët e gjata në postë dhe të ofrojë një zgjidhje më të shpejtë, të sigurt dhe të lehtësuese për qytetarët, sidomos për moshën e tretë.

Për ta realizuar këtë kalim, qytetarët duhet të hapin një llogari në një nga bankat e nivelit të dytë me të cilat ISSH ka marrëveshje bashkëpunimi.

Llogaria duhet të jetë specifike për pagesën e pensionit. Pasi të jetë hapur llogaria, përfituesit duhet të plotësojnë një kërkesë online përmes portalit e-Albania, duke zgjedhur shërbimin “Kërkesë për transferim dosjeje përfitimi”.

Gjithsej janë 10 banka që Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nënshkruar marrëveshje për pagesën e pensioneve në Shqipëri.

Ky proces jo vetëm që e modernizon sistemin e shpërndarjes së pensioneve, por edhe rrit sigurinë dhe lehtëson jetën e qytetarëve në një epokë kur teknologjia po bëhet pjesë e pandashme e përditshmërisë. Përfituesit e pensionit tashmë mund ta marrin pagesën e tyre në kohë, pa radhë dhe pa stres, thjesht, nëpërmjet bankës.

Ligji për llogaritë bazike, që ka si synim rritjen e depërtimit të shërbimeve bankare e financiare në popullatë dhe që parashikon përfitime për kategoritë në nevojë, ka nisur nga zbatimi në muajin prill 2024.

Sipas këtij ligji, kategoritë të caktuara përfitojnë shërbime me tarifa të reduktuara ose me tarifë zero si dhe opsionin e transferimit të llogarisë, nga llogari normale në atë bankare bazike.

Ndërkohë më tarifë zero janë edhe shërbimet si hapja dhe mbyllja e llogarive bankare, tërheqjet në ATM, debitimet direkte, transaksionet e pagesave përmes një karte, përfshirë pagesat on-line, transfertat e kreditit, përfshirë pagesat periodike, aty ku është e zbatueshme, në terminale dhe në sportelet e bankës dhe nëpërmjet platformave on-line.

Referuar të dhënave të vitit të kaluar, ishin rreth 74 mijë pensionistë, të cilët merrnin pensionin përmes bankave dhe rreth 666 mijë të tjerë në postë.

1 nga 2

The post ISSH: Aplikim në e-Albania për tërheqjen e pensionit në bankë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj fton të rinjtë të aplikojnë për të studiuar në shkollën profesionale bujqësore “Ndre Mjeda”

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ftoi sot të rinjtë që të aplikojnë për të studiuar në shkollën profesionale “Ndre Mjeda” në Bushat, të Shodrës.

Denaj tha se me drejtimet në bujqësi, veterinari dhe teknologji ushqimore, kjo shkollë u mundëson të rinjve të thellojnë njohuritë e tyre në këto sektorë, të cilët janë motori kryesor i zhvillimit për “Shqipëria 2030”.

“Aplikimet kryen në e-Albania në shërbimin “Regjistrohu në klasën e dhjetë”, deri më 30 shtator”, njoftoi ministrja.

Shkolla e mesme profesionale “Ndre Mjeda” në Bushat, është një nga 5 shkollat profesionale me profil bujqësor në shkallë vendi.

/r.e/

The post Denaj fton të rinjtë të aplikojnë për të studiuar në shkollën profesionale bujqësore “Ndre Mjeda” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Murtaja në derra dhe sëmundja e shpendëve, MBZHR ndalon importin nga disa shtete

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka ndaluar importin e shpendëve të prekur nga sëmundja e pseudopestit nga shtetet si Bullgaria e Polonia, si dhe të derrave të butë e të egër të prekur nga murtaja afrikane në vendet si Estonia, Letonia, Kroacia, Polonia, Estonia, Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Moldavia.

Në vendimin e publikuar në fletoren zyrtare, nënvizohet se ndalohet importi i shpendëve të gjallë shtëpiakë, zogjve, mishit të freskët, materialit biologjik të shpendëve të pashoqëruar me test PCR të kryer në 14 ditët e fundit.

MBZHR njofton se importet nga shtetet e Bullgarisë, Polonisë dhe Spanjës lejohen, nga zona dhe stabilimente të cilat nuk kanë pasur njoftim të sëmundjes së pseudopestit të shpendëve për 12 muajt e fundit.

Po ashtu, me vendim të ministres Anila Denaj, është ndaluar importi i kafshëve të gjalla të llojit derra të butë dhe të egër, mishi i freskët  dhe  produktet e tij, materiali  biologjik dhe embrionet e  kafshëve  të gjalla të llojit derra, duke përjashtuar mishin në një kontenier të vulosur hermetikisht, xhelatinën, ushqimin e thatë të kafshëve shtëpiake dhe vakteve proteinike.

Ndërkaq, Ministria ka ndaluar importet nga Italia, Serbia, Greqia, Kosova dhe Kroacia të bagëtive të gjalla të imëta dhe thundrake, të llojit ruminantë dhe kamelidë, të prekura nga sëmundja e gjuhës blu.

/a.f/

The post Murtaja në derra dhe sëmundja e shpendëve, MBZHR ndalon importin nga disa shtete appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TIA rekord historik me 298 fluturime dhe mbi 50 mijë pasagjerë në një ditë

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Transporti ajror në Shqipëri po njeh një rritje të qëndrueshme, si në frekuencën e fluturimeve ashtu edhe në numrin e pasagjerëve, duke reflektuar zhvillimin ekonomik dhe rritjen e kërkesës për lëvizshmëri ndërkombëtare.

Tirana International Airport (TIA), njoftoi sot për një tjetër momenti historik, ku regjistroi ditën me trafikun më të lartë ndonjëherë, me 298 fluturime në një ditë dhe
50,892 pasagjerë që kaluan nëpër terminal.

Ky rekord përfaqëson një sukses të rëndësishëm për aeroportin dhe një tregues i qartë i rritjes së kapacitetit dhe efikasitetit të infrastrukturës ajrore në vend.

“Misioni ynë mbetet i pandryshuar: Të lidhim Shqipërinë me botën,” thuhet në deklaratën e TIA, që shpreh mirënjohje për ekipin profesionist dhe pasagjerët që zgjedhin përditë këtë portë ajrore si pikën e nisjes apo mbërritjes së tyre.

Rritja e vazhdueshme e trafikut ajror në Shqipëri po shoqërohet me zgjerim të destinacioneve, përmirësim të shërbimeve dhe investime në infrastrukturë, duke e kthyer TIA në një nyje të rëndësishme lidhjeje për rajonin dhe më gjerë.

Transporti ajror në Shqipëri po përjeton një rritje të qëndrueshme, si në numrin e fluturimeve, ashtu edhe të pasagjerëve, ndërkohë që vijimi i investime në TIA po rrisin cilësinë e shërbimit për udhëtarët dhe fluksin e fluturimeve.

/e.xh/a.f/

The post TIA rekord historik me 298 fluturime dhe mbi 50 mijë pasagjerë në një ditë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fermerët përfitojnë nga Shkollat Fushore të FAO-s për prodhimin në serra

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Me një angazhim të qartë për zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme dhe mbështetjen e fermerëve të vegjël, Organizata Botërore e Bujqësisë (FAO) nisi prej 1 korrikut një cikël të ri të Shkollave Fushore për Fermerët (FFS – Farmer Field School) në Lushnje.

Kjo nismë është pjesë e projektit “Biznesi, Partneritetet dhe Zgjidhjet për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm” (B4SDG II), i cili zbatohet me mbështetjen e Qeverisë së Suedisë.

Trajnimi i parë, i zhvilluar në fshatin Kurtinë, mblodhi së bashku kultivues të perimeve në serra, agronomë dhe profesionistë të biznesit bujqësor vendor, me qëllim zgjerimin e njohurive dhe aftësive praktike për përgatitjen e serrave dhe të tokës për transplantim. Ky trajnim shënoi fillimin e një cikli dinamik gjashtëmujor trajnimesh që do të zhvillohet nga korriku deri në dhjetor 2025.

“Kjo nismë pasqyron angazhimin e vazhdueshëm të FAO për të punuar krah për krah me fermerët dhe institucionet vendore për të forcuar sistemet ushqimore të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri,” u shpreh Lorena Pullumbi, Asistente Përfaqësuese e FAO-s në Shqipëri.

Të organizuara në bashkëpunim të ngushtë me Bashkinë e Lushnjës, këto trajnime nisën me një seancë ndërvepruese të fokusuar në pjellorinë e tokës, teknikat e përgatitjes së saj dhe praktikat e transplantimit, të gjitha të përshtatura me kontekstin vendor të bujqësisë së vogël në serra. Pjesëmarrësit përfituan gjithashtu edhe përvojë praktike në marrjen e mostrave të tokës dhe analizën e tyre, formimin e shtretërve të ngritur dhe teknikat të tjera.

“Qëllimi ynë është të mbështesim fermerët shqiptarë në adoptimin e praktikave të mira bujqësore, përmirësimin e produktivitetit dhe uljen e kostove, duke ndërtuar njëkohësisht qëndrueshmëri ndaj sfidave klimatike,” tha Sara Businaro, Koordinatore e Projektit të FAO dhe Specialiste e Bujqësisë së Qëndrueshme. “Përmes këtyre shkollave në fushë, po ofrojmë dije praktike, të përshtatura me kushtet vendore, në mënyrë që fermerët të mund t’i zbatojnë menjëherë në serrat e tyre”, u shpreh ajo.

Fermerët e vlerësuan këtë risi në mbështetje të tyre për përfitimin e eksperiencave më të mira në fushën e bujqësisë.

Illir Dingozi, fermer serrash nga fshati Kurtinë, tha se, “Prej më shumë se një dekade kultivoj domate në serrën time, por është hera e parë që marr udhëzime kaq të qarta për përmirësimin e shëndetit të tokës. Është motivuese të mësoj dhe të zbatoj këto praktika së bashku me të tjerë nga komuniteti im”.

Në muajt në vijim, do të zhvillohen 14 sesione trajnimi një-ditore në dy ferma demonstrimi në Kurtinë/Hysgjokaj dhe Karbunarë, duke synuar sistemet e thjeshta, ashtu edhe ato të përmirësuara të serrave.

Të udhëhequra nga trajnerë me përvojë, temat e trajnimit do të përfshijnë: Menaxhimin e mikroklimës; Kontrollin e dëmtuesve dhe sëmundjeve (praktikat GAP); Ujitjen efikase dhe cilësinë e ujit; Ushqimin e bimëve dhe fertigimin (fertilizimin dhe ujitjen);Përzgjedhjen e fidaneve cilësore dhe shartimin;Modelet e agrobiznesit dhe mundësitë e financimit

Çdo seancë përmbyllet me një rreth reflektimi midis fermerëve, një hapësirë për dialog, mësim nga kolegët dhe shkëmbim përvojash, që zhvillohet në mjediset vendore përreth.

“Këto trajnime jo vetëm që forcojnë aftësitë teknike, por ndihmojnë gjithashtu edhe në krijimin e lidhjeve më të forta mes institucioneve dhe komunitetit të fermerëve. Është një hap i madh përpara për të ardhmen bujqësore të Lushnjës,” u shpreh Agim Qose, Drejtor i Drejtorisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Bashkia Lushnje.

Deri në fund të vitit 2025, pritet që këto trajnime të arrijnë një numër të madh fermerësh serrash nga rajoni i Lushnjës, duke i pajisur ata me mjete praktike dhe njohuri për të rritur rendimentin, përmirësuar cilësinë dhe reduktuar ndikimet mjedisore. Përvoja gjithashtu do të shërbejë si një trampolinë për zgjerimin e këtij modeli trajnimi në zinxhirë të tjerë vlere, me një fokus të veçantë në prodhimin e ullinjve dhe vajit të ullirit në vitin 2026.

Nisma B4SDG II në Shqipëri është pjesë integrale e përpjekjeve të FAO për të mbështetur transformimin rural gjithëpërfshirës dhe bujqësinë e qëndrueshme ndaj klimës, duke kontribuar në realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) përmes mësimdhënies dhe inovacionit të udhëhequr nga vetë fermerët.

/e,xh//a.f/

The post Fermerët përfitojnë nga Shkollat Fushore të FAO-s për prodhimin në serra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema Investimeve, grant 50% për sistemet moderne të ujitjes me pika në vreshta e pemëtore

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, njoftoi se një nga masat kryesore të Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, është mbështetja e fermerëve për instalimin e sistemit të ujitjes me pika, në vreshta dhe pemëtore.

Sipas saj, ky është një investim i rëndësishëm për rritjen e qëndrueshmërisë së prodhimit bujqësor dhe uljen e kostove operative.

“Në kuadër të kësaj mase fermerët përfitojnë një grant prej 50% të vlerës totale të faturave tatimore të investimit; mbështetja financiare nuk do të jetë më shumë se 250,000 lekë për hektar dhe masa zbatohet për sipërfaqe nga 1 ha deri në 10 ha, në pemëtore, agrume, ullishte dhe vreshta ekzistuese”, tha Denaj.

Ajo bëri të ditur se, përveç grantit, fermerët kanë në dispozicion një Kredi të Butë me interes vetëm 2%, si dhe garanci sovrane deri në 70% të kolateralit, duke mundësuar kështu financim të plotë për investimin, pa vështirësi në sigurimin e garancive financiare.

Afati për aplikim pranë zyrave të AZHBR-së është deri më 30 shtator 2025, në kuadër të një pakete prej 9 masash mbështetëse që synojnë modernizimin e bujqësisë dhe përmirësimin e zinxhirit të vlerës bujqësore në Shqipëri.

/e.xh/a.f/

The post Skema Investimeve, grant 50% për sistemet moderne të ujitjes me pika në vreshta e pemëtore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BSH rrit rezervën valutore në 6,7 miliard euro në fund të qershorit

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Banka e Shqipërisë ka vijuar të rrisë rezervën valutore edhe  gjatë gjysmës së parë të vitit 2025.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit, rezerva valutore e vendit u rrit në vlerën e 6,7 miliardë eurove, ose 7,4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.

Rezerva valutore e vendit administrohet nga Banka e Shqipërisë dhe në pjesën më të madhe mbahet në tituj borxhi dhe në depozita.

Në fund të 6-mujorit të parë të vitit, titujt e borxhit përbënin afërsisht 73% të mjeteve të rezervës, ndërsa depozitat në cash përbënin 18% të saj. Pjesa e mbetur e rezervës është e investuar në ar dhe në të drejta tërheqjeje (SDR) pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Rezerva valutore është instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditje të mundshme, të lidhura si me deficitin e llogarisë korrente, ashtu edhe me nivelin e lartë të Euroizimit të sektorit financiar në vend. Gjithashtu, rezerva valutore mund të shërbejë si instrument për të mbështetur me likuiditet në valutë sektorin financiar apo për të stabilizuar goditje në kursin e këmbimit valutor.

Për vitin 2025, BSH parashikon të blej në tregun e brendshëm valutor përmes ankandeve në total 270-350 milionë euro.

/e.xh//a.f/

The post BSH rrit rezervën valutore në 6,7 miliard euro në fund të qershorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkolla profesionale “Mihal Shahini” në Cërrik, formim të plotë në bujqësi dhe mundësi reale punësimi

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ftoi sot të rinjtë që të aplikojnë për të studiuar në shkollën profesionale “Mihal Shahini”, Cërrik, që ofron njohuri në sektorët e bujqësisë.

Denaj në një postim në rrjetet sociale, njoftoi se regjistrimet në shkollat profesionale vazhdojnë deri më 30 shtator dhe të interesuarit duhet të aplikojnë në e-albania në shërbimin “Regjistrohu në klasën e dhjetë”.

“Nëse je ende në kërkim të rrugës së duhur drejt së ardhmes, zgjidh Shkollën Profesionale “Mihal Shahini”, Cërrik, e cila ofron mundësinë për të ndërtuar një karrierë të sigurt në sektorin bujqësor, përmes një formimi me perspektivë që të përgatit për tregun e punës”, u drejtohet Denaj të rinjve.

Sipas saj, drejtimet e studimit profesional në shkollën “Mihal Shahini”, Cërrik, përfshijnë bujqësi, në profilet: Agroturizëm; Prodhim bimor; Frutikulturë; Ferma bujqësore & blegtorale; Kopshtari; Mbarështim i shpendëve; Akuakulturë; Teknologji Bujqësore; Veterinari dhe Teknologji Ushqimore.

Denaj thekson se “me laboratorë bashkëkohorë, fermë në funksion dhe mësim praktik, Shkolla Profesionale “Mihal Shahini” ofron një formim të plotë dhe cilësor, duke krijuar mundësi reale punësimi si gjatë periudhës së shkollimit ashtu edhe pas përfundimit të tij”.

1 nga 5

/e.xh//a.f/

 

The post Shkolla profesionale “Mihal Shahini” në Cërrik, formim të plotë në bujqësi dhe mundësi reale punësimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Guvernatori Sejko: Inflacioni në objektivin 3% deri në mesin e 2026-s

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Inflacioni i çmimeve të konsumit në Shqipëri ka shënuar një rritje të lehtë dhe të pritshme gjatë tremujorit të dytë të vitit, duke arritur në 2,3%, nga 2,1% në tremujorin e parë. Megjithatë, inflacioni vijon të mbetet nën objektivin prej 3%, deklaroi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Në konferencën për mediet sot, Sejko tha se rritja e inflacionit u ndikua kryesisht nga: çmimet e ushqimeve dhe rritja e qirave, ndërsa pjesa tjetër e artikujve të shportës së konsumit ka pasur ecuri të qëndrueshme.

Guvernatori bëri të ditur se, inflacioni bazë u rrit nga 2,4% në 2,6%, për shkak të rritjes së pagave dhe qëndrueshmërisë së kursit të këmbimit.

“Këto tendenca janë në përputhje me pritjet tona, edhe pse inflacioni ka rezultuar pak më i ulët se parashikimet fillestare”, tha Sejko, duke shtuar se ky rezultat lidhet me uljen e marzheve të fitimit të bizneseve, ofertën pozitive në treg, dhe rënien më të shpejtë të inflacionit në Eurozonë.

Banka e Shqipërisë parashikon rikthim në objektivin 3% të inflacionit në 2026-n.

“Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, inflacioni do të rikthehet në objektivin 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Kjo ecuri do të mbështetet nga: Balancimi më i mirë mes kërkesës dhe ofertës për mallra dhe shërbime, stabilizimi i inflacionit në tregjet ndërkombëtare, kurs më i qëndrueshëm i këmbimit dhe pritje më të qarta dhe të ankoruara për inflacionin në vend”, deklaroi Sejko.

/r.e/

The post Guvernatori Sejko: Inflacioni në objektivin 3% deri në mesin e 2026-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sejko: Ekonomia po rritet me ritme të qëndrueshme, turizmi dhe investimet, motorë të zhvillimit

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi sot se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme pozitive gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, mbështetur nga turizmi, investimet dhe eksportet.

Guvernatori Sejko, në konferencën për mediet sot, pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës, bëri të ditur se, “sipas të dhënave nga INSTAT, aktiviteti ekonomik është zgjeruar me 3,4% në tremujorin e parë, ndërsa informacionet indirekte sugjerojnë ritme të ngjashme rritjeje edhe për tremujorin e dytë”.

“Rritja është mbështetur nga zgjerimi i turizmit, konsumit, investimeve dhe eksporteve, duke nxitur zhvillimin e sektorëve të ndërtimit dhe shërbimeve”, u shpreh Sejko, teksa evidentoi se, ndërkohë, sektorët e bujqësisë dhe industrisë kanë shënuar rënie gjatë tremujorit të parë, duke reflektuar ndikimin e faktorëve sezonalë dhe strukturorë.

Guvernatori vuri në dukje se politika monetare, është një faktor kyç në ruajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit.

Ai theksoi se politika monetare e kujdesshme dhe e qëndrueshme e Bankës së Shqipërisë ka luajtur një rol kyç në përmirësimin e kushteve të financimit për sektorin privat.

Sejko njoftoi se, normat e interesit për kreditë janë ulur, yield-i i bonove të thesarit është stabilizuar, pritjet për inflacionin janë normalizuar, ndërkohë, që kursi i këmbimit është mbajtur në nivele të qëndrueshme përmes ndërhyrjeve të kujdesshme në tregun valutor.

Këto zhvillime, tha Guvernatori, kanë kontribuar në krijimin e një mjedisi financiar të favorshëm, karakterizuar nga: Likuiditet i bollshëm; Prime të ulëta rreziku; Bilance të shëndosha të sektorit bankar dhe qasje pozitive ndaj kreditimit

Sipas tij, kredia për sektorin privat vazhdon rritjen.

“Kredia për sektorin privat ka vijuar të rritet edhe në tremujorin e dytë, me një normë vjetore rritjeje prej 15,4%, duke mbështetur nevojat e bizneseve për investime dhe të familjeve për konsum dhe banesa. Parashikimet e skenarit bazë sugjerojnë se aktiviteti ekonomik në Shqipëri pritet të vijojë rritjen në horizontin afatmesëm, me ritme solide dhe pranë potencialit të tij”, theksoi Sejko.

Guvernatori tha se “rritja ekonomike do të vijojë të nxitet nga: Zgjerimi i konsumit dhe investimeve, rritja e mëtejshme e turizmit dhe eksporteve të shërbimeve dhe shtimi i punësimit dhe rritja e pagave”.

/r.e/

The post Sejko: Ekonomia po rritet me ritme të qëndrueshme, turizmi dhe investimet, motorë të zhvillimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Banka e Shqipërisë: Norma bazë e interesit për lekun mbetet në nivelin 2,5%

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mërkurën që ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, në nivelin 2,5%.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për shtyp tha se, “Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe mbajtjen e inflacionit në kontroll”, teksa vuri në dukje se turizmi, investimet dhe eksportet po mbështesin rritjen e ekonomisë.

“Analiza e informacionit të disponuar sugjeron se ekonomia shqiptare, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten, ndërsa parametrat kryesorë të stabilitetit makroekonomik, monetar e financiar të vendit janë përmirësuar më tej. Në veçanti, inflacioni ka vijuar të qëndrojë në nivele të ulëta, duke shënuar një rritje të lehtë drejt objektivit në tremujorin e dytë. Po ashtu, tregjet financiare kanë qenë përgjithësisht të qeta dhe kreditimi ka ardhur në rritje”, tha Sejko.

“Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1,5%; dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3,5%”, u shpreh Guvernatori.

Guvernatori deklaroi se vendimet e politikës monetare do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin për stabilitetit të çmimeve, qëndrueshmëri të politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit në vend, si dhe me zhvillimet potenciale në tregjet ndërkombëtare dhe partnerët tanë të huaj tregtarë.

/r.e/

The post Banka e Shqipërisë: Norma bazë e interesit për lekun mbetet në nivelin 2,5% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parandalimi i Murtajës Afrikane, 886 monitorime në stabilimentet me derra

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Për të garantuar shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, veterinerët e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) janë të angazhuar çdo ditë të vitit në monitorimin e fermave blegtorale në të gjithë vendin.

Në kuadër të masave parandaluese dhe kontrollit të Murtajës Afrikane të Derrave (MAD), gjatë periudhës janar–qershor 2025, janë kryer 886 monitorime në stabilimente me derra në të gjithë territorin.

Sipas ekspertëve, monitorimet shërbejnë: Për identifikimin në kohë të rasteve të dyshimta, për rritjen e ndërgjegjësimit të mbarështuesve mbi rëndësinë e biosigurisë si dhe për edukimin mbi njohjen e shenjave klinike të kësaj sëmundjeje të rrezikshme.

“Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme të veterinerëve tanë, është bërë e mundur të menaxhohet përhapja e MAD me profesionalizëm dhe të minimizohen dëmet në ferma,” thuhet në njoftimin e AKVMB-së.

AKVMB bën të ditur se vijon të jetë në gatishmëri për të mbështetur fermerët dhe për të siguruar mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe zinxhirit ushqimor në tërësi.

/a.f/

The post Parandalimi i Murtajës Afrikane, 886 monitorime në stabilimentet me derra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijojnë regjistrimet në Shkollën Profesionale të Shërbimeve në Korçë

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Shkolla Profesionale e Shërbimeve në Korçë vijon regjistrimet për vitin e ri shkollor, duke ofruar programe të ndryshme që kombinojnë arsimimin teorik me aftësimin praktik, veçanërisht në sektorë strategjikë për ekonominë vendase.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha se, drejtimet kryesore në këtë shkollë përfshijnë bujqësinë, veterinarinë dhe turizmin.

“Në sektorin e bujqësisë dhe veterinarisë, të rinjtë pajisen me njohuri dhe aftësi për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorëve të bujqësisë dhe blegtorisë. Ndërsa në degët Hoteleri-Turizëm, Ekonomi-Biznes dhe Dizajn-Modë; janë fushat me kërkesë të lartë në tregun e punës”, tha Denaj.

Denaj vuri në dukje se, “shkollat profesionale si kjo në Korçë janë çelësi për të ndërtuar një forcë punëtore të kualifikuar dhe të gatshme për tregun modern të punës”.

Regjistrimet janë të hapura deri më 30 shtator dhe realizohen në platformën e-albania, përmes shërbimit “Regjistrohu në klasën e dhjetë”.

/a.f/

The post Vijojnë regjistrimet në Shkollën Profesionale të Shërbimeve në Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema e investimeve, financim deri në 5 milionë lekë për mekanikë bujqësore

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Për të dytin vit radhazi në ndihmë të bujqësisë dhe zhvillimit rural, Qeveria po aplikon Skemën Kombëtare të Investimeve që mbështet fermerët me financim grant për investime në mekanizimin e bujqësisë.

Përmes kësaj skeme mbështeten fermerët për blerjen e traktorëve, makinerive dhe pajisjeve moderne për mekanizimin dhe përmirësimin e proceseve të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale.

Aplikimi i mekanizimit dhe teknologjive të reja në bujqësi i ndihmon fermerët të rrisin produktivitetin dhe cilësinë e punës së tyre.

Sipas Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, vitin e kaluar kërkesat më të larta për financim përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, ishin për blerjen dhe përmirësimin e mjeteve dhe mekanikës bujqësore.

Qeveria përmes kësaj skeme financon 50% të vlerës totale të faturave tatimor, deri në 5 milionë lekë për subjekt.

Ky investim mbështet fermerët në modernizimin e bujqësisë dhe blegtorisë, për realizimin e punës në mënyrë më efikase dhe të sigurt, për të përmirësuar jetën dhe prodhimin e tyre

Skema Kombëtare e Investimeve 2025, përmbledh nëntë masa, që përfshin gjithë bujqësinë që nga mbjellja e fidanëve të pemëve frutore deri në përpunimin e fruta-perimeve. Këtu përmblidhen mekanika, blegtoria, ndërtimi i stallave, bletaria.

Aplikimet për të përfituar nga kjo skemë janë hapur më 30 korrik dhe do të vazhdojnë deri më 30 shtator 2025.

Ndërkohë vitin e kaluar nga 404 aplikime në Skemën Kombëtare të Investimeve 2024, 305 kërkesa janë për mekanikë bujqësore.

Për mekanikën bujqësore vlera mesatare për fermerë shkon 30 deri 36 mijë euro ku 50 % financohet grant nga Skema e Investimeve. Ndërsa pjesa tjetër do të paguhet nga fermeri, fond të cilin fermeri mund ta marri kredi në bankë duke përdorur Fondin e Garancisë Sovrane ku shteti mbështet 80% të kolateralit.

/a.f/

The post Skema e investimeve, financim deri në 5 milionë lekë për mekanikë bujqësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERZH 30 milionë euro për modernizimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Një investim strategjik për modernizimin e infrastrukturës hekurudhore shqiptare po bëhet realitet falë mbështetjes së Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bashkimit Evropian (BE) dhe Bankës Evropiane të Investimeve (BEI).

Projekti përfshin rindërtimin dhe elektrifikimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë, një segment i rëndësishëm i Korridorit VIII Panevropian.

BERZH në një njoftim për shtyp bën të ditur se, ka miratuar një kredi sovrane prej 30 milionë euro për kompaninë shtetërore Hekurudha Shqiptare, duke plotësuar një kredi tjetër prej 30 milionë euro nga BEI dhe 60 milionë euro në formë grantesh dhe asistence teknike nga BE përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Projekti përfshin: Rindërtimi dhe elektrifikimi i rreth 34 kilometrave hekurudhë; Përmirësimi i infrastrukturës së stacioneve; Rritje e efikasitetit dhe sigurisë në transport; dhe Zhvillimin e një lidhjeje të parë hekurudhore të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut

Ky projekt pritet të sjellë përfitime të rëndësishme ekonomike, mjedisore dhe sociale, duke zhvendosur trafikun nga rruga në hekurudhë, duke reduktuar ndjeshëm emetimet e karbonit, dhe duke përmirësuar lëvizshmërinë rajonale dhe ndërkufitare.

Petrit Malaj, ministër i Financave tha se, “Ky projekt shënon një moment historik transformues për infrastrukturën tonë. Ai do të luajë një rol jetësor në integrimin afatgjatë të Shqipërisë në rrjetin evropian të transportit.”

Ndërsa Donald Mishaxhiu, drejtues rajonal i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, deklaroi se, “Ky investim pasqyron mbështetjen tonë të vazhdueshme për transformimin hekurudhor të Shqipërisë. Së bashku me partnerët tanë, ne po ndihmojmë në ndërtimin e një rrjeti modern, të qëndrueshëm dhe të lidhur transporti që do t’u sjellë dobi brezave të ardhshëm”.

Ky projekt vjen në vazhdën e angazhimit të BERZH-it për Shqipërinë, pas investimeve të mëparshme në linjat Tiranë–Durrës dhe Vorë–Hani i Hotit, dhe është plotësisht në përputhje me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe objektivat e Tranzicionit të Gjelbër të BERZH-it.

/a.f/

The post BERZH 30 milionë euro për modernizimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema Investimeve, 50% grant për ndërtimin e serrave diellore të reja

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nëpërmjet Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR), ka hapur aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve 2025, e cila ofron mbështetje financiare deri në 50% grant për ndërtimin e serrave diellore të reja.

Skema synon të nxisë prodhimin bujqësor të qëndrueshëm dhe të rrisë konkurrueshmërinë në tregun vendas dhe ndërkombëtar. Mbështetja financiare për ndërtimin e serrave varion sipas llojit të kulturës.

Sipas AZHBR-së, Skema Kombëtare e Investimeve 2025, ofron për fermerët deri në 15 milionë lekë/ha për serrat e prodhimit të perimeve; Deri në 8 milionë lekë/ha për prodhimin e rrushit për tavolinë dhe deri në 4 milionë lekë/ha për prodhimin e luleshtrydheve.

Këto grante përfshijnë gjithashtu investime në sisteme moderne ujitjeje, duke synuar efikasitet më të lartë në përdorimin e ujit dhe prodhim më cilësor.

Përveç grantit, aplikantët mund të përfitojnë edhe nga Kredia e Butë, me interes vetëm 2%, si dhe me garanci sovrane deri në 70% të kolateralit, duke mundësuar kështu financim të plotë për investimin.

Aplikimet janë të hapura deri më 30 shtator 2025 dhe përfshijnë gjithsej 9 masa mbështetëse për sektorin bujqësor.

/a.f/

The post Skema Investimeve, 50% grant për ndërtimin e serrave diellore të reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BSH vendos kufi për transfertat SEPA, jo më shumë se 3 euro për hyrjet

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Banka e Shqipërisë ka përgatitur projektrregulloren që vendos bazat për nivelin e tarifave që bankat dhe institucionet e pagesave do të aplikojnë, pas anëtarësimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Projektrregullorja “Mbi tarifat e pagesave ndërkufitare në zonën SEPA dhe kushtet e transparencës” parashikon që tarifat e aplikuara nga Operatorët e Shërbimeve të Pagesave (banka ose institucione financiare jobanka të pagesave dhe parasë elektronike) për pagesat SEPA dalëse nuk mund të tejkalojnë kufijtë e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë për vlerat korresponduese të pagesave vendase në Euro që procesohen përmes sistemeve të saj dhe përcaktohen në kuadrin rregullator të këtyre sistemeve.

Sipas ndryshimeve të propozuara, “Për funksionimin e sistemit AIPS EURO për shlyerjen e transfertave vendase për klientë në Euro”, komisioni minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat në sistemin euro do të ulet nga 6 euro në 4 euro.

Ndërkohë, totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro nuk mund të jetë më i lartë se 0,02% e vlerës së transferuar. Ashtu siç ndodh me transfertat në Lekë, edhe rregullorja për transfertat në Euro do të stimulojë përdorimin e kanaleve elektronike për kryerjen e transfertave, duke parashikuar komisione të përgjysmuara për veprimet që kryhen nëpërmjet këtyre kanaleve.

Komisioni minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat kombëtare në monedhën europiane, të kryera nëpërmjet e-banking, nuk mund të jetë më i lartë se 2 euro. Ndërsa totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro nuk mund të jetë më i lartë se 0,01% e vlerës së transferuar.

Ndërkohë, komisionet maksimale që bankat mund të aplikojnë, pavarësisht shumës së transfertës, propozohen të jenë të njëjta si në rregulloren aktuale: përkatësisht 50 euro për transfertat e kryera në degë dhe 25 euro për ato të nisura nëpërmjet kanaleve elektronike.

Këto nivele tavan do të aplikohen edhe për transfertat në nisje në zonën SEPA. Ndërsa, për tarifat e pagesave SEPA hyrëse, nëse aplikohen nga institucioni i përfituesit të pagesës, ato duhet të reflektojnë kostot përkatëse të ofruesit të shërbimeve të pagesave. Këto tarifa, në asnjë rast, nuk mund të kalojnë vlerën 3 euro për transaksion.

/r.e//a.f/

The post BSH vendos kufi për transfertat SEPA, jo më shumë se 3 euro për hyrjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Takim pune me arkitektë për standardizimin e objekteve bujqësore sipas normave të BE-së

iTIRANË, 4 gusht /ATSH / Ekspertë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bashkë me ekspertë të huaj dhe arkitektë dhe studio arkitekturore, diskutuan në Tiranë rreth identifikimit të sfidave dhe përcaktimin e hapave të mëtejshëm në drejtim të hartimit të stallave blegtorale dhe objekteve bujqësore sipas standardeve të Bashkimit Europian për fermat blegtorale.

Ky takim shënoi një hap konkret drejt modernizimit të infrastrukturës bujqësore dhe blegtorale në vend, duke theksuar rëndësinë që ka arkitektura në zhvillimin rural, mirëqenien e kafshëve dhe përgatitjen për sfidat mjedisore dhe ekonomike të së ardhmes.

Gjatë takimit u trajtuan çështje që kanë të bëjnë me: Boshllëqet aktuale në projektimin e objekteve bujqësore; Sfidat praktike dhe ato rregullatore që hasin arkitektët dhe fermerët dhe nevoja për krijimin e një strukture përfaqësuese të aktorëve të përfshirë në këtë fushë.

MBZHR dhe Giz Albania vijon të fuqizojë dialogun ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, duke nxitur shkëmbimin e ideve dhe zgjidhjeve të përbashkëta në fushën e zhvillimit rural dhe bujqësisë së qëndrueshme.

1 nga 5

/r.e//a.f/

The post Takim pune me arkitektë për standardizimin e objekteve bujqësore sipas normave të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌