Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Avokatin e Popullit, Naim Qelajn, me të cilin diskutuan për gjendjen aktuale të të drejtave të njeriut në vend dhe sfidat me të cilat po përballen qytetarët.
Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për garantimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët.
“Ajo theksoi se institucionet duhet të jenë të përkushtuara në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, si mjet kyç për forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e të drejtave të njeriut”, shkroi Presidenca, transmeton Klankosova.tv.
Ndërsa, Avokati i Popullit bëhet e ditur se e informoi Osmanin për çështjet më të shpeshta që adresohen në këtë institucion.
“Të dy palët u pajtuan për domosdoshmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut në Kosovë”, u tha në njoftim.
Projekti filmik “Nëna është gjallë sot” me regji dhe skenar nga Josip Lukic është shpërblyer me çmim në kategorinë Works in Progress, në edicionin e 72-të të Festivalit të Filmit në Pula të Kroacisë.
Ky bashkëprodhim mes Kroacisë dhe Kosovës, me bashkëproducent nga Kosova Bujar Kabashi, është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës në konkursin për subvencionim të vitit 2023-2024.
Filmi, i cili është në fazën finale të post-produksionit, është prodhuar nga Dinaridi Film, Mobius dhe Non-Aligned Films, ndërsa producentë janë Tena Gojić, Bujar Kabashi dhe Ognjen Glavonić./ KultPlus.com
Milcho Manchevski, një nga regjisorët më të njohur në Ballkan, fitues i mbi 50 çmimeve ndërkombëtare, nisi xhirimet e filmit “Leaving Copacabana”.
Përmes Tirana Film Institute, në bashkëpunimin e dytë me Banana Film dhe regjisorin Milcho Manchevski nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria merr pjesë në këtë produksion si bashkëprodhuese.
Filmi rrëfen historinë e një motre dhe një vëllai me karaktere të ndërlikuara dhe shumëdimensionale, të cilët përballen me sfidat e jetës në një shoqëri thellësisht të ndarë mes privilegjuarve dhe të pambrojturve.
Disa prej aktorëve protagonistë janë Sara Klimoska, Filip Trajković, Petar Mirčevski, Sonja Mihajlova, Dejan Lilić.
“Leaving Copacabana” është një bashkëprodhim mes Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Serbisë, Shqipërisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe.
Milcho Manchevski është një emër i njohur në fushën e kinematografisë. Ai ka fituar një Luan të Artë të Venecias si dhe është i pari regjisor maqedonas që u bë kandidat për çmimet Oscar. Filmi i tij “Before the rain” konsiderohet si një ndër filmat më të rëndësishëm të dekadës.
Manchevski ka patur bashkëpunime me Tirana International Film Festival, ku janë shfaqur filma të tij. Në TIFF-in e para dy vjetëve, Manchevski solli në Tiranë, filmin e tij premierë “Kaymak”./KultPlus.com
Ti s’di asgjë miku im pse unë këndoj kur ti ma shkel hijen pse kurrë dorë nuk ngrita në ty Kohët keq të mësuan Kam parë njerëz duke blerë litar Pas fishkëllimës së plumbit duke vrapuar planetit dhe kam pyetur: për cilën kokë ai lak për cilin gjak ai hak Tinëz vetes tinëz dreqit dola në kunavikë me gurin e shqetësuar në behe hijena gjuajta mbi botë në zjarr vura dorën për ty Ti s’di asgjë miku im pse pikon vetmi nën strehë pse sytë më zmadhohen Kohët keq të mësuan kur zotat i munda /KultPlus.com
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nderuar artistin e njohur, Armend Rexhepagiqi, me simbolin e kryeqytetit, “Hyjneshën në Fron”, si njohje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e kulturës muzikore dhe artistike të Kosovës.
Ky çmim i jepet Rexhepagiqit për angazhimin e tij të pandalshëm dhe ndikimin që ka pasur në skenën muzikore shqiptare, duke i dhënë zë shumë këngëve që janë bërë pjesë e kulturës muzikore të vendit,transmeton KultPlus.
“Dashni e Vjetër” – Albumi i Ri dhe Koncerti Promovues në Prishtinë Në këtë ngjarje speciale, Rexhepagiqi do të ngjitet në skenë këtë të shtunë në Pallatin e Rinisë në Prishtinë për të promovuar albumin e tij të ri me titullin “Dashni e Vjetër”. Ky koncert do të shënojë një moment të veçantë për fansat e tij, ku do të performojë këngë të njohura si “Dashurinë ku e kam”, “Ti nuk më meriton”, dhe “Shkel”, por edhe disa këngë të reja nga albumi, si “Kutia e zezë”, “Boll m’ke dalë”, “Dyfish ma pak”, “S’o dashni”, “Ma ke n’alë” dhe “Krejt Prishtinën për ditëlindje”.
Rexhepagiqi është një nga artistët më të dashur të Kosovës, dhe këngët e tij vazhdojnë të mbeten pjesë e pandashme e listave të dëgjimeve të publikut shqiptar. Ai është gjithashtu një autor i njohur tekstesh për shumë këngëtarë shqiptarë, duke i dhënë rëndësi të madhe muzikës dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Armend Rexhepagiqi është një nga emrat ikonikë të skenës muzikore vendore, dhe promovimi i albumit të tij të ri është një moment i veçantë që padyshim do të sjellë shumë emocione dhe kujtime për të gjithë adhuruesit e tij. /KultPlus.com
Lewis Capaldi, këngëtari i njohur skocez, ka folur hapur për betejën e tij me shëndetin mendor dhe ndikimin jetik që kanë pasur medikamentet antipsikotike në jetën e tij. Pas një periudhe të gjatë tërheqjeje nga skena publike, artisti 28-vjeçar po rikthehet fuqishëm, duke filluar nga turneu i tij i suksesshëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, si dhe me koncerte të planifikuara në Australi dhe Zelandën e Re.
Pas një performance shumë të vështirë në Festivalin “Glastonbury” në verën e vitit 2023, ku u duk se po luftonte për të përfunduar interpretimin e këngës së tij hit “Someone You Loved,” Capaldi u largua nga vëmendja e medias dhe publikut. Ai rrëfeu në një intervistë të fundit, se atë moment e kishte përjetuar si “momentin më të ulët në jetën e tij,” duke e cilësuar atë si një rrënim të brendshëm që e shtyu drejt ndryshimeve rrënjësore.
Megjithatë, kalimi te medikamentet antipsikotike solli një ndryshim thelbësor në jetën e tij, përcjellë KultPlus.
“Ka qenë një ndihmë shumë, shumë e madhe,” tha Capaldi, duke theksuar se ky trajtim i ka ndryshuar jetën në mënyrë të jashtëzakonshme. Përveç medikamenteve, ai ka ndjekur terapi dhe ka bërë ndryshime të rëndësishme në stilin e jetesës, ka reduktuar konsumin e alkoolit, ka ndryshuar dietën dhe ka nisur aktivitet fizik.
Këto ndryshime i kanë ulur ndjeshëm nivelet e ankthit dhe stresit, duke i dhënë mundësinë të rifitojë kontrollin mbi jetën dhe karrierën e tij. Ai rrëfeu se momenti në “Glastonbury” ishte një kthesë e domosdoshme, pasi përndryshe, “nuk do të ishte ndalur” nga kjo rrugë e vështirë.
Rikthimi i Lewis Capaldi në skenë pas këtij periudhe të errët është një dëshmi e fuqisë së trajtimeve të duhura dhe vendimeve të guximshme për shëndetin mendor. Ai vazhdon të jetë një zë i rëndësishëm në hapjen e diskutimeve për mirëqenien psikologjike dhe për rëndësinë e kërkimit të ndihmës në momentet më të vështira./CNN/KultPlus.com
Ish-presidenti i Afrikës së Jugut Nelson Mandela vdiq në moshën 95-vjeçare. Në vijim një profil i njeriut që ndihmoi për ta çliruar Afrikën e Jugut nga dhuna dhe urrejtja.
Për shumëkënd, Nelson Mandela ishte një hero – simbol i guximit, i bindjes dhe i vizionit. Ai cilësohej shpesh si njeriu i thjeshtë, karizmatik dhe besnik, si njeriu që kujdesej për të tjerët.
Nelson Mandela u lind më 18 korrik, 1918, dhe u rrit në Transkei – një ish-territor zezak afrikanojugor. Që në moshë të re ai u bë aktiv në lëvizjen e anti-aparteidit dhe iu bashkua Kongresit Kombëtar Afrikan. Në vitin 1940, Mandela u bë kreu i krahut rinor të kësaj lëvizjeje.
Nelson Mandela ndoqi universitetin dhe fakultetin e drejtësisë dhe me kolegun e tij Oliver Tambo themeluan firmën e parë zezake të avokatisë në Afrikën e Jugut, me zyra në Johanesburg. Ata i jepnin këshilla juridike falas ose me çmim të ulët zezakëve.
Qeveria e ndaloi organizatën në vitin 1960, por ajo vazhdoi të veprojë fshehurazi. Nelson Mandela vazhdimisht i shmangej policisë dhe detyrohej të jetonte larg gruas së tij të dytë, Winnie, e cila më vonë u bë gjithashtu aktive në lëvizjen e anti-aparteidit.
Kur Kongresi Kombëtar Afrikan vendosi të ndërmerrte veprime të forta për t’i dhënë fund aparteidit, zoti Mandela u bë drejtues i krahut ushtarak të organizatës, duke ndërmarrë një fushatë sabotimesh kundër ushtrisë së Afrikës së Jugut dhe objekteve qeveritare.
Në vitin 1962, 44 vjeçari Mandela u arrestua dhe doli në gjyq për aktivitetin kundër qeverisë. Ai i mbrojti veprimet e tij si pjesë e “luftës së popullit afrikan për një shoqëri të lirë.”
Dy vjet më vonë ai u dënua me burgim të përjetshëm në ishullin Robben pranë brigjeve të Kejptaunit. Mandela kaloi 18 vjet në këtë burg famëkeq, duke refuzuar një ofertë të qeverisë për lirimin e tij, nëse hiqte dorë nga lufta e armatosur e Kongresit Kombëtar Afrikan. Ai doli nga burgu më 1990, pasi qëndroi gjithsej 27 vjet, kur qeveria e bardhë e presidentit Frederik de Klerk legalizoi të gjitha partitë politike dhe liroi shumicën e të burgosurve politikë.
Në vitin 1991, zoti Mandela u zgjodh kryetar i Kongresit Kombëtar Afrikan, ndërsa më1994, kur Kongresi fitoi zgjedhjet e para shumëracore, ai u bë presidenti i parë zezak i vendit, në moshën 75-vjeçare.
“Kurrë, kurrë dhe kurrë më kjo tokë e bukur nuk do të përjetojë shtypjen e njeriut nga njeriu,” deklaroi Mandela gjatë marrjes së mandatit.
Herman Cohen ishte Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Afrikën nga viti 1989 deri më1991. Ai thotë se shumica e zezakëve të Afrikës së Jugut i mbanin sytë te Mandela si njeriu i cili mund t’ua bënte jetën më të mirë:
“Ai kishte një qasje të veçantë, karizmatike. Ai u bë simbol në luftën kundër aparteidit dhe ishte e natyrshme që do të zgjidhej si presidenti i tyre i parë.”
Presidenti Mandela shpalli se do të qëndronte në këtë post vetëm për një mandat. Zoti Cohen thotë se gjatë pesë viteve si president, zoti Mandela fitoi respekt ndërkombëtar për ripajtimin e vendit:
“Mandela iu përkushtua kryesisht mobilizimit të afrikanëve për të punuar për zhvillimin ekonomik. Duke patur një arsimim të mirë, ai u bë gjithashtu një lloj zëdhënësi në skenën ndërkombëtare.”
Nelson dhe Winnie Mandela jetuan një kohë së bashku pas lirimit të tij nga burgu, por shpejt marrëdhëniet e tyre u ftohën dhe ata u divorcuan. Në ditëlindjen e tij të 80, zoti Mandela u martua me Graca Machel, e veja e ish-presidentit të Mozambikut, Samora Machel.
Zoti Mandela mori qindra çmime dhe medalje gjatë jetës së tij. Në vitin 1993, ai ndau Çmimin Nobel të Paqes me ish-armikun e tij të betuar de Klerk. Ata u nderuan për kontributin në procesin e paqes në Afrikën e Jugut.
“Jugafrikanët kanë krijuar një shoqëri e cila konfirmon se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë,” deklaroi Mandela duke marrë çmimin.
Si president, zoti Mandela u kritikua se nuk u përball me krizën e sidës në Afrikën e Jugut. Megjithatë, në vitet e tij të mëvonshme, ai u bë një personalitet publik i luftës kundër sidës.
“Së bashku ne mund ta luftojmë sidën dhe të garantojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë,” tha në një rast Mandela.
Dy vjet më vonë, sida shkaktoi vdekjen e njërit prej djemve të tij.
Në vitin 1999, në moshën 85-vjeçare, Nelson Mandela tha se do të tërhiqej nga jeta publike. Megjithatë, ai vazhdoi të luftojë për të drejtat e fëmijëve.
Në një vend të rrënuar nga konflikti racor, Nelson Mandela është parë si një udhëheqës i jashtëzakonshëm – si njeriu që e çliroi Afrikën e Jugut nga dhuna dhe urrejtja duke e bërë një vend me më shumë paqe dhe mirëkuptim. /KultPlus.com
“Si ta doni” nga Shakespeare, vjen në skenën shqiptare si pjesë e sezonit të ri të Teatrit Kombëtar. Komedia romantike“Si ta doni”(As You Like It), një nga veprat më të dashura të William Shakespeare, do të jetë pjesë e sezonit të ri artistik në Teatrin Kombëtar, nën regjinë e John Blondell. Kjo vepër që feston dashurinë, identitetin dhe lirinë, vjen në skenë me një ekip të zgjedhur aktorësh.
Në role do të interpretojnë Genti Deçka, Lulzim Zeqja, Laert Vasili, Luli Bitri, Elia Zaharia, Donald Shehu, Dritan Boriçi, Besmir Bitraku, Flaura Kureta, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Ilirda Bejleri dhe Krist Lleshi, përcjellë KultPlus.
Shfaqja ndjek historinë e Rosalindës, e cila detyrohet të largohet nga oborri për shkak të persekutimit të xhaxhait të saj dhe nis një udhëtim në Pyllin e Ardenit, së bashku me kushërirën e saj Celia. Aty, ndërsa kërkojnë lirinë dhe dashurinë, takojnë plot karaktere unike dhe të paharrueshme, duke përfshirë edhe Jaquesin filozofik dhe melankolik, i cili sjell në skenë një nga monologët më të njohur të Shakespeare-it: “Gjithë bota është një skenë”.
Shkruar rreth vitit 1599 dhe e vendosur për herë të parë në skenë në “Wilton House” në vitin 1603, kjo komedi ka njohur qindra adaptime. Në versionin e saj më të fundit, publiku shqiptar do të ketë mundësinë ta përjetojë këtë klasik në një interpretim të gjallë dhe plot emocion./KultPlus.com
Çdo fazë e jetës ka dështimet dhe të bukurat e veta!
Në moshën tridhjetë vjeçare je i ri dhe i pasigurt, dyzet je i fortë dhe shpesh i lodhur, pesëdhjetë je i mençur e ndoshta edhe disi melankolik.
Dhe kur mbërrin në pragun e të tetëdhjetave, me raste të kap dëshira t’ia nisësh së gjithës nga e para.
Lind sërish nëpër kujtime dhe dashurohesh me të ardhmen.
Kjo është vetëm një nga thëniet e Sophia Loren, gruas plot pushtet në kinematografi, një prej aktoreve më të dashura e të njohura në botë.
Në vijim, ju njohim me disa nga shprehjet e saj më të bukura, që janë pjesë e frazeologjisë botërore, duke frymëzuar miliona gra.
“Kur shihem në pasqyrë, bëj tifozllëk për veten. Nuk pyes ‘a jam e mrekullueshme?’ apo ‘a jam e bukur?’ Jo! Ka të bëjë me atë se si ndihem, sa e sigurt dhe e lumtur jam. Ajo ka rëndësi”.
Kur ti je nënë, ti vërtetë nuk je vetëm në mendimet e tua. Një nëne i duhet të mendojë dy herë. Një herë për veten dhe një herë për fëmijën e saj.
Veshja e një femre duhet të jetë si një gardh telash me gjemba: që t’i shërbejë qëllimit pa e penguar shikimin.
Një grua mund të duket më mirë, nëse ndihet mirë nën lëkurën e saj. Këtu nuk hyjnë as fustani e as tualeti, por mënyra se si shkëlqen.
Ka një burim i pashtershëm rinie: është mendja jote, talenti yt, krijimet që ti sjell në jetën tënde dhe jetët e njerëzve që ti do. Kur ti mëson ta shfrytëzosh këtë burim, ti vërtet e ke mundur moshën.
Duhet ta gëzosh jetën. Gjithmonë të jesh me njerëz që i pëlqen, njerëz me të cilët ke bisedë të këndshme. Ka kaq shumë gjëra pozitive për të cilat të mendosh.
Nëse nuk ke qarë, sytë e tu nuk mund të jenë të bukur.
Gabimet janë pjesë e haraçeve që paguhen për një jetë sa më të plotë.
Duhet të jesh e lindur një sex symbol. Përndryshe nuk bëhesh dot. Nëse ke lindur me këtë cilësi, atëherë do ta kesh edhe kur të jesh 100 vjeçe.
Pas kaq vitesh, unë prapë jam e përfshirë në procesin e vetëzbulimit. Ishte më mirë ta shfrytëzoja jetën dhe të bëja gabime se të bëj një jetë të sigurt.
Seksi është si të lash fytyrën – diçka që do ta bësh, sepse duhet bërë. Seksi pa dashuri është absolutisht qesharak. Seksi pason dashurinë, asnjëherë nuk e paraprin.
Shumë njerëz mendojnë se i dëshirojnë gjërat, por ata nuk kanë vërtet forcën, disiplinën. Ata janë të dobët. Unë mendoj se njeriu arrin çfarë do, nëse ai e do vërtet shumë.
Kurrë nuk jam përpjekur t’i errësoj kujtimet e së shkuarës, edhe kur ato janë tejet të dhimbshme. Gjithçka që përjeton, të ndihmon që të jesh njeriu që je.
Për të përparuar në profesion, kërkohet shumë besim tek vetja. Prandaj disa njerëz, me talent mediokër, por me shtysa të brendshme të fuqishme, shkojnë shumë më përpara se njerëz me talent të madh.
Nuk gjen kënaqësi në punë, nëse nuk e bën punën që dëshiron. / KultPlus.com
Korriku, ndër të tjera, mban në kujtesë edhe datën e përplasjes më të madhe letrare në Shqipëri, gjatë pushtetit diktatorial komunist. Në korrik të vitit 1961, në një mbledhje të rëndësishme në Tiranë, u përplasën dy kahje të rëndësishme në letërsinë shqipe: “poetët e rinj” dhe “poetët e vjetër”.
Takimi, që në fillim u lajmërua si diskutim për “Vendimin e Komitetit Qendror të PPSH-së mbi Letërsinë dhe Artet” (7 qershor 1961), u kthye në një debat të ashpër mbi drejtimet që po merrte poezia shqipe dhe kufirin midis “traditës” dhe “novatorizmit”.
Në këtë mbledhje, që nisi me referatin e Ramiz Alisë, theksi binte mbi kritikat ndaj poetëve të rinj, të cilët po eksperimentonin me forma të reja shprehjeje si vargu i lirë, tema ndërkombëtare, figura të reja letrare e stilistike, e largime nga temat klasike të partisë dhe jetës shqiptare.
Diskutimet e para i morën poetët e brezit të vjetër, si Andrea Varfi, Llazar Siliqi dhe Luan Qafëzezi, të cilët folën ashpër kundër prirjeve të reja.
Andrea Varfi tha: “Të jesh artist i realizmit socialist dhe të ndjekësh në të njëjtën kohë novatorizmin për hir të novatorizmit, është krejt pa kuptim dhe punë e dështuar që në fillim… Cilësia dhe vetëm cilësia artistike të bën novator dhe origjinal dhe aspak akrobacitë dhe majmunizimet e të huajve. Futuristët, me shokë, deshën të varrosnin çdo gjë të trashëgimit kultural dhe artistik të së kaluarës. Edhe sot izmat e ndryshme që pjell borgjezia imperialiste në kalbëzim, nuk lë gur pa luajtur në kët drejtim…”
Llazar Siliqi theksoi: “Unë jam i mendimit se ne e kemi një letërsi dhe art novator dhe nuk ka mbet puna që atë ta fillojmë me e krijua sot, pa mohu përpjekjet e ma tejshme që ne të gjithë duhet të bëjmë për ta çue edhe ma përpara letërsinë dhe artin tonë novator…! Karakteri novator kuptohet disa herë, nga njena anë si ndryshim, ose ma saktë si thyemje e formës dhe, nga ana tjetër, novatorizmi dhe fryma e kohës kontestohet atje ku ka fjalë të reja si asfalt, najlon dhe tematikë ndërkombëtare…”
Më i ashpër ishte Luan Qafëzezi, i cili deklaroi: “Në vitet 1960-‘61, vargjet e lira filluan të duken përsëri në shtypin tonë të përditshëm dhe periodik, por këtë herë me një formë të re, më me pretendime, duke dashur të thyejnë të gjitha normat tradicionale të metrikës sonë nën pretekstin e një farë “novatorizmi”…! Përdorimi i vargjeve të lira nga disa poetë, nuk duhet shikuar si një çështje thjeshtësisht formale… Ne prapa këtij “modernizimi” shikojmë një një goditje që i bëhet esencës kombëtare të poezisë sonë…”
Kjo klimë kritikash të drejtpërdrejta në një sallë ku ndodhej edhe Enver Hoxha, krijoi një atmosferë tensioni për “poetët e rinj”, përfaqësuar nga Ismail Kadare, Fatos Arapi dhe Dhori Qiriazi. Dritëro Agolli mungonte, por do të reagonte më vonë përmes një artikulli në gazetën “Drita”.
Pasdite, në seancën e dytë të mbledhjes, morën fjalën Kadareja dhe Arapi. Ata u mbrojtën, por edhe kundërsulmuan, duke argumentuar qartë drejtimin që duhet të merrte poezia shqiptar, përcjellë KultPlus.
Në mbrojtje të poetëve “të kryqëzuar” doli Ismail Kadare, me fjalimin e shkruar gjatë kohës së pauzës në mbledhje, ku i drejtohet me guxim Enver Hoxhës se “Asgjë tragjike nuk ka ndodhur”. “Problemi i ngritur kohët e fundit në diskutime dhe në faqet e gazetës “Drita”, në esencë të tij është problem fiktiv, i fryrë me qëllim nga disa njerëz. Bile, me sa duket, këta njerëz nuk e kanë hallin te vargjet e lira, por te poezia e disa poetëve të rinj… Unë mendoj se, në kohën tonë nuk është bërë te ne asnjë shpikje forme. Te ne përmbajtja e re ka sjellë gjetjen e disa mënyrave të reja shprehjeje, disa herë me sukses e disa herë pas sukses… Në qoftë se arti është i vërtetë, ai do të ketë patjetër të renë, novatoren…” – shprehet Kadareja.
Ndërsa Fatos Arapi u shpreh: “Shpesh herë, – tha ai,- na qortojnë se gjoja jemi mosmirënjohës, nënçmojmë gjithçka që është krijuar te ne… Në qoftë se dikush ka bërë traditë të tij ‘personale’ të shkruajë vjersha të dobëta, dhe këtë traditë kërkon të na e shesë si traditë kombëtare, këtë ne nuk e pranojmë kurrë… Nuk e ka fajin vargu. Dhe në qoftë se dikush, duke bërë poezi të këqija ka diskretituar veten e tij, ai nuk ka diskredituar tetërrokëshin tonë të mrekullueshëm… Shyqyr që na doli vargu i lirë, sepse disa kështu kanë rreth kujt të bëjnë zhurmë dhe të tregojnë se ekzistojnë, janë gjallë…”
Pasi u duk se takimi po mbyllej me një përplasje të hapur mes brezave, ndërhyri papritur vetë Enver Hoxha, i cili kishte ndjekur gjithçka në heshtje. Ai nuk e mohoi që e kishte lexuar dhe miratuar referatin e Ramiz Alisë, por vendosi të ndërhyjë si “gjyqtar”, për të ulur tensionet.
Ai tha: “Nuk është problem çështja ‘të rinj’ dhe ‘të vjetër’! Të rinjtë, me dinamizmin dhe gjallërinë e tyre, bëjnë mirë që na shkundin ne, të vjetërve… Por unë jam i bindur se ju, shokë të rinj … nuk do të ecni kurrë në rrugë të gabuar…! Unë kam lexuar disa vjersha të Ismail Kadaresë. Kam lexuar, p.sh., atë që ai i ka kushtuar kalasë së Gjirokastrës, (‘Princeshës Argjiro’), dhe mua më ka pëlqyer… Mendimi im personal është se gjersa vjershat tuaja të kenë përmbajtje marksiste, me të vërtetë patriotike, mobilizuese, edukative dhe formë të bukur, tërheqëse, të qartë, ato s’kanë sepse të mos pëlqehen…! Afirmohuni me vargun tuaj dhe në rast se ju do populli, ai varg është i mirë.”
Kështu, Hoxha zgjodhi një rrugë të mesme, duke këshilluar të vjetrit të mos ishin përjashtues dhe të rinjtë të ruanin përmbajtjen ideologjike “të saktë”.
“Në këtë mënyrë ai “kërkonte unitet”, – vë në dukje Fatos Arapi në librin e tij “Kur kujtohem që jam”.
Në thelb, ky takim përfaqësonte një nga përplasjet më të rëndësishme kulturore të epokës komuniste në Shqipëri, ku për herë të parë poetët e rinj guxuan të mbronin artin si formë të re shprehjeje përtej klisheve ideologjike, duke i dhënë një tjetër ritëm zhvillimit të letërsisë moderne shqiptare./KultPlus.com
Kapiten Shkëlqim Raci, një oficer i dalluar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka përfunduar me sukses Kursin e Karrierës së Kapitenit për Logjistikë në Universitetin e Mbështetjes së Ushtrisë (Army Sustainment University) në Fort Lee, Virxhinia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë kuadër, ai është nderuar me çmimin prestigjioz “Distinguished International Honor Graduate”, çmim që jepet vetëm për studentët ndërkombëtarë që kanë arritur performancë të jashtëzakonshme akademike dhe profesionale gjatë trajnimit,transmeton KultPlus.
Ky sukses i Kapiten Racit është një dëshmi e qartë e përkushtimit, profesionalizmit dhe standardeve të larta që përfaqësojnë pjesëtarët e FSK-së në arenën ndërkombëtare. Ai ka bërë krenar jo vetëm institucionin që përfaqëson, por edhe vendin, duke kontribuar në forcimin e mëtejshëm të imazhit të Kosovës në botë.
Ky është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së dhe forcimin e partneriteteve ndërkombëtare të Kosovës./KultPlus.com
Me hapjen e sezonit të verës dhe ditëve të gjata në plazh, leximi mbetet një nga aktivitetet më të preferuara. Por, përtej argëtimit, kjo periudhë është një mundësi e artë për të thelluar njohuritë dhe ndërgjegjësimin mbi çështje të rëndësishme sociale, përcjellë KultPlus.
‘Vogue’ ka përzgjedhur një listë të librave feministë më të mirë ndër vite, me ndihmën e autoreve që vazhdojnë të frymëzojnë dhe edukojnë për temat e gjinisë, identitetit dhe pushtetit. Këto libra nuk janë vetëm lexime të këndshme, por edhe mjete thelbësore për reflektim dhe ndryshim. Where the Girls Are: Growing Up Female With the Mass Media – Susan J. Douglas (1994)
Girl, Woman, Other – Bernardine Evaristo (2019)
Hunger: A Memoir of (My) Body – Roxane Gay (2017)
Wages Against Housework – Silvia Federici (1975)
Corregidora – Gayl Jones (1975)
Immaculate Conception – Ling Ling Huang (2025)
Love Is an Ex-Country – Randa Jarrar (2021)
Hood Feminism: Notes From the Women That a Movement Forgot – Mikki Kendall (2020)
The Cancer Journals – Audre Lorde (1980)
The Group – Mary McCarthy (1963)
Miss Major Speaks – Toshio Meronek dhe Miss Major Griffin-Gracy (2023)
The Argonauts – Maggie Nelson (2016)
SCUM Manifesto – Valerie Solanas (1967)
Ndërsa nxiheni nën rrezet e diellit, pse të mos kombinoni pushimet me një udhëtim intelektual drejt njohjes së mëtejshme feministe?/KultPlus.com
Një vit të plotë para publikimit të filmit epik të Christopher Nolan, Odisea, biletat dolën në shitje për të parë filmin të Universal. Versioni i Nolan mbi mitin klasik grek, me protagonist Matt Damon si heroi i përjetshëm Odiseu, po xhirohet tërësisht me kamera filmi Imax, hera e parë për një film komercial.
Imax njoftoi zyrtarisht ofertën speciale në rrjetet e saj sociale në mesnatë të së enjtes. Brenda një ore, 95 përqind e vendeve u shiten, sipas burimeve të ekspozitës, duke paraqitur rreth 1.5 milion dollarë shitje, pavarësisht një numri relativisht të vogël vendesh, transmeton KultPlus
Sipas të gjitha gjasave, është hera e parë në histori që biletat dalin në shitje një vit para premierës së një filmi. Titulli është një vazhdim i filmit të Nolan, fitues i çmimit Oscar, “Oppenheimer” , i cili pati sukses të madh në kinematë Imax.
Aktualisht, në SHBA ka afërsisht 16 vende Imax që janë pjesë e ofertës. Biletat për shfaqjet e fundjavës dhe të parapara të 17-19 korrikut janë shitur plotësisht në AMC Lincoln Square 13 në New York City, Universal Cinema AMC në CityWalk Hollywood dhe Regal Irvine Spectrum në Orange County. Diku tjetër në Kaliforni, ndenjëset 77 mm janë pothuajse të zhdukura në vendet Imax në San Francisco, Dublin dhe Ontario.
Diku tjetër në të gjithë vendin, kinema të tjera Imax me bileta të shitura plotësisht janë në Fort Lauderdale, Florida; Buford, Georgia; Indianapolis, Indiana; Grand Rapids, Michigan; King of Prussia, Pennsylvania; dhe Dallas, Teksas./KultPlus.com
Më 18 korrik të vitit 1932, Harry Fultz u largua nga Shqipëria.
Drejtori i shkollës teknike amerikane, Harry Fultz, e la Tiranën pas vendimit të mbretit Zog për shtetëzimin e arsimit. Kjo ishte një masë e ndërmarrë nga mbreti, për të parandaluar përpjekjet italiane për shtrirjen e ndikimit në vend. Fultz u nis nga porti i Durrësit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke lënë postin e drejtorit të shkollës teknike, që e mbante që prej vitit 1922.
“Harry Fultz” u krijua në vitin 1921 me fonde të Kryqit të Kuq amerikan. Pas Luftës së Dytë Botërore, Fultz do të rikthehej në Tiranë si zëvendësshef i misionit diplomatik amerikan, për t’u dëbuar më pas nga qeveria komuniste në vitin 1946, si person i padëshiruar.
Në vitin 1948, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës e cilësonte “të papërshtatshëm” emërtimin “Instituti Teknik i Tiranës” për këtë shkollë profesionale të gradës së mesme. Për këtë arsye, ministria pat vendosur që instituti të quhej në vazhdim “Politeknikumi i Tiranës”./atsh/KultPlus.com
Filmi “Franz” është një projekt filmik, biografik, që po tërheq vëmendje të madhe në botën e kinemasë, i drejtuar nga regjisorja e njohur Agnieszka Holland.
Holland është e famshme për punën e saj në filma të nominuar për çmimin Oscar si “Angry Harvest,” “Europa Europa” dhe “In Darkness.” Skenari i filmit është shkruar nga vetë Holland në bashkëpunim me Marek Epstein, duke u bazuar në një histori të zhvilluar nga Epstein dhe producenti Mike Downey.
Në qendër të këtij filmi është jeta e shkrimtarit legjendar Franz Kafka, i cili do të portretizohet nga aktori Idan Weiss. “Franz” do të ndjekë historinë e shkrimtarit, nga vitet e tij të adoleshencës në qytetin e Pragës, vendlindjen e tij, e deri te vdekja e tij e parakohshme në vitin 1924. Filmi synon të ofrojë një portret intim dhe të detajuar të sfidave personale, krijuese dhe shëndetësore që Kafka përjetoi gjatë jetës së tij, përcjellë KultPlus.
Xhirimet kryesore filluan më 12 prill 2024 në Pragë, qyteti ku Kafka ka kaluar pjesën më të madhe të jetës, duke i dhënë filmit një autenticitet të veçantë. Më pas, produksioni u zhvendos në Berlin në fund të majit, duke pasuruar kështu ambientet ku rrëfimi i jetës së Kafkës merr formë.
Pas përfundimit të fazës së post-produksionit, regjisorja Agnieszka Holland shprehu entuziazmin e saj për rezultatin final të filmit. “Franz” pritet të ketë premierën e tij botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto, në shtator të vitit 2025, në seksionin Special Presentation, ku do të prezantohet para një audience ndërkombëtare dhe kritikëve të filmit.
Ky film është një përpjekje për të sjellë më pranë publikut historinë e një prej shkrimtarëve më influencues të shekullit të 20-të, duke theksuar përtej veprave të tij letrare edhe dimensionet njerëzore të jetës së tij./KultPlus.com
Në këtë ditë përkujtohet fillimi i karrierës së Elvis Presley-t, një prej yjeve më të mëdhenj të muzikës që ndryshoi përgjithmonë historinë e rock’n’roll-it dhe kulturës muzikore globale.
Elvis Aaron Presley lindi më 8 janar 1935 në një shtëpi me dy dhoma në Tupelo, Mississippi, nga prindërit Vernon dhe Gladys Presley. Në vitin 1948, familja u shpërngul në Memphis, Tennessee, ku Elvisi përfundoi shkollën e mesme në Humes High School në vitin 1953.
Ndikimet muzikore të Elvisit përfshinin muzikën pop dhe country të asaj kohe, muzikën ungjillore që dëgjonte në kishë dhe në netët e gjata të këndimeve fetare, si dhe ritmet e R&B-së afroamerikane që i përthithi në Beale Street historike, gjatë adoleshencës në Memphis.
Në vitin 1953, Elvisi nisi karrierën e tij muzikore në studiot legjendare të Sun Records në Memphis. Në fund të vitit 1955, kontrata e tij diskografike u ble nga RCA Victor. Deri në vitin 1956, ai ishte bërë një sensacion ndërkombëtar. Me një stil unik që bashkonte ndikime të ndryshme muzikore dhe që sfidonte barrierat racore e shoqërore të kohës, Elvis Presley hapi një epokë të re në muzikën dhe kulturën popullore amerikane.
Data e 18 korrikut shënon edhe lindjen e Elvisit, si ikonë muzikore. Më 18 korrik 1953, Elvis Presley shkoi për herë të parë në Memphis Recording Service, pjesë e kompanisë Sun Record, sot e njohur si Sun Studio. Ai pagoi 3.98 dollarë për të regjistruar dy këngët e para demo: “My Happiness” dhe “That’s When Your Heartaches Begin”. Kjo ditë shënon fillimin simbolik të karrierës muzikore të mbretit të rock’n’roll-it dhe kujtohet si një moment historik në muzikën moderne, përcjellë KultPlus.
Elvis Presley, shpesh i quajtur “Mbreti i Rock ‘n’ Roll-it”, nuk ishte thjesht një këngëtar, ai u shndërrua në një ikonë globale që tronditi skenën muzikore botërore dhe ndikoi thellësisht në kulturën popullore të shekullit XX. Me zërin e tij të veçantë, stilin karizmatik dhe performancat e zjarrta, Elvis arriti të krijojë një urë të rrallë mes muzikës pop, country, blues dhe R&B, duke thyer kufijtë tradicionalë të zhanreve dhe duke i dhënë zë një brezi të tërë në kërkim të ndryshimit.
Këngë të paharrueshme si “Heartbreak Hotel”,”Hound Dog”, “Jailhouse Rock”, dhe “Can’t Help Falling in Love” mbeten sot ndër himnet e muzikës moderne. Performancat e tij televizive dhe kinematografike tronditën normat kulturore të asaj kohe dhe e shndërruan Elvisin në një fenomen ndërkombëtar.
Në kulmin e karrierës së tij, Elvis nuk ishte thjesht një artist me shitje rekorde, ai ishte një simbol i emancipimit rinor, një shpirt rebel dhe një figurë që ndryshoi përjetë mënyrën se si muzika dhe fama perceptoheshin. Ai mbetet një nga artistët më të shitur të të gjitha kohërave, me mbi një miliardë disqe të shpërndara në mbarë botën, dhe ndikimi i tij ndjehet ende sot në skenën muzikore globale./KultPlus.com
Margaret Atwood, një nga shkrimtaret më me ndikim të shekujve XX dhe XXI, ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme që përfshin më shumë se gjashtë dekada. E lindur më 18 nëntor 1939 në Otava të Kanadasë, ajo është autore romanesh, poezish, esesh dhe një zë i fuqishëm në çështje të të drejtave të njeriut dhe ambientit.
Romani i saj më i njohur, The Handmaid’s Tale (1985), ka lënë gjurmë të thella në letërsinë botërore dhe në diskursin shoqëror për të drejtat e grave. Historia e shërbëtores në një shoqëri totalitare, ku gratë janë kthyer në mjete riprodhimi, mbetet një metaforë e fuqishme për kontrollin dhe shtypjen. Ky roman ka marrë statusin e një vepre kulturore, është përkthyer në mbi 40 gjuhë dhe është adaptuar në serial televiziv të suksesshëm,përcjellë KultPlus
Përveç këtij romani, Atwood ka shkruar edhe vepra të tjera të rëndësishme si The Testaments (fituese e Booker Prize në 2019), The Blind Assassin (fituese e Booker Prize në 2000), Oryx and Crake, Alias Grace, dhe shumë të tjera. Ajo është gjithashtu një poete e vlerësuar, me poezi që shpërfaqin thellësinë emocionale, ndjeshmërinë femërore dhe shqetësimet ekzistenciale.
Veprat e Atwood karakterizohen nga ironia e mprehtë, stili poetik dhe trajtimi i temave si autoritarizmi, ndryshimet klimatike, pabarazia gjinore dhe e drejta për të menduar ndryshe. Ajo nuk shkruan për të parashikuar të ardhmen, por për të reflektuar mbi të tashmen në mënyrë të ekzagjeruar, për të na kujtuar se rreziqet më të mëdha shpesh nisin nga indiferenca.
E pranishme në debatet publike dhe mediat sociale, Margaret Atwood është bërë një ikonë e mendimit kritik global. Në një kohë kur e vërteta dhe trillimi shpesh ndërthuren, ajo na rikujton se letërsia është jo vetëm art, por edhe një mjet për të mbijetuar dhe për të mos heshtur./KultPlus.com