“Nata Kulturore Epidamn”, performancë artistike në Kullën Veneciane
TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Aktiviteti “Nata Kulturore Epidamn” e shndërroi Kullën (Torra) Veneciane të Durrësit në një hapësirë ku historia dhe arti u bënë bashkë.
“Nata Kulturore Epidamn” i ftoi vizitorët, përfshirë përfaqësues nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, UNOPS, Bashkia Durrës dhe Qendra Muzeore e Durrësit, të përjetonin trashëgiminë e qytetit në një mënyrë unike dhe kreative.
Rreth 50 qytetarë ndoqën nga afër projeksionet historike në muret e kullës, artin quilling që rindërtoi Kullën fije pas fije, “Kronikat e Kullës” që i dhanë zë legjendave të qytetit nën tingujt e violonçelit dhe një performancë muzikore që vuri në dialog këngën tradicionale isopolifonike me instrumentet bashkëkohore.
Gjatë aktivitetit performuan: Emily Spahiu – solo violonçeli; Donald Llaperi – quilling live; Erdit Asllanaj – Equilibrium”; “Kronikat e Kullës” nga Alesio Hysenaj, Gjergj Doçi, Marsel Rupi, Romir Llukaçi.
Performanca “Kronikat e Kullës” ishte ajo që mbylli natën me një udhëtim teatror që lidh zërat e së kaluarës me të tashmen.
Ky aktivitet, i organizuar nga organizata Durrësi Aktiv, u mbështet përmes programit të granteve të EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
/r.e/
The post “Nata Kulturore Epidamn”, performancë artistike në Kullën Veneciane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.