SEUL, 12 gusht /ATSH/- Ushtria e Koresë së Jugut është tkurrur në rreth 450 000 ushtarë – një rënie prej 20% gjatë gjashtë viteve të fundit, sipas një raporti të Ministrisë së Mbrojtjes, raportoi BBC.
Autoritetet thonë se arsyeja kryesore e rënies është shkalla e mjerueshme e lindjeve në vend, e cila është më e ulëta në botë.
Koreja e Jugut e ka shërbimin ushtarak të detyrueshëm, kryesisht pasi vendi është ende teknikisht në luftë me fqinjën e saj të armatosur, Korenë e Veriut.
Një studim i publikuar nga studiuesit e Koresë së Jugut në korrik tha se vendi do të kishte nevojë për të paktën 500 000 ushtarë për t’u mbrojtur nga një sulm i Koresë së Veriut, e cila besohet se ka 1,3 milion anëtarë ushtarakë aktivë.
“Dallimi në madhësitë ushtarake e vendos Korenë e Jugut në një pozicion të vështirë strukturor për të patur sukses në mbrojtje”, tha studimi.
Gjithashtu, Koreja e Jugut ka nevojë për veprime vendimtare në nivel kombëtar për të mbajtur të paktën 500 000 trupa.
“Numri i divizioneve në ushtrinë e Koresë së Jugut ka rënë nga 59 në 42 që nga viti 2006 – me njësi që janë shpërbërë ose janë bashkuar me njëra-tjetrën”, sipas raportit të Ministrisë së Mbrojtjes – i bërë public nga ligjvënësja e Partisë Demokratike, Choo Mi.
Koreja e Jugut ka rritur buxhetin e saj të mbrojtjes në përgjigje të tensioneve gjeopolitike në rritje në rajon.
Buxheti i saj i mbrojtjes për vitin 2025 është më shumë se 60 trilionë won (43 miliardë dollar) – më shumë se PBB-ja e Koresë së Veriut.
Në Korenë e Jugut, të gjithë burrat e aftë për punë duhet të shërbejnë 18 muaj shërbim ushtarak, megjithëse bëhen përjashtime të rralla.
Vendi e ka thyer vazhdimisht rekordin për shkallën më të ulët të lindjeve në botë.
Nëse ky trend vazhdon, ekspertët paralajmërojnë se popullsia e vendit prej 50 milionë banorësh mund të përgjysmohet brenda 60 vjetësh. //a.i/
The post SEUL – Ushtria e Koresë së Jugut reduktohet me 20% për shkak të lindshmërisë së ulët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.