Formacioni me lojtarët më të përdorur në epokën e trajnerit Silvinjo, ja disa nga emrat më të besuar
Formacioni me lojtarët që kanë luajtur më shumë ndeshje në epokën e trajnerit Silvinjo do të kishte në përbërje disa nga emrat më të besuar të tij. Elseid Hysaj, me 16 ndeshje, vijon të ruajë vendin si titullar në krahun e djathtë, edhe pse herë pas here ka pasur konkurrencë me Ivan Balliun. Megjithëse forma e tij ka pasur luhatje, eksperienca dhe komunikimi i Hysajt me pjesën tjetër të prapavijës janë treguar vendimtare. Ai është lojtari i dytë më i aktivizuar në historinë e kombëtares pas Lorik Canës, një fakt që nuk është aspak rastësor.
Në qendër të mbrojtjes, Ardian Ismajli ka qenë titullar në 14 ndeshje, duke fituar gjithnjë e më shumë besimin e trajnerit. Edhe pse mbrojtës të tjerë si Kumbulla apo Ajeti kanë pasur hapësira, Berat Gjimshiti mbetet ndër lojtarët më të rëndësishëm, me 16 ndeshje të luajtura nën drejtimin e Silvinjos. Në krahun e majtë, Mario Mitaj është padyshim zbulimi më i qëndrueshëm i epokës Silvinjo, me 23 ndeshje të gjitha si titullar. Mitaj ka spikatur me qetësinë në vendosje, lojën moderne dhe angazhimin e tij edhe në ndihmë të sulmit, duke qenë shembulli i lojtarit që trajneri kërkon në futbollin europian të sotëm.
Në mesfushë, Kristjan Asllani është padyshim pika më e fortë, me 26 ndeshje të luajtura – më shumë se çdo lojtar tjetër gjatë kësaj periudhe. Ai është një mesfushor modern, që rritet nga ndeshja në ndeshje. Ylber Ramadani, me 22 ndeshje, është lojtari që bën punën e vështirë pa shumë zhurmë dhe ka qenë për një kohë të gjatë partneri i Asllanit në qendër. Edhe pse në muajt e fundit ka humbur disi terren, Ramadani mbetet një zgjedhje e rëndësishme për trajnerin, sidomos në ndeshjet ku kombëtarja duhet të mbrohet fort. Në krahun tjetër, Qazim Laçi ka rikuperuar vendin e tij në ekip, me 20 ndeshje, duke u bërë titullar në 8 ndeshjet e fundit dhe duke dhënë ekuilibër, presion të lartë dhe kontribut me gola në rolin e mesfushorit të avancuar.
Në sulm, Jasir Asani është një tjetër lojtar i pazëvendësueshëm, pasi i ka luajtur të gjitha ndeshjet si titullar me Silvinjon. Ai ka sjellë risi dhe cilësi në repartin ofensiv. Nga sulmuesit, Taulant Seferi, me 16 ndeshje, është lojtari më i përdorur nga trajneri, edhe pse kryesisht ka luajtur në krah dhe jo në qendër të sulmit. Në qendër, pozicioni ka qenë i alternuar mes Brojës dhe Dakut në varësi të formës dhe disponueshmërisë së tyre.
The post Formacioni me lojtarët më të përdorur në epokën e trajnerit Silvinjo, ja disa nga emrat më të besuar appeared first on Sot News | Lajme.