Mashtrimet me Call Center, SPAK dhe autoritetet gjermane godasin grupin kriminal: 6 të arrestuar në Shqipëri
TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me autoritetet gjermane kanë goditur një grup kriminal të mashtrimit të shtetasve gjermanë nëpërmjet Call Center-ave.
Në një konferencë të përbashkët për mediet sot me autoritetet gjermane, prokurori i SPAK, Eneid Nakuçi theksoi se janë arrestuar gjashtë persona që gjendeshin në Shqipëri, ndërsa dy të tjerë janë ende në kërkim.
“Në kuadër të këtij operacioni ndërkombëtar në 18 prill të vitit që kaloi nga ana e SPAK është ushtruar kontroll në ambientet e një Call Center-i të paligjshëm në Shqipëri, ku u gjetën dhe u sekuestruan prova materiale të dyshuara të shumta digjitale, por edhe dokumentare. Në kushtet kur kishim të bënim me dy hetime paralele u dërguan për një analizë më të thelluar pranë autoriteteve gjermane. Në përgjigje nga ana e autoriteteve gjermane u dërgua analiza e plotë e këtyre provave digjitale, të cilat të analizuara në harmoni me provat materiale të sekuestruara në Shqipëri çuan në rezultatin e qartë të ekzistencës së një grupi të struktura kriminal me qëllim mashtrimin e shtetasve gjermanë dhe jo vetëm, nëpërmjet qendrës së thirrjes së Call Center-ave të paregjistruar si biznes në organet tatimore.
“Gjykata ka vendosur caktimin e masave “arrest me burg” për pesë shtetas dhe për tre të tjerë masën “arrest me shtëpi”. Gjatë mëngjesit të ditës së sotme është bërë i mundur ekzekutimi i masave të sigurimit për të gjithë personat që gjendeshin në Shqipëri dhe vijon puna për kapjen e dy shtetasve të tjerë që nuk ndodheshin në Shqipëri”, tha Nakuçi.
Sipas Nakuçit, vlera e dëmit të shkaktuar është mbi 363 mijë euro.
Nga ana tjetër, oficeri i policisë gjermane Oliver Hofman, drejtues i operacionit “Pandora”, tha se “kjo ditë është një ditë shumë e rëndësishme dhe një piketë e rëndësishme në bashkëpunimin tonë dhe luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe sidomos kundër skemave profesionale të mashtrimit”.
Sipas Hofman operacioni nisi në dhjetor të vitit 2023.
“Ne filluam të përgjonim mbi 20 telefonata mashtruese dhe krijuam një qendër thirrje, me qëllim që këto telefonata mashtruese të arrinin të kapeshin në kohë reale duke arritur të shmangnim humbjet financiare. Ne zhvilluam edhe hetime shumë komplekse në fushën e krimit kompjuterik me qëllim që të lokalizonim qendrat e thirrjeve dhe autorët e këtyre thirrjeve në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Serbi dhe Liban”, tha Hofman.
Hofman nënvizoi se “qëllimi ynë ishte goditja e plotë e kësaj organizate kriminale të madhe”.
“Ky operacion ka çuar në goditjen e 12 qendrave thirrjesh ndërkombëtare dhe në arrestime të shumta, ndërkohë janë dhënë edhe dënimet e para, ndër ta edhe organizatori i infrastrukturës kryesore në Gjermani”, tha Hofman.
Hofman vlerësoi bashkëpunimin me autoritetet ndërkombëtare.
“Kemi punuar për një vit e gjysmë dhe kemi pasur bashkëpunim me shumë institucione ndërkombëtare si dhe me SPAK dhe Policinë e Shtetit. Ky bashkëpunim ishte jashtëzakonisht domethënës për suksesin që arritëm sot”, tha Hofman.
Sipas Hofman, grupi kriminal vepronte nga Tirana.
“Janë identifikuar 5 persona meshkuj dhe një femër, të moshës 21 – 36 vjeç. Sot u bë e mundur të arrestoheshin 6 persona dhe patëm mundësinë ta mbështesim këtë operacion në terren”, tha Hofman.
Hofman nënvizoi se “ky sukses thekson fuqinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe angazhimin tonë të përbashkët për drejtësi”.
“Ai dërgon një mesazh të qartë për të gjitha grupet kriminale që veprojnë dhe ky është: Kufijtë nuk do të ndalojnë që në të ushtrojmë ndjekjen penale dhe të mbrojmë njerëzit nga veprat kriminale. Do të doja të përmendja e edhe mbështetjen financiare shumë të rëndësishme nëpërmjet fondit ndërkombëtar të sigurisë të BE-së, sepse ishin vendimtare për të kryer këtë hetim”, tha Hofman.
/m.q/r.e/
The post Mashtrimet me Call Center, SPAK dhe autoritetet gjermane godasin grupin kriminal: 6 të arrestuar në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.