Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 July 2025Main stream

Raporti/ Detyrimet e prapambetura të Bashkive arritën 33 mln euro në 2024

By: V K
21 July 2025 at 07:37

Deri më 20 Korrik 2025, është afati i fundit për bashkitë me probleme financiare dhe për ato me detyrime të prapambetura, të kenë përfunduar hartimin e planit të shlyerjes së borxheve.

Ministri i Financave Petrit Malaj, më herët u kërkoi bashkive që planin e rehabilitimit financiar, pasi ta kenë miratuar në këshillat bashkiak ta paraqesin pranë ministrisë.

Plani duhet të sigurojë ecurinë e shlyerjeve të borxheve brenda 12 muajve.

Në total për 2024, niveli i detyrimeve të prapambetura për 61 bashkitë në rang vendi ka arritur në vlerën e rreth 3,2 mld lekëve apo rreth 33 mln euro sipas të dhënave të publikuara në raportin “Qeverisja vendore në Shqipëri- Raport mbi situatën 2024” të Institutit për Bashkitë të Shqipërisë.

Krahasuar me 2023, detyrimet e prapambetura të krijuara nga pushtetit vendor, kanë zbritur në vlerën e 1,5 miliardë lekëve apo 32,8% më pak.

Por pavarësisht tendencës rënëse të totalit të vlerës së detyrimeve të prapambetura, ecuria me shlyerjen e tyre për secilën bashki paraqitet mikse.

Në 2024 nga të dhënat e raportit evidentohet se 14 bashki, kanë shtuar vlerën e detyrimeve të prapambetura, ndërsa 3 bashki si ajo e Këlcyrës, Patosit dhe Mallkastrës nuk kanë krijuar detyrime të prapambetura të reja në 2024.

Po ashtu në 2024, sipas raportit 4 bashki në rang vendi paraqiten në vështirësi financiare, si bashkitë: Kavajë, Vorë, Cërrik, Dimal.

Sipas ligjit “Për financat vendore” nëse niveli i detyrimeve të prapambetura është më i lartë se 25% e shpenzimeve që bashkitë, kanë bërë me burimet e veta ato konsiderohen në vështirësi financiare.

Nga totali i shpenzimeve që Bashkia Kavajë ka bërë në 2024 me burimet e veta, rreth 59% e tyre janë me borxhe të papaguara. Në Vorë shpenzimet me borxhe zenë 40%, në Dimal rreth 33% dhe në Cërrik rreth 37%.

Por pavarësisht se vlerat relative të detyrimeve të prapambetura për këto bashki, janë poshtë nivelit prej 80% të kufirit ligjor të jeluar në raport rekomandohet se këto Bashki, duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha si në kahun e të ardhurave dhe në atë të shpenzimeve, për të ulur më tej këtë nivel të lartë detyrimesh përgjatë vitit 2024 e në vijim.

Ndërsa për dy bashkitë Kavajë dhe Vorë që paraqiten në situatën e vështirësisë serioze financiare, raporti i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë thotë se sipas ligjit “Për financat vendore” hapat që parashikohen për të mundësuar daljen nga vështirësitë janë:

“Ministria e Financave, me marrjen e njoftimit nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose kur e konstaton vetë, i propozon Këshillit të Ministrave masat për daljen nga situata e vështirësisë serioze financiare.

Në këtë rast, Këshilli i Ministrave vendos:

a) të japë mbështetje financiare në formën e ndihmës apo huas, duke përcaktuar edhe planin për daljen e njësisë së vetëqeverisjes vendore nga situata e vështirësisë serioze financiare, si dhe planin e kthimit të shumës së dhënë;

b) të mandatojë Ministrinë e Financave për të negociuar ristrukturimin e borxheve dhe të detyrimeve të papaguara;

c) të shpallë njësinë e vetëqeverisjes vendore në mbikëqyrje financiare dhe të autorizojë Ministrinë e Financave si mbikëqyrës financiar të saj, duke respektuar rigorozisht këto kushte: i) njësia e vetëqeverisjes vendore nuk mund të marrë asnjë vendim që mund të çojë në shtimin e detyrimeve të saj financiare; ii) njësia e vetëqeverisjes vendore nuk mund të vendosë shërbime të reja publike, të themelojë sipërmarrje publike apo çdo institucion tjetër; iii) njësia e vetëqeverisjes vendore nuk mund të shlyejë asnjë detyrim financiar, të krijuar para shpalljes së rastit të vështirësisë financiare, përveç detyrimeve të përcaktuara shprehimisht në planin e rehabilitimit financiar”, citohet në raport.

Nga Kavaja, Tirana deri te Pogradeci 10 bashkitë mbajtëse kryesore të borxhit

10 bashkitë kryesuese me borxhin më të madh, si përqindje e totalit të detyrimeve të prapambetura janë e Kavajës dhe Tiranës pasuar nga Pogradeci, Vora, Rrogozhina, Dimali, Dibra, Cërriku, Peqini dhe Mati.

Pesha e borxhit të Bashkisë së Kavajës kundrejt totalit është 23%, e Tiranës 18%. Më pas e ndjekur nga Bashkia e Pogradecit me peshë 7,5% kundrejt totalit, Vora (4,8%), Rrogozhina (5%), Dimali (4,5%), Dibra (4%), Cërriku (3,6%), Peqini (2,5%) dhe Mati (2,4%).

Në 2024, konstatohet se 14 prej 61 bashkive e kanë shtuar vlerën e detyrimeve të prapambetura në raport me vitin paraardhës.

Spikasin Bashkia Rrogozhinë (+83.1 milionë lekë apo rreth 107% më shumë se 2023), Bashkia Mat (+49.3 milionë lekë apo 189% më shumë se në 2023) dhe Bashkia Berat (+47.6 milionë lekë apo 257% më shumë se 2023).

Nga ana tjetër, vërehet një ecuri pozitive në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nga Bashkia Durrës (-266.8 milionë lekë apo 85,6% më pak se në 2023), Bashkia Tiranë (-217.7 milionë lekë apo 28% më pak se në 2023), Bashkia Vorë (-209.5 milionë lekë apo 58% më pak se në 2023), Bashkia Lezhë (-119 milionë lekë apo 70% më pak se në 2023) dhe Bashkia Elbasan (-107.5 milionë lekë apo 87% më pak se nga 2023).

Ndërsa Bashkia Këlcyrë dhe Bashkia Patos, për të katërtin vit rradhazi nuk krijojnë asnjë detyrim të prapambetur ndaj palëve të treta.

Pjesa më e madhe e detyrimeve të pashlyera janë për energjinë

Pjesa më e madhe e detyrimeve të pashlyera nga 61 bashkitë në rang vendi për 2024 rezulton se është për zërin e shpenzimeve “Të tjera” ku pjesën dërrmuese e zënë detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike të njësive të qeverisjes vendore ndaj OSHEE sh.a..

Për zërin “Të tjera” detyrimet e parapambetura zëne një total prej 1.05 mld lekë, apo rreth 33% të totalit të borxheve.

Detyrimet ndaj palëve të treta për projekte të investimeve publike (933 mln lekë) vijojnë të kenë një peshë prej 29,2% në totalin e detyrimeve të prapambetura në këtë periudhë.

Ndërkohë që detyrimet që burojnë nga shërbimet e kryera nga palë të treta, kapin vlerën e 527 mln lekë si dhe për vendime gjyqësore 316 mln lekë apo 10% të totalit të borxhit. / Monitor

 

The post Raporti/ Detyrimet e prapambetura të Bashkive arritën 33 mln euro në 2024 appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

By: V K
21 July 2025 at 07:29

Sot, më 21 korrik 2025, dollari amerikan, blihet me 83 lekë dhe shitet me 84.2 lekë.

Euro, blihet me 97 lekë dhe shitet 97.8 lekë.

Franga zvicerane, këmbehet në blerje me 103.6 lekë, ndërsa në shitje me 104.8 lekë.

Paundi britanik, blihet me 111.4 lekë dhe shitet me 112.8 lekë.

Dollari kanadez, sot në blerje këmbehet me 60.5 lekë, ndërsa në shitje me 62 lekë.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

 

The post Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

Parashikimi i motit 21 Korrik 2025, temperatura deri në 41°C

By: V K
21 July 2025 at 07:24

Ditën e sotme vendi ynë, do të mbetet nën ndikimin e motit të kthjellët dhe të nxehtë deri pas mesdite, kur priten kalime vranësirash nëpër territor.

Më të theksuara vranësirat do të jenë në zonat malore Lindore, megjithatë nuk priten reshje.

Parashikohet që pasditja dhe nata të vijojnë nën dominimin e kthjellimeve, vranësirave dhe lagështirës së lartë në ajër.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë sërisht ritje në të dy vlerat ekstremale ditore, duke u luhatur nga 13°C vlera minimale deri në 41°C maksimalja në rang territori.

Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 30 km/h nga drejtimi Veriperëndimor, kjo do të bëjë që në brigjet detare të krijohet dallgëzim 1-2 ballë.

The post Parashikimi i motit 21 Korrik 2025, temperatura deri në 41°C appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 20 July 2025Main stream

Papa Leone thirrje për paqe në Lindjen e Mesme: Jepini fund barbarisë së luftës në Gaza

By: V K
20 July 2025 at 15:59

Ditë e sotme, pas lutjes së Engjëllit, Papa Leo XIV, në një mesazh të fuqishëm përsëriti thirrjen e tij për t’i dhënë fund “barbarisë së luftës” në Gaza, ndërsa shprehu dhimbjen e thellë për sulmin izraelit ndaj kishës së vetme katolike në Gaza, ku humbën jetën tre civilë të pafajshëm.

Ati i Shenjtë lexoi me zë të lartë emrat e viktimave të sulmit të ndodhur të enjten – Saad Issa Kostandi Salameh, Foumia Issa Latif Ayyad dhe Najwa Ibrahim Latif Abu Daoud – duke theksuar se; “pas çdo viktime qëndron një histori dhe një familje që nuk duhet harruar”.

Papa i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të respektojë ligjin humanitar, të mbrojë civilët dhe të ndalojë ndëshkimin kolektiv, përdorimin pa dallim të forcës dhe zhvendosjen me dhunë të popullsive.

The post Papa Leone thirrje për paqe në Lindjen e Mesme: Jepini fund barbarisë së luftës në Gaza appeared first on Albeu.com.

Aksioni për lirimin e hapësirave/ Rama ndan pamjet nga Tirana: Çlirim i madh jo vetëm për këmbësorët, por ka ende ngrehina që rezistojnë, do ikin bashkë me… (VIDEO)

By: V K
20 July 2025 at 15:37

Aksioni vijon në të gjithë vendin për lirimin e hapësirave publike, të zëna nga ndërtime pa leje, sidomos nga lokalet që kanë nxjerrë çadra dhe tavolina.

kreu i shtetit Edi Rama, ka publikuar një tjetër video në rrjetet sociale nga lirimi i hapësirave publike në kryeqytet, ku shkruan se aksioni ka prodhuar çlirim për këmbësorët.

Postimi i Ramës:

“Çlirim i madh jo vetëm për komunitetin e për këmbësorët, po edhe për ata që ulen nëpër tavolinat jashtë dhe marrin frymë lirisht, jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave, çka e rrit patjetër edhe cilësinë e shërbimit.

Ndërkohë ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të tëra do ikin po do ikin bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptuar”, shkruan kryeministri.

The post Aksioni për lirimin e hapësirave/ Rama ndan pamjet nga Tirana: Çlirim i madh jo vetëm për këmbësorët, por ka ende ngrehina që rezistojnë, do ikin bashkë me… (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Rikthim i bujshëm në Itali? Etrit Berisha ndez zërat e merkatos: Kemi filluar të flasim

By: V K
20 July 2025 at 14:56

Haken eliminoi Spartak Trnavën në turin e parë të Ligës së Europës. Në fokus u kthye e ardhmja e Etrit Berishës, që po bën mjaft mirë te suedezët.

Portieri shqiptar, ka zbuluar më parë klauzolën, që e lejon të largohet nga Haken këtë verë. Për më të tepër, që për Berishën ka interes nga Italia.

“Asgjë nuk është e sigurt ende, do të shohim çfarë ndodh. Siç thashë, kemi filluar të flasim, kemi edhe pak kohë deri në fund të korrikut dhe pastaj do të shohim. Ka pasur disa kontakte në Itali, por është agjenti im që merret. Për mua është e rëndësishme të përqendrohem këtu dhe atë që ndodh në të ardhmen do ta shohim”.

Në anën tjetër, drejtori Martin Erikson, ka shprehur dëshirën për të zgjatur më tepër kontratën që përfundon në fundin e këtij viti.

“Ne do të dëshironim shumë që ai të qëndronte më gjatë sesa deri në fund të sezonit. Kemi pasur bisedime me të për këtë”, u shpreh drejtori Erikson së fundmi.

The post Rikthim i bujshëm në Itali? Etrit Berisha ndez zërat e merkatos: Kemi filluar të flasim appeared first on Albeu.com.

Ruajtja e ushqimeve në mënyrë të sigurt, ja në çfarë temperature duhet ta vendosim frigoriferin gjatë verës

By: V K
20 July 2025 at 14:48

Në stinën e verës, temperaturat rriten dhe bashkë me to rritet edhe nevoja për ruajtjen e duhur të ushqimit. Frigoriferi ynë bëhet aleati ynë kryesor në betejën për përbërës të freskët dhe të sigurt, për sa kohë që funksionon siç duhet dhe është vendosur në temperaturën e duhur.

Por çfarë është kjo?

Temperatura ideale për pjesën e brendshme të frigoriferit, është midis 1°C dhe 4°C. Në këtë temperaturë, rritja e mikroorganizmave patogjenë ngadalësohet ndjeshëm, por pa ngrirë ushqimin.

Ekspertët rekomandojnë një temperaturë afër 3°C, e cila siguron ekuilibrin më të mirë midis ruajtjes dhe efikasitetit të energjisë.

Në të njëjtën kohë, për shkak se kushtet janë më të vështira gjatë muajve të verës, duhet të jemi të kujdesshëm edhe për përdorimin e shpeshtë të frigoriferit.

“Hapja dhe mbyllja” e derës së tij ndikon në performancën e tij të brendshme, gjë që rrit rrezikun e prishjes së ushqimit.

Për të siguruar funksionimin e duhur të frigoriferit gjatë muajve të verës, duhet të:

Shmangni mbingarkesën: Ushqimit i duhet hapësirë që të qarkullojë ajri i ftohtë.

Mos vendosni ushqime të nxehta brenda: Lërini të ftohen përpara se t’i ruani.

Mos e hapni derën shpesh: Mbajeni temperaturën brenda konstante.

Kontrolloni derën: Nëse nuk mbyllen siç duhet, ftohja humbet.

Përdorni një termometër frigoriferi: Është i lirë, praktik dhe veçanërisht i dobishëm për monitorimin e temperaturës.

Sigurimi i temperaturës së duhur në frigoriferin tonë, nuk është vetëm një detaj teknik. Është një parakusht për mbrojtjen e higjienës, shijes dhe vlerës ushqyese të ushqimit, veçanërisht kur zhiva është në rritje. Kujdesuni për frigoriferin tuaj dhe ai do të kujdeset për përbërësit tuaj.

The post Ruajtja e ushqimeve në mënyrë të sigurt, ja në çfarë temperature duhet ta vendosim frigoriferin gjatë verës appeared first on Albeu.com.

Hiqeni qafe/ Rrëmbeu dhe dogji 61-vjeçarin për 10 mijë euro, lirohet nga burgu Marjeta Karaj

By: V K
20 July 2025 at 14:03

Gjykata ka liruar nga burgu Marjeta Karajn, nën akuzë për vrasjen e Menduh Kurt Dedës.

Lirimi i gruas u urdhërua mbasi gjykata e Apelit në muajin qershor prishi vendimin ndaj saj dhe caktoi Gjykatë e Tiranës, të rishqyrtojë dosjen hetimore për masakrimin e të moshuarit Menduh Kurt Deda, i cili tetë vjet më parë u rrëmbye, u dhunua barbarisht në një lagje të kryeqytetit e më pas u dogj me benzinë në zonën e Dajtit.

Gjykata e Apelit, zhbëri dënimin prej 22 vitesh burgim për të pandehurit ku nën akuzë është gruaja, djali i saj në kërkim dhe Gazmend Ngota.

Ky i fundit, shprehet se viktima fshihej prej Luljetës për shkak të një borxhi. “Ne e pamë bashkë me Besmirin dhe ai i thirri në emër duke e marrë në makinë. Kur pyeti Luljetën se çfarë të bënim me të, ajo i tha: “Hiqeni qafe’.”

The post Hiqeni qafe/ Rrëmbeu dhe dogji 61-vjeçarin për 10 mijë euro, lirohet nga burgu Marjeta Karaj appeared first on Albeu.com.

E rëndë në Dimal/ Tentoi ta shembte, por muri i banesës së tij e zuri poshtë, ndërron jetë 51-vjeçari (EMRI)

By: V K
20 July 2025 at 13:50

Një 51-vjeçar ka gjetur vdekjen sot në banesën e tij, në fshatin Kutalli, në Njësinë Administrative Kutalli në bashkinë Dimal.

Mësohet se 51-vjeçari Altin Hajdari, ka qënë duke shembur një mur rrethues në banesën e tij dhe muri është rrëzuar dhe e ka zënë poshtë.

Menjëherë familjarët e kanë transportuar 51-vjeçarin drejt Spitalit Rajonal Berat, por mjekët e spitalit konfirmojnë se ai mbërriti pa shenja jete.

Trupi i tij është transportuar drejt Repartit të Morgut, ku do i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore.

Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë të DVP-së Berat, që po punojnë për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje aksidentale.

The post E rëndë në Dimal/ Tentoi ta shembte, por muri i banesës së tij e zuri poshtë, ndërron jetë 51-vjeçari (EMRI) appeared first on Albeu.com.

U shkarkua nga Bledi Çuçi/ Gledis Nano fiton gjyqin ndaj qeverisë, ja sa do dëmshpërblehet

By: V K
20 July 2025 at 13:29

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka fituar betejën ligjore me qeverinë shqiptare, pasi Gjykata Administrative e Apelit, ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke e shpallur të paligjshëm shkarkimin e tij nga detyra.

Vendimi është marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Ardian Dvorani, Gentian Hamiti dhe Sokol Ibi, të cilët rrëzuan ankimimin e Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Brendshme, të cilat kishin kërkuar anulimin e vendimit që i dha të drejtë Nanos.

Në bazë të këtij vendimi përfundimtar, shteti shqiptar detyrohet t’i paguajë Gledis Nanos një dëmshpërblim prej 60 pagash mujore, që përkon me afatin pesëvjeçar të mandatit të tij të ndërprerë, në vlerën totale prej rreth 100 mijë euro.

Nano u shkarkua nga detyra më 31 gusht 2022, me propozim të ish-ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, ndërsa kryeministri Edi Rama, kishte deklaruar publikisht se i kishte kërkuar dorëheqjen.

Arsyeja zyrtare për largimin e tij, ishte “mosrealizimi i objektivave”.

Vendimi i Gjykatës së Apelit, është dhënë më 26 qershor 2025 dhe ende nuk dihet nëse qeveria do të paraqesë rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda afatit 30-ditor.

Sakaq, Gledis Nano, është në garë për kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke kaluar fazën e parë të vlerësimit nga Komisioni i Posaçëm i SPAK.

The post U shkarkua nga Bledi Çuçi/ Gledis Nano fiton gjyqin ndaj qeverisë, ja sa do dëmshpërblehet appeared first on Albeu.com.

Kërcënohet drejtori i IKMT-së në Shkodër, kurora me lule në derën e prindërve të tij

By: V K
20 July 2025 at 12:57

Një kurorë me lule, simbol i qartë kërcënimi, është lënë në portën e banesës së prindërve të Emiljano Nikës, drejtor i IKMT-së Shkodër.

Ngjarja është regjistruar në fshatin Sektor të Velipojës dhe është denoncuar menjëherë në polici.

Nika është një nga zyrtarët që ka drejtuar aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit, një operacion që ka hasur kundërshtime të forta nga banorët e zonës.

“Më datë 18.07.2025, shtetasi E. N., 44-vjeç, banues në Shkodër, ka kallëzuar se në banesën ku jetojnë prindërit e tij, në fshatin Sektor, Velipojë, është vendosur një kurorë me lule mbi kangjellat e portës. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit”, njofton policia.

Materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.

Nika është përballur edhe më parë me kërcënime për shkak të funksionit të tij si drejtues i ndërhyrjeve kundër ndërtimeve të paligjshme.

The post Kërcënohet drejtori i IKMT-së në Shkodër, kurora me lule në derën e prindërve të tij appeared first on Albeu.com.

SPAK godet grupin kriminal/ Si i transferonin miliona euro para të pista nga Zvicra në Shqipëri, përmes sistemit “Hawala”

By: V K
20 July 2025 at 12:38

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka goditur një grup të strukturuar kriminal, të cilët kanë organizuar dhe kanë bërë të mundur funksionimin e një sistemi informal të transferimit të parave.

Sipas SPAK, nga veprimet hetimore në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë zvicerane, janë mbledhur provat e nevojshme, të cilat kanë provuar faktin se personat nën hetim me iniciale E.F, B.F dhe P.K, në bashkëpunim me njëri tjetrin, si dhe në bashkëpunim me disa persona të tjerë që janë me banim në Luzern, Zvicër, kanë ngritur sistemin “Hawala”.

Përmes këtij sistemi, kanë transferuar dhe kanë transportuar nga Zvicra për në Shqipëri, sasi të konsiderueshme parash, që kanë pasur si burim të origjinës së tyre aktivitetet e trafikimit dhe të tregtimit të lëndëve narkotike në territorin e Zvicrës apo në vende të tjera.

Si bëhej transferimi i parave?

“Hawala”, iu ka mundësuar personave nën hetim dhe personave të tjerë të përfshirë në aktivitetet kriminale, të transferonin në mënyrë të shpejtë shuma monetare nga Zvicra në Shqipëri, për një periudhë disa vjeçare, të paktën prej vitit 2020 dhe në vazhdim.

Ddërguesit e parave, dorëzonin paratë që kishin origjinë kriminale tek bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër, duke i informuar ata për emrin e personit që ishte pritësi i shumave të parave në Tiranë.

Bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër menjëherë sapo kryhej depozitimi i parave njoftonin bashkëpunëtorët e tyre në Tiranë, personin nën hetim E.F, i cili është edhe drejtuesi i këtij grupi kriminal, për shumën e depozituar të parave dhe emrin e personit i cili ishte pritësi i parave në Tiranë.

Më pas, personi nën hetim E.F, në bashkëpunim me personat nën hetim B.F dhe P.K, dorëzonin sasinë e njëjtë të parave që ishtë depozituar te bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër, tek personat që ishin pritësit e shumave në Tiranë.

Për të realizuar këtë veprimtari kriminale, personat nën hetim në Shqipëri dhe bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër, kanë përdorur zyra të këmbimit valutor, zyra të transferimit të parave dhe agjenci turistike.

Qëllimi i kësaj veprimtarie nga grupi i strukturuar kriminal ka qënë realizimi i fitimeve, ku vlera e përfitimit monetare që përfitohej nga personat nën hetim ishte 6% e shumës së parave që transferohej, që ndahej më pas në mënyrë të barabartë mes personit nën hetim E.F dhe bashkëpunëtorëve në Zvicër.

MASAT E SIGURISË

Ndërkohë, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj tre personave nën hetim, me iniciale E.F, B.F dhe P.K.

Gjithashtu, janë Policia e Shtetit ka ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg” për personin nën hetim P.K dhe B.F., ndërsa personi nën hetim E.F aktualisht ndodhet i arrestuar në Zvicër.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, ka zhvilluar hetime në kuadër të procedimit penal nr.49/3 viti 2023, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Trafik i narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 283/a, 287, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore të kryera gjatë hetimeve paraprake dhe ato të kryera nga autoritetet e drejtësisë zvicerane, janë mbledhur provat e nevojshme, të cilat kanë provuar faktin se personat nën hetim E.F, B.F dhe P.K, në bashkëpunim me njëri tjetrin, si dhe në bashkëpunim me disa persona të tjerë që janë me banim në Luzern, Zvicër, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar dhe kanë bërë të mundur funksionimin e një sistemi informal të transferimit të parave.

Përmes këtij sistemi kanë transferuar dhe kanë transportuar nga Zvicra për në Shqipëri, sasi të konsiderueshme të parave që kanë pasur si burim të origjinës së tyre aktivitetet e trafikimit dhe të tregtimit të lëndëve narkotike në territorin e Zvicrës apo në vende të tjera.

Ky sistem informal i transferimit të parave, i njohur me emërtimin “Hawala”, iu ka mundësuar personave nën hetim dhe personave të tjerë të përfshirë në aktivitetet kriminale, të transferonin në mënyrë të shpejtë, shuma monetare nga Zvicra në Shqipëri, për një periudhë disa vjeçare, të paktën prej vitit 2020 dhe në vazhdim.

Personat e interesuar për transferimin e parave (dërguesit e parave) dorëzonin paratë që kishin origjinë kriminale tek bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër, duke i informuar ata për emrin e personit që ishte pritësi i shumave të parave në Tiranë.

Bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër menjëherë sapo kryhej depozitimi i parave njoftonin bashkëpunëtorët e tyre në Tiranë, personin nën hetim E.F, i cili është edhe drejtuesi i këtij grupi kriminal, për shumën e depozituar të parave dhe emrin e personit i cili ishte pritësi i parave në Tiranë. Më pas, personi nën hetim E.F, në bashkëpunim me personat nën hetim B.F dhe P.K, dorëzonin sasinë e njëjtë të parave që ishtë depozituar te bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër, tek personat që ishin pritësit e shumave në Tiranë.

Në këtë mënyrë mundësohej transferimi i parave në një kohë shumë të shpejtë, pa qënë e nevojshme që të kryhej transportimi i menjëhershëm fizik i parave nga Zvicra në Shqipëri, si dhe njëkohësisht bëhej e pamundur për agjencitë e zbatimit të ligjit, rregjistrimi i transfertave të parave, identifikimi i personave dërgues dhe pritës të parave, si dhe verifikimi i burimit të parave që transferoheshin.

Hetimet kanë treguar se ky sistem i transferimit të parave është përdorur nga dhjetra persona, se depozitimet e shumave monetare në Zvicër janë kryer në qindra raste dhe se shumat monetare të transferuar janë në miliona euro. Vijojnë veprimet hetimore për llogaritjen e vlerës së plotë të shumave monetare që janë transferuar.

Për të realizuar këtë veprimtari kriminale, personat nën hetim në Shqipëri dhe bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër, kanë përdorur zyra të këmbimit valutor, zyra të transferimit të parave dhe agjenci turistike, për të fshehur qëllimin e vërtetë të veprimtarisë së tyre, pasi në të vërtetë këto aktivitete janë përdorur për të depozituar sasitë e parave në Zvicër dhe për të dorëzuar dhe për të shpërndarë sasitë e parave në Shqipëri.

Qëllimi i kësaj veprimtarie nga grupi i strukturuar kriminal ka qënë realizimi i fitimeve, ku vlera e përfitimit monetare që përfitohej nga personat nën hetim ishte 6% e shumës së parave që transferohej, që ndahej më pas në mënyrë të barabartë mes personit nën hetim E.F dhe bashkëpunëtorëve në Zvicër.

Krahas veprimtarisë kriminale të mësipërme, personat nën hetim E.F, B.F dhe P.K kanë realizuar edhe aktivitetin e tregtimit të lëndëve narkotike në disa Kantone në Zvicër, duke përdorur persona të tjerë si shpërndarës të lëndëve narkotike në sasi më të vogla, si dhe duke siguruar furnizimin e tyre me lëndë narkotike.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.68 datë 14.07.2025 ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj personit nën hetim E.F, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave nga grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 287/1 shkronjat (a), (b) dhe (ç), 333/a, paragrafi (1) dhe 334/1 të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj personit nën hetim B.F, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave nga grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 287/1 shkronjat (a), (b) dhe (ç), 333/a, paragrafi (2) dhe 334/1 të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj personit nën hetim P.K, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave nga grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 287/1 shkronjat (a), (b) dhe (ç), 333/a, paragrafi (2) dhe 334/1 të Kodit Penal.
Shërbimet e policisë gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në datën 19.07.2025 ka ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg” për personin nën hetim P.K dhe B.F. Ndërsa personi nën hetim E.F aktualisht ndodhet i arrestuar në Zvicër.

Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, ndërsa vijojnë hetimet për fakte te tjera penale apo për persona të tjerë, të përfshirl në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

The post SPAK godet grupin kriminal/ Si i transferonin miliona euro para të pista nga Zvicra në Shqipëri, përmes sistemit “Hawala” appeared first on Albeu.com.

Vdekja e 32-vjeçarit në Shëngjin, arrestohet përgjegjësi i subjektit ku viktima po kryente punimet

By: V K
20 July 2025 at 12:18

Pasditen e djeshme, një ngjarje e rëndë është regjistruar në Shëngjin, ku 32-vjeçari Zef Lorenci ka humbur jetën, pasi ka rënë në kontakt me energjinë elektrike.

Sipas informacioneve policore, i riu ka humbur kontrollin dhe ka rënë nga skela. Rënia nga skela ka qenë fatale për 32-vjeçarin, i cili ka humbur jetën në vend.

Policia ka dalë me një njoftim të ri, në lidhje me vdekjen e punëtorit 32-vjeçar, Zef Lorenci. Policia bën me dije se është vënë në pranga një 64-vjeçar.

I arrestuari është përgjegjës i subjektit ku viktima po kryente punimet. I arrestuari është identifikuar si Zef Shtjefni.

Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:45. Nga pamjet e publikuara dje nga vendi i ngjarjes, duket skena e rrethuar me shirit.

 

 

Njoftimi i policisë:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më datë 19.07.2025, lidhur me ngjarjen e ndodhur në shëtitoren “Willson”, në Shëngjin, ku gjatë punimeve në një strukturë për ngritjen e një skene humbi jetën një punëtor, ju informojmë se:

Nga veprimet hetimore të kryera nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Lezhë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Z. Sh., 64-vjeç, banues në Shëngjin, me detyrë përgjegjës i subjektit (ortak) që po kryente punimet në vendngjarje. Nga hetimet e deritanishme rezulton se më datë 19.07.2025, rreth orës 16:30, shtetasi Z. L., 32-vjeç, punëtor në këtë subjekt, duke punuar mbi një strukturë për ngritjen e skenës, aksidentalisht ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë ka rënë nga një lartësi prej 5-6 metrash, duke marrë dëmtime të rënda trupore, i cili humbi jetën gjatë transportimit për në spital.

The post Vdekja e 32-vjeçarit në Shëngjin, arrestohet përgjegjësi i subjektit ku viktima po kryente punimet appeared first on Albeu.com.

Sherri mes dy biznesmenëve në Ksamil/ Dorian Teliti: Mungesë planifikimi dhe koordinimi nga ana e autoriteteve, shteti të marrë përgjegjësi

By: V K
20 July 2025 at 11:58

Ditën e sotme, përmes një reagimi në “Facebook”, këshilltari për Çështjet Ekonomike në Partinë Demokratike dhe njëkohësisht Nënkryetari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Dorian Teliti, ka reaguar pas konfliktit të ndodhur në Ksamil mes dy biznesmenëve, për hapësirën në plazh.

Teliti ka dënuar dhunën në sy të pushuesve në jug të vendit dhe ka ngritur shqetësimin për politikat qeveritare, që sipas tij janë shkak i situatës së krijuar një ditë më parë.

Sipas tij, një ndryshim ligjor që u bë vitin e kaluar, i dha hotelerive të drejtën për të administruar çadrat në plazh, pa marrë në konsideratë bizneset ekzistuese që prej vitesh ushtronin aktivitet në të njëjtat hapësira me leje të ligjshme.

“Për 13 vite rresht, një lokal funksiononte, i cili ishte pajisur me leje në atë pjesë të plazhit për të vendosur cadrat, duke pasur një aktivitet të konsoliduar shumëvjecar me çadrat e tij. Kur pronari i hotelit kërkoi lirimin e hapësirës (në zbatim të ligjit), u përball me “rezistencën legjitime” të pronarit të lokalit, i cili kishte një histori 13-vjeçare të përdorimit të lejuar nga shteti të asaj zone”, shkruan Teliti.

“Si mundet që ligje të reja të hyjnë në fuqi dhe të zbatohen pa marrë parasysh investimet dhe aktivitetet ekzistuese”, shkruan ai, ndërsa u ka bërë thirrje që shteti të marrë përgjegjësi për situatën.

“Është koha që shteti të marrë përgjegjësitë e veta dhe të shmangë krijimin e situatave”, përfundon ai.

Reagimi i Dorian Telitit:

DHUNA DUHET NDËSHKUAR, POR KUSH E NDEZI SHKËNDIJËN E KONFLIKTIT NË KSAMIL?

Së pari, dënoj me forcë dhunën e përdorur, pasi çdo mosmarrëveshje, pavarësisht natyrës, nuk zgjidhet kurrë me sherr e dhunë. Kjo është një pikënisje e qartë dhe e pandryshueshme.

Por, le të thellohemi pak më shumë: kush e shkaktoi këtë konflikt në radhë të parë? Përgjigja na çon direkt te shteti dhe ligjet e tij. Që prej vitit të kaluar, hotelerive u është dhënë e drejta që të zotërojnë edhe çadrat e tyre në plazh. Kjo masë, ndonëse mund të ketë pasur synime të mira, la pas dore realitetin ekzistues.

Për 13 vite rresht, një lokal funksiononte, i cili ishte pajisur me leje në atë pjesë të plazhit për të vendosur cadrat, duke pasur një aktivitet të konsoliduar shumëvjecar me çadrat e tij.

Kur pronari i hotelit kërkoi lirimin e hapësirës (në zbatim të ligjit), u përball me “rezistencën legjitime” të pronarit të lokalit, i cili kishte një histori 13-vjeçare të përdorimit të lejuar nga shteti të asaj zone.

Kjo situatë nxjerr në pah një problem serioz: “mungesën e planifikimit afatgjatë dhe koordinimit nga ana e autoriteteve”.

Si mundet që ligje të reja të hyjnë në fuqi dhe të zbatohen pa marrë parasysh investimet dhe aktivitetet ekzistuese, të cilat janë zhvilluar pikërisht me bekimin dhe lejen e vetë shtetit? Kjo paqartësi dhe ndryshim i papritur i rregullave është një burim i vazhdueshëm konfliktesh dhe pasigurie për biznesin.

🇦🇱Është koha që shteti të marrë përgjegjësitë e veta dhe të shmangë krijimin e situatave të tilla ku qytetarët dhe bizneset detyrohen të bien ndesh me njëri-tjetrin për shkak të vendimeve të nxituara dhe të pakoordinuara. Dhuna në këtë rast ishte pasojë, por shkaku është shpeshherë më i thellë dhe kërkon zgjidhje politike dhe administrative.

 

The post Sherri mes dy biznesmenëve në Ksamil/ Dorian Teliti: Mungesë planifikimi dhe koordinimi nga ana e autoriteteve, shteti të marrë përgjegjësi appeared first on Albeu.com.

Plagosja e dyfishtë/ Forcat e Operacionales, FNSH-së dhe Shqiponjave zbarkojnë në Sarandë, aksion për kapjen e Ramadan Zotos

By: V K
20 July 2025 at 11:38

Ditën e sotme, rreth 50 forca policore nga Tirana, Vlora e Saranda, po zhvillojnë prej disa orësh një operacion për kapjen e 43-vjeçarit të shumëkërkuar, Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj.

I kërkuari është autor i tentativës së goditjes me armë së dy personave ditën e enjte, ndaj të cilëve hapi zjarr 4 herë duke i lënë të plagosur në një rrugë kryesore të lagjes nr.4 në Sarandë.

Kontrollet e forcave operacionale, FNSH dhe “Shqiponja” kanë zhvilluar ditën e djeshme në fshatin Gjashtë dhe sot në orët e para te mengjesit në disa banesa në rrugën “Butrinti” në Sarandë, por pa sukses.

Ramadan Zoto i njohur si Dane, plagosi me pistoletë Gëzim Hajdaraj 33 vjeç dhe Ernest Lama 25 vjeç, të dy nga Kamza, pas një konflikti të mbartur. Edhe Hajdaraj ishte gjithashtu i armatosur por nuk arriti të kundërpërgjigjej. Dy të plagosurit u transportuan në gjendje të rëndë me helikopter drejt Tiranës.

Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj, konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë në Shqipëri e Greqi. Emri i tij përmendet për herë të parë si dëshmitar në një ngjarje të vitit 1997, kur një i ri nga Saranda u përplas me armë me një efektiv policie në tregun e qytetit.

Në prill 2005 ai vrau me armë zjarri shqiptarin Pushkin Kuspa në Athinë, ndërsa 3 vite më pas shkëmbeu zjarr me policinë greke. Në Greqi rezulton i përfshirë edhe në grabitje me armë. Në 2019 u kap me një automjet të vjedhur, armë e drogë në Athinë, ndërsa pas daljes nga burgu u zhvendos në Sarandë.

Në Shqipëri rezulton i proceduar një herë për “prishje të qetësisë publike” dhe i arrestuar më pas për “goditje për shkak të detyrës.”

Bashkë me Zoton, policia kërkon edhe 3 persona për “përkrahje të autorit të krimit”. Njeri është vëllai i tij, Erjon Canaj 36 vjeç dhe dy shokët Artan Murtaj 43 vjeç dhe Klaus Jaçaj 31 vjeç, të tre me precedentë të ndryshëm penalë.

The post Plagosja e dyfishtë/ Forcat e Operacionales, FNSH-së dhe Shqiponjave zbarkojnë në Sarandë, aksion për kapjen e Ramadan Zotos appeared first on Albeu.com.

Tentoi të fuste me kamion në Shqipëri verë e shampanjë pa i deklaruar në doganë, arrestohet 42-vjeçari në Durrës

By: V K
20 July 2025 at 11:15

Ditën e sotme, është finalizuar operacioni policor i koduar “Qelqi”. Në vijim të kontrolleve intensive në hyrje/dalje, nga shërbimet e Policisë Kufitare të Portit të Durrësit, në bazë të analizës së riskut dhe kundër paligjshmërive në kufi, u krye kontroll në hyrje të Shqipërisë, në kamionin që drejtonte shtetasi Sh. G., 42-vjeç, banues në Durrës.

Nga kontrolli në automjet u konstatun arka me verë dhe shampanjë, të dyshuara të kontrabanduara me qëllim shitjen në Shqipëri, sepse nuk ishin të pajisura me fatura blerjeje. Shtetasi Shpëtim Gubere synonte t’i fuste mallrat në Shqipëri, pa i deklaruar në PKK, konform ligjit.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, në kuadër të operacionit “Qelqi”, 42-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe mallrat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

The post Tentoi të fuste me kamion në Shqipëri verë e shampanjë pa i deklaruar në doganë, arrestohet 42-vjeçari në Durrës appeared first on Albeu.com.

Dy tërmete të fuqishme në Rusi, paralajmërohet cunami

By: V K
20 July 2025 at 10:54

Mëngjesin e sotëm, 20 korrik, dy tërmete të fuqishme goditën brigjet lindore të Rusisë, ndërsa autoritetet paralajmëruan një cunami në rajonin e Kamchatka.

Tërmeti më i madh u regjistrua me magnitudë 7.4, në një thellësi prej vetëm 20 kilometrash nën sipërfaqen e detit, rreth 140 kilometra larg qytetit Petropavlovsk-Kamchatsky.

 

 

Ndërsa tërmeti tjetër u regjistrua me magnitudë 6.7, të njëjtën zonë, me pak minuta diferencë.

Autoritetet ruse kanë bërë të ditur se një cunami pritet të godasë zonën e Aleutskyt. Ekipet e emergjencës janë vënë në gatishmëri, ndërsa paslëkundjet e vazhdueshme po tronditin rajonin.

Ndërkohë, edhe Hawaii u vendos në një vëzhgim të përkohshëm për cunami nga Qendra e Paralajmërimeve të Paqësorit, por paralajmërimi u anulua disa orë më vonë nga autoritetet amerikane.

Kamchatka ndodhet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit të Paqësorit”, një zonë në formë patkoi që shtrihet përgjatë Oqeanit Paqësor dhe që njihet si një nga rajonet më aktive në botë për tërmete dhe vullkane.

Pozicioni i saj bregdetar e bën këtë rajon shumë të ndjeshëm ndaj cunameve që shkaktohen nga tërmetet nënujore, siç ndodhi edhe këtë herë, duke ngritur shqetësime për të gjitha vendet përreth Oqeanit Paqësor, përfshirë edhe Hawaii, megjithëse ndodhet mijëra kilometra larg.

The post Dy tërmete të fuqishme në Rusi, paralajmërohet cunami appeared first on Albeu.com.

Lionel Messi udhëheq fitoren e Inter Miamit në New York (VIDEO)

By: V K
20 July 2025 at 10:44

I udhëhequr nga një Lionel Messi i mrekullueshëm me dy gola dhe një asist, Inter Miami, shkatërroi New York Red Bulls me rezultatin 5-1 të shtunën në ndeshjen e fundit të MLS para pushimit All-Star.

New Yorkers, të cilët teknikisht luajnë në New Jersey, në stadiumin Sports Illustrated në Harrison, e nisën shumë mirë dhe kaluan në epërsi në minutën e 15-të me një gol nga Alexander Hack.

Por Messi ishte përgjegjës për zhbllokimin e ekipit të Floridës, i cili shkoi në pushim tashmë 3-1 në avantazh falë një goli nga Jordi Alba – me asist nga Messi – dhe një dopiete nga Telasco Segovia nga Venezuela.

Për më tepër, numri 10 i Albiceleste siguroi fitoren e Inter Miami me dy gola në pjesën e dytë. Leo Messi, në një formë të shkëlqyer, ka shënuar dymbëdhjetë gola në shtatë ndeshjet e tij të fundit në ligë, përfshirë gjashtë dygolësha.

Ai gjithashtu ka shënuar 18 gola në 18 ndeshje këtë sezon të MLS.

Ekipi i Javier Mascheranos u rikuperua gjithashtu nga humbja 3-0 që pësuan të mërkurën kundër Cincinnatt, i cili do të jetë kundërshtari i tyre i radhës në ligë më 27 korrik, pasi MLS feston ndeshjen e saj All-Star me Liga MX më 23.

Siç është zakon në çdo ndeshje jashtë fushe të Inter Miamit, tribunat u lyen me rozë teksa shkruan një tjetër episod të “Messimania” në MLS.

The post Lionel Messi udhëheq fitoren e Inter Miamit në New York (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Në koma prej 20 vitesh, ndërron jetë në moshën 36-vjeçare “Princi i fjetur” i Arabisë Saudite

By: V K
20 July 2025 at 10:08

Princi saudit Al-Waleed bin Khalid Al-Saud, është ndarë nga jeta në moshën 36-vjeçare, pasi kaloi më shumë se dy dekada në koma pas një aksidenti të rëndë automobilistik në Londër në vitin 2005, kur ishte vetëm 15-vjeç.

I njohur gjerësisht si “Princi i fjetur”, Al-Waleed pësoi një hemorragji cerebrale dhe gjakderdhje të brendshme në tru si pasojë e aksidentit tragjik.

Prej asaj kohe, ai u mbajt në jetë me aparatura, por nuk arriti kurrë të rikuperohej plotësisht apo të rifitonte ndërgjegjen.

Vdekja e tij u bë e ditur nga babai i tij, Princi Khaled bin Talal Al Saud, përmes një postimi prekës në rrjetin social X (ish-Twitter), ku citoi një varg nga Kurani dhe tha:

“Me zemra që besojnë në vullnetin dhe caktimin e Allahut, dhe me trishtim të thellë, e njoftojmë ndarjen nga jeta të djalit tonë të dashur: Princit Al-Waleed bin Khaled bin Talal bin Abdulaziz Al Saud. Allahu e mëshiroftë”,

The post Në koma prej 20 vitesh, ndërron jetë në moshën 36-vjeçare “Princi i fjetur” i Arabisë Saudite appeared first on Albeu.com.

Sherri mes bznesmenëve në Ksamil/ Arrestohen tre persona, procedohet edhe një i mitur (EMRAT)

By: V K
20 July 2025 at 09:25

Policia ka arrestuar tre persona, në lidhje me konfliktin e ndodhur ditën e djeshme në Ksamil, ku u dhunua Albert Pashaj, ndërsa një 17-vjeçar është proceduar.

Procedohet penalisht edhe bashkëshortja e 46-vjeçarit të dëmtuar, pasi shkaktoi dëme materiale në “beach bar”-in e njërit prej të arrestuarve.

Në vijim të zbardhjes së plotë të rrethanave të konfliktit të ndodhur ditën e djeshme, në Ksamil, dhe dokumentimit të plotë të ngjarjes, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:

Agim Taraj., 43-vjeç, banues në Berat, Silvjan Sulku., 18-vjeç, banues në Dibër dhe Aldo Zeqiraj., 35-vjeç, banues në Durrës.

Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës, një shtetas i mitur, 17-vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.

Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, pranë një plazhi publik në Ksamil, shtetasin A. P., 46-vjeç, banues në Tiranë, duke i shkaktuar dëmtime trupore.

Gjithashtu, lidhur me këtë ngjarje, u referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Shkatërrimi i pronës” dhe nisi procedimi penal për shtetasen O. P., 40-vjeçe, pasi pas konfliktit kjo shtetase ka dëmtuar ambientin duke shkatërruar pajisje dhe sende të tjera në “beach bar”-in e shtetasit të arrestuar A. T.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

The post Sherri mes bznesmenëve në Ksamil/ Arrestohen tre persona, procedohet edhe një i mitur (EMRAT) appeared first on Albeu.com.

❌
❌