Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 July 2025Main stream

U dënua me burg si anëtar i një organizate kriminale/ Arrestohet në Shijak 39-vjeçari, do të ekstradohet drejt Italisë (EMRI)

By: V K
30 July 2025 at 09:36

Policia ka vendosur në pranga një 39-vjeçar, pasi rezulton i dënuar në Itali për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike.

Fatjan Stafa, u kap në fshatin Hardhisht të Shijakut dhe do të ekstradohet drejt shtetit fqinj.

Ndaj tij, Gjykata e Apelit e Firences, me vendimin e datës 08 Tetor 2024, e ka dënuar me 7 vjet, 7 muaj e 12 ditë burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike.

Njoftimi:

Policia e Shtetit

Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, operacioni policor i koduar “Operacionalja 57”.

Kapet në një fshat në Shijak, një 39-vjeçar, i dënuar në Itali, me 7 vjet, 7 muaj e 12 ditë burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bshkëpunim me Shërbimet Operacionale të DVP Durrës, finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 57”.

Gjatë këtij operacioni, u kap në fshatin Hardhisht, Shijak, dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi Fatjan Stafa, 39 vjeç, banues në fshatin Pjezë, Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Firences, me vendimin e datës 08.10.2024, e ka dënuar me 7 vjet, 7 muaj e 12 ditë burgim, për për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike.

Interpol Tirana vijon procedurat në bashkëpunim me autoritetet italiane, për ekstradimin e këtij shtetasi.

The post U dënua me burg si anëtar i një organizate kriminale/ Arrestohet në Shijak 39-vjeçari, do të ekstradohet drejt Italisë (EMRI) appeared first on Albeu.com.

Kamera mbi kamera/ BIRN: Projekti “Smart City” në shkolla ngre pikëpyetje për të dhënat personale

By: V K
30 July 2025 at 09:12

Një grup ekspertësh të huaj, mbërritën në shkollën 9-vjeçare “Jeronim De Rada” në Tiranë në muajin maj dhe pasi vëzhguan sistemin aktual të kamerave të sigurisë, bënë disa matje dhe u larguan nga ambientet e shkollës.

Vizita e pazakontë lidhej me projektin e kushtueshëm qeveritar “Smart City”, i cili premton që të instalojë mijëra kamera inteligjente në ambiente publike, përfshirë edhe njëzet institucione arsimore në qytete të ndryshme.

Një mësuese e shkollës “Jeronim De Rada”, i tha BIRN se ekspertët e huaj ishin të shoqëruar nga përfaqësues shqiptarë dhe u larguan, pasi vëzhguan ambientet e shkollës në tërësi.

Ajo shtoi gjithashtu se, shkolla është e pajisur aktualisht me një sistem kamerash të vendosura në korridore, palestër dhe në oborr, por jo në ambientet e brendshme të klasave.

Ekspertët e projektit “Smart City”, duket se kanë gjetur një situatë të ngjashme edhe në gjimnazet “Ibrahim Rugova” në Kamëz, “Petro Nini Luarasi” në Tiranë dhe “Isa Boletini” në Paskuqan – tre shkolla të tjera, ku sistemi i ri i kamerave pritet që t’i mbivendoset sistemeve ekzistuese të mbikëqyrjes.

“Shkolla ka sistem kamerash dhe do shohin ku do i instalojnë të rejat, apo do përdoren ato që janë aktualisht”, tha një drejtues i gjimnazit “Ibrahim Rugova”, ndërsa shtoi se nuk ka ende një datë për funksionimin e sistemit të ri.

Projekti “Smart City”, është përfshirë në listën e projekteve me rëndësi kombëtare nga qeveria shqiptare dhe parashikohej fillimisht që të kushtonte 60 milionë dollarë amerikanë, por kostot e tij gati u dyfishuan në 118.5 milionë dollarë pa asnjë shpjegim, ndërsa pritet që të mbulohen përmes një huaje me Fondin për Zhvillim të Abu Dhabit.

Projekti do të zbatohet nga kompania ‘Presight AI‘,pjesë e grupit G42 me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila ka ngritur shqetësime në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për lidhjet e saj kineze.

Projekti kontestohet gjithashtu nga ekspertë të të drejtave digjitale, për rrisqet që mbart nga ndërhyrja e madhe në privatësinë e qytetarëve.

Ministria e Brendshme i shpërfill këto shqetësime, ndërkohë që i tha BIRN se një ndër prioritetet kryesore të projektit “Smart City” është rritja e sigurisë në institucionet arsimore.

Sipas saj, projekti do të pilotohet fillimisht në 20 institucione arsimore, ku parashikon instalimin e detektorëve të dedikuar për sigurinë fizike dhe përdorimin e teknologjive të avancuara që përfshijnë Inteligjencën Artificiale.

Ministria theksoi gjithashtu se, kishte punuar ngushtësisht me Zyrën e Komisionerit përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe se ishin marrë masa specifike për të “parandaluar aksesin e paautorizuar, keqpërdorimin apo rrjedhjen e informacionit të ndjeshëm”.

“Këto teknologji do të ndihmojnë në analizimin në kohë reale të të dhënave të mbledhura nga pajisjet e monitorimit dhe në identifikimin e situatave të dyshimta apo potencialisht të rrezikshme, me qëllim reagimin e shpejtë dhe parandalues”, deklaroi Ministria e Brendshme në një përgjigje me shkrim.

Ministria e Brendshme deklaroi gjithashtu se, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit ishin zhvilluar procese konsultimi me komunitetin e prindërve, për të adresuar çdo shqetësim që lidhej me mirëqenien e fëmijëve dhe përdorimin e teknologjisë në shkolla.

Por kur iu kërkuan dokumentet e konsultimeve publike me prindërit, Ministria e Brendshme tha se ato ishin kryer nga Ministria e Arsimit, ndërsa kjo e fundit nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.

Ekspertët e sistemit arsimor e shohin me dyshim projektin, përsa kohë që nuk ofrohen garancitë maksimale për mbrojtjen e të dhënave personale.

Rigels Xhemollari, drejtues i organizatës “Qëndresa Qytetare”, e vlerëson synimin për rritjen e sigurisë në shkolla, por thekson gjithashtu rrezikun që mund të sjellë përdorimi i teknologjisë nëse nuk garantohet siguria e të dhënave.

“Ne e dimë sa të brishta janë të dhënat e shtetit tonë, e dimë sesa politike janë shkollat dhe sesa kollaj dikush nëpërmjet një hakerimi mund të marrë të dhënat që mund të keqpërdoren për fëmijë, nxënës të caktuar”, tha Xhemollari për BIRN.

“Kjo kërkon një siguri të madhe dhe këtë as Komisioneri që kanë konsultuar dhe as AKEP, e as institucione të tjera, nuk na i kanë garantuar deri tani”, shtoi ai.

Xhemollari vërejti gjithashtu se, kamerat e sigurisë nuk janë mënyra e vetme për rritjen e sigurisë dhe se një sërë propozimesh të tjera në këtë drejtim kanë mbetur prej vitesh në sirtar.

“… kjo mund të ndodhë me hapa të tjerë që ne i kemi propozuar qeverisë, së bashku me komunitetin e prindërve, si zgjatja e orareve, në mënyrë që fëmijët nga ora 13:00 në 16:00 të mos jenë në rrugë, futja e ushqimit, shtimi i mësuesve, shtimi i psikologëve”, tha ai.

Edhe Ndriçim Mehmeti, ekspert i sistemit arsimor në Shqipëri, thotë se ky sistem i ri monitorimi nuk do t’i zgjidhë problemet në shkolla.

“Disa prej këtyre problematikave vijnë nga familja, kultura e rrugës, agresiviteti në rritje i të rinjve, mënyra e komunikimit etj,” tha Mehmeti, ndërsa shtoi: “duhet të përqëndrohemi tek socializmi i fëmijëve, krijimi i një mjedisi pune sa më krijues për fëmijët nga arsimi parashkollor deri në universitet”./BIRN

The post Kamera mbi kamera/ BIRN: Projekti “Smart City” në shkolla ngre pikëpyetje për të dhënat personale appeared first on Albeu.com.

DW: Republika Çeke ndalon propagandën komuniste, e barazon me nazizmin

By: V K
30 July 2025 at 09:05

Për armiqtë e betuar të komunizmit në Republikën Çeke, kjo shënon fundin e një rruge të gjatë: më shumë se 30 vjet pas “revolucionit të kadifenjtë” demokratik të nëntorit 1989, ata kërkuan që komunistët të barazoheshin me nacionalsocialistët (nazistët) dhe ideologji të ngjashme autoritare, dhe si pasojë të ndaloheshin.

Kështu ndodhi: në gjysmën e dytë të korrikut, Presidenti Petr Pavel nënshkroi një ndryshim në Kodin Penal që barazon qartë nacionalsocializmin dhe komunizmin në Republikën Çeke. Me nënshkrimin e Presidentit, procesi legjislativ përfundon. Ligji i ri do të hyjë në fuqi në 1 janar 2026.

Ndryshimi në ligj u iniciua nga lëvizja qytetare “Nëntori nuk ka mbaruar ende”. Udhëheqësi i saj është Martin Mejstrik, një drejtues studentësh nga epoka e Revolucionit të Kadifenjtë dhe më vonë senator.

Historianët e Institutit Çek për Studimin e Regjimeve Totalitare (USTR) gjithashtu iu bashkuan iniciativës.

Në pranverën e këtij viti, ai u miratua në Dhomën e Deputetëve dhe në Senat nga një grup deputetësh dhe politikanësh të koalicionit qeveritar proevropian të kryeministrit Petr Fiala.

“Kushdo që themelon, mbështet ose përhap një lëvizje nacionalsocialiste, komuniste ose lëvizje tjetër që ka si objektiv të provuar shtypjen e të drejtave dhe lirive të njeriut ose që përhap armiqësi racore, etnike, kombëtare, fetare ose klasore ose armiqësi ndaj një grupi tjetër njerëzish, do të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”, shkruhet në tekstin e ri të Nenit 403 të Kodit Penal Çek.

Mbrojtja e sundimit demokratik të ligjit

“Qëllimi i projektligjit ishte të eliminonte dallimin dukshëm të padrejtë midis dy ideologjive totalitare kriminale të shekullit të 20-të”, deklaroi Kamil Nedvedicky, zëvendësdrejtor i parë i USTR, në fund të majit, pasi ligji u miratua nga Dhoma e Deputetëve.

“Të dyja – nacionalsocializmi dhe komunizmi – kanë një qëllim të provuar për të shtypur të drejtat dhe liritë themelore, dhe është logjike dhe e drejtë që ligji penal çek ta pasqyrojë qartë këtë”, shtoi Nedvedicky. “Kjo nuk ka të bëjë me ideologjinë, por me mbrojtjen e sundimit demokratik të ligjit”.

Në mënyrë paradoksale, Republika Çeke, me dhjetë milionë banorët e saj, është sot një nga vendet e pakta në Bashkimin Evropian ku një parti komuniste, Partia Komuniste e Bohemisë dhe Moravisë (KSCM), ka vepruar me sukses për më shumë se tre dekada.

Deri në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura pothuajse katër vjet më parë, KSCM jo vetëm që kishte deputetë në Parlament, por mbante edhe disa pozicione zëvendëspresidentësh në Asamblenë Kombëtare.

Babis: “Për mua, ata nuk janë komunistë”

Partia pasardhëse e Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste të Çekosllovakisë (KSC), e cila e sundoi vendin në mënyrë diktatoriale deri në vitin 1989, ende ka disa dhjetëra mijëra anëtarë dhe është futur si forca kryesore në koalicionin zgjedhor “Stacilo!” (Mjaft!) pas zgjedhjeve evropiane të vitit 2024, në Parlamentin Evropian. Aktualisht, shumica e sondazheve tregojnë se “Stacilo!” do të kalojë pragun prej 5% në zgjedhjet e planifikuara për tetor 2025.

Dhe ndoshta jo vetëm kaq. Favoriti në zgjedhjet parlamentare çeke në tetor, kryetari i lëvizjes populiste ANO, ish-kryeministri dhe oligarku Andrej Babis, nuk e ka përjashtuar formimin e një qeverie të re me Stacilo-n! “Për mua, ata nuk janë komunistë”, tha Babisi në një intervistë me faqen e lajmeve tn.cz.

Kandidatja kryesore e koalicionit zgjedhor është kryetarja e PK dhe eurodeputetja Katerina Konecna.

Përpjekje për të heshtur opozitën?

Në fakt, ligji i ri mund të çojë në ndalimin e vetë KSCM-së, siç ndodhi me Partinë e Punës Çeke, e cila u ndalua dhe u shpërbë në vitin 2010 për ideologjinë e saj të provuar nacionalsocialiste. Udhëheqësja e KSCM-së Katerina Konecna i tha DW se amendimi aktual i ligjit që u zbatua në atë kohë është një sulm politik nga koalicioni qeverisës kundër partisë së saj./DW

The post DW: Republika Çeke ndalon propagandën komuniste, e barazon me nazizmin appeared first on Albeu.com.

Shqipëria, e dyta nga fundi në Europë për shpenzimet qeveritare për kërkim dhe zhvillim

By: V K
30 July 2025 at 08:30

Shqipëria, renditet ndër vendet me nivelin më të ulët të shpenzimeve qeveritare, për kërkim dhe zhvillim në Europë.

Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat për vitin 2024, buxheti i alokuar nga qeveria shqiptare për kërkim-zhvillim ishte vetëm 0.19% e PBB-së, ose 40.9 milionë euro në vlerë absolute.

Kjo e vendos Shqipërinë në vendin e parafundit në kontinent, duke lënë pas vetëm Rumaninë. Në Serbi, ku janë të dhënat e disponueshme për 2024, treguesi është 0.4% e PBB-së.

Në krahasim, mesatarja e Bashkimit Europian ishte 0.71% e PBB-së, me një vlerë totale prej afro 128 miliardë euro të alokuara nga buxhetet qeveritare për R&D.

Diferenca është e thellë dhe tregon për mospërputhje serioze mes Shqipërisë dhe vendeve që investojnë në mënyrë të qëndrueshme në dijen, inovacionin dhe zhvillimin teknologjik.

Ekspertët e lidhin këtë nivel të ulët shpenzimesh në Shqipëri, me mungesën e vëmendjes institucionale ndaj kërkimit shkencor dhe me strukturën e ekonomisë shqiptare, e cila është e përqendruar kryesisht në sektorë si ndërtimi dhe turizmi – të cilët nuk nxisin kërkim, teknologji apo risi.

Për më tepër, mungesa e një politike të qartë kombëtare për kërkim dhe zhvillim ka çuar në një nënfinancim të qëndrueshëm dhe në mungesë të infrastrukturës akademike moderne.

Në një epokë ku ekonomitë globale po orientohen drejt teknologjisë së informacionit, inteligjencës artificiale dhe zhvillimeve digjitale, mungesa e investimeve në kërkim dhe zhvillim përbën një pengesë serioze për rritjen afatgjatë të Shqipërisë.

Sipas Eurostat, investimet publike në R&D, janë kyçe për konkurrueshmërinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm, ndaj mbetja në fund të listës përbën një thirrje për reflektim dhe ndryshim të drejtimit strategjik të vendit.

Europa

Sipas Eurostat, Në vitin 2024, alokimet buxhetore të qeverive të vendeve të Bashkimit Europian për kërkim dhe zhvillim (GBARD) arritën në rreth 127.9 miliardë euro, ose 0.71% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Kjo përfaqëson një rritje prej 3.4% krahasuar me vitin 2023 (123.7 miliardë euro) dhe një rritje prej 59.5% krahasuar me vitin 2014, kur kjo shumë ishte rreth 80.2 miliardë euro.

Në vitin 2024, buxheti qeveritar për kërkim dhe zhvillim në nivelin e BE-së ishte ekuivalent me 284.7 euro për banor, që përbën një rritje prej 57.0% krahasuar me vitin 2014, kur ishte 181.3 euro për banor.

Vendet që shpenzuan më shumë për R&D për frymë ishin Luksemburgu (759.2 euro për banor), ndjekur nga Danimarka (586.8 euro) dhe Holanda (542.7 euro).

Ndërkohë, shpenzimet më të ulëta për banor u regjistruan në Rumani (19.1 euro), Bullgari (38.3 euro) dhe Hungari (58.7 euro).

Duhet theksuar se ndryshimet në shpenzimet për frymë mund të pasqyrojnë gjithashtu ndryshime në popullsinë e vendeve përkatëse.

Të gjitha vendet e Bashkimit Europian, kanë rritur buxhetet e tyre për kërkim dhe zhvillim gjatë periudhës 2014–2024, të llogaritura në euro për banor.

Rritjet më të mëdha në përqindje janë regjistruar në vendet e Europës Lindore, duke reflektuar një përpjekje për të kapur hendekun me pjesën tjetër të kontinentit.

Letonia kryeson listën me një rritje prej 313%, duke kaluar nga vetëm 19.1 euro për banor në vitin 2014 në 78.9 euro në vitin 2024.

Pas saj vjen Sllovenia me një rritje prej 252%, nga 78.3 euro në 275 euro për banor, dhe Lituania me 197%, duke kaluar nga 42.7 euro në 123 euro për banor.

Sa i përket shpërndarjes sipas objektivave socio-ekonomike, 35.7% e fondeve buxhetore qeveritare për kërkim dhe zhvillim (GBARD) u drejtuan për avancimin e përgjithshëm të dijes, kryesisht të financuara përmes një granti të përgjithshëm publik të njohur si fondet publike të përgjithshme universitare (GUF), të cilat përdoren nga institucionet e arsimit të lartë publik për të mbështetur aktivitetet e tyre.

Përveç kësaj, 16.6% e fondeve GBARD iu dedikuan gjithashtu avancimit të përgjithshëm të dijes, por nga burime të tjera përveç GUF.

Ndërkohë, 9.4% e fondeve u orientuan drejt prodhimit industrial dhe teknologjisë, 7.0% për shëndetësinë dhe 6.1% për eksplorimin dhe shfrytëzimin e hapesires/Monitor

The post Shqipëria, e dyta nga fundi në Europë për shpenzimet qeveritare për kërkim dhe zhvillim appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

By: V K
30 July 2025 at 07:59

Sot, më 30 korrik 2025, dollari amerikan, blihet me 83.5 lekë dhe shitet me 84.8 lekë.

Euro, blihet me 96.8 lekë dhe shitet 97.7 lekë.

Franga zvicerane, këmbehet në blerje me 103.5 lekë, ndërsa në shitje me 104.7 lekë.

Paundi britanik ,blihet me 111.3 lekë dhe shitet me 112.7 lekë.

Dollari kanadez, sot në blerje këmbehet me 60.6 lekë, ndërsa në shitje me 62.1 lekë.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

 

The post Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

Tërmet me magnitudë 8.8 në Rusi/ Alarm për cunami në të gjithë Paqësorin pas dridhjes më të fortë në 73 vitet e fundit në rajon (VIDEO)

By: V K
30 July 2025 at 07:40

Në orët e para të mëngjesit pranë Gadishullit Kamchatka të Rusisë, një tërmet me magnitudë 8.8 ballë, më i forti në rajon në gati 73 vjet, goditi duke shkaktuar një cunami në Rusi dhe Japoni dhe duke nxitur paralajmërime emergjente për qytetarët e pothuajse të gjitha vendeve që kufizohen me oqeanin.

Cunami ka përmbytur tashmë qytetin Severo-Kurilsk, në pjesën veriore të arkipelagut rus të njohur si Ishujt Kuril, sipas Ministrisë Ruse të Emergjencave.

Videot e ngarkuara në faqet e mediave sociale, treguan ujëra të rrëmbyeshme ndërsa përshkonin pronat në qytetin me rreth 2,000 banorë, popullsia e të cilit u evakuua me nxitim.

 

Eyewitness footage shows tsunami waves crashing onto the coastal town of Severo-Kurilsk in Russia’s Sakhalin region following an earthquake in Kamchatka.
.
.
.
.
.
.
.#WIONUncut #Russia #Tsunami #TsunamiWARNING pic.twitter.com/eAglrfBlJB

— WION (@WIONews) July 30, 2025

The post Tërmet me magnitudë 8.8 në Rusi/ Alarm për cunami në të gjithë Paqësorin pas dridhjes më të fortë në 73 vitet e fundit në rajon (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Akademia Ruse e Shkencave: Tërmeti në Gadishullin Kamchatka është më i forti që nga viti 1952

By: V K
30 July 2025 at 07:27

Tërmeti që goditi në orët e para të mëngjesit, zonën detare pranë Gadishullit Kamchatka të Rusisë në Oqeanin Paqësor, duke shkaktuar paralajmërime emergjente për cunami për bregdetin rus dhe ato të shumë vendeve të tjera që kufizohen me atë oqean, ishte më i forti i regjistruar që nga viti 1952 dhe u mat me magnitudë 8.7 të shkallës Rihter, sipas degës së Kamchatka të shërbimit gjeofizik të Akademisë Ruse të Shkencave, raportuan agjencitë e lajmeve TASS dhe Reuters.

Duke pasur parasysh magnitudën e tërmetit, “duhet të presim lëkundje të forta pasuese, ndoshta deri në 7.5 magnitudë”, tha shërbimi nëpërmjet Telegram.

“Lëkundje të ndjeshme dhe të ndjera pasuese me magnitudë deri në 7.5 pritet të vazhdojnë për të paktën një muaj”, theksoi ai-

The post Akademia Ruse e Shkencave: Tërmeti në Gadishullin Kamchatka është më i forti që nga viti 1952 appeared first on Albeu.com.

Parashikimi i motit 30 Korrik 2025, vranësira dhe reshje shiu

By: V K
30 July 2025 at 07:18

Ditën e sotme vendi ynë, do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira të përqendruara, kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore dhe zonave malore.

Gjithashtu, reshje shiu të herëpasherëshme me intensitet të ulët përgjatë relieveve malore të vendit kryesisht në Veri-Verilindje.

Në orët e mesditës parashikohen reshje lokale shiu edhe përgjatë ultësirës perëndimore.

Era do të jetë me drejtim Veriperëndim-Verilindje, me shpejtësi mesatare 8 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era fiton shpejtësi deri në 17 m/s.

Deti pritet të ketë valëzimi 1-2 ballë.

The post Parashikimi i motit 30 Korrik 2025, vranësira dhe reshje shiu appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 29 July 2025Main stream

Sherr i dhunshëm mes vëllezërve në Ksamil, arrestohet 62-vjeçari

By: V K
29 July 2025 at 15:50

Dy persona janë arrestuar në Ksamil, pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj një të afërmi të tyre.

Sipas Policisë, të ndaluarit janë babë e bir, të cilët gjatë një konflikti familjar më 28 korrik 2025, kanë sulmuar fizikisht me mjete të forta një 57-vjeçar, i cili rezulton të jetë vëllai i njërit prej tyre.

I dhunuari ka pësuar dëmtime në kokë si pasojë e dhunës. Ngjarja është zbardhur nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, të cilët kanë ndërhyrë dhe kryer arrestimet në flagrancë.

Njoftimi:

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit Sh. H., 62 vjeç dhe E. H., 35 vjeç (babë e bir), banues në Ksamil, pasi më datë 28.07.2025, gjatë një konflikti, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me sende të forta shtetasin B. H., 57 vjeç (vëllai i shtetasit Sh. H.), banues në Ksamil, duke i shkaktuar dëmtime në pjesën e kokës”, njofton Policia.

The post Sherr i dhunshëm mes vëllezërve në Ksamil, arrestohet 62-vjeçari appeared first on Albeu.com.

Trafikuan 6 ton lëndë narkotike në Europë/ Ja pseudonimet e Ermir Ndreajt, Plarent Dervishajt, Erion Alibejt dhe të tjerëve

By: V K
29 July 2025 at 15:22

Janë zbardhur pseudonimet e trafikantëve të drogës, që dyshohet se kanë trafikuar rreth 6 ton drogë nga Amerika Latine drejt Europës.

Të përfshirët janë pjesë e një rrjeti të gjerë kriminal me lidhje ndërkombëtare.

Më poshtë janë emrat dhe nofkat me të cilat njiheshin anëtarët e grupit:

Artur Hoxhosmani – Njihej me nofkat: Burrelsi, Lambo, Santucio, dhe Santocio new

Devid Patrut, alias Devid Boraj dhe Elidon Skëndaj – Pseudonimet: Bisha dhe Bisha new

Ermir Ndreaj – Pseudonimi: Cinco

Plarent Dervishaj – Njihej me nofkat: Xio, Shoku dhe Plaku Matuf

Klevis Hoxhosmani – Pseudonimet: Keli dhe Santucio Brother

Erion Alibej – Njihej me emrat: Liz, Liizzz, Krymi dhe Noku

Ilir Lloshi – Pseudonimi: Licja

Ramazan Rraja – Pseudonimet: Xon, Xoni

Grupi kriminal dyshohet se ka organizuar transportin dhe shpërndarjen e sasisë së madhe të drogës në disa vende të Europës.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.

 

The post Trafikuan 6 ton lëndë narkotike në Europë/ Ja pseudonimet e Ermir Ndreajt, Plarent Dervishajt, Erion Alibejt dhe të tjerëve appeared first on Albeu.com.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike/ Rama paralajmëron pronarët e lavazheve të vendosura në lagje: Hiqini vetë që t’i shpëtoni gjobës për…

By: V K
29 July 2025 at 14:57

Kryeministri Edi Rama, ka publikuar një postim në rrjetin e tij social “Facebook”, përmes të cilit paralajmëron pronarët e lavazheve të vendosura në mes të lagjeve, që lajnë makina në trotuare.

Rama thotë se ata që kanë lavazhe të tilla duhet t’i heqin vetë, në mënyrë që të mos paguajnë gjobën për krim mjedisor.

“Asnjë lavazh nuk do të qëndrojë mes lagjeve për të larë makinat nëpër trotuare, prandaj kush i ka t’i heqë vetë që të mos paguajë edhe gjobën e krimit mjedisor”, shkruan Rama në Facebook.

 

The post Aksioni për lirimin e hapësirave publike/ Rama paralajmëron pronarët e lavazheve të vendosura në lagje: Hiqini vetë që t’i shpëtoni gjobës për… appeared first on Albeu.com.

Gjithçka telenovelë/ Kryemadhi flet pas daljes nga SPAK: Mamaja ime akuzohet për pastrim parash

By: V K
29 July 2025 at 14:33

Monika Kryemadhi, e quajti një “telenovelë” gjithë procesin e ngritur kundër saj, Ilir Metës, dhe familjarëve dhe të njohurve të saj.

Pasi doli nga godina e Prokurorisë së Posaçme, ku iu komunikua mbyllja e hetimeve, Kryemadhi foli për mediat ku shpjegoi pozicionin e saj.

“Është një proces që duhet marrë më shumë durim dhe qetësi. Shëndeti është më i rëndësishmi. Mamaja ime akuzohet për pastrim parash, akuzohet për pastruese! Mamaja ime ka blerë shpinë e vet dhe pretendohet se e ka blerë me paratë që ia kam dhënë unë. Mua më akuzojnë për fshehje të pasurisë”, tha ajo.

Ajo shpjegoi edhe shpenzimet që sipas akuzës, janë bërë për llogari të saj në SHBA, nga kushëriri i saj Ilir Shatku.

“Tani do të nxjerrim të dhënat e shpenzimeve nga llogaria e zotërisë, kur kemi qenë në Los Anxhelos dhe Disneyland dhe do shohim: Sa është shpenzuar për drekën? 1000 dollarë. Ishim 12 vetë, i bie nga 80 dollarë për person. Herë 4 vetë të Monikës, bëjnë 400 dollarë. Do të shihen shpenzime dhe nëse në fund unë kam tejkaluar 5 milionëshin e dhuratës, atëherë ILDKPI do të më gjobisë, nëse jo, jam në rregull me ligjin”, shtoi Kryemadhi. “Të gjitha këto janë telenovela që ne fatkeqësisht do t’i thejmë në film”.

The post Gjithçka telenovelë/ Kryemadhi flet pas daljes nga SPAK: Mamaja ime akuzohet për pastrim parash appeared first on Albeu.com.

Dyshohet se fshihet në Dubai, zbulohet fotoja e të shumëkërkuarit me tre identitete, pjesë e trafikut të dr*gës

By: V K
29 July 2025 at 14:11

Gazetarja e njohur Klodiana Lala, ka siguruar foton e personit të shtatë të përfshirë në një rrjet trafiku droge, për të cilin Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”.

Bëhet fjalë për Elidon Skëndaj, i njohur edhe me emrat Devid Patrut dhe Devid Boraj, i cili dyshohet se është larguar jashtë vendit dhe aktualisht mund të jetë strehuar në Dubai.

Autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për lokalizimin dhe arrestimin e tij në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

I kërkuari është identifikuar si Elidon Skëndaj, i njohur edhe me emrat Devid Patrut dhe Devid Boraj. Burime nga organet hetimore bëjnë me dije se Skëndaj dyshohet se është larguar jashtë vendit dhe aktualisht mund të jetë strehuar në Dubai.

Autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për lokalizimin dhe arrestimin e tij në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Në kërkim së bashku me Skendaj eshte edhe Ilir Lloshi.

Ndërkohë janë arrestuar, Ermir Ndreaj, Artur e Klevis Hoxhosman, Plarent Dervishaj e Erion Alibej.

Hetimet

Nga hetimi rezultoi se ky grup ishte aktiv në vitet 2020-2021 në disa shtete europiane, përqendruar në trafikimin e kokainës dhe hashashit nga Kolumbia dhe Ekuadori drejt BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Droga fshihej mes konteinerëve, në paleta druri, kuti me banane ose në thasë me kakao. Vetëm gjatë kësaj periudhe u dokumentuan dhjetëra episode trafikimi e sekuestrimi droge, në total mbi 6 ton dhe kapte vlerën e 411 milionë eurove.

Sekuestrime gjatë kontrolleve:

3 armë zjarri të llojit pistoletë

43,470 euro dhe 5,000 franga zvicerane në para cash

3 automjete luksoze, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63

1 skaf luksoz i markës “Hull Ëorks Sarock 40”, prodhim i vitit 2025

2 orë të shtrenjta – një Rolex model 126613LN dhe një Richard Mille McLaren RM50-03/68

16 celularë të markave iPhone dhe Samsung

19 karta bankare ndërkombëtare në emër të të dyshuarve

Dokumente bankare dhe llogari financiare në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama

1 dron, 8 hard disqe Hikvision me kapacitet 6TB secili

Sende të tjera me vlerë që pritet të ndihmojnë hetimin

NJOFTIMI:

Policia e Shtetit- Finalizohet operacioni “OROLOGI”

Ekzekutohen 6 masa sigurie. Sekuestrohen armë, orë të shtrenjta, automjete luksoze e sende të tjera të vlefshme për hetimin.

Në kuadër të operacionit “OROLOGI”, nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale, në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, BKH-në dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë, u bë i mundur ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, për caktimin e masës së sigurisë me karakter personal shtrëngues “Arrest me burg” për shtetasit:

A. H., 42 vjeç, banues në Tiranë.

E. N., 44 vjeç, banues në Tiranë.

P. D., 53 vjeç, banues në Durrës, aktualisht ndodhet në ambientet e paraburgimit IEVP, Rruga “Jordan Misja”, Tiranë.

K. H., 37 vjeç, banues në Tiranë.

E. A. (alias E. D., alias A. D.), 39 vjeç, banues në Elbasan, aktualisht ndodhet në ambientet e paraburgimit IEVP, Rruga “Jordan Misja”, Tiranë.

I. Ll., 39 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan.

Ndërsa për shtetasin D. P. (alias D. B., alias E. S.), 38 vjeç, banues në Vlorë, nuk u bë e mundur ekzekutimi i masës së sigurisë, pasi nuk u gjet; u shpall në kërkim.

Të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Po gjatë operacionit, janë realizuar kontrolle të shumta, nga të cilat janë sekuestruar:

3 armë zjarri të llojit pistoletë, 43470 euro, 5000 franga zvicerane, 3 automjete, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63, një Volksëagen Golf 7a dhe një Volksëagen Sharan, 1 skaf luksoz i markës “Hull Ëorks Sarock 40”, prodhim i vitit 2025, i regjistruar në emër të një subjekti tregtar, 1 orë Rolex model 126613LN, 1 orë Richard Mille, model McLaren RM50-03/68, 16 aparate celularë, kryesisht të markave iPhone dhe Samsung, disa me karta SIM aktive, 19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express), të lëshuara në emër të personave nën hetim, dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama, 1 dron, 8 hard disqe të markës Hikvision, me kapacitet 6TB secili dhe sende të tjera që i shërbejnë hetimit.

Materialet procedurale iu kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për të bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit në luftën kundër krimit të organizuar.

The post Dyshohet se fshihet në Dubai, zbulohet fotoja e të shumëkërkuarit me tre identitete, pjesë e trafikut të dr*gës appeared first on Albeu.com.

SPAK sekuestron aksionet dhe 10 prona të lidhura me kompaninë “Albania Tabak Fabrika e re e Cigareve”

By: V K
29 July 2025 at 13:30

Ditën e sotme, Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion, ka ndërmarrë një aksion për sekuestrimin e disa aseteve të personave nën hetim.

Raportohet se janë sekuestruar aksionet e kompanisë që ka në menaxhim fabrikën e cigareve në Librazhd.

Behet fjalë për Kuotat e shoqërisë “Albania Tabak”, Fabrika e Re e Cigareve.

GJKKO, ka vendosur sekuestron preventive mbi pajisjet dhe pasuritë e paluajtshme dhe luajtshme të kësaj kompanie.

Gjithashtu, pjesë e listës së pronave të sekuestruara është edhe një apartament në Tiranë.

Kuotat e shoqërisë “Albania Tabak Fabrika e Re e Cigareve”:

– Pasuria me nr. 1/543 ndodhur në ZK 2446, Vol 19 Fq 126

– Pasuria me nr. 1/542 ndodhur në ZK 2446, Vol 19 Fq 125

– Pasuria me nr. 1/541 ndodhur në ZK 2446, Vol 19 Fq 124

– Pasuria me nr. 1/540 ndodhur në ZK 2446, Vol 19 Fq 123

– Pasuria me nr. 1/536 ndodhur në ZK 2446, Vol 19 Fq 118

– Pasuria me nr. 1/434 ndodhur në ZK 2446, Vol 16 Fq 77

– Pasuria me nr. 1/543 ndodhur në ZK 2446, Vol 19 Fq 126

– Pasuria me nr. 1/538 ndodhur në ZK 2446, Vol 19 Fq 120

– Pasuria me nr. 1/38 ndodhur në ZK 2446, Vol 06, Fq 202

Apartament të ndodhur në Katin 32 të Godinës me nr. T2.02.L me sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi 134.56 m2 Tiranë.

The post SPAK sekuestron aksionet dhe 10 prona të lidhura me kompaninë “Albania Tabak Fabrika e re e Cigareve” appeared first on Albeu.com.

Të na rrojë inceneratori/ Kryemadhi heq unazën e martesës para SPAK-ut: Po bëj gati skenarin për… (VIDEO)

By: V K
29 July 2025 at 13:22

Ditën e sotme, Monika Kryemadhi, u paraqit në SPAK, ku do t’i komunikohet mbyllja e hetimeve.

Ajo ka hequr unazën para godinës së Prokurorisë së Posaçme.

“Ku ta lë tani këtë? Ka njeri këtu”? – thotë Kryemadhi.

Ndërkohë në batutat me gazetarët, Kryemadhi thotë se po bën gati skenarin e filmit të radhës.

 

The post Të na rrojë inceneratori/ Kryemadhi heq unazën e martesës para SPAK-ut: Po bëj gati skenarin për… (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Pamje si në film/ Aksion në autostradën Tiranë-Elbasan, momenti kur “Shqiponjat” ndiqnin të shumëkërkuarin Ilir Koçiaj (VIDEO)

By: V K
29 July 2025 at 13:02

Ditën e sotme, Forcat “Shqiponja” arrestuan sot të shumëkërkuarin Ilir Koçiaj, 59,vjeç. Në videon e publikuar nga policia, shihet momenti ku i shumëkërkuari ka tentuar që t’i shpëtojë efektivëve, duke u arratisur me automjetin e tij tip “Audi Q5”.

Automjeti më pas është sekuestruar nga policia.

NJOFTIMI I POLICISË:
Kapet kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare, shtetas me rrezikshmëri shoqërore, i dënuar me 18 vjet burgim.

59-vjeçari tentoi t’iu ikte shërbimeve të Policisë, me një automjet tip “Audi Q5” që u sekuestrua nga Policia.

Si rezultat i një pune të mirorganziuar informative dhe operacionale, shërbimet e Seksionit të Kërkimit të Sektorit të Forcës së Posaçme për Operacione Speciale dhe Kërkime, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan me sukses operacionin “Hierarkia”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi:

-Ilir Kociaj (Koçiaj), 59 vjeç.

59-vjeçari, u kap në flagrancë teksa tentonte të largohej me automjetin e tij, në autostradën “Tiranë–Elbasan”.

Shtetasi Ilir Kociaj (Koçiaj) ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë për njohjen e vendimit të Gjykatës së Firences, Itali, që e dënon atë me 18 vite burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale.

59-vjeçari iu dorëzua Policisë së Elbasanit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.

 

The post Pamje si në film/ Aksion në autostradën Tiranë-Elbasan, momenti kur “Shqiponjat” ndiqnin të shumëkërkuarin Ilir Koçiaj (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Paketa e Maleve/ Cilat do të jenë zonat prioritare për investim, aplikuesit duhet të paraqesin një plan zhvillimi konkret, në shtator përcaktohen territoret që përfitojnë

By: V K
29 July 2025 at 12:36

Zonat malore të vendit, veçanërisht ato në veri, do të jenë në qendër të fazës së dytë të zbatimit të ligjit “Për Paketën e Maleve”, që nis në shtator me përzgjedhjen dhe shpalljen e territoreve ku do të aplikohen lehtësitë fiskale dhe procedurale të parashikuara.

Fokusi është që bashkitë të identifikojnë zonat me potencial zhvillimi, bazuar në kërkesat e qytetarëve që kanë aplikuar gjatë fazës së parë të procesit.

Qëllimi i kësaj pakete është të krijojë kushte të favorshme për investime në zonat e thella malore dhe të nxisë zhvillimin ekonomik përmes legalizimit të pronësisë, lehtësimit të barrës fiskale dhe orientimit të planeve të territorit drejt rigjallërimit rural.

Bashkitë do të paraqesin propozimet për territoret që duan të shpallin për zhvillim malor dhe qeveria do t’u japë atyre status të posaçëm, ç`ka do të mundësojë zbatimin e të gjithë instrumenteve që përmban ligji.

Sipas Ministrisë për Pushtetin Vendor, ky proces është një mekanizëm i ri bashkëpunimi, ku njësitë vendore kanë rol vendimtar në përcaktimin e zonave me interes më të lartë për zhvillim, duke u bazuar jo vetëm në analizat e tyre, por edhe në shprehjen konkrete të interesit nga qytetarët.

Ligji parashikon se poseduesit jopronarë të pasurive të paluajtshme shtetërore në këto zona do të mund të blejnë tokën që kanë në përdorim me çmim simbolik prej 1 euro.

Pas regjistrimit të kontratës së shitjes, ata ose investitorët që lidhin marrëveshje me ta mund të aplikojnë për leje ndërtimi për zhvillimin e sipërfaqes përkatëse.

Këto veprime do të kryhen në përputhje me rregullat e ligjit të ri dhe me legjislacionin në fuqi për territorin, për aq sa nuk ka kundërshtim midis tyre.

Përfituesit e parë të kësaj pakete do të jenë 500 aplikuesit që kanë shprehur interes dhe kanë përmbushur kriteret ligjore.

Ata do të përjashtohen për 10 vjet nga tatimi mbi të ardhurat, TVSH-ja, taksa për pasuritë e paluajtshme dhe ajo për ndikimin në infrastrukturë.

Një nga kriteret kryesore për përfitim, është që prona të jetë në përdorim faktik nga aplikuesi për një periudhë të vazhdueshme dhe të jetë pjesë e një zone, që do të shpallet me vendim të Këshillit të Ministrave si “zonë malore me përparësi zhvillimi”.

Aplikuesit duhet, gjithashtu, të paraqesin një plan zhvillimi konkret, që të jetë në përputhje me qëllimet e ligjit dhe të mos cenojë mjedisin apo strukturën tradicionale të territorit. Një rast i veçantë është zona e Thethit, e cila pavarësisht ndërtimeve të fundit pa leje, do të vijojë të mbetet park kombëtar.

Zhvillimi në këtë zonë do të jetë i kontrolluar dhe i orientuar drejt trashëgimisë kulturore dhe turizmit natyror, pa devijuar nga kufizimet e statusit të mbrojtur.

Synimi është që modeli i suksesshëm i Thethit të aplikohet edhe në zona të tjera të vendit me karakteristika të ngjashme malore.

Paketa synon të kthejë në resurse ekonomike zonat e braktisura, të ndalojë fragmentimin e tokës dhe të krijojë një valë të re investimesh në agroturizëm, bujqësi, zejtari dhe shërbime, duke ofruar siguri pronësore dhe përfitime konkrete për banorët dhe investitorët.

Procesi i aplikimeve mbetet i hapur, ndërsa muaji shtator pritet të jetë vendimtar për përcaktimin e hartës së parë të zhvillimit malor në Shqipëri.

KRITERET E LIDHURA ME PRONËN

a) Të jetë pasuri shtetërore. Objekt i procedurave sipas këtij ligji janë edhe tokat në pronësi shtetërore, që janë inventarizuar në përgjegjësi administrimi të institucioneve qendrore, si dhe ato që janë transferuar në pronësi ose në përdorim te njësitë e vetëqeverisjes vendore, me kusht që sipërfaqja e pretenduar nga subjekti të mos përfshijë gjurmën e objekteve shtetërore.

b) Të mos jetë pronë publike e patjetërsueshme. Në kuptim të këtij ligji dhe të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, të ndryshuar, llojet e pasurisë “pyll”, “kullotë” “livadh” nuk janë të patjetërsueshme dhe mund t’u nënshtrohen procedurave të kalimit të pronësisë sipas këtij ligji;

c) Nuk i shërben operacionalitetit të Forcave të Armatosura, sipas legjislacionit në fuqi për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë;

ç) Të mos rëndojnë mbi të të drejta reale të të tretëve;

d) Të mos jetë objekt i procedurave të fitimit të pronësisë sipas ligjit nr.20/2020 dhe ligjeve të tjera të posaçme, që parashikojnë fitimin e pronësisë nëpërmjet procedurave administrative.

dh) Të mos jetë marrë për të vendimi i kthimit ose i kompensimit fizik ish-pronarëve, sipas legjislacionit përkatës.

Ligji ka për objekt përcaktimin e procedurave dhe të rregullave të posaçme për:

a) shpalljen e zonave malore me përparësi zhvillimi;

b) zhvillimin e pasurive shtetërore të poseduara pa titull pronësie nga subjektet private në këto zona, në harmoni me rregullat e legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit;

c) kalimin e pronësisë përmes shitjes me tarifën simbolike 1 (një) euro të këtyre pasurive të paluajtshme shtetërore, të cilat rezultojnë të jenë në posedim faktik të poseduesve jopronarë.

The post Paketa e Maleve/ Cilat do të jenë zonat prioritare për investim, aplikuesit duhet të paraqesin një plan zhvillimi konkret, në shtator përcaktohen territoret që përfitojnë appeared first on Albeu.com.

Mjaftuan vetëm pak reshje shiu dhe rrugët e Tiranës kthehen në “përrenj” (FOTOT)

By: V K
29 July 2025 at 12:24

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, moti mori kthesë dhe reshjet e shiut pushtuan vendin.

Kanë mjaftuar vetëm disa orë shi që rrugët e kryeqytetit të përmbyten dhe të kthehen në “përrenj”.

Uji ka vërshuar në rrugët me kanalizimet e bllokuara, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe qytetarëve.

Siç shikohet në pamjet e siguruara nga LSA, rrugët e kryeqytetit janë mbushur me ujë dhe qytetarët po bëjnë akrobaci për t`i kapërcyer ato, pasi bashkia Tiranë kujtohet t`i pastrojë kanalizmet vetëm pas përmbytejeve./B.news

 

The post Mjaftuan vetëm pak reshje shiu dhe rrugët e Tiranës kthehen në “përrenj” (FOTOT) appeared first on Albeu.com.

Njihuni me shenjën më fatlume të horoskopit për muajin gusht

By: V K
29 July 2025 at 11:45

Gushti pritet të sjellë ndryshime të mëdha dhe energji të reja për të lindurit në shenjën e Shigjetarit. Sipas parashikimeve astrologjike, ky muaj do të shënojë një fillim të ri të fuqishëm, me ndikime të forta pozitive nga planeti mbrojtës, Jupiteri.

Karriera, emocionet dhe rrjeti shoqëror janë tre fushat kryesore, ku Shigjetari do të ndjejë transformim të ndjeshëm.

Mundësia për të ndërruar rrugën profesionale, ose për të marrë një ofertë të shumëpritur është më e afërt se kurrë.

Ndërkohë, energjitë e gushtit do të nxisin një pastrim emocional, duke lehtësuar problemet e së kaluarës dhe duke sjellë më shumë qartësi, paqe dhe vetëbesim.

Pritet gjithashtu që Shigjetari të hyjë në një cikël të ri njohjesh, ku njerëz të rinj do të luajnë rol kyç në udhëtimin e tij të ardhshëm, si burim mbështetjeje, motivimi dhe frymëzimi.

Astrologët këshillojnë që Shigjetari ta shfrytëzojë këtë muaj për:

Marrje vendimesh të guximshme dhe nisje projektesh të reja

Distancim nga marrëdhëniet apo zakonet që shkaktojnë kaos emocional

Reflektim përmes qetësisë, natyrës dhe meditimit

Besim të plotë në proces, edhe kur rruga nuk duket menjëherë e qartë

“Universi këtë herë është në anën tuaj”, thonë yjet për Shigjetarin.

Gushti mund të jetë porta drejt një versioni më të fuqishëm dhe të përmbushur të vetes – mjafton të hidhni hapin e parë.

The post Njihuni me shenjën më fatlume të horoskopit për muajin gusht appeared first on Albeu.com.

SPAK shtyn komunikimin e akuzës për Metën, Kryemadhi dhe nëna e saj njihen sot me vendimin

By: V K
29 July 2025 at 11:36

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet ndaj ish-Presidentit Ilir Meta, bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe nënës së saj, Fatime Kryemadhi.

Sipas burimeve zyrtare, sot në orën 10:00 ishte planifikuar që Ilir Meta të njoftohej zyrtarisht për përfundimin e hetimeve, por ky proces është shtyrë.

Arsyeja e shtyrjes lidhet me një kërkesë të paraqitur nga avokati i tij, Kujtim Cakrani, i cili ka njoftuar se ndodhet me pushime. Njoftimi ndaj Ilir Metës pritet të bëhet ditën e hënë.

Ndërkohë, në orët e pasdites së sotme pritet që Monika Kryemadhi dhe nëna e saj të njihen zyrtarisht me përfundimet e hetimit.

The post SPAK shtyn komunikimin e akuzës për Metën, Kryemadhi dhe nëna e saj njihen sot me vendimin appeared first on Albeu.com.

❌
❌