BRAZIL – Bllokohet foltorja pas urdhërit për arrest shtëpie për ish-presidentin Bolsonaro.
RIO DE ZHANEJRO, 6 gusht /ATSH-DPA/ – Ligjvënës dhe senatorë të krahut të djathtë kanë zënë foltoret në të dy dhomat e Kongresit brazilian në shenjë proteste kundër arrestit të shtëpisë të urdhëruar për ish-presidentin Jair Bolsonaro.
“Nuk do të largohemi derisa presidentët e të dy dhomave të takohen për të zgjidhur një problem të sovranitetit kombëtar”, tha Sostenes Cavalcante, kreu i grupit parlamentar i Partisë Liberale (PL) të ekstremit të djathtë të Bolsonaros.
Bolsonaro u vu të hënën në arrest shtëpie me urdhër të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Alexandre de Moraes për shkelje të kufizimeve të vendosura nga gjykata në një rast që lidhet me akuzat për komploti në një përpjekjeje për grusht shteti në vitin 2022.
Politikanët kanë bërë thirrje për një votim mbi procedurat e shkarkimit kundër Moraes, si dhe një amnisti për persona të përfshirë në sulmin ndaj ndërtesave qeveritare në janar 2023.
Derisa të ndodhë kjo, ata synojnë të bllokojnë të gjitha votat në Kongres.
Pasi Bolsonaro u mund në zgjedhjet e Brazilit në vitin 2022 nga rivali i krahut të majtë Luiz Inacio Lula da Silva, mbështetësit e tij, të cilët refuzuan të pranonin fitoren e Lulës, sulmuan Kongresin, Gjykatën Supreme dhe pallatin presidencial në Brasília më 8 janar 2023, duke shkaktuar dëme të mëdha.
olsonaro ka mohuar të gjitha akuzat që lidhen me përpjekjen për grusht shteti. /Ad.Ab./
The post BRAZIL – Bllokohet foltorja pas urdhërit për arrest shtëpie për ish-presidentin Bolsonaro. appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.