Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 26 July 2025Main stream

Aksioni për formalizimin e tregut ushqimor, Malaj: 76,1 tonë mallra të bllokuara në 12 ditë

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Aksioni për formalizimin e tregut të produkteve bujqësore dhe blegtorale, si dhe për rritjen e sigurisë ushqimore, ka dhënë rezultatet e para brenda një kohe të shkurtër.

Në vetëm 12 ditë janë inspektuar 209 subjekte dhe janë bllokuar 76,1 tonë mallra që nuk përmbushnin standardet ligjore dhe të sigurisë ushqimore.

Ministri i Financave, Petrit Malaj theksoi sot rëndësinë e këtij operacioni për garantimin e një tregu të ndershëm dhe të sigurt për konsumatorët.

“Aksioni do të vijojë pa ndërprerje për të garantuar që çdo produkt që shitet në treg të jetë i sigurt, i gjurmueshëm dhe i pajisur me dokumentacionin përkatës”, u shpreh ministri Malaj.

Sipas tij, operacioni synon jo vetëm ndëshkimin e shkelësve të ligjit, por mbi të gjitha krijimin e një mjedisi të barabartë për fermerët dhe prodhuesit e ndershëm, të cilët shpesh përballen me konkurrencën e pandershme dhe informalitetin.

Objektivat e aksionit përfshijnë formalizimin e tregut të produkteve bujqësore dhe blegtorale, rritjen e sigurisë ushqimore për konsumatorin, gjurmueshmërinë e produkteve nga ferma në tryezë, si dhe mbrojtjen e fermerëve dhe prodhuesve të ndershëm.

Autoritetet paralajmërojnë se kontrollet do të intensifikohen në ditët në vijim në të gjithë territorin e vendit.

/r.e/

The post Aksioni për formalizimin e tregut ushqimor, Malaj: 76,1 tonë mallra të bllokuara në 12 ditë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Të gjitha nënstacionet e rrezikuara nga zjarret janë operative

TIRANË, 26 korrik/ATSH Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur sot se të gjitha nënstacionet e rrezikuara nga zjarret dhe ngarkesa maksimale gjatë 24 orëve të fundit janë aktualisht funksionale.

Sipas saj, kjo është arritur falë përkushtimit dhe punës së palodhur të punonjësve të ndërmarrjeve shtetërore të energjisë.

Balluku vlerësoi angazhimin e trupave të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe Operatorit të Transmetimit, të cilët kanë mbrojtur dhe ruajtur asetet energjetike të vendit, duke garantuar vijimësinë e shërbimit dhe riparuar çdo avari, edhe në kushte të jashtëzakonshme moti, kur temperaturat kanë tejkaluar 40°C.

1 nga 4

/r.e/

The post Balluku: Të gjitha nënstacionet e rrezikuara nga zjarret janë operative appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rikthehet në funksion të plotë nënstacioni elektrik i Ibës

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Brigadat e Tensionit të Lartë të OSSH, në bashkëpunim me OST, punuan pa ndërprerje për vendosjen në tension transformatorin 110/10 kV të nënstacionit Ibë, i dëmtuar dje pasdite për shkak të rënies së zjarrit.

Gjatë gjithë natës janë kryer me shpejtësi zëvendësimi i të gjitha pajisjeve të dëmtuara, si transformatori i fuqisë, transformatorët e rrymës, tensionit, kabllot dhe urat kabllore, terminalet etj.

OSHEE bën të ditur se pavarësisht punimeve, banorët e zonave si Baldushk, Ibë, Bërzhitë, etj., janë furnizuar normalisht me energji elektrike brenda dy orëve nga dëmtimi i transformatorit, si rrjedhojë e lidhjeve në unazë me fidera të tjerë që dalin nga nënstacioni i Farkës.

Ndërkohë, sipas OSHEE-së, sot nuk ka patur asnjë fider të nënstacionit Ibë pa energji, pasi iu është dhënë tension nga fiderat unazorë që dalin nga nënstacioni i Farkës.

1 nga 4

/r.e/

The post Rikthehet në funksion të plotë nënstacioni elektrik i Ibës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Investime në bujqësi dhe ujitje në Himarë: Denaj takon fermerë të zonës

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi një takim me fermerë të zonës Horë-Vranisht në Bashkinë Himarë, ku u diskutua mbi mënyrat e bashkëpunimit midis fermerëve dhe blegtorëve, me synimin për të forcuar kapacitetet prodhuese dhe për të rritur aksesin në tregjet bujqësore.

Gjatë takimit, ministrja vuri në dukje rëndësinë e paketës së re të financimit, e cila vjen në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve.

Kjo paketë ofron mbështetje të konsiderueshme për sektorin bujqësor, duke përfshirë një grant deri në 50%, kredi të butë me interes vetëm 2%, si dhe garanci sovrane që mundësojnë mbulimin e kolateralit deri në 70%.

Masa të tilla synojnë të lehtësojnë aksesin në financim dhe të nxisin investimet në bujqësi, sidomos në zonat rurale.

Në vijim të diskutimit u trajtuan edhe çështjet që lidhen me përmirësimin e infrastrukturës ujitëse dhe mbrojtjen nga përmbytjet në zonat Sasaj–Lukovë–Shën Vasil, Horë-Vranisht, përgjatë lumit Shushicë dhe në zonën e Borshit.

Investimet në këto sisteme prekin një sipërfaqe prej mbi 900 hektarësh tokë bujqësore dhe synojnë garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë për çdo hektar të punueshëm.

/r.e/

The post Investime në bujqësi dhe ujitje në Himarë: Denaj takon fermerë të zonës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritje e ndjeshme e fluksit në Aeroportin e Rinasit gjatë sezonit turistik

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po përjeton një rritje të konsiderueshme të numrit të udhëtarëve gjatë sezonit veror 2025.

Vetëm gjatë muajit qershor, autoritetet në vend informuan se janë regjistruar mbi 1,14 milionë pasagjerë, që përfaqëson një rritje prej 8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e fluksit lidhet jo vetëm me sezonin turistik, por dhe me zgjerimin e lidhjeve ajrore.

Në këtë situatë, administrata doganore në Aeroportin e Rinasit thotë se ka marrë masa shtesë për menaxhimin e fluksit, përmes ristrukturimit të orareve të punës, shtimit të personelit në pikat kyçe dhe optimizimit të proceseve të kontrollit.

“Objektivi kryesor është garantimi i një procesi efikas dhe të sigurt për të gjithë udhëtarët, pa krijuar vonesa të panevojshme”, bën të ditur Dogana.

Për muajin korrik, i cili tradicionalisht shënon pikun e lëvizjes, autoritetet doganore theksojnë se do të vijojnë me të njëjtin nivel gatishmërie dhe monitorimi të vazhdueshëm, për të përballuar flukset në rritje dhe për të siguruar respektimin e procedurave ligjore në kufi.

/r.e/

The post Rritje e ndjeshme e fluksit në Aeroportin e Rinasit gjatë sezonit turistik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në nënstacionin e Ibës, rikthehet energjia elektrike në disa zona

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga një mot me temperatura të larta, duke arritur sot nivelin e 40 gradëve Celsius.

Për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe ngarkesës së rrjetit, është regjistruar një incident në nënstacionin Ibë, ku një zjarr përfshiu transformatorin e fuqisë 110/10 kV.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) bëri të ditur se zjarri është shkaktuar nga regjimi i sforcuar i funksionimit të pajisjeve, i ndikuar nga temperaturat e larta dhe rritja e konsumit. Reagimi i menjëhershëm i brigadave të zjarrfikëses dhe stafit teknik të OSSH bëri të mundur shuarjen e zjarrit pa pasoja për personelin, duke minimizuar dëmet materiale.

Për pasojë të stakimit të nënstacionit, u ndërpre përkohësisht furnizimi me energji elektrike në zonat: Bërzhitë, Mullet, Baldushk, Ibë dhe Krrabë. Falë lidhjeve në unazë me fidera të tjerë nga nënstacioni Farkë, energjia elektrike është rikthyer në një pjesë të zonave brenda një kohe të shkurtër.

OSSH njofton se ka shtuar grupet e punës në terren për të ndërhyrë me ritme të shpejta dhe thekson se puna do të vijojë pa ndërprerje deri në orët e para të mëngjesit, për të siguruar zgjidhjen e plotë të avarisë.

OSHEE Group kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për ndërprerjet e energjisë të shkaktuara nga faktorë natyrorë dhe thekson se mbetet e angazhuar maksimalisht për zgjidhjen e shpejtë të problematikave të krijuara në rrjetin e shpërndarjes.

/r.e/

The post Zjarri në nënstacionin e Ibës, rikthehet energjia elektrike në disa zona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Investimet në fshat kthejnë traditën në zhvillim, Denaj sjell shembullin e bujtinës në Tropojë


TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Politikat e qeverisë për mbështetjen e fermerëve dhe zhvillimin rural po japin rezultate konkrete në zonat malore të vendit, duke krijuar mundësi reale ekonomike për banorët lokalë dhe duke nxitur turizmin e qëndrueshëm.

Bujtina “Plis”, e ndërtuar me standarde moderne, por që ruan frymën e shtëpive tradicionale të Alpeve, është një shembull i shkëlqyer i mënyrës se si investimet në traditë, natyrë dhe mikpritje mund të shndërrohen në një atraksion turistik të jashtëzakonshëm.

Ajo ofron një përvojë autentike shqiptare mes maleve madhështore të Tropojës, me ushqim bio nga prodhimet e zonës dhe qetësinë e natyrës së egër e të paprekur.

Ky projekt jo vetëm që nxit turizmin lokal, por gjithashtu fuqizon ekonominë rurale, duke krijuar vende pune dhe duke mbajtur të rinjtë në zonat e tyre. Ai dëshmon se politikat e mbështetjes për fermerët dhe sipërmarrësit ruralë janë një instrument efektiv për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë malore.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri të ditur se përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, çdo fermer ka mundësinë të përfitojë financim me 50% grant dhe mbështetje nga Kredia e Butë, e kombinuar me Garancinë Sovrane.

Kjo skemë u ofron fermerëve një normë interesi vetëm 2%, duke e bërë financimin më të përballueshëm dhe të leverdishëm për sipërmarrjet në bujqësi dhe agroturizëm. Ajo shtoi se përveç kësaj, mbulimi i kolateralit arrin deri në 70%, duke ulur ndjeshëm barrën financiare për aplikantët.

Për zonat malore, mbështetja është edhe më e madhe falë Paketës së Maleve, e cila synon të fuqizojë zhvillimin ekonomik dhe të nxisë qëndrueshmërinë e jetesës në këto zona të thella.

/r.e/

The post Investimet në fshat kthejnë traditën në zhvillim, Denaj sjell shembullin e bujtinës në Tropojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Ambasada: Kohëzgjatja e qëndrimit në SHBA përcaktohet nga oficeri i Doganës dhe Mbrojtjes së Kufirit

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë publikoi një sqarim për qytetarët shqiptarë lidhur me afatet e vizave amerikane dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në SHBA për vizitorët ndërkombëtarë.

Në njoftimin zyrtar thuhet se data e skadencës së vizës nuk përcakton kohëzgjatjen e lejuar të qëndrimit në SHBA.

Sipas ambasadës, është Oficeri i Doganës dhe Mbrojtjes së Kufirit (CBP) ai që vendos se për sa kohë një vizitor mund të qëndrojë në SHBA, në momentin e mbërritjes.

“Një vizë amerikane ju lejon të udhëtoni drejt një pike hyrjeje në Shtetet e Bashkuara dhe të kërkoni leje për të hyrë në vend”, thuhet në njoftimin e ambasadës

Sipas njoftimit, kohëzgjatja e qëndrimit të secilit qytetar përcaktohet nga Oficeri i Doganës dhe Mbrojtjes së Kufirit (CBP) në momentin e mbërritjes së tij.

“Kujtesë! Kohëzgjatja e qëndrimit të një vizitori ndërkombëtar në Shtetet e Bashkuara përcaktohet nga oficeri i Doganës dhe Mbrojtjes së Kufirit në momentin e mbërritjes suaj, jo nga data e skadencës së vizës”, sqaron ambasada.

The post Ambasada: Kohëzgjatja e qëndrimit në SHBA përcaktohet nga oficeri i Doganës dhe Mbrojtjes së Kufirit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

QKB: 541 biznese të huaja u regjistruan në 3-mujorin e parë

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Shqipëria po konsolidohet si një destinacion tërheqës për investitorët ndërkombëtarë, duke shënuar një rritje të ndjeshme në regjistrimin e bizneseve me pronësi të huaj dhe partneritete shqiptaro-të huaja.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Biznesit (QKB), në vetëm 3 muajt e parë të vitit janë regjistruar 541 biznese me pronësi të huaj, një rritje prej 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjithashtu, janë regjistruar 94 biznese me pronësi të përbashkët shqiptaro-të huaj, që përfaqësojnë një rritje prej 42% në të njëjtën krahasim vjetor.

“Në total, regjistrimi i bizneseve me element të huaj ka shënuar një rritje prej 44%, një tregues i qartë i rritjes së besimit në tregun shqiptar dhe i interesit të shtuar nga investitorët globalë. Shqipëria po shndërrohet në një pikë kyçe për nisma me vizion ndërkombëtar, duke ofruar një klimë gjithnjë e më të favorshme për zhvillimin e biznesit dhe investimeve afatgjata”, bën të ditur QKB.

Investimet e huaja direkte në Shqipëri arritën një rekord prej 1.58 miliard eurosh në vitin 2024, duke shënuar rritje veçanërisht në sektorët e ndërtimit dhe energjisë. /j.p/

The post QKB: 541 biznese të huaja u regjistruan në 3-mujorin e parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INSTAT: Eksportet drejt Gjermanisë, 12.2 miliardë lekë

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Eksportet në vlerë drejt Gjermanisë në 6-mujorin e këtij viti shënuan rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Referuar të dhënave, eksportet drejt Gjermanisë llogariten 12.2 miliardë lekë, nga 11.1 miliardë lekë që llogariteshin për të njëjtën periudhë në 2024-ën.

Në rritjen e eksporteve me rreth 1.1 miliard lekë, ndikimin kryesor e dha grupi tekstile dhe këpucë. Të dhënat tregojnë se nga 12.2 miliardë lekë që ishte vlera e eksporteve, eksportet e tekstileve dhe këpucëve ishin në vlerën e 5.4 miliardë lekëve.

Ndryshe nga eksportet, importet shënuan rënie me rreth 1.5 miliard lekë përkundrejt 2024-ës, duke zbritur në 29.8 miliardë lekë nga 31.3 miliardë lekë që ishin në 2024-ën.

Shkëmbimet tregtare me Gjermaninë në 6-mujorin e vitit 2024 llogariten në rreth 7.6 % të totalit, duke e renditur këtë vend si partnerin e katërt tregtar të vendit tonë.

Qeveria federale ka investuar në Shqipëri që prej vitit 1988 më shumë se 1.2 miliard euro në formë grantesh dhe kredish, gjë që e shndërron Gjermaninë një ndër donatorët bilateralë më të mëdhenj në vend. /j.p/

 

The post INSTAT: Eksportet drejt Gjermanisë, 12.2 miliardë lekë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapet gara për pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të INSTAT

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave hapi garën për pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të Institutit të Statistikave (INSTAT), pas përfundimit të mandatit të Elsa Dhulit, e cila qëndron në këtë pozicion që prej 2020-ës.

Drejtori i përgjithshëm i INSTAT-it emërohet nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave, pas një procedure të hapur dhe publike përzgjedhëse.

Drejtori i përgjithshëm i INSTAT-it drejton strategjinë e zhvillimit dhe veprimtarinë koordinuese të institucioneve brenda sistemit kombëtar statistikor, duke siguruar pavarësinë profesionale të tyre.

Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më 29 gusht 2025.

Kandidatët do të njoftohen individualisht dhe përmes faqes zyrtare të Kryeministrisë për fazat e mëtejshme të procesit, përfshirë verifikimin e kritereve, ankimimet, intervistën dhe datën e zhvillimit të saj, e cila do të bëhet brenda datës 30 shtator 2025.

Lista e kandidatëve të kualifikuar për intervistë do të shpallet brenda datës 22 shtator 2025.

Gjatë intervistës, kandidatët do të testohen mbi njohuritë e tyre në fushën e statistikave, legjislacionin që rregullon administratën publike dhe funksionimin e sistemit statistikor.

Gjithashtu, do të paraqesin një prezantim të shkurtër mbi filozofinë e tyre drejtuese dhe risitë që synojnë të sjellin në këtë pozicion.

Aktualisht, ky institucion drejtohet nga Elsa Dhuli, e cila u emërua në këtë post në nëntor 2020. /j.p/

The post Hapet gara për pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të INSTAT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rriten të ardhurat nga TVSH-ja, rimbursimet arrijnë në 11.1 miliardë lekë

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) kanë shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që rimbursimet për bizneset janë realizuar në vlerën 11.1 miliardë lekë.

Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat nga TVSH në import u realizuan në shumën 75.9 miliardë lekë, 674 milionë lekë ose 0,9% më shumë se periudha janar- qershor 2024.

Ndërkohë, të ardhurat nga TVSH e arkëtuar neto arritën në 33.2 miliardë lekë, me një rritje prej 5.7 miliardë lekësh ose 20,8% më shumë se një vit më parë.
Krahasuar me planin e periudhës, ky tregues është realizuar me rritje prej 918 milionë lekësh, ose 2,8%.

Rimbursimet e TVSH-së për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 arritën në 11.1 miliardë lekë. Kthimi i TVSH-së për tatimpaguesit kontribuon në likuiditetin dhe funksionimin e tyre të rregullt. /j.p/

The post Rriten të ardhurat nga TVSH-ja, rimbursimet arrijnë në 11.1 miliardë lekë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 50 mijë qytetarë dhe 18 mijë mjete fluks ditor në pikën kufitare Morinë–Vërmicë

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Në pikën kufitare Morinë–Vërmicë është regjistruar një intensitet i lartë lëvizjeje gjatë sezonit turistik, me fluks ditor që tejkalon 50 mijë qytetarë dhe 18 mijë mjete.

Ky intensitet i lartë udhëtimesh është tregues i rëndësisë strategjike që ka kjo pikë kufitare për lidhjen mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë ndërkufitare.

Menaxhimi i vijës kufitare është bërë me një koordinim të ngushtë mes dy palëve, duke shmangur vonesat dhe duke garantuar një përvojë sa më të mirë për qytetarët që udhëtojnë.

Kjo është dëshmi e një bashkëpunimi të suksesshëm institucional që forcon jo vetëm marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, por edhe besimin e qytetarëve në funksionimin e shërbimeve publike në kohë me ngarkesë të lartë. /j.p/

The post Mbi 50 mijë qytetarë dhe 18 mijë mjete fluks ditor në pikën kufitare Morinë–Vërmicë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcim i bashkëpunimit rajonal në rikuperimin e aseteve me origjinë kriminale

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, mori pjesë në workshop-in dyditor të organizuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC), i zhvilluar në Tiranë, me fokus në forcimin e mekanizmave për rikuperimin dhe menaxhimin e aseteve me origjinë kriminale.

Gjatë diskutimeve mbi menaxhimin e pasurive pas konfiskimit dhe iniciativat për ripërdorim social, Xhaja prezantoi përvojën shqiptare në këtë drejtim, duke ndarë shembuj konkretë të pasurive të konfiskuara që janë vendosur në funksion të interesit publik.

“Ripërdorimi social i pasurive të konfiskuara është jo vetëm një mënyrë efektive për të kthyer drejtësinë në komunitet, por edhe një mundësi për të ndërtuar besimin e qytetarëve te institucionet”, u shpreh Xhaja, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në këtë proces.

Xhaja shprehu gatishmërinë e AAPSK për të forcuar më tej bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, si edhe me aktorët e tjerë vendas, në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të projekteve dhe nismave për ripërdorimin social të pasurive të konfiskuara.

Kryeadministratorja e AAPSK vuri gjithashtu në dukje rëndësinë e ndarjes së përvojave midis vendeve të rajonit dhe më gjerë, si edhe nevojën për të thelluar më tej bashkëpunimin rajonal, me qëllim ngritjen e kapaciteteve teknike dhe institucionale në këtë fushë.

Workshop-i mblodhi përfaqësues nga zyrat e rikuperimit të aseteve edhe nga vendet të rajonit, si Kosova dhe Bosnje-Hercegovina, ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve ligjzbatuese, për të ndarë përvojat më të mira dhe për të promovuar bashkëpunimin ndërkufitar në luftën kundër krimit të organizuar dhe pasurive të paligjshme. /j.p/

1 nga 4

 

The post Forcim i bashkëpunimit rajonal në rikuperimin e aseteve me origjinë kriminale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Eksportet e mineraleve dhe energjisë elektrike, rritje me 43,8%

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Eksportet e grupit të mineraleve dhe lëndëve djegëse shënuan rritje me 43,8% gjatë gjysmës së parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në vlerë ato llogariten mbi 55,8 miliardë lekë, nga 38.8 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të 2024-ës.

Gjatë kësaj periudhe grupi “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” dha një kontribut prej 8.6 pikë përqindje në totalin e eksporteve.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në këtë periudhë sasia më e madhe e mineraleve dhe e lëndëve djegëse kishte për destinacion Kosovën.

Në periudhën janar-qershor, eksportet e këtij grupi drejt Kosovës llogariten 25.5 miliardë lekë. /j.p/

The post Eksportet e mineraleve dhe energjisë elektrike, rritje me 43,8% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Investojmë në avionë zjarrfikës, asnjë zonë e banuar në rrezik

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Nga Baza Ajrore e Farkës, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në një prononcim për mediet sot, foli për situatën e rënduar nga zjarret që kanë përfshirë disa zona të vendit.

Ministri bëri të ditur se qeveria shqiptare është e angazhuar për të forcuar kapacitetet e vendit për përballimin e emergjencave.

Ai deklaroi se Shqipëria do të investojë në avionë zjarrfikës dhe mjete të specializuara ajrore, për të qenë më e përgatitur ndaj kërcënimeve që vijnë nga zjarret, të cilat po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive, si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Vengu konfirmoi angazhimin maksimal të Forcave të Armatosura dhe theksoi mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, si dhe planet për të rritur kapacitetet ajrore të Shqipërisë në përballimin e emergjencave natyrore.

“Forcat tona janë të angazhuara intensivisht në përballjen me zjarret në Dukat dhe Llogora, ku është bërë një punë heroike, si nga toka, ashtu edhe nga ajri, për të ndalur përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur Parkun Kombëtar”, u shpreh ministri Vengu.

Ai bëri të ditur se janë ndarë detyrat edhe me forcat aleate, të cilat po veprojnë në zona të ndryshme në vend.

Nëpërmjet Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, Shqipërisë i janë vënë në dispozicion dy helikopterë të ushtrisë hungareze, të cilët aktualisht po operojnë në zonat e Shkopetit dhe Ulëzës, ndërkohë që një avion zjarrfikës Canadair i Forcës Ajrore Kroate ka ndërhyrë në mënyrë vendimtare në Parkun Kombëtar të Lurës.

Ministri e vlerësoi këtë ndihmë si dëshmi të bashkëpunimit të ngushtë mes Shqipërisë, Hungarisë, Kroacisë dhe Bashkimit Europian në përballimin e emergjencave natyrore.

Duke folur për gjendjen e sigurisë, Vengu tha se nuk rrezikohen zona të banuara dhe se vatrat aktive janë kufizuar, ndërsa janë vendosur perimetra sigurie në të gjitha zonat problematike.

Ministri vlerësoi reagimin efikas të strukturave në terren, duke theksuar se në disa raste, falë ndërhyrjeve të shpejta, është bërë e mundur që flakët të neutralizohen plotësisht.

Një ndër shqetësimet kryesore për Ministrinë e Mbrojtjes mbetet faktori njerëzor. Vengu theksoi se shumë prej zjarreve kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo edhe nga zjarrvënie të qëllimshme. Ai përmendi një rast të fundit në Parkun Kombëtar të Llogorasë, ku, ndërkohë që forcat po vepronin në një zonë tjetër, një vatër zjarri u ndez në mënyrë të dyshimtë. Sipas tij, ngjarja do të hetohet, por reagimi i shpejtë i forcave bëri të mundur shmangien e një katastrofe të mundshme.

Në këtë kuadër, ministri Vengu u bëri apel strukturave vendore, rrjeteve të vullnetarëve dhe Mbrojtjes Civile që të qëndrojnë vigjilentë dhe të jenë të gatshëm për ndërhyrje në çdo moment, duke përdorur të gjitha mjetet dhe burimet në dispozicion.

/r.e/

The post Vengu: Investojmë në avionë zjarrfikës, asnjë zonë e banuar në rrezik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forca ajrore hungareze dhe kroate në ndihmë të Shqipërisë kundër zjarreve

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi sot një vizitë në Bazën Ajrore të Farkës, ku u takua me pilotët hungarezë të dy helikopterëve H225M, të cilët ndodhen në Shqipëri për të ndihmuar në përballimin e zjarreve në disa zona të vendit.

Këto mjete ajrore po operojnë krahas avionit Canadair të Forcës Ajrore Kroate.

“Kjo mbështetje, në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, është dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë dhe solidaritetit të fortë mes Shqipërisë, Hungarisë, Kroacisë dhe BE-së në përballimin e emergjencave natyrore”, deklaroi ministri Vengu.

Ministri theksoi gjithashtu nevojën për vigjilencë maksimale në orët dhe ditët në vijim, për shkak të kushteve të vështira klimatike dhe rrezikut të shtuar nga zjarret.

Ai vlerësoi gjithashtu punën e 1300 efektivëve civilë dhe ushtarakë që janë angazhuar në përballimin me flakët dhe temperaturat ekstreme në të gjithë territorin e vendit.

/r.e/

The post Forca ajrore hungareze dhe kroate në ndihmë të Shqipërisë kundër zjarreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hidhet për konsultim publik projektligji “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik, projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”.

Projektligji është hartuar me mbështetjen e Bankës Botërore dhe synon të krijojë një mekanizëm ligjor dhe financiar për mbulimin e humbjeve që mund t’i pësohen pronarëve të banesave nga dëmet e shkaktuara nga tërmetet, duke garantuar kompensimin e shpejtë dhe efikas të tyre.

Ministri i Financave, Petrit Malaj bëri të ditur se hartimi i këtij projekligji mbështetet në përvojat e suksesshme të disa vendeve dhe ka si qëllim zvogëlimin e ndikimeve financiare, fiskale dhe ekonomike që mund të shkaktojnë fatkeqësitë natyrore.

Sipas relacionit të projektligjit, modeli i sigurimit të detyrueshëm është mbështetur mbi praktikat e suksesshme ndërkombëtare, veçanërisht nga vendet si Turqia dhe Rumania, të cilat kanë arritur të reduktojnë ndjeshëm koston fiskale dhe ekonomike që shkaktojnë katastrofat natyrore.

Projektligji përcakton krijimin e Fondit për Tërmetet, si person juridik publik me formë shoqërie aksionare, me pavarësi operacionale dhe financiare, nën pronësinë e Ministrisë së Financave, si dhe rregullat për shpërndarjen dhe likuidimin e tij. Gjithashtu, parashikohet që në rast sigurimi të dyfishtë, dëmshpërblimi kryhet fillimisht sipas sigurimit detyrues, ndërsa pjesa që tejkalon mbulohet nga sigurimi vullnetar.

Projektligji parashikon që subjekte të ndryshme, përfshirë banesat sociale me qira, banesat në proces legalizimi dhe njësitë e vetqeverisjes vendore, janë të detyruara të lidhin kontrata sigurimi në përputhje me dispozitat përkatëse, duke financuar pagesën e primit nga buxhetet e tyre.

Sigurimi detyrueshëm nga tërmetet mbulon vetëm dëmet materiale në pronën e siguruar gjatë periudhës së vlefshmërisë së policës, duke përjashtuar dëmtimet trupore, dëmet jopasurore, sendet brenda banesës, shpenzimet për pastrimin e mbetjeve dhe humbjet financiare.

Gjithashtu, është përcaktuar shuma maksimale e dëmshpërblimit për sigurimin e detyrueshëm të banesës, si dhe mënyra e përcaktimit të saj dhe niveli i pjesës së zbritshme që mbulohet nga i siguruari për çdo dëm të shkaktuar nga tërmeti.

Subjektet që nuk lidhin kontratë sigurimi të detyrueshme nga ngjarjet e tërmeteve sipas këtij ligji, do të përballen me masa shtrënguese, të cilat përfshijnë: mospërfitimin e shërbimeve kadastrale, mospërfitimin e shërbimeve nga platforma e-Albania, dhe mospërfitimin e shërbimeve nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Këto masa synojnë sigurimin e zbatimit të detyrimeve ligjore për sigurimin nga tërmetet.

Dëmshpërblimi në varësi të shkallës së dëmtimit dhe masës së dëmshpërblimit, paguhet brenda tre muajve, duke filluar nga momenti i plotësimit të plotë të dokumentacionit përkatës.

Implementimi i këtij ligji, sipas MF-së, pritet të përmirësojë ndjeshëm sistemin e menaxhimit të riskut në Shqipëri, duke siguruar një mbrojtje më të mirë financiare për qytetarët dhe duke reduktuar barrën fiskale mbi buxhetin e shtetit pas ngjarjeve katastrofike.

Shqipëria është një vend i ekspozuar dhe i prirur ndaj fatkeqësive natyrore, ku rreziqet kryesore që prekin territorin janë tërmetet, përmbytjet, zjarret në pyje dhe rrëshqitjet e dheut. Sipas Raportit të Rrezikut Botëror 2021, i cili llogarit Indeksin e Rrezikut të Fatkeqësive për 181 vende në bazë të kapaciteteve përballuese dhe shkallës së ekspozimit, Shqipëria renditet e para në Evropë dhe në vend të 61-të në nivel botëror, duke theksuar kështu vulnerabilitetin e lartë të vendit ndaj katastrofave natyrore.

Vlera totale e aseteve tregtare, industriale dhe bujqësore që janë në rrezik nga përmbytjet dhe tërmetet arrin rreth 17,6 miliardë dollarë.

Humbjet potenciale financiare për fatkeqësi me periudhë kthimi 250-vjeçare vlerësohen në 2,08 miliardë euro për tërmetet dhe 1,18 miliardë euro për përmbytjet, sipas të dhënave të Bankës Botërore (2014).

Shqipëria është goditur nga tërmete me magnitudë mbi 6 ballë, që nga viti 1900 janë regjistruar 12 tërmete të tilla. Më i fundit dhe më shkatërruesi ishte tërmeti i nëntorit 2019 me magnitudë 6.4 ballë, i cili preku mbi 200 000 njerëz në 11 bashki, përfshirë qytetet kryesore si Tirana dhe Durrësi. Ky tërmet shkaktoi një dëm të konsiderueshëm ekonomik, me kosto të drejtpërdrejta që përfaqësonin rreth 7,5% të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit. Pjesa më e madhe e dëmeve u fokusua në sektorin rezidencial, ku u prekën 18% e njësive të banimit, duke sjellë nevojën emergjente për rindërtim dhe ndihmë financiare.

Në përballje me pasojat e këtij tërmeti, qeveria shqiptare ndërmori masa të menjëhershme për të siguruar fonde emergjente, të cilat u përdorën për rindërtimin e banesave të dëmtuara dhe për mbështetjen e familjeve të prekura.

Kjo situatë evidentoi ngarkesën e madhe financiare që fatkeqësitë natyrore shkaktojnë dhe nevojën urgjente për një model të qëndrueshëm dhe sistematik për menaxhimin e riskut dhe mbrojtjen sociale.

/r.e/

The post Hidhet për konsultim publik projektligji “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë me Danimarkën

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot marrëveshjen me qeverinë e Mbretërisë së Danimarkës për eliminimin e tatimit të dyfishtë mbi të ardhurat, si dhe për parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor.

Kjo marrëveshje synon të lehtësojë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe të garantojë një mjedis më të sigurt dhe më të drejtë tatimor për individët dhe bizneset që ushtrojnë veprimtari në të dyja shtetet.

Me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, synohet shmangia e tatimeve të dyfishta mbi të ardhurat, një praktikë që shpesh pengon investimet dhe krijon barrë të panevojshme për taksapaguesit.

Marrëveshja gjithashtu parashikon mekanizma për shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin midis autoriteteve tatimore të dy vendeve, në mënyrë që të luftohet evazioni tatimor dhe të rritet transparenca financiare.

/r.e/

The post Marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë me Danimarkën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria zgjeron rolin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, do të kontrollojë lejet e ndërtimit

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të mbikëqyrë edhe lejet e ndërtimit në kompetencë të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, përmes kontrolleve në terren dhe monitorimit të sistemeve të kamerave.

Këshilli i Ministrave miratoi ndryshime në vendimin e 2015-s, për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Agjencisë, me qëllim forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe zbatimit të rregullave për zhvillimin e territorit.

Agjencia do të përgatisë raporte përkatëse mbi këto kontrolle dhe do të informojë Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit, si dhe institucionet e tjera përgjegjëse.

Krahas rolit mbikëqyrës, Agjencia do të angazhohet edhe në organizimin e aktiviteteve promovuese si ekspozita, panaire dhe veprimtari të tjera kombëtare e ndërkombëtare, me synim nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm urban dhe përfshirjen e arkitekturës moderne në planifikimin territorial.

Gjithashtu, përmes këtij vendimi, Agjencia fiton të drejtën të financojë ose bashkëfinancojë projekte që lidhen me zhvillimin e territorit dhe promovimin e arkitekturës moderne dhe inovative. Zbatimi i vendimit do të ndiqet nga vetë Agjencia e Zhvillimit të Territorit, ndërsa vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

/r.e/

The post Qeveria zgjeron rolin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, do të kontrollojë lejet e ndërtimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌