Për Kimete Hotin nga Krusha e Madhe, pranvera nis ende pa zbardhur agimi dhe mbyllet në mesnatë. Tash e 26 vite ora katër e mëngjesit e gjen Kimeten përballë listës së gjatë të punëve që sjellin bletaria dhe përgatitja e ajvarit.
Presioni i verës rritet mes gumëzhimës së bletëve dhe aromës së specave, teksa kujdesi për bletët dhe përgatitja e mjaltit dhe ajvarit kërkojnë kohë dhe përkushtim.
Me ardhjen e vjeshtës dhe ftohtësisë që ndjehet në ajër, puna arrin kulmin. Nëntori shënon fundin e sezonit dhe për Kimeten, përfundimin e një periudhe të mundimshme.
“Nganjëherë them a u bon 24 orë apo u bon 30 orë? E kam vetëm pauzën e ushqimit dhe të kafes se sezoni është shumë i shkurtër”, rrëfen Kimetja.
Ajo udhëheq sot me përkushtim biznesin “Mjaltë dhe Ajvar i Krushës”, por 26 vite më parë ajo mbijetonte përmes bletarisë, konservimit të turshive dhe përgatitjes së ajvarit, pasi në moshën 27 vjeçare ajo mbeti nënë vetushqyese pas vrasjes së bashkëshortit në luftë.

Përkundër se Krusha e Madhe ofron terren të përshtatshëm për bujqësi, puna shpesh pengohet nga reshjet dhe ndryshimet klimatike, ndërsa dimri shton sfidat duke rrezikuar përhapjen e sëmundjeve që një bletë e infektuar mund t’ia transmetojë gjithë kosheres.
“Ndodh për shembull ndonjëherë që mundet edhe me dështu, nuk mundesh me marrë mjaltë aq sa mendon për shkak të të reshurave”, shpjegon Kimetja.
Kryerja e punëve në një punëtori të mbyllur e të mbrojtur nga temperaturat ekstreme do t’i përmirësonte kushtet e Kimetes dhe do të ulte barrën financiare të punës në shtëpi.

“Shpenzime ka mjaft sa nganjëherë thu qysh do t’i nxjerrë këto shpenzime. Nisur së pari nga bletaria. Bleta për shembull, kosherja, fundi, sandeku, rrobat, teli, dylli, pastaj kutia, mandej kapaku, mos të flas tjera e tjera sene”, numëron Kimetja, e cila me shpenzime përballet edhe kur bie fjala te përgatitja e ajvarit.
Organizata joqeveritare “Gruaja Fermere” nga Rahoveci, themeluar më 2006, merret me sfidat e grave dhe organizimin e trajnimeve për avancimin e tyre.
Muradije Shehu nga kjo organizatë përmend si pengesa kryesore mungesën e marketingut, importin, mungesën e agronomëve në terren dhe nevojën për trajnime në plane biznesi dhe kultivim cilësor.
“Për sfidat që sjellin ndryshimet klimatike, gratë që punojnë në sektorin e bujqësisë duhet të bashkëpunojnë me një agronom në komunë dhe të informohen si duhet t’i përshtaten kultivimit të prodhimeve në ndryshimet klimatike”, sqaron Shehu.
Ajo shton se mungesa e tokës në emrin e grave ua vështirëson atyre qasjen në subvencione dhe mbështetje financiare.
Në botën e mbushur me kimikate “99 Lule” sjell natyrën në shishe
Edhe pse ndryshimet klimatike e kanë vështirësuar bujqësinë në Kosovë, Havushe Bunjaku e themeloi më shumë se dhjetë vite më parë kompaninë “99 Lule” që merret me bimë medicinale, çajra natyralë, vajra esencialë dhe produkte për kujdesin e lëkurës.
“Motivimi ynë ka qenë gjithmonë të krijojmë një ndërmarrje që mbështet zhvillimin e mjedisit dhe rritjen e grupeve të margjinalizuara, duke ofruar mundësi punësimi dhe edukimi për gratë nga zonat rurale”, shprehet Bunjaku.

Përkundër këtij rrugëtimi, angazhimi i kamotshëm i “99 Lule” shpesh sfidohet nga reshjet dhe thatësirat, të cilat vështirësojnë punën dhe rrisin kostot e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.
“Periudhat e thatësirës kanë kërkuar më shumë investime në sistemin e ujitjes, ndërsa reshjet e shumta kanë rritur nevojën për mbrojtje nga sëmundjet dhe dëmtuesit, duke rritur përdorimin e substancave natyrale për mbrojtje, që janë shpesh më të shtrenjta”, përshkruan Bunjaku.

Gratë më të prekura nga ndryshimet klimatike në bujqësi
Besim Aliu, Koordinator dhe Parashikues i Motit në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës – IHMK, shpjegon se reshjet e tepërta mund të shkaktojnë përmbytje dhe erozion, ndërsa thatësira ndalojnë prodhimin dhe furnizimin me ujë, duke rritur varësinë nga inputet bujqësore si sistemi i ujitjes.
Në këtë kontekst, Aliu thotë se gratë hasin më shumë sfida përballë ndryshimeve klimatike.
“Gratë në sektorin bujqësor, të cilat shpesh merren me kultivime të vogla dhe ndihmojnë në menaxhimin e ekonomive familjare, janë më të prekura për shkak të mungesës së burimeve financiare dhe qasjes në teknologji moderne”, sqaron ai.
Rëndësinë strategjike të bujqësisë si një shtyllë kyçe për zhvillimin ekonomik të vendit e vlerëson Imer Rusinovci, profesor në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës.
Ai nënvizon nevojën për programe të mirëplanifikuara për zhvillimin e bujqësisë, duke theksuar se sigurimi i ushqimit dhe ulja e importit duhet të jenë prioritete për vendin.
“Pra, vendit i nevojiten programe konkrete e jo të ashtuquajtura strategji të shumta që janë bërë nga OJQ të ndryshme të cilat janë pothuajse të karakterit deskriptiv”, tregon Rusinovci.
Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) thonë se në kuadër të programeve vjetore mbështetëse kanë aplikuar masa afirmative për veprimtaritë e grave fermere.
Sipas MBPZhR-së, në masën 1 “Investime në asete fizike të ekonomive bujqësore” secila grua që i plotëson kriteret e pranueshmërisë, merr 2-5 pikë shtesë.
“Duhet theksuar se tashmë është e njohur si për MBPZhR-në dhe të gjithë fermerët se ndryshimet klimatike viteve të fundit po e shprehin ndikimin e tyre negative në sektorin e bujqësisë”, është përgjigjur ministria.
Ky institucion ka bërë të ditur se janë ndërmarrë disa iniciativa përmes projekteve në bashkëpunim me MBPZhR-në, me synim trajtimin serioz të kësaj çështjeje dhe zbatimin e masave për përshtatjen e kulturave bujqësore ndaj ndryshimeve klimatike. /Bubulina Peni dhe Donjeta Rexhbogaj/
Artikulli origjinal është publikuar në platformën e QIKA – Qendra për Informim, Kritikë, dhe Aksion, përmes projektit “Barazia Gjinore në Zbutjen dhe Përshtatjen e Ndryshimeve Klimatike” të mbështetur nga qeveria gjermane dhe i zbatuar përmes Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2024 – “Skema e Mbështetjes së Shoqërisë Civile (CSS)” organizuar nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës.
The post Nën qiellin që ndryshon, gratë bartin mbi supe ndryshimet klimatike në bujqësi appeared first on Telegrafi.