Finlanda i bashkohet Francës për avancimin e zgjidhjes me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez
Finlanda mbështet deklaratën e Francës që promovon zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, duke sinjalizuar njohjen e ardhshme të Palestinës si pjesë e një kuadri më të gjerë paqeje.
“Finlanda i është bashkuar deklaratës së Francës për avancimin e zgjidhjes me dy shtete. Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, po dërgojmë mesazh të qartë dhe të fortë: Paqja në Lindjen e Mesme është thelbësore për t’i dhënë fund vuajtjeve njerëzore”, tha ministrja e Jashtme finlandeze, Elina Valtonen në X.
Ajo theksoi se paqja nuk është vetëm e nevojshme, por edhe e mundur, megjithëse kërkon përpjekje të konsiderueshme. “Mbrëmë u ndërmorën disa hapa në drejtimin e duhur”, shtoi Valtonen duke iu referuar progresit të bërë gjatë takimeve në Konferencën aktuale të OKB-së për Palestinën në New York.
Deklarata e përbashkët i angazhon nënshkruesit e saj për të promovuar zgjidhje me dy shtete, bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm, lirimin e pengjeve dhe shpërndarjen e papenguar të ndihmës humanitare në Gaza.
Gjithashtu thekson rëndësinë e angazhimit të Autoritetit Palestinez për demilitarizimin dhe çarmatimin e Hamasit.
“Zgjidhja me dy shtete nuk ka të bëjë vetëm me të ardhmen e Palestinës, por edhe me sigurinë e Izraelit”, tha Valtonen. Ajo u bëri thirrje vendeve që ende nuk e kanë bërë këtë të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin dhe të mbështesin integrimin e tij në kornizat rajonale të sigurisë.
Kryediplomatja finlandeze potencoi se vendet arabe, përfshirë Katarin, Arabinë Saudite dhe Egjiptin, shprehën publikisht mbështetje për çarmatimin dhe largimin e Hamasit nga Gaza.
Valtonen tha se njohja e shtetit të Palestinës është një hap drejt realizimit të zgjidhjes me dy shtete, por theksoi se Finlanda do ta bënte këtë kur të konsiderohet se i shërben më së miri stabilitetit dhe sigurisë rajonale.
“Ajo duhet të përmbushë nevojat e sigurisë si të izraelitëve ashtu edhe të palestinezëve dhe të mbështesë aspiratat e shtetësisë dhe vetëvendosjes së Palestinës”, tha Valtonen.